TA BANALIZOSH KONFLIKTIN

Me acarimin e konfliktit – fatmirësisht në distancë – mes “Akademisë” dhe turbo-albanologëve, shtohen edhe kërkesat për ballafaqime të palëve në televizion; kërkesat vijnë sa nga turbologët vetë, aq edhe nga tifozët e emisioneve TV që janë vënë në shënjestër për promovim të pseudo-shkencës dhe nga qarqe të tjera, në dukje të paanshme, që sjellin e risjellin argumentin se “është e drejta e këtij” apo“e atij”.

Dua të provoj të shpjegoj pse këto “ballafaqime” janë pa kuptim.

Përballjet para një publiku sot i ndesh më shumë në politikë, sipas një modeli të importuar nga fushatat elektorale amerikane; ku ideja është që dy a më shumë kundërshtarë të hyjnë në duel para zgjedhësve që këta pastaj të vendosin se kujt t’ia japin votën. Në këto lloj eventesh, fitoren e vendos populli, masa e zgjedhësve ose e votuesve; edhe pse moderimi u lihet zakonisht në dorë gazetarëve (mediave).

Por debatet për çështje akademike nuk bëhen për të fituar zemrat e publikut dhe as ka ndonjë farë rëndësie se çfarë mendon shumica (ose pakica) për çështjet në rend të ditës; madje edhe atëherë kur ka një masë njerëzish të interesuar të marrin vesh “të vërtetën”.

Në qytete italiane të shekullit XVI dhe XVII (Firenze, Pisa, Siena) u pat krijuar një traditë e “dueleve” mes matematikanëve, ku pjesëmarrësit matnin forcat në zgjidhjen e problemeve të koklavitura që ia jepnin njëri-tjetrit; duelet ishin publike, ndiqeshin me entuziazëm dhe fitimtarët shpesh përfitonin pastaj edhe financiarisht, sepse pajtoheshin si tutorë nga familje të pasura lokale.

Ka hyrë në analet e matematikës, një duel mes Niccolò Fontana Tartaglia and Gerolamo Cardano në 1539 rreth zgjidhjes së përgjithshme të ekuacioneve kubike (të gradës së tretë), që deri atëherë mbahej si një nga sfidat më të vështira të fushës.

Tartaglia fitoi, por – pa hyrë në hollësi – që të ndodhte kjo, duhej që fitoren t’ia njihte humbësi Cardano; dhe ky mirëkuptim ndodhi ngaqë edhe njëri edhe tjetri nga duelantët operonin me metodat dhe rregullat standard të matematikës së asaj kohe. Të dy do të kishin qeshur me lot (ose do të kishin bërë edhe kryqin, xhanëm), po t’u kish propozuar ndokush që fitimtarin ta vendoste – me votë të lirë – publiku; sepse publiku kish ardhur aty për t’u argëtuar, jo për të gjykuar saktësinë e metodave dhe të formulave të zgjidhjeve të ekuacionit kubik.

Madje jo vetëm fitoren, por edhe duelin vetë e pat mundësuar pranimi – prej dy duelantëve – i kornizimit algjebrik mbi të cilin do të ofroheshin dhe gjykoheshin provat; përndryshe, sikur njëra prej palëve të mos pranonte, për shembull, metodën standard të llogaritjes së rrënjës kubike, debati nuk do të mund të ndodhte. Dhe kjo sepse palët që debatojnë për argumente të dijes duhet të bien dakord për premisat e përgjithshme të debatit; rregullat e deduksionit dhe të logjikës; vlefshmërinë e traditës dhe të arritjeve të tjera të fushës; e kështu me radhë. Për shembull, nuk mund të debatojë për formulat e përgjithshme të zgjidhjes së ekuacionit kubik një “dijetar” që nuk e pranon metodën e zgjidhjes së ekuacionit të shkallës së dytë (kuadratik); ose që shumëzimi i dy numrave negativë jep një numër pozitiv.

Tani, debatet që kërkojnë turbologët dhe aleatët e tyre në media nuk e plotësojnë këtë kriter minimal të kornizimit të pranuar; sepse disa nga turbologët (për shembull Agron Dalipaj por jo vetëm) haptazi e deklarojnë se metoda historike-krahasuese ka dështuar që të gjejë etimologjinë e fjalëve dhe punimet e etimologëve që e përdorin njëlloj janë të pavlera. Kjo palë kësisoj refuzon jo vetëm rezultatet e dijes akademike konvencionale, por edhe vetë metodën dhe premisat e saj. Prandaj debati serioz me ta nuk do të sjellë asgjë tjetër, veç një efekti argëtues në publikun televiziv, të krijuar dhe të organizuar nga televizionet që rrojnë me këto lloj spektaklesh.

Për më tepër, nuk kuptohet se kush mund ta moderojë një debat a ballafaqim të tillë, të themi mes një historiani të shqipes nxënës e vazhdues i Çabejt dhe ndjekës i metodës historike-krahasuese, dhe një turbologu që përdor metodën rrokjezuese të interpretimit të fjalëve. Unë nuk di të ketë sot ndonjë gazetar dhe aq më pak ndonjë moderator televiziv, që të jetë në gjendje të orientohet mirë në etimologjinë (tradicionale) të shqipes; sikurse nuk di të ketë ndonjë specialist të historisë së gjuhës shqipe, që të pranojë të moderojë dhe të arbitrojë, me paanësi, një ballafaqim hipotetik të një kolegu të tij me turbologun.

Ndryshe nga debatet me natyrë politike, në të cilat debatuesit i flasin njëri-tjetrit, por gjithnjë duke pasur publikun në fokus, në ballafaqimet mes dijetarëve publiku e shumta mund të dëgjojë dhe të përpiqet të kuptojë diçka; një etimolog nuk synon gjë të bindë masat e gjëra, se metoda e tij historike-krahasuese është ajo e duhura; por pret, si profesionist i specializuar, që publiku i paspecializuar thjesht t’ia njohë autoritetin profesional. Shkenca dhe dija në përgjithësi, veçanërisht në humanitetet, nuk gjykohen me votën e shumicës dhe as kërkojnë mbështetjen e saj. Edhe turbologët e fillojnë duke kërkuar, zakonisht pa sukses, që të legjitimohen nga strukturat institucionale të dijes; por ngaqë nuk arrijnë dot, i drejtohen pastaj “popullit” (“sovranit”), gjë që nuk mund ta bëjnë veçse me argumente populiste, të tilla si “shqipja është gjuha më e vjetër”, “gjuha hyjnore”, “Iliada është shkruar në shqip” dhe të tjera gjepura të ngjashme.

Për këtë arsye, edhe ballafaqimi që kërkojnë turbologët nuk mund të jetë veçse politik, ose i tillë që të supozojë arbitrim prej një publiku që e ndjek dhe e gjykon; çfarë edhe do ta bënte vetvetiu absurd; ose t’u ngjajë gjyqeve anti-intelektuale të kohës së Revolucionit Kulturor në Kinën e Maos; ose “kritikave” që ia bënin dijes albanologjike bandat e kontrollit punëtor dhe fshatar në Shqipërinë e viteve 1960-1970.

Mediat, nga ana e tyre, mund të mos frymëzohen drejtpërdrejt nga interesat politike, kur vjen puna për çështje të holla të dijes; por ato gjithnjë nuhatin orientimin e masave të gjëra dhe e kanë pikasur tashmë interesin në rritje, veçanërisht në rrjetet sociale, për gjuhësinë, historinë dhe arkeologjinë alternative; i cili interes i kundërvihet haptazi jo aq dogmës ideologjike kombëtariste, sa elitave akademike, të cilave u ish besuar interpretimi i kësaj dogme deri më sot; aq sa të duket ndonjëherë sikur synimi i këtyre të gjithëve, turbologë dhe media bashkë, nuk është aq të rishkruajnë historinë e shqipes dhe të shqiptarëve, sa të përmbysin hierarkitë akademike të deritashme dhe të rrëzojnë të gjithë ata që, formalisht dhe ndonjëherë edhe me zemër, vazhdojnë traditën albanologjike të konsoliduar gjatë dy shekujve të fundit. Me fjalë të tjera, turbologët dhe aleatët e tyre në media besojnë se dija albanologjike – ashtu siç përpunohet dhe riprodhohet në institucionet përkatëse – nuk po i shërben siç duhet kombëtarizmit të sotëm populist dhe folklorik. Kjo shpjegon mbase edhe suksesin popullor të së gjithë atyre, të cilëve u mungon përgatitja dhe specializimi për t’u marrë me temat me të cilat merren, dhe për të cilat duan të bëjnë debat.

Natyrisht, ballafaqimi – aq më tepër televiziv – nuk është as standardi i artë i lirisë së fjalës, as forma e vetme e përplasjes së ideve. Në mediat, madje edhe në ato elektronike, nuk kanë munguar përpjekjet për t’iu kundërvënë turbologjisë me argumente të kuptueshme për lexuesin jo-ekspert; te “Peizazhe të fjalës” janë botuar me dhjetëra artikuj, ese dhe shkrime të tjera, kundër qasjeve alternative dhe kritikave që i bëjnë turbologët historisë së gjuhës, etimologjisë dhe fushave të afërta me to. Programe të televizionit publik, si ADN i drejtuar nga Ilir Yzeiri, shumë herë u kanë dhënë hapësirë temave të tilla, duke u kërkuar mendime specialistëve. Ka, pra, një debat i cili zhvillohet në distancë, dhe që synon kryesisht mendjet e atyre që duan të orientohen më mirë dhe të kuptojnë diçka më shumë, në rrethanat kur institucionet tradicionale të dijes dhe të popullarizimit të saj, përfshi këtu Akademinë e Shkencave, Universitetin e Tiranës dhe Ministrinë e Arsimit nuk e kanë bërë punën e tyre.

Ballafaqimi televiziv, gjithsesi, do të ishte – në rastin më të mirë – koncesion.

© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Shënim: imazhi kopertinë është krijuar me Midjourney.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin