PËR PASURINË DHE PASURUESIN

nga Teuta Toska

Në një ditë qershori të vitit të kaluar Biblioteka Kombëtare organizonte paraqitjen e katër librave të prof. Xhevat Lloshit me rastin e 190-vjetorit të lindjes së Konstandin Kristoforidhit, dhe midis fjalëve që zakonisht thuhen në këto ngjarje: lëvdata për autorin, vlerësime për mikun dhe shokun, gjykime objektive për studiuesin dhe shkencëtarin, prof.dr. Persida Asllani, drejtore e Bibliotekës Kombëtare, na rrëfeu me një farë ngazëllimi se prof. Xhevati kishte qenë dhuruesi i heshtur i shumë librave të vlefshëm, dokumente rëndësore për historinë e shqipes së shkruar. “Ju nuk e dini, por profesor Xhevati është ai që sjell në Bibliotekë një kopje të librit a dokumentit të rrallë që ka gjetur me aq mund dhe e ka gjurmuar me vite, duke e pasuruar fondin e albanologjisë së kësaj biblioteke”, ishin pak a shumë fjalët e saj. Profesori dëgjonte me sytë nga auditori me pamjen e tij të zakonshme: i kënaqur, pa asnjë emocion të fortë, por plot vetësiguri për “çmimin” e asaj që bënte.

Aty për aty mendova se pashë me sytë e mi kryerjen e një parimi që e kisha vetëm me të lexuar: jeta dhe puna e një njeriu të madh ka oreçast vlerë për jetën dhe punën e kombit të vet. Dhe aty për aty këtij parimi në mendjen time iu bashkëngjit figura e një njeriu, si shembull.

Kështu, me rastin e një ngjarjeje të spikatur, siç është data e lindjes, kur bëhet fjalë për një njeri që kryen një punë të tillë për bashkësinë e vet, ne që jemi duke e vështruar dhe lexuar prej shumë kohësh këtë punë është e udhës që të ndalemi në disa gjykime, më së pari që kanë rëndësi për veten tonë dhe për bashkësinë tonë.

Ndërsa shohim nga afër veprimtarinë shkencore që kryen prej vitesh prof.Lloshi, mund të përkapim sasinë e madhe të punës shkencore të kryer prej profesorit deri më tani. Por ajo që më habit është sasia e punëve që kryhet në një vit: kërkime (në terren, arkiv apo bibliotekë), përkthime, studime (duke përqasur e vlerësuar faktet e kërkuara në qetësinë e studios së vet), shkrime (të realizuara tashmë, të botuara në shtypin e përditshëm, në konferenca shkencore, në ngjarje promovuese, në libra të vet, por edhe shkrime të pabotuara ende, që presin radhën të botohen a rrethanat fatlume), vlerësime, kritika, redaktime (sa e sa tekste të kaluara nëpër duar duke u përkujdesur për shqipen e të tjerëve, duke vlerësuar se ajo gjuhë e atij teksti nuk është shqipja e tyre, por shqipja e vet dhe e jona), udhëtime (duke gjurmuar faktet shkencore nëpër vende të ndryshme të botës: Londër, Stamboll, Shkup, Maltë etj.), letërkëmbime (me tematikë shkencore), këshillime (për çdo studiues që ka mundësinë dhe fatin e mirë ta takojë) të gjitha njëherësh – një vëllim i pashoq pune, i paarritshëm. Nuk ka pasur fushë të veprimtarisë kulturore e shkrimore, ku ai të mos jetë përfshirë gjallërisht dhe të mos e ketë çuar përpara arritjen në atë fushë, të mos e ketë ngritur atë fushë nga niveli i amatorizmit dhe ta themelojë e ndërtojë në baza shkencore, duke u hequr një udhë studiuesve të tjerë pas vetes.

Nëse do ta flasim me terma më specifikë, për ata që duan të dinë fushën e kërkimit dhe gjerësinë e saj, mund të themi se shkrimet e profesorit përfshijnë disiplina të gjuhësisë, si: semantikë, leksikologji e leksikografi, terminologji, stilistikë, kulturë gjuhe, didaktikë e gjuhës shqipe, gjuhësi kontrastive, histori e gjuhës, filologji, albanistikë (duke studiuar figura të rëndësishme të huaja që janë marrë me shqipen), hartues fjalorësh, enciklopedist (bashkautor dhe redaktor përgjegjës i Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, 1985).

Profesor Xhevati e ka pasuruar edhe vazhdon ta pasurojë historinë dhe kulturën e shqiptarëve me emra të rëndësishëm, si Vangjel Meksi, Grigor Gjirokastriti etj., por edhe Robert Pinkertoni, Isaac Lowndes-i, Alexander Thomson-i, Martin-Leake, nënkontesha Strangford, konti Fedor Karaczay etj. Ai është pasurues i jashtëzakonshëm i kujtesës shkrimore të shqipes, me tekste që i kanë munguar asaj prej shkaqesh të ndryshme. Ky pasurim ka vijuar në të gjitha fushat e veprimtarisë së profesorit: qoftë si prodhues i librave me vlera të padiskutueshme në shqipe, qoftë edhe si sigurues i librave të rrallë që kanë interes të padyshimtë për albanologjinë, qoftë si përkthyes i librave që lidhen drejtpërdrejt me “shqiptaren” dhe që mund t’i vijnë në ndihmë qartësimit të debateve shkencore mbi identitetin e figurave të rëndësishme të kulturës shqiptare. Ky pasurim lidhet drejtpërdrejt me punën e tij si filolog, si njohës i varianteve historike të shqipes, por edhe si njohës i gjuhëve me të cilat shqipja ka pasur lidhje, zbulues i dokumenteve me rëndësi për historinë e shqipes dhe të shqiptarëve.

Ca radhë më sipër shkrova se një nga punët më të rëndësishme të profesorit është edhe përkujdesja për gjuhën e librave në shqipe, si redaktor i shumë botimeve. Këtë punë të mundimshme e modeste për nga vlera, profesori i madh vijon ta kryejë (për çudi) edhe sot e kësaj dite, sikur të kryente një mision: të ngrejë shqipen e atyre faqeve (të kujtdo që i ka shkruar) në një nivel edhe më të lartë, ta redaktojë një libër sikur të jetë nesër një dokument i rëndësishëm i kulturës materiale të shqiptarëve.

Në fillimet e leximeve të mia në fushë të gjuhësisë, ndërsa lexoja veprën e njohur të Roman Jakobsonit “Essay of general linguistics” u ndesha me një thënie të tij, që ishte edhe deviza e gjithë veprimtarisë së tij shkencore: “Linguista sum, linguistici nihil a me alienum puto.”[1] Nuk e kam harruar që prej asaj kohe këtë shprehje, por veçanërisht nuk harroj gjerësinë e jashtëzakonshme të interesit shkencor në lidhje me gjuhën [që duhet të kisha] dhe që shpaloste para meje kjo thënie. Kuptova në atë kohë madhështinë e një gjuhëtari të përmasave botërore si Jakobsoni, dhe largësinë e kësaj figure në raport me realitetin e studiuesve të shqipes. Por, kjo shprehje m’u kujtua e para ndërsa bëhesha gati të shkruaja këto radhë për profesorin dhe shembullin tim. Edhe mendoj se kjo shprehje i përshtatet pikë për pikë gjithë veprimtarisë së tij, dhe ajo largësi që perceptova në fillimet e leximeve të mia davaritet ndërsa marr në sy veprimtarinë aq të gjerë e të thellë dhe pa asnjë kufi konvencional që e kërkon disiplina shkencore kur bëhet fjalë për shqipen dhe shqiptaren. E në këtë pikë, prof. Xhevat Lloshi është një rast i përveçëm mes gjuhëtarëve shqiptarë të brezit të vet, të karakterizuar nga zotësia shkencore dhe kërkimi kryesisht në një disiplinë shkencore.

Magjepsja e atij çasti kur studiuesi i talentuar i një vendi të vogël dhe të vetizoluar, në arkivin e Shoqërisë Biblike në Londrën e madhe dhe të ëndërruar – mes grumbullit të dokumenteve të zverdhura e të vjetruara, plot pluhur nga kyçja në padepërtueshmëri -zbuloi gjuhën e popullit të vet ende nuk ka kaluar[2]. Emocioni i fortë që përshkon studiuesin në vetminë e atij zbulimi nuk e pëson ndryshimin që koha ua shtrëngon gjërave të tjera të kësaj bote. Prandaj me po atë pasion dhe me po atë kureshtì ai shtyhet në kërkim të zbulimit të radhës, të përjetimit të po asaj magjie të parë, duke e pasuruar kulturën dhe trashëgiminë shpirtërore të kombit tim dhe duke u shndërruar dalëngadalë, ai vetë, në një pasuri.

(c) 2018, autorja


[1]Jam gjuhëtar; asnjë gjuhësore nuk është e huaj për mua.” Kjo thënie është një përshtatje që Jakobsoni i ka bërë një thënieje të njohur latine, si “Homo sum, humani nihil a me alienum puto”. Unë e kam lexuar këtë libër në një përkthim në italisht, “Saggi di linguistica generale”, a cura di Luigi Heilmann, Feltrinelli, Milano, 1966.

[2] Prof.Xhevati shkruan: “Kur pata mundësinë në pranverën e vitit 1972 që të merresha me kërkime arkivore në Londër, Shoqëria Biblike e kishte selinë në 146 Queen Victoria Street, jo larg bregut të majtë të Temzës. Në një kohë kur Shqipëria ishte shpallur i vetmi shtet ateist i botës, qe pak e vështirë t’i shpjegoja nëpunësit të pritjes se çfarë kërkonte një shqiptar aty.“Thesaret për gjuhën shqipe të Shoqërisë Biblike. I. 1815-1883”, ISSHP, 2017.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin