NJË PSEUDO-TURQIZËM

Më pëlqen të qëmtoj fjalë shqipe që shumë nga ne i identifikojnë si “turqizma”, por që nuk janë të tilla. Për harbut, halldup dhe afat kam shkruar tashmë; këtyre do t’u shtoja mbase edhe sihariq – dy të parat janë me prejardhje të paqartë, e treta është me gjasë huazim nga greqishtja e re. Kam ende dyshime për turkoshak, me gjasë nga një türk uşaği, shërbyes, rrogëtar i turqve. Tani më del përpara një tjetër pseudo-turqizëm, bixhoz (bixhos), të cilin ndonjë etimolog si Mann-i e ka trajtuar si huazim prej turqishtes; Çabej e hedh poshtë këtë, duke e barazuar fjalën me bíxhas, emri i një loje popullore me peta guri a me patkonj (fjalën bíxhas ky autor e cilëson si të paqartë). Topalli ka bixhë, “petë guri a paftë metalike që përdorin fëmijët për të luajtur”, por e shënon si me burim të paqartë. Gjithsesi, për klasifikimin popullor të bixhoz si turqizëm do të ketë ndikuar edhe derivati bixhosçi/bixhozçi që është formuar me prapashtesën karakteristike -çi të turqishtes (sahatçi, batakçi, topçi, zanatçi, etj.). Megjithatë, ka edhe plot raste të tjera kur kjo prapashtesë (edhe në variantin -xhi) u është ngjitur temave jo-turqishte (hekurxhi, zorraxhi, mullixhi, furrxhi, plehraxhi, fshesaxhi, arixhi, rrëmujaxhi, poterexhi, qerrexhi, sharrëxhi, biçikletaxhi, gafaxhi, burgaxhi, interesaxhi, thashethemexhi, breshkaxhi). Por kryesorja këtu është që prapashtesa vetë, pavarësisht nga adoptimi i saj dhe prodhimtaria në shqipe, “njihet” ende si e turqishtes/osmanishtes.

Përtej historizmave (të tipit mytesarif, bimbash, arabá, vezir, taksidar ose fjalëve të kulturës, si salep, bajalldi, bakllava) shqipfolësit ende e kanë ruajtur një lloj instinkti ose nuhatjeje, për t’i qëmtuar turqizmat ende të ruajtura në shqipe – sidomos kur është fjala për emra mashkullorë dyrrokësh të pamotivueshëm (në kuptimin që nuk janë formime prapashtesore, si ditar, epror) me theksin në rrokjen e dytë (oksitonë) te forma e emërores së pashquar dhe që mbarojnë me një bashkëtingëllore teke, të tipit kafáz, zanat, çengel, zengjin, sebep, tutkall, zarar, hanxhar, etj.[1]; ose emra femërorë oksitonë që mbarojnë me -dí, të tipit sëkëlldi, batërdi, kërdi, gjurulldi ose emra kolektivë a abstraktë me prapashtesën -llëk: kallaballëk, kollajllëk, avashllëk, bollëk, beqarllëk, fukarallëk, boshllëk, budallallëk, kapsllëk, pazarllëk, fodullëk, etj. (por nuk janë formuar nga tema të turqishtes gomarllëk, kalamallëk, spiunllëk, palaçollëk, kopil-llëk etj.).

Të dhënat për prejardhjen e një fjale i përkasin diakronisë, ose përmasës kohore të ekzistencës së gjuhës. Në rrethana normale (ideale) turqizmat a orientalizmat e shqipes duhej të përbënin objekt të historisë së gjuhës, jo të politikave gjuhësore, shtetërore a private qofshin. Megjithatë, orientalizmat e shqipes bëjnë pjesë te një grup i markuar brenda leksikut të shqipes – për shkak të politikave gjuhësore që nga koha e Rilindjes e këtej. Ky grup perceptohet realisht nga folësi, pavarësisht se me gabime – për shkak të disa karakteristikave specifike kryesisht fonetike dhe morfologjike të këtyre fjalëve. Çfarë nuk është se e shkel parimin e pavarësisë së sinkronisë nga diakronia, të gjuhësisë saussureane; meqë të perceptuarit e një njësie leksikore si e grupit të “turqizmave” është bërë prej kohësh pjesë e sinkronisë, ose e mënyrës si funksionon ajo fjalë. Përdorimi i fjalëve – si parole në kuptimin saussurean, përfshi këtu edhe diskurset si ndërmjetësime të gjuhës (kolektive) dhe parole-s gjithnjë individual – është në gjendje të mishërojë dhe të përcjellë ideologji të caktuara, të cilat mund edhe të luftojnë mes tyre. Nëse kjo do të shpjerë në rehabilitimin e disa prej turqizmave tashmë të vjetruar të shqipes, kjo mbetet për t’u parë.

Për t’u kthyer tani me këmbët në tokë, turqizmat dalin nga qarkullimi më shpejt se ç’vjetrohet ideja a bindja e nevojës për ta mbajtur shqipen të pastër nga turqizmat; që këtej, edhe mundësia që shumë nga ata përdorues të kujdesshëm për leksikun që përdorin, do të shmangin edhe fjalë që turqizma nuk janë – si p.sh. bixhoz (duke e zëvendësuar sipas rastit me kumar, e cila është, në fakt, turqizëm)[2]. Dhe vetë ideja se një folës me kulturë mund të arrijë që t’i identifikojë turqizmat e shqipes dhe t’i lërë jashtë ligjëratës, edhe pa e ditur turqishten, ka diçka njëherazi edhe utopike, edhe policore, edhe “raciste” – meqë u njeh përdoruesve kompetentë të gjuhës edhe aftësinë për t’i marrë fjalët në pyetje[3] dhe për të diskriminuar mes tyre sipas origjinës.[4]

Kam dokumentuar edhe raste kur ky kujdes për leksikun çon në situata absurde (turqizma pa dashje), ku folës përndryshe të përgatitur kanë ngatërruar turqizmat me fjalët e vjetruara/historizmat dhe anasjelltas. Shumë përdorues kanë një vetëdije të turbullt për shtresat dhe shtresimet e leksikut të shqipes së sotme, duke zbatuar kuturu parimin në thelb të drejtë se arkaizmat dhe dialektizmat nuk duhen futur në përdorim përveçse me arsye specifike.

Vetë mbijetesa e turqizmave në shqipen bisedore shërben si kontekst për një praktikë përndryshe të pashëndetshme për ligjërimin: preokupimin shpesh plateal të përdoruesve për statusin e fjalëve (ose pasaportizimin e tyre në publik); veçanërisht në ato raste kur kalimi nga shqipja e folur në atë librore (të folur dhe të shkruar) nuk kontrollohet mirë. Mes të tjerash, siç edhe e kam shkruar gjetiu, ky preokupim ua dobëson statusin edhe fjalëve të tjera në ligjërim, me pasoja të padëshiruara për komunikimin dhe, më gjerë, funksionimin e tekstit.

 

© 2019, Peizazhe të fjalës™.


[1] Këtë strukturë fonetike e kanë edhe shumë sllavizma.

[2] Të mbahet këtu parasysh që numri i turqizmave që nuk dallohen se janë të tillë e tejkalon disa herë numrin e jo-turqizmave që i kap gabimisht lapsi.

[3] Kjo përkthehet si auto-censurë kur ushtrohet ndaj vetes dhe si ngucje ligjërimore (harassment), kur zbatohet ndaj tjetrit.

[4] Kam përshtypjen se fjalën qerrata shumë prej nesh do ta merrnin si turqizëm – ndoshta edhe për shkak të shumësit qerratallarë. Vjen në fakt nga greqishtja κερατάς, me kuptimin “burrë që ia dredh gruaja”, it. cornuto; por edhe “tip kot, angl. bugger, jerk, schmuck etj.” E ka ndryshuar kuptimin në shqip, duke u zhveshur edhe nga ngjyrimi keqësues.

2 Komente

  1. Mund te jete edhe shqip, dicka qe te bie. Tirana thote “i ra bixha”

  2. Me kujtohet, qysh ne 8-vjecare, diku nga klasa e 7 apo e 8, na flitej edhe per mbaresat turke te fjaleve shqipe, si llustraxhi. Sesa kjo mund te jete turke, nuk e kam vrare mendjen. Ndersa per fjalen “pëgëre”, -nwse me kujtohet mire- Cabej e nxjerr si pejorative (perbuzese) te kohes se hershme kristiane, pra pagan. Por i sigurt nuk jam, duhet hapur libri serish. Si perfundim duhet thene, se tashme dihet nga te gjithe, qe shume fjale turke, (apo te pakten rrenje te fjaleve), ne te vertet jane te grupit iranian dhe semit (arab). Por shume fjale sa te njeres dhe te tjetrit. Burimi gjindet diku tek nje shpelle, ku jetonin njerez lakuriq moderniste pa kombesi.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin