PERFORMIMI I DHIMBJES

Pak ditë më parë, duke lexuar nuk di ç’panegjirik për një njeri gjysmë të shquar që sapo ish ndarë nga jeta, pata pyetur veten se çfarë na shtyn pikërisht që sherbetohemi kështu, kur qëllon që vdes dikush; ose në ç’mënyrë vepron vdekja, për të na i shtuar sekrecionet sentimentale. M’u kujtuan, në atë kohë, ca fjalë që pat shkruar Milan Kundera për kitsch-in, duke e ilustruar me dy lot që ndjekin shpejt njëri-tjetrin, duke rrëshqitur mbi të njëjtën faqe: i pari thotë “sa bukur t’i shohësh këta fëmijë që vrapojnë në bar”, ndërsa i dyti: “sa bukur që të prekesh, së bashku me mbarë botën, kur sheh fëmijët që vrapojnë në bar.” Dhe arrita pastaj në përfundimin, sado të përkohshëm, se vdekja na tërheq, ngaqë kur na vjen keq për dikë, njëherazi ngushëllohemi edhe me konstatimin se nuk jemi tharë krejt shpirtërisht, se ka mbetur ende diçka njerëzore te ne.

Tani që lexova shkrimin e Beti Njumës, por edhe pashë ca rrëmbushje të tjera kolektive në Facebook, për vdekjen – e parakohshme, të papranueshme – të Adelajda Xhamanit, iu riktheva atyre dy lotëve të Kunderës, duke dyshuar fort se shumë nga manifestimet e kësaj zie publike kaq falas janë të llojit të atij lotit të dytë, ose vijnë nga dëshira jonë për të qenë së bashku në një dhimbje – e cila dhimbje, në këtë kontekst, nuk është veçse një mënyrë për ta riprodhuar komunitetin tonë, nëpërmjet bashkëndarjes (sharing) të një ndjesie në thelb pozitive.

Zia, ose rituali që shoqëron ndarjen nga jeta të një të njohuri a të afërmi dhe aq më shumë familjari, është procedurë për të lehtësuar dhimbjen, por edhe ritual për të riprodhuar komunitetin – një nga ato komunitete që kanë të përbashkët edhe të vdekurit që nderojnë dhe që qajnë, si pika orientuese në të shkuarën. Në komunitete virtuale, si Facebook-u, rituale të tilla nuk mund të përcillen veçse në mënyrë tejet teatrale ose skenike; veçanërisht në rrethanat kur Facebook-u i ka “detyruar” njerëzit të krijojnë dhe të mirëmbajnë një fytyrë publike që shpesh nuk përkon as me profilin e tyre real dhe as me imazhin që kanë këta për veten. Prandaj shprehja e keqardhjes së thellë, që nuk përligjet dot me arsye as me masë, ka lidhje – besoj unë – me vullnetin për t’u përfshirë në grupin që ndien keqardhje të tilla të thella, ose për ta identifikuar përjetimin individual si bashkëtingëllim të një eksperience kolektive, me atribute të fisnikërisë.

Dhimbja, keqardhja për një vdekje si kjo e Adelajdës përftojnë ndjenja dhe emocione pozitive: dhembshuri, simpati, mallëngjim; edhe pse vdekja vetë tmerron. Prandaj edhe komunitetet që krijohen dhe riprodhohen, rreth ngjarjeve të tilla, janë komunitete të llojit “pohues”, ose njerëzish që i bashkon diçka e mirë, humane, fisnikëruese – dhe kjo vlen pavarësisht nga aspekti kitsch i dukurisë. Dhe në një mjedis virtual si rrjetet sociale, ku sundon negativiteti, përçmimi, përgojimi dhe urrejtja, nevoja për pozitivitet është gati fiziologjike. Të gjithëve u ofrohet mundësia për të qenë “të mirë”, qoftë edhe për 15 minuta; çfarë nuk është pak.

Ka edhe më: nga sa lexoj tani, e ndjera Adelajdë qenkësh bërë e njohur për publikun falë pjesëmarrjes së saj në Big Brother; madje një media e prezantonte, që në kryetitull, si “vajza që theu tabutë në Big Brother Albania.” Nuk i ndjek spektakle të tilla si Big Brother dhe nuk di ç’të them; por e marr me mend ngjashmërinë e tyre, si reality show-s, me një lloj teatri që ka turp të jetë vetvetja; dhe që ia shton soap-it tradicional një pretekst, sado të dobët, për t’u besuar si “real.” Nuk e kam të qartë as çfarë vlerash promovon Big Brother Albania dhe çfarë tabush mëton të thyejnë pjesëmarrësit; sikurse nuk besoj te thyerja e tabuve për hir të spektaklit. Megjithatë, gjithnjë e gjej një ngjashmëri me sporte të tilla argëtuese si professional wrestling, të njohur tek ne edhe si mundje amerikane dhe ku publiku e ka të vështirë të dallojë atletizmin nga teatraliteti. Në të dy rastet, objekt kurioziteti përbëjnë trajektoret morale të personazheve (the good, the bad and the ugly) dhe ndërveprimet mes tyre.

E them këtë, sepse më duket kuptimplotë që edhe reagimi për vdekjen e një personazhi të mirënjohur të Big Brother Albania të përcillet me një zi të denjë për reality show, ose ku pjesëmarrësit luajnë për njëri-tjetrin dhe për publikun, jo sepse duan me çdo kusht të shtiren, por sepse ashtu janë mësuar t’i shfaqin emocionet e tyre dhe të komunikojnë me to. Ma merr mendja se ky është publiku që synojnë dhe, sidomos, krijojnë emisione të tilla; dhe që, me kalimin e kohës, flet edhe gjuhën e këtij lloj televizioni. Për mua, dukuria nuk është veçse ana e pasme, ose kundërpesha e urrejtjes dhe përçmimit të stilizuar që mbizotërojnë në komunikimin e tanishëm politik aq të polarizuar.

3 Komente

  1. Pohimi se ” te qenit se bashku ne dhimbjen per vdekjen e dikujt, riprodhon komunitetin” eshte i vlefshem per komunitetet reale , ne nje hapsire gjeografiko-fizike . Rituali pikerisht kete funksion ka- te riprodhoje komunitetin, edhe pse ne kete rast eshte, sikurse pohoni, nje komunitet virtual. Nje vyrtit i manifestuar virtualisht, ku ka edhe teatralitet natyrisht.
    Adelajde , si person publik, ishte “prodhim” i Big Brother dhe reagimi publik ne rrjetet sociale, vjen si shenje e “bigbratherzimit ” te shoqerise.
    Nga sa kam ndjekur edicionet e BB, pjesmarresit aty, lojen dhe teatralitetin , shpesh e maskojne me frazen “une jam vetvetja”. Ne fakt , performimi i tyre , aq sa eshte shprehje e vetes, po aq eshte dhe i llogaritur per te tjeret, pra per audiencen.
    Edhe orteku i statuseve, shkrimeve dhe shfrimeve virtuale per te ndjeren Adelajde, eshte sa shprehje e vetvetes aq edhe per te tjeret, ndjeksit dhe frendsat ne fb. Ne kete kuptim, shoqeria e “bigbrathezuar” nderon idhullin e vet, “prodhim” te BB me te njejten teknike , ku ka dhimbje te mirefillte por edhe nje lloj aktrimi .
    Pra i gjithe solidariteti ne dhimbje, kthehet ne nje akt performativ ku, identiteti percaktohet jo permes asaj cfare je, por permes asaj se cfare thua.
    Adelajde , duke u futur ne BB theu tabute ne kuptimin se vinte nga Kavaja, qytet me nje tradite konservatore ne qasjen ndaj lirise se gruas.
    Mesa di, u nda nga i fejuari dhe ne BB lidhi nje dashuri me nje djale me te vogel ne moshe.

    Me famen e fituar ne BB , ish zjusha e nje katundi, u fut ne boten e gazetarise ne metropolin tone .
    Vdekja kaq e parakohshme dhe e papritur, duket si nje ironi per sakrificat, luften per mbijetese ne xhunglen mediatike, sfidat dhe endrrat ne sirtar te nje vajze te thjeshte te ardhur nga provinca. Nje shkrim a status i dikujt , percillte pikerisht kete : metropoli vesit dhe intriges e vret nje flutur te ardhur nga provinca.

  2. Kur mendoj histerinë masive të anglezëve, 20 vite më parë, pas vdekjes së princeshës Diana, ky ngashërim kolektiv i shqiptarëve në facebook nuk më duket gjë fare… :).

    Krijimi i psikozave kolektive – histerisë, euforisë, panikut – është fushë interesante studimi për sociololgët dhe psikologët, por dhe për bankierët dhe politikanët, për t’i kuptuar si ngjizen dhe përhapen, por dhe si mund t’i përdorin ato.

  3. Unë njoh nje fatkeqe qe u nda nga jeta ne moshen 30 vjecare. Në profilin e saj në nje prej medieve sociale njerezit vazhdojne ende ti shkruajne dhe të “komunikojne” me të.
    Sa për të qare aq edhe për të qeshur (tragjikisht).

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: