EFEKTI ÇEKIÇ

Gjatë një prezantimi libri ku më qëlloi të merrja pjesë ditët e fundit, më bëri përshtypje që autori shpenzoi një pjesë të madhe të fjalës së vet duke u shpjeguar të pranishmëve se për çfarë nuk ishte libri; thuase po i përgjigjej një barazhi pyetjesh nga lexues imagjinarë, që ia kishin keqkuptuar tezat.

Pastaj m’u kujtua edhe se, tek intervista ime dhënë Shekullit, në lidhje me librin Shqipja totalitare, edhe unë kisha bërë të njëjtën gjë, sa herë që rrekesha të shpjegoja se argumenti i librit tim nuk lidhej me këtë ose atë çështje, por me këtë ose atë tjetrën; dhe se studimi im nuk kishte për qëllim, nuk mëtonte, nuk rrekej, etj.

Çfarë presioni na detyron t’u përvishemi përpjekjeve të tilla pre-emptive? Cilit publik fantazmë i japim llogari, me cilët gjykatës përfshihemi në dialogje imagjinare?

Për kampionin e botës në shah, armenin Tigran Petrosian, kanë thënë se tregohej aq i kujdesshëm në lojë, sa shpesh u paraprinte edhe kurtheve të tilla, të cilat kundërshtarit as që i kishin shkuar nëpër mend, e që zbuloheshin vetëm në analizën e paslojës; për shembull, kur kundërshtarët i kërkonin arsyen e një lëvizjeje enigmatike, dhe Petrosiani u shpjegonte se e kishte bërë për t’u mbrojtur nga ky ose ai kërcënim; dhe në këtë pikë kundërshtari përnjimend habitej, sepse atë kërcënim nuk e kishte menduar kurrë.

Edhe në shah, parandalimi përtej një thellësie mendimi të caktuar shndërrohet në paranojë.

E gjithë kjo më kujtoi edhe një patologji të komunikimit që e kam gjetur te Watzlawick e që ky e quan “Historia e çekiçit”:

Një njeri dëshiron të varë një pikturë në mur. E ka gozhdën, por i mungon çekiçi. Meqë fqinji i tij ka çekiç, njeriu ynë vendos t’ia marrë fqinjit hua. Por në atë moment i lind një dyshim: “Po sikur fqinji të mos ma japë? Dje ai mezi ma ktheu përshëndetjen në shkallë. Ndoshta ishte me ngut atë ditë. Po ndoshta edhe vetëm hiqej sikur ishte me ngut, ngaqë nuk më duron dot. Po pse të mos më durojë dot? Unë gjithnjë jam sjellë mirë me të, prandaj nuk ka arsye. Sikur të vinte ai të më kërkonte ndonjë nga veglat e mia, unë do t’ia jepja menjëherë. Po ai ç’ka që s’ma jep atëherë çekiçin? Si mund të refuzosh një kërkesë kaq të vogël? Njerëz si ky ta helmojnë jetën. Ai ndoshta edhe mendon se unë ia kam nevojën thjesht për shkak të çekiçit. Ia tregoj unë qejfin.” Ashtu, njeriu ynë shkon t’i bjerë derës së apartamentit të fqinjit, dhe kur ky e hap derën, para se të hapë gojën për ta përshëndetur, yni i thotë: “Nuk kam nevojë për çekiçin tënd, hajvan!” [Watzlawick, Paul The Situation Is Hopeless but not Serious,” W.W. Norton & Co., 1993, ff. 39-40]

Keqkomunikimi që përshkruan Watzlawick ndeshet rëndom në jetën e përditshme; të gjithëve na ka qëlluar “ta fryjmë veten”, duke imagjinuar qëndrimin e tjetrit në një dialog imagjinar. Sa kohë që mbetemi në sferën e përfytyrimit, i gjithë ky mekanizëm na ndihmon për t’u orientuar në botë; por kur emocionet tona ndjekin situatën që kemi imagjinuar, edhe pse në realitet asgjë e tillë nuk ka ndodhur, mund të ndodhin gjëra të padëshiruara.

Në lëmin e ligjërimit publik, shumë autorë detyrohen t’i fortifikojnë pohimet e tyre, për t’u mbrojtur nga interpretime të mundshme, por të pasakta; ose të tilla që mund t’i krijojnë probleme. Zakonisht, shenja të fortifikimeve të tilla në tekstet nuk janë veçse shenja të autorit vetë, i cili brenda tekstit shpesh manifestohet si një tërësi udhëzimesh për interpretimin – për ta thënë me Umberto Eco-n e Lector in Fabula.

Meqë jetojmë në një epokë kur fjala e lirë është mbërthyer në shtrat nga gripi i korrektesës politike, atëherë gjithkush që kujdeset për reputacionin e vet, duket t’i mbrojë tekstet nga keqkuptimet, nëse dëshiron të ketë të ardhme si autor.

Një pjesë e mirë e këtyre keqkuptimeve, reale dhe të imagjinuara, kanë të bëjnë me dukurinë e njohur të kornizimit [framing], për të cilën kemi folur edhe në këtë blog. Ndonjëherë publiku është mësuar një çështje të caktuar, ta shtrojë gjithnjë në një mënyrë të caktuar; nëse autori kërkon të flasë për atë çështje, por nga një këndvështrim tjetër, duhet të marrë parasysh se kornizimi ekzistues do t’ia sabotojë përpjekjet me kokëfortësi të madhe.

Çfarë po dua të them e ilustron më së miri një barceletë e vjetër, për atë fshatarin që, pasi ia shpjeguan me hollësi si funksiononte mulliri me erë, pyeti në fund: “këtë e mora vesh, por uji nga i vjen?” [në këtë moment, një tjetër efekt kornizë po më bën të pyes veten se mos kjo barceletë, më sipër, do të fyejë ndonjë lexues që e identifikon veten para së gjithash si fshatar..]

Për shembull, publiku sot është mësuar që marrëdhëniet e shqipes publike me shtetin t’i gjejë të analizuara kryesisht në prizmin e marrëdhënieve të standardit të sotëm me gegërishten letrare. Ky lloj kornizimi i problemit është legjitim; unë vetë e kam bërë disa herë dhe gjerë e gjatë; dhe vetë shtrimi kësisoj i çështjes ka rezultuar prodhimtar për debatet. Megjithatë, e keqja me kornizime të tilla nuk ka të bëjë aq me vetë shtrimin, sesa me ekskluzivizmin.

Të kthehem tek prezantimi i atij librit që përmenda në fillim; autori u përfshi, që në krye, në një debat imagjinar; duke iu përgjigjur pyetjeve që mund t’ia kishin bërë – e pranoj se unë vetë ndoshta do të kisha vepruar njëlloj. Aq më tepër që kornizimi vepron në të dy drejtimet; jo vetëm publiku mësohet t’i interpretojë çështjet sipas pak skemash të kalcifikuara, por edhe autorët krijojnë në mendje një model për publikun, i cili nuk është e thënë t’i përgjigjet saktë realitetit.

E reja, në këtë mes, nëse mund të quhet kështu, ka të bëjë me koagulimin, gjithnjë e më flagrant, të një lloj publiku të vrazhdë dhe të cekët, i cili gumëzhin si grenxa në forumet në Internet; dhe që fiton besim në vetvete sa më shumë që gjen hapësirë dhe krijon personazhet e veta, simulakre të një autoriteti nga poshtë. Autorët e ndryshëm, dhe këtu fut edhe veten, po kushtëzohen tashmë nga kjo masë agresive lexuesish; duke u detyruar t’i kalkulojnë thëniet dhe pohimet në mënyrë të tillë, që t’i mbrojnë nga sulmet dhe keq-interpretimet që mund t’u bëhen në “terren”. Kjo lloj paranoje, nga të dy krahët, ka marrë tashmë trajtat e një sëmundjeje serioze të komunikimit publik.

Nuk ka komente

  1. “Autorët e ndryshëm, dhe këtu fut edhe veten, po kushtëzohen tashmë nga kjo masë agresive lexuesish; duke u detyruar t’i kalkulojnë thëniet dhe pohimet në mënyrë të tillë, që t’i mbrojnë nga sulmet dhe keq-interpretimet që mund t’u bëhen në “terren”. Kjo lloj paranoje, nga të dy krahët, ka marrë tashmë trajtat e një sëmundjeje serioze të komunikimit publik”.

    Nje pyetje qe mendoj se mund ta kene edhe te tjere.
    Sa perfaqesohet shqetesimi i shprehur ne paragrafin e mesiperm ne ecurine normale te komunikimit te ketij blogu ?

    Mendoj se kam te drejten e nje pergjigjeje edhe pse askush nuk ka detyrimin per ta dhene.

    Falemnderit.

  2. Kjo historia e cekicit me kujtoi historine e pompes.

    Kornizimi funksionon dhe e gjen kuptimin tek koncepti i tradites. Ashtu si tek tradita duhen argumente shume te forte edhe tek kornizimi, nuk te le kush te kalosh i palagur.

    Mendoj se ka lidhje me investimet emotive, qe cdokush ben mbi dicka te caktuar. Qe te besosh dicka duhet te kesh bere nje tot investim emotiv.
    Duke qene se te gjithe mbi c’mendojne te vertete, bejne edhe investime emotive, atehere tu thuash dicka qe del apo u duket se u del kunder fillimisht duhet te perballesh me ngrehinen emotive qe mbron ate qe quajne te vertete.

    Njeriu eshte i prirur kah dhunes per ate qe beson te vertete, nderkaq nese mbron dicka qe e beson si genjeshter, eshte akull, se mbi genjeshtren askush sben investime emotive, pervecse nese fillon edhe vete ta besoje per te vertete.

    Keshtu qe nese duhet thene dicka qe i bie ndesh domethenies se zakonshme eshte mire te perdoret nje gjuhe e veshtire, meqe gjuha e veshtire e perjashton pjesen me pak te afte te clirohet nga ngrehina emotive, dhe qe eshte njekohesisht edhe pjesa qe bie lehtesisht pre e keqkuptimit.

  3. Unë mendoj se publiku i vrazhdë dhe i cekët ka egzistuar gjithnjë. Të re mund të konsideroj prezantimet e librave.

    Autorët që ndjehen të kushtëzuar nga reagimi i mases akoma nuk e kanë fituar pavarësinë nga “ç’mendojnë të tjerët”.

  4. Në shkrimin më lart, shprehja ndër të tjera edhe shqetësimin se mos autorët dhe masa e lexuesve-komentues online mbeten rob i një shahu imagjinar, duke ia parashikuar lëvizjet “kundërshtarit” reciprokisht, ose duke u përfshirë në një lojë kornizimi paranoide.

    Theollogos, me këtë rast, pyet:

    Sa perfaqesohet shqetesimi i shprehur ne paragrafin e mesiperm ne ecurine normale te komunikimit te ketij blogu?

    Si autor dhe moderator i këtij blogu, unë besoj se problemi këtu është kapërcyer nëpërmjet institucionit elementar të moderimit.

    Në shkrim përmendja reagimin e komentuesve te “Shekulli” ndaj intervistës që dhashë për librin e ri, si një shembull flagrant të kornizimit – pa folur pastaj për sulmet ad hominem, etj.

    Forumet e komenteve te “Shekulli” unë i kam ndjekur prej kohësh; dhe kam parë evoluimin e tyre, nga irrelevanca drejt vlerave negative. Në këtë moment, ato forume janë kthyer në vatra të kultivimit të një dukurie të cilën, gjetiu, e kam quajtur fashizëm nga poshtë.

    Pse ka ndodhur kjo aty? Ka ndodhur, besoj unë, për shkak të mungesës së moderimit me dorë të fortë në ato forume; meqë ndokush ka kujtuar se ky lloj moderimi është cenim i lirisë së fjalës së komentuesit.

    Pa moderim, prirjet rastësore janë kthyer në karakteristika thelbësore; dhe një stil i caktuar folklorik, i përdhosjes të autorëve dhe përpjekjeve të tyre për të sjellë të reja në mendim dhe në problematikë, ka pasur kohë të kristalizohet dhe të kthehet në normë.

    Unë kam shkruar shpesh në “Shekulli”; por kam shkruar për kënaqësinë time; që nga momenti kur artikujt e mi vihen pranë e pranë me gjithfarë lëtyrash anonime, në kuptimin që artikulli mund të ndiqet menjëherë nga komenti: “filloi prapë ky megafon antishqiptar”, atëherë mua thjesht më ikën dëshira për t’i vizituar ata konakë.

    Kush më ka ndjekur, e kupton se nuk jam nga ata që shqetësohen shumë për efektin në popull të temave dhe të problemeve që cekin në shkrimet e tyre; përkundrazi, jam i bindur se një shkrim i mirë duhet gjithnjë të trazojë ujëra dhe të shqetësojë atë takëm lexuesish që bartin problemin. Me fjalë të tjera, një shkrim imi që nuk pritet me kritika dhe zhbirime, nuk e ka arritur qëllimin.

    Po të bëjë njeri kërkim në Google me emrin tim, do të gjejë konfirmim të menjëhershëm të çfarë po them.

    Por çështja këtu nuk jam unë si autor dhe si person; por kushtëzimi i ndërsjelltë midis lexuesve-komentues të pamoderuar dhe autorëve të cilët duan të komunikojnë me lexuesin.

    Në komentet që u bënë rreth kësaj teme te PPU, u kujtua gabimisht se mos unë e kisha fjalën për atë forum pikërisht. Me PPU unë kam pasur gjithnjë probleme; dhe kujtoj se ai forum vetëm do të përfitonte nga një moderim më i fortë. Ka disa personazhe aty, të përftuara nëpërmjet përsëritjes këmbëngulëse, të cilët nuk do t’i kisha dashur t’i kisha as në lagje; sikurse ka njerëz të tjerë me të cilët do ta kisha pasur nder të ulesha në tavolinë. E keqja me atmosferën që krijohet ndonjëherë atje, ka të bëjë me atë që shumë prej komentuesve, duke përfshirë edhe ata që unë i vlerësoj dhe i njoh, nuk marrin mundimin të pastrojnë oborrin e tyre nga plehu, as t’u tregojnë vendin trollëve dhe t’i dëbojnë fëmijët qyrravecë nga dhomat e muhabetit. Kjo shenjë, për mua, tregon se forumi nuk mund të shpëtohet më; sepse më të mirët atje nuk kanë më fuqi, as dëshirë t’i kundërvihen llumit, provokatorëve dhe kokëtrashëve të rastit.

    Tani, për t’u kthyer te marrëdhëniet autor-lexues, unë gjithnjë shpresoj se autori duhet ta krijojë vetë lexuesin e vet, nëpërmjet çfarë shkruan; dhe lexuesi mund ta ndihmojë autorin, duke ia plotësuar dhe pasuruar mendimin, nëse i jepet hapësirë në komentet. Kush ka vizituar faqet e komenteve në gazeta të mëdha, si The New York Times dhe The Guardian, do ta kuptojë se për çfarë e kam fjalën. Mirëpo faqe të tilla e ruajnë cilësinë kryesisht nëpërmjet moderimit të pamëshirshëm; ose filtrave.

    Moderimi vetë është i rëndësishëm jo vetëm sepse mënjanon disa komente të cilat fyejnë autorin ose sjellin frymë vulgare dhe trashamane në diskutim; por kryesisht sepse krijon një atmosferë të tillë, ku komente të tilla vetvetiu nuk dërgohen më. Është tipike për komentuesit agresivë ad personam, që të kërkojnë mbështetjen dhe shoqërinë e njëri-tjetrit; ose të derdhin plehra dhe bëzhdile në një hapësirë publike ku të tjerë i kanë derdhur plehrat e tyre më parë. Trollët e forumeve e dinë mirë se ku mund t’i ekspozojnë gjenitalet dhe ku jo. Kësisoj, moderimi i fortë dhe konsekuent i parandalon problemet.

    Po sjell vetëm një shembull: komenti i fundit që është fshirë në këtë blog (PTF) si i papërshtatshëm, i përket datës 23 janar 2010. Që atëherë nuk është fshirë më asnjë koment, as nga unë as nga ndonjë koleg moderator tjetër.

    Përndryshe, unë kam shoqëruar përjashta blogut vetëm dy-tre vetë, gjatë vjetëve të fundit; njerëz që, për mendimin tim, e kanë kaluar masën me pretendimet e tyre, ndërhyrjet pa vend, provokimet, ose budallallëqet. Nuk kam ndonjë problem të madh me ta, thjesht nuk i kam dashur nëpër këmbë. Nga kjo jam i bindur se blogu ka përfituar; unë vetë kam përfituar shumë.

    Natyrisht, kjo s’ka të bëjë fare me ndonjë dëshirë timen për t’i shmangur kritikat publike të çfarë shkruaj, siç mund të kujtojë ndokush. Faqet e komenteve te PTF janë të mbushura me kritika, ndonjëherë haptazi denigruese, ndaj shkrimeve, ideve dhe pozicioneve të mia dhe autorëve të tjerë ; por këto janë kritika legjitime, të cilat e kanë vendin aty, përbri shkrimit, sa kohë që ky blog ekziston për t’ia dhënë një hapësirë jo vetëm mendimit, por edhe debatit dhe dialogut. Prandaj kurrë ndonjëherë nuk kam menduar se kundërvënia ndaj një shkrimi kryesor mund të përbëjë arsye për ta fshirë ose moderuar një koment.

    Drit shkruan:

    Autorët që ndjehen të kushtëzuar nga reagimi i mases akoma nuk e kanë fituar pavarësinë nga “ç’mendojnë të tjerët”.

    Kjo nuk më duket e saktë; edhe pse mund të jetë e vërtetë për një autor sonetesh, ose veprash me natyrë metafizike. Por, kur një autor kërkon të ngrejë një problem të mprehtë me natyrë publike, atëherë ai është drejtpërdrejt i interesuar për dialog me të tjerë njerëz të cilët kanë mendimet e tyre për çështjen; prandaj nuk është mirë kur ky dialog pengohet nga zhurma në sallë, kakofonia, pëllitjet e lopëve të ndryshme, fanfarat e atyre që krekosen, xixëllimat e dekoratave patriotike dhe kutërbimi i kufomave të lyera me të kuq buzësh. Po të isha paranojak në masën e duhur, atëherë do të kujtoja se një nga efektet kryesore (në mos qëllimet) e kësaj rrokopuje është mënjanimi i fokusit ndaj çfarë po trajtohet në shkrimin kryesor.

    Në përgjithësi, çështjes që ngre unë në shkrim nuk mund t’i përgjigjemi në mënyrë moralizuese; ose duke arsyetuar për marrëdhëniet e autorëve me lexuesin në përgjithësi. Përkundrazi, këtu po flasim për një element të tretë, që futet midis autorit dhe lexuesit, duke komentuar ditë e natë, zakonisht në mënyrë negative, për çështjet; dhe ky element ndikon negativisht edhe lexuesit, edhe autorët. Një autor i mirë, besoj unë, gjithnjë është i interesuar të dijë se ç’mendojnë lexuesit për tekstet e tij.

    Në diskutimin përkatës te PPU, u përmend edhe përvoja ime si moderator i Alb-Clubit; është e vërtetë se unë e kam moderuar atë forum për shumë vjet – madje për një kohë edhe incognito. Nuk e fsheh që e kam moderuar me po aq siguri sa ç’moderoj tani edhe PTF; me të vetmin ndryshim se, atëbotë, kisha opsionin t’ua shpjegoja njerëzve se pse po ua hidhja mesazhin në kosh të mbeturinave. Shumë njerëz tani e kujtojnë Alb-Club me respekt dhe nuk ka dyshim se cilësia e atij forumi garantohej nga kontributet e anëtarëve, që ishin shpesh të admirueshme; por një rol në këtë mes ka luajtur, besoj dhe shpresoj, edhe filozofia ime e moderimit, ose mospërfillja që kam treguar ndaj trollëve. Jam i bindur se shumica e anëtarëve të asaj liste as që e kanë ndier se forumi i tyre po moderohej.

    Këtë gjë PPU, për arsye të ndryshme, nuk ka arritur ta bëjë; por PPU nuk krahasohet dot me Alb-Clubin, sepse PPU, me përjashtim të faqeve letrare, nuk shquhet për prurje origjinale; madje komentimi kritik ndaj çfarë publikohet në shtyp përfaqëson tashmë shenjën e parë të identitetit të forumit. Meqë forumi nuk mund të mbahet e të riprodhohet vetëm duke qëlluar me kobure shishet e birrës në backyard, atëherë ndodh dukuria tjetër, që komentuesit e humbin shpesh vëmendjen për temat dhe merren me njëri-tjetrin, duke kaluar kohën gëzueshëm, në shoqëri alegro të personazheve fiktive që kanë krijuar. Kjo shoqëri është gjë e mirë në vetvete, por nuk sjell ndonjë kontribut intelektual, as pretendon të sjellë; dhe gjithnjë rrezikon ta shndërrojë forumin në një klub me anëtarësim të mbyllur.

    Por është e drejta e atyre të dëfrehen siç u dëshiron e bardha zemër; dhe askush nuk ka ndonjë detyrim, intelektual ose moral, për të prodhuar ose krijuar diçka me vlerë, veçanërisht në Internet. Sot PPU nuk është më aq forum mendjesh sesa forum personazhesh zbavitëse, disa prej të cilave e kanë kthyer shterpësinë e tyre në plumb për armikun imagjinar. Si mënyrë për kurimin e paranojës, kjo nuk ka të sharë.

    1. Xhaxha, ju ftoj që të mos merreni seriozisht me forumet në të cilat, temat më të komentuara janë: “Ç’këngë po dëgjon tani”, “Cili është filmi i fundit”, apo… “përshëndet parafolësin”… janë shenjat evidente që ato forume po shkojnë drejt shkretëtirës/thatësirës (me pak fjalë… pa ujë )

  5. Ti e ke krijuar lexuesin tend Xha Xha, pa merak. Te pakten ketu ne kete vendin tone ku ka me shume dashamiresi sesa duket. Falemnderit per pergjigjen gjithesesi.

  6. “Por, kur një autor kërkon të ngrejë një problem të mprehtë me natyrë publike, atëherë ai është drejtpërdrejt i interesuar për dialog me të tjerë njerëz të cilët kanë mendimet e tyre për çështjen; prandaj nuk është mirë kur ky dialog pengohet nga zhurma në sallë, ….”

    Për mendimin tim njerëzit me mendim ndryshe dhe zhurma në sallë janë ajo çka quhet publik dhe kategorizimi i tij në dy grupe është iluzion fatal për ligjëruesin. Sa i kultivuar është njëri apo tjetri ka pak rëndësi, dhe se kush ka të “drejtë” e kush jo është një pyetje që nuk mund të shtrohet. Gjithçka (për mendimin tim modest) reduktohet në; kush po ndryshon kë, publiku ligjëruesin apo anasjelltas. Prej ku; pavarësia nga ç’mendojnë të tjerët.

    Më kujtohen komentet e një kryeministri shqiptar që kur krahasoi veten me kolegët e tij tha: As gjë më tepër se unë nuk kanë, veç se u ka qëlluar një popull më i mirë.

  7. ”’Përkundrazi, këtu po flasim për një element të tretë, që futet midis autorit dhe lexuesit, duke komentuar ditë e natë, zakonisht në mënyrë negative, për çështjet; dhe ky element ndikon negativisht edhe lexuesit, edhe autorët.””

    Shpresoj te mos jem edhe une element i trete, meqe zakonisht nderhyj ne menyre negative.

    Permasa virtuale prodhon nje ‘ashtesi’ abstrakte, nje hapesire qe smund ta quash dot realitet, meqe realitetit nenkupton realen dhe njekohesisht sistemin.
    Kjo hapesire nuk formon dot sistem, sepse sistemi nenkupton ligjesi.
    Sa me shume perpiqemi me ane te ligjesive te reales, ta kthejme ne sistem, aq me shume bindemi per pamundesine.

    Kuptohet qe behet fjale per sistemin e hapur.

    E megjithate perkohesisht mjedise te ndryshme arrijne njefare gjendje sistemi, por sapo mendon se tani gjerat hecin vete ashtu si ne nje sistem, ndodh dicka qe e demton, pikerisht cka i jep jete sistemit (personazhet), largohet per shkak te nenbrerjes, ndodh riqarkullimi ne vend te zgjerimit.
    Pra nuk arrihet nje ADN, e cila pastaj te evoloje, duke lejuar keshtu jeten e pavarur te ligjesise . Keshtu keto ligje s’jane imanente, ka vetem disa ligje transhendente te huazuara nga realiteti, te cilat mund te arrijne te krijojne nje presistem, por jo nje sistem.

    Hapesirat ku personazhet perpiqen te krijojne nje sistem te mbyllur, zhduken, pasi personazhet edhe ne kete rast i nenshtrohen ligjit te nenbrerjes.

    Prandaj per nje hapesire virtuale mund te themi vetem qe eshte.
    Dinamika eshte e atille saqe vetasgjesimi si pasoje e nenbrerjes, mund te vonohet vetem nga personazhet qe i perkushtohen abstraksionit , pasi kjo hapesire ne thelb, permbajtje e forme, eshte abstrakte e jo reale.

    Nderveprimi i kesaj ashtesie me realitetin, me gjesoren, priret te jete perplases, pasi personazhet ndiejne epersi ndaj te prekshmeve, krijohet njefare perplasje si tek super-heronjte, njeriu-merimange i cili quhet i tille kur ka masken eshte superior ndaj Piter Parkerit.
    Njerezve u pelqen kaq shume personazhi ‘heroik’ abstrakt qe krijojne, saqe identifikohen me te (kjo vihet re me mire tek lojerat ku krijohen personazhe, ose stafet e forumeve).

    Tani autoret jane reale dhe prurjet e tyre ne internet me shume sesa me njerez reale, duhet te perballen me personazhe alla super-hero, qe mund te thone e ‘te bejne’ ctu doje qejfi ne ate hapesire.

    Ne kete pike duhet pranuar se kjo ashtesi nuk duhet marre per baze ne konceptimin e realitetit, sepse personazhet nuk mundesojne perberesit e nevojshem shqisore per nenthurjen e reales, realiteti del teper ‘heroik’.

    Keshtu xha xha, edhe ti duhet ta prishesh me pak gjakun sidomos me PPU-ne e Shekullin.
    Nga ana tjeter duhet pranuar se nuk ka me shpresa qe realiteti te nenthuret me prurje shqisore te verteta. Me shume se me pare kerkohet nderhyrja kritike e arsyes ndaj informacionit. Ndoshta rritet inteligjenca si pasoje e renies se vertetesise se prurjeve shqisore.

    1. Hyllin, kur flas për interferenca të dëmshme kam parasysh komente të tilla si ky më poshtë:

      Une nuk i kam per qejf shkrimet e XXX. Eshte ciniku me i madh ne letrat shqiptare. Bile hera-heres ne veprimtarine e tij shkruese ka elemente antishqiptare. Nuk e kuptoj prej nga burojne gjithe lauriellet per te. Ai eshte nje emigrant i zakonshem ne Amerike qe s’ka arritur te depertoje askund ne institucionet amerikane te shkences dhe edukimit- shkon ne Tirane dhe shet qyshkek.

      Vëreni kapardisjen patriotike, etiketimin, argumentin ad hominem, pozicionimin populist, argumentin ad personam, gënjeshtrën (‘s’ka arritur te depertoje askund ne institucionet amerikane te shkences dhe edukimit‘), zellin biografik dhe maninë për t’u shprehur nga lart poshtë (nje emigrant i zakonshem).

      Komente si ky jo vetëm konsiderohen normale por edhe japin tonin në forumet për të cilat flas – edhe pse normale nuk janë. Këtë herë qëlloi që më referohej mua; por nesër do t’i vijë radha kujtdo tjetër… sepse e tillë është sëmundja.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin