SPEKTAKLI BAJAT I “ANALISTËVE”

nga Adrian Beshaj

Tashmë janë bërë ritual i mbrëmjeve të shqiptarëve debatet televizive të “analistëve politikë” të moderuara nga një gazetar kinse mbi palët. Në fakt, që pas rënies së regjimit diktatorial në Shqipëri individët dhe disa grupe njerëzish, që vinin nga profesione dhe përvoja të ndryshme jetësore e që papritur u shndërruan në “politikanë”, janë shoqëruar në rrugëtimin e tyre jo fort të suksesshëm politik nga bashkudhëtarë besnikë që komentojnë bëmat e tyre dhe që quhen “analistë politikë”. Edhe në rast se nuk ke dëshirë ta ndjekësh një emision të tillë me “analistë” dhe do të ndërrosh kanal, do të gjesh përsëri “analistë” të tjerë që bëjnë “analiza të thella” të çështjeve dhe ngjarjeve politike në Shqipëri në studio më të mëdha apo më të vogla televizive.

Po çfarë është analiza? Shfletova edhe një herë fjalorin për të parë përkufizimin e kësaj fjale. Analizë vjen nga greqishtja analysis që nga ana e saj rrjedh nga fjala tjetër greke analyo që në shqip përkthehet “unë shkrij”. Analiza është një metodë studimi apo kërkimi që konsiston në zbërthimin e një të tëre në pjesët e saj përbërëse me qëllim që t’i shqyrtojë dhe përkufizojë. Mund të flasim për shembull për analizë të periudhës, të një fenomeni shoqëror, të një ngjarjeje historike etj. E kundërta e saj është sinteza. Kemi gjithashtu analizë estetike, gramatikore, logjike dhe në një kuptim më të përgjithshëm është një hetim, një shqyrtim i thelluar. Në disiplina të ndryshme shkencore, analiza është tërësia e operacioneve që kanë si qëllim përcaktimin e natyrës dhe karakteristikave themelore të një substance apo të një kompleksi substancash. Analiza përdoret gjithashtu për të treguar një trajtim psikoanalitik, si për shembull “të jesh në analizë prej disa kohësh”.

Analist është ai që kryen analiza sidomos kimike, mjekësore etj. Kemi analistë financiarë, analistë të kohëve dhe metodave, analistë të tregut që bëjnë kërkime apo analizë të një sektori të caktuar të ekonomisë. Analist është edhe një shkrimtar që di të përshkruajë me mprehtësi ndjenjat njerëzore. Analist quhet ndryshe edhe një psikoanalist.

Por a i kanë aftësitë, cilësitë dhe formimin e duhur akademik individët që gjoja merren me analiza të tilla nëpër televizionet shqiptare? Unë jam i bindur që shumë prej tyre nuk i kanë aftësitë e kërkuara dhe besoj se po këtë mendim kanë edhe shumë prej teleshikuesve. Di që disa prej tyre janë diplomuar për një gjuhë të huaj në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Tiranë dhe sot do të duhej të ishin e shumta mësues të gjuhës së huaj në shkollat nëntëvjeçare, e përkundrazi janë kapur dorë për dore me njëri-tjetrin dhe vrapojnë sa nga një studio në tjetrën, sa nga një televizion në tjetrin, për të mbushur ekranet me lapërdhitë tyre.

“Analistët” e ekraneve tona do t’i ndaja në dy grupe: në sharës dhe urrejtës profesionistë dhe në lajkatarë dhe lustraxhinj ekspertë, që janë njësoj të neveritshëm. Që kur ata shfaqen në ekran teleshikuesi e di se çfarë do të thotë njëri dhe çfarë tjetri, se cilën anë do të mbajë dhe cilën do të shajë dhe nuk pret asfare që ata të hedhin dritë, të shqyrtojnë dhe të sqarojnë çështjet politike që shqetësojnë publikun e gjerë. Shpesh debatet e tyre degjenerojnë në zhurmë, në përpjekje për të mbytur zërin e njëri-tjetrit dhe në fyerje personale. Dhe aty vetëm për analizë politike nuk mund të bëhet fjalë. Por ç’i shtyn këta individë të hiqen si analistë politikë? Kam përshtypjen se para së gjithash janë arrivistë, kërkojnë maksimumin e parave, famës dhe pozicionit shoqëror me minimumin e përpjekjeve në një kohë sa më të shkurtër. Disa prej tyre mendojnë se, meqë kanë pasur gjyshin apo babanë personazh të njohur dikur në Shqipëri, janë të paracaktuar me të drejtë nga lindja të jenë sot në krye të punëve të vendit megjithëse nuk kanë kurrfarë kontributi me vlerë për t’i ofruar shoqërisë ku bëjnë pjesë. Mendojnë se me fjalët dhe komentet e tyre mund të zhvendosin masa të gjera votuesish sa nga njëri krah politik në tjetrin, se mund të rrëzojnë qeveri dhe se mund të sjellin në pushtet parti të tjera. Me pak fjalë i bëjnë shërbimin padronit që i paguan dhe në të njëjtën kohë shfrejnë mllefin dhe lajnë hesapet me atë që urrejnë. Ndonjë prej tyre mund të jetë i paguar edhe nga shërbimet e fshehta të huaja për të ndihmuar në arritjen e objektivave të shteteve përkatëse në Shqipëri. Dhe në fakt shumë prej këtyre të ashtuquajturve analistë kanë grumbulluar sasi të konsiderueshme parash dhe bëjnë jetë luksoze, edhe pse normalisht ky profesion nuk të bën të pasur. Do të risillja këtu në vëmendje një shprehje të gazetarit të njohur italian Indro Montanelli që thotë: “Nëse shihni një gazetar të pasur, mos i besoni asnjë fjale të tij”.

Do të doja t’u bëja thirrje drejtuesve të mediave dhe moderatorëve të emisioneve që merren me analizimin e çështjeve politike të mos u krijojnë hapësirë lloj-lloj individëve “të gjithëdijshëm”, por të qëmtojnë, të evidentojnë dhe të thërrasin nëpër emisione profesionistë me integritet moral dhe intelektual, specialistë, pedagogë të filozofisë dhe të shkencave politike, estetë, jurist, ekonomistë, diplomatë, etj., që Shqipërisë nuk i mungojnë sidomos sot kur shqiptarët kanë kohë që diplomohen në universitete nga më prestigjiozet në Europë dhe në botë.

Duke u bërë vend parazitëve, bjerraditëve, trutharëve fodullë televizionet i bëjnë një shërbim të keq vendit duke përhapur një model të dëmshëm që mbjell vetëm kaos, urrejtje e përçarje, në vend që të rrezatojnë kulturë, dije, harmoni, dashuri për popullin dhe për vendin. Duhet të bëhen vatra të rrahjes së problemeve që mundojnë aktualisht shqiptarët dhe të adresimit të tyre sa më shpejt dhe sa më efektshëm. Pseudoanalistët do të duhej të ishin ndaluar prej kohësh. Do t’i ftoja edhe teleshikuesit shqiptarë t’i bojkotojnë këto lloj emisionesh ku pjesëmarrësit, si ca tifozë skuadrash futbolli, kanë hallin e parave dhe të pushtetit dhe jo të analizës se mprehtë dhe të detajuar politike të bazuar në të dhëna shkencore, sondazhe, përqindje apo statistika.

© 2021, Adrian Beshaj. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin