Dhe na del se fjala nuk është aspak hermetike. Pjesa e saj e parë është në fakt një onomatope e substantivizuar (e kthyer në emër). Pra, onomatopeja paraqitet këtu si xhërr, xhyrr, dhe është imitimi i zhurmës që lëshon rrjedha në rënie e një shkulme uji, më e fortë e më me prurje se një curril. E kam dëgjuar sa herë këtë shenjues onomatopeik, që po e ilustroj këtu me shfrimet e sime gjysheje, kur kaloja me të anash ndonjë karroce tërhequr me kalë, tek kafshës së gjorë i qëllonte të urinonte me vrull mu në atë kohë. Ime gjyshe atëherë shfrynte: Njih, e shloi shurrën xhërrrr nështi kjo, mu ke komët tona! E poashtu këtë lemë e kam hasur, veç ime gjysheje, edhe te e folmja e Tiranës si fjalë të emërzuar, pra si xhyrrle, xërrle, ose xyrrle. “Xhyrrlja” si fjalë bënte pjesë te mallkimet e lehta kur i thuhej dikujt: Të raftë xërrla! ose Të preftë xhyrrlja! – duke nënkuptuar të ramen bark ose diarre. Mund të mos ishte edhe mallkim po thjesht pohim, si ne rastin kur fqinjët, pasi kishin kapërdirë plot një pjatë rrushi çelek të tandës sonë, qeshnin duke thënë: Po hiki iher në nevojtore se më preu xhyrrla prej ktij rrushit. Afërmendsh në Dukagjin do ta hasim (sikundër edhe e hasim) në variantin me gj-, pra gjyrrle, duke pasë parasysh edhe sjelljen fonologjike të zonës e cila shndërron ç-të në q, dhe xh-të në gj. Ja pra që fjala s’paska qenë dhe aq “e huaj” apo arbitrare dorësëparit, duke konfirmuar dhe njëherë çka shkruan Saussure mbi arbitraritetin e shenjës, se të vetmet fjalë të parme jo arbitrare (pra të zhbirilueshme) janë onomatopetë. Kështu, pjesa e parë e kësaj fjale është një emër i prejardhur pikërisht nga një onomatope: gjyrr a xhyrr, xhërr. Tek vazhdimi -emë, shohim prapashtesën tonë -amë, të gjendur fjala vjen te huk-amë, ofsh-amë, pisk-amë etj., e cila shënon tërësinë e tipareve, a për ta thënë ndryshe përmbledh në një fjalë gjithë emfazën e shprehjes. Por mund poashtu të paraqitet edhe një variant i po kësaj prapashtese, varianti -emë, që gjendet te fjalë si bardh-emë, verdh-emë etj, i cili sërish i përmbledh në një tiparet, por që merr edhe semantikën e krahasimit, pra: si i bardhë, si i verdhë, e në rastin tonë: si gjyrrle. Të dyja për mendimin tim mund të jenë, pasi duke qenë gegnishte verilindore, a-ja shndërrohet në e.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.