GJENI GOJË DHE PËRGJIGJUNI

albanMë tërhoqi vëmendjen një shkrim i Saimir Loljes, botuar sot në rubrikën e opinioneve, te Shekulli.

Nuk e njoh autorin, por kam frikë se është i njëjti me personin që, në këtë faqe, prezantohet si profesor i inxhinierisë kimike, në Ryerson Polytechnic University, Toronto, Canada.

Në shkrimin te Shekulli, Lolja flet për rolin e elementit shqiptar në Perandorinë Osmane, edhe pse nuk kuptohet mirë nga ç’pozita.

Perandoria Osmane, në këtë artikull, kushedi ngaqë kishte një sulltan në krye, quhet “sulltanat”; dhe veç kësaj nuk mungojnë as teza tepër të guximshme, si kjo që “[S]hqiptarët humbën në fillim të shekullit XX atë që njihet tani si Turqi,” dhe kjo tjetra që “[M]ë 1821-1832 kur për shkaqe të ngjashme dhe të një lufte fetare midis shqiptarëve të besimit mysliman dhe atyre të krishterë, shqiptarët humbën atë që sot quhet Greqi.” dhe “Si rrjedhojë, doli një shtet i përbërë nga shqiptarë ortodoksë fundamentalistë që ndryshe njihen tani si grekë.”

Me një fjalë, edhe Turqia edhe Greqia e sotme qenkan produkte të pakujdesisë së shqiptarëve – jo tezë, por shuplakë përcëlluese ndaj të gjithë atyre që kërkojnë rishikim të historisë në favor të fqinjëve.

Gjithnjë sipas Loljes, “pa luftën mbrojtëse që bënë shqiptarët nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit dhe princave të tjerë,” pas gjase “nuk do të kish patur Leonardo da Vinci dhe vepra të tij.”

Ose kushedi Mona Lisa do të kish përfunduar në ndonjë sepet haremi në Topkapi.

Në përgjithësi, një artikull zbavitës, por as më shumë as më pak zbavitës se fantazitë për histori dhe orkestër, që luhen përditë në skenën e mass mediave të Tiranës.

Përkundrazi, çfarë më tërhoqi vëmendjen në këtë artikull prej 790 fjalësh, ishte se nga 29 fjali, vetëm 13 përfundonin me pikë, ndërsa 16 të tjerat me pikëpyetje – çka do të thotë se Lolja, me ndërhyrjen e tij të shkurtër te Shekulli (gazeta shqip më e lexuar online) jo vetëm kish tronditur themelet e Turqisë dhe të Greqisë moderne, dhe i kish bërë Da Vinci-n & Co borxhli ndaj shqiptarëve, por edhe kish drejtuar plot 16 (gjashtëmbëdhjetë) pyetje.

Jo editorial por interpelancë.

Çdo pyetje sjell me vete edhe një para-përgjigje të fshehur në zhguall, por në mënyrë të tillë që atë përgjigje të nënkuptuar të mos e vësh dot në diskutim, sa kohë që ajo blatohet si premisë – madje thjesht orvatja për t’iu përgjigjur pyetjes do të konfirmonte premisën përkatëse, ose Ç.D.V.

Nga pikëpamja tekstologjike, shkrimi i mbjellë me pikëpyetje i përket një teksti që sjell me vete rebelimin: ndaj rendit ekzistues, ndaj të vërtetave të pranuara, ndaj padrejtësisë të imponuar si drejtësi.

Duke gjykuar nga vizioni që ka Lolja për historinë dhe për kombin shqiptar, ashtu siç shprehet ky vizion në artikull, nuk mund të përfundojmë veçse që autori është treguar i përmbajtur duke u kufizuar vetëm me 16 pyetje në 29 fjali.

Përndryshe, shkrimi pozicionohet edhe në avant-garde të diskursit publik shqip në epokën e tanishme – sidomos atij diskursi që u kundërvihet “gënjeshtrave” dhe “manipulimeve” të elitës.

Në këtë lloj diskursi, pikëpyetja funksionon si arma e arsyes së të varfrit, i cili të vërtetën e vet nuk mund ta shprehë veçse si rrëzim të kolonave, mbi të cilat qëndron e balancuar statu quo-ja.

Kam lexuar dikur se me energjinë e zhurmës që bëjnë tifozët në stadium, kur shënohet goli, mund të ziesh një vezë.

Teksa lexoja shkrimin e Loljes mendova se, po të mos e kisha lënë cigaren prej kohësh, energjia e përçuar prej pikëpyetjeve në faqe kushedi do të më kish mjaftuar për ta ndezur një.

P.S.  Studjues e analistë ballkanikë janë të sigurtë se ideja e Shqipërisë së madhe po fiton terren.

Nuk ka komente

  1. Do ti shtoja dhe une disa pikepyetje te tjera temes ose subjektit ne fjale me konkretisht. Sipas faqes se internetit se ciles i je referuar biografise se Z. Lolja thuhet qe eshte 40 vjec dhe ka filluar universitetin ne 1987 dhe ka marre titullin Doktor i Shkencave ne 1996. Sipas perllogaritjeve te mia del qe ka filluar shkollen e larte kur ishte 14 vjec dhe mbaroi doktoraturen ne moshen 23. A eshte ky gabim i faqes se internetit, apo ky eshte ndonje produkt i cuditshem i shkollave Shqiptare te pas viteve 90? Gjithsesi nuk eshte as e para e as e fundit here qe brenda shoqerise te Shqiptareve me profesione te ndryshme ne jete te kete te tille qe marrin guximin flasin publikisht per tema per te cilat nuk jane te kualifikuar. Mbase nje arsye tjeter qe shojegon pse vendi yne ende eshte ne nje tranzicion ne shume aspekte

  2. Saimir Lolja eshte djale serioz dhe personalitet i shquar i komunitetit shqiptar te Kanadase. Gojet e liga thone qe shpejt do te marre edhe titullin konsull nderi i Shqiperise ne Kanada pasi 2 te tjeret qe jane ketej, njeri eshte i pashkolle e demokristian, ndersa tjetri nuk di anglisht fare.

    Shkrimi edhe pse ka gabime shqiptimi (kuptohet si pasoje e influences se gjuheve te huaja dhe eksperiencave kimike mbi autorin) ja vlen te lexohet. Por pyetja qe duhet cuar ketu eshte, pse autori nuk ve ne pah ne shkrim qe po te mos kishte qene Skenderbeu, nuk do te ishte krijuar as vete Kanadaja.

    1. Shkruan:

      Por pyetja qe duhet cuar ketu eshte, pse autori nuk ve ne pah ne shkrim qe po te mos kishte qene Skenderbeu, nuk do te ishte krijuar as vete Kanadaja.

      Kushedi ngaqë e ka parë të tepërt t’ia thotë këtë publikut të cilit i drejtohet me parapëlqim.

  3. E dini c’me ndodhi nje dite ?!

    Me shkoi mendja per te ngrene kos me sheqer, por u ngaterova e hodha kripe, se ato njelloj jane ne forme e ngjyre. C’te beja pastaj ? I hodha ca akuj , griva ca thelpinj hudhre, i shtova dhe pak feta kastraveci dhe e perfundova si tarator.

    Gjene mire thashe me vete , henga tarator dhe pse isha pergatitur per kos me sheqer…

    Dhe pse me ndodhi kjo ?! Sepse po vrisja mendjen per te dhene ndonje pergjigje per ndonje pyetje.

  4. Epo meqe artikulli eshte zbavites skemi pse te gjejme kohe te pergjigjemi. S.Loljen e njoh, eshte aktivist ne komunitet dhe te pakten ben dicka per qyqaret tane te degdisur ne Toronto. U jep ca dinjitet e u thote qe mund te perballeni mire me 200,000 greke e 600,000 Italiane e mijra sllave qe jetojne atje (ne krahasim me 15000 shqiptare). Audienca eshte me teper komuniteti ne Toronto, se katnarit ne Arrnautistan nuk I prishet gjiza se “humbi” greqine

  5. Xha Xha,

    Kesaj i thone, hedh nje i marre nje gur ne lume dhe njeqind te mençur perpiqen ta nxjerrin.
    Nuk ia vlen te merremi me keta Lolo dhe, per mendimin tim, ti nuk duhet t’i besh me jehone marrive te tilla. Vetem fakti qe ky emigrant i frustruar u be objekt i vemendjes sate i jep atij shume me teper rendesi sesa ai palo shkrim qe arriti te fuse te Shekulli.

    1. Ç’më thua kot mua, Relapso? Unë s’e hapa këtë temë për t’ia bërë biografinë njeriu – siç mund të ta konfirmojë edhe shkrimi pasues në blog. Rrihja tjetërkund. Për fat të keq, ky është niveli i debatit në linjë, dhe nuk ka moderim që ta ngrejë, as ta devijojë nga vëmendja ndaj njerëzve te interesi për temat.

      1. Sa per nivelin e debatit ne linje, ke te drejte. Pikerisht per shkak te mungeses totale te filtrave merr rendesi te veçante jo vetem se ç’shkruhet, por edhe kush shkruan. Jo per t’i bere biografine kujt, por thjesht per hir te se vertetes, bera nje kerkim ne sajtin e Ryerson University. Nuk ka gjurme te ketij “profesori” atje. E thashe me lart, hedh nje budalla nje gur ne lume dhe njeqind te mençur nuk e nxjerrin dot.

    2. Po keshtu jane keto punen tona, zoteri: palo shkrimtare, palo shkrime, palo shkronja. Me keto do merremi, se po nuk u morem me to, do na marrin ato pastaj – frymen krejt! Bile une them qe ne si kulture argetohemi shume-shume pak me palo e lolo. Cdo botim normal (!) ne shqip duhe te kishte nga nje seksion argetimi me keta, me humor ndeshkimor, se jane shtuar kaq shume, e mund te shtohen aq shume, sa nuk do jete me humor hic ajo cka do thone e bejne – mbi ne.

  6. As shqiptarët orthodhoksë nuk luftuan për atë që sot quhet Greqi dhe as shqiptarët muslimanë nuk luftuan për atë që sot quhet Turqi. Të dy palët luftuan për atë që ata e konsideronin vehten në ato momente. Që në kohën e Perandorisë Bizantine (Romane e LIndjes) shqipfolësit, sëbashku me greqishtfolësit dhe vllahishtfolësit e konsideronin vehten pjesë të kësaj perandorie dhe të gjithë emërtoheshin bizantinë (romios); edhe pas pushtimit nga P.Osmane këto popullsi vazhduan të identifikohen si romios, prandaj dhe PO i përfshinte të gjithë në të njëjtin milet, mileti rum (romios). Kështu që kur këta luftonin kundër PO luftonin si romios me synimin për të rikthyer PB dhe as që e kishin idenë e një kombi shqiptar etj.Edhe shqipfolësit muslimanë, pas konvertimit të tyre, e ndjenin vehten pjesë të PO-së dhe e konsideronin vehten pjesë të popullit osman, ashtu si i konsideronte edhe perandoria si pjesë e miletit osman. Edhe këta luftonin për të ruajtur perandorinë me të cilën identifikoheshin dhe as e kishin idenë e një kombi shqiptar ose të konsideroheshin bashkëkombas me shqipfolësit orthodhoksë. Kështu që duke u identifikuar si pjesë e dy perandorive armike, normal që do të luftonin kundra njëri tjetrit si armiq. Pas krijimit të kombit dhe të shtetit shqiptar mund të flasim për humbje të PB-së (jo Greqisë) për orthodhoksët e Shqipërisë si dhe humbje të PO-së (jo Turqisë) për muslimanët e Shqipërisë, por të dy palët fituan një idenditet të përbashkët, përkatësinë kombëtare shqiptare si dhe ndërgjegjien kombëtare shqiptare.Ndërsa shqipfolësit e Greqisë (arvanitët) si dhe shqipfolësit e Turqisë humbën PB-në dhe PO-në dhe në mungesë të një ndërgjegjie kombëtare shqiptare nuk e dimë dhe nuk mund të themi nëse kanë marrë ndërgjegjien greke, respektivisht turke apo akoma ëndërrojnë përkatësitë e humbura.

    1. Thano tha:

      “Ndërsa shqipfolësit e Greqisë (arvanitët) si dhe shqipfolësit e Turqisë humbën PB-në dhe PO-në dhe në mungesë të një ndërgjegjie kombëtare shqiptare nuk e dimë dhe nuk mund të themi nëse kanë marrë ndërgjegjien greke, respektivisht turke apo akoma ëndërrojnë përkatësitë e humbura.”

      Une them:
      Nese kane akoma enderra per perkatesine e humbur, do ishte mire tu themi qe bejne mire te rrine aty ku jane, se po i hyne ketyre puneve te ndergjegjeve tona do ti zer marazi dhe do pellcasin nga inati sesi ne te shkretet humbem si Greqine ashtu edhe Turqine, por qe fale nesh e luftes sone heroike Perendimi lulezoi.

      = Jashte qyfyreve – jam me te vertete serioz. Me bie rasti te bisedoj ne disa raste me keta veprimtaret e kombit, e kam hasur ne disa raste disa qe me kane qare ne tavoline, pse, fjala bie ne Himare flitet greqisht. Dhe sic thote Qafiri me larte te tjere si ky Sajmua “U japin ca dinjitet e na thone qe mund te perballemi mire me 200,000 greke e 600,000 Italiane e mijra sllave qe jetojne atje (ne krahasim me 15000 shqiptare).” Ahahaha.

    2. pa kuptim, sa me lart.
      Shqiptaret kane qene me teper te vete dijshem per cka ishin, se sa c`spekullojme neve sot.

      Wien, Österreichische Nationalbibliothek, Cod. 12523*-24
      : Grimani, Francesco; Registro di lettere publiche dalla Grecia, Albania etc. a. 1730-1736; italienisch

      Übersicht zur Signatur
      Wien, Österreichische Nationalbibliothek, Cod. 5748
      : Valier, Pietro; Relazione di Dalmazia ed Albania; italienisch

      Übersicht zur Signatur
      Wien, Österreichische Nationalbibliothek, Cod. 5812
      1: Contarini, Franciscus; Mandatum ad Franciscum Molino provisorem in Dalmatia et Albania d. d. 2. Aprilis 1624

      5 weitere Treffer in diesem Dokument
      Übersicht zur Signatur
      Wien, Österreichische Nationalbibliothek, Cod. 5992
      1: Relazione militare dell’Albania

      Übersicht zur Signatur
      Wien, Österreichische Nationalbibliothek, Cod. 6245
      13: Bartolo, Giovanni Maria; Consulto sopra i confini della Dalmazia ed Albania; italienisch

      1 weiterer Treffer in diesem Dokument
      Permalink: http://www.manuscripta-mediaevalia.de/?alles:albania

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin