EMRI I DURRËSIT – DISA PAK KOMENTE

Toponimet janë të vështira për t’u etimologjizuar; sepse nuk e dimë se çfarë kuptimi kanë pasur, kur u përdorën si emra vendesh (ose në aktin e emërtimit); dhe sepse nuk është e thënë të ketë lidhje mes një toponimi dhe gjuhës që e përdor. Për shembull, ndodh rëndom që një popullsi ardhëse të adoptojë toponimet që i gjen në përdorim, pa i zëvendësuar me të vetat – dhe ashtu toponimet janë më të vjetra, se gjuha e popullsisë që banon në ato vende. Kjo do të thotë edhe që, për të etimologjizuar një toponim, është mirë që të identifikohet gjuha së cilës i ka përkitur, në momentin kur është përdorur për herë të parë. Duke e afruar emrin e qytetit të Durrësit me fjalën (shqipe) “derë”, Albert Riska presupozon se atë emër e ka vendosur një popullsi që fliste një formë të vjetër të shqipes. Por presupozimi është relativisht i brishtë, aq sa njëlloj mund ta përdorim prejardhjen e emrit Durrës nga fjala “derë”, për të provuar se atje jetonte, qysh në prehistori, një popullsi që fliste një formë të vjetër të shqipes. Pikërisht ky lloj argumenti qarkor tregon se etimologjia e toponimeve është fushë me mina. I vetmi rast kur mund të procedohet me një farë sigurie, është kur njihet historia e emërtimit – me fjalë të tjera, kur ka një dëshmi dokumentare ose historike, për arsyet pse një vend u quajt kështu apo ashtu. Për shembull, kur qyteti i Sarandës është quajtur kështu, nga manastiri i Dyzet shenjtorëve (greqisht: “Agioi Saranda”). Përndryshe, asociacionet në bazë të ngjashmërisë së fjalëve nuk janë metodë e sigurt, siç e provon deri edhe emri i krahinës Mirdita, që shumë nga ne sot e shpjegojnë si të prejardhur nga përshëndetja “Mirëdita”, edhe pse ky yni është shpjegim paretimologjik, pa bazë historike.

Për t’u shënuar që Durrësi në lashtësi njihej më parë si Epidamnos, dhe më pas si Dyrrhachion; të dy emrat përdoren në greqishte, por i pari është më i vjetri; dhe prej shumëve konsiderohet si ilir; ku parashtesa epi-, e njohur mirë për greqishten, mund të ketë qenë edhe formë e hershme e shqipes (m)bi, ndërsa pjesa e dytë, damnos, e krahasueshme me dem të shqipes, siç e pat vënë re Çabej, që sillte si gjymtyrë krahasimi një shqipe të rindërtuar *dam; ky autor përmend edhe që Durante fliste për një ilirishte damn-, me kuptimin “kalë”, dhe që Heziku ka një δάµvoς “kalë” për tirenishten. Hipotezën se kjo Epidamnos mund të shpjegohej si “mbi dem”, e pat ilustruar arkeologia Fatbardha Shkupi, me një imazh të bregdetit të Durrësit, i cili i ngjan vërtet profilit të një demi (edhe pse mbetet pyetja se kush mund ta ketë parë atë “dem” nga lart).

Dyrrhachion edhe grekët vetë e etimologjizonin si kompozitë nga δυσ- “keq” dhe ῥαχία “breg shkëmbor, përmbytje, tallaz”; duke përmendur disa vështirësi që u dilnin detarëve atje; ndërsa Appiani pat rrëfyer një legjendë për mbretin e barbarëve, Epidamnin, që ia dha emrin qytetit, ndërsa nipi i tij, Dyrrachius ndërtoi një port aty pranë. Prejardhjen greke të fjalës e pranon edhe Çabej, i cili përmend edhe forma të këtij emri në shekuj, përfshi latinishten e mesme Duracium, italishten Durazzo, frëngjishten e vjetër Duras, serbishten Drâč dhe turqishten Draç. Për shqipen, forma më e vjetër e dokumentuar është Durrëc, te Bardhi; njëlloj edhe Bogdani. Ky autor njëherazi risjell tezën se disa toponime trirrokëshe të hershme, të trevës ilire jugore, si Isamnus: sot Ishëm Ishm, Drivastum: Drisht e kanë pasur theksin në rrokjen e parë, dhe kjo karakteristikë është trashëguar pa ndërprerje deri më sot; dhe ashtu Durrës rrjedh prej greqishtes së vjetër Δυρράχιov, në gjuhën e lashtë të vendit Dúrrach- Dúrrachi̯- (me zhvendosje të theksit); dhe kjo me burim prej një forme greke me shqiptim u të ypsilonit. Thekson Çabej: “vetëm shqipja ka ruajtur te ky emër qyteti theksimin mbi rrokjen nistore; gjithë emrat e tij në gjuhët e tjera e kanë mbi të dytën: Ai rrjedh prej gr. së vjetër, këta prej latinishtes.” Kjo do të thotë edhe se forma me theks nistor është formë e rindërtuar, të paktën deri kur dokumentohet, në shekullin XVII. Sipas një burimi më të vonë se Çabej, turqishtja osmane e quante qytetin Dırac (دراج), me shurdhim të zanores fundore, duke dhënë pastaj në turqishten moderne Dıraç – çfarë lejon të deduktohet që osmanët e mësuan emrin e qytetit prej sllavëve (khs. serbishten Drâč). Nga ana tjetër, gjithnjë në lidhje me theksin nistor të fjalës, që ndeshet vetëm në shqipe, Matzinger mendon se kjo është me shumë gjasë huazim nga një formë romane e artikuluar si */Dúrratso-/, por pa sqaruar rrethanat e zhvendosjes së theksit në këtë formë “romane”; edhe pse një faqe më parë ka thënë se “Theksi nistor i shqipes Dúrrës shfaqet si vazhdimësi e theksimit tradicional vendas, të cilin e ndeshim shumë shpesh në toponiminë ilire dhe për të cilën ka paralele edhe tek emrat e vendit në anën tjetër të Adriatikut, në bregdetin puliez.”[1]

© 2024 Peizazhe të fjalës. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është krijuar me AI.


[1] Matzinger Joachim, Shqiptarët si pasardhës të ilirëve nga këndvështrimi i gjuhësisë historike, në vëllimin Historia e shqiptarëve, gjendja dhe perspektivat e studimit, Botime Përpjekja, 2012, f. 26-27.

6 Komente

  1. Riska, pasi jep nje analize koncize qe tregon background profesional, shtron ne fund ngjashmerine e Durs me dyrt ( dyert) ose ders ( deres)per shkak te tingellimit, funksionit dhe fjales port ne lat-it . Do shtoja edhe te gjatesise se zanores u-y ne te dy fjalet. Pra 4 arsye. Hipoteza e Riskajt duket me e bazuar se alternativat e alambikuara te permendura ketu, aq me teper kur njihen toponimet si Dimal, Sibota, Sibari, ose emra si Aferdita, qe duken sikur ulurasin shpjegimin e tyre me shqipen e sotme. Fakti qe ende nuk eshte provuar qe shqipja ekzistonte 2000 vjet me pare, nuk e perjashton a priori dhe hipoteza nuk duhet trajtuar si blasfemi, treguesit jane mbledhur me pare e po shtohen. Shqipja e formules se pagezimit, shqipja e arberesheve apo shqipja e Mesharit tregojne qenesi te konsoliduar te te dy dialekteve dhe vazhdimesi pa ndryshime tek e sotmja, megjithe krahas-perdorimin 500 vjecar edhe te turqishtes, serbishtes, greqishtes, latinishtes apo italishtes. Kjo tregon se folesit e shqipes nuk evoluojne. Nese versionet e meparshme per Durresin legjitimohen vetem me emrin e gjuhetarit, eshte shume pak, sidomos sepse dihet qe puna kerkimore e gjuhetareve paraardhes ka qene e percipte per shkak te mjeteve, kohes dhe dijes detyrimisht te pjesshme. Ndaj asumptionet e tyre nuk jane prova, e sidomos jo kur per hir te tyre sado te cituara, perjashtohet e dukshmja vetem sepse eshte e tille. Kujtoj qe Cabej shpesh ka ndryshuar mendim mbi prejardhjen e fjales sapo i eshte shfaqur nje version me i arsyeshem, si kane bere dhe gjuhetare te tjere. Mendoj se sidomos sot kur ka nje shperthim te mundesive te reja per t’iu afruar te vertetave mund t’i largohemi dogmatizmit, sepse dhe Cabej, me integritetin qe kishte, do ta refuzonte respektin dogmatik, Russell ka folur per paqendrueshmerine e te vertetes ne shkence.
    Meqe u permend dhe emri i dyte Epidamn, po rrezikoj duke iniciuar hamendesimin “epi(jepi)-dham” qe eshte vet esenca e portit, ashtu si do mund te ishte dhe rasti i Marsejes me marr-sill per Marsiglia ose marr-sjell per Marseille.

  2. Është e sigurt se fshati dhe më vonë qyteti i Marsejës është ndërtuar qysh në fillim me port, me koncept urbanistik të qartë?! Dhe vetëm pasi u ndërtua porti “ndërkombëtar” i atij vendbanimi ende pa emër, si më i rëndësishmi objekt se çdo ndërtesë institucionale-qeveritare-kulturore në atë fshat, pastaj qytet, dhe vetëm pasi u pa funksioni dhe rëndësia jetike e portit, atëherë u mendua për t’i gjetur fshatit apo qytetit emrin më domethënës dhe karakterizues, bazuar në shqipen: marr-sjell?! Po pse jo: “shpie-sjell”, “shpie-bie”, apo “sjell-shpie” e sjell-çoj/dërgoj”?!
    Ai etimologu tjetër as që e di se po nënkupton apo thotë haptas se në fillim ka qenë një gjuhë: me në përbërje fjalë si: “gjë”, “e”, “egër”, “është” dhe pasi u konstatua nga dijetarët e kohve të lashta se “gegërishtja” ishte “gjuhë e egër”, vendosën ta quajnë “gjë e egër është”?! Dhe kjo quhet lindje e vërtetë dhe e mirëfilltë e gjuhës (për herë të parë!), pavarësisht se të dyja gjuhët e nënkuptuar logjikisht në këtë lloj shpjegimi ekzistojnë njëkohësisht, pa e mohuar a në konflikt me njëra-tjetrën?!

  3. Ore me gjithe mend paska edhe lunatike qe etimologjine e toponimit “Marseille” e nxjerrin nga shqipja “mar – sjell”? Zot na ruaj. I bie qe cdo fjale, e cdo gjuhe qe ka ne perberjen e saj rrokjen “car” e ka prejardhjen nga AJO fjala shqipe? Per te mos folur per anglishten ku i bie qe “automobili” duhet te ishte me dy rrota, jo me kater.

    1. Etimologjia popullore Dule .P.sh “Kurvelesh”= kur vete per te marre lesh ,sepse dihet qe ajo eshte zone blegtorale e njohur per rritjen e deleve .

      1. Haha, nje emigrant kurveleshas ne Itali, kur e pyeten: “Da dove vienni?” u pergjigj da Putana di Lana”.

        1. Ai ka qene shpjegimi popullor i rruges qe tani paraqitet si shkence e madhe .Duhet te vije nga latinishtja curve alessio= brazdat e lakuara apo te rrudhura .Apo ndoshta eshte emer sllav si gjithe toponimet e laberise .

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin