KRENOHEMI QË JEMI KRENARË

Paul Flieder dhe Manfred Mayrhofer, dy artistët austriakë që drejtuan vënien në skenë të operetës “Die Fledermaus” të Johann Strauss-it kanë shkruar një artikull për eksperiencën e tyre të frikshme në Tiranë dhe kalbëzimin e institucioneve dhe të kulturës shqiptare. Artikulli të bën me turp kur e lexon, sepse përshkruan një Shqipëri që as në ëndërr të keqe nuk do të dëshironim të shihnim – të kapur peng prej kusarëve, mashtruesve, derrave dhe batakçinjve; një Shqipëri të braktisur nga kultura, shija, zotimi publik, shpresa për t’u ngritur mbi kënetën e allish-verishit politik, ekonomik dhe njerëzor.

Erën këtij skandali ia kisha ndier qëkur lexova një artikull të F. Paskalit te “Shekulli” para disa javësh, të cilin edhe e komentova pak në blog. Për fat të keq, realiteti i kësaj fiaskoje paskej qenë edhe më i hidhur se ç’e kishte përshkruar Paskali: me muzikantët që ngrinin së ftohti, drejtorin e operas që kishte të vetmen zyrë të ngrohur në institucion, harpën që mungonte së bashku me harpisten, një personazh që e kishin hequr arbitrarisht nga shfaqja, ndërhyrjet e administratorëve në çështje artistike të tilla si caktimi i roleve, austriakët që paguajtën nga xhepi për të blerë stufa për orkestrën e mardhur…

Një frazë që më bëri përshtypje në atë artikull ishte:

Në Shqipëri ka artistë të përsosur -Shqipëria ka për shembull më shumë këngëtare me famë internacionale se Austria – dhe këtu opera mund të kishte një nivel si ai i Gjermanisë apo Austrisë. Dhe prapëseprapë, Tirana ka teatrin më të keq të operës në mbarë botën (të paktën sa kam parë e punuar, nga Austria e Gjermania deri në Mongoli).

Ç’t’i thuash kësaj? Njeriut të kënduar i vijnë në mend Inva Mula ose Tedi Papavrami, si dy artistë shqiptarë të muzikës serioze, që tashmë njihen në mbarë botën – dhe jo thjesht për hir të prejardhjes së tyre ekzotike. Nga ana tjetër, i këtyre ditëve është edhe lajmi se sopranoja Ermonela Jaho është duartrokitur gjatë nga publiku britanik në debutimin e saj në “Royal Opera House” të Londrës, për të interpretuar rolin e Violetës në “La Traviata” të Verdit.

Pse shqiptarët PO dhe Shqipëria JO?

Ja edhe një lajm tjetër, që e gjej te “Korrieri” [theksimi është imi]:

Nik Pjeternikaj flet shqip ne filmin hollivudian

Pas “The Sopranos” dhe “Law and Order”, shqiptaret tani prezantohen si mafioze edhe ne ekranin e gjere. Filmi me i fundit i Joaquin Phoenix dhe Mark Wahlberg, “We own the night”, ka nje moment ne te cilin tregohet nje bos i mafies shqiptare, duke testuar drogen qe do te bleje dhe pasi e provon thote ne shqip: “Shume mire, jepini parate”. Shumekush qe ka pare kete sekuence, sidomos shqiptaret qe jetojne e punojne anekend botes, iu eshte bere qejfi kur, duke pare nje film te huaj ne kinema, degjojne te flitet shqip. Vijme nga nje vend i vogel e gjera te tilla na bejne te ndihemi te vleresuar ne syte e botes. Po kjo nuk mbetet me kaq! Aktori qe interpreton mafiozin shqiptar ne film eshte faktikisht shqiptar. Nik Pjeternikaj ka pasur te tjera role te vogla ne nje seri filmash te njohur si: “Shaft”, “Unfaithful”, “Autumn in New York”, “Bait”, “A perfect fit” etj. Nje tjeter emer shqiptar ky, qe na ben te krenohemi per origjinen tone.

Këtu gjërat vijnë e ngatërrohen. Të jenë vallë po ata admirues të Ermonelës dhe Invës që ngazëllehen edhe me mafiozin shqiptar në ekran të kinemasë, për ta përdorur pastaj si arsye krenimi me origjinën?

Përgjigjen ma jep, ndoshta një lajm tjetër, i ngjashëm, këtë herë në “Shekulli”, për një pedagoge të marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Maltës dhe lektore në Universitetin Exeter, në Britaninë e Madhe: Klejda Mulaj, por përndryshe “Shqiptare nga Veriu i varfër”, siç e quan gazeta, së cilës i është dhënë çmimi “Personi i shquar i 2007” në kategorinë “Arritje Akademike”, nga Junior Chamber International (JCI) në Maltë.

Kur i citoj këto lajme, më shkon mendja te kontradikta midis potencialit kulturor dhe akademik të shoqërisë shqiptare dhe mjerimit institucional në Shqipërinë e sotme; por jo vetëm kaq. Në përpjekje për të kuptuar diçka nga mënyra si e përjetojmë qenien tonë kombëtare, gjithnjë e më tepër më duket sikur shqiptarinë po e kultivojmë më tepër si të ishte religjion, sesa po e përdorim si premisë për të krijuar dhe mirëmbajtur shtetin dhe institucionet publike.

10 Komente

  1. Pa koment mbi shqesimin e Xhaxhait, po percjell fjalet e nje investitori italian te thena mbremjen e kaluar:

    (pak a shume):
    “Ky vend eshte i cuditshem. Ketu cdo gje ka nje kosto shtese… Ketu nuk ben dot preventiva, nuk parashikon dot se c’mund te ndhodhe me biznesin tend. Ti vjen dhe investon dhe ne nje vend me nje nr kaq te larte papunesie ti kerkon dhe nuk gjen punetore.
    Nis punen dhe te nderpritet energjia e te prishet prodhimi, te skadon afati qe te ka dhene bleresi …
    Blen nje gjenerator dhe pikerisht personi qe duhet ta ruante, vete roja i objektit, te vjedh naften me tub gome naten. Dhe ti do ta heqesh, por te vjen pronari i nderteses ku je me qera dhe te thote se duhet ta mbash patjeter se ai eshte kusheriri i tij…
    Ti nis urgjent nje makine me bidona per tek pika me e afert e karburantit dhe ajo te kthehet pas tre oresh se ishte bllokuar pa asnje njoftim rruga nga bashkia dhe shoferi kishte mbetur ne trafik, ku i ishte nxehur makina e vjeter dhe ishte detyruar te kthehej ne nje servis…
    Pastaj vendos te ndertosh vete nje ambjent, por askush nuk te shet toke, pervecse me cmime fantastike, pasi pronari ne fjale e llogarit fitimin sikur ti aty te mos ndertoje nje magazine dy kateshe, por nje pallat 10 katsh me dy kate dyqane me cmime blloku, dhe e gjithe kjo sepse nuk ka nje plan urbanistik qe ti thote atij njehere e mire qe aty, ne ate vend, nuk mund te ngrihen vecse ndertesa industriale 2-3 kate.
    Une kam punuar edhe ne Serbi, edhe ne Rumani, por vend me ineficent se Shqiperia nuk kam njohur kurre!”

    Xhaxha, sa me siper nuk eshte rastesi. Inva dhe Tedi po, ata jane te rastesishem.
    Ne nuk kemi kulture pune. Nuk ka si te shpetoje nga kjo edhe administrata shqiptare. E paafte, inefektive, e ngadalte, dembele, llafazane… Diku edhe e korruptuar por kjo nuk ngre fare peshe ketu, se se le korrupsioni operan pa harpe.
    Ishte mizerabel qe me socialistet. Qilizma demokrate e leroi fare pastaj…
    Po, te pakten tani koston me pak:).

  2. Kur lexon komente te tilla, Xhaxha, njeriu (shqiptar) i shkrete vertet ndjehet keq per Shqiperine, rreh te mendoje me veten se perse gjithe ky mjerim e ky trishtim, pa arritur ne ndonje perfundim te qarte. Pastaj duke kullotur ne Internet (per te hequr mendjen de!) bie papritmas ne dhjetra materiale te tjera qe i vertetojne pa nje pa dy qe Shqiperia eshte kerthiza e botes, apo qe shqipja eshte gjyshja e gjithe gjuheve te botes, apo qe shqiptaret jane nje popull i zgjedhur (s’percaktohet se nga kush, po kjo s’ka rendesi). Ketu i ziu njeri e humb toruan perfundimisht!
    Perse keshtu? Mua me duket se keshtu ka qene historikisht: jemi mesuar (bile mekuar) te krenohemi me arritjet e shqiptareve te ndryshem neper bote, po ato gjithmone kane qene ne kontrast me zezonen e Shqiperise.
    Kjo fryme e ben shqiptarin t’i vije shume keq per p.sh. finlandezin se ky i fundit s’krenohet dot, i shkreti, me figura te tilla boterore si Nene Tereza, Karl Gega apo Ferid Murati, bile shqiptari eshte aq i zhytur ne keqardhjen e tij per finlandezin saqe as i bie ne mend fare te krahasoje funksionimin e shoqerive perkatese, po edhe po i ra, e harron sakaq per tu kthyer te Ferid Murati apo Eliza Dushku!
    Pra shqiptaret gjithmone bekan hajer vetem ne gji te kulturave te tjera, pra si individe, jo si bashkesi….hmmm…a mos na shpie kjo te ai perfundim sa i frikshem aq dhe i llogjikshem se s’jemi ende ne gjendje te jetojme se bashku?
    (aman mos me akuzoni se jam paguar nga Asfalia greke per te leshuar pohime te tilla)
    Cfare na thote kjo per aftesine shtetformuese? Jo ndonje gje te mire, kuptohet. Nga ana tjeter kur qemtojme historine kombetare per periudha qeverisjeje normale, gjejme vetem nje periudhe te tille per 15 vjet 1925-1939. Shqiperia dhe shteti shqiptar ishin ne ate kohe ne rruge te mbare, por pastaj pllakosi gjema komuniste (dhe nje nderprerje apo me mire prapaecje 50 vjecare eshte jo e paperfillshme per nje shtet te ri si Shqiperia) qe shkaterroi gjithshka. Do me thone se gjate atij 15 vjecari s’kishte partira politike e sterhollime demokratike, mirepo me duket se pikerisht kjo eshte thelbi i ceshtjes: Shqiperia ka nevoje per nje “autoritarizem te ndritur” si e vetmja menyre per te siguruar qe shoqeria te piqet gradualisht per te cuar ne nje demokraci funksionale. Mirepo autoritarizmin na e ka perjashtuar Evropa nga lista e opsioneve, keshtu qe jemi ne rreth vicioz (ose me mire situate kenetore – marshland syndrome). Perfundimi pesimist eshte qe Dulla e paska pasur litarin shume te gjate, ndersa optimisti qe Evropa do na detyroje somehow te piqemi, demek do na e thaje keneten. Zgjidhni e merrni!

  3. Një problem që lidhet me sa më sipër është edhe një nismë fort e propaganduar e PNUD-it, me emrin shkrepëtimë BRAIN GAIN, medemek, kthimi i trurit në Shqipëri…
    Kjo nismë derëzezë ka nja dy vjet që ka filluar, dhe PNUD-i me shokë të mburren me objektiva, programe afatshkurtra e aftgjata, me prognoza, etj. etj.
    Por problemi apo pyetja është se sa “tru” është kthyer në Shqipëri si pasojë e BRAIN GAIN-it të PNUD-it? Ose shkurt, sa efektivitet kanë patur ato një milion dollarë që PNUD-i grumbulloi dhe harxhon për këtë gjë?
    Gjynah mos paça, por rasti i vetëm që di të jetë kthyer ndonjë “tru” në atdhe është rektori i Universitetit të Vlorës. Atij i lumtë, por me sa kam dëgjuar, është kthyer me dëshirën dhe xhepin e vet, dhe aspak sepse iu pre barku për nismën e PNUD-it.
    Për më shumë, shikoni tek:
    http://www.undp.org.al/index.php?page=projects/project&id=101
    Dhe për të kuptuar me të vërtetë se sa rëndësi ka ky program, mund të shkoni tek faqja e tij tek:
    http://www.braingain.gov.al/
    Kontrolloni “lajmet”, “veprimtaritë”, “vendet e hapura”, etj dhe do të ngeleni të kënaqur.
    Pyetja që shtroj unë është kjo:
    Cila do të ishte një rrugë më e mirë për harxhimin e një milion dollarëve të projektit:
    a) Thirrja për të punuar në Shqipëri dhe përzgjedhja nëpërmjet konkurrimit e të themi 20 ekspertëve nga të gjitha fushat më përparësore me pagesë të themi 50,000 dollarë në vit për secilin, apo
    b) hapja e vendeve të punës për nja 5-6 burokratë apo konsulentë të PNUD-it që bëjnë pallë në Tiranë me flamurin e “BRAIN GAIN-it” në dore ???
    Kjo puna dobët e institucioneve ndërkombëtare të angazhuara në Shqipëri për punëra që duhet t’i bëjnë vetë shqiptarët është ndër skandalet më të mëdha të politikave zhvillimore që mund të ketë parë bota. Ajo tulat forcat e vërteta intelektuale të vendit, largon trurin në vend që ta afrojë, dhe le të dalin përsipër probleme të tilla që përshkruhen nga austriakët e Operas…

  4. Sa bukur e ka thënë gjeniu ynë i madh i letrave I. Kadare: “Shqipëria është krijuar për tu plasur zemrën shqiptarëve kudo që janë. Brënda ose jashtë saj.” Mos vallë ka patur parasysh që pikërisht pas krenarisë, shqiptari përpiqet që të fshehë të gjitha ato të zeza për të cilat e dimë mirë cilët jemi dhe se sa na vjen lëkura?

    Ambulant Vender

  5. Duket qe je “Ambuland vender” (shitesishetites) do te thonte Kadare dhe ti vete, kur te kuptosh ato qe thua jo si autori tyre.
    Shqiperia eshte edhe ai vend qe ti mund te zgjedhesh per me te mirin, dhe ne vlejme sa vlene c’do njeri i zgjedhur ne rapor te drejt me te tjetert kudo ne bote. Por mire qe ka vend ne kete bote, dhe sidomps ata qe bejne ambulantin.

  6. Vëmendje,

    Për të vlerësuar se sa krenar janë me prejardhjen e tyre individë të ndryshëm, mendoj se, nuk duhet të aplikohet ajo që ndryshe quhet “double standard”; pra pak rëndësi ka nëse një rron në Shqipëri ose jashtë saj. Kjo, thënë ndryshe, presupozon që ata që jetojnë atje të jenë më shumë të mallkuar nga krenimi me krenarinë se sa ata që jetojnë në vende të huaja pasi në një mënyrë ose një tjetër ata fshihen ne turmat shumë miljonëshe dhe mbeten të pa identifikuar; e para, dhe e dyta, nuk ka se kush ja u vëren krenë e krenarisë.

    Brënda thënies të gjeniut të madh Kadare, krenimin me krenarinë, shqiptari në shekuj ja ka ushqyer vetes pikërisht që të ngrejë (artificialisht) vlerat që kurrë nuk i kanë takuar.

    Sidoqoftë, Kadareja me shprehjen e tij ka patur parasysh si ata që jetojnë në Shqipëri dhe ata që jetojnë jashtë saj.

    Ambulant Vender

  7. Ambulant Vender,

    ti vazhdon ne hendekun tend te krijuar per Kadarene; (per popullin tone , thote sipas teje Kadare) “te ngreje (artificialishte) vlerat qe kurre nuk i kane takuar.”

    Kadareja po te kapi do te detyrohet per here te pare ne jeten e tije te rrahi me doren e tij, dhe per te miren tende, se s’para bene te mira te tilla private Kadare.

  8. Vemendje,

    Besoj se fatin që të më qapë një dackë Kadareja i madh unë nuk do ta gëzoj kurrë. Pastaj hajde dhe më mbaj mua. Po kush shqiptar do të jetë me fatlum se mua dhe të krenohet që me ka dhënë dackë i madhi Kadare. Inva, Igli, Eliza, Tedi, ndoshta edhe Nene Tereza e ndjerë (po të ishte gjallë) do të benin kërkesë që të hanin një dackë nga Kadareja.

    Për sa thua që do te jem i pari që do mar dackën, mos ji edhe shumë i sigurtë sepse gojë të tjera thonë që i pari që ka patur fatin që të qellohet me pëllëmbën e artë ka qënë i biri i Janullës. Ai sot krenohet jo që ka qënë i dashuri i vajzës të Kadaresë por që është shqiptari i parë dhe i vetëm që të ketë patur një fat si ky.

    Ambulant Vender

  9. Vertet interesant shkrimi i xhaxhait (ju lexoj me deshire kur gjej kohe, xhaxha e Pishak).

    Po aq domethenes ishte edhe komenti i Nekjas (shprehje e gjetur ishte : hmmm…a mos na shpie kjo te ai perfundim sa i frikshem aq dhe i llogjikshem se s’jemi ende ne gjendje te jetojme se bashku? — e hidhur, heh…).

    Nje pyetje per Armand Sulin. Do te me interesonte shume te dija me teper rreth programit Brain Gain. Cilat kane qene rezultatet e ketij programi? Cfare projektesh ka financuar programi? Si behet seleksionimi i projekteve dhe shpallja e fituesvet?

    Dikush me tha se kishte pare ne televizionin publik shqiptar para disa muajsh nje emision rreth programit Brain Gain. Vendi qendror ne kete emision i ishte rezervuar nje aktivisteje te MJAFT-it e cila kallzoi qe parate e nje granti te ketij program (shuma nuk u permend, por u nenkuptua qe ishte e majme) ishin perdorur nga vete “studiuesja” per te kryer “studime sociologjike” te nje vlere te vecante per konsolidimin e shoqerise civile ne Shqiperi.

    A eshte kjo menyra se si shpenzohen parate e ketij programi te UNDP-se te quajtur Brain Gain?

    Ringo

  10. Ringo shkruan:
    “Dikush me tha se kishte pare ne televizionin publik shqiptar para disa muajsh nje emision rreth programit Brain Gain. Vendi qendror ne kete emision i ishte rezervuar nje aktivisteje te MJAFT-it e cila kallzoi qe parate e nje granti te ketij program (shuma nuk u permend, por u nenkuptua qe ishte e majme) ishin perdorur nga vete “studiuesja” per te kryer “studime sociologjike” te nje vlere te vecante per konsolidimin e shoqerise civile ne Shqiperi.”

    Ndofta mund të jetë përkitje, por vetë drejtuesi i programit Brain Gain pranë Këshillit të Ministrave, i financuar nga PNUD-i, është profesor i “studimeve sociologjike”.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: