NË RADHË

Në radhët e Shqipërisë totalitare, përballë dyqaneve të zbrazëta, çdo gjë mund të vihej në pikëpyetje: trasta e vjetër, copa e tullës, qesja e dalëboje, gazeta ZP, shishja anonime, personi vetë. Kur makina e qumështit vinte për furnizim, në rrëmujën që pasonte, mund të ndodhte gjithshka. Nga i pesti mund të kaloje i dhjeti, trasta radhëmbajtëse mund të shndërrohej në copë tulle, dy litrat që fillimisht do blije bëheshin pesë. Vetëm një rregull mbetej i padiskutueshëm: ndarja e radhës sipas gjinive.

Kujtoja se “radha e burrave” dhe “radha e grave” i përkiste së kaluarës, d.m.th. Shqipërisë parademokratike, ose postdiktatoriale të viteve ‘90. E di fort mirë se ndarje të tilla nuk vdesin menjëherë. Nuk jam aq naiv sa të mendoj se nuk do mbijetojnë diku. P.sh. në ndonjë fshat të humbur ose përballë sporteleve ku merret pensioni. Kujtoja se ndarja sipas gjinisë nëpër radha ishte zhdukur pak nga ekonomia e tregut e pak nga hapja e kufijve. Në fakt, realiteti i sotëm urban u jep pak mundësi qytetarëve shqiptarë të ndahen në rresht për dy. Si rrjedhim, skema “radhë burrash – radhë grash”, herë përbri dhe herë paralele, tashmë më përftohej në kujtesë pa ngjyra. Nga ana tjetër, pamjet që na vijnë përditë nga vende “ekzotike”, sikur ma kishin tëhuajësuar imazhin e radhës, duke ma larguar nga përshoqërimet me vendin tim.

Mirëpo, kësaj vere në Shqipëri, m’u desh ta rifreskoja kujtesën. Kisha nevojë të nxirja pasaportën e re. Kur vajta pranë komisariatit të lagjes, pashë një radhë disi të ngatërruar në krye. Nga mesi, çuditërisht, fillonin dy bishta që mezi merrnin formë. Nuk dija ku të prisja: pak majtas apo pak djathtas? Pyeta një zonjë jo krejt të moshuar se kush ishte i fundit. “Pyet nga radha e burrave”, më tha me zë të lartë prej kapteri. Qortimi i kamufluar e bëri efektin edhe mbi radhën vetë, e cila erdhi duke u ngjizur me shpejtësi. Bishtat u ndanë qartë, tufa u rreshtua, ndarja e sekseve u trupëzua.

Personalisht, kurrë nuk e kam kuptuar logjikën që qëndron(te) pas ndarjes së radhës. Atë të radhës vetë e kisha kuptuar me pahir, por ndarjen në gra e burra nuk e kisha përtypur asnjëherë. Edhe gjatë regjimit të mëparshëm, kurrë nuk më kishte vajtur mendja se ndarja kishte prejardhje anadollake, në kuptim që vinte nga një prapambetje kulturore që donte t’i shikonte gratë të ndara nga burrat në publik. Kjo për arsyen se asokohe isha i vogël dhe nga ultësitë e vegjëlisë, tek radha fqinjë shikoja kryesisht teto, gjyshe, nëna, ose thjesht fytyra të shqetësuara për llojin e mishit që do vinte në shitore. Rrallë herë shikoja ndonjë moshatare, që mund të më zgjonte hormonet e përgjumura nga zgjimi i detyruar në pikë të mëngjesit, dhe si pasojë të kuptoja thelbin seksual të ndarjes në radhë.

Përballë komisariatit ndoqa këshillën e “komisares”. Iu afrova ngadalë radhës së burrave. Por ca nga fakti se kishte dalë më e gjatë dhe ca ngaqë s’më rrihej pa folur përballë skenës së shëmtuar, provokova ironikisht: “Po homoseksualët në çfarë radhe rrinë?”. Heshtje e plotë. Batuta i tërhoqi vëmendjen edhe policit në sportel, i cili hoqi kapelen dhe filloi të kruante kokën. Nuk besoj për ajrosjen e trurit. Disa u kthyen nga unë me sy të zgurdulluar. Një plakë me shami filloi të mërmëriste diçka nëpër dhëmbë kundër të rinjve. Një mesoburrë më hodhi një shikim midis përçmimit dhe kureshtjes nga koka tek këmbët. Vetëm një vajze të re i shpëtoi një buzëqeshje argëtuese, por fill më pas iu desh t’i shpjegonte diçka djaloshit shoqërues, i cili, mesa dukej, e kishte interpretuar batutën si sfidë. Pas injeksionit shpjegues të vajzës, u qetësua dhe i lëshoi grushtet e shtrënguara.

Mbaj mend që gjatë krizës së viteve tetëdhjetë, kur jeta e shqiptarëve zhvillohej e tëra në radhë, disa familje kishin përpunuar strategji të mirëfillta ushtarake për të përballuar situatën. Komshiu im dilte herët në mëngjes për rikonjicion. Sipas radhëve të dyqaneve vinte qeset dhe tullat. P.sh. në qoftë se në bulmetore kishte pak gra, e vinte qesen tek “gratë”. Tek mishi bënte të kundërtën. Çdo gjë sipas radhës. Pastaj kthehej në shtëpi dhe zgjonte gruan ose vajzën, ose të dyja bashkë. I shkoi puna fjollë derisa nuk e mori vesh komshiu tjetër, që kishte dy djem e dy vajza. Ky i fundit, matematikisht, kishte hapësirë për kombinime më të shumta. U konkurruan për shumë kohë. Historia përfundoi me armëpushim bashkëpunues: për rikonjicion dilte herë njëri herë tjetri. Pastaj ndaheshin detyrat e këmbësorisë.

Dyshimi që më ka brejtur gjithnjë ka qenë ky: po sikur ndarja e radhës sipas gjinive të ketë qenë instrumental, d.m.th. që përdorej si mjet për të arritur diçka, ta zëmë shpejtësinë e radhës? Me fjalë të tjera: radha mund të ketë lindur në epokën e perçes, por pastaj, me kalimin e kohës, ka mbetur në shoqëri për inerci si puna e apendicitit. Vetë regjimi është sjellë në mënyrë skizofrenike. Në shkollë i luftonte ndarjet seksuale, nëpër radha i lejonte. Dyshimi tjetër që kam pasur, ka të bëjë me veçoritë e shoqërisë shqiptare në totalitarizëm. Mos vallë radha e ndarë vinte ngaqë shoqëria i ngjante si ushtrisë ashtu edhe burgut? Domethënë dy strukturave ku ndarjet sipas gjinive ishin normale?

Megjithatë, dyshimet më janë lëkundur vazhdimisht. Radha sipas seksit nuk më ka bindur me funksionalitetin e vet. Sidomos kur në radhë futeshin të dy bashkëshortët: “Kush të arrijë i pari”, i thoshte burri gruas, por më shpesh kjo atij, meqë meshkujt janë ca të ngadaltë në këtë pikë. Kjo bëhej për të marrë dy kile më shumë kur tollonat nuk kishin pushtuar ende vendin. Gjithsesi, radha nuk është se ikte më shpejt. Nga ana tjetër, vetë mbijetesa e saj deri në ditët e sotme dëshmon se, edhe kur shoqëria është e hapur dhe pas asnjë kallash në depo, diçka mbetet nga e kaluara.

Tani që agjencitë japin lajmin se në Malezi, Kryeministri Nik Aziz Nik Mat ka vendosur të restaurojë radhët në supermarkete (“për t’i shpëtuar gratë nga sikleti i kontaktit me meshkujt”), çështja ndërlikohet edhe më shumë. Mendja detyrimisht të shkon tek Shqipëria, pragmatizmi i saj dhe emancipimi i grave. Më duket se ka një fill të kuq ideologjik që i lidh radhët e ndara me kuotat rozë; madje edhe biondet ose brunet, që sillen sot si celebrities në skenën politike shqiptare, shfaqen thjesht si fytyra të grave në radhë, veçse të grimuara e të stolisura Versace.

Disa dyshime ikin, të tjera vijnë. Përse polici kur dëgjoi kërkesën time indirekte për hapjen e radhës së homoseksualeve, i la të tjerët për t’u interesuar për mua? “Eja mor djalë. Çfarë halli ke, se ne për këtë punë jemi këtu…”. Buzëqeshja e ëmbël dhe sytë e shndritshëm shkonin përtej mirësjelljes zyrtare. U stepa. Ndoshta ndonjë belbëzim. Nuk kisha faj. Në këto kohë të vështira, gjithë shoqata, Ojq, identitete të paqeta dhe njerëz të panjohur, radha e vjetër të jep gjithnjë siguri. Edhe pse e urryeshme, skema e saj mbetet e njohur. “Hiç, i thashë. Po pres këtu tek radha e burrave”. Burri para meje, u zhvendos më tutje, me drojë e frikë njëkohësisht. Nuk pata guxim ta shikoja në sy. Sytë i mbaja përdhe.

9 Komente

  1. Cudi, Pishak, si ke shkruajtur kaq qete e kaq gjate, me ilustrime zbavitese dhe ngacmuese, me kaq shume hipoteza per arsyen e ekzistences se rradhes sipas seksit, pa permendur funksionin me te rendesishem te rradhes: ndarjen e detyrueshme te nje funksioni shtepiak mes burrit e gruas (qofte edhe vellait dhe motres) dhe ne kete menyre lehtesimin, sado te vogel, te barres mbi gjinine femerore. Cudi, qe nuk te kujtohet, mes atyre flashback-ve, sa e veshtire ka qene qe barazia ne pune, gjysem-barazia ne pozicione drejtuese (sepse gjithsesi u rrit pjesemarrja, e kuotat ‘roze’ nuk ishin gjekundi aq stoli, sepse pikerisht nuk ishin aq te bukura, te lyera, te zhveshura, dhe te pakta, sa jane sot), pra tentativa per barazi publike, te depertonte familjet. Posi, kishte nga ata te emancipuar qe ‘ndihmonin’, kryesisht gatuanin apo dicka tjeter te fisme te ketij lloji – imagjino psh nje burre te lante, largqofte, rrobat- por kjo ishte e rralle dhe kryesisht kur nuk i prishte pune trarit te shtepise. Nderkohe sistemi dyrradhesh e detyronte burrin t’i kushtonte ca kohe nga gjumi dhe rehati i vet rradhes, ne menyre qe gruaja te mos kalonte gjithe kohen ne rradhe, me mundesi te diskutueshme suksesi. Frika nga kontakti sensual, nga ana tjeter, me duket hipoteze krejt e larget, qofte per faktin qe rradhet nuk eshte se kufizonin krejt kontaktin, qofte sepse kishe plot vende te tjera ferkimi (psh autobuzat), qofte sepse ne Shqiperine e asaj kohe nuk kishte ndonje paranoje nga burrat duarfutes, sepse ideologjia bente pune shume me te mire.

    Gjithashtu, futja e homoseksualitetit ne kete debat mund te behet per efekt, por nuk fuksionon ne dy drejtime. Se pari, sepse mbeshtetet krejtesisht mbi hipotezen e frikes se kontaktit, nderkohe qe po ta shohesh rradhen si ndarje gjinore, meshkujt homoseksuale do te futeshin te rradha e burrave, grate lesbike te rradha e grave, dhe njerezit me seks te paqarte do te duhet te prisnin edhe ca per nje shoqeri me tolerante (apo pluraliste :)). Se dyti, sepse reagimi yt ndaj policit te hamendesuar homoseksual, zhvlereson tentativen tende per te ‘hapur’ shoqerine shqiptare, tek shokon gjithe tendence emancipuese njerezit (tek tallesh me djalin qe mbledh grushtat). Sepse ti pishak stepesh. Sepse ti trembesh kaq shume nga homoseksuali, nga “këto kohë të vështira, gjithë shoqata, OJQ, identitete të paqeta dhe njerëz të panjohur”, sa kthehesh te rradha e vjeter, qe ke perqeshur fort e fort. A thua jane homoseksualet, shoqatat, OJQ-te (i cuditshem dallimi midis ketyre dy kategorive), identitetet e paqeta (keshtu e perkufizon ti valle homoseksualitetin a biseksualitetin?) dhe njerezit e panjohur (vertete, i tmerrshem ky metropol shqiptar, plot njerez te panjohur), kaq te frikshem?

  2. Pishak, per pak kujtova se te kuptova, pastaj desh Zoti dhe lexova Tropizmen…

    PS- para pak kohesh, nje tentative time per rebelim ndaj rradhes 1 burr 1 gru (dhe faktit qe burra kishte qamet ndersa grate sa vinin iknin – e thene ndryshe, ne nje rradhe unike ato do te konsideroheshin sikur hynin “pa rradhe”, krahasimi ketu i tyre me “te fortet” mund te ishte i rrezikshem ne terma te korrekteses politike) mori kete pergjigje: “Po c’meshkuj jini qe nuk keni respekt per femrat?!!!”.

    Jo me larg se dje, tek dyqani i bukes, ku ne rradhe ishte vetem 1 burre dhe 6 gra, pozicionimi im i shpejte (nuk e vura re qe rradha ishte unike, dmth e kishin vendosur ate burrin pas tyre:) ) mori kete koment: “Po nuk behen njerez keta!”
    I penduar u rendita i fundit, pasi mendova se packa se “gra” ne kuptimin e pergjithshem, keto te bukes nuk ishin te njejtat me ato te rradhes se uje-elektrikut (qe me kishin bere per nje lek para ca kohesh).
    Pres me padurim qe te ma dredhin ne rastin me te afert, per te me dhene perfundimisht motivimin te hyj ne rradhen e paqene te “te fortit” qe hyn pa rradhe. Besoj se per 10 a 15 vjet (sa ende te quhem i fuqishem) koncepti i rradhes burr-gru do na e marre te keqen.

  3. Fillimisht e futa shkrimin edhe në raftin e “Humorr”-it. Në çastin e fundit e hoqa sepse më dilte shumëraftor. Pastaj nuk isha shumë i bindur. Si përballë radhës…

    Shoqatat i ndava nga OJQ-të, sepse këto të fundit për mua janë jofitimprurëse (OJF). Në Shqipëri ka mjaft shoqata që fitojnë, madje tepër, më shumë se ndërmarrjet vetë.

    Batuta për radhën e homoseksualëve u bë (ndoshta) për të futur në krizë ndarjen gjinore tradicionale, d.m.th. sistemin. Ia doli Pishaku? Them që jo. “Revolucioni i tij emancipues” mbeti në tentativë. Nuk pati guximin të shkonte përtej zakonit. Unë do ta quaja “zbythje prej oportunisti dështak”.

    Kurse NgaHalli paska rënë në rrjetën e pragmatizmit të radhës (në kuptimin e rreshtit, jo vijues, sepse shqiptarët janë përgjithësisht parimorë). Më bëhet qejfi që paskam kolegë në këtë pikë. “Viktimë e mirë me shokë shumë”, si do t’ia thoshin një fjale. NgaHalli e kupton nga halli ku më rreh çekani.

    Gjithsesi, sprovën serioze për emancipimin e grave shqiptare dhe barazinë seksuale do ta lë për herë tjetër.

    Tani “just for fun” dhe për të ngacmuar pak mendimin.

  4. Pishak, te falemnderit per ngacmimin (ne emer te kolektivit 😉 ), po tjeter lloj ngacmimesh pres prej blogut tuaj.

  5. Pseudonim (sa kohe pa e pare kete pseudonimin tend) me vjen shume keq per mynzyret qe paske hequr nga ambiguitetet e rradhes mizore :). Kjo puna e respektit ndaj femrave ua ka pak me te futur meshkujve por me beso, femrave ua fut dyfish. Eshte sistem shume interesant, thuajse me interesant se ai i rradhes.

    PS: Pishak, po rradhe me ‘rr’ te forte o Pishak, me e pakta qe mund te besh eshte te korrigjohesh pasi te kane korrigjuar … i don’t mean to be petty, po e ke fjalen e titullit.

  6. Vemendja e porsa aktivizuar, dallon qe “tropizma” qarkullon mire ne nji rruge te mire, me c’far do qe trafiku dikton.

  7. Status Quo-ja e rradhave te ndara nuk ka per te ndryshuar sepse ashtu duan grate. Sepse ajo ndarja e puneve shtepiake qe thote Tropizma, vazhdon t’ia percaktoje pazarin burrit, dhe edhe ato pak gra qe jane perfitojne nga kjo rradhe. U futa nje dite per te blere buke ne Tirane, pas 7 vjetesh ne Londer, kur nje grua me thote futu nga rradha e burrave. Epo thashe, me vete. Humbling experience. Tamam me syte perdhe perfundova, si Pishaku, aq sa lashe tre gra te futeshin pa rradhe pa bere as cec as mec.

  8. Bene. Te them te drejten e lexova me mjaft vemendje artikullin “Ne Rradhe” te Pishakut por po has shume veshtiresi per te percaktuar nese rradha e ndare sipas gjinise duhet konsideruar si nje element prapambetes apo me shume nje element i te shkuares qe, per momentin, eshte mjaft funksional. Per sa me perket mua, dy vjet me pare ne Shqiperi, ne momentin kur po perpiqesha te legalizoja nje sere dokumentash ne nje zyre ministrie do te kisha qene shume me e lumtur nese ne ate moment do te kishte funksionuar rradha e ndare. Me eshte dashur te ndeshem truperisht me disa “gorilla te civilizuar”. Per aq kohe sa nje pjese e mire e “burrave” shqiptare do te vazhdojne te sillen si “te forte” atehere lo status quo do te ishte me “civile”.
    Tropizma: sikur t’i hidhje me shume kripe humorizmit tend mbi ndarjen e rradhes nuk do te shembej bota. Ne Shqiperi per kripe nuk ka vuajtur asnjeri. Buke e kripe por zemerbardhe ka thene shqiptari!:-)

  9. Nuk është në stilin tim të saktësoj hollësira të parëndësishme, por meqë të gjitha ndërhyrjet e kolegëve e shkruajnë fjalën “radhë” me “rr”, dhe meqë ironinë fillimisht të supozuar nuk po e dalloj dot më, atëherë më duhet të theksoj se drejtshkrimi i shqipes e do këtë fjalë me një “r”. Pra “radhë” dhe jo “rradhë”.

    Korrektorët e shumtë që punojnë në redaksinë e blogut “Peizazhe të fjalës” i kanë vënë detyrë vetes që, të paktën në tituj, të mos ketë gabime.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin