REGJIMI I HOXHËS SI INSTITUCION TOTAL

Prej kohësh më ka ngacmuar hipoteza që sistemi politiko-social në Shqipërinë totalitare do të kuptohet më mirë, po të përdoret modeli i institucionit total i përpunuar nga Erving Goffman.[1] Edhe pse ky sociolog ka studiuar veçanërisht spitalet psikiatrike dhe burgjet, modeli i tij i institucionit total përfshin shtëpitë e fëmijës, azilet e pleqve, leprosariumet, sanatoriumet, kampet e përqendrimit, shtëpitë e korrektimit, kampet e punës, shkollat me konvikt (boarding schools), anijet (përfshi edhe cruisers), kasermat, manastiret, abacitë dhe kuvendet dhe çdo institucion tjetër ku jetojnë dhe punojnë një numër i madh njerëzish të shkëputur për një kohë të gjatë nga pjesa tjetër e komunitetit, në kushte të një jete të mbyllur dhe të administruar sipas rregullave formale. Gjithnjë sipas Goffman-it, synimi i institucioneve totale është mirëmbajtja e ndërveprimeve të rregullta dhe të parashikueshme midis mbikëqyrësve dhe të mbikëqyrurve, si një funksion ritual që siguron se këto dy grupe e dinë vendin e tyre dhe rolin social; proces ky që njihet edhe si institucionalizim. Përshtatja e “mysafirëve” (inmates)[2] ndaj rolit që duhet të luajnë merr kështu po aq rëndësi sa edhe kurimi dhe/ose edukimi i tyre.

Vendet totalitare, përfshi këtu edhe Shqipërinë e viteve 1945-1990, i kanë krahasuar shpesh me burgjet. Gjasat janë që ky krahasim të shkojë shumë më thellë se ilustrimi i thjeshtë a metafora me efekt dhe pohimi se këto regjime ngriheshin mbi pengimin dhe deri asgjësimin e lirisë individuale dhe të drejtave dhe lirive të personit. Më poshtë do të ndalem disa nga tiparet kryesore të institucioneve totale, sipas Goffman-it, për të parë sa u përgjigjen karakteristikave të shoqërisë shqiptare dhe jetës publike në Shqipërinë e viteve të totalitarizmit.

Duke filluar nga muri – si barrierë ndaj marrëdhënieve sociale me botën e jashtme. Njëlloj si mysafirët në një institucion total, edhe qytetarët e shtetit totalitar nuk mund të komunikojnë lirisht me botën e jashtme, për shkak se nuk e kalojnë dot kufirin – as atë gjeografik, as atë politik. Institucionet totale i realizojnë barrierat jo vetëm duke u rrethuar me mure të larta, por edhe me mjete të tjera, si telat me gjemba, ujërat natyrore (p.sh. deti për një institucion në ishull), ose thjesht izolimi gjeografik. Esenciale për këtë lloj izolimi janë rojet e kufirit – detyra e të cilave është të bllokojnë deri edhe me dhunë ekstreme daljet e mysafirëve ose hyrjet e të paftuarve në institucion. Në Shqipërinë totalitare pjesë e kësaj teknike izolimi ishte edhe pamundësia për të siguruar vizë – daljeje nga vendësit, hyrjeje nga të huajit.

Muri institucional ngrihet edhe, metaforikisht, për të penguar hyrjen e mallrave dhe të informacionit nga jashtë; që nga ndalimi i tregtisë private, te bllokimi në dogana i literaturës dhe muzikës; e më në fund, dekurajimi dhe deri ndalimi i konsumit të mediave elektronike të huaja, si radioja dhe televizioni. Në këtë kontekst, Goffman-i flet për kolonizim, duke pasur parasysh atë kampionim të botës përjashta që lejohet nga autoritetet, dhe që merret për përfaqësues të realitetit përtej; njëlloj siç do të ndodhte me atë pjesë të botës që hynte në Shqipëri – mallra konsumi, muzikë, lajme, filma, modë, televizion dhe që përdorej pastaj nga qytetarët për të krijuar një imazh të atij realiteti, i cili mbahej si i mirëqenë, edhe pse ishte, në masën më të madhe, produkt i fantazisë (sikurse patën pastaj shans ta konfirmonin ata qytetarë të Shqipërisë që emigruan me entuziazëm në vitet 1990-1991).

Dinamika e konsumit me pakicë, nga “mysafirët” e shtetit totalitar si institucion total, varej edhe nga kundërvënia midis tregut të brendshëm shtetëror dhe tregut të zi, sado rudimentar të ketë qenë ky i fundit. Gjatë periudhës së autarkisë, duke filluar nga prishja e marrëdhënieve ekonomike me vendet e Lindjes dhe vendosja e së ashtuquajturës “bllokadë” (që në fakt do të ketë qenë refuzimi, nga ana e vendeve satelite të Bashkimit Sovjetik, për t’i dhënë Shqipërisë trajtim të privilegjiuar), mallrat e konsumit të gjerë më shumë shpërndaheshin sesa tregtoheshin, meqë kërkesa ishte gjithnjë shumë më e lartë se oferta; në një kohë që disa pak mallra që lakmoheshin nga blerësit, si rrobat e gatshme, stofrat, orët e dorës dhe pajisjet e vogla elektronike, gjithnjë hynin nga jashtë me rrugë private dhe pastaj ndërronin duar në kanale jo-zyrtare. Përndryshe, tregu i brendshëm ishte varfëruar aq shumë, sa vendin e markave tregtare dhe në përgjithësi të asortimentit e kishin zënë emrat gjenerikë të mallrave: sapun, shampo, brisqe, lapsa, vaj ulliri, pastë dhëmbësh, makarona, lëng molle, komposto, djathë i bardhë, djathë i njomë, kaçkavall, kos, gjizë, turshi, sallam, sardele, mish i grirë, qumësht kutie, qumësht pluhur, birrë, e kështu me radhë. Sa më shumë që varfërohej dhe përçudnohej tregu i brendshëm me pakicë, aq më shumë gjallëroheshin forma alternative të tregtisë së mallrave, ndonjëherë me çmime tejet të larta. Në të dy rastet, vlera e lekut do të shkëputej nga vlera e mallit; çfarë edhe do të kontribuonte për të krijuar masivisht bindjen se varfëria a skamja nuk ishte mungesë parash, por mungesë mallrash konsumi.

Le të mbajmë parasysh se një version i murit që rrethonte Shqipërinë për të ndaluar marrëdhëniet osmotike me botën përreth do të ndërtohej edhe në mendjet e gjithë qytetarëve, për të penguar hyrjen atje të elementeve të padëshiruara nga jashtë (që pastaj merrnin pamjen e “shfaqjeve të huaja”); dinamika e marrëdhënies brenda-jashtë si të kontrolluar rreptësisht nga autoriteti rimerret edhe në rrafshin individual. Madje riprodhimi në shkallë i këtij muri ose kufiri ishte një nga synimet strategjike të shtetit shqiptar si institucion total.

Burgu, si institucion që të privon nga liria, sjell me vete edhe mitologjinë e arratisjes, mes mysafirëve, madje edhe atëherë kur kjo arratisje është e pamundur, ose kur ata që e kultivojnë mitin me vete ose me njëri-tjetrin nuk orvaten kurrë ta realizojnë arratisjen në praktikë. Regjimi totalitar në Shqipëri e ndëshkonte rëndë (me burg!) edhe arratisjen ose kalimin e paligjshëm të kufirit, edhe tentativën për arratisje; çfarë e konfirmon faktin që ai regjim i mbante shtetasit e vet të burgosur brenda kufijve shtetërorë, duke kultivuar kështu, dashur pa dashur, bindjen se liria gjendej përjashta dhe mund të arrihej nëpërmjet ikjes. Kjo ide sot mund të tingëllojë e çuditshme, ose të paktën e vështirë për t’u rrokur. Për të gjithë ata që e ëndërronin arratisjen, por edhe për thjesht kureshtarët ndaj botës, kufiri shtetëror merrte kështu atribute ekzistenciale, në mos fare metafizike; të krahasueshme me kalimin imagjinar në një sferë tjetër, më të lartë, të ekzistencës. Por muri rrethues i institucionit total, i fortifikuar me tela me gjemba, roje, dyer të hekurta dhe marifete të tjera mekanike dhe teknologjike, gjithnjë bëhet shkas për lindjen dhe përhapjen e një lloj deliri mes “mysafirëve”, sidomos kur kombinohet edhe me bllokimin e informacionit nga përjashta, duke u kujtuar këtyre orë e çast se janë të mbyllur brenda një territori (hapësire) të kontrolluar. Dhe nga kjo pikëpamje, obsesioni me ikjen (arratisjen) shndërrohet në një nga tiparet më përkufizuese të institucionit total; si mes mysafirëve që e vështrojnë gjithçka në atë optikë, ashtu edhe mes anëtarëve të personelit, që gjejnë te parandalimi i ikjes së mysafirëve arsyen e funksionit të tyre. Kështu, të paktën teorikisht, një roje do të mësohet ta shohë çdo “mysafir”, madje edhe atë më të nënshtruarin dhe të dorëzuarin ndaj fatit, si të gatshëm për t’u arratisur në rastin më të parë. Qytetarët e Shqipërisë totalitare nuk lejoheshin as t’i afroheshin kufirit, pse regjimi dyshonte, a priori, se çdokush që i afrohej botës përtej do të tentonte menjëherë daljen.

Kufiri është i lidhur me karakteristikën tjetër të survejimit të përgjithshëm (p.sh. panoptikoni). Survejimi bëhet jo vetëm nga aparati i rojeve (vertikal), por edhe nga vetë mysafirët (horizontal), të cilët kaq shumë u konformohen rregullave të institucionit, sa çdo shkelje do të bjerë menjëherë në sy për keq. Survejimi i shërben jo vetëm mbledhjes së informacionit dhe parandalimit të akteve subversive, por edhe gjunjëzimit dhe thyerjes morale të individit, të cilit nuk i lihet hapësirë “për t’u tërhequr”, derisa të bindet se nuk ka më asnjë farë kontrolli ndaj vetvetes. Personi që survejohet kujton se çdo akt që kryen do t’i vihet në dyshim dhe mund të shoqërohet me një sanksion. Përkundrazi, aktet më të parrezikshme janë ato që kryhen jo vetëm sipas rregullave, por edhe në unison, ose të bashkërenduara në grup (ajo që e quajnë zakonisht regjimentim). Individi ftohet që, humbjen e hapësirës personale ta kompensojë duke u strukur në anonimitetin e grupit.

Një karakteristikë e tretë, sekreti që mbulon politikat e menaxhimit të institucionit total, nuk është thjesht pasojë e ndonjë politike administrative që mëton ta mbajë administratën të veçuar nga mysafirët, por parim bazë i institucionit; sepse shërben drejtpërdrejt për kushtëzimin psikologjik të mysafirëve, duke u mohuar këtyre të drejtën e informimit dhe duke i mbajtur në terr, sa i përket jetës së institucionit ku jetojnë dhe të gjitha vendimeve administrative që kanë impakt masiv në jetët e tyre. Në mënyrë analoge, totalitarizmi e mbante të ndarë informimin nga propaganda; kjo e dyta përcillej nëpërmjet mass mediave, ndërsa i pari trajtohej si valutë ekskluzive, që ndërronte duar ekskluzive.

Në shumë institucione totale, mysafirët janë të detyruar të punojnë; por puna zakonisht nuk është veçanërisht produktive dhe shpërblimi mbetet kryesisht simbolik. Kjo lidhet edhe me privimin e mysafirëve nga prona mirëfilli private – çfarë konstatohet jo vetëm në burgjet, ku tolerohet vetëm një sasi minimale objektesh personale, por edhe në manastiret dhe kuvendet, ku prona private shpesh konsiderohet ves. Objektet e lejuara zakonisht jepen nga autoriteti në fuqi dhe njëlloj mund të sekuestrohen, pa qenë nevoja për shpjegime.

Regjimi totalitar në Shqipëri, që e paraqiste veten si “shtet të punëtorëve dhe të fshatarëve”, i jepte rëndësi të madhe propagandistike punës (për ndërtimin e socializmit) dhe të drejtën për punë e pomponte si kryesore mes të drejtave njerëzore – aq sa ta shndërronte në detyrë qytetare. Fakt është që papunësia dënohej shoqërisht dhe penalisht, si “parazitizëm”, dhe individët nuk mund të zgjidhnin të rrinin pa punë, pa rrezikuar statusin e tyre social dhe të ardhmen. Është vërejtur nga ekonomistët se puna, në Shqipërinë totalitare, kish rendiment jashtëzakonisht të ulët; dhe se një pjesë e madhe e energjive të punonjësve shkonin kot, ose konsumoheshin jo aq në punë produktive, sa në rituale të regjimentimit dhe të disiplinimit. Me qindra mijëra të rinj dhe jo të rinj përfshiheshin në të ashtuquajturat “aksione të punës vullnetare”, të cilat nuk ishin veçse një formë e punës së detyruar; kuadrot dhe funksionarët dhe në përgjithësi “jakat e bardha” ishin gjithashtu të detyruar të kalonin një muaj në vit në “punë fizike”, e cila duhej të shërbente si një lloj gjimnastike e poshtërimit, por që në fakt reduktohej në një lloj pushimi të detyruar dhe zdërhalljeje nëpër fusha. Në çdo rast, puna nuk ishte aq mjet për të siguruar jetesën, sa haraç që i paguhej normalitetit, ose të drejtës për të qenë qytetar normal i “republikës”.

Në institucionet totale vërehet edhe një ngushtim drastik i hapësirës private, që zakonisht – ose në jetën normale – e lejon individin të caktojë dhe të menaxhojë kufijtë mes vetes dhe mjedisit. Edhe në totalitarizëm, mekanizma të tillë si dosja e Sigurimit, dosja në zyrën e kuadrit, karakteristika, detyrimi për autokritikë, fletë-rrufeja etj., e anulojnë këtë hapësirë private si territor të vetes (Goffman: territory of the self) dhe synojnë jo vetëm edukimin, por edhe para së gjithash poshtërimin e individit. Edhe praktika të rëndomta të survejimit, si hapja e postës, ose përgjimi i bisedave telefonike dhe i bisedave të tjera private i shërbejnë të njëjtit qëllim, për ta ruajtur dhe mundësisht shtuar porozitetin e barrierave mes individit dhe të tjerëve, përfshi këtu edhe, veçanërisht, autoritetet.

Rrethana të tjera të institucionit – si mungesa e qetësisë dhe e pastërtisë, mungesa e privatësisë, mohimi i disa “rahateve” elementare si dysheku i butë ose një shishe ujë të ftohtë; por edhe ndërhyrjet në integritetin personal, si qethja ose edhe rruajtja e kokës, i shërbejnë edhe ato këtij asgjësimi të individualitetit, si kundërshtim i konformimit. Njëlloj ndihmojnë, për të arritur këtë synim, edhe uniformat që u jepen mysafirëve, praktikat rreshtore (si vënia në rresht, ecja në kolonë, apeli, numërimi, numërtimi), përdorimi i materialeve identike si batanije, peshqirë ose nallane, etj. Kjo gjen një paralele tek uniformimi i jetës në regjimin totalitar, haptazi i frymëzuar nga kultura organizative ushtarake dhe eficienca e jetës në kasermë dhe rrafshimi i diferencave dhe i shijeve.

Një tjetër anë e uniformimit të jetës nën totalitarizëm gjen shprehje te veprimtaritë kolektive: që nga gjimnastika e mëngjesit, te leximi i gazetës në grup, dëgjimi i radios dhe shikimi i lajmeve TV në grup, aksionet në bujqësi, stërvitjet ushtarake të civilëve, paradat, mitingjet e organizuara nga lart, format e edukimit, puna e detyruar (ndërtimet me punë vullnetare), marshimet, daljet në shesh me raste kongresesh, festash, funeralesh shtetërore, të kënduarit në kor veçanërisht i këngëve partizane, rituali i votës (që në totalitarizëm ishte gjithnjë gjest kolektiv dhe rreptësisht i mbikëqyrur), leximi i veprave të Enver Hoxhës në grup, e kështu me radhë. Këto veprimtari, të gjitha të detyruara dhe me trysni absolute për t’u konformuar, krijonin tek individi përshtypjen se të qenit pjesë e një grupi ishte e panegociueshme; dhe se çdo privilegj mund të sigurohej nëpërmjet grupit përkatës.

Këto veprimtari kolektive, që gjithnjë e ruanin aspektin spektakular, ose vetëdijen se po ndiqeshin nga një publik qoftë edhe i fshehtë ose i fshehur; këto veprimtari, pra, ishin rregullisht të organizuara dhe të bashkërenduara, nën udhëheqjen e një drejtuesi a organizatori – që ishte edhe imponuesi i disiplinës: që nga lëvizjet në hapësirë, te duartrokitjet dhe brohorimat dhe mënyra e të ecurit me ritmin e marshit luftarak, të valles popullore ose të funeralit, sipas rastit. Disiplina e grupit jo vetëm ishte e nevojshme për të siguruar eficiencën, por edhe projektohej përtej, si nënprodukt i veprimit koral; grupi ose turma jo vetëm i nënshtroheshin disiplinës, por edhe e përcillnin atë si mesazh, te pala e tretë, reale ose imagjinare ose e fshehur. Nga ky rregull ndoshta përjashtoheshin turmat e tifozëve të futbollit; por gjithsesi jo dhe aq radhët e njerëzve në dyqanet. Madje këto të fundit kishin aq kohë dhe mundësi sa të vetorganizoheshin dhe jo vetëm në hapësirë; tek e fundit, radhët nuk ishin veçse kundërvlera hapësinore e listave, ose një sistem rudimentar i shpërndarjes së privilegjeve të shkallës së ulët; dhe pritja në radhë duhej të kishte edhe ajo një farë efekti edukativ të parashikuar tek “viktimat”, duke i trajnuar këto me durimin, pasivitetin dhe topitjen. Por në çdo rast, filli që lidhte parakalimin e Një Majit me radhën e qumështit nuk këputej kurrë.

Hierarkitë mes mysafirëve në institucione totale i përfton jo meritokracia, por sistemi i privilegjeve në bashkëlidhje me sistemin e dënimeve (ndëshkimeve). Të dyja këto sisteme janë regjime organizative karakteristike për institucionet totale. Sipas Goffman-it, privilegjet mund të marrin edhe thjesht formën e një mungese të privimeve. Në totalitarizëm, privilegjet shpërndaheshin nga regjimi, në mënyrë klientelare – ngaqë paraja në vetvete nuk mjaftonte për t’i bërë ballë varfërisë së mallrave dhe të shërbimeve gjithfarësh, atëherë pasaportizimi në Tiranë, e drejta e studimit, emërimi në një vend-pune të pranueshëm, apartamentet e banimit (përfshi zgjerimin), pajisjet elektro-shtëpiake (makinat larëse, frigoriferët), televizorët, numrat privatë të telefonit, autorizimet për shtëpi në plazh ose fletët e kampit, dhe plot gjëra të tjera tejet të lakmuara por të disponueshme me pakicë, do të shpërndaheshin në bazë të privilegjit, ose meritës “politike”. Edhe më të rralla ishin privilegje të tilla si udhëtimet jashtë shtetit për arsye private ose shëndetësore.

Sa për dënimet (ndëshkimet), si komplement i privilegjit, këtu marrim në vështrim jo aq sistemin gjyqësor dhe penal (përndjekjen zyrtare të krimeve), sa persekutimin dhe diskriminimin e qytetarëve për shkak të biografisë “së keqe”, dhe më keq akoma, ndëshkimin e familjarëve krahas dhe së bashku me individin e dënuar me burg; përfshi këtu edhe dëbimet dhe internimet, ose zhvendosjen forcërisht të vendbanimit, të cilat janë të krahasueshme me mbylljen në qeli, izolimin dhe teknika të tjera të segregimit, në një institucion total. Këto lloj dënimesh, ndryshe nga ato që përftohen nga një gjykatë, e ruanin gjithnjë një element arbitrar, me prejardhje shpesh misterioze ose të panjohur, por që mjaftonte për të ngulitur, te viktima, bindjen se ky nuk kish asnjë kontroll ndaj fatit të tij. Tek e fundit, çdo pushtet shfaqet lakuriq në momentin e një vendimi a veprimi arbitrar; dhe nga ky rregull nuk mund të mbeten jashtë as institucionet totale.

Kur flet për dënimet në një institucion të këtij lloji, Goffman-i përmend edhe çrregullimin sistematik të marrëdhënieve midis individit dhe akteve të tij, duke u ndalur te një dukuri që ai e quan looping, dhe që shfaqet kur mënyra si reagon dhe mbrohet një individ ndaj një ndëshkimi, shndërrohet në shkas a pretekst për sulmin e ardhshëm. Një dukuri të ngjashme unë e shoh te fati i të përndjekurve politikë, të cilët e kanë pasur praktikisht të pamundur të shkëputen nga kthetrat e sistemit represiv, pasi kanë përfunduar atje qoftë edhe për arsye triviale (në rrethana të tjera, kjo dukuri njihet si ridënim). Looping-u është i tillë që mundëson rimarrjen dhe rikthimin e ndëshkimit, thjesht në bazë të përgjigjes individuale ndaj këtij ndëshkimi dhe poshtërimit shoqërues: për shembull, dikush që hiqet nga puna për një shkelje disiplinore, do të përfundojë pastaj i ndëshkuar edhe ngaqë ka folur poshtë e lart kundër kësaj mase; dhe nëse vazhdon të protestojë, mund edhe të bjerë në burg.

Kur analizon burgjet si institucione totale, Goffman-i kufizohet me sociologjinë e mysafirëve, si individë dhe si komunitet, duke lënë jashtë personelin e shërbimit (staff) dhe administratorët e niveleve të ndryshme. Kjo bëhet për arsye thjesht metodologjike; në fakt, personeli dhe administrata janë po aq pjesë e institucionit total sa edhe mysafirët. Një i burgosur nuk mund të kuptohet pa gardianin; dhe ai vetë e krijon dhe e riprodhon imazhin e vetes gjithnjë duke iu referuar gardianit – në kuptimin abstrakt. Nëse do t’i mbahemi përfytyrimit të shtetit totalitar si institucion total, atëherë në rolin e gardianit do të shohim para së gjithash aparatin e Sigurimit të Shtetit; sepse është ky aparat që mundëson dhe fuqizon funksionet bazë të institucionit – nga rrethimi, te survejimi, te anulimi i individualiteteve dhe shpërndarja e privilegjeve dhe ndëshkimeve (privacioneve); dhe më tej, krijimi dhe mirëmbajtja e dosjeve, politika e kuadrit, e kështu me radhë; gjithnjë në bashkërendim me organizatën bazë të PPSH-së.

Goffman-i vëren se disa institucione totale ushqejnë, mes mysafirëve, perceptimin që institucioni – edhe emri edhe ndërtesa – i përket legjitimisht personelit (këtë e ushqen edhe vetë termi “mysafir” që kam zgjedhur unë këtu për të dhënë në shqip anglishten inmate; shih edhe shënimin 2). E megjithatë, në një kuptim, personeli – përfshi këtu edhe administratën – është në shërbim të mysafirëve; të cilët nga ana e tyre përfaqësojnë pjesën “sociale” të institucionit, në një kohë që personeli thjesht ka për mision të sigurojë funksionimin e këtij institucioni në pajtim me synimin që ky i ka vënë vetes. Një roje është, para së gjithash, aktualizim i detyrës për të ruajtur; ndërsa mysafiri është gjithnjë objekt i kësaj detyre. Mund të imagjinojmë një burg në të ardhmen ku personeli do të jetë zëvendësuar i tëri nga inteligjenca artificiale (filma si Fortress dhe Infinity Chamber e eksplorojnë këtë ide); por nuk mund të përfytyrojmë (ende) një burg pa të burgosur.

Në një shtet totalitar si Shqipëria e viteve 1945-1990, ndarja midis personelit institucional dhe “mysafirëve” nuk është aq e prerë me thikë sa, të themi, në një spital psikiatrik. Duke përjashtuar ekstremet, ose shtresat e paprivilegjiuara nga njëra anë, dhe elitën e Bllokut nga ana tjetër, “banorët” e shtetit totalitar i luajnë shpesh të dy rolet, duke u alternuar; pa përmendur pastaj lidhjet familjare, fisnore dhe njerëzore midis “personelit” dhe mysafirëve. Brenda shtetit totalitar, kufiri midis të qenit “personel” dhe të qenit “mysafir” kalon rregullisht përmes individit; çfarë e afron sociologjinë e këtij shteti me atë të një kuvendi murgjish ose kazerme të ushtrisë; ose të një institucioni social ku statusi përcaktohet brenda një marrëdhënieje të hierarkisë vertikale: një rreshter mund të sillet si “personel” me ushtarët e thjeshtë dhe si “mysafir” me një oficer të rangut më të lartë; ndryshe nga një institucion si spitali psikiatrik, ku një infermier mbetet “personel” edhe në marrëdhënie me mjekun.

Shteti totalitar, si institucion total, kishte për synim edukimin e njeriut të ri, çfarë e afron tipologjikisht sa me institucionet totale arsimore, korreksionale dhe konfesionale, aq edhe me ato mjekësore, si spitalet psikiatrike; vetë organizimi i brendshëm dhe të gjitha manipulimet e mysafirëve nga autoritetet synonin, në analizë të fundit, modifikimin e natyrës njerëzore, për të përftuar qenie që t’i përshtateshin pushtetit dhe planeve të tij për të ardhmen. Megjithatë, vetë jeta brenda mureve të institucionit shoqërohej me efekte anësore, si vëllazërimi (fraternizimi) mes mysafirëve dhe konsolidimi i tipit të sjelljes të atij që “sheh punën e vet” dhe përpiqet për të kufizuar dëmet (playing it cool, e quan Goffman-i). Këtu mund të diskutohet nëse misioni edukativ përbënte edhe shtysën kryesore të dhunës policore në totalitarizëm; apo mos vallë ai nuk ishte veçse një gjethe fiku, për të mbuluar natyrën fashiste të regjimit, ose nevojën për mbajtjen dhe konsolidimin e pushtetit total. Një diskutim i ngjashëm mund të bëhet – dhe është bërë – për spitalet psikiatrike, të cilat kanë për synim të trajtojnë dhe të kurojnë të sëmurët psikikë, por që jo rrallë përfundojnë në vend-parkime për individë të nxjerrë mënjanë nga shoqëria. Kjo analogji do të sugjeronte që regjimin totalitar, si institucion total, ta mendonim si një utopi politike në kërkim të një shoqërie ku do të realizohej – meqë edhe “socializmi” në Shqipëri nuk do të ndërtohej dot veçse nga “njeriu i ri socialist”. Brenda këtij shpjegimi, “personeli” i regjimit merr funksionet e një trapari, që mbikëqyr tragetimin e shoqërisë nga një fazë në një tjetër; dhe autoriteti suprem, sado i fuqishëm, nuk është veçse një “i ngarkuar me punë”, ose instrument.

 

(c) 2018, Peizazhe të fjalës™. Ndalohet rreptësisht çdo lloj riprodhimi pa lejen eksplicite të një administratori të revistës.


[1] Për këtë model, jam mbështetur në esenë “On the Characteristics of Total Institutions”, të botuar në përmbledhjen Goffman, Erving, Asylums: essays on the social situation of mental patients and other inmates, botuar për herë të parë nga Anchor Books, 1961.

[2] Nuk kam gjetur një fjalë të përshtatshme për ta dhënë anglishten “inmate” në shqip; sepse inmate është edhe i burgosuri, edhe i sëmuri në një spital psikiatrik, edhe nxënësi në një shkollë korrektimi; aq më tepër që Goffman e përdor okazionalisht edhe për murgjit në një manastir, nxënësit në një konvikt, ushtarët në një kasermë, vullnetarët në një kapanon, udhëtarët në një cruise turistike e kështu me radhë. Zgjodha të përdor mysafir, meqë në të gjitha këto rrethana, inmates nuk e kanë pronë të tyre institucionin që i mban në gjirin e vet.

31 Komente

  1. Pêrgëzime për shkrimin, A.V.
    Ju fjalën inmate sikurse shpjegoni e keni sjell në shqip me fjalën mysafir. Sipas fjalorit, mysafiri është dikush që shkon me gas e dëshirë si bujtës tek dikush. Kësisoj, koncepti mysafir shënjon një veprim të kryer me vullnet të lirë , nênkupton një gjëndje emocionale pozitive të bujtsit si dhe përkohshmërinë e qëndrimit tek familja që shkon për vizitë.
    Kurse njerzit e spitaleve, konvikteve, azileve, kanë shkuar aty :
    1.nga halli / nevoja dhe jo dëshirimi
    2.institucionalizimi tyre, krahas disa sigurive, krijon dhe izolim dhe margjinalizim nga jeta sociale.
    3. Qëndrimi tyre në këto institucione është afatgjatë
    4. Mysafiri ose mysafirët kanë statusin e Mikut dhe trajtohen me të gjitha nderet. Kurse bujtësit e institucioneve totale i nënshtrohen inxhinierisë sociale, madje jo rrallë abuzohet me ta, dhunohen dhe privohen nga liritë e tyre.(në burgje, qëndra korrektimi, kampe pune)
    Nisur nga këto dhe duke mbajtur parasysh heterogjenitetin e institucioneve totale, ndoshta termi më i përshtatshëm do të ishte rezidentët ose klientët. Psh rezidentët e azileve quhen klientë në terminologjinë profesionale. Por shpesh dhe pacientët në spitale quhen klientë.
    “Klientela ” si term mbart edhe një bashkësi / kontigjent me tipare/ cilësi të përbashkëta ( psh murgjit në manastire, pleqtë e braktisur në azile, ushtarë në kazerma etj) në nstitucionet totale .

    1. Nuk është e lehtë. Të thuash “klientë” për të burgosurit ose të internuarit në një kamp pune sërish do të tingëllonte pak si skiç. Unë po mjaftohem që ta vendos fjalën “mysafir” në thonjëza – i vetëdijshëm se nuk është zgjidhje e mirë. Sepse duhet një fjalë ombrellë, ose hiperonim, për të gjitha këto lloje rezidentësh, që shqipja nuk e ka. Me sa kam parë, as italishtja nuk e ka. Edhe anglishtja “inmate” është e sforcuar pak, kur përdoret për ushtarët në një kasermë…

        1. Mund te thuhet shqeto mysafire, ne kuptimin e shprehjes shqip: “ne jemi mysafire ne kete bote”, gje e pakonsideruar ne kohet tona. Psh ne citimin me poshte eshte ndalur tek familja, por mund te shkohej edhe me tutje, individi si “shumefish unesh” i burgosur ne nje trup (ankese tipike poetike moderne):

          “Foucault i ka vendosur shoqëri disiplinore midis shekujve të tetëmbëdhjetë dhe nëntëmbëdhjetë; arrijnë në apogjeun e tyre në fillim të shekullit të njëzetë. Proçedojnë në organizimin e zonave të mëdha të mbylljes. Individi nuk pushon së kaluari nga një mjedis i mbyllur në tjetrin, secili me ligjet e veta: së pari familja, pastaj shkolla (“nuk je më në familje”), atëherë kazermat (“nuk je më në shkollë”), pastaj atëherë fabrika, herë pas herë në spital, siç duket burgu që është mjedisi i burgut par excellence. Është burgu që shërben si një model analogjik […] shoqëritë disiplinore tashmë janë diçka që nuk ekzistojmë më, diçka që pushojmë së qeni. Ndodhemi në një krizë të përgjithshme në të gjitha fushat e mbylljes: burgut, spitalit, fabrikës, shkollës dhe familjes”

          Gilles Deleuze, Postscript on the Societies of Control

          Eshte interesante te vihet re absurdi se pikerisht ne periudhen se kur lindin keto lloj shoqerie, fillon aplikimi i nje shoqerie te lire, lirise si vlere ne vetvete etj:

          “… i ka vendosur shoqëri disiplinore midis shekujve të tetëmbëdhjetë dhe nëntëmbëdhjetë”

  2. Vecoria duket te jete izolimi, prandaj te izoluarit mund te mjaftoje qe t’i fuse te gjithe ne nje thes. Nuk kuptohet mire zgjedhja e “inmate” nga ana e autorit. Ndoshta ne anglisht latinizmi perkates nuk e ka domethenien si ne shqip e italisht. Ndoshta autori e shpjegon ne punimin e tij, cka ne fakt do na ndihmonte per te kuptuar risine, meqe sinqerisht ndonje risi nuk pashe ( eshte edhe mundesia qe ne vitet e tij ky lexim te ishte risi).

  3. Per pengimin e emigrimit, duhet marre parasysh edhe qasja demografike. Ne Gjermani dhe Itali objektivi ishte pengimi I emigracionit drejt Amerikes, meqe gjermanet dhe italianet ishin dyndur masivisht drejt Amerikes deri ne L1B. Ducja I orientoi drejt kolonive italiane, Hitleri projektoi emigrimin drejt Europes Lindore.Programi demografik i komunizmit ishte i qarte deri ne vitet 70, rritje sa me e shpejte e popullsise qe solli dyfishim te popullsise brenda 25-30 viteve te para ( rekordi historik I shqiptareve), pastaj rritje e kontrolluar. Dakort me gjithe arsyet e tjera te pengimit te emigracionit, po programet demografike te shteteve totalitare kane qene dhe jane shume serioze dhe efektive.

  4. Por fakti qe ne manastiret mbyllja e personit ishte vullnetare si zgjedhje personale e lire, ndersa ne rastet e tjera eshte e detyruara nga te tjeret, nuk ka te beje ne qasjen e problemit?

  5. Një aspekt i institucionit total në Shqipërinë komuniste është manifestimi i tij i shumëllojshëm në jetën dhe punën e përditshme të banorëve të këtij super-institucioni, banorëve me hir dhe atyre me pahir të tij. Këtu bëhen interesante edhe specifikat shqiptare të këtij institucioni total, ose raporti midis asaj pjese të institucionit që i ishte i domosdoshëm për fuksionimin e sistemit komunist dhe asaj pjese që ishte zhvillim karakteristik i komunizmit shqiptar, p.sh. lufta e klasave ishte në themel të sistemit komunist, çdo vend komunist kishte e bënte atë në një formë apo në një tjetër, por përndjekja dhe mizoria ndaj familjeve të “armikut të klasës”, që fillonte nga bashkëshortët dhe fëmijët, që shkonte te prindërit, motrat, vllezërit dhe deri kushërinjtë e gradës së x-të madje dhe te krushqitë, kjo ishte specifikë e komunizmit shqiptar. Ose, izolimi i vendit dhe i shoqërisë nga bota perëndimore kapitaliste ishte kusht për ngritjen dhe funksionimin e sistemit në çdo vend komunist, por izolimi total, madje edhe nga vetë vendet e tjera komuniste, kjo ishte pjesë e paranojës së komunistëve shqiptarë.

    Aspekti tjetër është depërtimi i plotë dhe vënia në shërbim të këtij institucioni total i të gjitha institucioneve të mirëfillta shtetërore: jo vetëm i atyre të dhunës si policia, ushtria dhe drejtësia, por edhe i çdo institucioni tjetër, në arsim, kulturë, shëndetësi dhe sidomos në ekonomi. Fakt është që shumicën e këtyre institucioneve shtetërore komunistët i ngritën vetë pasi erdhën në pushtet, duke qenë se institucionet e shtetit shqiptar të para 1945-ës ishin të dobta, shpesh rudimentare ose nuk ekzistonin fare (shteti shqiptar i A. Zogut në 14-15 vitet e titj nuk pati as kohën, as mundësitë e duhura financiare për të krijuar dhe konsoliduar institucione solide shtetërore; depresioni ekonomik i viteve ’30, pushtimi në ’39 dhe L2B penguan dhe ndërprenë përpjekjet për ngritjen e institucioneve të shtetit të ri shqiptar). Rezultati ishte që me rrëzimin e sistemit në 1990-ën, të gjitha institucionet në Shqipëri, jo vetëm ato puro komuniste, si Sigurimi i Shtetit, organizatat bazë, hierarkia paralele komandant-komisar në ushtri apo prokuroria politike, por edhe institucionet e mirëfillta shtetërore në polici, ushtri, drejtësi, arsim, shëndetësi, kulturë dhe në ekonomi u panë nga shumë shqiptarë si institucione ideologjike, pjesë e institucionit total komunist, që nuk ia vlente të mbroheshin ose që duhet të prisheshin për t’u ribërë nga e para. Kjo shpjegon ndoshta rezistencën e ulët të shoqërisë dhe të elitës së re ndaj shkërrmoqjes së institucioneve në fillim të viteve ’90, si të thuash, kjo mundësoi zbatimin e Terapisë së Shock-ut, e cila natyrisht nuk ishte vetëm ekonomike por totale.

    1. Jo per te bere komunistin, po Zogu ne 15 vjet nuk beri asgje dhe as qe mund te krahasohet me 15 vjeçarin e pare komunist. Ne 15 vjeçarin e pare komunist u dyfishuan tokat e punueshme duke u dhene mundesi me shume njerezve te hanin buke gruri, u futen vaksinat, u rrit me shpejtesi jetegjatesia dhe cilesia e jetes, te cilat deri atehere ishin privilegj i nje grushti njerezish, u hapen institutet e larta dhe universiteti etj etj, gjera qe mund te ishin bere edhe ne kohen e Zogut por nuk u bene.
      Nqs ne kohen e xha xhait puna vullnetare kishte kryesisht qellime ideologjike ne 15 vjeçarin e pare puna vullnetare ishte jetike per ekonomine, mund te perfshijme edhe punen e detyruar te mijera te internuarve dhe ne vitet e para komuniste edhe nja 10 mije italiane qe u mbajten ne Shqiperi qe te punonin per rindertimin e vendit.
      Ne fazen e pare te regjimit komunist, internimi i te afermve te armiqve te regjimit kishte edhe nje vlere te madhe ne kuptimin ekonomik sepse mungonte krahu i lire i punes, kishte shume pune per te bere( sidomos ne bujqesi) e pak mundesi financiare.

      Nqs Shqiperia mori nje pamje pergjithesisht moderne ( me toka te punuara, shtepi me tulla, pallate, spitale, shkolla, universitete, rruge te asfaltuara, hekurudha etj), ne vend te pamjes prej kolonie afrikane qe kishte ne kohen e Zogut kjo ka ardhur edhe si pasoje e kostove qe iu mbarten falas te gjitheve. Tjeter gje qe dikush u ndeshkua per te punuar e dikush jo, sakrificat e tyre jane guri i themelit te modernizimit te Shqiperise.

      1. Jo per te mbrojt kohen e Zoget, megjithse argumentimi yt eshte perfekt, dhe i ri per mua qe nuk me kishte shkuar kurre ne mend, ka nje mangesi vlersimi te situates. Nuk ka vlere sakrifica e bere me detyrim, fitimi eshte harram. Pak a shume si paret e vjedhura ne banke mbajne ne vete nje mallkim qe nuk ka aparat qe e ve re, por ekziston.
        Kjo shpjegon besoj shkaterrimin total ne fillimvitet 90 e çfare ishte ndertuar me pare. Biles prishjes edhe konceptit te vullnetarizmit, qe eshte nje dem akoma me i madh.

        1. Si nuk ka vlere sakrifica e bere me detyrim ? Ajo toka e bonifikuar apo ai hidrocentrali i ndertuar, na japin buke e drite te gjitheve prej brezash dhe do te vazhdojne t’u japin brezave ne te ardhmen. Sakrifice vjen nga ”sacro”, eshte e shenjte, me apo pa detyrim dhe detyra jone eshte te respektojme mundin dhe djersen e derdhur.

          1. Shiko Hyllin se je fut tek zona me tela dhe gjëmba. Termi “sacro” si etimologji, në vija të përgjithshme pa e bë shumë tërkuzë muhabetin, përfaqson njëkohësisht bashkimin me hyjnoren dhe ndarjen e të shënjtërisë nga profanja. Mirpo nuk mjafton gjuha dhe etimologia për t’i shenjtëruar gjërat, duhet një botkuptim i të shënjtës dhe një saçerdot që ka autoritet të kryejë ritualin. Politikani, kushdoqofte ky, nuk mund ta bëjë këtë, nuk është detyra dhe zanati i tij. Por pikërisht kjo ka ndodhur në epokën moderne, që politikani bëhet saçerdot dhe fillon të nanurisë kombin me rituale shënjtërimi, mbasi ka eliminuar zanatçiun e mëparshëm. Kjo ka dale krejt e dukshme se sistemin komunist, pra konkretisht lidhur me muhabetin tone: buka, drita dhe gjiza (toka e bonifikuar, hidrocentrali i ndërtuar dhe baxhat) ishin shënjtëruar me ritual ateist nga sacerdoti Enver më parë se t’i haje ti, un dhe ai tjetri kushdoqoftë.

            Tani do që të shpjegoj pse u shkatrruan, dhe prap do shkatërrohen çfardo që të ndërtohet me gjak, djersën e ballit dhe sakrifica pa ritual tamom, apo e gjen vetë? Udhën ta kam shtruar me sakrifica, ec vetë biri im.

            1. Rrofsh per udhen e shtruar me mund e djerse bace psikopati ! U shtuan bacat e xhajet, tani po behet e veshtire t’u respektojme si duhet, se po hollohet dallimi mes urtesise dhe pordherimit, gjithnje ne kuader te shprehjes popullore te madhit vetem pordhen mos i degjo, fjalen degjoja.
              Shenjterimin ne fjale ia ben vete kombi i kuptuar ne brezni, ashtu sikunder do na mallkojne per miliarda dollaret e borxheve qe po u leme te sapolindurve, se gje tjeter s’kemi ç’tu leme; rrush, kumbulla dhe ca pallate mbi lendina jane bere leket keto 30 vjet.
              Nuk kemi fytyre ne te diskutojme mundin e djersen e atyre qe na lane shume me teper se çdo u leme brezave.

            2. Gjeje po qe i zoti lidhjen midis ketyre dy frazave te tua:

              “U shtuan bacat e xhajet, …”

              “Nuk kemi fytyre ne te diskutojme mundin e djersen e atyre qe na lane shume me teper se çdo u leme brezave.”

            3. Nuk eshte mundi i bacave dhe xhajeve , nuk je brezi i
              qe ka punuar ne vitet 1945-1970/5 zotrote. Ti i takon brezit qe ka noten zero me bisht, jo 10 me yll e flamur.

  6. Psikopati: “Por fakti qe ne manastiret mbyllja e personit ishte vullnetare si zgjedhje personale e lire, ndersa ne rastet e tjera eshte e detyruara nga te tjeret, nuk ka te beje ne qasjen e problemit?”

    Manastiri nuk është shembulli i vetëm i mbylljes vullnetare të personit brenda institucionit si zgjedhje personale.

    Xhaxhai flet këtu lart edhe për efektet tek personeli, Është e njohur sindroma e ‘institucionalizmit” edhe tek personeli i institucioneve, psh stafi i azileve psikiatrike, personeli i burgjeve e kështu me radhë. Po ashtu si “inmates”, apo “mysafirët” , edhe personeli që u shërben atyre përfton të njëjtën situatë izolimi e shkëputjeje nga borta e jashtme. Nënshtrimi ndaj rregullave të institucionit bëhet automatik, pranimi i izolimit, varfërimit shpirtëror e thjeshtëzimit të marrëdhënieve njerëzore brenda institucionit në bardhezi (ky është i miri, ky i keqi) është kaq pervaziv ndër personelin e këtyre institucioneve, sa edhe ata vetë janë gjithashtu viktima të institucionalizmit.

    Tani më vjen ndërmend se slogani (i keqpërdorur e manipulues) i Berishës në fillimvitet ’90 “Të gjithë bashkëvuajtës, të gjithë fajtorë”, mbase mbartte me vete edhe të vërtetën që në një institucion total si diktatura që kaluam ne, xhelatët ishin gjithashtu viktima të institucionalizmit me ngushtësinë mendore, thjeshtëzimin primitiv e automatizmin robotik të mendimeve, që i kthente në ushtarë të bindur e kamzhikë të aparatit shtypës së shtetit.

    1. Meqe ke fut Berishen ne koment, s’ka pergjigje per mbylljen vullnetare ne manastir per te varferuar vlerat shpirterore.

  7. Po e filloj këtë koment duke pranuar që gjetja e një fjale shqip që do të ngërthente të gjitha kuptimet, “i burgosur”, “pacient çmendine”, “murg”, “ushtar” e të tjera si këto për qëllimet e konceptit të “institucionit total” është praktikisht e pamundur. Prandaj për deri sa nuk mund të ofroj vetë diçka më të saktë se sa “mysafir” po e pranoj e po e konsideroj që në kontekstin që diskutojmë ka atë kuptim që ka “inmate” ne anglisht, po në këtë kontekst.
    I gjej interesante dhe të sakta të gjitha tiparet e përkufizuara, e përshkruara dhe shpieguara në shkrimin e z. Vehbiu, pra dhe nuk kam çfarë të shtoj, a ilustroj më shumë atyre që janë shkruar më sipër. Tabloja edhe në mos qoftë e plotë jep qartë e saktë në nivelin përkatës të abstragimit atë që ndodhte në atë qe edhe unë e mendoj si institucioni total që ishte shteti shqiptar i kohës së Enver Hoxhës.
    Ajo që doja të ve në dukje dhe mbase edhe të diskutoj është çfarë ndodh me mysafirët, mbas rënies, apo prishjes, apo shkatërrimit të institucionit total. Teorikisht do të mendonim që sapo institucioni total pushon së egzistuari, shumica dërmuese e mysafirëve, në mos të gjithë duhet te festojnë dhe të jenë mirënjohës diku, ose dikujt që e solli këtë fund. Kam përshtypjen se kështu ndodhi në Shqipëri në vitet e para të së ashtuquajturës demokraci. Dhe në kontekstin që po diskutojmë nuk dëshëroj ta lidh domosdoshmërisht me PD. E aq më pak me Sali Berishën. Thjesht ishte gëzimi i natyrshëm i “mysafirëve” që më në fund u çliruan nga “institucioni”.
    Sot, megjithatë, pas gati 30 vjetësh vërej se, fatkeqësisht (të paktën sipas meje) numri i njerëzve që vajtojnë kohën kur ishin “mysafirë“ është shumë më i madh se sa ç’mund të pritej. Ka disa pyetje që lindin spontanisht, dhe që kërkojnë përgjigje.
    1. A vërtet ish-“mysafirët” nuk ditën çfarë të bëjnë jashtë institucionit, njëlloj si skllevërit nuk dinin ç’të bënin me lirinë kur e fituan atë, prandaj kërkojnë të kthehen përsëri atje?
    2. A është mungesa e institucionit (në mos identik me atë që egzistonte) një e keqe për shqiptarët, që të mësuar për një kohë të gjatë në historinë e tyre me të jetuarit brënda , nuk dinë, a nuk kuptojnë që jeta jashtë institucionit është më njerzore?
    3. A është trauma e shkaktuar prej institucionit aq e thellë saqë është e pamundur të shërohet plotësisht?
    4. Po brezat më të rinj, që kanë jetuar shumë pak ose aspak brënda institucionit, a mund të infektohen nga brezat më të vjetër, nëpërmjet tregimeve, ose më drejtpërdrejt nga remineshencat propagandistike të institucionit, si filmat e vjetër, shtypi i kohës, shtypi i tanishëm që herë pas here boton memuare dhe historira të institucionit?
    Mund të shtrohen edhe pyetje të tjera, ndofta edhe më të holla, ose më të mprehta se këto, po unë po ndalem këtu një herë për një herë.

    1. Falemnderit z. Vehbiu.

      Jam i vetdijshem qe per pyetjet e shtruara ose per te tjera te ngjashme nuk mund te kete nje pergjigje te perbashket universale. Njerez te ndryshem mund te kene pergjigje te ndryshme, fatkeqesisht sic besoj vete, pergjigjet do te varen nga pozicionet aktuale te tyre, psh pergjigja e nje nostalgjiku te institucionit zor se mund te jete objektive, e po keshtu pergjigja e dikujt qe institucionin e ka vuajtur ne te gjithe permasen e tij. Me ndodh edhe mua vete kur perpiqem te gjej pergjigje objektive, pas pak e kap vehten ne pohime qe me duken te dyshimta e nuk vazhdoj dot më. Do te ishte me interes te dinim a ka studime per situaten post-institucion. Sigurisht edhe opinionet tuaja dhe te pjesmarresve te tjere te ketij forumi te nderuar do t’i lexoja e do t’i diskutoja me shume interes.

  8. Hyllin, po vazhdoj këtu replikat sepse më sipër është shteruar mundësia e përgjigjes.
    Mirë, por unë jam brezi i atyre që dikur kanë lexuar mçeftas bace Prustin e ndaluar që thotë: “Bijtë e mij, nuk ekziston vetëm koha mekanike (ajo e sahatëve), ekziston edhe koha psikologjike, që është më e rëndësishme. E keni vënë re që koha nuk kalon kur je duke prit dashnore, ose kur mban radhën për qumësht?”

    Ta sqaroj me tej se ku e kam hallin konkretisht: kur hotelxhijtë i kërkonte moshën Lord Bajronit për ta shkruar në regjistër, ai përgjigjej: “300 vjeç”.

    Ta kam llafin un kam një moshë të njëjtë me mitin e ndërtimit të kështjellës së Rozafës në Shkodër, që herë pas herë shkatrrohej, sepse Vëllau i Madh i tha vëllait të vogël se nuk u bë bytha jote të mbajë sekrete me gruan tënde, ti je sa i piç bythe … etj etj, ti di si vazhdon historia. Pse paska sakrifikuar më tepër se unë lord Bajroni që e ka pas qumshtin gati nga baxha ga na, dhe dashoret e prisnin varg mbas porte, ndërkohë që une kam punuar në uzina, fabrika dhe kantiere në një sistem seksualisht të represuar?

    1. Kjo temë më kujtoi një ngjarje të ndodhur në fillimvitet 90-të menjëherë mbas sulmeve të “mysafirëve” ndaj anijeve në porte për të shkuar në Itali. Më tregonte një i njohur që punonte në çmendinë në Tiranë, meqë pothuaj tërë përsoneli i infermjerëve i kish hipur pamporit, kishin mbetur vetëm mjekët, e nuk kishte më njeri të bënte turnet. Ateherë pacientët e papërgjegjshëm, shijuan lirinë e shëtistin në tymt si zombi me pizhama nëpër qytet, natë e ditë kjo punë, për ditë të tëra. Vizionet haluçinantë te Kadarese janë inferiorë.

      Ndodhia eshtë shumë treguese për situatën në përgjithsi. Eshtë shumë treguesedhe për situatën e institucionit të çmendinës, të vënë në diskutim që në vitet 60-70. Vetëm se ndodhia ka bërë vaki në mënyrë të butë dhe fshehur: në atmosferën lirimtare të përgjithshme të atyre viteve, në fillim i çliruan “mysafirët” nga institucioni i çmendinës, duke ja pasuar problemin institucionit tani të mendur fare të familjes. Meqë familjet nuk arrinin të përballonin situatat e vështira (shpesh ishin ato shkaku i sëmundjes së “mysafirit”), atëherë revolucionarët çlirimtarë ndryshuan kursin në reaksionare duke restauruar institucionin e çmendines. Akoma nuk po i jipet dum problemit, po diskutohet demokratikisht duke u sjellë vërdallë sa andej këndej.

    2. Mezi lexoj biografite e personazheve te medha te historise, ma kurse biografine tende, nuk jam kurioz. Me keto metaforat e kohes relative nuk ia zhben dot noten brezit tend, sepse flas per gjera te prekshme e te shqisueshme e jo per metafiziken e shpirtit te lire, qe e keni bere zakon ta perdorni per justifikime e shantazhe.

  9. Po ti Hyllin çfar brezi je? Sepse nga akuzat duket sikur je i brezit qe ka thare keneten e Terbufit. Ose je brez i mbas 90-tes i konceptuar nga frymen e shenjte te demokracise, pa lidhje me mekatet e te kaluares.

    1. Ja ate qe po thoja, justifikim e shantazh; je perfaqesues tipik I brezit tend. Po te pakten mire qe pranove se nuk hahesh dot me brezin qe thau keneten e terbufit.

  10. Ne brezi jone nuk hahemi dot me asnjerin, jemi brezi i humbur midis kenetes se Terbufit dhe diskotekes.

  11. ddc:

    Do te ishte me interes te dinim a ka studime per situaten post-institucion. Sigurisht edhe opinionet tuaja dhe te pjesmarresve te tjere te ketij forumi te nderuar do t’i lexoja e do t’i diskutoja me shume interes.

    Në mos studime, ka sondazhe të tilla. BERZH-i publikoi dy vite më parë rezultatet e një sondazhi të zhvilluar në disa vende në tranzicion mbi qëndrimin e popullsive përkatëse mbi demokracinë dhe ekonominë e tregut. Për Shqipërinë rezultatet ishin diku te mesatarja e vendeve të analizuara (theksimi im):

    “Following a mild decline in both categories compared to 2010, 51 and 50 per cent of Albanian respondents now prefer democracy or a market economy, respectively, over any other form of political or economic system. Still, around 31 per cent report that an authoritarian system or a planned economy may be better solutions under some particular circumstances. Compared to Germany, Albanians appear less supportive of both democracy and the market economy. Compared to the transition region as a whole, support for the market economy is stronger in Albania while the support for democracy is in line with the average.”

    Edhe pse unë mendoj se me “sistem autoritar” këta 31% do të kenë patur parasysh më tepër regjime autoritare si ato të Orbanit, Putinit apo Erdoganit, dhe jo “diktaturën e proletariatit 2.0”. Personalisht nuk besoj se shqiptarëve, përveç ndonjë nostalgjiku të curufjepsur, pardon, u hapet barku prapë për luftën e klasave, për radhët e qumështit apo për t’u mbyllur prapë në kafazin komunist (pastaj, po të ishte kështu, partinë komuniste aty e kanë patur, po të donin t’i jipnin votën). Madje mua më duket çudi që pas tri dekadash tranzicion si ai i Shqipërisë vetëm 31% simpatizojnë me një regjim autoritar, dhe jo më tepër; kjo tregon përshtatje me gjendjen, indiferencë ndaj sistemit, ose një mentalitet (sens) realist të shqiptarëve, më tepër ndoshta një kombinim i të trejave… në një kohë që në vende të tjera mjaftoi një dekadë krize ekonomike, kur standartet e jetesës ranë ose nuk u rritën më si më parë, që elektorati të sillte në pushtet gjithfarë radikalësh dhe politikanësh “populistë”; me një tranzicion si i Shqipërisë diku tjetër do kishin ngritur barrikadat! :d

    http://litsonline-ebrd.com/countries/albania/

    1. Së pari falemnderit për vëmendjen. Pa mohuar vlerat e informacionit që jep ky sondazh desha të ve në dukje që më shumë se numri i njerëzve dhe evoluimi i preferencave të tyre në raportin ekonomi e centralizuar vs ekonomi tregu, ose demokraci vs regjim autoritar mua do të më interesonte më shumë diskutimi i mekanizmave, që qoftë edhe në atë 31% që simpatizojnë regjimin autoritar, edhe pse kanë kaluar 30 vjet (për mua 30 vjet janë shumë, dhe 31% janë tepër) në një mënyrë a një tjetër vazhdojnë të kenë preferencë për regjimin atutoritar. Pastaj a është fjala për diktaturë proletariati 2.0, apo Erdogan, Putin ose Edvin, kjo është nënçështje. Sidoqoftë, meqë përmendni partinë komuniste, është e vërtetë që njerëzia nuk ia ka dhënë votën asaj, ama është po kaq e vërtetë që edhe sot në pushtet vazhdon të jetë PS, që në të vërtetë nuk është gjë tjeteë veçse vazhduesja e drejtpërdrejtë e PPSHsë, qoftë edhe vetëm në kutptimin që një pjesë e mirë e antarësisë së sotme të PS nuk është gjë tjetër veç ish-gardianë të institucionit. Ato rrëfenjat me rinovim, e me ndërrim emri janë aq të qënësishme sa ndërrimi i seksit kur kalon ylberin. Sigurisht nuk mund të themi që nuk ka evoluim të PS.Po nga ana tjetër askush nuk mund të thotë që PS e udhëhoqën dhe e udhëheqin idiotë këmbëngulës që synojnë të mbajnë në këmbë institucionin me të njëjtën formë, paçka se ndofta me një përmbajtje jo shumë të ndryshme.

      Përse them që për çështjen që diskutojmë 30 vjet janë shumë dhe 31% e popullsisë që preferon sistemin autoritar janë tepër. Gjatë këtyre 30 vjetëve popullsia e Shqipëerisë për shkak të lindjeve e vdekjeve nuk është identike me atë që ishte në fillim të viteve 90, pra kur ra sistemi, apo institucioni sic po e quajmë duke e parë në një kënd pak të ndryshëm. Nqs 31% e popullsisë i referohet popullsisë së sotmë, atëhere ky “chunk” i popullatës duhet të përfaqësojë të paktën 50% – 75% të popullatës shqiptare të viteve 90 që është ende gjallë dhe vazhdon të jetojë në Shipëri. Sigurisht ky pohim bëhet duke e marrë të mirqenë që brezi deri afërsisht 40 vjeç duke mos e pas përjetuar institucionin, nuk ka si të ketë preferencë mbështetur mbi eksperiencën pozitive në atë sistem më shumë se sa duke pasur eksperiencë negative në sistemin e sotshëm. Siç përmendja në komentin e parë do të ishte interesant të investigohej edhe origjina e mundshme e preferencës së gjeneratës më të re ndaj institucionit, nëse vërtet egziston kjo preferencë në një masë të konsiderueshme.

  12. Po te kemi parasysh se, shume nga ato qe ne i kishim dikur ne Shqiperi, ekzistojne akoma edhe sot ne perendim, Ardian Vehbiu do te bente mire te shkruante me pare per ato qe stonojne sot ketu e kendej. Se per te kaluarat eshte shkruar e stershkruar sa nuk ngjall me sot interes.

    1. R.Th., nuk shoh asnjë arsye pse duhet të marr prej teje këshilla se për çfarë “do të bëja mirë të shkruaja”. Nga ndërhyrjet e tua në këtë faqe, kam krijuar bindjen se, përveçse të lexosh (një shans që të ofrohet lirisht), nuk ke shumë gjëra të tjera për të kontribuar, dhe aq më pak sugjerime të tilla që nuk po t’i kërkon kush. Vërej një keqkuptim të trishtuar, prej teje, të asaj çfarë mund të bëjë komentuesi këtu: nuk pret kush që ti të gjykosh gjë dhe as të shqiptohesh; nuk të ka vënë kush plak, që të pleqërosh; në përgjithësi, kompetenca jote për temat ku komenton është minimale, dhe fare modeste.

  13. Kur nxehesh nga nje kompetence minimale dhe modeste, pale se c’pergjigje do te merrja po te shitesha pak me shume!

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin