DERA E DURRËSIT

nga Albert Riska

Durrës mbetet një nga më të diskutuarat toponime të Ilirisë së lashtë, si për burimin e fjalës, ashtu edhe për mundësinë e mbështetjes së vijimësisë gjuhësore iliro-shqipe në zhvillimin fonetik.

Për të parë se sa probleme i ka paraqitur ky emër specialistëve, si edhe për të kuptuar se pse qëndrimet e etimologëve kanë qenë aq të ndryshme nga njëri te tjetri, do të mjaftonte trajtimi i gjerë që i bën emrit të qytetit Prof. Shaban Demiraj.

Duke patur parasysh gjykimet e vetë profesorit, si edhe se sa mendime të diskutueshme janë hedhur deri më tani, jemi të vetëdijshëm se këtu nuk bëjmë gjë tjetër, veçse do të parashtrojmë edhe një hipotezë më shumë.

Është e qartë se vështirësitë qëndrojnë, së pari, në faktin që emri i qytetit dëshmohet me trajta të ndryshme në dokumentet e vjetra.

Duke u përpjekur të shmangim sa më shumë detaje, duhet të vëmë në dukje se në trajtat që dalin në dokumentet antike, nga të cilat paraqesin interesin më të madh Durratio dhe Durrachio/ Durrachium, dallimi më i rëdësishëm shihet te bashkëtingëllorja e rrokjes fundore ch– ~ t-.

Edhe në gjendjen e sotme emrin e qytetit e gjejmë me trajta të dallueshme evolutive në gjuhë të disa popujve që e njohin prej kohësh: Durrës në shqip, Δυρράχιο (Durraqhio) në greqisht, Durazzo (Duraco) në italisht, Дуръс (Durës) në bullgarisht dhe Драч (Draç) në serbisht.

Për trajtat sllave, duke gjykuar nga natyra e bashkëtingëllores fundore, por edhe nga vendi i theksit, mund të thuhet se ajo bullgare duhet të jetë marrë prej shqiptarëve, ndërsa ajo serbe duhet të jetë marrë prej italianëve.

Sa i përket trajtave shqipe, greke e latine, nuk është e lehtë të përcaktohet me siguri se cila duhet të ketë qenë trajta fillestare dhe cilat kanë qenë trajta të evoluuara apo perceptime të ndryshme të saj, megjithatë shihet se ato bashkohen te një bazë e përbashkët, *dur-, që i lidh të gjitha dhe që mund të përbëjë rrënjën e fjalës.

Normalisht, njohja e një rrënje të përbashkët do të orientonte në kërkimin e burimit të fjalës dhe për veçimin e mjeteve fjalëformuese, çka do të ndihmonte në njohjen e evolucionit të saj.

Parë në aspektin fonetik, për bashkëtingëlloren fundore mund të themi se –s e trajtës shqipe do të mund të përligjej si e zhvilluar nga një /t/, kuptohet e ndjekur kjo nga një /i/ gjysmëzanore, dhe do të prapashkonim, kështu, nga e sotmja Durrës te trajta e dokumentuar Durratio.

Po këtu do të shkonte edhe italishtja Durazzo, po të kemi parasysh se një /t/, e ndjekur nga një /i/ gjysmëzanore, në atë gjuhë zhvillohet në /z/ (c), Durratio > Durazzo.

Ndërsa trajta e dokumentuar Durrachio/Durrachium duhet të na shpjerë edhe një hap më tej, me tjetër tingull fundor, /kh/, të cilin e ruan ende sot greqishtja Δυρράχιο (Durraqhio). Veçse, fakti që trajtën me /kh/ e ruan vetëm greqishtja, nuk do të thotë se fjala është detyrimisht e burimit grek.

Nga të dhënat etimologjike mund të zbulohet se një kh/gh e hershme indoevropiane në parashqipe është zhvilluar në t/d apo edhe th/dh, dhe raste të tilla gjejmë mjaftueshëm në shqipen e sotme, siç tregojnë, për shembull, fjalët e trashëguara dorë, dimër, derr, i madh, dhëndër, dhe-u, ther, thua etj.

Pra, për shqipen do të ishte e natyrshme të pranohej një zhvillim i tillë: nga fonema indoevropiane kh/gh të pritet t/d dhe, që këtej, s/z. Kështu do të mund të rindërtohen tri faza zhvillimi edhe për të njëjtën fjalë.

Në këtë linjë, për Durrës do të mund të supozojmë: Durrachio > Durratio > Durrës.

Një zhvillim i tillë do të tregonte se, edhe sikur të mos jetë i burimit vendas, ky emër përdoret nga parashqiptarët e më pas nga shqiptarët, të paktën që nga koha kur e kanë njohur dhe dokumentuar burimet greke.

Veçse, në qoftë se shohim edhe vijimësi, edhe përputhje tipologjike brenda shqipes, më e mundshme do të ishte që toponimi të shihet si i burimit vendas dhe, sipas rendit të zhvillimeve fonetike kh/gh > t/d > s/z, të mendohet se grekët thjesht e kanë njohur në një fazë shumë të hershme, ndoshta që nga koha e themelimit dhe në trajtën origjinale; latinët duhet ta kenë njohur në një fazë të dytë, pasi ka ndodhur në parashqipe zhvillimi fonetik kh > t; ndërsa bullgarët në një fazë të tretë, pasi ka ndodhur zhvillimi t > s.

Me interes këtu që, në kushtet e mungesës së dokumenteve gjuhësore, trajtat e gjuhëve të ndryshme të toponimit mund të përdoren si piketa kronologjike për dukuritë e hershme fonetike që ka njohur parashqipja. Kështu, zhvillimi kh/gh > t/d do vendosur kronologjikisht midis shekullit kur e kanë njohur Durrësin grekët, besohet shek. VII para e.s., dhe shekullit kur e njohën latinët, ndoshta nga shek. IV para e.s., kohë që përkon me pragun e periudhës qytetare ilire.

Me shumë interes edhe supozimi i një rrënje *dur-.

Kjo rrënjë mund të lidhet me lemën indoevropiane *du̯er- dhe gjen përgjegjëset e veta në gjuhët e familjes, si ϑύρα në greqishte, dvьrь, dvorъ në sllavishten e vjetër, дверь në rusishte, daur në gotishte, dùrys në lituanishte etj., të gjitha me kuptimin “derë”.

Nga përqasjet mund të shihet një përkim perfekt me lituanishten dùrys, që duhet të jetë trajta me shkallën zero të zanores rrënjore, sikurse edhe sllavishtja e vjetër dvьrь dhe greqishtja ϑύρα, por te kjo e fundit kemi një dallim në zëshmërinë e bashkëtingëllores nistore dùrys ~ ϑύρα.

Me interes të veçantë fakti që në trajtat sllave mund të lexohen tri shkallë të ndryshme të zanores rrënjore: /e/ në дверь, /o/ në dvorъ dhe zero në dvьrь.

Në këtë kuadër, për shqipen mund të pranojmë normalisht një trajtë me shkallë normale tek e sotmja derë, por mund të supozonim dhe një trajtë me shkallë zero, që do të vinte *dur-, e njëjtë me atë që mund të veçohet te emri i qytetit, kuptohet, e zgjeruar me një /a/ që mund të konsiderohet si zanore mbështetëse dhe me tingullin tematik –kh, pra, morfologjikisht do të kishim: *dur + akh = Durrachio.

Së fundi do të vërenim se në aspektin semantik mund të shihet një analogji me latinishten, në raportin portus ~ porta, dhe, në qoftë se përtej detit sot do të gjenim porta ~ porto, por edhe portico, këtej detit do të kishim derë dhe Durrës.

(c) 2024 Albert Riska. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është krijuar me AI.

Rreth Autorit

Albert Riska është pedagog i gjuhës shqipe në Universitetin "Aleksandër Xhuvani", Elbasan.

Author Archive Page

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin