Reklama

ZDRAMË/ZDRËMË: NGA HISTORIA E FJALËS

nga Anila Omari

Duke marrë shkas nga diskutimi që u hap në Peizazhe të fjalës lidhur me përdorimet e fjalës zdroms në shqipe, po jap mendimin tim mbi dokumentimin e kësaj fjale në shqipe, mendim të cilin me këtë rast po e bëj publik.

Një nga dëshmitë e para të shqipes, saktësisht e dyta pas më të hershmes Formulë e Pagëzimit e vitit 1462, është e ashtuquajtura Formulë e Mallkimit e vitit 1483.

Kjo formulë gjendet në një komedi të një autori venecian, Tommaso de Mezzo, me titull “Epiroti”, të vitit 1483. Autori vë në gojën e një personazhi epirot pra shqiptar, sipas emërtimit të Arbërisë e arbërorëve në mesjetë e në shekujt pasues, një përbetim a mallkim shqip, që në tekst është shkruar me grafinë latino-italiane të kohës: <drãburi te clofto goglie> ku shenja e tildes mbi grafemën zanore shënon praninë e një bashkëtingëlloreje hundore pas saj, pra në një transliterim në alfabetin e sotëm italian do të ishte <dramburi te clofto goglie>. Epiroti në komedi është një arbër nga Durrësi, por shprehja e vënë në gojën e tij ka shenja të qarta të dialektit të jugut, si rotacizmin në fjalën e parë, që duket të jetë një pjesore më -r(ë) dhe grupet -kl-/-gl- që ruhen edhe sot në të folmet e çamërishtes.

Fjalinë e zbuloi filologu klasik Ludwig Braun i Universitetit të Frankfurtit, i cili po përgatiste një botim kritik të komedisë, por nuk arriti ta deshifrojë. Martin Camaj, i cili në atë kohë drejtonte katedrën e gjuhës shqipe në Universitetin e Mynihut, e vuri re menjëherë që fjalia ishte shqip. Dokumenti u botua nga të dy studiuesit në Zeitschrift für vergleichende Sprachforschung 1972/1. Camaj e ribotoi në italisht me titullin “Una frase in arbëresh dell’anno 1483”, me faksimile të origjinalit, në revistën Zjarri 1979. Camaj e interpreton: |tramburë të kloftë golja| me kuptimin “t’u dridhtë goja”, miratuar dhe nga Dhimitër Shuteriqi[1] dhe me rezervë nga Joachim Matzinger[2], i cili e lexon fjalinë më drejt |dramburi të klofto goljë|.

Kohët e fundit  Bardhyl Demiraj e ka rimarrë formulën në një studim të plotë gjuhësor-filologjik duke vënë në dukje vështirësitë e interpretimeve të deritanishme dhe duke dhënë edhe një interpretim të ri, si |<Drãburi> të kloft’, o goljë!|, pra si një mallkim që epiroti i drejton vetes së vet, ose më mirë gojës së vet që foli para kohe. Për rrethanat e përdorimit të shprehjes shqipe në komedi, për historinë e paratekstit si dhe për gjithë problematikën filologjiko-gjuhësore të këtij teksti njëfjali, bashkë me leximin dhe interpretimin e ri vetjak, mund të shihet punimi i B. Demirajt në shqip “Mallkimi i epirotit (1483)”, në “Hylli i Dritës” 1, 2012, f. 27-37 (https://www.albanologie.uni-muenchen.de/downloads/publikationen-demiraj/mallkimi-i-epirotit-_1483.pdf) dhe në italisht (https://www.albanologie.uni-muenchen.de/downloads/publikationen-demiraj/bearbeitet_la-mal.pdf).

Gjithsesi, fjala e parë e fjalisë ka mbetur e errët për studiuesit. Folja <drãburi> (= [dramburi]) duket qartë që është një pjesore, por kuptimi i saj ende nuk ka arritur të shpjegohet. Një mundësi interpretimi na e solli tani në vëmendje fjalori i misionarit françeskan Françesko Maria Da Lecce, një thesar i vërtetë për pasurinë leksikore shqipe që përmban, botuar në vitin 2009 nën kujdesin e çmueshëm të kolegut dr. Gëzim Gurga[3].  Ky fjalor përmban një fjalës shqip prej 11.200 fjalë dhe shprehje dhe në këtë mënyrë është i krahasueshëm me fjalorët e fillimshekullit XX, fjalorin e Kristoforidhit, që sipas numërimit të Xhuvanit, përmban 11.675 fjalë, edhe fjalorin e Bashkimit që kufizohet në rreth 11.000 fjalë (shih Gurga, f. 69). Duke hulumtuar në këtë fjalor kemi gjetur foljen me zdrambunë “fare il capocerro al cavallo” (Da Lecce 91v), me u zdrambunë “capocerrarsi del cavallo” (Da Lecce 44 r). Barazvlerësi italisht i fjalës shqipe ka pikërisht kuptimin e parë shqipes së sotme zdramet / zdrëmet kafsha “bëhet me zdrëma (kafsha)” që më pas ka zhvilluar kuptimet “i rripet lëkura vende-vende diçkaje; i bie boja a suvaja vende-vende (një muri etj.)” (FGJSSH 2221). Sipas po këtij fjalori emri, që duhet të jetë primar në këtë çerdhe fjalësh, është zdrëmë (geg. zdramë) “plagë që i bëhet kafshës në trup, kur e vret samari, zgjedha etj.” e më tej “vend ku është rrjepur një copë lëkurë (te bimët); vend ku ka rënë boja, suvaja a diçka që vesh një send”, ndërsa mbiemri i formuar nga folja është i zdrëmur “1. që është bërë me plagë nga të vrarët. Me qafë të zdrëmur (për kaun etj.). 2. i rrjepur vende-vende, i zhvoshkur vende-vende”. Në dialekte janë formuar më pas edhe përdorimet e sotme zdroms etj. që kanë në bazë kuptimet e mësipërme, të cilat në rrjedhën e kohës kanë pësuar edhe zhvillime të mëtejshme.

Mbas këtyre shtjellimeve, mendojmë se kuptimi i mallkimit të epirotit mund të ishte: “t’u bëftë goja zdramë!”. Sa për trajtën <dramburi> të shqipes së shek. XV, mund të sjellim shpjegimet e mëposhtme:

  1. Trajta pa {z-} ka shumë të ngjarë të jetë primare, dhe {z-}-ja një (para)shtesë përforcuese e mëvonshme, ose e kundërta, trajta arbëreshe një formë e thjeshtuar e asaj me {z-}.
  2. Zanorja /a/ për tosk. /ë/ në rrokjen e parë shpjegohet me praninë e /a/-së në dialektet e skajit jugor të shqipes në disa raste ku toskërishtja veriore ka /ë/ për geg. /â/ (hundore), si psh. në toskërishten jugore të Gjirokastrës e në çamërisht: rarë (= rënë), ratë (= “shtrirë”), hangra, trandafil, takanda ‘ta ka ënda’, nanë (çam.) etj. Kjo dukuri ka arsye të karakterit dialektor-gjeografik dhe të karakterit historik. Së pari, sipas parimeve të gjuhësisë areale (gjeografisë gjuhësore) të folmet e hapësirave periferike të një trualli gjuhësor ruajnë tipare më konservative në krahasim me të folmet qendrore, dhe së dyti, në faza më të vjetra të shqipes, afërsisht deri në periudhën në prag të pushtimit osman, dy kryedialektet ishin shumë më pranë njëri-tjetrit nga sa janë sot, siç e kanë vënë re Çabej e studiues të tjerë dhe siç e tregon dhe gjuha e teksteve të vjetra shqipe e krahasuar me të folmet periferike të shqipes.
  3. Grafia <i> fundore riprodhon fare mirë zanoren /ë/ të patheksuar të shqipes në perceptimin gjuhësor të një italiani, gjë që e gjejmë në shumë raste të ngjashme. Vetë Da Lecce shkruan në parathënien e tij |oh shqipitar i dashtun|, ndërsa në arbërishten e sotme dëgjohet /zemira/ për /zemëra/.
  4. Bashkëtingëllorja -b- në grupin -mb- në trajtat e shqipes së vjetër (te Formula dhe te Da Lecce) në krahasim me trajtat e sotme pa -b- me shumë gjasë është një shtesë epentetike, siç e gjejmë shpesh herë në gjuhën e teksteve të vjetra, psh te Bogdani: të mbëdhā, të mbëdhej, fambullī, mbrekullë etj. si edhe në të folme të toskërishtes jugore, si në çamërishte: zëmbra, nëmbëroi, të mbëdhi, ëmbër.[4]

Këto përsiatje nuk pretendojnë ta zgjidhin enigmën shumëshekullore të formulës së mallkimit, por mundohen të hedhin pak dritë në domethënien e saj, si një shkas edhe për diskutime të mëtejshme drejt zbulimit të së vërtetës.

(c) 2020, Anila Omari. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Titulli është i redaksisë.


[1] Dh. Shuteriqi, Tekstet shqipe dhe shkrimi i shqipes në vitet 870-1800, ASHSH, IGJL, Tiranë, 2005, f. 79.

[2] J. Matzinger, “Die albanische Sprache im Zeitalter Skanderbegs” I, në: The Living Skanderbeg. The Albanian Hero between Myth and History, Dr. Kovač – Hamburg, f. 41-71.

[3] G. Gurga, Francesco Maria da Lecce, Dittionario italiano-albanese (1702), botim kritik, me hyrje dhe fjalësin shqip, Botime Françeskane, Shkodër, 2009.

[4] Shih A. Omari, “Tipare konservuese në çamërishte – dëshmi uniteti të shqipes së vjetër”, Studime Filologjike, nr. 3-4, 2013, f. 121.

Reklama

17 Komente

  1. Mua fjala “dramburi” me tingellon si version i hershem i fjales buri, trumpete, nje vegel muzikore. Ne kete version edhe shprehja duket sikur merr kuptim: “Tu befte goja buri” mund te jete e kunderta e shprehjes “Tu befte goja bilbil”.

  2. Drambur-i (< *trambur-) mund të lidhet edhe me tromurën, tromarenë, trambën (trembjen). Golë me -l- dhe ruajtja e kl/gl dëshmohet edhe në viset veriperëndimore të 1500-ës (Buzuku: kloftë, Buzuku: golë / gojë). Mallkimi mund të jetë thjesht "Frika të qoftë, o gojë!".

  3. Duke vlerësuar shkrimin e autores, prirem të pajtohem me z. Dreni dhe po formuloj dhe këto dy pyetje:

    Tek fraza “drãburi te clofto goglie” ju e shpjegoni mungesën e bashkëtingëllores nistore.

    Por nëse e marrim të mirëqënë këtë trajtë, a nuk afron ajo me “trembë”, që jepet si “frikë e madhe dhe e menjëhershme, që ka lënë gjurmë edhe pasi ka kaluar”, “tutë”. frikë e menjëhershme” [Shif Fjalorin e Gjuhës Shqipe, si dhe të Çabejt et al], si tjetër shfaqje e pjesores “trembur/trambur”? Ndofta do të ishte me vend të jepej këtu edhe prurja tek Fjalori i Elezit, por këtë të fundit fatkeqësisht nuk e kam në disponim.

    Në shqipen e sotme fraza mandej mund të ishte “t’u trembtë goja”, [tu tuttë goja nuk do të shkonte], që nuk e kemi, sigurisht, por që nga ana kuptimore nuk është e përjashtueshme.

    Dhe e dyta,

    Po Çabej çfarë mendimi ka patur për “mallkmin e epirotit”? Vështirë që t’i ketë shpëtuar atij. Aka dhënë ndonjë mendim?

    Falemnderit paraprakisht.

    1. Po hyj edhe unë në muhabet. Folja “tremb” në shqipe shihet si e fondit indoeuropian, lidhet mes të tjerash me lat. tremo, tremere, tremui. Problemi është tek a-ja e temës (dramburi). Te Kuvendi i Arbënit del një “trambë” të cilën Kolec Topalli e shpjegon si “formë me apofoni kualitative e > o > a). Problemi është që Buzuku ka trembetë, një formë me e. Prandaj ajo a-ja te Kuvendi i Arbënit është më e vonë edhe se teksti në komendinë e Tommaso de Mezzo, edhe se Buzuku, jo vetëm për nga data e dokumentimit (që dihet) por edhe fonetikisht (shtoj se edhe Bogdani, sipas leksikut që ia ka botuar Anila vetë, i ka fjalët e kësaj çerdheje me e, jo me a). Gjykimi im është se, meqë bëhet fjalë për një fragment të transkriptuar nga një person që nuk dinte shqip, zanorja e theksuar a (te dramburi) mund të jetë gabim transkriptimi i një hundoreje të arbërishtes. Shpjegimi i Anilës, që e vë këtë në marrëdhënie me disa anomali të toskërishtes jugore (hangra, trandafil, takanda) është solid nga ana fonetike, por bie në konflikt me atë që personazhi në fjalë është nga Durrësi. Po mbase De Mezzo e ka gjetur formulën të transkriptuar nga dikush tjetër, nga një dialekt tjetër; që mund të jetë edhe i arbërishtes së Italisë ose i ndonjë marinari nga viset e Jonit (që fliste toskërishten jugore/çamërishten).

  4. Për cilindo që dëshiron të thellohet në këtë çështje, unë i jam referuar punimit të Bardhyl Demirajt, pasi ai e shteron diskutimin paraprak për problematikën e tekstit të Formulës. Duke miratuar edhe mendimin e studiuesve paraardhës Camaj e Matzinger, ai konkludon, lidhur me përkatësinë dialektore të frazës:
    “Burimi dialektor toskërisht i Formulës, përkatësisht i informantit të saj atëbotë, nuk mund të vihet në asnjë rast në dyshim, edhe sikur kjo grafi do të shpjegohej ndryshe, pra jo më si pjesore me alomorfin dialektor {-urë}. Bashkëlidhja e tipareve fonetike dialektore /kl/ dhe /lj/ me njëra-tjetrën na shpie pa vështirësi drejt ngulimeve arbëreshe në Jug të Italisë, e pse jo pikërisht në Sicili, ku ruhen ende sot e kësaj dite si tipare dialektore arkaike qoftë togu bashkëtingëllor /kl/ ashtu edhe fonema /lj/ = [λ]. Në të mirë të këtij mendimi ndikon ndoshta edhe rrethana se epiroti durrsak zbret, kërkon dhe gjen mbesën pikërisht në një qytet-port të Sicilisë.” [BD, cit. f. 6]
    Duke folur për lidhjen që vendos Camaj me “trembem” dhe me një përdorim semantik burimor *“dridhem”, ai e konsideron me të drejtë disi “të kërkuar” kuptimin “t’u dridhtë goja (prej një sëmundjeje ose zemërimi)” të shprehjes në fjalë.
    Për sa i përket trajtave dialektore të foljes trembem, ai u referohet të dhënave dialektore dhe fjalorit etimologjik të Meyerit: “(khs.: dial. tosk. trëmburë krahas trámburë (tash. trámbem, trëmbem, tramarínj – Meyer 1891 436: prej lat. tremō)” [BD, cit. f. 6].
    Çabej nuk është shprehur për këtë formulë. Ai zakonisht nuk shprehej kur nuk kishte diçka të re për të thënë.
    Në vijim të argumenteve për (para)shtesën {z-} në shqipe, po sjell disa të dhëna nga të folmet e ndryshme të shqipes: psh. në Kosovë e në vise të tjera të Veriut thonë dathun për zdathun/zbathur, deshun për zveshun/zhveshur, në Gjirokastër zborë për borë / dëborë etj. Shembuj të tjerë mund të sillen për parashtesa apo shtesa fonetike të tjera, si v-/b- (v-des/b-des), n- (n-daj) etj.
    Folja geg. vj. zdrambunë / tosk. zdrëmur duket të jetë e vjetër në shqipe meqenëse e ka mbarë shqipja, me shndërrimet përkatëse të vjetra dialektore në të dy dialektet, dhe lidhet me një nga profesionet e lashta të shqiptarëve, blegtorinë dhe kafshët e punës, sidomos me kalin që ka qenë shok i pandarë i shqiptarëve.

  5. Me pelqeu shume shkrimi i Aniles. Nuk kisha dijeni per “formulen e mallkimit”. Mjaft interesante.

    Por, mendoj se shume interes do te kishte dhe nje analize mbi afersine e dy dialekteve ne periudhen e mesjetes – ne nje shkrim tjeter, kuptohet.
    Gjithnje duke pasur parasysh autorjen ne kete citim:
    “… së dyti, në faza më të vjetra të shqipes, afërsisht deri në periudhën në prag të pushtimit osman, dy kryedialektet ishin shumë më pranë njëri-tjetrit nga sa janë sot, siç e kanë vënë re Çabej e studiues të tjerë dhe siç e tregon dhe gjuha e teksteve të vjetra shqipe e krahasuar me të folmet periferike të shqipes”.

  6. Në toskërisht gjendet edhe fjala ‘i zdrëngur’, në kuptimin i vjetëruar; i dalë boje aty-këtu së fërkuari/së lari; rrobë e bardhë që është hirnosur…

  7. Anila,
    diku, ju sollet shembujt nga toskërishtja jugore e Gjirokastrës dhe çamërishtja: … hangra, trandafil, takanda etj.
    Doja te ndalesha tek -hangra- dhe shpresoj te mos ma marresh per dalje nga tema, ne fushe te gjuhes jemi.
    Kjo folje (me ha(ë)ngër/ për të ha(ë)ngër) eshte sinonime me (me ngra(ë)në/për të ngra(ë)në).
    MIrepo, ndersa e para ka nje zhvillim gramatikor te plote ne te gjitha kohet dhe menyrat:(une ha, une haja, une hëngra…); e dyta mbetet e cunget ne tre kohet e thjeshta:e tashme, e pakryer, e kr. e thjeshte, mbasi s’mund te themi – une ngrë, une ngrëja, une ngrëna). dhe aq me teper nemenyren Urdherore, ku per te paren themi -ha!- e per te dyten s’kemi si themi -ngrë!- (e njejta gje ne urdherore ngjet dhe me çitin -me shku/me vajt, ku mund te themi -shko!, por s’mund te themi -vai! (italisht ?.)
    Mirepo interesant eshte se vete forma -me hangër-, duket qarte qe i permban te dyja rrënjët(apo temat): te veten dhe te sinonimes(me ngranë): ha-ngër. Gjithnje nese pranohet rrokada -ër/rë; çeshtje etimologesh kjo.

    Pyetja e pare eshte: çfare ka ndodhur ne historine e ketyre dy varianteve, qe varianti i pare ka ruajtur plotesine gramatikore dhe varianti i dyte ka mbetur i paplote, dhe huazon prej te parit format qe i mungojne?
    Dhe e dyta: kane qene një dhe jane ndare, e procesi i ndarjes vazhdon? apo kane qene te ndryshme dhe kane tentuar dikur bashkimin, por pa sukses?

    Sa per ate tjetren, u mor Adriani.

    1. Nje pyetje shume profesionale.Kaq thelle ne detaje vetem Hyllini mund te shkoje, sigurisht pervec Vehbiut.

        1. Po pra. Ne te vertete : zoti ose djalli.
          Ajo qe me ben pershtypje eshte se kur dikush shtron nje pyetje kaq ngushtesisht profesionale, nuk eshte nje amator dhe e kam te veshtire te besoj se nuk e di pergjigjen, perpos ndonje imtesie.

      1. Fatma,
        Une nuk jam Hyllini. Per komentet e Hyllinit me ka marre malli; i pelqeja jashte mase dhe kam qene shume kurioz ta dija kush ishte realisht. Hyllini duket qe ka ndrruar pseudonim. Mendoj se duhet te DI-ja, sepse ky ka me shume afersi me te.
        Edhe une kam qene i detyruar te ndrroj pseudonim. Kam ngrene nje karton te kuq nga moderatori, si TROLL.
        Nuk jam profesionist, edhe pse kam bere fakultetin Gjuhe-Letersi, me korespondence 1980-84. Dhe nuk kam shkuar te jap mesim ne ndonje shkolle te mesme kushediku ne ç’cep te vendit, sepse punoja ne Kinostudio dhe isha me rehat aty.
        Por, per t’u kthyer tek folja – me ha(ë)ngër -, une nuk do te kisha bere pyetje rreth saj nese nuk do te ishte permendur nga Nila. Sepse, e dija qe do te hapte avaze. Ardiani, te cilin te gjithe e vleresojne pa mase, eshte i idhet kur dikush i qaset problemeve te tilla, qe prekin standartin, te cilin sapo e shkela me kete t-në ne vend te -d-së.
        Perfundimisht, me vjen mire qe ti Fatma, komentuese nder me origjinalet dhe me simpatiket, e vure re dhe e rihape çeshtjen qe une shtroj, qe me siguri do te shuhej me pergjigjen tangent qe mori…
        Sepse nese themi, qe pjesorja e -me hangër- eshte -ngrënë/ngranë -, pra i pergjigjemi me standart nje pyetje qe rrihte tjeterkund, thene ndryshe, nese bejme sikur nuk e dime qe – me hanger – nuk vuan per mungese pjesoreje, ketu pastaj i hapim rruge nje pyetje tjeter, qe me siguri do te quhej provokative: perse duhet ta cungojme nje folje qe e kemi te plote? Ne shyqyr qe e kemi te tille. Varianti -me ngrane- eshte ai qe eshte, i shqipes eshte dhe ai. Nejse se e zgjata shume, por ketu ka shume per te thene, nga gjuhetaret.
        Shpresoj qe Ardiani, si gjuhetar te mos ma marri per Troll-llek kete here.

  8. Lexova punimin e Demirajt në italisht dhe shqip, me shpresën të kuptoja diçka më shumë rreth pjesës teatrale dhe kontekstit brenda të cilit është përdorur fraza. (Demiraj në interpretimin e vet niset nga supozimi që epirioti ia thotë vetes mallkimin.) Kuptova shumë pak dhe kërkova burime të tjera qartësimi. Gjeta punimin e një profesori të Univ. të Palermos: BISANTI – Una facezia di Poggio nell’«Epirota» di Tommaso de Mezzo. Pasi e lexova këtë, më zu dyshimi mos Demiraj nuk e kish lexuar, të paktën jo të plotë dhe jo në latinisht apo italisht, komedinë. (Harpisti? Ata ia mbathën?) Mos ndoshta e ka lexuar gjermanisht?

    Sidoqoftë, a ngjan e tepërt të habitemi që nuk ekziston një përkthim, kritik do të ishte edhe më mirë, në gjuhën shqipe i komedisë që përmban dëshminë e dytë të gjuhës shqipe?

  9. Lidhur me fraza të shkëputura në arbërishte, të paktën dy të tilla jepen dhe tek libri “Arbërit e Jonit” i Prof. P. Xhufit.

    Në botimin I, f. 1043 – 1044, përcillet një incident i rëndë me Gjonin nga Budva, që ishte në mision zbulimi dhe u kap në ujrat e Ulqinit. Shprehja në gjuhën shqipe jepet si “Ca buteet zo”.

    Një shprehje tjetër përshkruhet në f. 1045, kësaj radhe për një ngjarje në ujrat e Apollonisë. Shprehja në shqipe apo arbërishte jepet si: “ccostu, che nu ghe daga”.

    Duke çmuar sërish këtë kontribut të vyer, bashkë me diskutimet cilësore, pyetja tjetër “nga salla” është: a janë gjurmuar dhe studiuar në mënyrë sistematike nga gjuhëtarët shprehje të tilla të shkëputura të arbërishtes, të dala aty këtu nëpër arkivat e Venedikut etj?

    1. Per grimcat parabuzukiane, vertet, i ka mbledhur Shuteriqi dhe i ka botuar ne kete liber: Dëshmi parabuzukiane të fjalës shqipe, ASH, 2010
      Kurse ky tjetri eshte puna qe ka bere gjithe jeten duke mbledhur si bleta mjaltin çdo njoftim, sado te terthorte, per ekzistencen e shkrimeve shqipe:
      Tekstet shqipe dhe shkrimi i shqipes në vitet 879 – 1800, ASHSH, IGJL, 2005.
      Mbledhja sistematike e deshmive nga shqipja ne dokumentet arkivore kerkon hulumtime te vazhdueshme ne arkiva, ku rastesisht mund te dale nje fjale ose shprehje shqip, si keto qe permende ti.

  10. Lec, megjithatë, unë iu përgjigja pyetjes suaj të parë duke iu referuar një punimit tim mbi afërsinë e dy dialekteve në faza të vjetra të shqipes, në komentet e artikullit të Ardianit për historinë e dialekteve të shqipes, meqë i përshtatej më shumë kësaj tematike.
    Folja ha është folje me rrënjë supletive në shqipe në të tashmen dhe në pjesore (ha ~ ngrënë) ndërsa në në të kryerën e thjeshtë janë bashkuar këto forma (hangra/hëngra), sh. K. Topalli FEGJSH 608. Folje supletive kemi disa në shqipe, si shoh ~ pashë, vij ~ erdha ~ ardhur, jam ~ qeshë, kam ~ pata etj. pra dmth. se disa nga format kohore të këtyre foljeve vijnë nga rrënjë të ndryshme për nga prejardhja. Për foljen ha nuk po hyj në hollësira etimologjike, mund të shihet fjalori i Topallit, por është fjalë e trashëguar nga fondi indoeuropian.

Komentet janë mbyllur.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: