PUNA E SHQIPTARËVE NË ITALI (II)

Ata që e njohin ekonominë italiane e dinë fare mirë se kjo është e nyjëtuar kryesisht në ndërmarrje të vogla e të mesme. Është një nga karakteristikat kryesore të ndërmarrjeve italiane, me të mirat e të metat e veta. Pjesa më e madhe e shqiptarëve punojnë në ndërmarrje të vogla. Më saktësisht: 135.194 prej tyre punojnë në ndërmarrje me 1-9 punonjës, 53.358 në ndërmarrje me 10-49 punonjës, 21.415 në ndërmarrje me 50-249 vetë dhe 14.432 në ndërmarrje mbi 250 punonjës.

Ky aspekt ka nevojë për hulumtim të mëtejshëm, por përgjithësisht mund të thuhet se vjetërsia e emigracionit e ka një lidhje me praninë në  ndërmarrje të mëdha. Këto janë më të sigurta nga pikëpamja e punësimit, sepse i rezistojnë luhatjeve të shpeshta të ekonomisë së tregut, por janë edhe më të vështira për t’u arritur nga emigrantët. Marokenët kanë një prani të shtrirë më shumë drejt ndërmarrjeve të mëdha, kurse rumunët dhe ukrainasit punojnë kryesisht në ndërmarrjet e vogla, përkatësisht 70,8% e 84,6%. Kjo lloj shpërndarjeje tregon më shumë shkallën e stabilizimit në tregun e punës, se sa vetë integrimin. Punonjësja që shërben në familje, si pjesa më e madhe e femrave rumune e ukrainase, është vërtet e integruar, por puna e saj vuan nga përkohshmëria, sepse nuk është e qëndrueshme si të tjerat.

Zakonisht, emigracionet me histori më të gjatë kanë shpërndarje më homogjene në ekonomi. Por kjo nuk përbën rregull të pandryshueshëm, sidomos kur në lojë futen tradita emigrimi që i kanalizojnë krahët e punës në profesione të caktuara. Në të njëjtin vit emigrantët filipinas në Itali, edhe pse me histori shumë të gjatë se shqiptarët, kishin këtë shpërndarje: industri (7,2%), bujqësi (1,9%), shërbime (80,2%). Në fakt, 74,5% e tyre punojnë në ndërmarrje shumë të vogla.

Puna e shqiptarëve përqendrohet në veri të Italisë. Edhe shqiptarët i respektojnë flukset e përgjithshme të emigrantëve, të cilët gjejnë mundësi më të mëdha punësimi në pjesën ekonomikisht më të zhvilluar. Praktikisht rreth 60% e shqiptarëve punojnë në krahinat veriore. Krahina e Lombardisë zë vendin e parë për nga numri i punonjësve: 43.999 vetë. Ndryshe nga ç’mund të hamendësohej, vendin e dytë e zë krahina e Toskanës, që nuk hyn ne krahinat e veriut, por të qendrës. Toskana, me 29.338 shqiptarë në marrëdhënie pune në fund të vitit 2009, paraprin me diferencë shumë të vogël Emilia Romanjan, me 28.103 punonjës. Vendin e katërt e të pestë e zënë Veneto (20.094) e Piemonte (19.010), po në veri të Italisë, e ndjekur pas nga krahina e Lacios me 11.523 shqiptarë në punë. Vendin e fundit e zë Sardenja, ku punojnë 426 shqiptarë, një numër i vogël që tregon si aftësinë thithëse modeste të tregut të punës në atë ishull, ashtu edhe mungesën e traditës së emigracionit në atë krahinë, e kushtëzuar, midis të tjerash, nga faktorët gjeografikë.

Gjeografia e ka një rol në shpërndarjen e emigrantëve, megjithëse nuk ia shpjegon deri në fund anomalitë. Rasti i marokenëve është domethënës. 72% e tyre punojnë në veri të Italisë, pra emigracioni maroken dallohet nga një prani më e çekuilibruar në territor. Si rregull krahinat jugore italiane duhet të kishin shumë marokenë. Prania e tyre ua kalon shqiptarëve, por nuk është dërmuese. Natyrisht, në dinamikat e flukseve migratore nuk ka peshë vetëm afërsia me brigjet, por edhe rrjetat njerëzore e farefisnore që krijohen midis dy brigjeve. Rrjeti miqësor përbën një nga kushtet kryesore të tërheqjes migratore. Në këtë mënyrë mund të shpjegohet prania e madhe e shqiptarëve, po qe se kihen parasysh mundësitë ekonomike dhe përmasat krahinore, në krahinat adriatike Marke (9.846) dhe Pulja (9.785). Megjithatë, nuk mund të harrojmë se këto dy krahina dallohen nga një dinamizëm ekonomik që i nxjerr nga skemat e jugut të pazhvilluar.

Si ka shkuar puna e shqiptarëve gjatë vitit 2009? Jo edhe aq mirë. Ecuria ka qenë negative –4276 punonjës, kryesisht për faj të krizës ekonomike. Vetëm në Lombardi kanë dalë nga rrethi i punës 1623 shqiptarë, pra më shumë se një e treta. Rritja e papunësisë në krahinat e tjera me prani të madhe punonjësish shqiptarë ka rezultuar më e përmbajtur (Emilia Romanja -440 dhe Toskana -543). Çuditërisht Liguria ka pasur tendencë pozitive me 50 të punësuar shqiptarë më shumë se viti i mëparshëm. Po kështu Sardenja, edhe pse rritja është e papërfillshme (3 vetë më shumë).

Harta e punës së shqiptarëve në Itali tregon disa aspekte interesante. Në kuadrin e përqendrimit më të madh në veri – çka vlen për të gjithë imigrantët për arsye të tregut të punës – shpërndarja e punonjësve shqiptarë duket më homogjene. E njëjta gjë mund të thuhet për sektorët ekonomikë. Femërzimi i emigracionit shqiptar e ka rritur peshën specifike të punës së femrave, pavarësisht se përbërja mashkullore është më e madhe. Krahët e shqiptarëve punojnë edhe në sektorë që lihen shpesh në hije nga vëmendja e studiuesve, si p.sh. bujqësia, ku shqiptarët zënë vendin e parë ndër vendet jo komunitare. Nga ana tjetër, statistikat sipas tipologjive të ndërmarrjeve janë të qarta për sa i përket rrënjosjes së tyre në tregun e punës. Me pak fjalë, të dhënat dëshmojnë mbi të gjitha qëndrueshmërinë dhe integrimin e shqiptarëve në indin socio-ekonomik italian.

P.S. Të dhënat botohen për herë të parë. Burimi Dossier Statistico Immigrazione 2010 (Caritas/Migrantes), Romë tetor 2010 dhe Inail (Instituti Kombëtar për Sigurimin nga Aksidentet në Punë). Përpunimi është i imi.

Nuk ka komente

  1. Përderisa flitet për “Punën e shqiptarëve në Itali”, do ishte me interes të silleshin edhe të dhënat e ndërmarrjeve të krijuara nga shqiptarët (kryesisht në ndërtim dhe shërbime, këto).
    Përveç punës, interesante janë (por nuk i kam nën dorë tani) edhe statistikat e studentëve shqiptarë në Itali (qoftë ata që vijnë për studimet universitare, por edhe ato të fëmijëve të lindur prej shqiptarëve në Itali.)

  2. E drejtë Edrus, jam duke përpunuar edhe të dhënat për imprenditorët shqiptarë, ose të ashtuquajtur “të vetëpunësuar”. Shkrimi i mësipërm kishte të bënte vetëm me punën e varur, pra me të punësuarit. Kanë karakteristika të ndryshme.
    Edhe temat e tjera që përmend janë me shumë interes: studentët, imigrantët e brezit të dytë, të miturit, etj. Do përpiqemi t’i hulumtojmë.

  3. pashe qe statistikat ishin marre nga burime italiane si Migrantes Caritac dhe INAIL . Ndersa ministria shqiptare e emigrazionit nuk meret me gjera te tilla te pa rendesishme. Ajo tek e fundit mund te organizoje ndonje manifestim ne shesh per liberalizimin e vizave…

  4. Per ekspèerience personale e per pershtypje shqiptaret jane komuniteti me i integruar ne Itaali.Te pakten nder 5 vjet e ketej pershtypje eshte ajo e njerezve qe shohin punen e tyre e dine te bejne qe te tjeret ti respektojne.Nje nder pikat pse Lega Nord e ka keqas me ne eshte pikerisht sepse ne nuk jemi “sezonale”.Ne zeme vendin tone ,territorin tone ,imponohemi ne kete territor.Shqiptaret kane numrin me te madh te te huajve qe kane prona te tyre(shtepi etj)ose aspirojne ta kene .Te kesh shtetesine italiane tashme eshte per te gjithe mundesi reale.E kjo na dallon shume nga rumunete e te tjere.
    Kudo qe jane shqiptaret ne punera jane pika referimi e shume te besueshem.(nuk flas per delinquente qe megjithate numri i tyre ka rene ndjeshem.
    Problem sipas meje mbetet integrimi e perparimi kulturor,njohja e gjuhes,historise te pakten moderne te Italise,situatwn politike,ekonomike.Ne pergjithesi,duke filluar nga ambasadori te gjithe flasin nje italishte te çale,te domosdoshme e aq.Nuk lexojne aspak pothuajse me perjashtim te lajmeve qe kane te bejne per Shqiperine

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: