SHKOLLAT E PARTIVE (II)

nga Epiriot

Përpara disa javësh më zuri veshi një propozim qeveritar, artikuluar prej kryeministrit Berisha, për hapjen e një shkolle të Lartë të Administratës Publike.

Sigurisht që ky propozim përbën një lajm qenësor, kryesisht sepse ideja duket të jetë frymëzuar nga ekperieca të suksesshme jo-shqiptare.

Ideja duket se frymëzohet direkt nga shembulli francez i ENA-s, Ecole Nationale d’Administration, deri në formulimin e emërtimit që propozohet për këtë institucion.

Institucioni i ENA-s nuk është partiak, por shtetëror. Republika e Francës e konsideron të udhës se shteti duhet të marrë në dorë formimin e gjithë kuadrove të lartë, të cilët më pas shpërndahen politikisht nëpër partitë kryesore të spektrit politik francez, sipas prirjeve dhe interesave të secilit.

Me sa duket, edhe dëshira e shtetit shqiptar, shprehur nëpërmjet artikulimit të kryeministrit, është ndërtimi i një institucioni qendror të ngjashëm, i cili do të formojë kuadrot e lartë të ardhshëm që do të drejtojnë shtetin shqiptar pavarësisht prirjeve të tyre politike.

Me sa duket, prirjet politike të kuadrove që do të formohen në këtë institucion shtetëror, gjithë sikurse në rastin e kuadrove të larta të shtetit francez, do të konsideroren të një rëndësie krejtësisht dytësore për sa i përket interesave të shtetit.

Në pamje të parë, ky lajm ngre shpresat qyetare filimisht për cilësinë e kuadrove që do të përgatisë kjo shkollë për të drejtuar fatet e Shqipërisë dhe shqiptarëve – duke hamendësuar se niveli akademik nuk do të jetë po aq qesharak sa kusuri i institucioneve të edukimit në vend.

Në vazhdim, ky lajm duket se lë vend për të shpresuar në përmirësimin e klimës politike sipas logjikës se, kuadrot e dalë prej këtij institucioni, si pasojë e njohjes së njëri-tjetrit në rafshin personal dhe profesional, por edhe të përftimit të etikës së posaçme që lipset prezente në këto nivele, do të mund të kontribuojnë cilësisht në zbehjen e konflikteve politike në vend.

Në një vëzhgim më të vëmendëshëm, shteti shqiptar duket se po i rikthehet pikërisht përvojës së akumuluar të formimit qendërsues së kuadrove të lartë të shtetit dhe partisë gjatë vitete të diktaturës proletaro-fshatare, formim i cili sigurohej pjesërisht prej Shkollës së Lartë të Partisë.

Them pjesërisht sepse nuk me figuron se, kuadrot e lartë të partisë dhe shtetit shqiptar që u formuan në këtë institucion, përbënin posaçërisht shumicën e kuadrove që popullonin vendet më kyçe të administratës së lartë qendrore dhe lokale, shtetërore dhe partiake.

Ndryshe nga shembulli disi më akademik i Eduard Selamit, ruaj përshtypjen se një pjesë e mirë kuadrove të dalë nga kjo shkollë, ishin kripto-analfabetë të tipit Lenka Çuko dhe Themie Thomai & co., për të cilët nevojitej një lustër urgjente e natyrës akademiko-ideologjike.

Nuk dëshiroj të shpërgul posaçërisht vëmendjen prej aftësive formatuese të Shkollës së Partisë dhe kuadrove të lartë që formoi ky institucion sidomos në fillimet e tij, por dëshiroj të risjell në vëmendje se ky institucion nuk ish domosdoshmërihst i vetmi dhe më cilësori që e kryente këtë funksion.

Institucioni më qenësor në formatimin e kuadrove të lartë të partisë dhe shtetit shqiptar diktatorial figuron të ishte Istituti i Studimeve Marksiste-Leniniste, pranë KQ të PPSH, nën drejtimin e shoqes Nexhmije.

Ky institucion, i cili kish vokacionin të përpunonte jo vetëm politikat sociale dhe ekonomike në vend, i thithte kuadrot e tij kryesisht prej universiteve civile dhe më shpesh prej fakulteteve të ekonomisë politike, shkencave politike dhe filologjisë – programi i të cilave ishte domosdoshmërisht më i pasur me pikëpamjet e ideologjisë së pushtetit se sa, fjala bie, ai fakulteteve të mjekësisë apo inxhinierisë.

Për nga vetë natyra e zhvillimit të ngjarjeve politike në vend pas shpalljes së pluralizmit politik, u duk se pikërisht ky institucion u deftye platforma kryesore e përgatitjes së kuadrove të lartë që morën në dorë fatet e tranzicionit politiko-ekonomik të vendit.

Kujtoj se figura të tilla si ajo e Fatos Nanos, kryeatar i Partisë së Punës dhe i asaj Socialiste, po ashtu kryeministër gjatë tranzicionit, së bashku me pjesën më qenësore të ekipit të tij qeveritar asokohe, janë pikërisht produkte të këtij Instituti.

Ndër figurat themeluese të Partisë Demokratike po ashtu, figurojnë njerëz si Gramoz Pashko dhe Besnik Mustafaj – përkatësisht bashkëpunëtor dhe i punësuar në këtë institut formatues.

Fakti që tranzicioni ekonomik dhe politik i vendit është shenjuar fort me emrat e Fatos Nanos dhe Gramoz Pashkos – përkatësisht kryeministër dhe zëvendes kryeministër në qeveritë e tranzicionit – po aq sa edhe atë të Sali Berishës – formuar ideologjikisht në forumet e parashikuar për kuadro të sferës shkencore jo sociale – dëshmon për vlerën e pazëvendësueshme të këtij instituti në formimin e kuadrove të lartë të shtetit dhe Partisë së Punës.

Pikërisht kjo arsye mundëson idenë se vendimi i qeverisë për të ndërtuar një institucion për formimin e kuadrove të lartë të shtetit, jo vetëm nuk është origjinal, por reflekton katërcipërisht edhe shkollën e mendimit dhe formimit të ish-kuadrove të lartë të diktaturës proletaro-fshatare që e prodhuan dhe po e mbajnë gjallë tranzicionin shqiptar.

Është krejtësisht e qartë se, kastës së vjetër të kuadrove të përgatitur në forumet formatuese të partisë dhe shtetit diktatorial po i afrohet pensioni.

Në këto kushte, janë të detyruar, ashtu sikurse eprorët e tyre të dikurshëm, shokët Nexhmije, Ramiz, Vito & co., që t’u dorëzojnë pushtetin politik një brezi të ri, i cili i ka të gjitha gjasat të shfaqet gjenealogjikisht dhe ideologjikisht po aq kompakt sa ai i djeshmi dhe ai i sotmi.

Ndërkaq, është po as e ngjashme që lufta për pushtet brenda brezit të ardhshëm kompakt, të jetë gjithsesi po aq e ashpër sa edhe ajo e brezit të parë dhe të dytë.

Kjo sigurisht jo për arsye ideologjike sepse qoftë brezi i parë, e qoftë i dyti shfaqen krejtëisht uniformë në planin ideologjik – i pari, krejtësisht marksist i tipit stalinist; i dyti, egërsisht neo-liberist, pavarësisht ngjyrës së siglës partiake.

Por duket krejtësisht e mundur se, sikurse brezi i parë dhe i dytë, formuar bashkërisht në strukturat e kohëve përkatëse, edhe brezi i tretë, pavarësisht uniformitetit ideologjik dhe gjenealogjik, luftën për pushtet do ta zhvillojë të ashpër kryesisht sajë stilit së trashëguar të asgjesimit pa kushte të kundërshtarit.

Shqetësimi për mungesën e strukturave formatuese partiake për kuadrot e lartë të secilës parti, pjesërisht mund të shpjegohet me mungesën totale të ndryshimit në programin ideologjik të secilës prej tyre.

Në vazhdim, ndoshta, një pjesë tjetër të përgjigjes për këtë shqetësim e formulon edhe vizioni i klasës politike shqiptare, artikuluar nga qeveria Berisha, që e sheh dhe e projekton klasën politike shqiptare në vazhdimësi kompakte. Ndaj edhe formimin e saj e propozon kompakt, duke përsëritur kështu një model të nënkuptuar suksesi.

Shënim: Ky shkrim ishte dërguar nga autori si koment, por m’u duk se duhej nxjerrë më vete [2Xh]

Nuk ka komente

  1. Pavaresisht se ideja e Berishes per nje shkolle te administrates publike, mund te jete frymezuar nga shkolla e njohur franceze e administrates publike, kjo nuk eshte e mjaftueshme per ta cilesuar te deshtuar qe ende pa lindur. Ne fund te fundit edhe partite politike, nepermjet ketyre kuadrove do te kene mundesi te vendosin ne komanden e administrates publike njerez qe do te kete edhe njohurite e duhura plus besimin politik te partise se tyre, ndekohe qe aktualisht kane vetem kete te dyten.

    Nuk eshte fjala vetem per kryet e shtetit. Le te marrim rastin e prefekteve. Roli i tyre eshte i jashtezakonshem, por nderkohe qe kudo ne bote (pervecse ne Shqiperi) ata veç nje shkolle profesionale, kane edhe formimin si administratore publike, atehere kuptohet se sa perfiton funksioni shteteror, jo vetem ne kohe krizash, por edhe ne zgjidhjen e problemeve te perditeshme.

    Ekzistenca e ketyre kuadrove,ne fund te fundit, do te kete anen tjeter pozitive qe do ti vere partite ne pozicion te papelqyeshem nese vazhdojne te shperndajne poste te rendesishem administrative si shperblim per militantet e paformuar ne fushen ku emrohen.

    Dhe si perfundim do te shpresojme se si ministra te jashtem apo diplomate nuk do te kemi me punonjes te insitutit te marksizem leninizmit, por kuadro te nje shkolle te depolitizuar.
    Sqaroj se nuk me ngjall ne vetvete neveri fakti qe vendi i origjines sime perfaqsohej ne Paris nga nje punonjes i Insitutit te markzizmit, por se duke qene i tille ai , edhe gjashte muaj para se te rrexohej regjimi, shkruante duke imituar Majakovskin: Kur themi Partia themi Enveri, kur themi Enveri themi partia…
    vetem gjashte muaj para, theksoj!

  2. Mendoj se janë dy çështje formimi që duhen trajtuar veçmas. Nga një anë është shkolla që përgatit administrues të çështjeve publike, nga ana tjetër formimi në adresë të drejtuesve partiakë. Në qoftë se i pari është prerogativë e shtetit, i dyti është detyrë e partive. Janë dy lloj formimesh, mendoj, që nuk duhen mbivendosur, as mund ta përjashtojnë njëri tjetrin. Tek e fundit, edhe politikanët e administrojnë publiken, por kanë përgatitje kryesisht politike e më pak administrative. Një nëpunës i mirë i shtetit, që ka mbaruar me dhjeta shkollën e lartë të administratës publike, mund ta dijë fare mirë si nyjëtohet bilanci i një institucioni, por nuk i takon që të vendosë shpërndarjen e fondeve. Këtë e vendos politikani sipas programit të partisë së tij, duke ia kushtuar fondet zhvillimit rural dhe jo, ta zëmë, lyerjes së fasadave të fshatit.

    1. Si mund te pretendohet per formim partiak kur, sic e shpjegon edhe Epiroti me siper, krijimi i mundesive per nje formimi te tille do te nxirrte ne shesh faktin qe 2 partite politike kryesore nuk kane kurrfare ndryshimi thelbesor mes tyre?

  3. Që të mundësojmë mirëkuptim me referencat e parashtruara, ndoshta duhet bërë një parantezë e shkurtër për të qartësuar mënyrën se si funksionon ENA.

    Fillimisht duhet kuptuar se ENA, sikurse dikur Instituti i Studimeve Marksisite-Leniniste, formon kuadro ndërkaq të specializuar dhe formuar më parë në shkenca ekonomike, politike apo sociale, jurispudencë, shkenca ekzakte e më gjërë.

    Pas një procesi seleksionimi nëpërmjet konkursit të hyrjes, por jo vetëm, ENA inkuadron për një periudhë dy-tre vjeçare, kuadro të pëgatitur ndërkaq paraprakisht në zëra të ndryshëm, cilët ruajnë ambiencjen për të drejtuar fatet e shtetit francez kryesisht prej administratës së lartë shtetërore, por edhe prej asaj të lartë ekonomike shpesh publiko-private.

    Me pak fjalë, shteti francez merr përsipër të formojë, nëpërmjet këtij institucioni qendërsues elitar, gjithë elitën e ardhshme politike, ekonomike dhe sociale të republikës, duke vendosur kështu theksin mbi prioritetin absolut të mirëadministrimit të interesit shtetëror në përputhje me traditën dhe vizionet afatgjata të shtetit francez.

    Procesi i zgjedhjes së kahut politik prej laureatëve të këtij institucioni, i cili zakonisht vjen në një kohë të dytë sipas afiliacioneve, sensibiliteteve, interesave apo pikëpamkeve të secilit, është krejtësisht dytësor.

    Roli i këtij intitucioni, i cili jo gjithmonë pranohet në unanimitet prej të interesuarve, është shfaqur vendimtar për dekada të gjata, pikërisht sepse formatues i gjithë elitës politike, ekonomike dhe sociale franceze, ndër të cilët edhe presidentët Valéry Giscard d’Estaing dhe Jacques Chirac.

    Gjithë sikundër kryeministrat e numërt të dalë nga kjo shkollë, si Jacques Chirac, Édouard Balladur, Alain Juppé dhe Dominique de Villepin, përkatësisht të spektrit politik të djathtë, apo ata të spektrit të majtë si, Laurent Fabius, Michel Rocard dhe Lionel Jospin.

    Kësaj liste të shkurtër i shtohen një mori ministrash, funksionarësh të lartë, ambasadorësh dhe personalitetesh të tjera të jetës politike, sociale dhe ekonomike, ndër të cilët rradhiten edhe pjesa dërrmuese e presidentëve ekzekutivë të ndërmarrjeve publiko-private edhe private, si për shembull presidenti i EADS, Louis Gallois, ai i Lafarge, Bruno Lafont, apo ai i Le Nouvel Observateur, Denis Olivennes.

    Pa harruar edhe laureatët më të njohur në nivel ndërkombëtar, përkatësisht Pascal Lamy, drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Tregtisë dhe Jean-Claude Trichet, gouvernatori i Bankës Qendrore të Evropës.

    Sikurse u shpreha më lart, jo gjithmonë roli këtij institucioni formatues elitash shtetarësh është pranuar pa rezerva qoftë edhe brenda spektrit politik francez.

    Në fakt, gjithë lufta politike që u zhvillua në Francë për përcaktimin e kandidatit për president gjatë dy viteve të fundit të presidencës së Chirac-ut – brenda spektrit të djathtë – u përqendrua midis vizionit të enarkut de Villepin dhe jo enarkut Sarkozy. Po ashtu edhe beteja elektorale kombëtare e vitit 2007, e cila u zhvillua midis vizionit të enarkes së majtë Ségolène Royal dhe jo enarkut Sarkozy.

    Në fakt, në një masë të konsiderueshme, ndryshimi radikal në politikat e marrëdhënies së shtetit francez me SHBA, në rolin e Francës në NATO dhe në politikat e egra neo-liberiste në ekonomi, i detyrohen pikërisht zgjedhjes së një presidenti populist si Sarkozy, për të cilin prioritetet, politikat dhe vizionet strategjike afatgjata të shtetit francez konsideroheshin si mite që duheshin tejkaluar dhe reformuar.

    Për t’u kthyer tek realiteti shqiptar, ndoshta do të ishte e rëndësishme të qartësonim fillimisht padijen e publikut për sa i përket vizionit të shtetit shqiptar për shkollën e lartë administratës, të cilën projekton të themelojë.

    Për momentin pra, mbetemi krejtësisht të painformuar për sa i përket vizionit në lidhje me formën, përmbajtjen dhe qëllimin të këtij institucioni, i cili në pamje dhe emërtim, duket i frymëzuar kryesisht nga ENA dhe tradita e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste.

    Megjithatë, mbetet krejtësisht e mundur që ky institucion t’i përngjajë traditës së Shkollës së Partisë dhe të ketë për vokacion formimin e përshpejtuar të elementëve të punësuar politikisht në administratën publike dhe qendrore, të cilëve haptas u mungon niveli i mjaftueshëm arsimor për postet që mbajnë.

    Qëndrimi im për sa i takon kësaj iniciative shtetërore, e cilësdo natyre apo forme qoftë ajo, mbetet krejtësisht i ftohtë.

    Qëllimi im parësor është të evidentoj se, i cilësdo natyre apo forme do të paraqitet ky institucion formatues, gjasat janë që ai do të pasqyrojë elmenetët e traditës së diktaturës në formimin e kuadrove; qoftë asaj më të shëmtuar dhe qesharake të Shkollës së Partisë, e qoftë asaj disi më pak të tillë të Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste.

    Qëllimi im i dytë është të tërheq vëmendjen ndaj faktit se, ndryshe nga eksperienca e ENA-s që ka për qëllim të përgatisë dhe formatojë kuadro me ndërgjegje të lartë për interesin shtetëror, shteti shqiptar nëpërmjet këtij institucioni dhe në përputhje me traditën politike 65 vjeçare, ka për qëllim kryesor perpetuimin kompakt, gjenealogjik dhe ideologjik, të vetvetes.

    Nuk ka asgjë të keqe të dëshirosh të perpetuosh tradita dhe modele të sukseshme administrimi shtetëror. Franca e larpërmendur, por jo vetëm ajo, shërbejnë si shembuj jo detyrimisht të ligë të kësaj tradite.

    Në rastin shqiptar, çështja shtrohet nëse e konsiderojmë apo jo të sukseshëm modelin dhe traditën e administrimit të shtetit shqiptar prej 65 vitesh nga klasa kompakte politike që dëshiron të përpetuohet.

  4. Pishak,

    Ekzistojnë disa arsye objektive të cilat shtyjnë të besojmë se partitë politike në vend nuk kanë asnjë mundësi praktike të dëshirojnë sinqerisht përsosjen e formimit të kuadrove të tyre partiakë.

    Arsyeja kryesore është se të dyja partitë politike, ndajnë në fakt të njëjtin program ideologjik për sa i përket politikave neo-liberiste ekonomike, të cilat kushtëzojnë detyrimisht edhe vizionin për politikat sociale.

    Pikërisht për këto arsye, edhe eskperimentet e tipit Instituti Qemal Stafa apo KOPI, u reduktuan në grupime të cilat në rastin më të mirë i shërbyen si tampolinë një grushti individësh për t’iu bashkuar korpusit partiak, dhe në rastin më pak të mirë, në një etiketë pa përmbajtje.

    Arsyeja tjetër duhet medoemos të ketë të bëjë me faktin se këto programe neo-liberiste, partite politike i marrin të gatshme nga struktura jo-shqiptare dhe sigurisht që e shohin më të asryeshme që edhe kuadrot e tyre t’i zgjedhin ose të formuar jashtë vendit dhe të qartë paraprakisht për sa i përket ideologjisë së programit, ose krejtësisht indiferëntë ndaj tyre në luftën drejt pushtetit.

    Në këtë kontekst, formimi politik i kuadrove të secilës parti prej strukturash te qarta, në rastin shqiptar mbetet një eufemizëm dhe publiku është fare i qartë për faktin se lufta politike nuk zhvillohet as në planin ideologjik e as në planin e programit politik.

    Por edhe vetë klasa politike shqiptare nuk bën asnjë përpjekje t’a deformojë realitetin dhe e pranon pa drojë faktin që midis tyre nuk ka kurrfarë ndryshimi ideologjik apo programor.

    Iniciativat për t’iu futur aventurave të përsosjes politike të kuadrove janë jo vetëm objektivisht të papërballueshme prej strukturave partiake, por edhe të panevojshme për sa kohë ndryshimet midis tyre vetëm ideologjike dhe programore nuk janë.

  5. Ndoshta vjen një ditë që ndonjë studiues i zellshëm të na japi pak panoramën e viteve të para post-komuniste. Edhe pse kemi pak informacione, nga vendi dhe tani nga jashtë vendi se si përpunohen elitat shtetërore, ata që ruajnë interesat e vendit dhe që kanë një sens për fatet e botës në përgjithësi, do të ishte i rëndësishëm të na tregohej si u zgjodhën politikanët dhe pse në atë mënyrë. Jo se nuk e dimë se një doktor, muzikant, poet mediokër, inxhinier pijanec që s’dinte mirë se ku ndodhej kantjeri, e shumë raste të tilla, por një rënditje emrash do ishte e nevojshme.

    Të bësh politikë me një formim mediokër, t’i shërbesh vendit me një ndërgjegjje të shpuar, t’i premtosh votuesve rrugë e ujë e ndriçim e bukë e zhvillim, dhe pastaj t’i lësh në mes të rrugës, kjo nuk është gjë tjetër vetëm mos përgatitje, pamundësi për të bërë politikë.

    Në Shqipëri politikën e bëjnë burrat që qëllojnë me pistoleta mu në mes të Parlamentit. Ka burra që trembin edhe atë “burrneshë” të zgjedhur nuk e di se pse. Ka burra që shajnë sikur dy pijaneca në një qebabtore tek stacioni i trenit në Vorë. Ka burra që i jepet premtimi për të marrë një mandat vetëm se është i fortë, i guimshëm të thyejë nofulla, apo pse ka shërbyer dikur tek BRISKU. Ka burra që dhjamosen nga drekat e darkat dhe kur marrin ndonjë libër i hapet goja nga tretja e yndyrës dhe miellrave në stomak. Ka burra që s’dinë as edhe një gjuhë të huaj. Këto burra nuk kanë nevojë për shkolla adminisratash të larta apo të mesme qofshin ato; Ata nuk e pranojnë mungesën e bixhozit, trashjes, miqësive, shkëmbimeve tregtare, e shumë avantazhe që i jep pushteti. Nuk ka burra (të paktën nga ato që na serviren nga gazetat, mediat virtuale, thashethemet aty këtu) që t’i jepen shtetit me mish e me thonj sepse jetojmë në Ballkan. Prandaj, shteti më mirë t’i kursejë ato lekë e të mirmbajë Universitetet që i ka në rregull si struktura, edhe pse elementët e mirë po shmangen dita ditës.

  6. Nuk e di c’behet me propozimin e Berishes hedhur para nje viti, por sot lexova deklaraten e Rames per themelimin e nje Akademie Politike te PS-se. Me duket hap shume i rendesishem per t’i kushtuar vetem ato pak rreshta sic behet ne artikullin e Shekullit. Ndoshta ende jane ne hapat e pare te ideimit ose kaq mjaftonte per kete prag festash.

  7. Ashtu është, një hap shumë i rëndësishëm, por kurrsesi i guximshëm siç e quajti Kryebashkiaku. I rëndësishëm për gazetarët, sepse tani do e kenë më të lehtë të kuptojnë cilat janë kandidaturat, preferencat dhe emërimet e pritshme, që përpara se të ndodhin. Kjo është ndoshta e vetmja cilësi që përligj emrin Akademi Politike (Personeli) në këtë nismë. E guximshme nuk ka sesi të jetë, sepse nuk e kuptoj se ndaj kujt duhet guximi në këtë rast. Kryebashkiaku foli për të majtën moderne dhe kritikoi se e djathta jonë nuk është liberale. Vet flet e vet dëgjon; PS me vendimin e marrë në mbledhjen e parafundit të Asamblesë është jo më parti e majtë, por liberale. Bashkimi i Spartak Ngjelës me punistët siç i quante ai para ca kohësh socialistët anembanë është edhe në këtë rast i vetmi hap i hedhur për të respektuar ndryshimin e propozuar nga i spostuari Ditmir Bushati. (socialist nga Bushatllinjtë!!! – Leka Zogut edhe i shkon se mbreti mendon për të gjithë). Shkolla është një gjë serioze, është një projekt themeltar dhe jo një aplikim i suksesshëm që edhe njeherë na ndihmon që ta përdorim çertifikatën si grim para bazës sonë të ndjeshme.
    PS: Nesër, d.m.th në gazetat e datës 28 nëntor, me siguri do jetë kokë faqeje te GSH dhe Shekulli, jo aq me Akademinë, por me kritikat e forta të Kryetarit që po kërkon bashkëqeverisjen tani.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin