PRAPË E GJETËT ARMIKUN, O TË PALODHUR!

Irakli Koçollari boton sot në “Dita” një artikull të gjatë polemik, në përgjigje të nja-dy statuseve të mia në Facebook, lidhur me Bubulinën, arvanitët dhe raportin e këtyre me identitetin shqiptar modern.

Autori e njeh mirë fushën, madje prej tij kam mësuar shumë edhe unë, siç edhe ia kam thënë në person.

Nuk jam historian, as kam pretendime të ndërhyj dhe të korrigjoj gjykimet dhe vlerësimet e historianëve. Ajo që kam shkruar është, pikërisht, një status ku shpreh një mendim personal, një opinion prej qytetari.

Më duket e ekzagjeruar që ky status të trajtohet dhe të kritikohet prej Koçollarit, si të ishte artikull shkencor ose disertacion.

Duket që ai nuk i njeh rrjetet sociale dhe as mënyrën si komunikohet atje.

Nga ana tjetër, dhe pavarësisht nga mediumi ku artikulohem, unë i mbetem argumentit se arvanitët – veçanërisht ata prej të cilëve rridhte Bubulina, ose banorët e Jugut të Greqisë dhe të ishujve – u shkëputën prej trungut arbëror, para se arbrit të fillonin ta quanin veten “shqiptarë.”[1]

Provë për këtë është që fjalën “shqiptar” nuk e kanë pasur dhe as e kanë përdorur as arvanitët në Greqi, as arbëreshët në Itali; dhe aq më pak si etnonim. Këtë e them si gjuhëtar, jo si historian; dhe e gjykoj me vlerë, aq sa ka vlerë argumenti nga historia e shqipes, në historinë e shqiptarëve. Adoptimi prej nesh, i emrit “shqiptar” në fund të shekullit XVII, është dëshmi e një ndryshimi të thellë të identitetit tonë kolektiv, i cili njëherazi shënjon edhe rrugëtimin tonë të vështirë nga etnia në KOMB.

Ma rrëzoni këtë argument, po të mundeni, o eruditë turmash! Dhe vetëm pastaj ejani t’i cilësoni fjalët e mia si “mjerane”!

Njëlloj i mbetem mendimit se Bubulina ARVANITE është “heroinë” e grekëve të sotëm; dhe se pjesëmarrja e saj në luftën e atij populli për Pavarësi nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me çështjen tonë shqiptare. Nëse ka shqiptarë që duan të krenohen me të, unë nuk do t’i pengoj dhe as mund t’i pengoj – por as do t’i duartrokas.

Të gjitha këto janë mendime të miat personale, të cilat ia lejoj vetes t’i shpreh në statuse në rrjetet sociale dhe t’i ndaj me miqtë e mi; dhe se t’i marrësh ato dhe t’i trajtosh si të ishin përfundime “shkencore”, siç bën autori, është t’i nxjerrësh nga konteksti dhe t’i PËRDORËSH për synimet e tua.

Koçollari ka përdorur artilerinë, për të vrarë një grenxë.

Në vend që të shprehë edhe një solidaritet minimal prej kolegu, me mua dhe kundër dhunës verbale në disa nga komentet që pasuan statuset e mia, ai më akuzon se u paskam thënë bashkëfolësve “Ma siete pazzi!”, duke i lënduar (ruajna Zot!) dhe duke shkelur etikën e domosdoshme gazetareske…

Këta njerëz që erdhën e më quajtën të shitur, gjakprishur e tradhtar.

T’i ketë shpëtuar vallë hakërrimi – me pretekstin e indinjatës – i kësaj mase të madhe kapadaijsh të vrazhdë dhe të paditur, që nesër mund të organizohen politikisht dhe ta përdorin linçimin e tjetrit jo vetëm në virtualitet, por edhe në sheshet e qyteteve?

Autorit vazhdoj t’ia respektoj përpjekjet e mëdha që ka bërë, për t’i mbajtur arvanitët dhe historinë e tyre në vëmendjen të opinionit publik në Shqipëri. Por në këtë shkrim ai flet si ideolog jo si historian, me gjuhë të vjetruar dhe përjashtuese, duke lëshuar kundër meje insinuata të denja për një komisar të Sigurimit të Shtetit a për një prokuror gjyqi politik të Enverit.

E njoh mirë atë gjuhë, sepse e kam përjetuar edhe vetë. Tani që e rigjej tek Irakli Koçollari, kujtohem me trishtim sa pak ka ndryshuar, në qasjen tonë ndaj debatit publik dhe pluralizmit të mendimit, këto tridhjetë e kusur vjet. Sikurse kujtohem sa pak ka ndryshuar, në skllavërimin tonë ndaj ideologjive (sidomos kur të vjetruara) dhe konformizmit.

Kacavarrja pas nacionalizmit folklorik nuk do ta shpëtojë Akademinë nga irrelevanca, sepse ka të tjerë që e bëjnë më fort e më mirë; dhe as nga përçmimi i hapur me të cilin po e rrethon një pjesë e madhe e opinionit publik. Si një njeri që e ka paguar shtrenjtë dhe PERSONALISHT mbrojtjen sistematike që i kam bërë, në publik, shkencës dhe traditës albanologjike – duke iu ekspozuar pështymave dhe squfurit shumë më tepër se Koçollari dhe kolegët e tij të strukur në foletë e tyre institucionale – i gjykoj këto qasje si pjesë të problemit, jo të zgjidhjes.

© 2024 Ardian Vehbiu & Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.

 


[1] Sipas dokumenteve në dispozicion, dhe sikurse e kanë vënë gjerësisht në dukje ata që janë marrë seriozisht me këtë punë, nga Çabej te Myderrizi, Sedaj, Ismaili, Shaban Demiraj dhe Bardhyl Demiraj, të parët tanë filluan ta quajnë veten SHQIPTARË dikur në fund të shekullit XVII – deri atëherë ky emërtim nuk përdorej. Përkundrazi, fjala SHQIP, si emër i gjuhës, ndeshet që te Buzuku dhe pastaj te Budi e të tjerë autorë të vjetër.

Fjalë të tilla si SHQIPTAR, që një popull i përdor për të emërtuar veten, quhen “endonime”. Në rastin tonë, endonimi nuk përkon me emrin që përdorin të tjerët, për të na emërtuar – dhe që është zakonisht një formë e ALBANIAN, ALBANAIS, ALBANESE, etj.

Por kujdes: nëse ne e kemi ndërruar emrin që përdorim për veten (endonimin), dhe kemi adoptuar formën e re SHQIPTAR, të tjerët nuk ndërruan gjë. Nëse emri ynë i mëhershëm ishte ARBNESH/ARBËRESH, dhe pastaj u bë SHQIPTAR, për italianët ALBANESE ishte, dhe ALBANESE mbeti.

Kjo krijon edhe një problem përkthimi. Kur një kronikë italiane flet për zbarkimin e “albanesi” në portet italiane, në vitet 1990, këtë do ta përkthejmë si “shqiptarë”; por kur një kronikë italiane flet për zbarkimin e “albanesi” në portet italiane të shekullit XV, këtë nuk mund ta përkthejmë si “shqiptarë”, sepse në atë kohë, ata që zbarkuan, NUK E QUANIN VETEN shqiptarë. E quanin arbneshë/arbëreshë, ose arbnorë/arbërorë.

Provë për këtë është që fjala SHQIPTAR nuk është përdorur në dialektet dhe të folmet e atyre që janë larguar nga trojet e tyre, deri në fund të shekullit XVII; arbëreshët e Italisë nuk e njohin, as arbërorët (arvanitët) e Greqisë.

Ky ndërrim i emrit etnik (endonimit) nuk mund të kalohet lehtë. Ka domethënie të thellë, sepse lidhet drejtpërdrejt me mënyrën si e kanë perceptuar veten ndërruesit.

Çfarë mund ta bëjë një popull të ndërrojë emrin me të cilin e njeh veten? Në rastin e të parëve tanë, mendohet se ky ndërrim ka njëfarësoj të bëjë me ndërrimin e fesë, ose islamizimin e një pjese relativisht të madhe të popullsisë. Mund të ketë ndodhur që kjo SHQIPTAR, me kuptimin e dikujt që “flet shqip” (edhe thjesht që “flet qartë”), të jetë përdorur në fillim nga të krishterët, për të emërtuar myslimanët që flisnin shqip, duke i dalluar këta nga myslimanët e tjerë.

Një emër i rëndomtë për myslimanin në Ballkan, edhe sa i përket shqipes, ka qenë TURK. Ky emër është përdorur zakonisht i zhveshur nga ngarkesa etnike, duke iu referuar dikujt të fesë islame; këtë e ilustron edhe shprehja “turq e kaurë”.

Por mund të ketë ndodhur që, për të krishterët në Shqipëri, myslimanët që flisnin shqip të perceptoheshin ndryshe nga myslimanët e tjerë, si më të afërt; dhe në atë rast emri SHQIPTAR të jetë adoptuar, në krye, për të emërtuar myslimanin “që flet gjuhën tonë.”

Sikurse mund të ketë ndodhur e kundërta: myslimanët që flisnin shqip të mos kenë qenë rehat me identifikimin si TURQ, dhe të kenë kërkuar një endonim tjetër, më të afërt me identitetin e tyre etnik.

E gjitha kjo, në një kohë kur komunitetet, në trojet shqiptare, po bëheshin të vetëdijshëm se gjuha që flisnin i afronte më shumë, se ç’i ndante feja. E kotë të shtoj se ky ishte një hap i madh drejt formimit të identitetit kombëtar të shqiptarëve.

Pavarësisht si ka ndodhur, ky ndërrim i endonimit do të ketë ardhur si pasojë e një ndryshimi të vetëdijes etnike, në rrethanat kur identifikimi i dikujt nëpërmjet gjuhës ka marrë përparësi ndaj identifikimit nëpërmjet fesë.

Ka të dhëna se emri “arbnesh/arbëresh” u kish kufizuar tashmë për të krishterët në trojet shqiptare; në mënyrë të tillë që ta bënte të papërshtatshëm për myslimanët që refuzonin të quheshin TURQ. Atëherë SHQIPTAR do të ishte një zgjidhje kompromisi, që do t’i kënaqte të dyja palët.

Këto procese, që kanë kërkuar kohë, kanë ndodhur edhe kur të parët tanë, të feve të ndryshme, kanë filluar të ndërveprojnë më fort mes tyre, sidomos në ekonomi, tregti dhe në qytetet, dhe kanë pasur shansin të krahasojnë ngjashmëritë dhe dallimet mes tyre. Kanë qenë kohët kur filloi të përvijohej një ekonomi e përbashkët, një treg i brendshëm i bashkërenduar, dhe kur u bënë përpjekje më të qëndrueshme për ta shkruar shqipen, edhe jashtë hapësirës mirëfilli religjioze.

Janë ashtu edhe provë se një komb “shqiptar” po fillonte të kristalizohej, pas shkatërrimit të Arbërisë në shekullin XV.

Lexoni edhe këtu:

Shqipi i Da Lecce-s

Edhe një herë për etnonimin “shqiptar” dhe fjalën “shqip”

Vendbanimet shqiptare në mesjetën e hershme

Emri i shqiptarëve në Albania Veneta

Cili shqiptar?

Për një synopsis të literaturës:

Rreth emrit shqiptar

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin