RADHË DHE PRIVILEGJ (II)

(shënime)

Sondazhe në vendet e ish-kampit socialist, pas 1990-ës, kanë treguar se edhe disa dekada pas shembjes së sistemit socialist, brezat e vjetër dhe të rinj jo vetëm vazhdojnë ta përmendin radhën në dyqane si dukurinë emblematike të atyre viteve, por edhe ta bashkëlidhin atë me varfërinë e tregut dhe mungesën e mallrave (shortage).[1] Ky shoqërim imazhesh dhe idesh kërkon shpjegim – meqë varfëria e tregut, në trajtën e dyqaneve të zbrazëta dhe të mangësive në furnizimin me artikuj të konsumit të gjerë, nuk përfton detyrimisht radhë; dhe vetë radhët dëshmojnë, në mos gjë tjetër, të paktën shpresën e atyre që presin se njëfarësoj, me pak durim, do të arrijnë ta blejnë në dyqan mallin që kërkojnë. Nga ana tjetër, e vetmja arsye për të ndenjur në radhë kur raftet e dyqanit janë bosh është shpresa për një furnizim së shpejti. Prandaj, dhe pavarësisht figurave të kujtesës kolektive, radha ka më shumë kuptim si simptomë e dështimit në shpërndarjen e artikujve në treg dhe e faktit që artikujt e dëshiruar janë gjithnjë në sasi të pamjaftueshme, në kuptimin që oferta asnjëherë nuk e kënaq dot kërkesën. Vetë ideja se “gjërat mezi gjenden” ushqen obsesionin e blerjes pa nevojë, siç mund të ndodhë në rrethanat kur njerëzit mbajnë radhë, në tetor, për topa ose pantofla plazhi, me bindjen se kur të vijë vera e ardhshme, këto nuk do të gjenden më. Më shumë se mungesa, radhët i ka ushqyer psikoza e mungesës, ose bindja se gjasat janë shumë të ulëta, që ti ta gjesh një mall në dyqan, kur të kesh nevojë për të; prandaj duhet të kujdesesh dhe të blesh gjithçka që “del” në treg, në momentin që “del”, ngaqë nuk dihet pastaj se kur mund të “dalë” sërish.

Për këdo që ka pritur në radhë, te një dyqan ose për një shërbim, pritja si eksperiencë nuk ka qenë fort e ndryshme nga ajo e punës “angari”, e aksionit (të dielave, me goditje të përqendruar, në ndihmë të fshatit e të bujqësisë), e punës “vullnetare” deri diku edhe e grumbullimit ushtarak; kohë e humbur, madje kohë e vdekur, duke ndenjur kot në një vend të mërzitshëm, në një shoqëri që nuk e ke zgjedhur ti vetë. Kjo përshtypje difuze madje mund të ketë ndihmuar që radha të gjykohej edhe ajo si e urdhëruar, ose e imponuar nga “shteti”, paçka se shteti mund të ishte vërtet fajtori për pritjes në radhë, por nuk është se e organizonte radhën vetë. Si të thuash, shumë njerëz e perceptonin të priturit në radhë si zbatim prej tyre të një urdhri abstrakt, si detyrim ndaj një instance formale ose administrative; edhe pse gjithkush pastaj paguante për mallin që blente; dhe ashtu edhe koha e kaluar në pritje do të interpretohej si një taksë që i jepej shtetit, kur nuk interpretohej si “punë” (labor) për të siguruar mallra të nevojshme, e cila mbetej gjithsesi e papaguar.

Nuk kam në duar asnjë material që të më ndihmojë për zanafillën e kulturës së radhës mes shqiptarëve, por mund të sjell këtu disa premisa, si (1) radha si formë e organizimit të grupeve që presin për një mall a një shërbim është shfaqur relativisht vonë edhe në Perëndim, në një kohë që disa kultura jo-Perëndimore nuk e njohin fare[2]; (2) radha kërkon një parakusht implicit të barazisë (aksesit të barabartë) mes një mase njerëzish që përndryshe mund edhe të mos e njohin fare njëri-tjetrin, në një kohë që tradicionalisht shoqëria shqiptare ka qenë themeluar dhe ka funksionuar mbi privilegjin, që është e kundërta e barazisë, por që lyp si rregull njohje paraprake; (3) sikurse kërkon që çdo individ “radhëtar” të pranojë – me veten ose me të tjerët – se është duke shpenzuar nga koha e vet personale për t’u bërë vend të tretëve të panjohur, të cilët kanë të vetmin avantazh që kanë ardhur para tij në radhë; (4) përjetimi i radhës nga “radhëtarët” varet edhe nga perceptimi subjektiv i kohës dhe kohëmatja e ditës nëpërmjet orëve.

Mund të spekulohet që format rudimentare të radhës, si praktikë e mbarështimit të turmave paqësore, të jenë shfaqur fillimisht në komunitete fetare (rituale, procesione), në shkolla, në ushtri, në praktikat e ruajtjes së rendit (burgje) dhe në mjedise të ndihmës për të varfrit (shpërndarje ushqimesh, nën mbikëqyrjen e të tretëve), për t’u adoptuar pastaj edhe gjetiu, si sisteme ekonomizimi të kohës dhe të hapësirës publike për qytetarët, në kushtet e ngushticës në mallra dhe shërbime. Edhe pse jo gjithnjë e drejtpërdrejtë, lidhja mes praktikës së radhës dhe kufizimit të lirive individuale mbetet e dukshme; por gjithnjë mund të argumentohet se bashkërendimi mes grupeve të mëdha të njerëzve gjithnjë kërkon sakrificën e pjesshme të këtyre lirive (të paktën në kuptimin e tyre relativ, ose si mungesë kufizimesh).

Vetë fjala radhë, në shqipen e sotme, ka disa kuptime themelore, të cilat i referohen konfigurimit hapësinor të elementeve të një bashkësie, por edhe sekuencës se kur ndodhin elementet e një bashkësie eventesh. Kur u referohet njerëzve që presin për të blerë diçka, radha është emër predikativ (i ngjashëm me punë, luftë, valle, vaj, bisedë); si aktivitet që kryhet nga ata që presin. Shqipes i mungon një folje sintetike për këtë aktivitet, prandaj përdor togfjalësh të tillë si mbaj radhën, rri në radhë, pres në radhë, në të cilat emrit radhë i bashkëlidhet një folje semantikisht e dobët, që tregon vijueshmëri të veprimit; në një kohë që foljet te hyj në radhë, zë radhën dhe dal nga radha tregojnë sipas rastit fillimin ose përfundimin e “të priturit”. Një krahasim i shpejtë i shqipes radhë me gjuhë të tjera konfirmon se, edhe në shqipe, radha shihet si spacializim i një renditjeje kohore, ose konfigurim në hapësirë që riprodhon (rimerr, pasqyron) një konfigurim në kohë; prandaj ti rri në radhë (hapësinore) por të vjen radha (kohore) – khs. anglishten to stay in queue ose on line, por it’s my turn. Për t’u shënuar edhe se radha, si ritual, i bindet parimit që në anglishte e kanë quajtur first come first served, çfarë do të thotë se renditja e personave në radhë varet nga koha kur kanë mbërritur te një vend i caktuar, që do të ishte edhe vendi ku “mbahet radha”. Si objekt matematik, radha ka zakonisht një përmasë (pritësit vendosen njëri pas tjetrit në njëshkolonë), duke i ngjarë një drejtëze, por ndryshe nga drejtëza çfarëdo, radha është e orientuar për nga hyrja e dyqanit ose sporteli (ka natyrë vektoriale), si t’i bindej një fushe “magnetike”, çfarë manifestohet fizikisht edhe në fytyrat e pritësve, që janë të kthyera në atë drejtim dhe në vetë drejtimin e lëvizjes së radhës.

Unë që jam rritur në Tiranë ende mbaj mend kur radha, te një dyqan, te sporteli i kinemasë ose te stacioni i autobusit, konsiderohej pothuajse unanimisht si formë e një sjelljeje të kulturuar (të qytetëruar); sikurse mbaj mend që në disa vende si dyqanet e bulmetit (qumështi) ose të vajgurit radha respektohej shumë më mirë se te sporteli ku shiteshin bileta kinemaje; te ky i fundit ndodhte rëndom që djem azganë të shtyheshin dhe të përlesheshin bujshëm, për të siguruar biletat për një film të sapodalë. Mbaj mend, më në fund, që radhën në Shqipëri shpesh e mbanin veç gratë dhe veç burrat, dy rreshta ose kolona që takoheshin te pika e shitjes, banaku ose sporteli; dhe ashtu mund të ndodhte që një djalë a burrë të rrinte në radhë edhe një orë, teksa një vajzë a grua të mbaronte punë për pesë minuta, edhe pse kishin ardhur atje njëkohësisht. Synimi i këtij segregacioni gjinor do të ketë qenë që të mbroheshin vajzat dhe gratë nga “kontakti” i pahijshëm me seksin tjetër; dhe ashtu rrallë qëllonte që të vihej në diskutim, edhe pse shpesh na ka qëlluar që t’i kërkojmë një gruaje të panjohur që të na blejë dy bileta kinemaje, për të kursyer kohë. Te një shkrim me këtë temë në Peizazhe të fjalës (Në radhë), Rando Devole e përmend shpjegimin tradicional që e sheh segregacionin gjinor të radhës si inerci të një tradite më të hershme për rolin dhe agjencinë e grave në hapësirën publike, por pastaj e krahason këtë dukuri me të njëjtën logjikë ndarëse në vende me disiplinë të fortë, si burgu dhe ushtria (kaserma).

 

Këtë e ilustron imazhi i mësipërm, i një monumenti gjigand të ngritur në Pragë në 1 maj 1955 dhe që u njoh me emrin “Monumenti i Stalinit”, për t’u shkatërruar pastaj në fund të vitit 1962. Gjatë atyre pak vjetëve që mbeti në piedestal, banorët e Pragës e mbiquajtën “Radha e mishit” (Pavel Pospěch, art. cit.), duke e vënë re menjëherë marrëdhënien implicite mes militarizimit, totalitarizmit dhe radhës.

(vijon)

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Imazhi: Von Miroslav Vopata, taken by my grand father, uploader Krokodyl – my own scan, CC BY 2.5


[1] Për Çekosllovakinë, këtë e ka analizuar Pavel Pospěch, në “The spectre of the queue: resignifying the past in the post-communist Czech Republic” (American Journal of Cultural Sociology, 8, 1919-213, 2020).

[2] Shkruan Donald Norman te Living with Complexity (2011, The MIT Press, Cambridge, Massachusetts, London, England, f. 195), duke cituar Encyclopaedia Britannica: “Atmosfera sociale në Hong-Kong-un kolonial të viteve 1960 nuk kish asgjë që sot do ta quanim të sofistikuar. Të thyeje një çek në bankë, të hipje në autobus a të blije një biletë treni kërkonte forcë të kulluar. Kur u hap McDonald’s në 1975, klientët filluan të grumbulloheshin rreth arkave, duke i ulëritur porositë dhe duke tundur paratë mbi kokat e atyre që kishin përpara. McDonald’s u përgjigj duke adoptuar praktikën e kujdestareve të radhës – gra të reja që i udhëzonin klientët për të mbajtur radhë të rregullta. Pas kësaj, mbajtja e radhës u bë karakteristikë e kulturës kozmopolitane klasë-e-mesme në Hong Kong. Banorët e vjetër të qytetit ia dinë për nder McDonald’s-it që e futi këtë praktikë, si element kritik të tranzicionit social.”

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin