Para disa pak ditësh, më quajtën “përkthyes” në thelb për të më poshtëruar; ndoshta, në një kontekst tjetër dhe për të njëjtin qëllim, do të më kishin quajtur “mësues”. Mendova se ky që më quajti kështu, pa dashje më bëri komplimentin më të madh që mund t’i bëhet një punëtori të mendjes, meqë nuk ka profesion dhe vokacion më sublim, në lëmin e ideve, se ai i përkthyesit.
Mendova që krejt tradita e lashtë greke, latine, hebraike, arabe, indiane dhe kineze i ka ardhur botës nëpërmjet përkthyesve; mendova që në shumë kultura përfshi shqipen librat e parë janë përkthime; mendova se të gjithë ne, sot, sundohemi mendërisht nga ligjërime të përkthyera; mendova se aq më e vërtetë është kjo për kultura si jona, të cilat janë ndërtuar tullë pas tulle nga përkthyesit.
Përçmimi për përkthyesit është prova e parë, e turpshme, e asaj që disa prej nesh kanë mbetur primitivisht peng e folklorit dhe virtytit origjinal të dijetarit profet e shpellar, ide këto që i kemi trashëgim prej romantizmit. Ne ende përgjërohemi për poetin dihatës dhe demagogun përrallëtar, duke harruar sa u detyrohemi – për gjithçka në kulturë – përkthyesve.
Ishin këta që sollën, ndër shqiptarë, filozofinë e lartë dhe logjikën dhe vizionet e përpunuara nga njeriu gjetiu – në Lindje dhe në Perëndim; letërsinë historinë dhe shkencën; përkthyes ishin edhe ata që i dhanë Shqipërisë moderne ligjet dhe i mësuan si të ndërtojnë institucionet; ishin përkthyes ata që e ulën shqipen në bangot e shkollës dhe e mësuan si të familjarizohet me qytetërimet dhe të ligjërojë mes tyre.
Përkthyesi është magjistari që ndërmjetëson mes të pandërmjetësueshmeve; dhe që mundëson paqen mes dy a më shumë botëve që përndryshe nuk do të komunikonin dot mes tyre përveçse me vdekje. Përkthyesi është gjesti unik dhe universal i shtrëngimit të duarve mes luftëtarëve që deri atëherë kishin mbajtur në ato duar armët.
Përkthyesi na pat dhënë librat e Homerit, të Eskilit, të Platonit, të Virgjilit; dhe më tej të Dantes, të Cervantesit, të Shekspirit, të Hygoit, të Tolstoit; dhe më tej të Kafkës dhe të Borges-it dhe të Proust-it; përkthyesi na pat dhënë tekstet me të cilët mësuan profesionin e tyre mjekët, fizikanët, inxhinierët dhe arkitektët; përkthyesi na pat dhënë dhe na jep fjalët, me të cilat bëjmë tonat sendet dhe idetë mahnitëse, që nxjerr në brigjet tona deti.
Kam jetuar afër shtëpisë botuese “Naim Frashëri” në Tiranën e viteve 1960-1980, dhe jam ndeshur kaq herë në rrugë me avatarët shqip të Bocaccio-s, Defoe-s, Suiftit, Balzakut, Stendalit, Turgenjevit, Çehovit, Zhyl Vernit, Hashekut – mësuesve dhe tutorëve të zbutjes sime dhe të integrimit në mendjen universale.
Kultura të brishta, si jona, nuk janë gjë tjetër veç kulte të përkthimit; e them këtë pa guxuar të kaloj më tutje dhe të quaj me emrin e duhur, përkthime, të gjitha ato institucione dhe praktika sociale që kemi mësuar nga bota: nga kushtetuta dhe shteti, tek të drejtat e njeriut, pluralizmi dhe demokracia; dhe të gjitha ato përdorime teknologjish që sot i quajmë qytetërim. Që e refuzojmë ta pranojmë këtë, kjo vetëm tregon që kemi ngecur në fazën foshnjore të megalomanisë – ku e gënjejmë veten me iluzionin bombastik të origjinalitetit dhe mburremi akoma me “ç’i kemi dhënë ne botës”.
Pasi më quajtën përbuzshëm “përkthyes”, pyeta veten nëse e meritoj këtë titull; që supozon anëtarësi sublime në një elitë tepër modeste, për t’u kapardisur në tribunat e krenarisë kombëtare. Mendova se përkthimi është diçka që e kam bërë gjithë jetën; me bindjen se ky ka qenë misioni im dhe detyrimi im ndaj të gjithë atyre që më lejuan të formohesha mendërisht, më parë në Shqipëri dhe pastaj gjetiu. Mendova se është pengu i pashmangshëm i përkthyesit që të ndëshkohet për asketizmin e vet intelektual duke u nëpërkëmbur.
© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi është krijuar me Midjourney.