Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë / Letërsi / Përkthim

THJESHTËSIA E RRENËS

Ç’imazh i Shqipërisë totalitare qarkullon sot ndër intelektualët në Perëndim?

Një përgjigje për këtë m’u duk se gjeta në faqet e para të një libri të David Bellos, për antropologjinë kulturore të përkthimit (Is That a Fish in Your Ear?: Translation and the Meaning of Everything, Faber & Faber, October 2011).

Shqipëria komuniste shfaqet në libër që në fillim, kur autori, vetë përkthyes i njohur, diskuton ato rrethana ose kontekste sociale, të cilat e bëjnë përkthimin të panevojshëm. Mes këtyre, dhe pikërisht pas multilingualizmit dhe njësimit të gjuhëve, vjen në vështrim izolimi, ose mbyllja e një kulture në vetvete, çka nënkupton ndërprerjen e marrëdhënieve me kultura të tjera dhe, për pasojë, edhe zhdukjen e nevojës për përkthim.

Këtu Bellos përmend Shqipërinë e Enver Hoxhës, dhe rrugën e saj drejt izolimit të plotë, të cilin e arriti, sipas autorit, në fund të viteve 1970, pas prishjes me Kinën post-maoiste.

Shkruan Bellos [f. 20-21]:

[P]ati një moment, në fillim të viteve 1980, kur në Shqipëri nuk kishte më shumë se një dyzinë të huaj (duke përfshirë edhe personelin diplomatik). Televizioni [vendës] transmetonte në valë të tilla që të pengohej marrja e kanaleve të huaja; përktheheshin vetëm ato libra që konfirmonin pikëpamjet e Shqipërisë për vendin e saj në botë (dhe nuk kishte shumë të tilla); libra të huaj nuk importoheshin; shkëmbimet tregtare ishin po aq të kufizuara sa edhe shkëmbimet kulturore dhe gjuhësore […] Gjysmëshekulli i izolimit të vullnetshëm të Shqipërisë tregon se grupe relativisht të mëdha njerëzish ndonjëherë janë gati të heqin dorë nga të gjitha përfitimet e supozuara të shkëmbimeve ndërkulturore.

Për këtë vizion, Bellos i referohet librit Boulevard Staline. Chroniques albanaises, nga Elisabeth dhe Jean-Paul Champseix (Paris: La Découverte, 1990); edhe pse, si përkthyes i Ismail Kadaresë në anglishte, ai duhet të ketë marrë informacione për Shqipërinë edhe nga shumë burime të tjera, duke përfshirë edhe veprën e Kadaresë vetë.

Natyrisht, duke filluar që prej vitit 1961, ose prishjes së madhe me kampin socialist, Shqipëria u mbyll në vetvete, njëlloj si diktatori i saj; autarkia e vendit dhe paranoja e Enver Hoxhës ishin dy anë të një medaljeje. Marrëdhëniet me botën u reduktuan në një minimum të domosdoshëm; çfarë përfshinte edhe shkëmbimet kulturore, të cilat i përmend Bellos-i, meqë lidhen drejtpërdrejt me përkthimin.

Megjithatë, tabloja e mësipërme krijon një imazh të gabuar, për gjendjen e vërtetë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, në marrëdhëniet me botën.

Është ironike, në këtë kontekst, që Bellos i referohet një libri të shkruar nga dy profesorë francezë, të cilët bash në ato vite të izolimit, kanë dhënë mësim në degën e frëngjishtes, të Fakultetit Histori-Filologji, në Tiranë. Edhe prania e atyre dy francezëve, mysafirë zyrtarë nga një galaktikë tjetër, meriton vëmendje; sikurse meriton vëmendje profesioni i tyre që ushtronin në Shqipëri: gjuha dhe letërsia frënge; dhe nëse regjimi i kish sjellë këta në Tiranë, kjo tregonte se izolimi shqiptar, në periudhën totalitare, nuk ka qenë aq i thjeshtë, sa ç’mund të duket nga jashtë.

Enver Hoxha kish një dobësi personale për gjuhën dhe kulturën frënge; dobësi që u kthye në bekim për të gjithë ne të tjerët – sepse ashtu e kaluam rininë duke lexuar Balzac-un, Hugo-in, Stendhal-in, Flaubert-in, Dumas-in, Verne-in, Mérimé-në, France-in, Maupassant-in, Zola-në, Daudet-në dhe të tjerë autorë të shquar francezë të shekullit XIX. Ndoshta këtu duhet kërkuar edhe arsyeja për praninë e dy profesorëve të gjuhës, të letërsisë dhe të kulturës franceze, në universitetin e Tiranës; të cilët kishin ardhur aty së bashku me një bibliotekë – të vogël por të mrekullueshme. Krahas letërsisë franceze, edhe ajo angleze/amerikane ishte e pranishme me një mori titujsh: nga Shakespeare, Swift, Crusoe, Dickens, Scott, Thackerey, Shaw, Fenimore-Cooper, London, Twain, Hemingway; pa përmendur letërsinë ruse, me Tolstojn, Turgenjevin, Çehovin, Gogolin.

Të gjithë këta autorë kërkonin përkthyesit e tyre; dhe përkthyesit nuk mungonin; madje, kur të shkruhet për së mbari historia e formimit të shqipes letrare, atëherë do të dalë në dritë, me siguri, roli i dorës së parë që kanë luajtur aty përkthyesit.

Megjithë izolimin e thellë politik dhe ideologjik dhe kulturor të Shqipërisë në vitet 1973-1985, kontaktet me kulturat e huaja nuk është se u ndërprenë; në librari dilnin herë pas here përkthime të reja; televizioni shqiptar transmetonte filma të huaj, të marrë nga RAI dhe nga BBC-ja; tek-tuk ndonjë film i huaj, francez ose italian, dilte edhe në kinema.

Çfarë ndodhi, dhe që Bellos-it duket se i ka shpëtuar, ka të bëjë me sinkronizimin kulturor të këtyre shkëmbimeve. Mund të thuhet, pa gabuar shumë, se në asnjë vend të Europës dhe të botës nuk lexohej Balzac-u dhe Hugo-i si në Shqipëri; ku Iluzionet e humbura dhe Katedralja e Parisit dhe Shkëlqimi dhe rënia e kurtizaneve të Parisit dhe Të mjerët ishin best-sellers, duke shitur me dhjetëra mijëra kopje, që fluturonin prej rafteve të librarive brenda ditës. Shqipëria ishte izoluar ndaj botës bashkëkohore, por kanalet e komunikimit me botën e një shekulli më parë i kishte mbajtur të hapura për bukuri. Çdo vit dilte ndonjë libër i ri nga Stendhal-i ose nga Dickens-i; a thua se komunikonim me një Europë të shekullit të XIX; duke e shpërfillur atë tjetrën, që ekzistonte bashkëkohësisht me Shqipërinë. Përndryshe, disa breza me radhë atje janë rritur e ushqyer me Tre shokë të Remarkut dhe Ushtari i mirë Shvejk i Hashekut – dy romane të periudhës së brezit të humbur, në Europën qendrore.

Ky lloj izolimi nuk mund të krahasohet me atë të Japonisë në kohën e re (në periudhën Edo, ose midis viteve 1603 dhe 1848, të cilën e përmend Bellos-i); sepse ishte, në fakt, izolim selektiv, që kërkonte jo aq shkëputjen nga bota sesa vënien e plotë në kontroll të kontakteve me botën, nga ana e një regjimi totalitar, paranoid dhe ksenofob, si ai i Hoxhës.

Edhe libri i huaj, nuk është se nuk hynte më; pa çka se nuk gjendej dot në libraritë. Në bibliotekat mund të gjeje pothuajse të gjithë titujt me peshë; edhe pse një pjesë e mirë e tyre mbeteshin “të rezervuar” për kastën e intelektualëve dhe të teknokratëve. Kështu, në bibliotekën e Institutit të Gjuhësisë, të cilën e kam njohur mirë, gjeje literaturë të pasur në të gjitha gjuhët kryesore të botës; edhe pse rusishtja mbizotëronte, për arsye se librat sovjetikë kushtonin jashtëzakonisht pak. Po ashtu, specialistët më të shquar në të gjitha fushat i merrnin rregullisht revistat shkencore kryesore dhe më të rëndësishme, që botoheshin në Lindje dhe në Perëndim. Edhe një shtet totalitar specialistët e vet, teknokratët dhe ekspertët, në të gjitha fushat, i donte t’i kishte sa më të përgatitur; për këtë arsye specializimet në Perëndim nuk u ndalën kurrë, edhe në periudhat më të errëta dhe ksenofobike. Edhe një herë, preokupimi kryesor i regjimit ishte që t’i kontrollonte me imtësi këto kontakte me jashtë, jo t’i ndërpriste krejt.

Çfarë ishte ndërprerë totalisht, nuk ishte hyrja e informacionit nga jashtë – por dalja e informacionit nga brenda. Një specialist shqiptar i klasit të parë mund të lexonte literaturën më të re në fushën e vet, po të dëshironte; por e kishte pothuajse të pamundur që të komunikonte me kolegët e vet lirisht dhe të botonte, bie fjala, një artikull në një revistë shkencore të huaj. Në bibliotekën e Institutit të Gjuhësisë kishim koleksionin e plotë të revistës akademike rumune për çështje të gjuhësisë; por asnjë gjuhëtar i institutit nuk mund të dërgonte një artikull tek ajo revistë dhe aq më pak të merrte pjesë, për shembull, në një konferencë shkencore në Rumani.

Kjo do të thotë se komunikimi me jashtë ishte i gjymtuar; por jo se nuk ekzistonte.

E njëjta situatë vërehej edhe në lëmin e kulturës pop. Në Tiranë të gjithë e shihnin televizionin e huaj, sikurse dëgjonin edhe radion italiane (RAI) ose jugosllave. Kontakti me RAI-n italian ka luajtur rol thelbësor në formimin kulturor timin dhe të krejt brezit tim; dhe kjo dukuri nuk ka qenë e kufizuar vetëm në Tiranë, por është shtrirë anembanë Shqipërisë: në vijën bregdetare ndiqeshin stacionet italiane, më brenda vendit ndikimi italian vinte dhe ia linte vendin televizionit jugosllav; në jug shihej edhe televizioni grek. Një gazetar i huaj që pat vizituar Shqipërinë dikur në vitet 1980, shkroi se shqiptarët ishin “i vetmi popull i botës që e kalonin kohën e lirë në një vend tjetër”, duke iu referuar obsesionit tonë, në Tiranë, me gjithçka italiane. Aq e vërtetë është kjo, sa kur kam shkuar për herë të parë në Itali, miqtë e mi italianë shkriheshin gazit me mua, kur merrnin vesh se sa shumë çikërrima dija për kulturën e tyre pop, sportin, këngëtarët, televizionin.

Edhe një herë, ky komunikim i shqiptarit me botën – i penguar, i përçudnuar, i sakatuar nga censura, i përndjekur, i filtruar – pillte vizione të deformuara, groteske dhe ushqente një imazh pothuajse mistik për Perëndimin, si Tokë e Premtuar për shqiptarët. Rezultatet e këtij gjymtimi shpirtëror u panë pak vite më vonë, gjatë dramës së ekzodeve të mëdha të fillimviteve 1990.

Mirëpo, megjithatë, dhe për shkaqe të shumta duke filluar nga pozita gjeografike, izolimi kulturor i Shqipërisë nuk ishte aq i thellë sa ai i vendeve të tjera, përndryshe ndoshta më liberale dhe të hapura ndaj komunikimit me jashtë – p.sh. Moldavisë ose Ukrainës ose Gjeorgjisë; ose edhe Rumanisë e Bullgarisë. Totalitarizmi nuk arriti dot ta fashitë, ndër shqiptarët, etjen për Perëndimin, e cila vërtet shfaqej në forma nga më të çuditshmet dhe absurdet, por që ndihmoi për t’i ruajtur, gjithsesi, lidhjet tona me Europën.

Në vitet 1980 unë digjesha për të lexuar një roman të verdhë, ose për të parë një film erotik (pornografik), ose për të lexuar Sartre-in dhe Kafka-n; sot, përkundrazi, them se asnjë prej këtyre nuk do të më jepte aq shumë sa Balzac-u, Hugo-i, Scott-i, Dickens-i, Homeri, Çehovi, Tolstoj. Edhe vetë fakti që, pikërisht në atë periudhë izolimi total nga bota dhe autarkie ekonomike, përkthimi si veprimtari kulturore ua mbajti mendjen në vend shqiptarëve, duke u ofruar një alternativë ndaj veprave të Enver Hoxhës dhe filmit Brazda, tregon se totalitarizmi shqiptar nuk mund të kuptohet, as të intepretohet nëpërmjet anekdotave dhe budallallëqeve, të cilat ndonjëherë ne vetë ua rrëfejmë të huajve, për t’i habitur. Madje, madje, gjendjen e shqiptarëve nën atë regjim, sidomos në kohët më të errëta, mund ta krahasoj me atë të Dr. B., shahistit personazh të Novelës së shahut, të Zweig-ut; i cili e mësoi shahun deri në përsosmëri, vetëm e vetëm ngaqë një libër shahu ishte i vetmi që i ishte lejuar dikur në birucë, për muaj me radhë; doktorit fatkeq, të persekutuar prej nazizmit, të cilit shahu më parë ia shpëtoi jetën, por pastaj ia rrezikoi mendjen deri në marrëzi.

Pa Komente

  1. Eshtë i drejtë përfundimi se regjimi më i shqetësuar ishte për informacionin që dilte jashtë se sa për atë që hynte brenda, por dekretet e izolimit nuk kanë qenë me intensitet të njëjtë për çdo kohë.

    Personalisht mendoj se letërsia klasike u lejua jo më me shume për shkak të ndonjë pasion të vjetër të Hoxhës për atë periudhë letrare, sesa për faktin se ndonjëri prej tyre (autorëve) citohej e komentohej edhe nga vete Marksi dhe Engelsi.

    Dhe meqë filozofët ne fjalë i përdornin ne funksion te filozofisë së tyre, pra për të ilustruar « kalbëzimin » dhe fundin e shpejtë të kapitalizmit, atëhere kuptohet se në sytë e Hoxhës Balzaku e co. ishin edhe aleatë të politikës së tij, se sapo të vije këmbën jashtë Shqipërisë aty kishte vetëm shfrytëzim, uri vuajtje.

    Mbas plenumit të 4-të pati një periudhë të ngjashme me shkretëtirën e Gobit. 70 % e Biblotekes kombetare, deri edhe poetet latine u fut ne index.
    Deri atëhere, Radioja transmetonte edhe kompozitorë të shek. XX-të. Danubi blu (Shtrausi II) ishte i pranishëm në çdo orë muzikore, por kur Hoxha iu përvesh Danubit Blu duke thëne se ai nuk është blu por i kuq nga gjaku i klasës punëtore, atëhere edhe pak Betoven që transmetohej, duhej detyrimisht të shtohej a paraqitej se pjesa ishte e « kompozitorit përparimtar Betoven. »

    Një numër marksistësh kanë hyrë rregullisht në Shqipëri. Nuk duhet harruar se Hoxha ka ushqyer gjithnjë paranojën e një lëvizje ndërkombëtare me qendër Tiranën. Për pasojë përkthyesit e veprave të tij nuk duhej të mungonin, se për sa i përket autorëve klasikë, me sa mbaj mend unë ata janë përkthyer ne shqip nga autorë të përgatitur kryesisht para luftës.

    Asgje nuk ka qenë e planifikuar. Ato pak kryevepra qe kemi lexuar erdhen te ne si rezultat i nje lloj presioni nga poshte. Mitrush Kuteli f.v.j. përkthente shumë libra me iniciativën e tij (për nevoja ekonomike) por ja qe qëllonte që i pranonin një kryevepër të tillë si Shpirtrat e vdekur etj., gje qe nuk mund te shihet ne linjen e pasioneve te rinise se Hoxhes.

    Sistemi i censurës kishte edhe dobësitë e veta. Më kujtohet se përdornim deri në absurditet shprehjen se për ta luftuar armikun duhet ta njohësh. (Kush guxonte të thoshte jo!) Personalisht me një autorizim të Lidhjes së shkrimtarëve që ma firmoste Teodor Laço,si ‘talent i ri’ që 40 vjet më parë kam lexuar ne sallen e siperme te BK po ato gazeta e revista me të cilat e filloj ditën edhe sot (Le Figaro, La Republica, El mundo, Financial Times etj).

    1. Shkruan:

      Personalisht mendoj se letërsia klasike u lejua jo më me shume për shkak të ndonjë pasion të vjetër të Hoxhës për atë periudhë letrare, sesa për faktin se ndonjëri prej tyre (autorëve) citohej e komentohej edhe nga vete Marksi dhe Engelsi.

      Në fakt, është një temë që më ka ngacmuar gjithnjë: me ç’kritere zgjidhej letërsia e huaj për t’u përkthyer?

      Për mendimin tim, përzgjedhja e titujve të kësaj letërsie bëhej kryesisht në Moskë; dhe shtëpitë tona botuese vetëm sa e përshtatnin atë përzgjidhje në rrethanat e Shqipërisë.

      Kjo vlen veçanërisht për përkthimet nga letërsia, bie fjala, amerikane – e cila ka qenë më e pranishme, në kulturën totalitare, sesa letërsi të tjera, logjikisht më të afërta me tonën, si ajo italiane ose greke.

      Natyrisht, të parazitoje mbi punën ideologjike qëmtuese të shokëve “sovjetikë” (edhe pse tradhtarë tashmë) ishte më e sigurt sesa të guxoje dhe të përktheje një titull të ri, të panjohur për zyrat e censurës.

      Dukurinë e kam cekur edhe këtu:

      http://xhaxhai.wordpress.com/2011/02/12/vertebra-te-kultures/

      Megjithatë, kam përshtypjen se, kur vinte fjala për letërsinë frënge, ky kriter shkelej; meqë kjo letërsi ishte “feud” i Hoxhës vetë dhe ky kishte preferencat dhe kujtimet e veta, që duheshin ndjekur.

  2. Përgjithësimi është gabim që Belloja, po të kishte dashur, mund ta kishte shmangur duke përdorur fjalën kontrolluar. Flas për sa ka paragrafi prej tij se ai mbase është shpjeguar mandej.
    Po sjell disa shembuj periferikë sipas radhës që ai përmend e ilustroj sa shtron Xha Xhai. Për pushimet E. Hoxhës në Pogradec televizioni mundësonte me repeditorët që jo vetëm ai në vilë por edhe Pogradec e Korçë të shihnin RAI-n. Libra të huaj importoheshin; tjetër punë që nuk shihnin publikimin në shqipe për masën e gjërë. Psh. kam ndihmuar një inxhinier në përkthimin nga rusishtja të një libri të marrë nga biblioteka e Korçës mbi mekanikën bujqësore. Kam përkthyer për vete dhe të apasionuarit pas tenisit të pjesëve të 2 librave të marrë në B.K. (një anglisht e një rusisht) kur Tirana kishte 4 -5 fusha tenisi. Dhe kam kaluar nëpër duar, në të njëjtën kohë si gjithë shahistët e botës, literaturën shahistike të kohës. Ë mo se shah – s’vlen! Dy botimet më të rëndësishme botoheshin në Beograd e Moskë, e faqja e parë, sipas traditës komuniste, ishte nga fjala e fundit e sekretarit të përgjithshëm.
    Ta kundërshtosh Bellon me shembuj është njëra anë, tjetra është llogjika e përdorur, të cilës i dalin këmbët jashtë organit kur flet për shkëmbimet tregëtare. Sipas saj mund të thuash edhe se kur amerikanët konsumonin vetëm mallra Made in USA ishin të vetëizoluar, apo të izoluar me vullnet. Nuk mund të shkëmbesh atë që s’ke.
    Por gabim si tek Bello, tek Xha Xhai, Lyss-i edhe të tjerë kur rrihen tema të tilla, është se ashtu si na futin të gjithëve në grup ashtu edhe ne (hajt mo se po futem edhe unë tek ne) duam të dalim bashkarisht nga grupi. Kjo është edhe e pamundur edhe e pavërtetë. Nëse Bello niset e përgjithëson nga që nuk i di gjërat mirë, ne nisemi nga shembujt tonë. Por pyetja që i bëj unë vetes është: a jemi aq në numur sa ta përmbysim raportin? Sa të themi se ne shqiptarët nuk ishim të vetëizoluar? Përgjigjja ime është jo … e thatë për atëhere, dhe përsa i përket librave e thatë deri më sot; kam frikën se pohimi “libra të huaj nuk importoheshin” shpreh realitetin po të përdoret në të tashmen si “libra të huaj nuk importohen”.
    Bello niset gabim dhe ndalon aty ku duhet të niste, tek importimi fizik. Por unë besoj se janë ato librat e paktë por aq sa duheshin që bënë implantimin e embrionit në mure. Ndalimit të dhunshëm të kontaktit fizik, të të prekshmes që regjimi u imponoi shqiptarëve, Bello i jep më shumë vlera e rëndësi se kontaktit eterik, të pakapshëm që plot shqiptarë mbajtën me botën, sa ai me dashje flet vetëm për anët e liga të televizionit (futja e televizorit ishte një e mirë në vetvete) e as e përmend fare radion e valët e saj.
    Fjalia kur shihnim San Remo-n, gati është absolutizuese. Një vit atëhere, në një të ftohtë që e përballoja me xhupin tim veshur e mbi të një më të madh të një shoku, i kyçur nga brenda në dhomën e televiziorit pa asnjë xham në dritare, në kat të katër të një godine studentash ku flinin qindra vetë, shihja e dëgjoja sa më lejonin zhurmuesat (e Dajtit?) sinjalin që vinte përtej detit. Isha vetëm. Kështu mendoj se kanë qënë edhe të tjerët kur shihnin, lexonin, dëgjonin. Mendoj se mund të flasim për një bashkësi të atyre që kanë qënë vetëm (a me rrethin e ngushtë) unë-unë-unë por jo për bashkësinë ne. Unë-unë-unë sot fryhet me pompë sa të duash, por fakti është se ajo nuk ishte ne.

    1. Shkruan:

      Por pyetja që i bëj unë vetes është: a jemi aq në numur sa ta përmbysim raportin? Sa të themi se ne shqiptarët nuk ishim të vetëizoluar? Përgjigjja ime është jo.

      Por kjo nuk ka aq lidhje me autarkinë dhe totalitarizmin. Madje po të shtrohet kështu, situata e izoluar mbetet edhe sot. Kur flitet për hapje dhe shkëmbime kulturore, këto i bëjnë kryesisht pakicat, edhe pse me peshë në jetën kulturore të një shoqërie.

      1. Vertet, per strumbullar kam izolacionizmin dhe jo totalitarizmin, se pari sepse pyetjes qe ngre mbi imazhin e Shqiperise totalitare nder te huaj i pergjigjesh me izolimin sipas Bellos, e me gjithe sa ai ka per izolimin, dhe se dyti sepse kur totalitarizem nuk kemi me (kemi apo s’kemi – gjetiu) sot kemi dhe nje izolim te markes se re (novator do ta quanin atehere) por edhe izolimi i vjeter na sillet neper kembe sa here i referohemi te shkuares.
        Besoj se kemi te drejte qe te shohim si izolimin fenomen e pjese te kultures sone, ashtu edhe izolimin kulturor. Bello nuk me duket se i ndan, ndersa duket se shkruan me dore te lire. Por kur rame ne ate rreth ferri izolacionist qe le ta quajme izolim kulturor, ne kishim kaluar me radhe rrathet e izolimin politik, ideologjik, ushtarak, shpirteror, ekonomik, izolime te sanksionuara edhe ne Kushtetute.
        Une i quajta ne ti i quan pakica, te tjere i quajne elita intelektuale, me te tjere nihiliste te djeshem thone se mes tyre s’ka patur disidente, nihiliste me te rinj i konsiderojne te deshtuar, ndonje tjeter kerkon ti hapesh rrugen qe s’ke si t’ja kesh zene. Keta ne, pakica, eshte veshtire ti mbledhesh ne nje grup, ti klasifikosh si nje unitet me tipare te perbashketa . Keta nuk perbene nje pakice, nuk ishin te themi egjra qe u nda nga gruri, ishin fara te cuditeshme koke me vete qe izolacionizmit shteteror ju pergjigjen me izolacionizem vetiak. Per ta konturuar rende e trashe – pakica komuniste.
        Pranoj se ka patur individe qe e thyen izolimin vete e na e lehtesuan edhe ne te tjereve, pa mundur qe ti ngre dot ne nje grup te dallueshem. Ishin keta qe hapen rruge, qe bene (ta perseris se mezi e gjeta) implantimin e embrionit ne mure, e per kete jane te sukseshem.
        Ne historine e thyerjes se izolacionizmit lista e bemtareve mund te zgjatet pa mundur te kete ne te autorin e kanoces. Sipas nje inxhinieri qe ka bere te tilla nder te paret “Kanoçja nuk ka autor, e ka shpik Piro, apo një tjetër.”

        p.s. fundja, njeshi, individi, pakice eshte.

  3. * Zhurmuesi ishte tek 15-kateshi dhe zhurmonte jugosllavin (TVB1 – kanalet VHF 7 dhe 8).
    * RAI-n e kapnim dot vetem ne vere ose ne dite te kthjellta.
    * Pastaj filloi levizja kunder antenave – pensionistet e lagjes dilnin dhe vezhgonin tarracat cdo mengjes, keshtu qe na duhej te hipnim naten ne tarrace dhe ta kthenim antenen nga Dajti. Nuk ishin te rralla rastet kur njerez binin nga tarracat dhe e paguanin me jete defrimin e nje nate me pare.
    * Revistat dhe gazetat e huaja ishin ne katin e pare, ne zyren anash banakut kryesor. Natyrisht duhet te kishe lidhje, njohje personale, autorizime, qe te mund t’i lexoje.
    * Mund te gjeje pothuajse cdo gje ne rusisht, bile edhe Freud per shume kohe ishte jashte rezerve.
    * Lektoret franceze, natyrisht ekzagjerojne pak ne ate liber (libri duhej shitur), por jo shume. Ata nuk flisnin dot me njeri mbas mesimit. Imagjinoni te jetoni diku per 3-4 vjete dhe te mos mund te njihni asnjeri vendas. Me kete dua te them qe ekzagjerimi eshte krejtesisht i natyrshem.
    * Edhe librat e perkthyer apo filmat ne TV ishin shpesh te censuruar. Me ka ndodhur qe kur kam pare origjinalet e pa “shkurtuar” shume pjese qe ishin hequr ia ndryshonin kuptimin filmit apo librit.

  4. Mua me duket se po mbivleresohet si teper kjo hstoria e perkthimeve qe “do te na kishin bere qe te ndjenim pak bote te huaj”.

    E verteta eshte ca me e thjeshte, dhe me praktike. Nese veme re titujt e librave qe perktheheshin, kushti numer nje nuk ishte as cilesia apo stili apo emri i madh i autorit, por ishte thjesht pershtatja me ideologjine, ose me mire, me propaganden.

    Te lexosh perkthime te Balzakut apo Stendhalit, nuk do te thote se Hoxha e kishte pike te dobet letersine frenge dhe prandaj na e “liroi” frerin, por do te thote se ky Balzak dhe ky Stendhal perputhej me njefare kuptimi qe ai i jepte letersise : vegel propagande. Qe te diskutojme per motivet e Hoxhes, duhet te njohim mire letersine frenge te perkthyer dhe te paperkthyer te kohes komuniste. Cfare shihet ? Shihet se perktheheshin romane ku fliteshin disa tema te perjetshme : fshati i veshtire, qyteti i degjeneruar, fajdexhinjte, borxhet, shpirtligesia e Tenardiereve, dliresia e Kozetes sherbetore, revolucionarizmi i Gavroshit, mikroborgjezia e Mariusit, pra te gjitha keto hynin ne nje lloj prapamendimi per te krijuar nje pike reference te rreme per shqiptarin e dites. Sepse ç’do te mendonte tjeter shqiptari kur lexonte sesi fajdexhinjte iu merrnin shpirtin te varferve ? Apo kur Tenardieri e rripte per se gjalli Kozeten ? Normal, thjesht urrejtje per klasat e pasura, shfrytezuese, etj etj. Me nje fjale, Hoxha dhe makineria e vet kryenin nje operacion akohor (intempestive), krahasonin periudhen e shekullit te XIX ne France me ate te lumturise socialiste te Shqiptarit te 70-es. Po te vini re, emisionet dokumentare qe jepeshin ne ate kohe, flas ne te gjalle te Hoxhes, ishin pergjithesisht “Vende dhe popuj”, ku jepej jeta mizerje e afrikaneve, saqe kur dilnim nga emisioni, lumturoheshim me njeri-tjetrin qe jetojme ne vendin e bukur socialist. Po ashtu, filmat qe jepeshin, ishin filma ku fshikulloheshin anet me negative te perendimit, psh : ne ato filma ku kishte pamje te bukura ndertesash dhe hotelesh dhe qiejgervishtesish, jepej gjithmone nje histori ku ka zgdukje njerezish, vrasje, droge, mafia, shteti qe te vret, pra antiteza eshte e qarte : pas filmit, shqiptari mendonte : me mire me shtepi njekateshe ketu, sesa ne katin e 57-te ku te zhdukin hap e mbyll syte.

    Keto gjera nuk i duhen lene dashamiresise apo dobesise se Hoxhes per nje letersi frenge – dhe ketu jam pothuaj i sigurte qe ai s’merrte vesh as nga letersia frenge e as nga gjuha frenge, po aq sa ç’merr vesh sot Berisha apo Rama ne frengjisht, meqe na kane jetuar ca kohe ketu.

    Kjo eshte arsyeja qe nese Shqiptari shqepej duke lexuar Hugo dhe Balzac, ai s’dinte asgje per Maupassant apo Baudelaire, e lere me vone pastaj, per Proust (borgjez i felliqur qe shkruan 3000 faqe per borgjeze te tjere te felliqur). Po keshtu, edhe romani “Tre shoket”, i remark, qe e pata lexuar fare i ri (as 12 vjeç) fale nje mesueseje anglishte (nen dore, kuptohet), ka mundur te pervidhet thjesht nga aureola e remarkut si shkrimtar pacifist. Perkthehej Remarku, por jo Kafka i ekzistences absurde, i antitotalitarizmit – ç’ne ekzistence absurde ne Shqiperine socialiste ? per kete shkoje ne burg. Perkthehej Hemingway i luftes se Spanjes, dhe jo Walser gjysme i çmendur, nje nder idhujt e Kafkes. Perkthehej Dickens por jo Kiplingu nobelist qe adhuron Britanine perandorake. Shembuj te tille ka plot. E gjithe historia jone komuniste ka qene nje histori “fake”, nje histori propagande, fund e krye.

    Po lexoj keto dite Carlos Liscano, uruguajan, 13 burg ne diktaturen ushtarake, nje liber : “Mosndeshkimi i xhelateve”. E çuditshme : çfaredo lloj ngjyre te kete nje diktature, komuniste te kuqe, naziste te zeze, apo thjesht ushtarake latine te bardhe, propaganda dhe xhelatet shfaqin te njejtat tipare : mashtrimin, shpelarjen e truve, me çdo mjet. Dhe eshte per t’u habitur kur sheh qe edhe vete terminologjia eshte krejt e njejte, edhe vete mbrojtja qe i bejne vetes pas shembjes se diktaturave, eshte e njejte : nuk dinim gje, ishte sistemi, te mos i hapim keto plage, ka ikur ajo kohe, sot duhet pajtim, viktimat po prishin rendin publik me keto kerkesa per denime te xhelateve, e plot e plot te tilla.

    1. Kot të të pyes, ehe… ti me çfarë ushqeheshe shpirtërisht në ato kohë, nëse i ke përjetuar? Me çfarë i ruaje mendtë e kresë?

  5. Librat atehere mund t`i gjeje me veshtiresi e me miqesi.Por mund t`i gjeje.
    Di qe biblioteka e Inst. te Studimeve M-L ishte goxha e pasur. Po keshtu edhe biblioteka e Shkolles se Gjuheve te Huaja. Po keshtu edhe Biblioteka e Akademise se Shkencave. Po keshtu edhe Biblioteka e Akademise Ushtarake. PO keshtu Biblioteka e Kombetare e re dhe e vjeter. Gjithnje kjo per standarted e Shqiperise , dhe ne kontekstin e kohes.

    Shtypin e Europes mund ta lexoje thuajse te gjithe, thuajse ne real time. Me vetem disa dite vonese. Qe nga Le Courrier/ Le Monde Diplomatique, e deri tek Jane’s. Cfare binte ne sy ishte mungesa e “prodhimeve” Made in USA.

    Accesimi dhe shfletimi i sa me lart nuk ishte i pamundur. Sidomos per shtypin dhe periodiket. Mjafton te kishe deshire. Dhe deshirat e kesaj natyre jane me teper te kultivuara se sa te lindura.

  6. Xha xhai,
    Pyetje disi private, por do te pergjigjem :
    Matematika. Kam qene nxenes i shkelqyer ne matematike, deri ne fund te ciklit tim shkollor. Dhe madje, nese ka diçka qe rregullon shume pune ne aparatin mendor te dikujt, eshte pikerisht kjo : matematike. Pa lidhje me kohen, me vendin, me regjimin e me udheheqesin. Vetem ne matematike qe udheheqesi yne i gjitheditur nuk na ka lene asnje teoreme. Ne te gjitha fushat ka shkelqyer, matematika ishte kocke e forte per te.
    Persa i perket letersise se asak kohe, flas per programin e letersise neper shkolla : absolutisht pa kurrfare vlere. Gjithçka e mesuar per se mbrapshti. Komentime librash, nje katastrofe mendimi. Lenda e filozofise, nje mashtrim i gjalle per trure ende ne formim. Jo me kot, mbase e keni vene re, lenda e filozofise kalonte ne ate kohe per lenda me e merzitshme, ne nje kohe qe ajo duhet te ishte – ne kontekstin tone – e vetmja mundesi per te futur trurin ne pune. E megjithate, filozofia, me perjashtim te ndonje kapterri qe frynte koken gjithe diten ne ndonje zyre me vetem nje tavoline kompensate dhe nje telefon me manivel, askush tjeter nuk aventurohej ne te, sepse ishte me te vertete diçka bajate e papertypshme. Dhe kjo qe po them une, vertetohet nga etja e Shqiptareve te pas 92-it, ku nuk linin liber filozofie pa blere, thjesht ngaqe ishin te traumatizuar nga broçkullat Institutit Lenin te Tiranes.
    Edhe diçka tjeter : ju thoni se ka pasur libra te huaj disi te rrezikshem ne BKSH. Shume dakort. Po sikur te mendojme pak se asokohe nuk ka qene e lehte per gjithkend qe t’i lexonte, sepse te gjithe ishin nen vezhgim kush lexon çfare ? A mund te shkonte i biri i kulakut te kerkonte gazeten Le Monde, thjesht per te pare ç’behet andej nga vendi i Sartrit ? Sigurisht qe jo. Terheqesit e ketyre librave duhet te kishin njefare besueshmerie se ketij njeriu nuk do t’i beje dem letersia e keqe qe po merr ne dore, se ai do ta gjeje forcen t’i neveritet libri ne fund te leximit. Po ta perkthejme kete ne jeten praktike te perditshme, vete une si person me duhet te shkoja ne degen e brendshme per te marre nje leje kalimi per ne nje fshat ku kisha dike te familjes, thjesht se ishte fshat kufitar. Eshte e njejta histori edhe me librin : mua ma jepnin kete lejen e kalimit, se nuk mendonin se thyeja kufirin, ndersa nuk ia jepnin te birit te nje familjeje te deklasuar. Edhe per librat, njelloj. Privilegjet, kjo ka qene fjala me permbledhese qe mund t’i behet asaj kohe : privilegji shkonte deri dhe tek kavanozi i kompostos apo tjeter. Gjithçka qe futur ne nje hierarki te nenkuptuar qe te gjithe e respektonin ne heshtje, pa i thene askush. Kulaku e dinte se nuk i takonte te kerkonte ca gjera, ndersa i privilegjuari atje lart, mund ta shtynte pak kerkesen me teper se ç’duhej, dhe perseri te kalonte pa ferre ne kembe. Kjo eshte bota “fake” qe them une, jete “fake”, moral “fake”, gjithçka. Edhe vete elementet natyrore ishin ne sherbim te propagandes : kur del Enveri ne tribune, qesh dhe natyra, del dielli, kur vdes Enveri, bie shi, qan dhe natyra, shtrengatat s’kane ç’i bejne Adem Rekes, pavaresisht se ia moren shpirtin, furtunat. Po t’iu hedhim nje sy parullave te propagandes, natyra eshte gjithandej : furtuna, shtrengata, rrebeshi, shtigjet, malet shekullore, e plot e plot.

    Dhe ketu dalim tek shkaterrimi pothuaj i plote i gjuhes, jo per shkak te nje kongresi, larg kesaj, as per shkak te futjes se ndonje fjale te huaj, por thjesht per shkak te perdorimit te fjaleve te shqipes per qellime propagande deri ne bajatosje, dhe per mveshjen e ketyre fjaleve me nenkuptime aq te perseritura, sa sot e kemi te veshtire te imagjinojme formen e fjales “rrethim” pa nje shtese “kapitalist”. Nejse, problem tjeter ky.

  7. “Në vitet 1980 unë digjesha për të lexuar një roman të verdhë, ose për të parë një film erotik (pornografik), ose për të lexuar Sartre-in dhe Kafka-n; sot, përkundrazi, them se asnjë prej këtyre nuk do të më jepte aq shumë sa Balzac-u, Hugo-i, Scott-i, Dickens-i, Homeri, Çehovi, Tolstoj”.

    Edhe une digjesha.
    Edhe une them sot se asnjë prej këtyre nuk do të më jepte aq shumë sa Balzac… etj etj.

    Hë xha xha, si ta shpjegojmë një evidencë të tillë ?? E kemi çuar “gjënë” deri ne prag, fare fare afër të vërtetës. Mos vallë “gjëja” do dhe një të shtyrë të fundit, atë të fundit fare fare, por që kalon nga rrëzimi i tabusë po aq te fundit ? (i asaj tabuje që na bën aq shpesh të ‘ngatërrohemi’ nga të vdekshmit, nga Enveri, Stalini,… ).
    Une them se ne kete blog, nuk kemi qënë asnjëherë më afer te vërtetës ! Të paktën, të vërtetës së “gjësë” politike.

  8. E pohoj tè kem vèshtirèsitè e mija pèr tè marrè pjesè né tè njèjtèn lartèsi me ju né kètè diskutim kompleks, veç ideja ime èshtè se çensura e viteve 70 – 80 pati uljet dhe ngritjet e saj.
    Si student né liceun artistik, dhe mè tej né konservator, né atè periudhè ndiqnim né mènyrè kolektive, pra tè organizuar RAIUNO E RAIDUE, i kujtoj me mall serialet televizive tè mbèshtetura mbi letèrsinè ruse dhe programe çlodhèse si canzonissima apo rischia tutto … etj. Ndèrkohè isha lexues i rregullt i mujores “Sovjetskaja muzika” e njè mori librash né rusisht mbi muzikologjinè.
    Kam lexuar né broshurè “Doctor Zhivago” e dhe botime tè publikuara nga Muopassant “Njè jetè” dhe “Tregime tè pèrmbledhura”. E nèse bèj hapa mbrapa, né fèmini lexonja dhe rilexonja “Doni i qetè”. Né programet mèsimore dègjoheshin veprat e Ravel –it, Debyssi, Gershwin, Mahler, Hindemid, Alban berg, Boulez, Satì, Khaciaturian, Prokofjev, Shostakoviç dhe kur fillova tè jap mèsim, librin e A. Uçit “Labirinthe tè modernizmit” e çfrytèzoja pèr tè njohur dhe spjeguar izmat kohès.
    Televizioni i Beogradit, duke mos respktuar tè drejtat e autorit, trasmetonte qè tè nesèrmen filmat e paraqitura né festivalet ndèrkombètare, par se tè dilnin né cirkuitin e kinemave europiane ….
    Nuk e di nèse dèshmova gjèra me kuptim ….

  9. Shkrimi dhe komentet kane harruar nje tjeter element te jetes kulturore ne vitet e izolimit: faktin qe nje pjese e mire e intelektualeve (apo aspiranteve per intelektuale) mesonin gjuhe te huaja perendimore dhe shkembenin letersi te ndaluar papushim. Dhe flas per letersi bashkekohore. (Xhaxha, do te te kisha dhene une te gjithe ata autoret qe te kane munguar, qe ne fakultet po ti kishe kerkuar :))

    Librat hynin nga diplomatet, hynin nga shkrimtaret dhe kritiket e artit, hynin nga studjuesit e fushave te ndryshme. Dhe nuk ishin pak ata qe i qarkullonin pafundesisht librat qe hynin. Biseda te tipit “me jep Kafken te te jap Pasternakun, Sartrin e ka filani, nuk ja japim Simone de Beauvoirin pa e kthyer, i thuaj qe te humbi Norman Maileri” ishin te perditshme. Sigurisht, me frike, fshehtas, me gdhirje gjithe naten per te kapur afatin e dorezimit….por ama, me kenaqesi te pafundme.

    Jam dakord qe as leximi i letersise klasike, as shikimi i TV-ve te huaja, as edhe degjimi i radiove te huaja nuk behej ne mase. Por, mos valle ne vendet ku cdo gje ishte dhe eshte e lire jane te shumte ata qe lexojne letersi klasike apo bashkekohore? Madje nganjehere me duket se pikerisht kufizimet e privimet i benin njerezit edhe me te etur per dije.

  10. Po sikur t’i jepnim fund edhe mitit te “mesimit te gjuhes se huaj ne Shqiperine komuniste”, a behet gje ? S’besoj. S’kemi lene mit pa ia ndrequr samarin, e perse jo dhe ketij. OK, ja qyskia e pare, po ia jap une :

    Kam nje ndjesi te tmerrshme, te dhimbshme dhe therese, qe shume Shqiptare, ne mos kokerr per kokerr, kane nje ide thellesisht te gabuar mbi gjuhen e huaj dhe leximin ne te. Ne vitin 1976 apo 1983 apo 1987, nje person qe ngaterronte dy fjale ne gjuhe te huaj, ose jo qe i ngaterronte, se keshtu dija dhe une, por qe thoshte nje fjali pa nderprerje : “Ku je duke shkuar, Agron ? Jam duke shkuar ne kinema, te shoh nje film me familjen time”, merreshin per koka te zgjuara fare, tip te paprekshmish, te paarritshmish. Perjashtim mund te beje ketu vetem italishtja, ku s’pati ngelur bregdetas e ultesirako-perendimor pa i zberthyer filmat italiane deri ne fund. Nejse. Ajo ku dua te dal une, eshte kjo (dhe qe e kam kuptuar vetem pas ca vitesh te mira ne nje vend te huaj) : nuk ka asnjeri ne bote qe meson nje gjuhe te huaj duke ndenjur ne shtepine e vet, ne vendin e vet. Asnje. Sepse, ajo ku ngaterrohen te gjithe, eshte se barazojne gjuhen e folur te rruges (Excuse me, I’m looking for a cinema. It is… bla bla bla) me gjuhen e shkruar te letersise se Mailerit apo Samurrit apo Kaçamurrit. Kjo gjuhe letersie, ka te perbashket me kete gjuhen e aeroportit dhe te dyqanit te bukes thjesht lenden e pare, dmth perdorin fjale inglizçe ose kinizçe. Por vetem kaq. Sepse kjo gjuha letrare e librave – romane, ese, etj – nuk funksionon keshtu por vepron sipas frymes se gjuhes, fryme e cila ka nje te keqe te madhe se nuk kapet fare po qe se ti zotni nuk jeton ne ate vend te huaj. Me kot mbeshtjellim nje kryefjale, nje kallezues e nje kundrinor, magjia e folesit te gjuhes se huaj ne vend te vet nuk ngjet, nuk kap, i shkoq huq. Ketu, mua me duket se jemi duke fluturuar ca si shume lart duke perrallisur per leximet tona te kohes se komunizmit ne direkt gjuhe te huaj. Kjo eshte pese me hiç, genjeshter e tipit vetemashtrim. Te mesosh nje gjuhe te huaj, do te thote te zoterosh jo fjalet e kesaj gjuhe porse ate xixen, flaken e vockel qe rri ndezur brenda ketyre fjaleve, e flake te cilen nuk ke asnje gjase qe ta shohesh duke notuar e pluskuar e madje u llokoçitur ne nje gjuhe, kulture dhe zakone te tjera.

    Ne ate kohe, ata qe mund te pretendonin ta kishin kapur kete fryme, mund te ishin vetem ata qe kishin jetuar jashte, disa ne France e disa ne Rusi. Sa per anglishten amerikane, absolutisht asnje kungull shqiptar ska pase asnje gjase ta dije. Jo per te marre vesh filmin Dinastia, se ate nga fundi filloi edhe gjyshja ime duke ma perkthyer, por per te kapur vertet letersine e ketij vendi. Po ashtu ne Angli. Me nje fjale, kur degjoj ndonje qe me thote se une kam lexuar psh Mailerin ne origjinal, diku nga vitet 1975, ne shtepine time ne Tirane, i fshehur dhe i skutuar nen batanije, une mendoj se ketu jemi duke kaluar ne fantashkence.

    Po, eshte e vertete se shume shqiptare filluan duke mesuar gjuhe te huaja. Po, shume shqiptare ia nxoren fundin anglishtes, ama anglishtes se… Tiranes, dhe jo asaj te Londres apo Liverpulit apo Filadelfias.

    T’i bie pak me shkurt : a ka ndonje ketu qe me thote se ne vitin 1976 ose fundja edhe 1989, ka pare nje enderr ne anglisht apo ne frengjisht ? Ose, tjetra : a ka ndonje qe kur i ka dale narkoza e operacionit ne spital, fjalet e para qe ka thene kane qene ne kinezçe apo italishte apo mbeshtillja-ç’te-duash ? Kur te shkoje puna qe edhe pavetedija juaj fillon e sillet e rrotullohet ne gjuhe te huaj, atehere, biri im, siç thoshte ai tjetri, do te thoni se dini nje gjuhe te huaj dhe jeni te gatshem te lexoni drejtperdrejt ne origjinal.

    Perndryshe, nostalgjite, malli, avulli i bute e kujtimeve vjeshtake me mallengjime e lotra neper sy, jane thjesht ngaqe kjo jete e qelbur paska qene e tille qe ne hame ne ditet tona, secili ne te vetat, pa mundur te beje asnje hile, deri ne diten e fundit. E vetmja ndershmeri te cilen e ndajme te perbashket : asnjeri nuk kullot ne ditet e tjetrit. Nejse, mire do te ishte qe te shkeputemi nga ajo epoke, te rritemi ca, te mundohemi t’ia nisim nga e para, te mos vajtojme per kotesine qe na e ngjeshen ca te tjere qe sot po vdesin si kurrkusha, dmth, te bejme çka mundemi te bejme per te shpetuar ate çka mund ta shpetojme.

    1. Ne pergjigje te pyetjes tuaj , po u them une se jo vetem endrra kam pare, ne nje gjuhe te huaj por edhe kam shkruar vjersha me dashuricka .Megjithate , kjo nuk perben asgje , as per mua dhe as per te tjeret . Nje gje eshte e rendesishme se ne vitet ’70 kishim perkthyesa dhe shqiperuesa te talentuar , kishim nga ata qe ishin ne listat e redaksise su huaj te shtepise botuese dhe anonime plot . Vecse ,perkthimet vinin te rekomanduara e te planifikuara nga “lart” . Bukurine dhe virgjerine e origjinalit nuk e prishte shqiperuesi por redaktori , “berberi zdrukthtar”…Me mire te diskutonim per perkthimet e shqiperimet e sotme , qe ne shumicen e tyre jane kaq bajate dhe pa emocione si prostitutat…

  11. ehe,

    Ti ke ca idera shume interesante per punen e gjuhes, letersise etj. Jep pershtypjen se je qamet i kenaqur me frengjishten tende, dhe te duket se ke kapur majen e nuk di c’togu mbi te cilin je ulur. Ka edhe bote tjeter e njerez te tjere qe ekzistojne pavarsisht se nuk i kap mendja jote.

    Nuk eshte aspak e vertete qe te qenet i lindur apo i jetuar ne nje vend te jep automatikisht njohuri te gjuhes vendase. Meqe jeton ne France, me thuaj te lutem, sa franceze me universitet njeh ti qe nuk dine frengjisht me mire se ty (po flasim per frengjishten e librave, jo per dialektet e slang te metrose)? Te garantoj une qe po aq franceze nuk dinin me mire frengjisht se ata per te cilet po flas une. Dhe kjo vlen per te gjitha gjuhet e huaja. Ki parasysh se nuk po flas per njerez qe i detyronte qeveria te jepnin provime gjuhesh te huaja se u duheshin per atestim. Po flas per njerez qe kishin filluar te mesonin gjuhe qe femije, qe u kishin folur gjuhe te huaj edhe gjysherit, qe kishin pasion letersine etj. etj.

    Me vjen keq po me kesi komentesh provon vetem se sa i madh ka qene dhe eshte hendeku qe na ndan. (te fala Hajdegerit)

  12. Ja ku kemi nje prove e qarte te asaj se jo vetem gjuhes se huaj qe i vinim anash, por nganjehere i dilnim huq edhe tones : Po citoj :

    “Nuk eshte aspak e vertete qe te qenet i lindur apo i jetuar ne nje vend te jep automatikisht njohuri te gjuhes vendase.”

    Tani, me thuaj mua, ne rreshtat e mi, ku thashe une nje gje te tille ? Nuk kam thene se lindja ne nje toke te huaj te ben AUTOMATIKISHT t’ia dish gjuhen, sepse ketu kam takuar dhe Shqiptare te lindur ne Paris qe s’dine pese fjale te rregullta apo te te mbajne nje bisede me lidhje ne frengjisht.

    Por kam thene tjetren : kam thene qe mesimi i gjuhes se huaj ne vendin tend, eshte absolutisht mision per Tom Cruise.

    Ti LG ngaterron vullnetin me mundesine. Nuk kam share kerrkend per mungese vullneti, sepse i tille kam qene dhe une. Por une e kam me mundesite reale. Ne Shqiperi, per t’i shkuar idese tende qe e mendoj dhe une ashtu, ka pasur Shqiptare aq te vullnetshem dhe aq te etur per dije, sa te vjen t’ia plasesh te qarit per gjithe ate potencial te shkuar dem. Por demi ka ardhur thjesht pamundesia reale. Edhe 24 ore/24 te rrije mbi Mozhete (Mauger) e frengjishtes, ti nuk kapje asgje nga thelbi i frengjishtes, asgje nga letersia e atij vendi. Nuk behet. Duhet te notosh ne nje kulture, te lahesh ne te, te jesh i mbytur ne te, te marresh fryme ajrin e kesaj kulture te vendit te huaj, dhe vetem atehere vjen gjuha bashke me te. Pa kete kontakt, s’behet asgje.

    Besoj se te gjithe e kuptojne nje formulim te tille matematikor : « Qenia ne nje vend te huaj, eshte kusht i nevojshem por jo i mjaftueshem per mesimin e gjuhes se ketij vendi ». Kjo i shkon pershtat historise tende me ca franceze qe s’dine ç’eshte letersia, e qe eshte katerciperisht e vertete, por kjo ka ardhur thjesht nga vullneti i ketyre tipave, dhe jo nga mundesia reale.

    Falemnderit gjithashtu per verejtjen tende, vertet qe kam disa ide interesante mbi gjuhen dhe letersine, por me beso, jane rezultat i nje vezhgimi te gjate i asaj qe ngjet ne gjuhe dhe letersi.

    Dhe e fundit, s’e mora vesh ç’hynte Heideggeri. Deshiron te flasim per te ? Siç thoshte vete Heideggeri, « me thuaj ç’kupton me perkthim, te te them ne ke marre vesh gje ».

  13. ehe,

    Mos e shperqendrojme muhabetin. Nuk po krahasojme nje intelektual te lindur e te shkolluar ne France me nje intelektual qe meson dhe lexon frengjisht ne Shqiperi apo me nje qe meson frengjisht ne Shqiperi dhe pastaj shkon jeton ne France dhe thellohet. Ti po flet per njohuri gjuhe qe i duhen perkthyesit, studjuesit. Une po flas per njohuri gjuhe qe i duhen njeriut per te lexuar e kuptuar ate qe lexon.Ti flet per Mauger, ata qe kam une parasysh nuk merreshin me te, se e dinin qe nuk te mesonte dot frengjisht shpejt dhe mire. Jo po hajde flasim edhe per ata qe lexonin me fjalor ne dore. Shkon me ngaterron edhe te foluren ne gjuhe te huaj qe jo gjithmone ka lidhje me thellesine e njohjes se gjuhes.

    Tani une nuk mund te rri te te jap shembuj se si e qysh e tek mesonin njerezit gjuhe te huaja ne Shqiperi. Mund te te them vetem se disa nga keta kur dolen matane ishin ne gjendje te perkthenin ne nivel profesional (hanin buke dmth duke perkthyer) nga nje gjuhe e huaj ne nje tjeter, mbanin leksione neper universitete, ishin ne gjendje te shkruanin letersi ne gjuhet e huaja qe dinin. Ti me thua nuk lexonin dot Sartrin se kishin mesuar frengjisht ne Shqiperi. Prandaj te thashe qe varet per ke po flasim, dhe te solla shembull francezet qe nuk e lexojne dot Sartrin as sot.

    E mbyllim me mire kete muhabet se kemi modele te ndryshme parasysh. Nuk jemi as une as ti etaloni i ketyre puneve. Disa njerez jane me te afte se disa te tjere. Te pakten te kemi modestine te pranojme se dikush, diku mund te beje ate qe ne mbase nuk e bejme dot. Jo ti heqim nga defteri me nje te rene te lapsit meqe eksperienca jone ka qene e ndryshme.

  14. OK.
    Nuk di per cilet UFO jemi duke folur. Nese po flasim per UFO qe kishin kontakte me boten e jashtme, franceze apo gjermane apo algjeriane, atehere po flasim vertet per 5 UFO me numerim, maksimumi 6 UFO. Dhe keta UFO, e sigurte qe ta “çpraznin alltine n’lule t’ballit” per PPSH, sepse ndryshe s’kishte si te dilnin jashte shtetit per t’u ngopur me ajrin e Parisit apo te. Shkurt, siç thua dhe vete, “du coq à l’âne” nuk ka ketu. Une u mbeshteta ne fjalet e tua kur the shprehimisht se disa lexonin Mailer apo tjeter nen batanije, dhe duke e bere me fjale nen ze me shoket. Jo, ata qe kishin mundesi te lexonin libra te tille – mundesi jo per te gjetur librat, por mundesi per te lexuar LETERSI ne gjuhe te huaj – nuk kishin nevoje te fshiheshin sepse ishin nga ata 5-6 UFOT qe hynin e dilnin nga Shqiperia si t’iu tekej e kur t’iu tekej, dmth, i biri i, e bija e. Nuk jam duke ulur fare deshiren, zellin, naivitetin, pafajesine, madje njefare dliresie ose utopie te disa njerezve per te qene ne krye te gjerave letrare, por jam duke thene se ata benin aq sa mundeshin, dmth diku rreshqanthi historise se vertete. Une mund ta kuptoj shume mire qe keta te vullnetshmit e asaj kohe ishin me mire se xhaxhai im minator, por ama kjo s’i ben ata qe t’i bien pile ne koke “historise”.

    Edhe s’kam asnje inat, asnje kompleks, i kam sqaruar keto gjera. Thjesht kam deshire qe gjerat te thirren me emrin e vet. Nuk me pelqejne superlativat, fryrjet.

    Po e perseris : letersia nuk eshte gjuha me kundrinore e me rrethanore. Ka ligje te vetat. Ti ende sot, ke plot e plot emigrante shqiptare qe e pohojne me gojen e tyre se sikur iu vjen me mire te lexojne shqip, edhe pse ata e dine shume mire (sipas fjaleve te tyre) gjuhen e huaj. Arsyeja e kesaj eshte e thjeshte : ata ende nuk jane shkrire me jeten e atij vendi. Kaq e thjeshte eshte. E imagjino shkrirjen tone te 1984-es me jeten e Amerikes, Anglise, Frances. falemnderit per biseden. Tungatjeta.

    1. ehe… kam përshtypjen se ti, duke pasë jetuar larg Tiranës dhe në kushte të vështira (jo për fajin tënd), nuk e njeh mirë jetën e kryeqytetit në vitet 1960-1980.

      Tirana ndryshonte nga Shqipëria e provincës, sepse Tirana i stimulonte njerëzit intelektualisht shumë më tepër se çdo qytet tjetër në Shqipëri.

      Ky virtyt i Tiranës nuk është se lindi në 17 nëntor të vitit 1944.

      Unë kisha në shtëpi një bibliotekë relativisht të pasur, me libra në gjuhë të huaj, që ishte krijuar që para Luftës. Kishte aty libra në italishte, në frëngjishte dhe në anglishte. Një pjesë e mirë e këtyre librave ishin blerë në Tiranën e viteve 1930, mes të cilave edhe një Larousse i asaj kohe, faqe të zverdhura.

      Një njeri i afërm imi (një teze e sime mëje) ishte shkolluar në një shkollë femërore të administruar nga amerikanët; deri edhe tekstet e lëndëve i kishte në anglishte. Ky njeri kujdesej deri edhe që të më përkthente me zë, kur isha fëmijë, mitologjinë dhe eposin grek dhe latin, të përshtatur në dy libra të bukur, për “djalërinë”, të cilat ia kishin dhuruar në shkollë dikur.

      Nuk kam bërë pjesë në familjet politikisht të privilegjiuara (as kam qenë i persekutuar, natyrisht); por në vitin 1964 në shtëpinë time hyri televizori dhe u çel një dritare me Italinë fqinje, nga ky na hyri të gjithëve DRITA.

      Ishte një “Rekord” sovjetik, me kasën prej druri të lustruar si mobile.

      Emisionet e fëmijëve unë i kam pasë ndjekur në italishte, jo në shqipe… deri në vitin 1974, kur e fikën ripetitorin në Dajt.

      Në Tiranë kishte fermente të fuqishme. Librat nga bibliotekat e vjetra qarkullonin fshehurazi, sikurse ta sqaroi LG-ja.

      Por kishte edhe libra të rinj. Për shembull, një rrobaqepëse që punonte në ambasadën italiane, furnizonte me libra “të verdhë” gjysmën e Tiranës (sikurse furnizonte me katalogë mode, pak të vjetëruar, të gjitha gratë klientet e veta).

      Im atë, mjek psikiatër, u specializua për psikoterapi në Paris, në vitin 1972. Kur u kthye, ai solli me vete praktikisht veprën e plotë të Freud-it… A nuk ishte kjo arsye e mjaftueshme për të mësuar frëngjishten?

      Në Tiranë të dije gjuhë të huaja ishte si të dije notin. Kur isha në vitin e parë ose të dytë të gjimnazit, unë nxirrja fjalët e këngëve italiane, drejtpërdrejt nga radioja.

      Disa shokë të mi e bënin këtë me këngët e Beatles-ve, në anglishte (unë nuk arrija dot).

      Më pas, për arsye pune, m’u desh të ndjek një kurs intensiv të gjermanishtes; kjo është gjuhë e rëndë, kurrë s’e kam mësuar dot mirë – por e kam studiuar me shumë zell. Para se të jepja provimin pasuniversitar, kalova gati një muaj në “zhytje të plotë”, duke lexuar, ndër të tjera, një libër të Remarkut në gjermanishte, Harkun e Triumfit.

      Edhe pse ishte nga librat e parë që kam lexuar në gjermanishte, me ka lënë mbresa të jashtëzakonshme; ndoshta ngaqë ia përpija çdo frazë me kujdes të madh. Sa i mirëfilltë ka qenë ai lexim? Nuk e di. Po ç’rëndësi ka? A ekziston vallë leximi i mirëfilltë, në botën post-moderne?

      Nuk kishte asgjë të jashtëzakonshme, në këto aventurat e mia me gjuhët. Shumë prej miqve të mi lundronin në të njëjtat ujëra. Ishin me mijëra ata shqiptarë që kishin kontakte me botën dhe i përjetonin ato në mënyrë njerëzore. Edhe Tirana ishte, në mënyrën e vet, zonë kufitare – por ca gjëra nuk ndaloheshin dot.

      Kështu, babai i një shokut tim kishte qenë këshilltar tregtar, ca kohë, në Paris. Ky e kishte mbushur shtëpinë me libra frëngjisht – të cilët edhe qarkullonin.

      Unë Huxley-n (Brave New World) e kam lexuar për herë të parë në frëngjisht (Le Meilleur des Mondes); ka qenë libër kyç për formimin tim intelektual. Si e pata gjetur? Një pacient ia kishte dhuruar tim eti – ja kështu. Së bashku me një libër tjetër, të Axel Munthe – Mont Saint-Michel.

      Ishin kohë të çuditshme. Një shoqe imja, së cilës i pat punuar i ati në misionin shqiptar në OKB, kishte në shtëpi kujtimet e Hrushovit, në anglishte…

      Natyrisht, nuk i mësonim mirë gjuhët që në fillim; disa gjëra nuk i kuptonim dot kurrë. Mirëpo kurioziteti intelektual gjithnjë fiton.

      E kuptoj që, sado mirë ta mësonim anglishten në Tiranë, Uliksin e Joyce-it ndoshta nuk do ta lexonim dot – por Conan Doyle-in (Sherlock Holmes-in) e lexonim që ç’ke me të dhe e shijonim sa s’ka dhe askush nuk mund ta vërë këtë në dyshim, në emër të një autenticiteti fantazmë; sa kohë që leximi është 90% përfytyrim, imagjinatë.

      Përndryshe, edhe bibliotekat në Tiranë kishin thesare të paçmuara. Te Biblioteka e vjetër, në Rrugën e Elbasanit, gjeje çdo filozof klasik – kam pasë marrë në duar vepra të Leibniz-it, me faqet ende të paprera. Aty kam gjetur deri edhe L’Homme Criminel, të Lombrosos.

      Këto privilegje t’i jepte Tirana vetvetiu. E kuptoj që në Kukës ose në Përrenjas nuk mund t’i gëzoje dot. Mirëpo bota e tillë është, disa e nisin garën në kushte më të favorshme se të tjerët – gjë që nuk ka shumë rëndësi, tek e fundit. Njeriu mban përgjegjësi për si e lë botën përreth kur del, jo për si e gjen kur hyn.

      1. Po me vjen keq qe s’me paske kuptuar as ti. Te lutem, me lexo edhe njehere mire, nga postimi i pare e deri tek i fundit. Jo se jane postime te veshtira, por ngaqe jane te lehta, me duket se i ke anashkaluar shume shpejt.

        Ideja ime qe po i meshoj dhe argumentoj gjate gjithe kesaj kohe, eshte kjo :

        Nuk ve ne dyshim fare sasine e literatures se mire qe ekzistonte asaj kohe. Nuk ve ne dyshim fare menyrat e futjes se ketyre librave : dikush nga nje punonjes ambasade e dikush tjeter me specializim ne France. Keto jane te ditura, kalonin si kalonin, por kalonin (diçka mbetej, dmth). Edhe elementi tjeter, dmth vullneti nga ana jote apo e imja, nuk mungonte. Ka shume njerez te asaj kohe, deshironi t’ju bej qejfin ? po, ka shume tiranas qe kishin me teper vullnet per te mesuar gjuhe te huaja, qe ishte me nxitese per kulture letrare (te mos ngaterrojme kulturen si kulture ketu, kjo eshte diçka tjeter). Te gjitha keto i pranoj, dhe i njoh. Mua s’me prek fare fakti qe une banoja apo fshija qyrret ne kepin e Dragobise apo ne gerxhet e Tepelenes. Ta leme menjane keto histori, nuk shkojme asgjekundi me kete.

        Ajo qe mungonte ne Shqiperine tone te dashur, ishte KONTAKTI fizik ZERO me kulturen e huaj, me ndenjen ne nje vend te huaj, me ndjesine e te qenurit banor i nje vendi te huaj, me identifikimin tone me banoret e ketij vendi, me te shikuarit tone si pjese perberese te ketij vendi te huaj, dmth na mungonte elementi intim i qenies ne elementin e vet.

        Me shkoqur : nuk mund te pretendosh te njohesh nje vend apo t’ia dish gjuhen ketij vendi, nese nuk ndihesh si ne elementin tend ne kete shoqeri : si peshku ne uje, si zogu ne ajer, si ahu ne bjeshke apo tjeter. Kjo na mungonte tmerresisht. Dhe kjo nuk eshte diçka e vogel, por eshte – te pakten per mua – kyçi i hyrjes ne thellesine e gjerave.

        Une mund te bej stervitje sa te dua ne palester, te bej shtanga dhe te gjitha, por asnje realizator s’do te me marre per te luajtur Maçistin sepse jam vetem 145 i gjate. Ketu une kam nje PENGESE natyrale, te pathjeshtueshme, dhe qe s’varet fare nga vullneti im. Kete rol Maçisti mund ta marre shume mire nje person 180 cm i gjate (qe kete ia ka dhene natyra, trashegimia e ku e di une tjeter), dhe qe PO T’I KETE DASHUR menderja, dmth VULLNETI, ai eshte marre me shtanga si puna ime.

        Kjo eshte ajo qe po them une. Vullneti eshte nje gje, dhe mundesia reale – qe ne rastin tone, nuk varej nga individi, porse nga regjimi komunist – eshte tjeter gje.

        Me duket se ti mendon se une dua te hedh poshte perpjekjet e njerezve te asaj kohe (te disave te pakten) per kultivim dhe dituri. Jo, s’eshte aspak keshtu, keto perpjekje s’duhen mohuar dhe madje duhen vleresuar. Por hapi eshte hap, dhe ai s’eshte i pamate. AQ ISHTE HAPI YNE. Nuk te linte kush tjeter te beje hap me te madh. Dhe hapi i madh, ne rastin e shkrirjes me nje gjuhe te huaj, e ka emrin : zhytje fizike, shqisore, mendore, dashurore, rropullore (neologjizem) ne kete kulture, ne kete gjuhe, dhe ne kete bashkesi reale.

        Te tjerat pastaj, jane thjesht nje “ersatz”, njeriu ben gjithçka mundet e gjen ç’ti vije per dore per t’iu afruar qellimit te vet. Ne vend te çajit me sheqer, detyrohemi te pijme çaj sade fare. Kaq e thjeshte eshte.

        1. Te Lector in fabula (besoj), Umberto Eco tregon si, në vendet e bllokut lindor, duke filluar nga Bashkimi Sovjetik, Procesin e Kafkës e lexuan si libër anti-totalitar – edhe pse Kafka, me sa dimë, nuk e kishte menduar as shkruar si roman politik, anti-totalitar dhe anti-komunist; dhe, në fakt, edhe romani vetë nuk është se ka ndonjë mesazh politik eksplicit brenda. Megjithatë, lexuesit gjetën atje atë që kërkonin; dhe leximi “lindor” i Kafkës është legjitim, mund të përligjet (përkundrazi, nuk mund të përligjet leximi i Procesit si të ishte roman erotik; edhe pse mund të ketë ndonjë që të jetë masturbuar me të; por ky do të ishte përdorim i tekstit, jo lexim).

          Ti, ehe…, ngul këmbë në konceptin e autenticitetit; duke e parashtruar argumentin tënd në mënyrë maksimaliste. Thua se një gjuhë mund të njihet tamam vetëm duke u “zhytur” në të, ose duke e jetuar atë realitet social, që i çiftohet. Teza është e drejtë, sa kohë që është banale; por përndryshe nuk ka shumë vlerë. Si do t’ua shpjegojmë këtë njohësve të specializuar të greqishtes së vjetër dhe të latinishtes? Po ashtu, a është e domosdoshme të jetosh sot në Paris, dhe të njohësh zhargonin e rrugës, për të qenë studiues i specializuar dhe përkthyes i, bie fjala, Montaigne-it, ose Rabelais-së?

          Përndryshe, e përditshmja në gjuhë (ose më mirë, në ligjërim) vjetërohet shumë shpejt.

          Një anekdotë personale. Në vitet 1980 të gjithë këndonin, në Tiranë të paktën, një këngë të Toto Cutugno-s (L’italiano), ku ndër të tjera thuhej:

          Buongiorno Italia gli spaghetti al dente
          e un partigiano come Presidente
          con l’autoradio sempre nella mano destra
          e un canarino sopra la finestra

          Në këtë strofë kish disa gjëra që ne, edhe pse “dinim” italishte, nuk i kuptonim; sidomos vargun e tretë: “l’autoradio sempre nella mano destra”. Pse e mbanin italianët radion e makinës në dorë? Vite më pas, kur kam shkuar në Itali, kam parë që shumë vendas aty, pasi e parkonin makinën, e merrnin radion me vete, sepse radiot e makinave i vidhnin shumë, në atë kohë. Këtë informacion, ne, që nga Shqipëria, nuk e kishim dhe nuk kishim nga ta dinim; nuk kishte lidhje me italishten si gjuhë, por me atë që Eco-ja e quan “enciklopedi”, ose tërësi njohurish që shoqëron përdorimin e gjuhës. Ne e kuptonim gjuhësisht vargun “autoradio sempre nella mano destra”, por nuk e interpretonim dot, nuk e vendosnim dot në kontekstin jashtëgjuhësor. Dhe këtë lloj informacioni s’e gjen dot në asnjë fjalor – mund të ta japë vetëm “zhytja” për të cilën flet edhe ti.

          Në atë strofë kishte edhe një varg tjetër që ne kujtonim se e kishim kuptuar, por që në fakt s’e kishim marrë vesh; te spaghetti al dente, ne kujtonim se ishte fjala për italianët që i mbanin makaronat në gojë, në mes të dhëmbëve; por në fakt ishte fjala për makarona që nuk janë zier shumë, ose “të kafshueshme”, siç i gatuajnë italianët. Ne makaronat tona spaghetti, në Tiranë, s’i bënim dot al dente se shkriheshin menjëherë në tenxhere, përveçse po t’i hanim të gjalla (ose të fërguara, si në ushtri); megjithatë, këtë kuptim të shprehjes al dente mund ta kishim gjetur në fjalor. Çështja është se nuk e hapnim fjalorin, meqë kujtonim se e kishim kuptuar shprehjen.

          Jam i sigurt se përkthimet e kohës kanë pasur plot gabime të tilla, të enciklopedisë, jo të kompetencës gjuhësore. Kishte përkthyes, ndonjëherë edhe të mirë, që e kishin mësuar gjuhën pa dalë asnjëherë nga Shqipëria. Por, tani që i shoh gjërat nga larg, e kuptoj se kjo nuk ka shumë rëndësi; madje nuk ka hiç rëndësi. Kënga e Cutugno-s kuptohej edhe pa e marrë vesh atë punën e radios së makinës. Aq mirë kuptohej, sa nuk kishte datëlindje e mbrëmje në Tiranën e atyre viteve, sa të mos e këndonin. Të tjerat u mbeten filologëve për t’i diskutuar me ngé.

          1. Pikerisht, kjo eshte ! Me ne fund !
            Ne thjesht benim aq sa mund te benim. Po te me kishe lexuar mire ne postimin e pare, aty e kam thene qarte se keto gjera i kam marre vesh pas shume vitesh qendrimi ne nje vend te huaj. Dhe jo qysh ne vitin e pare. Vetem vone kam marre vesh se mesimi i gjuheve te huaja me kurse apo me ç’te duash ti, eshte “estrade”. Nuk po e shaj fare estraden, siç e thekson dhe ti ne fund, kur thua se efektin e bene ato kenget. Sigurisht qe e bene, jam dakort me ty, dhe madje kjo ide e jotja dhe e imja bashke mbeshtet dhe nje ide tjeter timen mbi perkthimin, qe me eshte dashur ta rrah ne debat me shume kundershtare. E megjithate, per hir te se vertetes, ne nuk jemi ne autenticitet, siç e thua dhe vete, ne jemi anash çeshtjes, dhe eshte mire qe te vetedijshem per kete. Kaq dua une. Thjesht “mendjekthjelltesi” (lucidité). Te mos haperdahemi neper malle dhe kujtime per te perligjur apo nxjerre perpara diçka qe s’eshte e vertete. Dhe kjo vlen aq me teper per disa qe thone tere krenari se une di 3 apo 4 gjuhe. Jo zoteri, jo zonje, ti nuk di as 3 as 4, ti di thjesht te flasesh aq sa eshte per te folur ne 3 apo 4 gjuhe. Por vetem kaq. Ia harroj emrin nje filozofi francez te para dy-tre shekujve qe thoshte : eshte e pamundur te dish me shume se nje gjuhe te huaj. Kjo fjali duhet shoshitur mire sepse nuk eshte keshtu qe mund ta kalosh lehte. Ai kerkon te thote thjesht kete : gjuha, si shtylla e qenies, s’mund te duroje me teper se dy qenie. Njeren qe e kemi te lindur, dhe tjetren te fituar. Dhe kjo e fituara, thote filozofi, do nje jete te tere qe behet si e lindura, dmth, ajo lufton deri ne vdekje me gjuhen tone te lindur. Eshte si nje kacafytje e perjetshme, dhe ne kete kacafytje, thote ai, s’mund te kete vend per tre apo per kater. Jam shume dakort me ata qe flasin ne 7 gjuhe, dmth e gjejne rrugen kudo qe te jene. Por kjo s’nenkupton asgje. Nenvetedija nuk punon me shtate gjuhe, por sipas po te ndjekim fjalet e filozofit, punon vetem me nje. Dhe madje kjo e dyta, duhet te beje vend ne kete nenvetedije, nga ku dhe perplasja e tmerrshme mes te dyjave. Une po flas per njohjen e gjuhe me rrenje e me dhemballe, deri aty sa te te shkaterroje dhe gjuhen e nenes, por asnjehere perfundimisht. Dhe kjo gjuhe njihet, siç e thashe, kur ti nuk je thjesht amerikan me letra, por ke perqafuar deri ne thelb qenien amerikane, kur te fillosh te ngjasosh me amerikanet jo ne theksin e fjaleve, por ne gjithçka : levizje, mimika, cene, shperthime te pakontrolluara, etj.

            Letersia, jam dakort me kete, eshte nje vektor shume i fuqishem per njohjen e gjuhes, madje ai qe mburret se njeh nje gjuhe, duhet te kaloje patjeter nga njohja e letersise se kesaj gjuhe. Porse kjo letersi, qe te njihet mire, nuk vjen vetvetiu, thjesht nga leximet e stershumta i mbyllur diku ne nje dhome Kukesi apo Sarande, pa e nxjerre hunden asnjehere jashte, dhe pa e ndjere vertet ne mish e ne zemer qenien i huaj. Kjo dalje jashte vetes, dmth nga qenia shqiptare ne qenie franceze apo amerikane, kryhet kur rropullite e mia dridhen ne çdo tingull anglishteje amerikane, apo kur une perqafoj frymen e historise amerikane, kur qaj e qesh e ndjej e dashuroj saktesisht si bashkatdhetaret e mi amerikane, dhe e gjithe kjo, te kaloje nepermjet nje gjuhe qe te mos kete me nevoje per ndermjetesimin e gjuhes amtare. Shkurt, te dish mire nje gjuhe te huaj, do te thote te kesh vrare ne lule te ballit gjuhen tende. Nuk di ta them me ndryshe, kaq ishte hapi im.

  15. Nuk jane as UFO, as e bija/i biri i filanit e fistekut. Jane thjesht me te zgjuar, me te talentuar e me te perkushtuar se te tjeret. Shume prej tyre shkruajne ketu ne blog. Prandaj them se duhet matur mire gjykimi ose, ne rastin tend, paragjykimi. Vleresimi per te tjeret nuk eshte byrek qe po e ndave te heq ty e mua ndonje pjese.

  16. Me thote njehere Gjinushi:

    Kur isha minister, thashe me vete: ‘ore to nxjerr njehere jashte shtetit keta drejtoret e Ministrise se u meruan ketu’. Per fat te keq, rastis qe rruga e pare ishte nje konference ne Gjeneve; mirepo Gjeneva eshte Jashte Shtetit edhe kur je Jashte Shtetit. Shkuam ne, po i vezhgoja une keta;u habiten fare. Kur do ktheheshim, u them qe do i biem me makine nga Italia dhe do flinim ne Rome pasi asokohe shtetit mbante disa apartamente me qera per raste te ketilla. Sa hyme ne ne Itali, kur u ndje menjehere ndryshimi; jo nje ferre ne ane te rruges, jo ndonje mur pa lidhje, d.m.th filloi te ulej ai imazhi i perfeksionit qe hasje ne Gjeneve. Ate moment u them une atyre qe ishim ne makine; Po Zvicra mire e? Ata menjehere: Eee ore shef, sa mire qe ishte. (Pastaj shtoi:Mbase thoshin ngaqe isha une minister pa jo se ishte Zvicra). U them: Sa me poshte qe do ecim, aq me keq do behet. Po ju mos u merzisni se ne jemi me fat. Sa te kthehemi, sic e dini ka nje sherbim dy javor ne Puke dhe pas dy javesh do kujtoni vetem Tiranen e do e keni harruar Gjeneven.

  17. Me një mikun tim italian (profesor i italishtes i shkollës së kalamajve) hymë para nja dy javësh te një librari e Oxfamit, që unë e frekuentoj shumë sepse për tre euro blej libra të mirë (të cilat pastaj po aty i sjell falas se nuk kam më vend) dhe ja kur në një raft ai pa librin Diplomatie (Diplomacy) të Henry Kissingerit. E bleu menjëherë dhe dukej mjaft i entuziazmuar, sepse nuk kishte dijeni për të dhe me të drejtë shpresonte se aty do të mësonte diçka më shumë për periudhën e luftës së ftohtë, për të cilën diskutojmë shumë.

    Nuk i thashë gjë. Unë atë libër e kisha lexuar para nja tridhjetë vjetësh. Miku im i ndjerë Ilir Gurakuqi e kishte nxjerrë nga biblioteka e Institutit të studimeve Ndërkombëtare dhe ma kishte lënë mua nja dy tre javë.

  18. E lexova disa here paragrafin e Bellos qe e solli Xha Xhai ketu. Nuk gjej aty asgje te pavertete (pavaresisht se fjalia e fundit eshte e diskutueshme). Thelbi qendron tek shkembimet tregtare dhe kulturore te kufizuara ( dhe jo mosekzistuese).
    Fakti qe disa komentues ketu permendin se kishte shkembime underground, thuajse ilegale nuk ben gje tjeter por verteton kete. Shembulli i inteligjiences se Tiranes ne kontrast me pjesen tjeter te Shqiperise (qe harrojme se ishte pjesa derrmuese e vendit) gjithashtu verteton te njejten gje. Ne fakt komentet me duken tejet interesante por ne nje tjeter prizem. Me ngjan si ai diskutimi se sa i burgosur eshte vertet nje i burgosur… Ne ishim te burgosur. Dhe natyrisht qe edhe burgu ka disa realitete. Ne te ka gjithnje njerez qe kane apo perceptojne me shume liri se te tjeret. Por i shkreti burg qe burg ngelet.

    Pervec rastit te Korese se Veriut, une nuk di te kete ekzistuar vend me i kufizuar intelektualisht se Shqiperia. Megjithate jam i sigurt se ka intelektuale koreoanoveriore qe mund te me numerojne jo vetem librat e Balzakut ne ndonje raft te tyren por ndoshta edhe te Boris Vianit…

    1. Shumë e vërtetë, Trix, ishim të burgosur.

      Por përshkrimi që bën Bellos, i mbështetur në përshkrime tashmë klishe për Shqipërinë totalitare, është i pasaktë.

      Dhe ja pse:

      në Shqipëri nuk kishte më shumë se një dyzinë të huaj (duke përfshirë edhe personelin diplomatik).

      Ekzagjerim i pakuptueshëm. Vetëm ambasada në Tiranë kishte më shumë se 12 (italiane, franceze, kubane, çekosllovake, hungareze, turke, koreane-veriore, hungareze, vietnameze, gjermanolindore, jugosllave, polake, egjiptiane, kineze, bullgare, greke, rumune).

      Veç kësaj, kishte edhe të huaj të tjerë: gjithfarë marksistësh-leninistësh, që punonin në botimet ose në radio ose jetonin aty se s’kishin ku të shkonin tjetër; dhe specialistë (turbinat e Komanit, në mos gabohem, i kanë ndërtuar francezët; por ka pasur të tillë, nga Perëndimi, në shumë industri të rëndësishme).

      Televizioni [vendës] transmetonte në valë të tilla që të pengohej marrja e kanaleve të huaja;

      Përsëri e pasaktë; televizioni i huaj shihej anembanë Shqipërisë. Kjo që thotë Bellos lidhet vetëm me Tiranën – por edhe në Tiranë, pasi mbaronte transmetimet RTSH-ja (rreth orës 22:30), mund të shihje RAI1-n lirisht; unë ashtu bëja, derisa më këpuste gjumi. Pa llogaritur televizionin jugosllav.

      përktheheshin vetëm ato libra që konfirmonin pikëpamjet e Shqipërisë për vendin e saj në botë (dhe nuk kishte shumë të tilla);

      E pavërtetë. Teknologjia e përzgjedhjes së përkthimeve ka qenë shumë më e ndërlikuar se kaq. Përkthehej, bie fjala, Mark Twain-i, ose Nekrasov-i, ose Stendhal-i (botuar herët në vitet 1980: Zhan d’Ark; Poema të zgjedhura përkthyer nga Agim Shehu; Lysien Lëveni); ç’lidhje kanë këta me pikëpamjet e Shqipërisë për vendin e saj në botë?

      libra të huaj nuk importoheshin;

      E pavërtetë. Importoheshin, por nuk shiteshin në treg. Këtë e kam sqaruar më lart. Elitat në Tiranë (të cilat ishin edhe ato që, praktikisht, krijonin kulturën shqiptare) mund të porositnin dhe të përdornin literaturë të huaj.

      shkëmbimet tregtare ishin po aq të kufizuara sa edhe shkëmbimet kulturore dhe gjuhësore […]

      Kjo është e vërtetë, natyrisht; por nuk mjafton, për t’i shfajësuar pasaktësitë e tjera.

      Për t’u kthyer aty ku e nisëm – kemi qenë në burg, dhe pikërisht se kemi qenë në burg, nuk na vjen mirë kur ky burg përshkruhet me anë të klisheve dhe pasaktësive.

      Vetëm për hir të privacionit, që kemi përjetuar të gjithë, edhe pse në mënyrë të pabarabartë, meritojmë diçka më tepër; më shumë përpjekje, më shumë kuriozitet intelektual dhe më pak gatishmëri për t’iu falur klishesë së parë që të del përpara.

  19. Xha Xha, une besoj se thelbi i Bellos qendron pikerisht ketu :

    “shkëmbimet tregtare ishin po aq të kufizuara sa edhe shkëmbimet kulturore dhe gjuhësore”

    Bie dakort se ka pasaktesi ne fjalite e tjera por vetem nese merren fije per fije ashtu sic keni bere edhe ju. Nuk ka asnje gje te keqe ketu. Ato mund te merren edhe ashtu fije per fije. Ne fakt une i kam lexuar edhe shkrime te tjera Bellos rreth Shqiperise dhe natyrisht qe ka pasaktesi. Madje ka edhe nje lloj cinizmi tipik britanik te cilit ai nuk i shpeton dot dhe qe eshte deri diku ofendues. Dakort edhe per klishete dhe ekzagjerimet por a mund te nisesh nje rrefim pa rene ne te tilla. Aq me teper qe Bellos vjen nga fusha e letersise dhe jo nga shkencat sociale.

    P.S. Une do te te kundershtoj vetem ne nje pike. Te huajt nuk ishin vertet nje dyzine por sidoqofte ishin shume pak. Edhe ata qe ishin kishin kontakte shume te kufizuara me vendesit. Psh ne kujtimet e tij Ramon Sanchez Lizarralde tregon per klaustrofobine qe ndjenin tek banonin ne zona te izoluara me kontakte te pakta me shqiptaret e here pas here te vene nen pergjim.

    1. Pa dyshim, dhe Bellos-it unë as që ia vë re këto, sepse ai i thotë shkarazi, në një libër që nuk ka fare lidhje me Shqipërinë.

      Çfarë më shqetëson mua – fjalë e madhe, por besoj se merret vesh pse e përdor – është pikërisht që kësi njohurish janë bërë pjesë e bagazhit anonim të intelektualit perëndimor për Shqipërinë totalitare.

      Sikur Bellos-i t’i kish nxjerrë ato përfundime vetë, nuk do të bëhesha merak. Përkundrazi, bëhem merak, kur shoh me sa lehtësi një njeri i mençur dhe josipërfaqësor, si ai, ia sjell atë tablo, në thelb të pasaktë dhe të cekët, lexuesit të vet.

      Të tilla gjëra përfundojnë si ai dyrrotaku i një shkrimit tim të paradokohshëm; kalojnë madje kërcejnë me lehtësi nga një tekst në tjetrin, duke gjetur rrugën drejt kompetencës historike të epokës, sa i përket Shqipërisë totalitare.

  20. shume faleminderit xhaxha per keto kujtime personale qe i ndan me ne. fatkeqsisht detaje te tilla te jetes ne shqiperine totalitare per ne qe nuk e perjetuam dhe kaq, ose qe ishim ne province, jane te panjohura. ata qe shkruajne sot rrefime jane ata qe u kallen burgjeve ose ata qe kallen te paret burgjeve. se si kalonte jeta e perditshme e homo albanicus vetem keshtu e mesojme.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin