KËNGA E SHKRUAR NË MUR

Kur ndiqja studimet gjatë viteve 1978-1983 në Fakultetin Histori-Filologji, e kisha bërë zakon të përfytyroja sikur instaloja fshehurazi, në hyrje të godinës së fakultetit dhe në oborr përjashta, altoparlantë të fuqishëm, dollapë mijëravatësh, prej nga do të luaja një mëngjes të zymtë dimri, me volumin në maksimum, këngën Another Brick in the Wall, të grupit prog rock Pink Floyd; duke e kurorëzuar të gjithë këtë sabotim ideologjik-akustik me solon e famshme të kitarës së David Gilmour-it.

Nuk di pse më shkonte mendja gjithnjë tek ajo këngë kur bëja planet për këtë qendër zëri demoniake; ndoshta ngaqë më pëlqente shumë soloja, por ndoshta edhe ngaqë, në çdo orë edukimi revolucionar, leximi veprash të Enverit, fjalimesh të Enverit, ekonomie politike të socializmit me emulacion e hozrashot, poezie për barakat prej eterniti, filozofie rrjedhur pikë-pikë nga stilografi i Stalinit, kujtimesh të Enverit, diskutimesh me çfarë ka dashur të thotë autori, shënimesh të Enverit për Kinën, konspektesh dhe prospektesh dhe insektesh kuqeblu që zvarriseshin në blloqet tona të shënimeve revolucionare, përsëritja me vete vargun “we don’t need no education”, i cili, me mohimin e dyfishtë që përmbante (sintaksë e shqipëruar, si prej nxënësi fillestar të anglishtes), e sfidonte establishment-in deri edhe nëpërmjet strukturës gramatikore.

Këngën e njihnim madje e dinim përmendësh ngaqë kish mbretëruar, për shumë javë, në fronin e Hit Parade-it italian; por nuk kishim dëgjuar gjë për albumin The Wall, as për filmin muzikor The Wall me regji të Alan Parker, që doli më pas; madje fare pak informacion kishim edhe për vetë grupin Pink Floyd dhe muzikën e tyre, të bazuar në concept album-et dhe disqet LP, ose 33-xhirosh, për të cilët hit parade ende nuk kishte.

U desh të kalonin tridhjetë e kusur vjet nga ajo ditë, që më në fund të ndiqja, drejtpërdrejt në sallë, një koncert të Roger Waters, ish John Lennon i grupit Pink Floyd, krijues i konceptit dhe i autor i shumicës së këngëve të albumit The Wall; dhe të dëgjoja edhe njëherë korin e çlirët të fëmijëve që recitonte të famshmin varg We don’t need no education teksa dërgohen për përpunim te një makinë mishi; edhe pse tani pantomima e rebelimit i ishte besuar një grupi vocërrakësh zezakë.

Si çdo koncert i markës Pink Floyd, edhe ky i Roger Waters-it, tashmë të shkëputur prej kohësh nga grupi, i dhuron publikut shumë më tepër se muzikë; madje muzika më shumë funksionon si kolonë zanore e spektaklit multimedial, teknikisht të përsosur, ku kombinohen natyrshëm filmi, animacioni, televizioni, efektet speciale, laser-i, zhurmat, fishekzjarrët, teatri i kukllave dhe të tjera mrekulli për syrin; deri edhe një avion luftarak nga ata të Luftës II përnjimend e rrëzuan me tym e flakë në mes të skenës, për habinë dhe ngazëllimin e fëmijës që mbajmë të fshehur brenda vetes të gjithë.

Ky i tanishmi, në Madison Square Garden në zemër të Manhattan-it, mbështetej nga kreu në fund në albumin e dyfishtë The Wall; që disa e konsiderojnë si një prej operave rock klasike, dhe që materializon në skenë, në fjalë dhe në tingull fantazitë, fantazmat dhe fantazmagoritë e Roger Waters-it, shpirtit të zymtë dhe paranoid të grupit Pink Floyd; në një kohë që efektet vizuale, në rol protagonisti, kombinonin imazhet e animuara të Gerald Scarfe nga filmi homonim i Alan Parker-it, me të tjera imazhe, të përditësuara, që drejtpërdrejt evokonin botën e përcjellë dhe të riprodhuar nga politika globale, të parë me sytë e viktimave të panumërta të luftës, të regjimeve totalitare dhe autoritare, të survejimit dhe trushpëlarjes.

Në albumin origjinal, të 1978-ës, Waters-i e kishte konceptuar murin si membranë të papërshkueshme, anti-osmotike, që do ta mbronte nga publiku, duke ia rikthyer përqafimit të ngurtë dhe primordial të nënës; por edhe si mur të burgut ku e mban individin modern establishmenti i personizuar në figurat prindërore dhe autoritare të mësuesit, gjykatësit, mjekut, policit, diktatorit; një burg metafizik ku edhe seksi vetë, ky nënshtrat i padiskutuar i çdo manifestimi skenik të fenomenit rock, artikulohet në raporte force dhe nënshtrimi. Muri i atyre viteve ishte ekzistencial për nga domethënia, dhe fryt metaforik i një orvatjeje ambicioze të Waters-it vetë, si rock star-i Pink në krizë neurotike identitare, për t’u mjekuar psiko-terapeutikisht nëpërmjet riprodhimit artistik të vetvetes.

Megjithatë, vetëm 10 vjet më vonë, shembja e një muri real që e kish ndarë Europën më dysh, si një nga monumentet më obtuze dhe njëkohësisht funksionale të komunizmit dhe autoritarizmit sovjetik, do t’i jepte Waters-it, tashmë të larguar nga Pink Floyd pas mosmarrëveshjesh edhe të natyrës krijuese, një mundësi të papërsëritshme për ta ricikluar simbolikën e murit e për ta lidhur këtë tashmë me Berlinin, rënien e diktaturave në Lindje, triumfin e lirisë dhe premtimin për një formë të re, më të qëndrueshme, të paqes.

Kësisoj, prania rituale e murit butaforik në skenë të koncertit erdhi dhe u shndërrua në shenjues të një prej akteve më domethënëse të shekullit XX; por vetëm rastësisht, ose si një afterthought; si të thuash, historia përfundoi e përdorur, në funksion të një metafore të ripërtërirë.

Në të vërtetë, në pasazhe të filmit The Wall aktori dhe këngëtari Bob Geldof, që luan rolin e artistit Pink, përjeton një fantazi të vetvetes të krekosur me pardësy lëkure të zezë, flokë të lëpirë me brilantinë, fashën e aktivistit në krah dhe megafonin në dorë; dhe duke nxitur turmat për dhunë, represion, pogrom, masakër. Admiruesve të filmit atëherë nuk i shpëtoi ngjashmëria mes simbolikës vizuale të atyre pasazheve dhe imazherisë naziste: flamujve, svastikave, uniformave elegante, paradave, manovrave rreshtore, sublimimit estetik të dhunës.

Shto këtu edhe angazhimin sistematik dhe konsistent të grupit Pink Floyd, dhe sidomos të Roger Waters-it, në mbrojtje të paqes dhe kundër imperializmit, korporatave, luftës, rrjepjes së botës së tretë, shitblerjes së armëve dhe kontrollit të pushtetit politik nga interesat oligarkike, për të kuptuar se muri të cilit i kënduan Pink Floyd në 1978 dhe Roger Waters-i në Berlinin e 1989-ës, përtej ideologjive dhe pozicionimeve politike, ishte muri i një burgu të nisur që në fëmini të njeriut (në mos që në mitër), ku pakica mbante të ndryrë shumicën, dhe fajësia pafajësinë.

Nga kjo pikëpamje, turneu i tanishëm i Waters-it, tërësisht i mbështetur në albumin e 1978-ës, është edhe një kthim pothuajse hegelian në origjinë; meqë mesazhi i operës vjen e pasurohet, duke u artikuluar, anësisht, si akuzë kundër ndërhyrjeve Perëndimore në Irak dhe në Afganistan, shtypjes së palestinezëve nga Izraeli, terrorizmit si mjet për manipulimin e popullit dhe ushtarëve viktima të të gjitha luftërave dhe të gjitha palëve. Waters-i madje i gjen vend në listën e viktimave edhe një ushtari të Wermacht-it, në një kohë që bombarduesit B-52 nga sekuencat e animuara të filmit origjinal tashmë lëshojnë, në vend të bombave, simbole të përgjakura kryqesh, gjysmëhënash, dollarësh, svastikash, korporatash gjithfarësh (Shell) dhe deri edhe yje të Davidit. Nuk është për t’u habitur që ADL-ja (The Anti-Defamation League, një shoqatë e madhe me influencë, që lufton anti-semitizmin në ShBA dhe gjetiu në botë), nëpërmjet kryetarit të saj Abe Foxman, protestoi ndaj kësaj paraqitjeje të yllit gjashtëcepësh, duke e konsideruar si formë anti-semitizmi dhe duke kërkuar që Waters ta riformulonte sekuencën e animacionit të projektuar, në mënyrë të tillë që ylli i Davidit të mos shfaqej menjëherë pas simbolit të dollarit; pa çka se të tjerë, në sallë dhe gjetiu, do të kenë bërë lidhjen midis murit polisimbolik të koncertit dhe atij tjetrit, real, rrethues, shtrëngues, mbytës, që kanë ngritur autoritetet izraelite në mes të Palestinës.

Sipas zakonit, edhe këtë herë protagonist absolut i spektaklit ishte ngrehina që Waters-i e ndërtoi në skenë tullë pas tulle për të ndarë veten nga salla, por që erdhi duke u shndërruar, gradualisht, në një ekran gjigant ku do të projektoheshin, veçanërisht në pjesën e dytë të koncertit, imazhe sugjestive me një disiplinë ngjyrash ekspresioniste – animacione, pamje filmike, montazhe, kolazhe, graffiti, slogane dhe tekste të tjera, të integruara me muzikën, që interpretohej nga muzikantë kalibri, por që, sipas traditës së Pink Floyd, preferuan edhe këtë herë të qëndronin të tërhequr, në hije, në plan të dytë, madje edhe, për shumë kohë, t’i fshiheshin krejt publikut prapa pikërisht murit; si kreshtë ujëndarëse mes imazhit dhe tingullit, ose individit dhe idesë që e bën individin të ngrejë krye ndaj sistemit.

Në këtë rimishërim të konceptit, muri nuk paraqitej vetëm si agjenci për izolimin a korracimin e subjektit vemje, as thjesht hieroglif i nocionit totalitar për likuidimin e lirisë individuale, por e kishte përfunduar tashmë ciklin e metamorfozës në ekran. Duke e kthyer përmbys formulën e mirënjohur të McLuhan-it, Waters i rrëfeu publikut si, në konceptimin e tij, mesazhi do të shndërrohej në medium.

Freud-i thotë diku se imazhi i gjirit të nënës ku pi qumësht fëmija është edhe ekrani ku projektohen të gjitha ëndrrat tona; nëse është kështu, atëherë në murin ekran që ndërtoi Waters-i me të vetët në skenën masive të koncertit nuk u projektuan veçse paranojat e këtij poeti të ashpër, të vjetrat dhe të rejat, klishetë dhe skandalet; të organizuara sipas të njëjtave obsesione të luftës, shkatërrimit, represionit autoritar dhe rebelimit.

Koncerti ishte shitur i tëri; si legjendë e muzikës rock dhe e vetë lëvizjes çliruese të mendjes, gjatë viteve 1960-1970 shfaqjet e Pink Floyd-ve i kanë mbledhur gjithnjë bashkë turmat e mëdha të trullosura dhe paqësore, si lumenjtë e fushës ujin prej përrenjve në pranverë. Megjithatë, shumë prej të tanishmëve i kishte prurë në koncert jo interesi i rizgjuar për mesazhin subversiv të Roger Waters-it, sesa nostalgjia për kohën kur The Wall dominonte valët e radios dhe kolonat sonore të një moshe tjetër, të pakthyeshme. New York-ut i kujtohet ende mirë ajo kohë shpresash dhe vlerash të zbuluara befasisht, madje metropoli ende e mban të gjallë, të paktën me frymën e vet, dëshirën për të mos u pajtuar me ekzistuesen e për të mos u konformuar. Megjithatë, sallën e Madison Square Garden atë natë e kishte pushtuar një turmë e nginjur dhe topitur, pothuajse e anestetizuar, që kishte ardhur aty për t’u kënaqur (to have fun), jo për t’u revoltuar së bashku me Waters-in dhe për të protestuar së bashku me Waters-in. Ish-hippie-t dhe antikonformistët e djeshëm u rishfaqën tani vërtet me hashashin me vete, por edhe me gotat e birrës, patatet e skuqura, lyrën në mustaqe, picat pseudo-italiane, ulërimat prej stadiumi dhe kapelet e baseball-it në kokë.

Kur Waters-i, gjatë interpretimit të Mother, një nga këngët kyçe të albumit, recitoi pyetjen e paharrueshme: Mother, should I trust the government? (“nënë, a duhet t’i zë besë qeverisë?”), në mur u projektua, me shkronja të kuqe të zjarrta, si rrufe e një subversioni urban, përgjigjja e nënkuptuar: no fucking way. Këtu turma reagoi – ishte një nga momentet e rralla kur reagoi, ndoshta edhe vetëm e cytur nga fjala tabu fucking; por amerikani i sotëm që nuk i zë besë qeverisë nuk ka shumë të bëjë me atë të djeshmin, që përleshej me policinë, kur protestonte kundër Luftës në Vietnam dhe merrte sheshet në mbrojtje të të drejtave civile. Ky i sotmi, pas gjithë gjasave, e sheh qeverinë si mishërim të së keqes, shkaktare të meksikanëve, papunësisë, falimentimeve dhe grabitjes së parasë private nëpërmjet taksave; dhe prandaj paranojën e vet sub-urbane e vë në praktikë duke milituar në radhët e Tea Party. Si edhe në rastin e fëmijëve zezakë që këndonin We don’t need no education, paranojat majtiste të Waters-it në Amerikë rrezikojnë të kthehen kokëposhtë.

Para se të nxirrnin albumin The Wall, i cili njëfarësoj shënoi edhe tatëpjetën e tyre artistike, Pink Floyd patën hedhur në treg një album më pak të njohur, por artistikisht nga më të realizuarit: Animals (1976), të mbështetur, pak a shumë, në metaforat e Animal Farm, të George Orwell-it. Animals përmban këngë për derrat (Pigs), delet (Sheep) dhe qentë (Dogs), nga të cilat e fundit është ndoshta mes kompozimeve më të mira progresive të grupit; edhe në koncertet e grupit është bërë tashmë traditë që të lëshohet një derr gjigant, butaforik, mbi kokat e publikut; herë të varet me tela nga lart e herë të lëvizë, fryrë me helium si një zepelin grotesk i shtyrë nga mini-helika. Derri që lëshoi këtë herë në sallë Waters-i ishte i zi, jo bojë trëndafili si në koncerte të tjera; i nxirë nga bloza e luftërave, e shtëpive të djegura, e kockave të shkrumbuara; nga ndotja e mjedisit, oxhakët dhe ligësia; por edhe i mbuluar me gjithfarë graffiti-sh, si lulja që mbin në pleh. Këtë herë derrat gromësitës bojë trëndafili i gjeje, më të shumtën, mes publikut në sallë.

Megjithë dëshirën e kuptueshme për katarsis të këtyre hippie-ve veteranë që kishin dyndur shkallët e stadiumit, Roger Waters i The Wall mbetet besnik i aciditetit të vet dhe nuk synon ta zbavitë publikun pagues, por vetëm ta bëjë të ndihet me faj, përballë padrejtësive, viktimave, tmerreve, bombave, dhunës, përndjekjeve dhe arrogancës së pushtetit. Megjithatë, The Wall është një album i krijuar dhe i prodhuar para 30 vjetësh, për një publik të para 30 vjetëve; edhe paranojat e Waters-it janë vjetëruar tashmë, aq sa e vetmja mënyrë për t’i mbajtur gjallë është t’i riciklosh, t’i mbushësh me kuptime dhe nënkuptime të tjera, duke përfituar nga natyra proteike, në mos eluzive, e kryesimbolit mur.

Bash për këtë arsye, i vetmi moment real i koncertit, kur eventi artistik arriti të shkëputej nga referencat e detyrueshme në të shkuarën, ishte pikërisht shkatërrimi i murit; i cili ndodhi vërtet, në skenë – si vdekje e mirëfilltë e protagonistit dhe njëkohësisht shpërbërje e mediumit dhe e mesazhit vetë. Se çfarë mbetet pas atij shkatërrimi, këtu opinionet do të ndahen; një pjesë e mirë e publikut do të ketë qenë duke menduar për relaksime urinare, pas krikllave të shumta të birrës së keqe; një pjesë tjetër, me mua, do të ketë kujtuar ndonjë koncert të mëparshëm të Pink Floyd – sepse edhe ashtu mund të matet rrjedha e kohës, në mos e moshës vetë, koncert pas koncerti. Imazhet dhe mesazhet kundër luftës, që mbetën në retinat edhe pas shembjes së murit, duhen interpretuar ngutshëm në disa plane, për t’i shpëtuar nga efekti Facebook dhe banaliteti fatal. Amerika vetë është tepër e traumatizuar nga dy luftërat, në Afganistan dhe në Irak, për t’u hequr si spektatore vetëm, ose lexuese e çinteresuar shenjash. Për më tepër, klithma anti-establishment e një dinosauri të rock-ut si Waters kumboi disi e çuditshme në një atmosferë dhe kontekst social ku e vetmja revoltë autentike ndaj establishment-it po vjen nga e djathta fashistoide: shpesh ksenofobe, bigote, injorante, intolerante dhe e krishterë fanatike.

Unë për vete u përpoqa, por nuk di sa arrita, që spektaklin ta përjetoj, në tërësi, si manifestim të absurdit; i ndihmuar edhe nga produksioni teknik i përsosur, që nuk e kam parë kurrë gjetiu, madje as në koncerte të tjera të Pink Floyd. Madje ky kombinim i përsosmërisë teknike, nostalgjisë muzikore dhe kaosit ideologjik m’u duk se e simbolizonte më mirë edhe se vetë muri epokën që po kalojmë, madje që po heqim të gjithë në kurriz, që nga Obama e deri te aktivisti i Tea Party-s, hippie-ja profesionist i fryrë me birrë e i trullosur me hashash për forcë zakoni dhe kalamajtë e Harlemit, që kujtojnë se fajin ua ka mësuesi – kur mundohet t’i bindë se, përnjimend, ata sikurse të gjithë ne të tjerët do need some education.

Shënim: botuar fillimisht në Res Publica.

Nuk ka komente

  1. xhaxha! Duke patur parasysh vizionin e pasur figurativ te Pink Floyd, mendoj se nqs Shqiperia do te ishte e hapur ne 1978, ku do te gjenin ambient me te mire dhe me te pershtatshem simbolikisht per videoklipin e kesaj kenge se korpusin e universitetit tone. E konceptuar si Doppolavoro, qender edukimi fashist dhe e bitisur si universitet i nje vendi diktatorial, per me teper e veshur mjeshterisht me gure, do te ishte ideale per nje video interpretim te ngjashem me videon e Echoes, ne rrenojat e Pompeit.
    Keshtu qe pershkrimi i impresionit, m’u duk vertet shume Floyd.

    1. Në fakt, ndërtesa e rektoratit të UT gjithnjë më është dukur shtetërore, shtypëse dhe e ftohtë, simbol i një autoriteti të patundur. Më vonë, kur kam vizituar Romën, më ka bërë përshtypje ngjashmëria e asaj ndërtese me Palazzo della Civiltà Italiana, në Roma EUR

      e njohur edhe si “Koloseu katror” dhe që konsiderohet si ikonë e arkitekturës fashiste në Itali (është ndërtuar midis viteve 1938 dhe 1943).

  2. … hmmm. E majta progresive, westofobike, narcistike dhe veteadmiruese, bohemiane (ne ide e ne praktike), qe gjithnje e ka pare dhe vazhdon ta shohe veten si pjestare e nje lloj specieje superiore e te evoluar nga ana intelektuale, dhe qe ne nje fare menyre ia ka mbushur mendjen vetes se si rrezultat, ka arritur te transhendoje ne nje nivel me te lart konshience se sa njerezit e vegjel te rruges apo te fshatit – por sidomos ne nje nivel me te larte se sa ata reaksionare primitive te se djathtes ksenofobe, bigote, injorante, intolerante dhe krishtero-fashiste te cilet asnjehere, madje as edhe ne enderr s’kane shprese ta arrijne ndonjehere ate…

    Nuk e di se kush eshte me i rrezikshem apo me i mire, njeri apo tjetri…

  3. Në vitin 2007 u ndodha në Tiranë pak ditë para ardhjes për koncert të Deep Purple-ve aty. Sa kujtime, sa sensacione! Të ngjashme me ato të Xha Xhait. M’u desh të iki, nuk e pashë dot koncertin. Po ca vargje i shkrova, më vonë, i vetëm. Shumë të kontestualizuara me brezin tonë të asaj kohe. Po i jap këtu poshtë këto vargje. Nuk janë më të mirat që kam shkruar, por të shtrenjta për mua…

    Deep Purple

    Vite kishim që i lyenim
    purpur dhomat tona
    për nder të Grupit ne
    bërë rusisht në shkolla
    kur na dërrmoi brezi
    më i ri i fansave
    nxënë me themel anglishten
    që deklaruan se deep
    purple më shumë se nga
    purpuri anonte nga bluja
    …por prapë njëlloj gjëmoi
    smoke on the water në mbrëmjen
    e rradhës gjer Sekretari
    i Partisë (me dy gishta
    më pak këputur në s’di
    ç’aksion rinie) bash
    me dy cungjet e bëri
    shënjën e gërshërës ta linim
    me aq muzikën dhe atbotë
    genc dashi vazhdoi shì
    pas fire in the sky me temën
    e filmit «Skënderbeu»
    që të gjithë pa gjëmb në këmbë
    i ngriti peshë.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: