SYZE DIELLI PAS PERËNDIMIT

nga Edon Qesari

Në polemikat e shtrira vertikalisht që ndoqën bujën e artikullit të revistës Science mbi origjinën e gjuhëve indo-evropiane, më ka rastisur të has një sërë pohimesh të cilat, në fakt, janë si biçim përfundimesh të paparaprira nga ndonjë argumentim, e që kanë marrë trajtë stilemash të mirëfillta. Pas tyre mund të shquhet, ku lehtësisht dhe ku me thjerrë, shtrati i një manierizmi kombëtarist që në mos do të rrjedhë, me siguri do të pikojë.

Zakonisht, janë pohime të pajisura me pikëçuditëse fundore. Sidomos kur qëllimi i vëzhgimit të tyre vërtitet rreth lashtësisë së gjuhës dhe kulturës helene.

Nuk besoj se jam i vetmi që kam vënë re se Greqia, greqishtja dhe grekët – kuptohet, bashkë me galaksinë e tematikave që përcjell kombinimi apo qëndrimi më vete i secilit prej këtyre përbërësve – janë subjekt i parapëlqyer për dekonstruktime: mitesh, realitetesh, si dhe të vërtetash të supozuara.

Veç, për aq kohë sa këto subjekte, të dekonstruktueshme, besohet se përfaqësojnë Tjetrin!

Metodologjia nis të mos përdoret, a në rastin më të mirë, ajo nis të çalojë a të ndryshket, në çastin kur rolin e subjektit për t’u dekonstruktuar e merr Vetja. Lokucioni i double standards merr kësisoj vlerën e një gjykimi sjelljeje. Një sjelljeje tipike ndaj Tjetrit, në këtë rast.

Lexoj jo rrallë pohime të llojit – tekstualisht ose pak a shumë kështu: “Greqia nuk ekzistonte në antikitet”, “greqishtja është gjuhë e shpikur”, “nuk ka lidhje mes greqishtes së lashtë dhe asaj të ditëve të sotme”, “grekët e sotëm nuk janë pasardhës të grekëve të lashtë, por përzierje racash”.

Një pjesë e mirë e këtyre pohimeve, në rast se do t’iu hiqej kryefjala përkatëse (Greqia, grekët, greqishtja) e kjo do të zëvendësohej me një tjetër – bie fjala, me “Iliri”, “ilirë” apo “(proto)shqipe” – papritmas do të nxisnin reagime të forta. Kthjelltësia studimore do t’i linte vendin, në rastin më të mirë, një mungese objektiviteti. Apo një emotiviteti të shtuar.

Këto e shumë pohime të tjera të ngjashme qarkullojnë dhe shpeshherë ndërsehen kundrejt çdo qasjeje studimore që ia ka kursyer vetes pishtarin e kombëtarizmit teksa përparon drejt trevash të panjohura për dijen. Kështu ndodhte përpara se të botohej artikulli i Science (të cilin, muajin e fundit, një sërë shkrimesh këtu e kanë zbërthyer deri në kockë[1]); kështu ndodhi edhe pasi u botua, e shumë nga duartrokitësit as që morën mundimin ta lexonin por u mjaftuan me ndonjë status çmeritës në Facebook.

Natyrisht që “Greqia”, si qenësi politike (a si shtet në kuptimin bashkëkohor që i japim fjalës), nuk ekzistonte në antikitet. Fundja, cili shtet i ditëve të sotme dhe me karakteristika të farkëtuara nga nocioni i kombit, si në ditët e sotme – ekzistonte asokohe?

Ajo çka ndodh sot, në dijet e mediatizuara dhe të divulguara përmes rrjetit televiziv apo socials-ve shqip, është përthyerja e kohës: me një fjalë, merren kategori abstrakte apo praktika të ditëve të sotme dhe këto i mbivendosen një të shkuare – për ta shqyrtuar dhe nxjerrë vlerësime mbi atë të shkuar. Është njësoj si të marrësh një palë syze dielli dhe t’i përdorësh ato pas perëndimit: diçka do të shquash, por është e qartë se nuk është momenti i duhur për t’i vendosur mbi hundë; ato syze janë për tjetër orar.

Pastaj, nëse një ideologjie të mbrujtur me parashtresa primordialiste (e cila pohon se midis njerëzve të një populli të caktuar dhe pararendësve të tyre në po të njëjtin territor ka një vazhdimësi gjaku) ne do t’i kundërvinim argumentin e arsyeshëm, siç bëhet në rastin grek, se nuk ka lidhje mes njerëzve që jetojnë sot dhe atyre që kanë jetuar shekuj e shekuj më parë, se me kalimin e mijëvjeçarëve linja gjenetike (apo gjaku) natyrisht që “prishet” dhe vijimësia e këtij të fundit është një pretendim politik dhe assesi një fakt biologjik – përse po e njëjta metodologji dekonstruktuese e mitologjisë nacionaliste greke nuk mund të aplikohet edhe për rastin iliro-shqiptar? Përse grekët e vjetër qenkan “bërë pis”, gjatë rrjedhës së historisë, ndërsa ilirët, në rrugëtimin e tyre deri tek shqiptarët e sotëm, nuk na qenkan bërë?

Duke hedhur një vështrim më të gjerë se ai i turbo-nacionalizmave përkatës, si grekët ashtu edhe shqiptarët janë pjesë e të njëjtit pellg njerëzor; pjesë e të njëjtit Ballkan e akoma më tej, e të njëjtit Mesdhe, në të cilin popujt dhe kulturat përkatëse kanë lëvizur, janë shkëmbyer, janë urryer dhe kanë rënë në shtrat bashkë. Kjo punë për shekuj me radhë, trupërisht dhe mendërisht. Ashtu si çdo dhé mes skajesh, edhe Mesdheu, ka qenë dëshmitar pleksjesh, identitetesh që mohonin njëri-tjetrin, dhe identitetesh të tjera që lindnin nga pleksja dhe mohimi i identiteteve pararendëse. Dhe bijtë e bijat e mishmashit të parë, janë bërë mishmash me të tjerë. Iu ka humbur radha, e ç’është më qesharakja, kanë dashur pas shekujsh, deri në ditët e sotme, të gjejnë primatin.

Përpos, mbetet e gjithëpranuar, mes studiuesish dhe lexuesish të kthjellët, se termi “Greqi e vjetër” është një emërues i përbashkët për një gjeografi të caktuar njerëzore, brenda kufijve të lëvizshëm të së cilës, zhvilloheshin dinamika kulturore dhe sociale të caktuara, e që ishin pak a shumë të vetëdijshme për një lloj homogjeniteti.

Në të vërtetë, ajo çka dimë – si pasojë sidomos e një kulture të shkruar në idioma të ndryshme por jo të largëta njëra prej tjetrës – është se andej nga shekulli V para l.K., ndër elitat kulturore të kësaj gjeografie njerëzore, kishte një ndërgjegjësim pak a shumë të konsoliduar mbi ngjashmërinë/afrinë etnike mes, le të themi, Athinës dhe Spartës, apo Tebës dhe Miletit, apo Kërkyrës dhe Korinthit. Që do të thotë se shumëkush e dinte se popullatat përkatëse, të shpërndara në këtë topografi, ndanin shumëçka – të folme të përafërta, besëtytni tek të njëjtët zota (mbase me variacione mitologjike lokale), ceremoni laike dhe rite fetare gjithashtu të njëjta, lojëra olimpike ku merrnin pjesë dhe përballeshin bashkërisht, si dhe një frymë kulturore po ashtu të njëjtë.

Se përse gjithë kjo masë të dhënash antropologjike nuk përkthehej në një shtet të përbashkët për të gjithë grekët, në mënyrë që të mund të flasim për një “Greqi” në lashtësi në të njëjtën mënyrë siç flasim për të në bashkëkohësi – përgjigjen, një historian, mund ta japë në mënyrë gati foshnjore: sepse vetëdija etnike nuk ishte përkthyer në program politik; dhe do të duhet të kalojnë shekuj e shekuj para se të shpiket nocioni i “kombit” (edhe për grekët), i cili merr përsipër të kryejë këtë “përkthim”.

Natyrisht që “Greqia” në lashtësi nuk ekzistonte – siç nuk ekzistonte Italia, Franca dhe aq më pak Iliria. Nuk ka asgjë të re në këtë mes. Në të vërtetë, “Greqia” në lashtësi është një shumësi “greqish”, që flasin idioma të ndryshme, por që kuptohen mes tyre; që prodhojnë letërsi të ndryshme, por që frymëzohen dhe lexohen mes tyre; që zgjedhin zota të ndryshëm, por nga i njëjti Olimp; që krijojnë poleis të ndryshme, por që e quajnë njëri-tjetrin po grekë. Të pohosh se “Greqia” në lashtësi nuk ekzistonte, si unitet politik, nuk përjashton ekzistencën e një uniteti njerëzor të saj. Duke mbajtur gjithmonë parasysh, se ky unitet kulturor nuk duhet shtjelluar në terma modernë, të shekullit të XIX e mandej, të cilët nënkuptojnë një centralizim shtetëror pas një gjuhe, një polity, një tradite që gjallon apo një folklori që mblidhet.

Siç, me gjasë, ka qenë edhe një “Iliri”: mbi të cilën, pavarësisht se mund të hamendësojmë karakteristika të ngjashme të një gjeografie njerëzore, jemi më të stepur që të japim përgjigje për shkak të mungesës së një kulture të shkrimit (apo mospasjes së dëshmive të mjaftueshme për nga ana sasiore të një kulture ekzistuese shkrimi, të tillë që të na lejojë sot të bëjmë vlerësime mbi vetëdijen etnike të popullatave ilire në Ballkan, të ndërshkëmbimit gjuhësor mes tyre, të dallimeve të mëdha apo të vogla që mund të ekzistonin mes idiomave përkatëse). Pikërisht mungesa e dëshmive të një kulture të hedhur në shkrim – në mos, se nuk përjashtohet, mungesa e një kulture shkrimi tout court – i step historianët e gjuhës që të flasin me bindje përreth ndryshimeve që mund të ketë pësuar, përgjatë ecurisë historike të ngjarjeve, linja gjuhësore që shkon nga ilirishtja deri në arbërishten e shek. XV (atëherë kur na vijnë dhe dëshmitë e para të kësaj gjuhe).

Dhe meqë ra llafi për gjuhën, sigurisht që greqishtja e folur sot paraqet ndryshime të qenësishme me “greqishtet” e përdorura në lashtësi: me greqishten homerike, me atë dorike, me greqishten e tragjedianëve dhe filozofëve të Athinës së shekullit V para l.K. etj. Paraqet ndryshime, madje, edhe me greqishten e ashtuquajtur koiné (κοινή), njëfarësoj standardi, a lingua franca, që grekët nisën ta përdorin gjithmonë e më dendur në shekujt e fundit të antikitetit, pikërisht duke përzier forma të ndryshme dialektore, por të bazuar kryesisht në të folmen e Atikës, në të mirë të një komunikimi më të lehtë mes tyre dhe gjeografive përkatëse[2]. Dhe këto janë ndryshime të cilat, besoj, i takojnë çdo gjuhe që kapërcen shekujt dhe ngjarjet njerëzore që lidhen përgjatë tyre.

Veç kush ka fantazinë e pafre të një jo-gjuhëtari – por dhe guximin sypetrit të një lundërtari në internet – mund të imagjinojë se një folës i shqipes së sotme do ta kuptonte, qoftë dhe në një masë të vogël, të folurën e një banori të Ilirisë së lashtë.

Në këtë kuptim, pastërtia e gjakut, e akoma më pak e gjuhëve dhe kulturave është katërçipërisht në kundërshtim me vetë rrjedhën e kohës në Mesdhe e Ballkan; atje ku i vetmi ekuacion i pandryshueshëm në kohë është ndryshimi – konstant dhe i pandalshëm, nga njëri skaj në tjetrin, nga brigjet fenikase në shtyllat e Herakliut, nga Magrebi në ishujt e Egjeut, nga Joni dhe Adriatiku, në derdhjet e Nilit…

Veç përfytyroni sa pa kuptim historik është çdo lloj orvatje për të parë racë të pastër a gjenezë të adhuruar, për të shpallur identitete të pandryshuara në kohë, për të gjetur vjedhje gjuhësh dhe kulturash – kush ia ka vjedhur kujt një fjalë a një lëkurë – për të gjetur stërgjyshër të cilët kanë qenë po njësoj si stërnipërit në gjak dhe në gjuhë.

© 2023 Edon Qesari. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

 

[1] Do të mjaftonin, në këtë drejtim, dy shembuj ndërhyrjesh, nga Ardian Vehbiu dhe Enkeleida Kapia, për të bërë të prekshme hapësirën e gjerë mes përmbajtjes së artikullit të Science dhe interpretimeve turbo-folk që e ndoqën në mediat tradicionale dhe sociale shqip.
[2] Koiné-ja është ajo që, nëpër rrjet, përmendet shpesh si “gjuhë e shpikur”; çka harrohet të shtohët është se çdo vendim standardizimi, që është në vetvete një marrëveshje politike, prodhon një shpikje gjuhësore – gjë që vlen për greqishten koiné në lashtësi, siç vlen dhe për çdo gjuhë tjetër edhe në ditët e sotme, përfshirë shqipen. Çdo gjuhë e standardizuar është e shpikur; apo thënë ndryshe, e rregulluar në tavolinë dhe e ndryshme nga varietetet vernakulare.

11 Comments

  1. Si tha G W Bush:Ne shpeshhere e gjykojme veten nga shembujt tone me te mire e te tjeret nga shembujt e tyre me te keqinj.Ne lidhje me greket ata shpeshhere shprehen me mosperfillje perbuzese ndaj shqiptareve dhe historise se tyre si rrjedhoje shume memedhetare me qellime te mira kunderpergjigjen sipas parimit patriotik :rrena luftohet me rrena .Tema e perceptimit semplist e foshnjarak te historise ne pergjithesi e te Greqise ne vecanti nuk eshte e re .Abaz Ermenji e permend kete ne librin e tij para 50 e ca vjetesh . http://www.ermenji.org/historia/chap31.html
    Ne kohen e sotme interneti i jep mundesine atyre qe dine me pak te flasin me shume e besoj se artikujt qe debunk mitet e rruges jane te mjaftueshme duhen me teper artikuj qe te hedhin drite mbi historine e Shqiperise sepse ka shume pika te erreta .

  2. Muhabet kot ose naiv ( dhe shume i rrezikshem ne vetvete), sepse dihet fare mire qe dialektet e greqishtes, nuk vijne nga dialektet e greqishtes se vjeter, por direkt nga koineja e shkruar qe ne nje epoke analfabetizimi si mesjeta e sundimi osman mund te jene vetem produkt i kishes e deri diku administrates bizantine, mbi popullata historike gjeresisht sllave, shqiptare e vllahe qe kane banuar Greqine ne pothuaj gjithe hapesiren kontinentale te saj, e jo pak ishuj.

    Dialektet e greqishtes jane produkt zanafillisht libror, po aq sa e folura hebraike ne Izraelin e sotem,

    Keshtu qe nuk lejohet kurrsesi, absolutisht e papanueshme, cdo persiatje krahasuese me shqipen dhe shqiptaret qe jane produkte te pastra historike.
    Ne kete pike o duhet dale ne mejdan me gjithe arsenalin per te mbrojtur pikepamjet ose duhet heshtur, sepse eshte dicka me ndjeshmeri te madhe kombetare.
    Papergjeshmeria ne ceshtje te tilla, apo me keq dizinformimi i gjindjes sone, ka efekte shume negative ne qasjen ndaj ceshtjes kombetare dhe fatit te shqiptareve ne Ballkan.

    1. Komenti më i këndshëm, në të gjitha këto raste, është ai që shoqërohet me frazën “dihet fare mirë”. Se nga kush, se prej ku… asnjëherë nuk thuhet.

      Koiné-ja ka një histori më të hershme se periudha historike bizantine, që shkon së paku në periudhën helenistike. Aristoteli shkruante në koiné, psh. Por, duke qenë kjo e mbështetur më së shumti në të folmen e Atikës, rezulton se edhe letërsia klasike athinjote e shek. V (tragjediografët e mëdhenj, si dhe shkollat filozofike post-sokratike) janë lëvruar në një lloj koiné-ja të pastandardizuar ende. (Mbi këto dhe të tjera, në formë divulguese, The Oxford Companion to Classical Civilization, botim i Oxford University Press, 2014). Kështu që fjalia “dialektet e greqishtes janë produkt zanafillisht libror” nuk e di se ku bazohet – dhe as se ç’do të thotë xhanëm (nëse vërtet do të thotë diçka).

      Akoma më enigmatike është fraza “me shqipen dhe shqiptarët që janë produkte të pastra historike”. Mbase edhe arrij ta rrok atë që doni të thoni, por e thoni kaq keq, e me terma kaq të gabuar.

      1. Fakti qe ti nuk e di eshte njefare befasie per mua, sepse dihet fare mire i referohej nje grupimi qe eshte marre me keto ceshtje, te pakten aq sa te marrin guximin te shkruajne dicka.
        Perndryshe duhe ta menjanojme nga shqipja shprehjen dihet fare mire, pasi gjithnje del ndokush qe nuk di ne lidhje me subjektin e zgjedhur.

        Koineja ka prodhuar dialektet e veta duke filluar me shek 3 p.l.k, te cilat vijojne te fliten edhe sot, pra nje gjuhe e shkruar duke iu imponuar folesve, ka prodhuar dialekte te folura, qe do te thote se dialektet greke jane produkt zanafillisht libror.

        Ketu ska asgje te veshtire per t’u kuptuar. Dialektet apo variantet e folura te anglishtes ne Amerike jane po njesoj me zanafille librore (heqim bregun lindor ku ka perqendrim te madh anglezesh).
        Ka plot shembuj te tilla, te pakten po aq sa ka kolonizime, ku nje gjuhe e shkruar ngulitet nepermjet administrates dhe kishes. Cdo variant i asaj gjuhe ka zanafille librore.

        Per t’u kthyer te greqishtja, koineja eshte perdorur per te greqizuar popullatat sllave, shqiptare dhe vllahe, sepse ne epoken romake gjuha e administrates ishte latinishtja dhe dialektet e lashta greke ishin si kokrra e molles. Me ripushtimin e Greqise nga Romania ( Roma e Lindjes) ne shek 9, filloi nje proces greqizimi, si nepermjet kthimit ne te krishtere te sllaveve, si nepermjet administrates, e cila prej Justinianit te Madh, kishte futur greqishten e shkruar.

        Ketu kane zanafillen edhe dialektet e greqishtes se sotme, sado te bejne studime pas studimesh se flitej koineja neper ca keshtjella bregdetare ne duart e Romanise e fshtatrat perreth.

    2. Nuk ka kuptim kjo që thua. Greqishtja është folur pa ndërprerje dhe gjerësisht në Ballkan dhe në Azinë e Vogël, nga antikiteti në ditët e sotme. Ka qenë gjuhë e parë (gjuhë nëne) për një pjesë të madhe të popullsisë – dhe kjo i parakupton edhe diferencimet gjeografike (të folmet, dialektet). Ka studime që gjejnë elemente kontakti nga aramaikishtja në greqishten e Dhjatës së re, e cila ishte një formë relativisht vernakulare e greqishtes. Natyrisht, duke qenë koineja gjuhë administrative, dhe e përdorur si lingua franca anembanë Perandorive (Romake, pastaj Bizantine), mbase ushtronte edhe efekt frenues ndaj harlisjes së dialekteve, krahas me greqishten e librave të shenjtë. Duhet të mësohemi ta përfytyrojmë greqishten, në shekuj, si gjuhë të ndikuar FORT nga shkrimi – përfshi edhe efektet njëtrajtësuese të shkrimit; por kjo nuk e bën gjë artificiale dhe as të krahasueshme me hebraishten e sotme.

      1. Nuk e imagjinoj dot, sepse s’ka nje gjuhe greke, por 3 gjuhe greke, packa se duan qe dy te tilla te jene dialekte te gjuhes zyrtare, gje e pamundur sepse si jonishtja e Detit te Zi, si cakonishtja, burojne nga dialekte antike drejtperdrejt; jonishtja nga dialekti jonik dhe cakonishtja, ndoshta nga dorishtja ( ndoshta nga arkadishtja, apo ndonje dialekt tjeter i Peloponezit).

        Kemi dy gjuhe greke natyrore, jonishtja e cakonishtja dhe nje gjuhe greke artificiale, gjuha zyrtare, gjuha e kishes dhe e administrates ne te cilen jane asimiluar, sllavet shqiptaret dhe vllehet ne Ballkan, por edhe popullatat e Azise se Vogel, bitinet, lidet, karet e deri tek kapadoket.

        E folura e panderprere eshte per tu verifikuar se ku, ne cilen zone te Greqise kontinentale, me perjashtim te zones se cakonishtes, ku me siguri ka te folur te panderprere, por jo te koinese.

        Ku flitet sot gjuha zyrtare shqipe, ne cilen zone ka katunde qe flasin shqipen zyrtare ? Ne cilet katunde te Italise flitet italishtja zyrtare, ne cilet katunde te Anglise flitet anglishtja zyrtare ?

        Nuk po merrem me sa artifica nevojiten neper gjuhet e shkruara, por me faktin qe ka gjuhe greke natyrore, historike, si jonishtja dhe cakonishtja, ka edhe gjuhe artificiale si greqishtja zyrtare qe u mesohet popullatave te tjera, ashtu si kane 70 vjet qe hebraishtja e shkruar u mesohet banoreve te Izraelit.

        Kjo eshte gjeja qe duhet te mesohemi te perfytyrojme ne lidhje me greket, dhe asnjehere te mos merremi me krahasime shqipen dhe me shqiptaret.

        1. Po pse e quan koinenë “gjuhë artificiale”? Koineja nuk është gjuhë artificiale, por produkt i rrethanave historike (lëvizjet e popullsisë, alfabetizimi). Nuk është se e vendosi një autoritet, që koineja të zëvendësonte dialektin lokal. U adoptua vetvetiu. Koineja është po aq e natyrshme sa dialekti, por me karakteristika të tjera nga dialekti gjeografik.

        2. E kemi diskutuar vite me pare ceshtjen e nderhyrjeve te forta te autoreve te lashte greke ne gjuhe, perfshire gramatiken.
          Nderhyrjet e autoreve ne gjuhe vazhdojne edhe sot, si psh Sait Saiti qe beri nje shkrim, me nje gjuhe qe eshte shqip, por qe nuk e flet askush ( vete Saiti, po nuk e mesoi permendesh nuk thote dot nje paragraf). Nqs gjuhen e Saitit fillojne e flasin njerezit, mund te krijohen dialekte apo variante, te cilat do jene me zanafille librore , por edhe artificiale sa gjuha e Seitit.

          Tani le te imagjinojme qe Seitet e lashtesise greke fusnin edhe njesi te reja gramatikore, cfare perfundimi duhet te nxjerrim ?

  3. “Keshtu qe nuk lejohet kurrsesi, absolutisht e papanueshme, cdo persiatje krahasuese me shqipen dhe shqiptaret qe jane produkte te pastra historike”
    Define “produkte te pastra historike”?

  4. http://ins.web.auth.gr/images/MEG_PLIRI/MEG_29_315_324.pdf
    Mendoj se shkrimi i mesiperm, marre nga Studies in Greek Linguistics, nr. 29 (2009), botim i Institutit te Studimeve Neohelenike te Universitetit Aristoteli te Selanikut, mund te ndihmoje per ftillimin e gjerave.

    Te me lejohet, lidhur me shkrimin e Edion Qesarit dhe diskutimet qe ka ngjallur, te shtoj se: e para, koine-te jane kryesisht produkt i faktoreve jashtegjuhesore; e dyta, edhe ketu, gjate studimit te historise se gjuhes, u jepet perparesi ndryshimeve te gjuhes se folur dhe jo aq gjuhes se shkruar, e cila, ne rastin e greqishtes, ka qene thellesisht konservative dhe mosperfillese ndaj ndryshimeve te gjuhes se “vulgut”.

    Dhori Q. Qirjazi

    1. Ju falënderoj për shkrimin e sugjeruar.

      Bie dakord me dy pikat që ju parashtroni. Fundja, një gjuhë e shkruar është, a posteriori, rezultat i një kodifikimi. Dhe si çdo kodifikim (gjuhësor, juridik, qoftë dhe social), qëllimi mbetet ai i shmangies/frenimit të dinamikave njerëzore. Siç shkruante Hannah Arendt, ligjet përpiqen të ndalin ndryshimet e sjelljeve që janë të natyrshme mes dy brezash të ndryshëm. Çka bën që synimi i një kodi është të ndalë kohën. Prandaj ai është në vetvete konservator.

Comments are closed.