MENDIME PËR HISTORINË E DIALEKTEVE TË SHQIPES

Një koment nga lec më ngacmoi të mendoj për marrëdhëniet historike mes dy kryedialekteve të shqipes. Sa më poshtë, janë disa shënime që i hodha me të shpejtë, si pika për një diskutim. Ju lutem, mos i përdorni kundër meje. Për arsye kohe dhe vendi, i kam lënë jashtë disa gjëra të njohura mirë (p.sh. që toskërishtja është treguar në mesjetën e hershme më inovuese se gegnishtja, por më pas ka qenë gegnishtja sidomos qendrore që ka inovuar më shumë, etj.).

Anila vërejti, në shkrimin për zdramë/zdrëmë, duke iu referuar burimeve “klasike” të gjuhësisë historike, se në faza më të hershme të shqipes, kryedialektet “ishin shumë më parë njëri-tjetrit sa janë sot.”

Kjo më krijon një problem – nëse është vërtet kështu, atëherë mund të supozojmë se ka pasur një fazë jo dhe aq të hershme kur këto kryedialekte praktikisht ekzistonin më shumë si nuanca brenda një areali pak a shumë homogjen.[1]

Gjithsesi, në këtë rast duhet të marrim parasysh modelin teorik të “evolucionit” gjuhësor që jemi duke ndjekur; madje të pyesim sa ndikon ky model, në përgjigjet që marrim; ose të paktën ta dimë se disa përfundime na i dikton vetvetiu modeli.

Në krye dua të sjell dy shembuj për krahasim: rusishten dhe italishten; ose më mirë, dialektet në rusishte dhe në italishte. Nga këto dy gjuhë, rusishtja flitet në një territor shumë të hapët, e megjithatë dialektet e rusishtes janë të parëndësishme – një rus nga Vladivostoku merret vesh menjëherë me një rus nga Moska ose Leningradi.

Përkundrazi, dialektet e italishtes janë kaq të ndryshme mes tyre, sa folësit nuk e kuptojnë njëri-tjetrin. Për një napoletan, e folmja bergamaske është po aq e pakuptueshme sa rumanishtja ose portugalishtja.

Arsyet e këtyre diferencave mes rusishtes dhe italishtes lidhen me arsyet e zhvillimit të dialekteve, siç parashikohen nga teoritë e gjuhësisë diakronike. Merren në konsideratë lëvizjet e popullsisë, përzierjet e popujve dhe të gjuhëve, rendi politik, feja, substrati, adstrati dhe superstrati, shkalla e kontaktit infra-linguistik e kështu me radhë. Nuk është vendi për të hyrë në hollësi.

Por në vija shumë të trasha, le të themi se rusishtja dallon nga italishtja, në aspektin e dialekteve, sepse ekspansioni i rusishtes në trojet e sotme ka ndodhur relativisht vonë, ndërsa italishtja është folur (ka evoluar) aty ku flitet sot për mijëra vjet.

Le ta formulojmë kështu: sa më i shpejtë dhe i vonë ekspansioni demografik, aq më të vogla dallimet dialektore.

Të marrim edhe një shembull të tretë: anglishtja në Britaninë e Madhe (dialekte me dallime të mëdha mes tyre) dhe anglishtja në SHBA (ka dialekte, por jo shumë të dallueshme). Sërish, në SHBA anglishtja është përhapur relativisht vonë, ndërsa në Britaninë e Madhe është folur (ka evoluar) për të paktën 1500 vjet.

Sa formuluam më lart është një model teorik, që e ndesh rëndom në tekstet e gjuhësisë historike.

I zbatuar për shqipen ky model jep një rezultat të papritur: që ekspansioni shqiptar në trojet e sotme paska ndodhur relativisht vonë; përndryshe, sikur shqipja të flitej aty ku flitet sot, pa ndërprerje të vijueshmërisë, për mijëra vjet, dallimet mes dialekteve të saj do t’u ngjanin atyre mes dialekteve të italishtes.

E theksoj: ky nuk është përfundim, por vetëm rezultat inferencial, në bazë të një modeli ad hoc.

E megjithatë, ai përkon me tezën e njohur të Georg Stadtmueller-it (Forschungen zur albanischen Frühgeschichte, Harrassowitz, 1966), për ekspansionin demografik të shqiptarëve në Mesjetën e Hershme, teori që po quaj të Big Bang-ut shqiptar në Ballkan.

(Mua teza e Stadtmueller-it nuk më ka bindur, por kjo është çështje tjetër.)

Ja edhe një hipotezë e bashkëlidhur: autoktonia e shqiptarëve në trojet e sotme lidhet ngushtë me moshën e dialekteve të shqipes: sa më të vjetra dialektet, aq më gjasë ka që shqipja të jetë folur në vijueshmëri atje ku flitet edhe sot.

Si ta pajtojmë këtë, me përfundimin të cilit iu referua Anila, se deri andej nga shekulli XIV-XV kryedialektet e shqipes kanë qenë shumë të afërt se ç’janë sot?

Nëse mund ta pajtojmë?

Le të kemi parasysh edhe se disa dallime mes këtyre kryedialekteve – si hundorëzimi, rotacizmi, dallimet -ue/-ua, trajtimi i grupeve vo-/va-, ndoshta edhe prania/mungesa e paskajorjes – janë pak a shumë konfirmuar si të periudhës parasllave.

Në kuptimin, për shembull, që rotacizmi, përgjithësisht, nuk i ka prekur sllavizmat e shqipes. Por kjo nuk i jep përgjigje pyetjes se kur ka nisur rotacizmi në shqipe – pa çka se dikur do të ketë nisur, dhe jo dhe fare në para-histori… Ndonjë autor e ka lidhur rotacizmin me ardhjen e sllavëve, ndonjë tjetër (Pipa) me substratin e supozuar trak, ndonjë i tretë ka gjetur paralele me rumanishten, etj.

Le të kemi parasysh edhe se, nga dialektet e shqipes, toskërishtja i ka shumë më të forta se gegnishtja lidhjet me rumanishten, çfarë nuk mund të shpjegohet lehtë, nga konfigurimi i tanishëm gjeografik i dialekteve.

Këtu mund të bëhet pyetja: konfigurimi i sotëm i dialekteve të shqipes, sipas aksit veri-jug, a mund të jetë pasojë e zhvendosjeve edhe të jashtme, edhe të brendshme të popullsive shqipfolëse në një periudhë më të vonë se ndarja e shqipes në dy kryedialektet?

Këtë pyetje e ka bërë diku edhe Çabej.

Kam lexuar – por tani nuk kujtoj dot ku – se toskërishtja e sotme mirëfilli, ajo që ndan gegnishten jugore nga labërishtja, ka gjasa që të ketë hyrë si pykë në trojet e shqipes, në një periudhë më të vonë se ndarja e shqipes në dy kryedialekte.

Ja edhe një pyetje tjetër: nëse ndarja mes kryedialekteve nuk është shumë e vjetër, a mund të supozojmë – dhe të kërkojmë – në shqipe gjurmë të një ndarjeje tjetër dialektore, më të vjetër, që pastaj ka ardhur duke u tretur?

Për shembull, të një ndarjeje jo sipas aksit veri-jug, por sipas aksit perëndim-lindje?

Një mënyrë spekulative, si mund të kërkoheshin prova për këtë do të ishte si vijon: (1) të mblidhen diferencat dialektore mes të folmeve të gegnishtes perëndimore nga të folmet e gegnishtes lindore, duke faktorizuar kronologjinë (duke eliminuar dallimet e vona, si p.sh. diftongimi i zanoreve të theksuara në dialektet e Krujës, Matit dhe të Dibrës); (2) të mblidhen diferencat dialektore mes të folmeve të toskërishtes perëndimore (të themi, labërishtes) dhe të folmeve të toskërishtes lindore, sërish duke faktorizuar kronologjinë; dhe (3) të krahasohen mes tyre këto diferenca, për të parë nëse ka ngjashmëri mes mënyrës si dallojnë mes tyre të folmet gege në aksin perëndim-lindje dhe mënyrës si dallojnë mes tyre të folmet toske në aksin perëndim-lindje.

Një mënyrë tjetër do të ishte trajtimi i diferencuar i huazimeve, p.sh. latine. Brenda latinitetit ballkanik, është studiuar trajtimi i ndryshëm që i është bërë grupit ct, i cili është palatalizuar në perëndim dhe ka zhvilluar një element labial në lindje. Në shqipe, këto dy zhvillime shfaqen në forma si shenjt, gjymtyrë, etj. për palatalizimin dhe në forma si luftë, etj. për elementin labial. Por këto diferenca nuk janë pertinente për dialektet e shqipes, në kuptimin që luftë ndeshet edhe në gegnisht edhe në toskërisht (janë, përkundrazi, pertinente për latinishten ballkanike).

Një hipotezë e tretë është që Big Bang-u i Stadtmueller-it të pranohej, por vetëm si fazë e një procesi të paraprirë nga një Big Crunch: pra që shqiptarët e hershëm të ishin tërhequr, përballë dyndjeve barbare, në një zonë të izoluar për t’u mbrojtur, dhe pastaj të kishin dalë që andej sërish; dhe kur kanë jetuar bashkë, ta zëmë në zonën e Matit, do t’i kenë rrafshuar dallimet dialektore të mëhershme – të para Big Bang-ut. Kjo nuk përjashton që, pas “shpërthimit” demografik në Mesjetë, këta shqiptarë të mos kenë ndeshur në xhepa të shqipes së ruajtur gjetiu nëpër Ballkan (sidomos në Epir), dhe t’i kenë asimiluar; sikurse nuk përjashton dyndjen e hershme, në viset e sotme, të një popullsie që fliste toskërisht por që vinte nga një zonë më në Lindje, me kontakte të ngushta me rumanishten (paraardhësit e rumunëve të sotëm).

Me një fjalë: mbrojtësit e tezës së autoktonisë shqiptare në trojet e sotme – qoftë kjo edhe autoktoni relative – duhet t’i japin një shpjegim, ose kundërshpjegim, hipotezës përgjithësisht të mbështetur se dallimet mes kryedialekteve të shqipes, gjithë i pasur rrënjët në periudhën parasllave, nuk kanë qenë aq të mëdha, në periudhën kur filloi të dokumentohej shqipja. Përndryshe, ideja se shqipja ka ardhur duke u diferencuar në periudhën historike paravendon një periudhë shqipeje pak a shumë homogjene, që të shpie pashmangshëm tek teoria e ekspansionit demografik të Stadtmueller-it. Një rrugëdalje nga kjo pseudodilemë do të ishte kundërhipoteza e vjetërsisë së madhe të dialekteve të shqipes.

 

© 2020, Peizazhe të fjalës. Të gjitha të drejtat të rezervuara™.


[1] Mbani parasysh edhe se ky model replikon, në shkallë të reduktuar, modelin e ekspansionit të indoeuropianishtes, nga një gjuhë mëmë pak a shumë e njësuar, në morinë e gjuhëve bija të sotme. Të dyja modelet paravendojnë kalimin nga thjeshtësia në kompleksitet, nga njëtrajtësia në diferencim; por nuk i kanë as i ofrojnë instrumentet për të analizuar të kundërtën. Dhe, sikur kaq të mos mjaftonte, nuk është dhe kaq e zorshme të dallosh, në to, paralelizma me origjinën dhe zhvillimin e specieve, në biologjinë evolutive. Por le ta lëmë me kaq.

12 Komente

  1. Hapesira ku jetojne sot shqiptaret ka qene zone teper e ekspozuar ndaj kontaktit me romaket , megjithate shqiptaret I shpetuan latinizimit te plote.A ndodhi kjo per shkak te kultures tone te lashte e cilesive luftarake te popullit tone trim ,te mencem e sypatrembur si mesohej ne historine e kohes se Dulles apo se shqiptaret gjate asaj kohe mund te mos kene qene aty ?

    1. Për mua përgjigjja logjike do të ishte: paraardhësit e shqiptarëve aty kanë qenë, por prej këtyre paraardhësve kanë mbijetuar (dhe kanë vazhduar pastaj deri te ne) ata që nuk u asimiluan në kontakt me romakët. Kush u asimilua u asimilua. Pastaj mbase më vonë edhe u kundër-asimilua, ose vazhdoi si arumun (vllah). Kjo përgjigje do të kërkonte që të pranonim, në parim, se jo të gjithë u asimiluan. Më shumë u romanizuan zonat urbane dhe viset e ulëta, më pak zonat malore dhe ato larg rrugëve të mëdha. Në një kohë kur vendësit nuk shkruanin, asimilimi bëhej nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë; përndryshe mund të ndodhte edhe që një fis vendës të dëbohej nga tokat e veta dhe të shpërngulej diku tjetër. Por asimilimi total më duket i pamundur, po aq i pamundur sa edhe “pastërtia” etnike: këto janë konstruksione romantike që nuk i qëndrojnë kritikës. Aq më tepër, me shfaqjen e rrezikut të dyndjeve barbare, paraardhësit e shqiptarëve dhe popullsitë e romanizuara do të kenë qenë në aleancë mes tyre, për shumë arsye (e tregon këtë edhe kultura e Komanit, pavarësisht nga interpretimet).

  2. Hiç mos u tut nga verejtjet. Shyqyr qe guxove mor zoteri. Nuk mbaj mend ndonje parashtrim te tille ketu tek pejsazhet. Pas viteve ’90 s’di ku tjeter te jete shtruar keshtu kjo teme. Veçse, kuptohet, te dhenat historike, munguese, e veshtiresojne mjaft konkluzionin e gjuhetarit.
    Ia vlen keshtu!

  3. Ndoshta duhet sqaruar, se cfare eshte dallim dialektor. Nese marrim si kut te kuptuarin, une, toske qe nuk e shqipton e dallon dot “q” nga “ç”, nuk i kuptoj Tetovaret, e ne shume raste as Kavajsit apo Shkodranet e Malesise se Madhe.

  4. Ne fakt toskerishtja e gegerishtja jane fqinje, keshtu qe krahasimi i duhur do kish qene napoletancja me lacialen ose kalabrishten, sepse jane fqinje dhe jo me bergamasken. Per me teper qe bergamaskja eshte kelto-italike, kurse napolitancja italo-dalmatike.
    Ne kete kuptim dialekti lacial me ate napolitan jane shume afer njeri-tjetrit, pavaresisht vjetersise.

    Nga ana tjeter nuk ka ndonje shpjegim te mirefillte ta zeme pse variantet e se njejtes gjuhe ndahen aq sa te krijojne gjuhe me vete, psh pse nje gjuhe ne France eshte e grupit oil dhe tjetra e grupit oc, pavaresisht se jane fqinje dhe jane i njejti trung kelto-romance.

    Nga pikepamja teorike, teoria e pemes e zbatuar per shqipen qe ndahet ne gegerisht e toskerisht eshte e pamjaftueshme dhe e sforcuar, sepse te supozosh se qe prej Nishit ne Arte ne shek 5 ka qene nje dialekt i vetem ilir eshte nonsens. Ne shek 5, iliret do kishin diku mes 2 mije dhe 3 mije vjeteve qe do gjendjeshin nga Nishi ne Arte, si popullsi e qendrueshme agro-blegtorale, pra me siguri ( sipas cdo modeli diakronik) kane pasur me shume sesa 1 dialekt.

    Nqs teoria e pemes zbatohet per nje dialekt ilir ne nje territor cfaredo te Ilirise ( ta zeme ne Bosnje ose Mal te Zi), logjikisht kemi te bejme me perhapje te tij ne territorin nga Nishi ne Arte ( cka le hapesire per greket e serbet).

    Teoria e pemes e zbatuar per shqipen ngado ta rrotullosh ka probleme serioze edhe ideologjike ( perpos gjuhesore) dhe eshte e habitshme paaftesia ideologjike qe ka udhehequr Akademine e Shkencave deri me sot.

    Problemeve si gjuhesore si ideologjike u jep shpjegim me te mire teoria e valeve, qe gegerishtja dhe toskerishtja jane zhvillime te dialekteve te mehershme ilire ( disa dialekteve qe mbijetuan ne zona te ndryshme malore nga Bosnja ne Nish duke zbritur poshte).

    1. Ka shumë që ngatërrojnë AUTOKTONINË me VIJUESHMËRINË. Por paraardhësit e shqiptarëve mund të kenë jetuar gjithnjë pak a shumë në trojet ku flitet shqipja sot dhe madje edhe diku më tutje; por NE SHQIPTARËT E SOTËM mund të rrjedhim nga një grup relativisht i vogël i tyre që u mbijetuan trazirave në Mesjetë. Të tjerët u asimiluan ose ikën. Për shembull, (para-)shqiptarët që jetonin në Epir do të kenë pasur shumë huazime nga greqishtja e hershme në shqipen e tyre, por u asimiluan dhe bashkë me ta humbi edhe shqipja e tyre e pasur me greqizma të hershme. Prandaj them se VIJUESHMËRIA e shkëputur nuk është provë e mungesës së AUTOKTONISË. Dhe e them këtë në parim.

  5. Për afërsinë e dy dialekteve kryesore të shqipes në faza më të vjetra të shqipes, duke u mbështetur në tekstet e vjetra, kryesisht në atë të Bogdanit, me krahasime me të folmet e Jugut, kam shkruar në një artikull me titull “Tipare arkaike në gjuhën e Bogdanit: përkime me të folmet e Jugut”, në: Wir sind die Deinen. Studien zur albanischen Sprache, Literatur und Kulturgeschichte, dem Gedenken an Martin Camaj (1925-1992) gewidmet, Albanische Forschungen 29, Hgg. von Bardhyl Demiraj, Harrassowitz Verlag, Wiesbaden, 2010, f. 356-374, por që nuk mund të lexohet online (shih pasqyrën e lëndës këtu). Një version anglisht mund të lexohet në revistën Albanian Studies të ASA.

    Për t’iu përgjigjur kërkesës së komentuesit Lec në shkrimin tim në PTF, po vë këtu një pjesë nga hyrja e artikullit, ku parashtrohen mendimet e albanologëve për këtë çështje. Duhet vënë në dukje se, veç studiuesve që janë cituar më poshtë, Bahri Beci ka rimarrë tezën e Hahnit për lashtësinë e dialekteve duke theksuar dallimet kryesore dialektore mes gegërishtes dhe toskërishtes (B. Beci, “Lashtësia e dialekteve të shqipes – dëshmi e vendbanimit të hershëm të shqiptarëve”, SF 1982/3, f. 65-76).

    “Gustav Meyeri, duke vënë në pikëpyetje si të pambështetur në fakte mendimin e Hahnit, sipas të cilit dallimet midis gegërishtes e toskërishtes pasqyronin ndarjen e lashtë në ilirishte e epirotishte, shprehej: “Gjithsesi ndryshimi i sotëm mes gegërishtes e toskërishtes, i cili në fund të fundit nuk është aq i madh, mund të rrjedhë nga një ndarje e mëvonshme. Studimi i shqipes së folur në Greqi tani më bën ta mbaj këtë pikëpamje si më të pëlqyeshmen.(1)” . Këtë mendim e kanë shprehur më pas edhe studiues të tjerë si Jokli(2) e Tagliavini(3). Mbas rigjetjes së librit të Gjon Buzukut, studiuesit arbëreshë vunë re afërsitë e gjuhës së autorit më të vjetër të shqipes me dialektet arbëreshe të Italisë(4). M. La Piana madje ndërmori një studim krahasues të gjuhës së Buzukut dhe asaj të Lekë Matrëngës, shkrimtarit më të vjetër të dialektit toskë, duke nxjerrë një varg ngjashmërish në nënsisteme të ndryshme të gjuhës mes gegërishtes buzukiane dhe arbërishtes së Sicilisë, përfaqësuese e një faze më të vjetër të toskërishtes, e cila në shumë pika rezultonte më pranë gegërishtes së Buzukut se toskërishtes moderne. Kjo tregonte, sipas tij, për ekzistencën e një shqipeje të përbashkët para ndarjes në dy degë të mëdha dialektore(6). Më pas Eqrem Çabej në shumë punime të tij e ka shtjelluar gjerësisht këtë tezë nëpërmjet studimit të gjuhës së Gjon Buzukut, me krahasime edhe me autorët e tjerë të vjetër(7). Gjithsesi Çabej mendonte se dikur nuk ka pasur një shqipe të përbashkët e të pandarë në dialekte, pasi “vetë praktika mëson se nuk ka gjuhë pa dialekte”.(8) Por studimet e tij treguan se deri në prag të pushtimit turk dy dialektet kryesore kanë qenë më afër njëri-tjetrit sesa sot.(9)”

    _____________________________________________
    (1) G. Meyer, “Della lingua e della letteratura albanese”, Nuova Antologia, vol. L (1885), f. 588. Në shqip: G. Meyer, “Mbi gjuhën dhe letërsinë shqipe”, Milosao, 22 dhe 29 nëntor 2015; Studime Filologjike, nr. 1-2 2015.

    (2) “Albanisch”, në: Geschichte der idg. Sprachwissenschaft seit ihrer Begründüng durch F. Bopp, II, III, 1917, f. 125.

    (3) Studi albanesi V-VI, 1935-36, f. 9 v. Shih E. Çabej, “Gjon Buzuku”, në: Studime Gjuhësore VI, Prishtinë, 1977, f. 38, me literaturën përkatëse.

    (4) G. Petrotta, Rivista indo-greco-italica XVI, 1932, f. 43.

    (5) M. La Piana, “I dialetti siculo-albanesi”, in: Studi linguistici albanesi. Varia 1949, ribotuar në Albanesi in Sicilia/ F. Giunta… [et al.]; a cura di Matteo Mandalà, A.C. Mirror, Palermo, 2003, ff. 71-100.

    (6) Po ai, Albanesi in Sicilia, f. 72.

    (7) E. Çabej, “Gjon Buzuku”, në: Studime Gjuhësore VI, Prishtinë, 1977, f. 5-195; Po ai, “Për historinë e strukturës dialektore të shqipes”, në: Dialektologjia shqiptare II, Tiranë, 1974, ff. 429-438, e punime të tjera.

    (8) Po ai, “Gjon Buzuku”, vep. cit., f. 39.

    (9) Shih dhe E. Çabej, “Rreth disa çështjeve të historisë së gjuhës shqipe”, Buletin i USHT, SSHSH, nr. 3, 1963, f. 69-72.

  6. Megjithese teza e Stadtmuller mund te mos jete plotesisht e sakte, ka te dhena qe shqiptaret ne Mesjete dhe deri vone ne zona te caktuara te Kosoves jane perhapur konsiderueshem nga nje zone qendrore. Per shembull, Gjon Nikolle Kazazi flet per zhvendosje te konsiderueshme shqiptaresh katolike nga veriu i Shqiperise se sotme drejt Kosoves ne vitet 1700. Nje numer i konsiderueshem shqiptaresh ne Kosove sot mbajne si mbiemra emrat e fiseve me se shumti katolike te veriut dhe sipas Robert Elsie fiset shqiptare te veriut kane filluar te marrin forme pas viteve 1400.

    E njejta gje eshte me serbishten. Per shembull serbishtja ne Republiken e Serbise ka fare pak dallime mes jugut dhe veriut pasi dihet qe shumica dermuese e serbeve te Vojvodines sot kane shkuar aty vone, ashtu sic jane perhapur drejt jugut Nishit po ashtu vone. Po ashtu serbishtja e Kosoves eshte thuajse identike me serbishten e Shumadise per shembull rreth Beogradit. E njejta gje me serbishten e Kroacise eshte thuajse njelloj me ate te Serbise dhe te Bosnjes sepse serbet ne tokat kroate kane shkuar jo me shume se 400 vjet me pare. I vetmi dallim i rendesishem gjuhesor brenda serbishtes ne Serbi eshte me dialektin qe quhet ne serbisht Torlacki ne zones mes Serbise se jugperendimit, Maqedonise dhe Bullgarise.

  7. Ne Kosove ka serbo-kroatisht ne veri dhe torlakisht ne pjesen tjeter.

    Teza e Shtadmylerit eshte teze prej koti, qe nuk respekton as dokumentet historike dhe as gjurmet e shqipes para shek 13, mbi Drin dhe nen Shkumbin.
    Kunderpergjigjen ia kane dhene pellazgologet, te cilet thone se sipas burimeve historike ne mesin e shek 15, Greqia popullohej me se shumti me shqiptare arvanite (shumice ne Peloponez e Greqine Qendrore) e vllehe ( ne Thesali) dhe se si shqiptaret dhe vllehet jane me te hershem sesa shek 14.

    Ata e mbeshtesin tezen e tyre tek pamundesia qe emigracioni historik i gjysem se pare te shek 14, te ishte i atille saqe shqiptaret te beheshin shumice per 1 shekull ( nuk ekzistojne raste te ngjashme, as ne rritje popullsie e as ne asimilim).

    Mandej i japin shpjegimin se jane pasardhesit e pellazgeve atje qe i mbijetuan greqizimit, romanizimit e sllavizimit ( meqe jemi tek dialektet, pellazgjishtja dha toskerisht kurse ilirishtja dha gegerisht).

    Te dyja palet jane njesoj, nje problemi historik i pergjigjen me alternativa fantahistorike.

    Sa per serbet ne Kosove, nuk ka pasur asnje kokerr para shek 13, sepse quhej Bullgari, ne shqip Shkinike. Realisht s’ka pasur asnje kokerr bullgari, sepse bullgaret ishin turko-altaike, por popullata sllave, vllehe dhe shqiptare qe e quanin veten bullgare apo quheshin prej te tjereve bullgare .

  8. Me aq sa kuptoj une, nese modeli do te na shpinte tek perfundimet e Stadtmueller-it atehere ose modeli s’punon mire ose nuk eshte zbatuar mire. Shanset jane te jete kjo e dyta, dmth nje zbatim mekanik i modelit , qe con ne nje faliment si Stadtmueller apo i ngjashem me te G. Schramm.

    Shqipja si gjuhe me vete eshte po aq e vjeter sa italishtja, sigurisht duke mos konsideruar ‘nenat’ e tyre, ilirishten dhe latinishten. Latinishtja dha shume ‘bija’, po i quajme makrodialekte, ilirishtja dhe vetem shqipen. Po as shqipja nuk mund barazohet me ilirishten, as italishtja me latinishten; ato jane gjuhe me vete, kane historine e tyre dhe, mes te tjerash, dialektet e tyre.
    Dallimet mes dialekteve italiane jane te medha , ato te shqipes jo dhe aq. Bazuar ne amplituden e dallimeve nuk thua dot qe dialektet e italishtes ne raport me ato te shqipes jane me te vjetra sepse vjen pyetja : sa duhet te jene dallimet qe dialektet te quhen te vjetra apo te reja, kush e percakton madhesine e dallimeve qe jep vjetersine? Eshte e veshtire dhe pergjigja do te jete vetem kualitative.

    Pervec faktoreve gjuhesore qe lejojne krahasimin midis gjuheve, ka dhe faktore jashtegjuhesore qe jane karakteristike per cdo gjuhe te vecante. Psh per Italine eshte faktori gjeografik, distanca shume te medha , nga Calabria ne Sudtirol, pervec te tjerave, qe ndikon ne dallimet dialektore; nje faktor qe shqipja nuk e ka.
    Shkurt modeli duhet t’i konsideroje duke bere analizat perkatese te te gjithe faktoreve per te patur nje rezultat te besueshem.

    Dialektet e shqipes pranohen si parasllave, dmth rreth 1500 vjete, qe nuk jane asfare pak per te qene te vjeter.

    Nga ana tjeter ne shqipe eshte fakt kalimi i shkalleshkallshem i dialekteve tek njeri tjetri, dhe ka aq shume nendialekte, qe perbejne nje prove te pakontestueshme te vjetersise dhe autoktonise. Nje ardhje e vone dhe e shpejte nuk mund te jape dot kete kuader kalimesh me hapa te ndermjeme dhe as mund te importohen nga gjekundi. Ai eshte nje proces qe ka ndodhur ne ate vend dhe per nje kohe fort te gjate.

    Gjithsesi keto jane probleme gjuhetaresh te nje klasit te larte, une thjesht dhashe pershtypjen time.

    Interesante eshte ajo nderhyrja qe permendet midis gegnishtes jugore dhe Laberise.
    Kam vene re qe zona me me shume toponime sllave, ta themi ashtu trashe, midis Osum-Devollit dhe Vjoses ka edhe me shume vendbanime dhe elemente vllehe. Perandori bizantin, Vasili II( keshtu quhej me duket) bullgaro- vrasesi kur i mundi bullgaret beri cvendosje te medha te elementit sllav, pra edhe nga kjo zone, ne Azine e vogel. Nje supozim eshte qe vendin e lene zbrazet e plotesoi elementi aromun.

    1. Shqipja bije e ilirishtes, italishtja bije e latinishtes, nuk besoj se keto gjera jane me rregull treshi.

      Nuk ka asnje gjuhe italiane si dialekt i latinishtes qe eshte ndare me tej ne dialektet e veta. Perndryshe gjuha italiane ( jo ajo zyrtare) eshte nje term ombrelle i varianteve te ndryshme ne Itali, ashtu si eshte frengjishtja apo spanjishtja/kastiljancja. Pohimi nuk ka asnje gjuhe pa dialekte vlen edhe ne zanafille te gjuhes ( shkeputja nga ama).

      Shqipja bije e ilirishtes ashtu si italishtja bije e latinishtes eshte vetem koncept didaktik, realiteti eshte shume me kompleks dhe i panjohur.
      Ngado ta rrotulllosh italishten, kjo nuk eshte ne asnje kontekst me e madhe sesa latinishtja, perndryshe shqipja ne Sprachbundin ballkanik eshte me e madhe sesa ilirishtja. Po ashtu me dorsalet dhe h4, del me e madhe sesa ilirishtja.

      Nga ana tjeter po flitet gjithnje e me teper per nje ”schwa” indoeuropiane dhe ”rastesisht” shqipja eshte nje gjuhe e tejmbushur me schwa, qe deri me sot jane trajtuar si zhvillim i shqipes , ndryshe nga e ema ilirishtja apo shqipja e vjeter apo protoshqipja, qe nuk kishte fare.
      A jemi te sigurte ne drite te schwa-se indoeuropiane qe schwa-te e shqipes jane te gjitha te reja ?

      Ne kushtet kur po diskutohet edhe ekzistenca e vete tingullit a ne indoeuropianisht, e jemi me kaq te sigurt qe a-te jane kthyer ne schwa ne toskerisht apo qe kemi nje inovim te toskerishtes me gegerishten qe mban flamurin e vjetersise se fjaleve te kesaj kategorie ( bashke me rindertimet perkatese te formave tranzitore nga indoeuropianishtja ne shqipen e vjeter)?

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin