Rreth lirisë së fjalës

Ironia e fatit është se ngjarjet e dhjetorit 1990 që çuan në përmbysjen e diktaturës në Shqipëri dukej sikur u frymëzuan nga një dëshirë legjitime për njohjen e së drejtës së lirisë së fjalës bashkë me të tjera të drejta qytetare; por mjafton t’i hidhet një sy Shqipërisë së fillimit të këtij shekulli të XXI për të konstatuar se ata që praktikisht përfituan më shumë nga përmbysja e fundvitit 1990 tanimë nuk kanë asgjë për të thënë, prandaj edhe nuk dinë ç’të bëjnë me të drejtën për të cilën u luftua atëherë dhëmb për dhëmb me censorët e regjimit, kur gjirizi totalitar po denoncohej më shumë me artikuj gojëshkathëtish plot fjalë e mendime të mençura sesa me manifestime rrënjëshkulurish në pjacat qytetëse; madje edhe ata që luftuan e vunë kokën në rrezik për ta fituar këtë të drejtë, sot nuk duket të kenë më arsye as motiv për ta përdorur; sepse e drejta e fjalës presupozon njëfarë fermenti intelektual; një proces të menduari të ndërlikuar dhe me konflikte; por edhe një shpresë se intelektit gjithnjë i takon të luajë një rol vendimtar në përcaktimin e fateve të vendit; në një kohë që shtresa që iu kacavar pushtetit në Tiranë dhe që nuk besoj se do ta lëshojë ndonjëherë, u ngjit aty (edhe) për të hequr dorë, një herë e mirë, nga jeta mendore. Me fjalë të tjera, lëvizja e dhjetorit nisi si një lëvizje thellësisht intelektuale, por sot – më se një dekadë më vonë – rezultatet mund t’i maten fare mirë me metrat katrorë të vilave të ndërtuara.

Në të vërtetë, në fund të viteve tetëdhjetë Shqipëria i kishte edhe kushtet e nevojshme edhe të mjaftueshmet për të qenë (për t’u bërë) shoqëri e lirë, mendjehapur, e begatë etj. Ajo që vajtoj unë nuk ishte gjendja e atëhershme, por e tanishmja. Diçka e trishtueshme ndodhi me idealet e dhjetorit, aq sa nuk mund të besohet që pushtetarët e sotëm vërtet janë vazhdues të pandërprerë të rebelëve të atëhershëm. Për ta thënë edhe një herë: atmosfera e fundit të viteve tetëdhjetë në Shqipëri më duket se ishte shumë më e pasur me fermente sesa e sotmja. E atëhershmja e meritonte plotësisht të drejtën e fjalës, e tanishmja nuk po e përdor si duhet. Kujtoj edhe se studentët e dhjetorit, të cilët po i lakojmë pak si shumë, nuk u ngritën për të djegur flamuj e për të tjera gjepura si këto; por parashtruan kërkesa shumë më të pjekura. Sepse kërkesën për “liri fjale” e bënë intelektualët, jo vetëm në Shqipëri por kudo në Evropën lindore; dhe këta nuk besoj se e kishin fjalën te domatet e kalbura ose te çakmakët për të djegur banderolat e këndit të kuq; as e vunë kokën në rrezik për të qëlluar me zarzavate Rita Markon; intelektualët e kërkuan lirinë e fjalës sepse kishin shumë gjëra për të thënë (dhe i thanë). Mirëpo ajo që shohim sot është se po këta intelektualë shpesh janë integruar në strukturat dhe në institucionet shtetërore ose gjithsesi e kanë braktisur shoqërinë civile, prandaj nuk u ka mbetur gjë për të thënë; është qesharake që, bie fjala, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, të shkruajë sot një artikull për vizionin e arteve figurative në Shqipëri; edhe pse ndoshta mbetet personi më i përshtatshëm për ta bërë këtë. Gjithsesi, dhe për të mos dalë nga tema – cilësia e lirisë së fjalës në Shqipërinë e vitit 2002 më duket më e ulët sesa në Shqipërinë e vitit 1990. Sa për mollët, prasët, angjinaret, trangujt, fiqtë, hurmat lluqe dhe specat si mjete shprehëse – këto besoj se nuk kanë munguar kurrë vitet e fundit, as ka pse të mungojnë: rroftë “privati”, që i sjell nga Maqedonia.

[2002]

 

5 Komente

  1. Liria e fjales, ne thelb eshte liria e ankimit. Sa here qe thuhet se mungon liria e fjales, gjithmone fshihet liria e ankimit.

    Njerezit vdesin te ankohen njecik; skam leke, spo argetohem,spo ja dal dot fundit te muajit,spo me rritet rroga, skam uje 24 ore, skam drita 48 ore, skam shampo , skam floke, kam shume rrudha, me bezdisi ai/ajo, spo me le te marr fryme, me je bere si deri mac, me je ngjitur si rrodhe, ja pagova pijet 2 here, ca paske qene, me ngordhi macja, jam dobesuar shume,jam i stresuar, jam i lodhur etj etj deri ne infinit.

    Njeriu po nuk u ankua minimumi nja 10 here ne dite, nuk ja del te flere gjume e ne mengjes ankohet se ska fjetur gjume apo mezi e zuri gjumi.

    Kjo mani per tu ankuar, ndizet sapo politikisht nje pushtet fillon te dobesohet, kur ka kriza ekonomike e sociale.
    Persa kohe qe nje pushtet tregon force e ofron zhvillim ekonomik asnjerit nuk i plas edhe aq shume per tu ankuar, per gjera qe kane lidhje me pushtetin.
    Zakonisht ne keto raste ankohen disa, se nuk po u botohet libri, nuk i respektohet mendimi etj.

    Ne pergjithesi liria e fjales, dmth liria e ankimit pretendohet nga ata qe jane kunder nje pushteti.

    Komunistet e dinin fare mire se ankimi i takon atij qe ka dicka kundra sistemit, prandaj edhe te prisnin koken, por meqe shumices nuk i plaste edhe aq se ekonomia ecte keto zera ankes dilnin bllof. Sapo ekonomia mori te tatepjeten filluan ne fillim heshturazi , mbyturazi derisa dolen hapur.

    Praktikisht liria e fjales apo e ankimit eshte mates i konsensusit qe gezon nje pushtet.
    Nje pushtet i forte, i stabilizuar, qe ofron zhvillim e ka konsensus nuk pyet dhe te ankohesh duke vene kujen, ndersa nje pushtet qe bazohet tek futja e frikes kundershtarit politik apo edhe atij te ziut qe ska te haje, detyrimisht te shkaterron sapo konsensusi yt vijohet nga nje ‘por’.

    Liria e fjales, kur nuk ke cfare te thuash, pushon se qeni nje e drejte,sepse e drejta qe te ekzistoje duhet te kete nje fushe per te rregulluar.

    Personalisht nuk jam per liri te fjales ne kuptimin, ‘ c’ha barku nxjerr bardhaku’ , por per nje liri te fjales qe nuk kercenon strukturen qe garanton mbijetesen e shoqerise.psh censuren ndaj papagajve pro-greke apo pro-serbe e shoh si te domosdoshme dmth jo detyrimisht censura eshte e keqe.

  2. Hyllin shkruan:

    Liria e fjales, ne thelb eshte liria e ankimit. Sa here qe thuhet se mungon liria e fjales, gjithmone fshihet liria e ankimit.

    Hyllin, ankimi kryesor i të gjithë atyre që e vuajnë mungesën e lirisë së fjalës është se mungon liria e fjalës.

  3. Kendveshtrim eshte edhe ky xha xha. Mendoj se liria e fjales eshte nje e drejte qe nuk ekziston paraprakisht,ashtu si cdo e drejte,ashtu si gjithe e drejta.
    Kjo e drejte kerkohet me ngulm ne momentet e krizes vetjake apo asaj te pergjithshme per te shprehur pakenaqesine.

    Nuk di te kete ndonjehere ndonje ndalim te ofrosh konsensusin tend, perkundrazi nxitesh per ta bere.
    Prandaj liria e fjales reduktohet ne lirine e ankimit. Normalisht ta thuash ne kete menyre i heq rrobat firmato qe i kane hedhur siper dhe e nxjerr lakuriq,por mua psh me pelqen edhe lakuriq, meqe ankimin e shoh si levizes te masave dhe vete historise. Ankimi eshte nje prej te drejtave qe fitoi njeriu ku hengri mollen ne Eden.
    Vetem ne parajse ndalohet (apo nuk njihet ) ankimi e vetiu liria e fjales.

    Konkretisht persa i perket artikullit tend, asnje nga ata qe ishin ne 1990 ne shesh e ka sot postin e larte apo te ulet, nuk ka pse ankohet e ska ci duhet e drejta e fjales ne kuptimin morboz qe kjo liri perceptohej ne 1990.

    Liria e fjales duke u perdorur ne menyre slloganeske si e drejte universale dhe e pamohueshme e njeriut, vishet me nje petk qe ne fakt nuk ka ci duhet se e drejta e ankimit eshte e drejte natyrore qe u fitua (bashke me te drejta te tjera) sapo njeriu hengri mollen.

    Mendoj se disa te drejta universale si e drejta e fjales apo e drejta e njeriut per te kerkuar lumturine, kthehen ne bumerang per shoqerine.

    Psh e drejta e njeriut per te kerkuar lumturine, ngaqe lumturia nuk dihet se cfare eshte kthehet ne nje te drejte per te kerkuar ‘asgjene’ apo ‘te pakuptimten’. Atehere meqe eshte boterisht e pranuar se lumturia gjendet nepermjet kenaqesise, njeriu kerkon kenaqesine dhe e quan e drejta e tij e pamohueshme.
    Keshtu, 2 homoseksuale kerkojne te martohen sepse kerkojne kenaqesine e mendojne edhe lumturine nepermjet marteses. Hajde merru me ta. Eshte e drejta e tyre te kerkojne lumturine. Pastaj duan te adoptojne femije sepse duan te gjejne lumturine.
    Nderkaq ai tjetri ben orgji, nderron gruan ne ‘lokalet prive’ me nje tjeter etj,sepse aty gjen kenaqesine e kerkon lumturine. Tjetri nuk ben femije sepse mendon se femija do e privoje nga kenaqesia e mbase lumturia. Ai matane e gjen kenaqesine tek mbledhja e lekeve e keshtu me radhe.

    Praktikisht te gjitha ato qe deri dje cilesoheshin vese, sot jane te mbrojtura nga e drejta universale dhe e pamohueshme e njeriut per te kerkuar lumturine.
    Ja ku eshte efekti bumerang per shoqerine e cila ne kete menyre, mbushet me njerez teper ambicioze,egoiste,perverse,cinike, menefregiste etj

    Te gjithe keta jane te mbrojtur nga te drejtat universale te njeriut e keshtu ambicioziteti i shfrenuar, egoizmi,perversiteti,cinizmi, menefregizmi etj, kthehen ne sjellje normale te shoqerise.

    Po njesoj shprehja se liria jote mbaron ku fillon liria e tjetrit, le kaq shume vend per keqkuptime, saqe humbet edhe vleren fillestare orientuese e kthehet ne nje shprehje boshe.

    Ka disa te drejta, ku hyn edhe liria e fjales, qe duhen thirrur per nderhyrje ne menyren dhe kohen e duhur e duke qene se keqinterpretohen gjithsesi lehte, behen ngadale burim keqkuptimesh e humbasin vleren reale.

  4. Shkrim shume i mire. Nuk e kisha lexuar.

    “Mirëpo ajo që shohim sot është se po këta intelektualë shpesh janë integruar në strukturat dhe në institucionet shtetërore ose gjithsesi e kanë braktisur shoqërinë civile, prandaj nuk u ka mbetur gjë për të thënë; është qesharake që, bie fjala, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, të shkruajë sot një artikull për vizionin e arteve figurative në Shqipëri; edhe pse ndoshta mbetet personi më i përshtatshëm për ta bërë këtë…”.

    Me qesharake dhe vajtuese njeherazi eshte ndoshta se ata jane te integruar se bashku me ish – anetaret e Organizatave Baze.

  5. Shkrim shume i mire. Por une mendoj dhe kam pershtypjen se ajo qe e gjithe shqiperia dhe shqiptaret gezojne nuk mund te quhet liri e fjales pasi mungesa e mendimeve dhe e argumenteve per te dhene kushtezon edhe mospranine e nje “fjale”, qe pastaj nuk lejon edhe “lirine e fjales”. Prandaj edhe progresi i shqiperise eshte ndalur dhe ka mbetur ne nje faze te quajtur ” tranzicion” qe veshtire te dale prej saj

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin