PLURIVERSI I EPOSIT

Disa konsiderata narratologjike për botën, ose më mirë botët e Eposit të Veriut.

Lexuesit mund t’i interesojnë në vështrim të çfarë është thënë ose edhe të çfarë do të thuhet për këtë temë në vijim.

Së pari, çdo këngë krijon botën e vet, të përmbyllur; në kuptimin që është një botë që ka një fillim dhe një mbarim.

Për shembull, kënga Gjeto Basho Muji (Martesa) fillon me Mujin që del në Krajli dhe ze një nuse; dhe mbaron me dasmën e Mujit dhe Zanat që këndojnë ‘shkam e m’shkam.’

Kjo është botë e përftuar nga kënga, e cila e ka vendin në rrafshin narrativ (rrëfimor).

Tani, ka edhe një botë të mbyllur narrative për krejt Ciklin, të cilën mund ta quajmë U-0 (universi zero); në krahasim me botët sipas këngëve: U-01, U-02, e kështu me radhë,  deri te U-0n; por U-0, ose bota e Eposit, nuk përftohet si shumë e botëve të secilës këngë (pra U-0 ≠ U-01 + U-02… U-0n). Kjo sepse Eposit vetë i mungon koherenca; në kuptimin që Halili, p.sh. martohet rregullisht; ose çfarë i ndodh Halilit në një këngë, i ndodh Zukut Bajraktar në një këngë tjetër, etj. Prandaj U-0, ose botën e Eposit, mund ta cilësojmë si një univers të organizuar rreth disa personazheve funksionale (Muji, Halili, Omeri, Ajkuna, zanat, orët e malit, gjogu etj.) dhe disa klisheve ose formulave narrative (shëtitja në bjeshkë, rrëmbimi, dyluftimi, fshehja, travestia si grua, tradhtia, dredhia, ndërhyrja e zanës, besa, komploti, burgosja, etj.). Këto personazhe funksionale dhe formula kombinohen në mënyra të ndryshme, në këngë të ndryshme. Për t’u shënuar është se edhe personazhet funksionale janë, në thelb, klishe; tiparet e tyre nuk ndryshojnë nga kënga në këngë, personalitetet e tyre nuk pasurohen as zhvillohen.

Kemi pastaj botën reale së cilës i referohet Eposi, e cila është e ndryshme nga U-0, në atë masë që i mungojnë elementet imagjinare ose të mbinatyrshme (p.sh. zanat, ose dhuntitë hiperbolike të kreshnikëve); por edhe që ofron disa ankorime, në trajtën e emrave të vendeve, p.sh. Jutbina, Klladusha, Kotorret e Reja, Taliri, Tuna, Lugjet e Verdha, Lugjet e Zeza etj. Këtë do ta quajmë U-1. Ajo u intereson veçanërisht, bie fjala, historianëve, të cilët mund të kërkojnë në arkivat dhe të gjejnë se personazhe të Eposit, si Muji ose edhe Gjergj Elez Alia, kanë qenë njerëz realë në Bosnjen e shekullit XVI, në përpjekje për të qëmtuar gjurmë të historisë (U-1) në botën e rrafshit narrativ të Eposit (U-0).

Së treti vjen në vështrim bota e kohës kur u krijua Eposi, ose U-2; e cila identifikohet kryesisht me motivet që çuan në përftimin e kësaj vepre. Meqë Këngët e Kreshnikëve janë ato që janë, dhe meqë nuk krijohen të reja prej tyre, atëherë do të supozojmë se ka pasur një periudhë në histori kur këto u krijuan; dhe pastaj të kërkojmë se çfarë e kushtëzoi këtë krijim, çfarë krize ose përplasjeje qytetërimesh ose etnish ose fesh, e kështu me radhë.

Një gabim që bëhet rëndom, është të ngatërrohet bota e kohës kur u krijua Eposi, me botën së cilës i referohet Eposi (ose U-2 me U-1); nuk ka arsye pse këto të përkojnë plotësisht, meqë Eposi mund t’i ketë rrënjët në kujtesën historike të komunitetit. Teorikisht, arbrit mund t’i kenë kënduar Jutbinës pasi të jenë larguar që andej.

Më tej, kemi kohën që i përgjigjet universit kontekstual ose kohës historike kur këndohet kënga. Le të jetë kjo U-3, arbitrarisht. Ndryshe nga U-1 dhe U2, të cilat janë të ankoruara në histori, U-3 ka natyrë relacionale – meqë e njëjta këngë mund të këndohej në shekullin XIX dhe të këndohet edhe sot në shekullin XXI. Gjithsesi, U-3 vlen sidomos për të kuptuar rolin që luan performimi i rapsodit, ose riprodhimi i këngës, brenda kontekstit social ku ndodh kjo. Është pikërisht në ktë botë, ku rapsodi e përkufizon U-0 duke e lokalizuar “gjetiu” ose “tjetërkund”, në raport me hapësirën dhe kohën ku po ekzekutohet kënga, nëpërmjet formulave të tilla si “Kshtu m’kanë thanë, se atje nu’ jam kanë” ose duke vendosur një raport, sado jetërsues, midis së tanishmes kur këndohet dhe riprodhohet kënga, dhe ngjarjeve që rrëfen kënga vetë. Meqë U-0 dhe U-3 janë, në një kuptim, universe të pabashkëmatshme, njëri narrativ tjetri real, atëherë mund të themi edhe se bashkekzistojnë, në kontekstin e riprodhimit, por nuk lidhen dot mes tyre veçse nëpërmjet personit të rapsodit, i cili funksionon si një lloj portali; dhe nëse U-3 përdoret për të lokalizuar U-0 si “gjetiu dhe atëherë”, ndoshta edhe U-0 luan rol të ngjashëm, për të lokalizuar U-3 si “këtu dhe tani”. Kusht i vetëm për këtë, është pamundësia e kallëzimtarit (të kanalizuar nga rapsodi) për të qenë njëkohësisht edhe atje edhe këtu.

Ka edhe një botë të katërt, ose U-4, e cila ka të bëjë me momentin kur është mbledhur kënga; dhe që, në parim, është e ndryshme nga U-3, e cila, siç e pamë, ka natyrë relacionale. Kjo botë nuk ka ndonjë pertinencë për të kuptuar këngën ose kontekstin e saj social ose marrëdhëniet e saj me historinë dhe gjeografinë; por ndihmon, si koncept, për të kuptuar interpretimet që i janë bërë këngës. (Një nga dyshimet më të hidhëta që i kërcënohen gjithkujt u qaset këtyre këngëve për t’i studiuar është mundësia që aty të ketë vënë dorë vjelësi, ose mbledhësi; në tekstet ose edhe në vetë rrëfimin; çka vlen sidomos për këngët që janë mbledhur në rrugë artizanale, ose me letër dhe laps; dihet, bie fjala, që Mitkoja ka vënë dorë në tekstet e këngëve popullore që mblodhi; sikurse është përsiatur se De Rada i ka shkruar vetë të ashtuquajturat “Rapsodi popullore” arbëreshe). Përndryshe, U-4 ka qenë dikur edhe U-3, por nuk është më.

E ngjashme me U-3, por gjithsesi aq e ndryshme prej saj sa të përligjë kategorizimin më vete, do të ishte bota e tashme, që përkon me momentin kur po flasim për Eposin – p.sh. viti 2011. Le ta quajmë U-5. Kjo merr rëndësi për të kuptuar jo aq si funksionon kënga, sesa çfarë e motivon studiuesin që t’i qaset, pavarësisht se si ndodh kjo. Për shembull, të mbledhura në një libër, këngët e Eposit janë denatyruar ose balsamosur, sepse janë nxjerrë nga konteksti i performancës rapsodike; gjithsesi, edhe ashtu mund të analizohen, së paku në disa rrafshe, p.sh. narrativ ose tekstual (diskursiv).

Nuk ka komente

  1. Ç’është Eposi?
    Ka të bëjë me fjalën epokë apo thjesht mund të merret fjalë-për-fjalë si rrëfenjë?
    S’besoj se është vetëm rrëfenjë… sepse si e tillë do ishte njohur si kanga e Ded Noc Rrokut t’Markajve t’epërm me titull: “Si jau kajtëm çikat shkjaut”..
    Për sado të bukura që ishin serbet, për sado sakrifica që bëheshin për to, asnjëherë s’besoj se ndonjëra prej tyre arriti të hynte në histori si Helena… dmth deri në atë pikë që të konsiderohej “mollë sherri” ndëretnike.
    S’besoj se qëllimi i këtij cikli shkrimesh, rreth Eposit të Kreshnikëve, është reduktimi i tij tek rrëmbimi/dasmat apo inçesti… do ishte njëlloj sikur të reduktohej Iliada si një këngë që ju kushtua homoseksualitetit apo faktit që Akili (mund të) ishte gay.

    Përsa i përket pluriuniverseve të Eposit, apo universeve paralelë në të cilët zhvillohet, apo ka arritur tek ne, do thoja që: Eposi, dmth trashëgimija gojore, ka qënë ndër kohëra ajo që ne sot konsiderojmë multimedialitet… ishte radioja, televizori, gazeta dhe interneti i së shkuarës.
    Nëse e paranojmë eposin si një gjë të tillë, atëhere s’kemi edhe pse habitemi me manipulimet/ shndërrimet/ndryshimet që i bëhen (o i janë bërë kohë-pas-kohe)… mos vallë Bibla ka ardhur deri tek ne siç ishte në origjinal?!

    1. Edrus:

      S’besoj se qëllimi i këtij cikli shkrimesh, rreth Eposit të Kreshnikëve, është reduktimi i tij tek rrëmbimi/dasmat apo inçesti… do ishte njëlloj sikur të reduktohej Iliada si një këngë që ju kushtua homoseksualitetit apo faktit që Akili (mund të) ishte gay.

      Edrus, qëllimi i këtij cikli shkrimesh është që të jetë një cikël shkrimesh. Çdo vazhdim i argumentit na kalon nga hapësira e komenteve në sallën e gjyqit (siç ndodh zakonisht kur flitet për qëllime).

      1. Qëllimi, në rastin e përdorur prej meje, është sinonim i mundimit, kohës së kushtuar, punës së bërë, analizave të kryera… po të vendosësh çfardolloj sinonimi nga këta të tjerët, do shikoni që kuptimi i komentit nuk është ai që keni marrë ju….

  2. Përqasja më duket interesante dhe nuk e kam ndeshur më parë. Kam përshtypjen se mund të krijohen disa lloj aksesh të natyrës karteziane për të përcaktuar veçoritë e këtyre Universeve,duke marrë në analizë kryesisht elementët etnografikë e gjuhësorë. Nuk dua të flas para kohe, por duke përdorur metodën e përjashtimit mund të arrihet te një arketip interesant të bazave të këtij eposi.

    Mendoj se përqasja që i ke bërë në këtë shënim, është një risi që mund të zgjerohet më tej.

    Kur shumë vite më parë më interesonte kjo tematikë, kam mbetur i mahnitur nga teoria e grafeve që përdornin dijetarët rumunë për të arritur të krijonin një lloj radiografie të baladave të tyre.
    Në Tiranë në atë kohë vinte një Revistë e studimeve të Evropës Juglindore, në anglisht dhe frëngjisht më duket dhe që ishte e një niveli të shkëlqyer.

    Kam parasysh aplikimin që i bënë ata versionit të tyre që ka të njëjtën fabul me këngën e Rozafës. Patriotët e Babrroit mund të shokohen por të gjithë popujt e Ballkanit kanë versionin e tyre të kasëj fabule që lidhet me një kështjellë,urë a objekt tjetër që gjendet në vende krejt të tjera e që janë mbledhur shumë më para se versioni i Rozafës.

    Pikërisht duke përdorur teorinë e grafeve ata shkuan shumë larg në studimin e saj, edhe pse duhet thënë se këtu ndihmon shumë fakti se tradita rumune e studimeve ballkanistike është e jashtëzakonëshme dhe mjaft e vjetër.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin