Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Gjuhësi / Histori

PLAKAT GJUHË-BRISK TË KIRIAKIT

Jam në Kiriaki (Κυριάκι), ose si i thonë arvanjitët, Qiriakat (kam hasur edhe Gjirakat) ose Qiriaqi. Ajo “q” e shkretë që i tradhton dhe i bën arvanitët të perceptohen menjëherë si shtresë e stigmatizuar në Greqi! Folësit e mi arvanitë në Qiriakat prapësojnë edhe tingullin “s” në “sh” [ʃ] kur flasin greqisht, së paku në shumicën e të folmeve (psh teshera në vend të tessera, ose kshero për ksero) që i bën të gjykohen si defektivë e që “s’flasin mirë greqisht”.

Ndërkaq nuk e di nëse ky tipar është dialektor i gjithë zonës apo një dukuri që lidhet me ndikimin e arvanitishtes dhe kufizohet tek arvanitët. Që arvanitët kanë emrat e vet për gjithë toponiminë përreth, ose shqiptime të ngulitura ndryshe nga variantet greke, është tipike për gjithë komunitetet që janë të ngulitura dhe që flasin një gjuhë të ndryshme nga rrethinat. I dëgjoj gjithnjë ato që më thonë, me respektin dhe përulësinë që kihet për perëndinë ose për atë që po vdes: e di që këto shqiptime do jenë përreth edhe vetëm për pak dekada. Ndiej peshën e të qenit dëshmitar i një shqiptimi të thjeshtë të një fjale banale, por i njërës prej herëve të fundit që ky nyjëtohet. Një foshnje prej një linje të vjetër gjaku që vdes sapo lind, dhe redukton në asgjë kujtesën gjenetike shekullore.

Qiriaqi ësh katund, Livadhisë ia thomi horë, ala Athinës ia thomi politì, më shpjegonte Katerina para disa vjetësh. Shumë më i madh se Zeriqi, Qiriaqi ka rreth 2500 banorë e rreth 10 magazì (dyqane, kafene, taverna etj). Është nga të pakëtat katunde arvanite të cilit s’ia kanë ndërruar emrin zyrtarisht. Arvanjitët i njohin mirë fshatrat e krahinës që banohen ose banoheshin nga arvanjitët, edhe kur janë larg. Më bëjnë shpesh lista me emra dyshe katundesh: si ia themi na, e si ia thonë nani! Se i ndërruan nani për tërë kozmin. Arvanjitët jetojnë me të shkuarën; duket sikur “nani”-ja jetohet nga restoja e botës, por jo prej tyre. Sa herë dua të gërmoj pak nëse kjo pjesa e ndërrimit të emrave i ka bezdisur, vë re që as e kanë menduar ndonjëherë përse emrat e fshatrave të tyre të jenë ndërruar. Ose kanë mësuar ta harrojnë. Nuk e ngacmoj fort këtë muhabet sepse kur i pyes për herë të dytë, u kam parë frikë në sy. Nuk para kanë qejf të thonë gjë që mund t’i ngatërrojë me qeverinë, sikur të kishin qenë nën socializëm më gjatë se ne. Mua më vjen keq sidomos për ato katunde, emrat e të cilëve ishin fjalë shqip. Ulem në kafenenë në krah të rrugës. Ka disa kafene rresht, por kjo duket si më moderne si arkitekturë, karriget e brendshme, zgjedhur me shije, rregullimi i lulishtes së kopshtit mbushur me tavolina e karrige është më i fisëm. E di që gjithçka do jetë më e shtrenjtë, por mua më duhet Interneti, dhe këtu ka më shumë gjasa ta kem. Duhet të lidhem në skype me tim shoq e t’i them që ende jam gjallë nëpër malet e Viotisë. Ai s’ka lajme prej meje që kur isha në hotel në Livadhia. Në Zeriqi Interneti ishte larg dhe si ëndërr. Gjithashtu në një kafene moderne ka të ngjarë të gjej më shumë të rinj sesa pleq. Para se të hyj në fshat, dua informacion për festën, për zakonet, për ku të shkoj e si të gjej çfarë kërkoj. Të rinjtë janë më të hapur, dhe e di që ka më pak të ngjarë të më shohin me dyshim a armiqësi.

Kisha qenë në Qiriakat edhe para pesë vjetësh, dhe më ish dashur të kthehem me autostop në kamionçinën rrangallë të një romi që nuk u besonte syve që i hyra në kabinë. Nuk kisha autobus për t’u kthyer, dhe nuk gjeta as taksi. Atëherë pata ndenjur nja tri orë në kafenenë e Katerinës ku takova 5-6 vetë që edhe intervistova, dhe bëra një orë shëtitje nëpër fshat. Atëherë as nuk e pata vënë re fare këtë zonën moderne të fshatit që qe zhvilluar në bisht të katundit. Autobusi këtu vinte në mëngjes dhe pastaj në gjashtë të darkës. Është e vështirë të kalosh natën në Qiriakat. Por kur pyeta në Athinë para disa ditësh më thanë se kësaj here do gjeja edhe një autobus që nisej prej Qiriakatit në 2:30 të drekës të dielave. Kjo shpresë më mban, në fakt.  Kur erdha herën e parë arrita në 6:30 të mëngjesit, mu në qendër në një shesh të vogël me rrape. U drodha nga të ftohtët për nja 30 minuta derisa nisën të hapen kafenetë. Isha me fat që hyra tek Katerina atëherë, se u shtruam duke bërë muhabet me të dhe me nusen e të birit. Kësaj radhe taksisti më la atje ku I thashë, në barin modern. Normalisht porosis shumë gjëra njëherësh që së paku të krijoj një bazë ku njerëzit më çmojnë se u bëj xhiro. E di që mund të rri disa orë këtu, e di që do më duhet informacion për shumë gjëra, e di që nëse nuk krijoj një bazë miqësore mesdhetarët janë mosbesues. Ndaj hapat e parë i mas mirë, nuk lë njeri pa përshëndetur miqësisht dhe ble shumë më tepër se mund të konsumoj.

IMG_5888 (2)Bëj planin, shkruaj, u përgjigjem emaileve, mbaroj së foluri në skype me disa amerikanë të pagjumë, rrufis cappuccinon dhe lëngun e portokallit të shtrydhur, pres një vezë me djathë, hap sytë e veshët, buzëqesh. Me vajzën që shërben në bar jemi bërë ndërkaq mikesha. Njerëzit nisin të lëvizin në rrugën e madhe para kafenesë. Çikë nga një çikë nisin të ulen edhe nën hijet e çadrave në oborr ose edhe brenda. Gratë e reja janë veshur si për festë me ngjyra dhe kanë fytyra me shumë pudër e të kuq. Burrat e rinj janë si kudo nëpër botë me polo a këmisha, por burrat mbi 60 vjeç kanë supeve xhaketa të errëta në këtë ditë mes-gushti. Pas këmbanave, më kish thënë vajza e barit, kafeneja do mbushej se do dilnin të gjithë nga kisha, dhe para dreke zakoni është të kalojnë një copë here këtu. Të rriturit pinë kafe; të vegjlit hanë akullore. Ka pak pleq, por ka një numër të mirë njerëzish mes 50 dhe 70 vjeç. Siç e do festa e sotme, rrinë kryesisht në tufa familjare me rreth shtatë-tetë persona për tavolinë. Asnjë për be nuk flet arvanjitika, ndoshta pikërisht nga që në një grupim shumëbrezësh greqishtja është e vetmja me të cilën merren vesh. Para disa vjetësh hasa rrallë arvanitika nëpër kafene pleqsh, ku normalisht ka ekzkluzivisht burra. Shprehje elementare të tipit “ti e u” që pastaj ndiqej nga greqishtja. Sot fare pak janë ulur në grupe shokësh. Por as ata nuk flasin shqip, sido që jo të rinj. Pyes vajzën e re nëse mund të le çantën dhe komputerin në bar. I them se do kthehem pas dy orësh. Dua të shkoj në pjesën e vjetër të katundit.

Eci me veshët katër mos kap Arvanitika. “Mosgjë e mosnjeri!” thonë arbëreshët në këto raste. Ndjek një rrugë që shkon përgjatë gjithë fshatit. Arrij në sheshin e vjetër të katundit, me kafene e rrape ku rrinë tufa burrash me torba pazaresh: porosi nga gratë për drekën e festës; por një kafe  e një teke në shesh para kthimit nën vargonjtë e grave festive, është kusht mbijetese dhe parajsë e parezistueshme. Mosha mesatare është më e vjetër se në zonën ku isha më parë. Një tregues-shigjetë në rrapin kryesor të sheshit më drejton në Muzeun Floklorik. Shkoj në atë drejtim. Siç e pres është i mbyllur. Përpiqem të shoh nga xhamat çfarë mundem. Një dhomë kitsch e sajuar me objekte të vjetra, parmenda, vegjë, çerepë, piktura 5-lekëshe grash e burrash me kostume tradicionale me bojra të këqia. S’kap asgjë që lidhet me arvanitët. Rrugës para një porte me gurë të bardhë, Maria Poulu (në këtë udhëtim më shoqërojnë Mariat), shtatëdhjetë e shtatë vjeç, flokëbardhë e mbajtuar e në shëndet të mirë. Rri në prag të shtëpisë gjithë hijeshi. Më tregon për familjen dhe ka fytyrën e njeriut që është krenar dhe i kënaqur për sa ka arritur. Kur më tregon moshën i them se është ende e bukur. Le çë jam u (që do të thotë “Lëre mos e pyet sa e bukur jam unë!”), dhe i mbushet fytyra me një buzëqeshje të madhe. Kur e pyes për shqiptarët në katund më thotë: Allvanojtë këtu nuk na kanë ngarë. Andej nga polititë, po! Andej bëjën palo gjëra, ala këtu janë të mirë… hajën, pijën e shërbejën! E pyes a flasin arvanitika me ta. Më thotë: na këshillonemi arvanjitika më mirë se allvanojtë. Ata kanë tjetër… nuk vazhdon fjalinë, por bën një fytyrë të pakënaqur e të bëzdisur. Kjo është ndër ligjëratat më pozitive që merr këtyre anëve kur flet për shqiptarët. Qëndrimi dashamirës ndaj tyre konsiston në tolerim të gjynahqarëve që “këtu” (çuditërisht?) nuk kanë ngarë kënd; nuk është kurrë diskurs barazie dhe as simpatie. Në fund, Maria si shumë të tjerë fshatrave më pyet me sy dyshues: ku do i qjellësh këto që thom u nani? Ia shpjegoj përse dua të di gjendjen e gjuhës së tyre, dhe me sa duket e qetësoj, sepse nuk ka më frikë në sy. Nuk është thjesht kurioziteti provincial; vë re një mosbesim më shumë si frikë prej shtetit ose prirje për të mos thënë gjë me zarar në të gjithë fshatrat nga kam shkuar. Kam gjithnjë kujdes se ccfarë i pyes se nuk dua t’i vë në siklet; por ca pyetje s’rri dot pa i bërë.

Një plakë me shami të zezë po zbret rrugën. Është si ta kesh marrë nga një kuadër filmi romantik grek. I “zë pritë” dhe e pyes nëse mund të flas me të për pak në arvanjitika. Vjen gjithë qejf e më përgjigjet me entuziazëm vajzëror. I pritet vrulli me pauza disasekondëshe veç kur nuk kujton fjalën në arvanjitika. Gjuhën e ka perfekte, por duket që s’e përdor më, se i dalin shprehjet në greqisht fillimisht. Sa vjetëra jam u? U jam … dhe rrotullon sytë që i ka plot energji. Nuk i vjen numri.  Jam katërzet e një! Ne, ne … rikonfirmon vazhdimisht veten në greqisht pas fjalive të tëra në arvanjitika. Ka dhodheka kronja që më ka vdekur burri… I them që nuk e zura këtë. Rrotullon prapë sytë e vetëkorrigjohet: Dimjet vjetëra ka që ka vdekur! Pastaj më bën mësim duke më dëftyer gishtat e trashur nga puna që i ka si të gjyshes sime: dhjet, njimjet, dimjet, dhe i thekson të gjitha në rrokjen e parë. Vajza ish pesdhjet e katër kur vdiq. Efta kronja… shtatë vitra ka që ka vdekur vajza. I them se më vjen keq. Ishte kaq e re! Epo kej atë… këtu ul zërin dhe më pëshpërit duke m’u afruar në fytyrë, me frikë se mos kanceri e dëgjon dhe ia merr pë ters… jarqinjon kej! Ajo na ka thertur! Pastaj sheh që dikush po i ngjitej rrugës ku rrallë kalonte kush. Arvanitja 81-vjeçare drejton trupin t’i flasë një burri të ri 40-vjeçar që afrohej në krahun tjetër. Teksa avitej, më shihte me kuriozitetin dyshues që shihet normalisht në një fshat një grua e vetme që duket qartë që s’është vendalie.

Shënim: ky shkrim është vazhdimi, ose pjesa e dytë, e një serie që filloi me “Atje ku vdes e rron arvanitika”. Do të ketë edhe një pjesë të tretë së shpejti.

(vijon në pjesën e tretë)


© Autorja dhe Peizazhe të fjalës. Ndalohet riprodhimi pa lejen eksplicite të autores.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin