NGA TEKSTI NË SOCIOLOGJI

Jetojmë në kohëra kur një pjesë e mirë e ndërveprimit social ndodh në rrjetet virtuale dhe ku komunikimi në linjë shpesh merr përparësi ndaj atij jashtë linje.

Dhe në rrjetet virtuale ne ekzistojmë dhe jemi të pranishëm kryesisht nëpërmjet atyre që “themi” (në fakt – shkruajmë), ose në trajtë tekstesh.

Që këtej, distanca mes analizës së tekstit dhe sociologjisë së Internetit vjen e shkurtohet.

Prandaj më tërhoqi vëmendjen përdorimi i pyetjeve në shkrimin e Loljes te Shekulli.

Pyetjet në atë shkrim janë simptomë e “Internetitit”, ose një sëmundjeje të fituar gjatë ndërveprimit në forume, rrjete sociale, hapësira komentesh, debate dhe flakërime në linjë.

Tekstet që na përfaqësojnë në Internet, edhe si personalitete, kanë karakteristikat e tyre strukturore, që i dallojnë nga tekstet tradicionale.

Të dytat kanë një autonomi që gjithnjë e kapërcen kontekstin e pandërmjetëm (imediat) ku konsumohen; të parat i shërbejnë, krahas komunikimit të ideve, edhe riprodhimit të personalitetit.

Prandaj nëpërmjet këtyre teksteve mund të kuptojmë kushedi më mirë se çfarë zien në kusitë tona virtuale.

Pyetja është thikë me dy presa – vërtet vendos një marrëdhënie të llojit vertikal midis pyetësit dhe të pyeturit; por kahu i kësaj marrëdhënieje nuk është gjithnjë i përcaktuar mirë.

Kemi modelin ku fëmija pyet prindin dhe nxënësi mësuesin; kemi edhe modelin kur hetuesi pyet të pandehurin në qeli.

Ndryshe nga gjuhë të tjera (khs. anglishten me sinonimet ask, question (si folje), query, interrogate), shqipja e ndihmon pështjellimin konceptual, duke mbetur e organizuar rreth temës pyes; çka mundëson edhe kalimin e rrjedhshëm, ose pa ndërprerje të vijueshmërisë leksikore, nga pyetja te marrja në pyetje.

Një vështrim në tekstet shqipe në Internet, përfshi edhe shkrimin të cilit i referohesha dje, mjafton për të na bindur se pyetjet, në këto shkrime, shprehin në përgjithësi indinjatë, ose zemërim.

Është ky zemërimi i një mase, që e ndien veten të përjashtuar, ndaj statu quo-së të imponuar nga një elitë, e cila duket sikur ka monopolin ndaj së vërtetës.

Ndërhyrjet në këtë rast u ngjajnë të mirënjohurave pyetje nga salla: dhe kush është ndodhur ndonjëherë në skajin marrës të këtyre pyetjeve, do ta dijë se këto janë përgjithësisht armiqësore (hostile).

Armiqësia mund të marrë trajtat e sfidës intelektuale, ose drejtpërdrejt personale (ad hominem).

Në rastet ekstreme, prej të pyeturit pritet që, duke u përgjigjur, ta pohojë disfatën “me gojën e vet.”

Përndryshe, kur dikush merr fjalën para një mase dëgjuesish/lexuesish, ky dikush vetvetiu pozicionohet më lart se masa e atyre që dëgjojnë; qoftë edhe vetëm ngaqë ai është i identifikueshëm si person, ndërsa masa është masë, ose një kolektivitet anonimësh.

Është vështirë t’i flasësh një mase të tillë. Kur më ka qëlluar, rrallë, që ta bëj këtë para një publiku relativisht të gjerë, gjithnjë kam kërkuar me sy persona që njoh në sallë, për t’u folur atyre.

Në fakt, ai që del para masës, për të folur ose shkruar, duhet gjithnjë të mos harrojë mundësinë, sado teorike, sado infinitezimale, të linçimit.

Tradicionalisht, teksti i shkruar gjithnjë ka ardhur edhe si mbishkrim konfirmues i rendit të sendeve; ose riprodhim i një universi të disiplinuar.

Autori ka qenë kështu gjithnjë edhe rreshter i togës së lexuesve; madje edhe atëherë kur ka synuar ta frymëzojë këtë togë për të marrë Bastijën ose Pallatin e Dimrit.

Interneti e ka përmbysur këtë model statik, duke i futur mbrojtësit e Bastijës dhe sulmuesit e saj në të njëjtat chat room-e virtuale.

Hierarkia e dijeve nuk është zhdukur, por vetëm është tkurrur në sferën ku ende sundon e pakundërshtuar, duke pranuar ekzistencën e sferave të tjera, minore, ku kultivohet dija alternative (në anglishte: fringe).

Pyetjet luajnë rol thelbësor në këtë proces – sepse e dobësojnë hierarkinë pa e përmbysur; duke synuar që ta lënë të përmbyset vetë.

Në një moment të parë, pyetja vjen prej plebeut ose të pagojit, i cili ushtron, duke pyetur, lirinë e fjalës – e cila i mishërohet si liri për të vënë në diskutim (në pikëpyetje) tekstin zyrtar, ose versionin e miratuar të botës.

Në një moment të dytë, kjo masë “plebejsh” që pyesin vetëdijësohet për forcën e vet, dhe kërkon t’i izolojë skribët e tempullit, duke importuar – në heuristikë – modelin demokratik.

Të një të vërtete që do të vendoset me shumicë votash.

Vëreni ambivalencën e pyetjes, në këto kontekste – e njëjta formë diskursive, që zë fill si mikluese e dijes, duke i dhënë autoritetit shansin të shpalosë bishtin e vet prej palloi (“sa yje ka në qiell, babi?”), përfundon në sulm armiqësor dhe ballor ndaj këtij autoriteti.

Pikërisht ky lloj modeli diskursiv – pyetja si pyetje – po shndërrohet, falë Internetit, në formën kryesore të luftës së klasave në virtualitet.

Nga njëra anë, elitat zotëruese të dijes i shfrytëzojnë tribunat, podiumet dhe lexuesit vetë për të konfirmuar jo aq dijen që zotërojnë, sa pozitat e tyre si zotërues; nga ana tjetër, masat e privuara jo aq nga dija, sa nga kontrolli ndaj dijes, e shprehin mosmiratimin e tyre nëpërmjet pyetjes.

Përtej pyetjes që vërtet lyp informacion (“sa satelitë ka Jupiteri?”); përtej edhe pyetjes “retorike”, që gjithnjë i përket monologut, pyetja për të cilën po flas vë në diskutim statusin e teksteve të cilave u drejtohet; përfshi këtu edhe vetë personalitetin diskursiv të subjektit folës.

Hap pas hapi, masa e anonimëve që pyesin e pyesin jo vetëm kërkon të rrëzojë idhujt e autoriteteve të cilave s’ua njeh (më) pushtetin, por edhe të bëjë vend për versionin e vet të realitetit, së bashku me autoritete të reja dhe idhuj përkatës, të cilave ua gjen gati piedestalet.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin