ATJE KU VDES E RRON ARVANITIKA

(Pjesa e parë: Zeriq)

Zerikit[i], t’ia kërkosh emrin mes grekëve, janë të pakëta gjasat të hasësh një që e njeh; mes shqiptarësh janë zero. E prapë një lezhian i ri, “problematik” sipas banorëve, por edhe mendjehollë, kish përfunduar i vetëm në katundin hollak majë malit e pyllit pranë Livadhiasë (Λειβαδιά), qytetit qendror të Viotisë (Βοιωτία), larë me ujëra të furishëm malorë.

Viotia vetë, është banuar historikisht prej arvanitësh, dhe ende ka në krahinë fshatra që dikur kanë pasur përbërje tërësisht arvanite. Sot arvanitët jetojnë nëpër xhepa anësorë të këtyre zonave. Kur i kërkoj me të pyetur, mesogra e mesoburra grekë (ndoshta me gjyshër që flisnin vetëm arvanitika[ii]) më këshillojnë të mos u ngjitem atyre gërxheve, dhe marrin shprehje të tipit “Ç’dreqin do që kërkon arvanitët?!”.

Në Internet Zeriki nuk gjendet si emër vendi; po të dërgosh me postë një letër për një banor të tij, duhet të japësh adresën e qytetit më të afërt, dhe të shpresosh se postieri s’është i ri dhe i njeh banorët një për një e di ku ta çojë letrën. Emri zyrtar për fshatin, sido që jo për postat greke, është Elikona. Asnjë banor i Viotisë nuk i thotë Elikona, por emri Zeriki që përdorën arvanitët dhe që jeton ende mes njerëzve, do vdesë me ta. Nuk e di në do jetojë Elikonas pas tyre, apo ato pak shtëpi do i mbulojë bari e myshku i moteve.

Në stacionin e autobusëve të Athinës kur preva një biletë për në Livadhia, biletashitësja, sipas traditës mesdhetare, deshi të dinte përse po shkoja atje. I thashë se destinacioni im në fakt ishte një fshatth majë malit ku edhe makina zor shkonte e jo më autobusi. Përmendja e Zerikit, e shastisi biletaren që vinte prej asaj zone. Kjo vendosi që, me njohjet e saj, të më sigurojë një taksist të sigurtë, taksinë e të cilit nuk do e paguaja si frëngu pulën, që do më priste në stacionin e Livadhiasë e do më çonte pastaj në Zeriq, si thonë arvanitët. La edhe banakun, erdhi e më hipi në autobus dhe ia la porosi shoferit të linjës të më ndihmonte nëse kisha nevojë. Jo keq ky fillim për mua!

Nuk e nis dot ndryshe historinë e vizitës sime në Zeriki: dy herë kam shkuar, dy herë eksperienca në katundthin që i ka humbur emri (dhe vula postare) ka qenë e ngjashme. U bë disa vjet që merrem me gjuhën e arvanitëve kur gjej mundësi në verë. Kam bredhur në zona të ndryshme, por komuniteti arvanit si i tillë ka vdekur thuajse kudo. Gjen sot plot individë e grupe të vogla pleqsh (që edhe kur mes tyre, përdorin kryesisht greqishten) që e flasin gjuhën ende, madje, më shumë e më mirë se ta merr mendja, por jo më në komunitete. E sidomos, siç kam shkruar edhe më parë, nuk gjen kollaj krenarë apo dashamirë ndaj identitetit, gjuhës, origjinës, veçantive të veta.

IMG_5793Kisha qenë tre vjet të shkuara në Zeriq, po ashtu, në verë. Atëherë pata shkuar në kafenenë e parë në hyrje të fshatit, atje ku më la taksixhiu, në majë të një rruge rrëpirë shtruar me gurë të rrallë, si rrugë fshati jugor shqiptar. Pronari i kafenesë shërbente me të shoqen, ose më mirë, ajo shërbente, ai bënte sehir e llafosej me njerëzinë. Fshati ishte shumë i vogël dhe qendra e tij kish rreth 10 shtëpi përqark, tre prej të cilave kthyer në kafene-taverna. Atëherë ish mbledhur gjithë burrëria në kafene, dhe unë ndërpreva intervistat e strukturuara, sepse nuk ia dilja edhe të punoja edhe të mbaja njerëzit me muhabet. I qerasa të gjithë me pije dhe kafe. Dola pas një ore. Jashtë më priste Loula, që siç ma shpjegoi vetë e kishte emrin Lulje (lule). Më tha që kur të kthehesha herë tjetër, të shkoja tek taverna e saj. Nuk e harrova ftesën.

Kësaj radhe shkova direkt e tek Loula. Kafexhiu i kafenesë së parë doli nga bari i vet ku normalisht mblidheshin burrat, e më pa si shtrembët atje ku qeshë ulur. Loula që vuri re se iu ul një kliente në tavolinën nën pjergull shtruar me letra me kutiçka jeshile, erdhi me vrap. Nuk lëvizte ende njeri nëpër fshat, se s’kish mbaruar as vapa, as gjumi i drekës. Ishte ora rreth 5:30 pasdite. Sa kryqëzuam vështrimet, më njohu. Pak gjëra lëvizin e ndryshojnë në Zeriq. Më pas Loula do më fliste me shumë përzemërsi për një tjetër gjuhëtar që kish kaluar në Zeriq në vitet 1970 dhe kish folur gjerë e gjatë me Loulën. Mendova mos ishte Eric Hamp, për të cilin e di se i ka bredhur më këmbë këto zona herët, mes viteve ‘50 e ‘80. Hyri në shtëpi të merrte kartvizitën e tij: ishte Titos Johalas. Loula mban mend hollësisht takimet me të, dhe nga mënyra si e mban në dorë atë kartëvizitë, duket se ajo është ndër objektet me vlerë që ruan.

Pastaj më tha se ajo ishte 58 vitëra. U ankua se s’ka më kozm në Zeriq; se më para kej fëmiljë, nani rrinë në Horë, siç i thonë këtu Livadhiasë, qytetit më qendror për fshatin. I them se ndihem keq që po vdes e po harrohet gjuha e arvanitëve. Nuk harronet gluha e mëmës, thotë Loula. Bënjën se e harronjën, po nuk harronet. E pyes pse s’e përdorin gjuhën ata që e flasin mirë. Se Grekët na thonë arvanjit, na shanjën… ata në Livadhia. Na thonë palo arvanjites! Me vetëm kaq Loula i çon në djall gjithë teoritë e sociolinguistëve grekë që flasin për etnicitetin bosh të arvanitëve dhe për faktin që nuk ka pasur kurrë dallim etnik mes arvanitëve dhe grekëve, por veç gjuhësor. Kanë bindur veten, kanë bindur edhe arvanitët. Po jemi pak na që rrimë Zeriq, e rrimë veç verës. Diqind njerëza. Se shtie borë e madhe dimrit e rrijëm poshtë te Hora. Verës priremi meta këtu, vazhdon Loula. E pyes se sa prej dyqind vetëve në Zeriq flasin arvanitika. Më thotë, veç gjimsa. Por kur kaloj poshtë ballkoneve ku shoh familjarë e miq në grupe, i dëgjoj që pa përjashtim flasin greqisht. Na afrohet një burrë plak. Loula e përshëndet dhe ma prezanton Barba Janin. E ftoj të pijë një gotë raki. Barba Jani flet arvanjitika më mirë se Loula dhe përdor shumë më pak greqizma. Duket më i vjetër se më thotë se është. Më thotë se është 69 vjeç sikur të më thoshte se ishte 169. Gruaja e tij është arvanjite, nga Qiriakati, ku unë do shkoj të nesërmen. Ndërsa burri i Loulas është grek më shpjegon Loula. E shoh të shoqin që më përgatit sallatën nga dritarja e kuzhinës që është kuzhina familjare dhe gjithashtu ajo e tavernës. Barba Jani më tregon se gjermanojtë e dogjën di herë katundin.

Është interesant kjo puna e historisë me gjermanë në Greqi. Kjo që po kallëzoj ka ndodhur në 2014, kur ende Merkeli nuk perceptohej si armike e betuar e grekëve. Histori me gjermanë më kanë treguar edhe në 2011, vitin e parë kur vura këmbë në katundet arvanite. Por është njëlloj me jo-arvanitët. Ka një vlerë të jashtëzakonshme djegia e fshatrave dhe masakrat e gjermanëve për banorët e sotëm të Greqisë. Po pyete dikë për historinë e fshatit, është e para, dhe shpesh e vetmja gjë, që njerëzia përmend me vlerën e historisë. Besoj se është nga ata elementë që theksohen e përsëriten aq fort në tekste e media, sa fshijnë aftësinë e njerëzve për të parë tjetër histori në jetën e vet e të fshatit. I pyes për të tjera histori. Më thonë: ut janë më palonjët (pleqtë) që e ftonjën (dëftejnë) sa vjetëra është katundi. Nuk e kam kuptuar ende nëse ka ndonjë dallim funksional a gramatikor mes “ut” dhe “nuk”. Më duket se bashkëjetojnë edhe brenda të njëjtit folës në variacion të lirë. Loula thotë rregullisht “nuk”; Jani thotë më shpesh “ut”. Më bën përshtypje sa shumë fjalë shqip kanë mësuar arvanitët nga emigrantët shqiptarë. Por nuk janë aktive: rrallë i përdorin edhe në fjali kur flasin me mua, për akomodim. Por kryesisht i thonë në formë liste për t’u lëvduar që i dinë. Sado gjak të prishur të ketë mes nesh, gjuha e përbashkët i lidh njerëzit dhe ua ëmbëlson zemrën e i bën mirësisht kuriozë për tjetrin. Sa i erdhi radha Barba Jani më bëri pyetjen që kanë qejf të më bëjnë burrat në çdo fshat ku shkoj: A do marrësh para për këtë? I them të vërtetën se për punën shkencore jo veç s’më paguan kush, por paguaj unë çfarë mundem për shpenzimet.

Pas orës nëntë të darkës qendra gjallërohet. Gratë shëtisin për krahu me triko hedhur mbi supe. Janë të veshura njëlloj si gratë nëpër fshatrat e Siqilisë. Burrat parakalojnë në grupe më të çrregullta e më ngadalë. Në Livadhja në kohën e drekës temperatura ishte 41 gradë. Këtu majë malit tani në mbrëmje duhet të ketë zbritur së paku nja 20 gradë. Ha sallatën dhe një pjatë me japrak lakre që më ka përgatitur Loula. Fantastike, dhe gjithçka për 10 Euro. Ndiej ftohtë, por nuk dua të le grupin që më është mbledhur përqark. Ende jam me çantën me rroba pranë karriges sime. Valixhen e kam lënë në hotel në Livadhja. Nuk ka hotel në Zeriq, dhe unë s’di ku do shkoj të fle.  Pyes nëse ka një shtëpi që shërben si hotel kur ka vizitorë. Nuk vjen njero këtu, thotë Loula me theks mbi “e” tek “njero”. Kristos që ka ardhur se nesër ka festë dhe gjithë vëllezërit mblidhen tek shtëpia e vegjëlisë, më fton të shkoj tek shtëpia e mëmës së tij. Atje takoj Maria Apostoloun, një Arvanite 83 vjeçare, gjithë mend dhe hijeshi. Maria më thotë se njeh një tjetër shqiptare me emrin tim. Ajo e paskësh lënë të shoqin. E pyes, pse. Ajo e la se ai pij e nuk shërbej. Dhe e rronte ajo! Maria flet me revoltën e një gruaje solidare për adashen time që punonte dhe mbante të shoqin pijanec, deri sa një ditë e ndau. Maria ka gjuhë të bukur shumë por me shumë greqizma. E pyes për fshatin. Jeshë 12 vitra kur gjermanojtë e dogjnë katundin… ia nis Maria.

Në mëngjes duhet të shkoj në Kiriaki ose Qiriakat. Taksisti që më gjeti Kristoja e që do më çojë prej Zeriqit atje, është jo më shumë se 50 vjeç, por flet arvanitika të mirë fort. E kisha nisur ditën mbarë me kafen “greke” që më kish bërë Maria dhe bukën me mjaltë që hëngra me të bijtë dhe nuset e saj. Pastaj taksisti më kënaqi me muhabet. Më tha se ai ishtë më i riu njèri që rrinte në Zeriq; të tjerët ngjiteshin këtu veç për festa. Por atë e kish përzënë gruaja nga shtëpia, dhe s’kish ku shkonte, ndaj kish ardhur tek shtëpia e gjyshërve në Zeriq dhe rrinte aty edhe dimrit se ishte pa punë. Më tregon se e ëma kish nisur të fliste greqisht veç kur qe 24 vjeç. Këto lloj informacionesh kanë vlerë të paçmuar për mua, dhe dëshmojnë ndryshimet e jashtëzakonshme mes fshatrave të thella arvanite, dhe atyre afër qendrave të mëdha. Nga ana sociolinguistike duhen trajtuar sikur të flitej për dukuri krejt të ndryshme. Këto lloj historish më ndihmojnë të ndërtoj edhe llojin e komunitetit folës në këta xhepa të izoluar, arsyet e ekzistencës së një komuniteti, tipin e tij sociolinguistik dhe funksionet e gjuhës në të, për aq sa gjuha nuk është thjesht një rob i kyçur për gjithnjë në trurin e individit arvanjit e destinuar të vdesë me të.

Është 15 gusht 2014, me sa duket ditë e madhe feste këtyre anëve dhe unë arrij pas pak minutash në Kiriaki apo Qiriakat. I kërkoj taksistit muhabetçi të më lerë pranë një bari të madh e modern që shoh përpara, e që është ende fare bosh. Është shumë herët për të dalë në një ditë feste, dhe një vajzë spërkat me zorrë tokën ku janë tryezat e kafenesë. Më mbush hundët era e tokës së thatë të sapolagur që gjithnjë më bën të ndihem mirë.

(Vijon: Pjesa e dytë – Qiriakat)


[i] Fshatrat Zeriki dhe Kiriaki shqiptohen nga vendasit arvanitë në forma të palatalizuara si Zeriqi dhe Kiriaqi/Qiriaqi/Qiriakat. Këtu do përdor disa prej këtyre varianteve, sipas nevojave të tekstit dhe kontekstit.

[ii] Arvanitika është emri greqisht (përdorur edhe në anglisht) i shqipes së arvanitëve të Greqisë.

Të gjithë të drejtat i takojnë autorit. Ndalohet kopjimi dhe ribotimi pa lejen e një administratori të blogut apo autorit.

Nuk ka komente

  1. Me vetëm kaq Loula i çon në djall gjithë teoritë e sociolinguistëve grekë që flasin për etnicitetin bosh të arvanitëve dhe për faktin që nuk ka pasur kurrë dallim etnik mes arvanitëve dhe grekëve, por veç gjuhësor.

    Pak i guximshëm ky përfundim, apo jo?

    1. E drejte: por ne fakt nuk eshte vetem aq. Ka shume me shume arsye qe mbeshtesin kete qe them, sidomos ne te dhena e te thena te se shkuares. Por menyra se si Loula i ndau grupet qartesisht mbi baze etnike (ata-greket dhe ne-arvanitet) s’ka nevoje per shume ndihme.

    2. Po ta pyesesh Lulen cfare eshte, do shikosh qe teoria e siperpermendur do kthehet nga ferri me shpejtesi ferri.
      Kjo ishte per shaka.
      Une mezi po pres publikimin e materialeve qe me siguri keni mbledhur ne terren me kaq perkushtim.
      P.s.
      Ka nje kenge per vajzat zeriqote, qe jane te mira… por ce do qe s’kane lira…

  2. Nisur nga shkrimi, gjeta këtë dokumentar në youtube:

    Ndoshta ndihmon, për lexuesin, duke pajisur me pamje vendet që përmenden në këtë artikull, po edhe në tjetrin, nga e njëjta autore.

    1. o sokol, me qe te gjeta, te kam pare emrin ne nje botim te tetraungjillit ne greqisht ne nje librari dhe desh me ra te fiket. e di qe nuk e boton ti vepren, por pse eshte kaq i shtrenje, nja 280 euro?! sa nje rroge mesatare ne shqiperi!

      (na falni per kete koment jashte teme, perfshi edhe kete mes kllapave).

    2. Ai është çmimi që i ka vënë Adrioni, se ashtu i del hesapi, s’kam ç’i bëj. Unë jam bashkëautor, mallin e ka tjetërkush. E gjen më lirë, në mos gaboj, 14,000 ALL, tek libraria e Katedrales Ortodokse (në qendër).

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: