PAS SHPATULLAVE TË UDHËHEQËSIT (III)

nga Endrit Marku


Edi Rama

Flamuri kombëtar dhe një fotografi, të vetme, qëndrojnë në të dy krahët e kryeministrit të Shqipërisë gjatë fjalës së tij të 28 marsit (Fig. 24). Skena duket si rastësore, a thua se ka shkuar në zyrë, ka kyçur dyert, ka mbyllur perden dhe ka ndezur dritën, është ulur në tavolinën e punës dhe ashtu i vetëm ka hapur kamerën  e kompjuterit ose celularin e tij. Këtë ndjesi e përforcojnë dhe elementë të tjerë krahas sfondit të varfër, bluza casual nën xhaketë dhe objektivi i kamerës që qëndron poshtë portretit të folësit, siç e mbajmë shumë prej nesh ndërsa flasim online. Atmosfera e kësaj hapësire dhe e momentit të fjalimit duket e zhveshur nga teatraliteti, në pamje të parë më autentike se skenat e kancelares gjermane, presidentit amerikan e serb. Ata u flisnin shikuesve të tyre përmes mjediseve dhe skenarëve të mirënjohur e të simuluar sa e sa herë. Donald Trump zgjodhi zyrën vezake, skenë e përdorur dhe nga paraardhësit e tij, ndërsa Aleksandar Vučić foli nga një skenë tipike konferencash për shtyp. Mënyrat e përcjelljes së mesazhit Coronavirus, mes dy presidentëve dhe drejtuesit shqiptar dallojnë po aq sa dallon Festivali i Këngës nga Big Brother apo filmi The Patriot nga The Blair Witch Project. Baudrillard do ta përkufizonte skenën e zyrës kryeministrore të Tiranës si hiperreale, më reale se vetë realiteti, e cila mbart me vete edhe një efekt anësor jo të parëndësishëm, shembjen e realitetit (Baudrillard, 1994).

Figura 24. Kryeministri i Shqipërisë gjatë fjalimit të 28 marsit, Rezistencë për Ekzistencë (Burimi: Edi Rama Facebook).

Qerthulli komunikues­­­

Fjalimi i 28 marsit, i titulluar rezistencë për ekzistencë, është relativisht i vonuar, më shumë se dy javë nga shfaqja e rasteve të para me Coronavirus, por kjo nuk është hera e parë që kryeministri u drejtohet shqiptarëve drejtpërdrejt dhe personalisht për këtë temë. Ai e ka bërë këtë sa e sa herë, më shpesh se të gjithë udhëheqësit e tjerë të trajtuar në këtë shkrim.

Kështu në datat 9 e 10 mars, që përkojnë me rastet e para të epidemisë, ai do të fliste nga salla e mbledhjeve qeveritare, më pas nga zyra e tij dhe më tej e në vazhdim nga hapësira e zhveshur nga orenditë, e përzgjedhura e komunikimeve të krizës dhe e fjalimit të rëndësishëm të fundmarsit. Sikur të mos mjaftonte, kryeministri ka qenë aktiv edhe gjatë fundjavave nga hapësira e banesës së tij, disa herë, përpara muresh të zhveshura betoni dhe bibliotekës të tejmbushur me libra. Për më tepër mesazhet e tij të shpeshta e të dendura janë inflacionuar edhe më tej nga mbiprodhimi i informacionit i diktuar nga situata e jashtëzakonshme.

Mënyrat e përcjelljes së mesazhit në ditët e pandemisë nuk janë të reja për udhëheqësin shqiptar. Prej vitesh mediumi i parapëlqyer i tij është Facebook-u. Shpeshherë e sidomos gjatë ngjarjeve jo të zakonshme ai është gjithmonë aty, duke komunikuar me ndjekësit e tij në kohë reale. Ai shpërndan mesazhin dhe ata i përgjigjen po aq shpejt, e përgëzojnë ose e kritikojnë. Sidomos ata më kritikët shpesh marrin përgjigje të drejtpërdrejtë nga vetë kryeministri, duke ndërtuar menjëherë të ashtuquajturin “qarkullim mes dy poleve” (Baudrillard, 1994), mes dërguesit dhe marrësit. Kjo mbivendosje krijon lëmshnaja të paqarta informacioni ku dy polet, kryeministri dhe qytetari, kapërcejnë muret e realiteteve përkatëse. Në këtë rast shkëmbimi i ndërsjellë mbizotërohet nga ai që ka më shumë ndjekës dhe ka narrativën më të fortë. Efekti tjetër anësor, i këtyre situatave është humbja e rëndësisë së vetë mesazhit. Bashkëveprimi bëhet qëllim në vetvete, mesazhi humb kuptimin ndërsa realiteti i tij nis të shembet.

Në prag të fjalimit të 28 marsit, kryeministri mesa duket e ka kuptuar që është bërë viktimë e modelit qarkullues të informacionit të përdorur nga ai vetë. Mesazhet e tij të njëpasnjëshme të ditëve të para nën epidemi kanë humbur mes shkretëtirës së reales dhe ekstazës së komunikimit (Baudrillard, 1983), mes mbiprodhimit dhe reagimeve. Kështu, mesa duket, ai ka vendosur të ndalojë, për të lënë më në fund një shenjë në zinxhirin e ngjarjeve përmes të cilave do të ndërtohet historia e Coronavirus-it. Këtë shenjë ai përpiqet ta vulosë përmes shprehjes hijerëndë: “Rezistencë për ekzistencë” (Rama, 2020).

Një origjinë e rezistencës për ekzistencë

Një zanafillë për këtë togfjalësh, mjaftueshmërisht i rëndësishëm sa për ta kthyer në titullin e fjalimit më të rëndësishëm të pandemisë në Shqipëri, mund ta gjejmë në një prej pjesëve më të trazuara të botës, në territoret në konflikt të përhershëm, dikur mes Perëndimit e Lindjes, ndërsa sot mes Izraelit dhe palestinezëve. Konkretisht tek ideologjia e njohur si sumud e që në gjuhën arabe do të thotë “i patundur” (Rijke & Teeffelen, 2014). Ajo u përhap në vitet ‘60 e ‘70 mes palestinezëve që jetonin në kampet e refugjatëve në Liban. Fillimisht nisi si reagim dhe u kthye gradualisht në mënyrë jetese.

Asokohe mes popullsisë së kampeve u rrit Organizata për çlirimin e Palestinës (OÇP), përkrahëse e luftës së armatosur kundër Izraelit. Irredentizmi i tyre do t’i kthente vendbanimet palestineze, kampet e tyre, në shënjestra sulmesh të dhunshme nga brenda Libanit, Siria e natyrisht nga Izraeli (CrisisGroup, 2009). Kështu natyrshëm tiparet fillestare të sumud-it lidheshin me mbrojtjen e familjes dhe komunitetit, pra me urgjencën ekzistenciale (Rijke & Teeffelen, 2014) e të rezistuarit për të ekzistuar.

Figura 25. Murale e realizuar mbi murin ndarës mes Izraelit dhe Palestinës. (Burimi: Creative Commons)

Koncepti origjinal, me kohë u përhap përtej kampeve jashtë vendit, nëpër të gjitha territoret e banuara nga populli palestinez dhe hap pas hapi u shndërrua në tipar kulturor kombëtar të një kombi në përpjekje për të ndërtuar shtetin. Sot ai e ka tejkaluar aspektin origjinal të betejës së armatosur dhe mbijetesës, duke u pasuruar me aspekte njerëzore, kulturore të lidhura me përditshmërinë e jetës. E djeshmja dhe e sotmja e idesë perifrazohen në një murale të njohur mbi murin kufitar të ngritur së fundi nga Izraeli në të cilën shkruhet: “to exist is to resist” (fig. 25), pra vetë ideologjia dikur e formësuar si mur në mbrojtje të komunitetit sot i lufton ato.  Një përkufizim të plotë të kulturës së sotme të sumud-it na e jep citimi i mëposhtëm:

Nuk vlen të mbjellësh një pemë dhe të thuash: “Ky është sumud”. Por duhet ta ushqesh pemën, ta krasisësh, t’i vjelësh frutat, duhet të krijosh një atmosferë më të shëndetshme për të gjithë … Sumud është art i të jetuarit… dhe i ndërtimit të marrëdhënieve mes njerëzve” [1] (Rijke & Teeffelen, 2014)

Duke iu kthyer kontekstit shqiptar, dhe huazimit të këtij koncepti, mund të themi se së paku një mesazh i është ngulitur të gjithëve gjatë javëve të rrëmujës informative: “kjo është luftë!” (Rama, 2020). Këtë drejtuesi shqiptar e ka përsëritur edhe më parë ndërsa në fjalimin e 28 marsit e thotë plot katërmbëdhjetë herë. Këtë e bën jo vetëm me fjalë por dhe me sfondet e tij. Tek sfondi i realitetit të tij fizik, siç do të shohim më poshtë, ai do ta shprehë më hollë të përzier dhe me mesazhe të tjera ndërsa në sfondin e realitetit të tij kryesor digjital, në atë të Facebook-ut, e thotë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Tek kopertina e përzgjedhur (profile cover) pas fotos së profilit (profile picture) qëndron imazhi i një mjedisi të përgjakur nëpër të cilin lundrojnë trupa Coronavirus-i, shoqëruar me fjalët: “larg nga bombat!” (Fig. 26).

Figura 26. Kopertina (Profile Cover) e profilit Facebook të kryeministrit shqiptar gjatë muajit të parë të pandemisë. (Burimi; Edi Rama Facebook)

Fjala e kryeministrit shqiptar, në Shqipërinë e pandemisë dhe distancimit social, në një kohë kur marrëdhëniet duhen kufizuar sa më shumë, ngrihet mbi shtratin më arkaik të konceptit rezistencë për ekzistencë, atë të mbrojtjes, mbijetesës dhe ngritjes së mureve përballë armikut:

“Pse nuk doni ta kuptoni se kjo është luftë me kuptimin më të plotë të fjalës, madje një luftë e pashoqe, sepse është e para luftë në historinë e njerëzimit ku njerëzimi nuk e sulmon dot armikun, por vetëm duhet të mbrohet prej tij?! (Rama, 2020)

Hapësira qëllimisht e pamenduar

Përpara se të diskutojmë më tej mbi mesazhin e fjalimit të lidhur me hapësirën le të qëndrojmë dhe pak tek një element që na tërhoqi vëmendjen menjëherë, tek varfëria e pazakontë e hapësirës së përzgjedhur për fjalimet e pandemisë. Të jetë kjo vërtet një zgjedhje rastësore?

Hapësirat e komunikimit të Edi Ramës në të shkuarën kanë qenë gjithmonë të pasura dhe deklamuese. Të tilla kanë qenë fotografia 180-gradëshe e Tiranës së vjetër në zyrën e tij në bashki (Fig. 27/a), muri i kuq në zyrën e partisë socialiste (Fig. 27/b) apo fotot e vjetra murale tek salla VIP e aeroportit të Tiranës ku u luajt akti i parë dhe i fundit i vizitës historike të papa Françeskut në Shqipëri (Fig. 27/c). Madje edhe kur vendoste pllakën e parë të bulevardit të ri, nën qiellin e hapur dhe gjatë një dite të acartë janari, pas tij qëndronin të vendosura me kujdes dy fadroma, madhështore por kokulura (Fig. 27/d). E megjithëse shembujt e shkuar mund të duken të mjaftueshëm për t’i dhënë përgjigje pyetjes së ngritur, le të reflektojmë dhe pak mbi rastësinë ose jo rastësinë e sfondit të 28 marsit. Mbase kriza Coronavirus është kaq serioze sa vërtet, këtë herë kryeministri nuk ka dashur të merret me gjëra në dukje sipërfaqësore si dekori i skenës së radhës.

Figura 27. Disa nga sfondet e Edi Ramës në vite; a: Sfondi me kartolinën e vjetër të Tiranës printuar në muret e brendshme të zyrës në bashki (Burimi: Constantine Callaghan) ; b: Sfondi i kuq në zyrën e tij në selinë e Partisë Socialiste, gjatë një fotoje së bashku me përgjegjësin e tij për komunikimet publike (Burimi: Shqiptarja.com); c: Në sallën VIP të aeroportit Nënë Tereza me papa Françeskun (Burimi: Top Channel); d: Gjatë vendosjes së pllakës së parë të bulevardit të ri (Burimi: Kryeministria.al)

Në ndihmë na vjen një fjalim tjetër më i afërt në kohë dhe rëndësi me fjalimin solemn për krizën e pandemisë. Në fundin e dhjetorit të 2019-s Edi Rama i ulur e nga zyra e tij iu drejtua shqiptarëve në mbyllje të një viti shumë të vështirë, pasi vetëm pak javë më parë kishte rënë një tërmet shkatërrimtar me dhjetëra viktima e miliarda dollarë dëme. Sfondi dhe hapësira përreth tij atë ditë ishte një vorbull shumë ngjyrëshe elementësh (Fig. 28/a), aty ishin vizatimet e tij të mirënjohura të shtypura në mur, dy rafte të vjetër në të dy krahët, dëftesa, fotografi, një pendë portokalli, libra arti dhe shumë gota e kuti të mbushura përplot me mjete vizatimi. Çdo gjë dukej si përherë në atë fjalim por me një dallim, vendndodhja e pazakontë e tavolinës.

Pozicioni i saj nuk ishte i përhershmi. Tryeza e udhëheqësit në përditshmërinë e punës qëndron pranë dritares (Fig. 27/b). Siç duket atë ditë, përpara fjalimit të fundvitit, sfondi me dritare i është dukur atij i pamjaftueshëm. E kështu duhet të ketë udhëzuar ndihmësit që ta rrotullojnë plotësisht tavolinën duke e shkëmbyer sfondin mes dy dritareve me sfondin mes dy rafteve të vjetër në murin përballë (Fig. 27/c). Këto të fundit i kanë dhënë skenës thellësi dhe kanë shtuar hapësirën e ekspozimit për shumësinë e objekteve që mesa duket ai dëshironte të na i tregonte. Pra edhe atë ditë në mbyllje të një të viti të vështirë skena nuk i ishte lënë rastësisë. Edhe këtë herë gjatë fjalimit solemn mbi rrezikun e pandemisë globale s’ka pse të jetë ndryshe: edhe sfondi i varfër i datës 28 mars duhet të jetë qëllimisht “i pamenduar”.

Figura 28. a: Sfondi dhe hapësira e zyrës gjatë fjalimit të fundvitit 2020 (Burimi: VizionPlus/youtube); b: vendndodhja e zakonshme e tavolinës së punës pranë dritares (Burimi: S. Karabell); c: me sekretarin e shtetit amerikan John Kerry, përballë faqes së murit që zgjidhet si sfond posaçërisht për fjalimin e fundvitit 2020 (Burimi: Departamenti I Shtetit)

Fshehja e automatizmave

Dhe tani le t’i kthehemi marrëdhënies mes hapësirës dhe mesazhit të asaj dite. Njësoj si sfondet e sipërpërmendura edhe hapësirat e kryeministrisë janë pjesë e rëndësishme e imazhit publik të udhëheqësit. Prej tyre ai i drejtohet shpesh shqiptarëve. Vitet e fundit e kemi parë të na flasë duke ndenjur përpara sfondit të stolisur me skicat e tij personale e shumëngjyrëshe të cilat mbulojnë të gjitha muret e zyrës shtetërore. Pamë se si ato ishin aty dhe gjatë fjalës së fundvitit 2019. Ato ishin aty dhe me datë 11 mars të pasnesërmen e zyrtarizimit të epidemisë dhe në Shqipëri, por menjëherë më pas u zhdukën, u fshehën nga komunikimi zyrtar i krizës për të mos u shfaqur për më shumë se një muaj.

Nëpër hiperrealitetet e udhëheqësit

Më 11 mars kryeministri do ta mbante bashkëbisedimin[1] e tij të fundit nga zyra e zakonshme e punës (Fig. 29). Skena hapëse zhvillohet në tualet, ndërsa ai me shpinë nga ne po lan duart. Në dukje po jep shembullin e mirë, se si duhet ruajtur higjiena, por në fakt përmes situatës, këndit dhe vendit të pazakontë po përpiqet të na mbërthejë në realitetin e tij, tepër real, a thua se jemi mes miqsh që ndërsa shëtisim lirshëm kudo nëpër hapësirë diskutojmë edhe për temën e ditës. Më pas ai na përcjell dhe në zyrë duke na e treguar atë shkarazi, pas shpatullave, derisa ulet në tavolinën e tij ku nis të na flasë edhe më shtruar.

Figura 29. Gjatë bashkëbisedimit të 11 marsit, gjithashtu paraqitja e fundit nga zyra e zakonshme e punës për muajin mars (Burimi: Edi Rama Facebook)

Më datë 23 mars drejtuesi do të na ftojë përsëri në bashkëbisedim nga hapësira e re, ajo e fjalimit Rezistencë për ekzistencë, me të cilën jemi familjarizuar tashmë prej më shumë se një jave (Fig. 30). Edhe këtë herë ai na përfshin në një situatë të pazakontë. Sekuenca filmike e këtij fjalimi nis nga hyrja e dhomës. Aty përballemi menjëherë me kryeministrin, fare vetëm. Ai rrethohet nga karrige të zbrazura në mes të mjedisit spartan me muret e zhveshura, ndërsa është tërësisht i zhytur në ekranin e një laptopi. Shoqëri i bën vetëm portreti i Ismail Qemalit dhe flamuri kombëtar. Pa pritur të na ftojë, ne futemi dhe lëvizim nëpër dhomë, përreth, përpara tij dhe pas infrastrukturës teknike e utilitare, në ndihmë të komunikimeve me publikun. Në mbyllje të ecjes i ulemi pranë, mbrapa telefonit të kapur tek mbajtësja e posaçme dhe mjaft e sofistikuar. Vetëm në këtë çast ai i heq sytë nga grafiku në ekranin e kompjuterit, kthehet nga ne dhe fillon të na flasë përsëri shtruar duke na parë në sy. Në paqartësinë e krijuar të të qenit metaforikisht pas ekranit apo fjalë për fjalë pas tij, udhëheqësi, si dërgues, depërton përsëri në realitetin tonë e na tërheq në hiperrealitetin e zyrës së tij të re.

Gjithashtu, gjysmërrethi i përshkruar nëpër zyrë deri në fillimin e bashkëbisedimit nuk është i heshtur por shoqërohet me një zhurmë gërvishtëse dhe shqetësuese. Ajo ngjan si e huazuar nga filmi i realizmit socialist shqiptar Rrethi i Kujtesës, gjatë së cilit zbulohet se me tinguj të ngjashëm ishte torturuar Margarita, protagonistja, gjatë eksperimentimeve ç’njerëzore në një kamp nazist (Rrethi i Kujtesës, 1987). Ajo përputhet dhe me të ashtuquajturën Curve Squeal Noise (Thompson, 2008), ose e thënë më thjeshtë me zhurmën e krijuar nga fërkimi i disqeve të trenit në anët e shinave.

 

Figura 30. Gjatë bashkëbisedimit të 23 marsit ku bëhet dhe prezantimi i këtij mjedisi gjithashtu brenda kryeministrisë (megjithëse kishte disa kohë që përdorej tashmë) i përzgjedhur për komunikimet e pandemisë (Burimi: Edi Rama Facebook)

Falë edhe gërvishtjes çoroditëse, fjalët e kryeministrit në vijim të bashkëbisedimit bëhen dhe më të kuptueshme, realiteti i fjalimit bëhet dhe më i gjallë prej nxitjes së shqisës të të dëgjuarit ndërsa kontrasti i krijuar na lë kuptojmë që realiteti i kësaj zyre është i arsyeshëm ndërsa informacioni që vjen nga jashtë saj është zhurmues[1].

Brenda surrealitetit të tij

Hapësira e komunikimeve të krizës është një variant i kursyer i zyrës së zakonshme, më e vogël, më pak e mobiluar, me më pak ngjyra e vetëm me disa karrige të zbrazura e të shpërndara rreth e rrotull. Zyrës modeste i janë kursyer dhe shenjat abstrakte të Edi Ramës të cilat u ngjizën fillimisht në bllokun e punës gjatë takimeve me burokratët e bashkisë.  Ato janë dëshmi arratisjesh të përkohshme nga realiteti i atyre orëve në thellësi të botës së tij të brendshme.

Vizatimet janë shumë të ngjashme nga dukja dhe procesi gjenerues me automatizmat ose shenjat që qëndronin në themel të lëvizjes kulturore të surrealizmit. Sipas Andre Breton-it, autor i manifestit surrealist, automatizmat në gjendjen e tyre më të pastër diktohen prej mendimit të çliruar nga arsyeja (Breton, 1924). Carl Jung, teoritë e psikologjisë të të cilit patën ndikim tek surrealistët, na jep një këndvështrim të tijin mbi origjinën e rrugëtimit të këtyre shenjave nga nënndërgjegjja drejt realitetit. Sipas tij pjesa më e thellë e ndërgjegjes sonë apo nënndërgjegjja kolektive, është hapësirë e përbashkët e njerëzimit e formësuar brez pas brezi e përvojë pas përvoje. Ai shkruan se:

përsëritja e vazhduar i ka gdhendur përvojat në strukturën tonë psikike në formë imazhesh” (Jung, 1981)

Këto imazhe gjatë shekujve kanë marrë trajta të qarta duke u kthyer në arketipe që përsëriten, ato:

janë produkte të pastra të natyrës, së pafalsifikuar nga asnjë qëllim i ndërgjegjshëm” (Jung, 1981)

Jung gjithashtu shkruan se këto forma janë apriori që e kanë burimin te ëndrrat dhe shpesh janë fantazi që dëshirojnë të bëhen të realitet, ndërsa Andre Breton tek manifesti i tij deklaron se surrealizmi beson në “realitetin sipëror” të këtyre formave, në “mbifuqinë e ëndrrës” dhe se ai mund të zëvendësojë çdo mekanizëm tjetër psikologjik në “zgjidhjen e problemeve kryesore të jetës” (Breton, 1924) .

Shenjat deklamuese, dikur vetëm pjesë e nënndërgjegjes së kryeministrit, janë bërë pjesë e shpeshtë e jashtësisë së tij dhe e rrethojnë përtej hapësirës së tij personale, në hapësira ekspozitash ndërkombëtare, në botime apo në muret e zyrës së tij të punës të vizituar nga dhjetëra krerë shtetesh. Ato qëndrojnë aty pasi janë ‘dëshmi’ e marrëdhënies së drejtuesit me realitetin superior te surrealistëve, tek i cili jo të gjithë janë në gjendje të depërtojnë dhe e ëndrrave të tij që nisën në një bllok e që shumë shpejt nisën të materializoheshin në fasadat e Tiranës dhe më tej. Por gjatë krizës Coronavirus ndryshe nga fjalimi i pas tërmetit ai zgjedh të bashkudhëtojë me të tjerë elementë e jo me automatizmat e tij. Dhe kështu lind pyetja e radhës, se, cila mund të jetë arsyeja e kësaj zgjedhjeje?

Për të kuptuar mungesën duhet të shohim me kujdes ndryshimet në natyrat e dy ngjarjeve, tërmetit dhe pandemisë. Tërmeti goditi menjëherë, me fillimin erdhi dhe fundi i tij së bashku me pasojat shkatërruese. Kundërpërgjigjja ishte domosdoshmërisht prapa-vepruese, ndërsa narrativa e saj u ndërtua përreth energjisë fizike dhe instinktit të liderit, i cili ishte natë e ditë në lëvizje nga njëra rrënojë tek tjetra, në sheshe, në hotele me të pastrehë e në komitete rindërtimi, i pakursyer duke dhënë zemër dhe zgjidhje. E gjithë kjo kulmoi me atë fjalim të fund vitit ku përmes shpërthimit pamor të skenës i tregonte ndjekësve edhe për energjinë e tij të brendshme, forcën e tij shpirtërore dhe krijuese, fakt që nuk harron ta kujtojë dhe gjatë fjalimit të pandemisë:

“Kur ra tërmeti, e patë që ju dola për zot e nuk ia lash Zotit të bëjë asnjë nga detyrat që më takojnë mua” (Rama, 2020)

Por fatkeqësia e Coronavirus-it ka një natyrë tjetër. Ndërsa ia dimë fillimin, jemi të pasigurt për fundin. Ndodhemi përballë një njëpasnjëshmërie ngjarjesh me një fund të mjegullt, e nesërmja ngjan me një fushë të minuar nëpër të cilën çdo hap mund të jetë vdekjeprurës për shoqërinë e rrjedhimisht për vetë pushtetin. Situata ka nevojë për ndërhyrje para-vepruese, pasojat e të cilave vetëm mund të imagjinohen:

“Çfarë kërkoni ju nga unë, që t’ju tregoj përralla?! Që t’ju them mos dilni por po dolët s’ka gjë, se më e mira do bëhet prapëseprapë?!” (Rama, 2020)

Ndërsa tek fjala e mbajtur në prag të 2020-ës vëmendja ishte tek e ardhmja sot, më 28 mars, ajo është është tek e tashmja, e shumta tek e ardhmja e të tashmes, tek i infektuari, tek viktima, tek segmenti i radhës ngjitës i lakores. Energjia dhe të vepruarit instinktiv është i pavend ndërsa duhet qetësi dhe përgjigje shkencore.  Kështu Shqipëria si një pjesë e mirë e botës zgjedh të izolohet, të kyçet të ndalojë, të bëhet më e thjeshtë. Ritmet e përditshmërisë tkurren, e bashkë me të dhe vetë informacioni bëhet më i varfër duke qenë se tashmë përqendrohet më së shumti përreth temës së pandemisë.

Kjo ka ndodhur dhe tek hapësira e kryeministrit, nga ajo janë zhdukur dhjetëra elementë nëpër të cilat vështrimi i vrojtuesit më parë lodronte pareshtur. Nga sfondi janë zhdukur edhe automatizmat shumëngjyrëshe. Prej hapësirës së fjalimit janë hequr dhe vetë ngjyrat, çdo gjë është bardhezi përveç së kuqes së gjakut të flamurit shqiptar. Jemi në luftë, e në luftë nuk ka vend për shkapërderdhje qoftë dhe me natyrë vetëm pamore. Kështu, pas tij qëndrojnë vetëm flamuri kombëtar, i kudogjendur, dhe fotografia e kryeministrit të parë shqiptar, Ismail Qemali.

Simulakra e paraardhësit

Përtej mënyrës së ndryshme të përcjelljes së mesazhit, përmes estetikës së hiperreales (Baudrillard, 1994)  elementët e sfondit të kryeministrit shqiptar kanë ngjashmëri me ato të udhëheqësve të tjerë. Edhe ai komunikon përmes imazheve të së shkuarës. Presidenti amerikan mbante babanë, kancelarja Merkel ndërtesën e parlamentit, udhëheqësi serb kishte pallatin e mbretit Aleksandar, ndërsa pas udhëheqësit shqiptar qëndron paraardhësi i tij, imazhi i njeriut që shpalli pavarësinë e vendit që drejton. Për të kuptuar përse ajo fotografi është aty në të djathtë të tij mund të na ndihmojë të kuptojmë më parë se kush ishte Ismail Qemali? Ose më saktë, kush është ai për ne shqiptarët?

Dallimi mes dy pyetjeve është i rëndësishëm. Për të kuptuar vërtetë se kush ishte ai do të na duhej prania e tij për së gjalli. Edhe sikur kjo të ishte e mundur përsëri garancia se ai do ishte plotësisht i sinqertë me ne do të ishte e brishtë. Për këto arsye do të na duhej të ballafaqonim dëshmitë e tij me ato të bashkëkohësve, pra t’i ngjallnim dhe ata, t’i kalonim fjalët e palëve nëpër lupën e poligrafëve, hetuesve, kërkuesve e psikologëve. Edhe sikur ta mundësonim këtë proces i gjithë ky informacion do duhet të kalonte dhe nëpër subjektivitetin e nxjerrjes së përfundimeve. Për të gjitha këto arsye pyetja e parë bie, ajo është e pakuptimtë, e kemi të pamundur ta dimë se kush ishte Ismail Qemali.

Në të kundërt është e mundur të tentohet përgjigja e pyetjes së dytë, se si është ndërtuar imazhi i Ismail Qemalit për shqiptarët? Për t’u përgjigjur nuk na duhet aspak Ismaili i vërtetë, për këtë na mjaftojnë kopjet, simulakrat e tij të rindërtuara nëpër filma, nëpër libra historie dhe nëpër fotografitë e shumëfishuara nëpër zyrat e institucioneve të shtetit shqiptar. E ndërsa nuk mund ta dimë kurrë të vërtetën e plotë të Ismail Qemalit prej mishi, ne njohim të vërtetën e kopjeve të tij me të cilat jemi rritur. E ato kopje nuk gënjejnë, ato ndjekin një skenar transparent, të qartë pra janë të sinqerta brenda realitetit të tyre, e shumta mund të mos përputhen me origjinalin e vërteta e të cilit është gjithsesi e dyshimtë. E kështu po të pyesim kush është më i vërtetë, Santa Claus-i që sjell lodrat me slitën fluturuese apo San Nicola i varrosur në katedralen e Barit, përgjigjet do ishin të ndryshme nëse pyetjen do t’ia bënim një fëmije apo një besimtari të krishterë. Siç thotë dhe Boudrillard, që në krye të librit të tij Simulakra dhe Simulimi, duke cituar një frazë nga Ecclesiastes:

“Simulakra nuk e fsheh asnjëherë të vërtetën – e vërteta fshihet pas faktit që nuk ekziston. Simulakra është e vërtetë.” (Baudrillard, 1994)

Pra në përfundim mund të themi se për të kuptuar simbolikën pas fotografisë do të na mjaftojë të zbërthejmë Ismailin që njohim, të përshkruar tek fjalori enciklopedik shqiptar, tek tekstet shkollore, tek vjershat për fëmijë, nëpër videoklipet e hedhura në YouTube, në Wikipedia e mbi të gjitha tek personazhi kryesor i filmit Nëntori i Dytë luajtur nga Sandër Prosi. Nëpër to ndodhet Ismaili i realitetit tonë dhe i fotografisë së varur në zyrën e fjalimit.

Ismaili sipas nesh

Ismail Qemali në krah të Edi Ramës shfaqet përmes një fotografie. Fotoja në mur flet për një lidhje të hershme mes tyre, e vjetër të paktën sa pushteti i drejtuesit aktual. Ishte ky i fundit që në shtator të 2013-ës në javën e parë të marrjes së pushtetit vendosi që nëpër zyrat shtetërore të mbahej portreti i paraardhësit. Kjo foto është rikopjuar e rishpërndarë me qindra e mbase mijëra herë, pra ka kaluar nëpër të ashtuquajturin proces të riprodhimit mekanik. Sipas Walter Benjamin-it, ky proces çon në shkatërrimin e aurës së origjinalit, kulti i tij zhduket e imazhit i mbeten vetëm cilësitë ekspozuese (Benjamin, 1969). Pra mos vallë rrezikojmë që te ky Ismail bredharak, sa nga njëra zyrë në tjetrën, të mos shquajmë dot cilësitë e origjinalit ose së paku të origjinalit sipas nesh?

Përgjigjen për këtë dyshim të fundit na e jep menjëherë vetë Benjamin, i cili thekson se pavarësisht riprodhimit kulti i origjinalit ruhet tek fizionomia e fytyrës njerëzore. Jo më kot, thotë ai, fotografitë e para ishin kryesisht portrete, të njerëzve tanë të dashur:

“Kulti i kujtesës i të dashurve tanë, në mungesë ose të vdekur, na ofron strehën e fundit për vlerat adhuruese të fotografisë. Aura emanohet për të fundit herë në fotografitë e hershme përmes shprehisë fluturake të fytyrës njerëzore. Ky është trishtimi dhe bukuria e tyre e pakrahasueshme” (Benjamin, 1969)

Pra aura e plakut të Vlorës është akoma aty, pavarësisht kopjeve të fotografisë së tij, ai nuk mund të ikë për sa kohë tiparet dhe vështrimi i tij, të përjetësuara këtu e një shekull më parë, do të vazhdojnë të jenë të njëjtat, pavarësisht ndryshimit të letrës së printimit.

“Ti që po pagëzon vatanë bëju kumbar dhe në këtë vatër” (Nëntori i dytë, 1982)

Figura 31. Ismail Qemalit i kërkohet të bëhet kumbari i fëmijës së shtëpisë (Burimi: Nëntori i Dytë/ youtube)

Këto fjalë thuhen gjatë një dialogu në kasollen e një fshatari, tek të njëqindat, diku në fushën e Myzeqesë, pasi ky i fundit kishte vendosur në prehrin e Ismailit fëmijën e shtëpisë dhe një palë gërshërë (Fig. 31). Kjo ngjarje marrë nga filmi Nëntori i dytë zbulon tiparin e parë të figurës së Ismailit Qemalit, atë të kumbarit të pavarësisë. Kumbari është babai shpirtëror që qëndron pranë të pagëzuarit dhe është dëshmitar i lidhjes së tij me Zotin. Ai duhet të sigurohet që i pagëzuari të ndjekë udhën e duhur përgjatë rrugëtimit të tij tokësor. Ky tipar atëror del në pah dhe tek nofka dashamirëse me të cilën ne shpesh e thërrasim, plaku i Vlorës. Fjala plak në gjuhën shqipe nënkupton, mençuri, babain dhe kryetarin e familjes, dikë që është mbi palët e mund të zgjidhë mosmarrëveshjet.

Plaku i Vlorës përshkruhet gjithashtu si një njeri në lëvizje sa nga njëra qoshe e anës tonë të botës në tjetrën. Nga Stambolli, në mbledhjen e Bukureshtit, në  Vjenë, në intervista në shtypin botëror dhe vizita në kancelaritë ndërkombëtare (RPSSH, 1985). Nëntori i Dytë nis me një mesazh nga larg i cili zbardhet përmes shiritit të telegrafit. Aty fillon dhe rrugëtimi shqiptar i Ismailit (Fig. 32).

Figura 32. Rrugëtimi i pavarësisë, pajtoni në lëvizje si skenë kryesore dhe mjetet e ndryshme të transportit. Itinerari fillon me lajmin e mbërritjes së Ismail Qemalit, pastaj vjen zbarkimi në Durrës, ecja nëpër Shqipërinë e jugut deri në Vlorë dhe shpërhapja e mëtejshme e lajmit të shpalljes së pavarësisë nëpër botë. (Burimi: Nëntori i Dytë/YouTube)

Sekuencat filmike vazhdojnë me një vapor dhe disa varka në vozitje, Ismail Qemali po kthehet dhe po lundron drejt bregut shqiptar. Aty, radhë patriotësh po e presin me ankth, ndërsa në sfond qëndron dukshëm një mjet tjetër transporti, një pajton elegant. Ndërsa Hakiu, karrocieri, e nget mjetin, Ismaili na tregohet gjatë gjithë filmit brenda karrocës, e cila është dhe skena më e përsëritur e tij, nën kërcitjet e trokut duke u shkundur nga rrugët famëkeqe të Shqipërisë me peizazhin që i shket në sfond. Karvani i tij përparon mes peripecive, mes takimesh herë të ngrohta e herë konfliktuale me turq dashakeqë e shqiptarë të paditur, por që në fund dorëzohen ose e pranojnë udhëtimin drejt destinacionit të pashmangshëm. Diku ata i zë dhe një shtrëngatë e karroca prej zotërinjsh mbetet në baltë. E atëherë Ismaili bashkë me shoqëruesit ngjitet mbi kalë njësoj si luftëtarët që e shoqërojnë e hedh mbi krahë gunën dhe nuk ndalet. Pak para mbërritjes në Vlorë i duhet të bëjë dhe një kapërcim të fundit, nëpër një lumë, mbi një tjetër mjet transporti, këtë herë një trap druri. Ai më në fund arrin në destinacion dhe e përmbush misionin e tij, ngre flamurin dhe shpall pavarësinë. Por dhe më pas nuk gjen prehje, regjisori na tregon se si përmes efektit zanor të trokitjeve të alfabetit mors në sfond, lajmi shpërndahet nëpër botë. Në përshkrimin e mësipërm del në pah dhe tipari tjetër i Ismailit, ai i misionarit. Ai ishte një udhëtar deri në fund, madje dhe ndërroi jetë në një prej udhëtimeve të tij. Ai nuk udhëtonte për qejf por sepse kishte një mision, të siguronte mbështetje për shtetin e porsa lindur.

Pra në përgjigje të pyetjes se kush është Ismail Qemali për ne, mund të themi që ai është kumbari, babai shpirtëror i shqiptarëve, në lëvizje të pareshtur, në kalvar, deri në përmbushjen e misionit historik të pavarësimit të plotë të Shqipërisë.

Kujtesa si zëvendësuese e pritshmërisë

Pasi nxorëm disa tipare të simulakrës në krah të kryeministrit shqiptar mund të parashtrojmë pyetjet e radhës. Mos vallë udhëheqësi i sotëm që drejton vendin në ditët e pandemisë do të na thotë diçka me atë fotografi? Mos po i pretendon ai tiparet mësipërme dhe për veten e tij? Mos po na drejtohet si të ishte babai i shqiptarëve? Të jetë pandemia kalvari i tij? E nëse po si do jetë fundi?

“A e keni parasysh babain kur rreptësohet dhe të shkul veshin? E bën sepse të do të keqen? E bën sepse nuk të do si dritën e syve?” (Rama, 2020)

Kryeministri i sotëm e ka veshur rolin e prindit, pasi drejtpërdrejt e pa nënkuptime ai quan veten baba, që në këtë rast po qorton disa nga fëmijët e tij. Kanë kaluar disa javë që nga shfaqja e rasteve të para me Coronavirus e shumë prej tyre me sa duket janë treguar të papërgjegjshëm. Në krah të tij qëndron dhe babai i shpirtëror i pranuar prej kohësh nga fëmijët, pra nga shqiptarët. Por, a do të pranojnë ata që t’ia kalojnë këtë rol të pretenduar drejtuesit të sotëm? Aq më tepër në këto kohë kur ideja e kombit ka humbur mjaft nga ngarkesat e hershme romantike dhe është gjithmonë e më tepër, haptas, një marrëdhënie interesash?

Kryeministri Rama qëndron përballë shqiptarëve i vetëm. Kamera e vendosur nën të e bën të duket dhe më imponues. Ai e mbulon plotësisht boshtin vertikal të imazhit, të ashtuquajturën hapësirë e soditjes (contemplation), e bërë për t’u parë sa më gjatë e për ta vënë shikuesin në mendime (Arnheim, 1988). Arnheim na shpjegon se ne jemi qendra e universit tonë, dhe përmes saj njihemi me botën. Kur shohim një vepër arti, një skulpturë apo tablo, ne lëshojmë vektorë drejt saj. Procesi përsëritet dhe në drejtimin e kundërt, edhe vepra e artit lëshon mbrapsht vektorë drejt nesh. Tek Skënderbeu, tek selvia, te sahati, tek skytower, janë termat e zakonshëm me anë të të cilave orientohemi edhe nëpër hapësirat e qytetit, duke zgjedhur elementet më mbizotërues që lëshojnë vektorët më të fuqishëm e më të shumtë drejt nesh.

Ky mekanizëm i perceptimit vihet në lëvizje edhe këtu. Dinamika e ndërveprimit ndodh më së shumti mes nesh si marrës dhe folësit si dërgues dhe mbizotërues i imazhit. Për më tepër figura e kryeministrit është ballore dhe e padeformuar, kështu vektorët e ndërsjellë vërshojnë pingul me ekranin duke e shkëputur plotësisht folësin nga elementet e tjerë në sfond. Por dhe ish-kryeministri është aty, në të djathtën e dërguesit, pasi fotografia e tij është mjaft e madhe për të mos rënë në sy dhe gjithashtu e zezë përmbi murin e bardhë. Vendosja e saj ka një veçanti, pasi, mbase qëllimisht ose prej ndonjë rastësie fatlume ajo qëndron në pozicion të pjerrët. Ismaili nuk sheh drejt nesh (Fig. 33). Ai nuk ndërton një marrëdhënie të ndërsjellët shkëmbimi vektorësh me shikuesin, por duke i kanalizuar ato përmes figurës qendrore të kryeministrit në fuqi. Ismaili duket sikur po i pëshpërit diçka në vesh, sikur po e këshillon, a thua se po i kalon pasardhësit vetitë atërore. E vetmja mënyrë për të mësuar mesazhin e plakut të Vlorës është përmes vektorit qendror, përmes fjalëve dhe figurës së udhëheqësit bashkëkohor.

Figura 33. Boshti i soditjes (a) që kalon në mesin e kryeministrit të sotëm dhe vendosja e kryeministrit të dikurshëm lehtësisht i kthyer (b) nga folësi gjatë fjalimit të 28 marsit, Rezistencë për Ekzistencë. (Burimi: Edi Rama Facebook)

Mbase Ismaili po i tregon atij dhe për kalvarin e pavarësisë. Në fakt pandemia i ka tiparet e një udhëtimi të mundimshëm me fund të panjohur dhe mesa duket edhe shqiptarët si ballkanas të mirë e parapëlqejnë strukturimin e historisë së tyre sipas golgotave. Rrugëtimi i mundimshëm për shpalljen e pavarësisë ishte kalvari i Ismail Qemalit, që u përmbyll me sukses, megjithëse jo pa pasoja. Coronavirus-i me sa duket mund të jetë golgota e radhës, fundin e të cilës ende nuk e dimë:

“Kur do mbarojë kjo? Po pse, kush e di këtë që ta di unë? Por ama di me siguri një gjë, po vazhduam kështu, do ta kalojmë pa qindra e mijëra viktima e do t’i rihapim pjesë-pjesë rrugët e jetës normale” (Rama, 2020)

Sipas fjalës së kryeministrit ky mund të jetë edhe fundi i ekzistencës tonë, nëse do jemi të papërgjegjshëm mund të kemi me qindra e mijëra të vdekur e mund të bëhemi gazi i botës. Teksa jetojmë të tashmen e pandemisë, fjalët e tij sugjerojnë mundësinë e një fundi pa krye, diçka krejt e padëgjuar për një politikan. Por fjalët e tij mesa duket janë apori[1], pasi atij i vjen menjëherë në ndihmë përsëri paraardhësi në kornizë, udhëtari me mision, udhëheqësi i kalvarit të mundimshëm të pavarësisë. Sipas Ricoeur[2], ne jetojmë të tashmen duke shkuar drejt së ardhmes, mes kujtesës dhe pritshmërive (Ricoeur, 1984). Ato nuk janë të izoluara por në ndërveprim me njëra-tjetrën. E në mungesë të pritshmërive hapësira e tyre plotësohet nga kujtimet. Ismail Qemali, udhëheqësi i dikurshëm i kujton e na kujton se si i patëm kapërcyer edhe pengesat e kaluara.

Pra në ditë më të vështira të krizës udhëheqësi i shkuar qëndron në krah të sotmit, roli i tij është thelbësor. Të pasigurt për të ardhmen, falë pranisë së tij prindërore, na vjen në ndihmë e shkuara, e kalvarit të pavarësisë madje dhe e 28 mijë dëshmorëve të luftës nacional-çlirimtare (Rama, 2020). Kështu kryeministri në pamundësi për të ndalur ecjen e kohës drejt së ardhmes së panjohur, të paktën mund të na ndalojë ne, të na mbyllë, izolojë. Sfondi i tij flet përmes së djeshmes së njohur në pritje të çlirimit të së nesërmes, pra na thotë të rezistojmë për të ekzistuar.

Më datë 21 prill, rreth dyzet ditë nga fillimi i epidemisë Coronavirus, kryeministri shqiptar rikthehet përsëri në zyrën e tij të zakonshme të punës dukshëm më i qetë dhe i qeshur (Fig. 34). Epidemia është më në fund nën kontroll. Me kamerën e lëvizur qëllimisht ai na drejton, madje duke marrë një qëndrim të parehatshëm, nga sfondi shumë ngjyrësh i hapësirës së dizenjuar nga ai vetë, i njëjti i fjalimit të Vitit të Ri e që na mungonte që nga ditët e para të pandemisë. Këtë herë Ismaili qëndron i fshehur në anën e padukshme të dhomës. Udhëheqësi i sotëm shfaqet përsëri i çliruar nga pesha e paraardhësit, edhe një herë plotësisht autentik[3], si dikush që jo vetëm ka pushtetin por dhe që i del në krye vështirësive, i vetëm.

Figura 34. Kthimi në zyrë dhe rishfaqja e automatizmave gjatë bashkëbisedimit të 21 prillit. (Burimi: Edi Rama Facebook)

Albin Kurti

Një hapësirë e mbushur me dritë, mbuluar nga tavane me ulje e ngritje, që me sa duket më shumë se nga arkitekti janë diktuar nga tubacionet e ajrit të projektuara nga inxhinierë mekanikë (Fig. 35). Nëpër tavanet, me shumë gjasa prej gipsi, shohim të shpërndarë pa ndonjë logjikë mirëfilli estetike ndriçues teknikë. Një parket, që nga pamja nuk duket as i lirë e as i shtrenjtë. Në sfond divane të zinj gjithashtu krejt të zakonshëm.  Në një kënd shohim dy flamuj dhe në një imazh të zbehtë, kopje e deklaratës së pavarësisë së vendit[1], që na sugjeron që ai është këndi më i rëndësishëm i hapësirës e që me gjasë përdoret për ceremoniale ose deklarata për shtyp. Me datë 16 mars kryeministri i Kosovës, i sapo ardhur në pushtet, ka zgjedhur të na drejtohet nga një hapësirë krejt normale, të papritur dhe përsëri, me shumë mundësi, e mirë menduar.

Thyerja e strukturës

Gjatë fjalës së tij Albin Kurti u tregon qytetarëve të Kosovës se çfarë ka bërë. Kështu ai ka mbyllur deri tek kufijtë mes qyteteve, i këshillon ata të mbajnë zakonet e mira siç është larja e duarve por të shmangin rrokjen e tyre. Po humbni hapësirë por po fitoni kohë thotë ai, pra mund të lexoni ndonjë libër që e keni lënë më parë mënjanë. Ai po përshkruan një situatë të jashtëzakonshme, të rëndë, pasi i thotë ndjekësve që i ka kyçur, që duhet të heqin dorë nga zakone të lashta sa vetë qytetërimi, por e bën këtë a thua se po përshkruan një situatë të përditshme.

Figura 35. Kryeminstri i Kosovës gjatë fjalimit të 16 marsit pas shfaqjes së Coronavirusit në vend, titulluar Në shtëpinë tuaj me duar të pastra. (Burimi: Albin Kurti Facebook)

Ai na jep përshtypjen se ka nisur ditën normale të punës. Është bërë gati në kohë e pa u nxituar, është larë, është rruar e krehur, ka veshur kostumin e zyrtarit shtetëror dhe është nisur për në zyrë. Më pas, siç duket, e kanë ndalur, e kemi ndalur të shqetësuar nga Coronavirus-i vdekjeprurës që ka tronditur botën, pikërisht tek paradhoma e zyrës së tij. Ai nuk duket i bezdisur, i qetë është kthyer nga ne dhe duke na vështruar në sy, me fjalë të thjeshta të cilat i shqipton me kujdes na sqaron:

“Është situatë e përkohshme dhe do t’i kthehemi normalitetit” (Kurti, 2020)

Fjalët tij përçojnë të njëjtin normalitet që gjetëm tek hapësira dhe sfondi i tij a thua se kemi të bëjmë me një moment përditshmërie. Por shpejt kuptojmë që normaliteti i atij çasti është i ndryshëm nga normaliteti i një dite më parë.

“Ne këtu në qeveri vazhdojmë punën me të njëjtën energji dhe vullnet por me staf të reduktuar” (Kurti, 2020)

Sinkronia fjalë-hapësirë vazhdon të jetë e njëjta pasi dhoma pas folësit është e zbrazur, zhytur në qetësi të plotë. Heshtja dhe zbrazëtia bëhen dhe më therëse duke qenë se mjedisi i zgjedhur nuk duket si zyra personale e punës që do ta justifikonte vetminë e udhëheqësit. Pas tij kemi një holl që normalisht duhet të jetë i mbushur me njerëz me zëra e me lëvizje, me nëpunës që shkojnë sa andej e këndej, me vizitorë të ulur nëpër divane, me sytë ngulur nëpër smartfonë, duke folur me njëri-tjetrin ose me veten të emocionuar nga takimi që do kenë me njeriun më të pushtetshëm të vendit. Por aty s’ka njeri, mungesa e çdo gjëje të gjallë në një mjedis që duhet të gëlonte, na zbulon se gjatë përditshmërisë së re do të na duhet të bashkëjetojmë me Coronvirus-in. Ky i fundit është aq i rrezikshëm sa të zbrazë edhe qendrën e pushtetit.

Kryeministri i Kosovës po përpiqet ta ekzorcizojë rrezikun e pandemisë duke deheroizuar (Lefebvre, 1991) kundërpërgjigjen e tij. Këtë e bën me disa mjete shprehëse. Ai mund të kishte dalë dhe tek sfondi me flamuj pak metra më andej, të shtonte simulakra deklamuese dhe të fliste për luftë, por jo. Kështu ai ka zgjedhur të mos flasë nga fundi i boshtit kryesor, përpara deklaratës së pavarësisë, të hollit ku po qëndron. Mbase po ta bënte mesazhi i tij dhe ai vetë do bëhej më solemn, por gjithashtu edhe kundërshtari në krye të pandemisë do të dukej më kërcënues. Si rezultat i vendosjes së tij në skaj të hapësirës, vektori i ndërsjellë që ai ndërton me spektatorët e fjalimit, përplaset diagonalisht me boshtin kryesor të hollit (Fig. 36), dhe përfundon diku tek dritaret pas divaneve të zinj, duke thyer strukturën, duke hequr çdo nuancë fataliteti apo paracaktueshmërie nga skena.

Figura 36. Boshti kryesor i hapësirës (b) dhe mos përputhja vektorit të kryeministrit (a) gjatë fjalimit të 16 marsit; Kopja e Deklaratës së Pavarësisë në fund të perspektivës (pra boshtit b) e përdorur gjatë takimit me ambasadorin e Shqipërisë në ditën e marrjes së pushtetit (Burimi: Top Channel/ YouTube)

Hapësirë kalimtare

Një nga efektet e thyerjes së mësipërme të strukturës është përforcimi i karakterit kalimtar të sfondit të drejtuesit të Kosovës. Shikimi ynë fluturon përgjatë boshtit horizontal të imazhit, nga njëri divan tek tjetri, nëpër kthinat e mureve, tek flamujt dhe imazhi i varur mbi mur, në kërkim të qendërsive por pa i gjetur ato.

Tiparet transitore të sfondit lidhen fort me vetë funksionin transitor të mjedisit. Hapësira, siç e shohim, nuk është bërë për të qëndruar gjatë, nuk duket si zyrë apo sallë takimesh, vendi i zgjedhur është diçka më shumë se një korridor. Interpretimet për organizimin përballë nesh mund të jenë të shumta, për shembull Doxadis shkruan që korridori është hapësirë pozitive, e hapur ndërlidhëse dhe në ndryshim (Doxadis, 1963).

Përveç hapësirës, vetë ngjarja e fjalimit është ndërtuar si një takim kalimtar, aq i shpejtë sa nuk kemi kohë as të ulemi. Kujtojmë që kryeministrin e patëm ndërprerë rrugës për në zyrë e ai na drejtohet por shumë shkurt, vetëm dy minuta, pasi i duhet të vazhdojë, përgjegjësitë i ka të shumta dhe koha është e çmuar.

Pra me sa kuptojmë karakteri kalimtar që i  është dhënë skenës së Albin Kurtit është i rëndësishëm, në pamundësi për ta provuar veten pasi e ka marrë pushtetin vetëm disa javë më parë ai dëshiron të paraqitet si udhëheqës i hapur, komunikues, dinamik, fjalëpakë dhe punëshumë.

Autenticiteti, përsëri

Forma e kryeministrit në mes të imazhit është e fortë. Silueta e tij e errët spikat në hapësirën e mbushur me dritë të bardhë. Edhe ai e sundon plotësisht boshtin e soditjes për të cilin folëm pak më lart. Natyrisht të gjithë udhëheqësit që kemi parë deri tani janë qendrorë në fjalimet e tyre, por te dy drejtuesit shqiptarë kjo bie në sy edhe më shumë. Ata qëndrojnë më pranë objektivave të kamerave, duke e bërë të duket si më të vërtetë afinitetin e stimuluar me ndjekësit.

Regjisori i fjalimit të datës 16 mars ka përdorur dhe efektin depth of field. Figura e folësit është ekstremisht e qartë, ndërsa sfondi i mjegullt dhe i largët. Kjo lojë pamore imiton vështrimin tonë normal. Ndërsa jemi duke folur me dikë shikimi ynë është selektiv, ne s’mund ta shohim njëkohësisht folësin dhe sfondin. Pra edhe këtë herë gjendemi në një nga ato situatat vérité, ku:

“duket sikur nuk jemi aty” barazohet me “duket duket sikur jemi aty” (Baudrillard, 1994).

Mesa vëmë re, të dy udhëheqësit shqiptarë përpiqen të jenë autentikë, ata thyejnë panoptikonin që i ndante nga ndjekësit dhe i ftojnë ata në realitetin e tyre, a thua se këta janë aty me ta. Të kuptohemi, të jesh autentik dhe të jesh i sinqertë janë dy gjëra të ndryshme dhe në kulturën perëndimore, autenticiteti e ka tejkaluar rëndësinë e sinqeritetit, si tipari më i lartë i karakterit, prej shekujsh (Cobb, 2014). Autenticiteti i kryeministrit të Kosovës është i ndryshëm nga paternalizmi i kryeministrit të Shqipërisë, më i ngjashëm me atë të kancelares gjermane, edhe ai zgjedh të jetë një figurë familjare, por më pak dominuese e më shumë komunikuese.

Në fund duhet të jemi të vetëdijshëm që dhe ky fjalim, si dhe fjalët e udhëheqësve të tjerë, është ndërtuar për të kapërcyer nëpër shkretëtirën e reales; pra duhet të bëjmë kujdes para se ta përqafojmë pa kushte dhe pa kërkuar për mesazhe të nënkuptuara. Jo më kot fjalimi i Albin Kurtit titullohet:

“Në shtëpinë tuaj me duar të pastra” (Kurti, 2020)

Shprehja mund interpretohet si këshillë për t’u kujdesur për higjienën por dhe si një mënyrë për t’u vetëftuar në realitetin e familjes tonë. Hegel shkruan se “Familjarja nuk kuptohet plotësisht pasi është familjare” dhe Lefevbre, na e zbërthen këtë shprehje si më poshtë:

“Familjariteti, ajo që është familjare, e fsheh qenien njerëzore dhe e bën të vështirë për t’u kuptuar duke i dhënë një maskë të njohur për ne” (Lefebvre, 1991)

Sfondi i fjalimit të Albin Kurtit flet për një drejtues që po përpiqet të thyejë strukturat dhe të shfaqet si udhëheqës racional, pra modern. Ai e ka zhveshur veten nga gjuha, e folur dhe pamore, e ngarkuar me metafora dhe simbole, tipike e shoqërisë që po përpiqet të drejtojë. Shumë shpejt, vetëm pak ditë pas atij fjalimi, autoriteti i tij do vihet në diskutim dhe ai do të detyrohet të lërë postin e tij. Vetëm koha do ta tregojë nëse ai vërtetë dëshiron të thyejë strukturat ekzistuese, siç e bën me skenën e fjalimit të tij, apo thjeshtë është, momentalisht, i paaftë për t’u bërë pjesë e tyre.

Epilog

Në mbyllje të këtij shkrimi, me siguri për çdo përgjigje të dhënë do të lindin edhe më shumë pyetje. Në ditët e sotme kështu siç jemi të qullur nga masazhet[1] mediatike gjetja e të vërtetave është më e vështirë se kurrë. Kështu një anekdotë e vjetër sovjetike, nga ato të radio Jerevanit thotë:

A është e vërtetë që falë arritjeve të teknologjisë sovjetike, së shpejti do të mund të porosisim ushqimin nga telefoni?

Po, burimet tona na thonë që është e vërtetë. Të njëjtat burime thonë që ushqimi i porositur do të dorëzohet me televizor.

Popujt që i kanë jetuar regjimet totalitare i njohin mirë vetitë e propagandës, ata e kujtojnë se si sukseset e regjimit shtoheshim e lajmëroheshin me zë të lartë ndërsa në përditshmërinë e tyre pakësohej ushqimi dhe shtoheshin radhat. Të njohur me këto përvoja lindin dyshime mbi mënyrën e të reaguarit. Çfarë të bëjmë, të mbyllim veshët kur autoriteti flet, pasi medoemos gënjen?

Vërtetë shpesh narrativat e pushtetit janë mashtruese por ndonjëherë janë dhe të nevojshme. Mjafton të kujtojmë fjalimin e Stalinit, nuk mund të mohojmë që në atë moment historik në prag të betejës vendimtare me nazizmin fjala e tij ishte ngushëlluese për popullin e tij, pavarësisht karakterit gjakatar të diktatorit. E ndërsa është shumë e rëndësishme të dimë ta vështrojmë pushtetin përtej maskës, përpara se t’i paragjykojmë, nuk duhet të harrojmë që maskat janë pjesë e pandashme e natyrës njerëzore, apo siç shkruan Lefebvre:

“Maskat ngjiten mbi fytyrat tona, mbi lëkurën tonë, mishi dhe gjaku bëhen maskë” (Lefebvre, 1991)

Ngujimi nëpër realitetet tona nuk është zgjidhje. Siç e pamë dhe më lart autoriteti gjithmonë e më tepër po ia del të depërtojë në realitetin tonë, e sikur kjo ndërthurje të mos ndodhë në mjedisin virtual ai herët a vonë do të na trokasë në derë. Pra marrëdhënia jonë me të është e pashmangshme dhe për këtë arsye është e nevojshme që ta njohim sa më mirë atë dhe ky artikull përpiqet të ndriçojë disa prej aspekteve te marrëdhënies së autoritetit me ne.

Udhëheqësit botërorë në ditët e pandemisë, iu drejtuan banorëve të botës, me fjalimet e tyre. Përveç fjalëve çdo element i hapësirës përreth tyre kishte diçka për të thënë. Në disa raste ato përsërisnin fjalët, ndonjëherë thonin edhe më tepër. Me fjalimet e marsit filloi narrativa e Coronavirus-it, skenarët e të cilave projektohen dhe përditësohen edhe nëpër hapësirat e pushtetit. Po aty ku u përgatitën fjalimet e luftës me siguri po përgatiten edhe fjalimet e fitores. Ato mund të jenë të vërteta, pjesërisht të vërteta ose të gënjeshtërtra.

“Science over fiction”, do të shkruajë John Biden në faqen e tij Facebook (Fig. 37) duke u radhitur mes atyre që përdor logjikën dhe jo retorikën në politikën e tij, sipas tij, ndryshe nga konkurrenti i tij president. Me këtë shprehje ai dëshiron t’i thotë amerikanëve, lërini trillimet e më dëgjoni mua, ekskluzivitetin e të vërtetës e kam unë pasi flas me argumente shkencore dhe jo imagjinare. Këtë kontrast të ngjashëm e pamë dhe tek fjalimet e Coronavirusit, pasi disa prej folësve i përdornin dendur metaforat dhe u drejtoheshin emocioneve tona, nga një herë edhe atyre më primitive, ndërsa të tjerë mundoheshin t’i flisnin arsyes. Në të shkuarën vetë Platoni e shpallte veten përçmues të poezisë (Plato, 1997). Ai e quante atë mashtruese, retorikë, e megjithatë këtë e bënte përmes dialogjesh “dramatike” me tipare po aq poetike (Griswold, 2020).

Figura 37. Ne zgjedhim shkencën dhe jo trillimin, marrë nga një postim i kandidatit për president të ShBA-ve Joe Biden. (Burimi: Joe Biden Facebook)

Në fund të fundit arsyeja fle bashkë me emocionet në trupin tonë, t’i ndash është e pamundur. Mbase edhe ata që shpallen partizanë të arsyes po përpiqen gjithashtu të hyjnë në realitetin tonë, por nga një derë tjetër. Ndarja e trillimit nga realiteti është ndërmarrje e vështirë pasi të dyja i nënshtrohen strukturës organizuese të diktuar nga narrativa. Historia dhe tregimet kallëzohen në të njëjtën mënyrë, po njësoj siç tregojmë ndodhitë në përditshmërinë tonë (Ricoeur, 1984). Ne mërzitemi edhe kur sezoni final i Game of Thrones nuk ka koherencën e duhur apo dhe nëse nuk arrijmë t’i japim kuptim jetës tonë. Të paktën vetëdija për vështirësinë e shkëputjes të së vërtetës nga trillimi, edhe në fjalimet e analizuara në këtë shkrim, mund të na ndihmojë të jemi më të matur, të dyshojmë përpara se të besojmë që të mos bëhemi thjeshtë sipërfaqe përthithëse dhe ripërthithëse informacioni (Baudrillard, 1994).

Me datë 22 prill, the Independent do të njoftonte me shqetësim, si breaking news, pra si lajm i jashtëzakonshëm, që loja e realitetit virtual Call of Duty kishte ndalur së funksionuar në të gjithë botën (O’Connell, 2020). Me sa duket pandemia Coronavirus ato ditë filloi të humbte privilegjin e të qenit e veçantë, për t’u kthyer gradualisht, edhe ajo, në njërin prej realiteteve të realitetit tonë.

(fund)

© 2020, Endrit Marku. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Përkufizimi i përdorur në shkrimin e cituar i përket Zoughbi Zoughbi, një figurë e njohur në Palestinë për ndërtimin e urave mes komuniteve vendase.
[2] Përkufizim i përdorur nga vetë kryeministri në rrjetet e tij sociale.
[3] Në një mesazh dërguar shqiptarëve përmes telefonit, gjatë ditëve të para të pandemisë, kryeministri ndër të tjera do të theksonte: “Ruaju nga informacioni i rremë”.
[4] Aporia është shprehje dyshimi, të vërtetë apo të stisur, ose pasigurie me qëllim krijimin e efektit retorik. Përkufizimi fjalë për fjalë i termit marrë nga greqishtja e lashtë vjen nga: a-poros: i pakalueshëm. (Merriam_Webster, n.d.)
[5] Ricoeur në këtë pjesë të librit të tij zbërthen përvojën e kohës sipas Shën Agustinit.
[6] Origjina e termit autentik vjen nga greqishtja e lashtë authenthikos: që do të thotë origjinal, i vërtetë, kryesor; authentes: dikush që vepron me autoritetin e tij; autos+hentes: vetë-bërës (etymonline, n.d.)
[7] Origjinali ruhet nga Kuvendi i Kosovës (Dita, 2014)
[8]  Baudrillard përdor qëllimisht termin masazh dhe jo mesazh


Bibliografia

Ancic, I., 2017. Belgrade, The 1961 Non-Aligned Conference, s.l.: s.n.
Arnheim, R., 1954. Art and Visual Perception. 1974 ed. Berkley and Los Angeles: University of California Press.
Arnheim, R., 1974. Entropy and Art: An Essay on Disorder and Order. Los Angeles: University of California Press.
Arnheim, R., 1988. The Power of the Center. Berkley and Los Angeles: University of California Press.
Assocation, T. W. H. H., n.d. www.whitehousehistory.org. [Online] Available at: https://www.whitehousehistory.org/questions/what-is-the-resolute-desk-and-where-did-it-come-from
[Accessed May 2020].
Baudrillard, J., 1983. The Ecstacy of Communication. In: H. Foster, ed. The Anti-Aesthetic. Washington: Bay Press, pp. 126-134.
Baudrillard, J., 1994. Simulacra and Simulation. 1st edition ed. Michigan: University of Michigan Press.
Belgrade, C. H. P. I. o., 2013. New Royal Palace, Belgrade: Cultural Heritage Preservation Institute of Belgrade.
Benjamin, W., 1969. The Work of Art in the Age of Mechanical Reproduction. In: H. Arendt, ed. Illuminations: Essays and Reflections. New York: Schocken Books.
Breton, A., 1924. Manifesto of Surrealism. s.l.:s.n.
Britannica, T. E. o. E., 2020. Reichstag. s.l.:Encyclopædia Britannica, inc..
Churchill, W., 1940. winstonchurchill.org. [Online] Available at: https://winstonchurchill.org/resources/speeches/1940-the-finest-hour/their-finest-hour/
[Accessed May 2020].
Cobb, R., 2014. Introduction: The Artifice of Authenticity in the Age of Digital Reproduction . In: R. Cobb, ed. The Paradox of Authenticity in a Globalized World. New York: Palgrave Macmillan, pp. 1-9.
Colovic, I., 2002. The Politics of Symbol in Serbia: Essays in Political Anthropology. London: Hurst & Company.
CrisisGroup, 2009. Nurturing Instability: Lebanon’s Palestinian Refugee Camps. Beirut/Brussels: Crisis Group.
Dita, G., 2014. Ku ndodhet Deklarata e Pavarësisë së Kosovës?, Tiranë: Publikime Shqiptare.
Doxadis, C. A., 1963. Architecture in Transition. New York: Oxford University Press.
etymonline, n.d. www.etymonline.com. [Online] Available at: https://www.etymonline.com/word/authentic
[Accessed May 2020].
Goode, J. M., 2010. Four Salutes to the Nation: The Equestrian Statues of General Andrew Jackson. White House History , Spring.
Government, T. P. a. I. O. o. t. F., 2020. Virtual tour of the Chancellery. [Online] Available at: https://www.bundeskanzlerin.de/bkin-en/chancellery/virtual-tour
[Accessed May 2020].
Griswold, C. L., 2020. Plato on Rhetoric and Poetry. s.l.:The Stanford Encyclopedia of Philosophy.
Haberman, M., 2017. A Homebody Finds the Ultimate Home Office. New York Times, 26 January.p. 14.
John B. Allcock, J. R. L., 2020. Serbia. s.l.:Encyclopædia Britannica, inc.
John R. Lampe, T. M. P., 2020. Serbia: Life in the Ottoman period. s.l.:Encyclopædia Britannica, inc..
Jung, C. G., 1981. The Archetypes and the Collective Unconscius. 2nd ed. London: ROUTLEDGE.
Kurti, A., 2020. Nw shtwpinw tuaj me duar tw pastra. Pristina: s.n.
Lefebvre, H., 1991. Critique of Everyday Life. London – New york: Verso.
Merkel, A., 2020. https://www.general-anzeiger-bonn.de/ga-english/news/angela-merkel-s-speech-about-the-corona-virus-in-full_aid-49639811. [Online] Available at: https://www.general-anzeiger-bonn.de/ga-english/news/angela-merkel-s-speech-about-the-corona-virus-in-full_aid-49639811
[Accessed May 2020].
Merriam_Webster, n.d. Merriam_Webster.com. [Online] Available at: https://www.merriam-webster.com/dictionary/aporia
[Accessed May 2020].
Nëntori i dytë. 1982. [Film] Directed by Viktor Gjika. Albania: Kinostudio Shqipëria e Re.
O’Connell, O., 2020. Call of Duty down: Game stops working for users around the world, New York: s.n.
Pantone, 2020. store.pantone.com. [Online] Available at: https://store.pantone.com/uk/en/color-of-the-year
[Accessed 11 May 2020].
Pauls, E. P., 2019. Trail of Tears. s.l.:Encyclopædia Britannica, inc..
Plato, 1997. Plato: Complete Works. In: J. M. Cooper, ed. Republic. Indianapolis: Hackett Publishing Company, Inc.
Qëndro, G., 2011. Gjuha pamore: Pjesa e parë. botime afrojdit ed. Tirana: s.n.
Rama, E., 2020. Rezistencë për ekzistencë. Komunikimi publik i Kryeministrit lidhur me situatën e pandemisë së Covid-19. Tirana: s.n.
Ricoeur, P., 1984. Time and Narrative. Chicago & London: The University of Chicago Press.
Ricoeur, P., 1984. Time and Narrative. Chicago & London: University of Chicago Press.
Rijke, A. & Teeffelen, T. v., 2014. To Exist is to Resist: Sumud, Heroism, and the Everyday. s.l.:s.n.
RPSSH, A. e. S. e., 1985. Fjalori Enciklopedik Shqiptar. Tiranë: Kombinati Poligrafik Shtypshkronja e Re.
Rrethi i Kujteses. 1987. [Film] Directed by Esat Musliu. Albania: Kinostudio Shqiperia e Re.
Stalin, J. V., 1941. www.tracesofwar.com. [Online] Available at: https://www.tracesofwar.com/articles/4628/Radio-speech-by-Stalin-03-07-1941.htm
[Accessed May 2020].
Thompson, D., 2008. Railway Noise and Vibration: Mechanisms, Modelling and Means of Control. s.l.:Elsevier.
Trump, D., 2020. www.rev.com. [Online] Available at: https://www.rev.com/blog/transcripts/donald-trump-speech-transcript-on-coronavirus-ban-on-europe-travel
[Accessed May 2020].
Vitruvius, M., n.d. De Architectura, Book IV. s.l.:s.n.
Vogel, K. P., 2018. Trump Leaves His Mark on a Presidential Keepsake. Washington: The New York Times.
Vucic, A., 2020. CGTN. [Online] Available at: https://www.youtube.com/watch?v=P42OrsA045M
[Accessed May 2020].

Rreth Autorit

Arkitekt, diplomuar si në La Sapienza të Romës, Doktoruar në Universitetin e Ferrarës dhe Universitetin Polis në Tiranë ku edhe është pedagog.

Author Archive Page

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin