DY FRËNGJ PËR SHQIPEN

Gjuhëtari frëng André Martinet (1908-1999) bëri emër si përfaqësues i shquar i strukturalizmit europian gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, me kontribute të veçanta në lëmin e gjuhësisë funksionaliste, veçanërisht për ekonominë gjuhësore dhe artikulimin e dyfishtë. Vepra e tij, Elemente të gjuhësisë së përgjithshme (1960) është përkthyer në shumë gjuhë dhe ka shërbyer si hyrje elegante në metodat e analizës gjuhësore sinkronike.

Gjatë viteve 1976-1977 dhe më pas 1983-1984, Martinet-ja mbajti cikle leksionesh të gjuhësisë historike-krahasuese, në École pratique des hautes études, të cilat më pas u botuan si libër me titullin Des Steppes aux Océans, L’indo-européen et les “Indo-Européens”, Payot 1986, që më ka shërbyer – mes të tjerash – edhe mua si hyrje jo shumë teknike, në indoeuropianistikë.

Te ky libër, në nënkapitullin kushtuar shqipes, me të dhëna shumë të përgjithshme nga historia e kësaj gjuhe, më ka bërë përshtypje që autori shkruan se

“[shqipja] gëlon [fourmille] në fjalë të huazuara prej sllavishtja, turqishtja, greqishtja dhe gjuhët romane, aq sa vetëm një e dhjeta e fjalorit është mirëfilli vendës [indigène]. Shqipja është një nga ato gjuhë që më shumë u shtrojnë komparatistëve probleme, se ç’u ofrojnë zgjidhje.” [f. 72].

I sigurt se Martinet-ja këto përshtypje për leksikun e shqipes nuk i ka pasur të vetat, gjithnjë kam dyshuar fort se burimi i tyre duhet kërkuar në qëndrimet e gjuhëtarit tjetër të madh francez, Antoine Meillet, ndoshta më i madhi komparatist frëng i gjysmës së parë të shekullit XX. Mjaft të përmend këtu emrat e disa prej nxënësve të tij: Émile Benveniste, Marcel Cohen, Georges Dumézil, Lucien Tesnière, Gustave Guillaume, Joseph Vendryes dhe – natyrisht – André Martinet. Kontributi i tij në indoeuropianistikë shtrihet në shumë fusha – nga hyrjet me natyrë të përgjithshme, te gramatikat e krahasuara të gjuhëve të veçanta dhe fjalorët etimologjikë (latinishtja).

Specialist, mes të tjerash, i armenishtes dhe i historisë së saj, Meillet-ja ai shprehu disa herë admirimin për forcën jetësore të kombit armen, duke vërejtur se, megjithëse ajo gjuhë përmban një numër të madh huazimesh nga persishtja, këto huazime i ka asimiluar në mënyrë të përsosur, aq sa të mos dallohen dot më nga fjalët vendëse; shenjë, për të se armenët, në kontakt me persishten (partishten) treguan forcën e tyre dhe nuk e humbën kurrë vetëdijen e tyre si komb, falë edhe rolit të Kishës armene, që mbijetoi me dogmat, ritet dhe hierarkinë e saj, çfarë ndikoi edhe në traditën e shkrimit. Armenët ruajtën kështu, sipas Meillet-së, identitetin e tyre falë një “vullneti për të jetuar” dhe një “vitaliteti të fuqishëm”; çfarë e tregojnë edhe orvatjet, gjatë shekullit XIX, për të krijuar një armenishte letrare.[1]

Edhe pse i ka krahasuar disa herë armenishten me shqipen dhe fatet historike të armenëve me ato të shqiptarëve, shqipes vetë Meillet-ja i ka kushtuar fare pak vëmendje – ndoshta edhe ngaqë nuk e kish studiuar dot a nuk e kish parë të arsyeshme të thellohej në të. Te një tekst me natyrë enciklopedike, i vitit 1918, ai pat shkruar se

“shqipja nuk ka qenë kurrë organ i një kombi të madh; nuk ka shërbyer kurrë për të shprehur një qytetërim origjinal. Është shkruar shumë vonë; tekstet e para që kemi janë të shekullit XVII. Nuk ka, pra, një histori të vetën.”

Më tej ai i quan shqiptarët “të pakulturë” (incultes) dhe shton se “ka pak të ngjarë që një gjuhë shqipe e përbashkët të bëhet gjuhë qytetërimi me ndonjë farë rëndësie.” Për më tepër, Meillet-ja i quan shqipen dhe kombin shqiptar si “amorfe” dhe pa “gjallësi kombëtare.” Edhe ruajtja e shqipes që nga lashtësia, thotë Meillet-ja, nuk është provë e ndonjë gjallësie, por më tepër tregues i një jete të prapambetur.

Sipas tij, shqipja përmban një numër të madh huazimesh që i ka marrë nga të gjitha anët dhe që janë shenjë e një farë dobësie, sepse “tregojnë që shqiptarët kanë pësuar ndikimin e qytetërimit të fqinjëve të tyre.” Nga ana e tyre, shqiptarët “kurrë nuk kanë ushtruar ndonjë ndikim qytetërues dhe as u kanë dhënë fjalë gjuhëve fqinje” dhe “tipari mbizotërues i historisë së shqipes është që nuk duket të ketë ushtruar ndonjë veprim të shënueshëm ndaj ndonjë gjuhe tjetër, teksa ajo vetë ka huazuar lirisht.”

Ndryshe nga ç’ka ndodhur me armenishten, vëren ai, këto huazime vërtet janë asimiluar në shqipe, por kjo nuk është shenjë gjallërie si në rastin e armenishtes, sepse huazimet në shqipe kanë hyrë nëpërmjet gjuhës së folur, nga njerëz që nuk merakoseshin për ta shkruar gjuhën e tyre.”

Edhe pse kontradiktore dhe, në thelb, të gabuara, komentet e Meillet-së nuk janë hiç të pafajshme: në vitin 1912 shqiptarët shpallën Pavarësinë, dhe kjo, sipas gjuhëtarit frëng, ndodhi me nxitjen e austriakëve, të cilët krijuan në Ballkan një entitet “artificial”. Edhe gjuha letrare e përbashkët shqipe që u krijua, në masë të madhe nën ndikimin e huaj, mbetet pa ndonjë rëndësi. “Nuk është rastësi që shqiptarët nuk u organizuan kurrë në një komb,” shkruan ai në 1915, dhe që “nuk arritën kurrë t’i japin vetes një unitet kombëtar”; sikurse nuk është rastësi që “shteti shqiptar, të cilin provuan ta ndërtojnë në vitet 1912-1914… dështoi në mënyrë të mjeruar.”

Në thelb, Meillet-ja ishte kundër pavarësisë së Shqipërisë – gjithë duke qenë pro pavarësisë së një “Armenie të plotë”, së cilës i duhej dhënë madje edhe një dalje në det.

Sébastien Moret, nga artikulli i të cilit i kam nxjerrë këto të dhëna për shqipen në vizionin e Meillet-së (referimi i plotë në shënimin 1 këtu poshtë), shkruan se këto tekste “nuk patën ndonjë ndikim të madh në vendimet efektivisht të marra në konferencat e paqes të viteve 1919-1920; dhe se simpatia e atij gjuhëtari për armenët, përtej njohjes së thelluar prej tij të armenishtes dhe të kulturës e të historisë armene, nuk është pa lidhje me faktin që, gjatë Luftës I Botërore, armenët ishin të vetmit që u rreshtuan në krah të Aleatëve, ndërsa shqiptarët u përçanë mes tyre dhe një pjesë e tyre u vunë në shërbim të Austrisë dhe të Turqisë.

Deri këtu Moret.

Në numrin e gushtit 1915 të La Revue Hébdomadaire, kur Lufta I Botërore kish filluar tashmë prej një viti, Meillet i kushton një artikull të shkurtër gjuhës shqipe, me titull “La langue albanaise” [2], ku duket se e analizon çështjen shqiptare në kontekstin e kundërvënies së Francës me Austro-Hungarinë – duke e cilësuar këtë të dytën, që në krye, si shkaktaren e luftës që kish kapluar Europën. Sipas tij, ishin interesat e administratës austro-hungareze në Ballkan, që çuan në krijimin e Shqipërisë si shtet artificial, të cilin Perandoria synonte ta sundonte. “Shqiptarët nuk kanë arritur kurrë t’i japin vetes një njësi kombëtare,” shkruan Meillet-ja. Edhe pse të pakët në numër, nja dy milion, ndahen në tri fe; por austriakët (kështu i quan autori) u mbështetën në organizimin e fortë të misioneve katolike, të cilat i kontrollonin, dhe përmes tyre deshën ta bëjnë grupin katolik qendrën e vetme të mundshme të një njësie, dhe nëpërmjet saj të drejtonin Shqipërinë. Por dështuan.

Kombi shqiptar ekziston vërtet, shkruan Meillet-ja, por është amorf; dhe gjuha shqipe, një gjuhë më vete, jep një ide për natyrën e kombit. Kjo gjuhë, vazhdon ai, është shkruar jo më herët se shekulli XVII, por dallohet menjëherë që është indo-europiane. E megjithatë, pas shpërndarjes së gjuhëve të familjes indo-europiane në botë, “asgjë nuk të bën të mendosh se shqipja ka qenë gjuhë e ndonjë kombi të madh.” Nuk ka asnjë gjurmë të saj në lashtësi.

Shqipja, thotë Meillet, u ka bërë ballë përpjekjeve absorbuese të kombeve të tjera më të zhvilluara, por pa u dhënë asgjë gjuhëve fqinje. Shqiptarët janë shpesh energjikë dhe të vështirë për t’u asimiluar, por nuk u janë nënshtruar disiplinave që kërkon qytetërimi dhe nuk i kanë shërbyer askujt si model.

Duke u ndalur pastaj në huazimet e shqipes, gjuhëtari frëng vëren se kjo gjuhë është kaq e mbushur me fjalë latine, sa romanistët janë të detyruar, në studimet e tyre të latinishtes vulgare, ta trajtojnë shqipen si gjuhë gati romane. Ky ndikim i madh nga Perëndimi ka vazhduar pastaj me italishten – dhe kjo mbështet edhe skicë-idenë gjeopolitike të Meillet-së, që e ardhmja e Shqipërisë është që t’i bashkohet sa më shpejt Italisë. Ai përmend edhe ngulimet arbëreshe në Itali, si provë të mëtejshme të rezistencës së këtij populli ndaj asimilimit.

Ky komb i vogël, shkruan Meillet-ja, nuk ka bërë asgjë për t’u bashkuar dhe për të vepruar ndaj fqinjëve, si komb; ka vazhduar të ekzistojë më vete, pjesërisht pa ndikime të jashtme por, në atë masë që ka pësuar ndikime, i ka përshtatur ato që ka marrë prej të tjerëve, duke ruajtur natyrën e vet të veçantë, natyrë që nuk nënkupton as shumë kreativitet, as shumë origjinalitet, por që nuk mund të ngatërrohet me diçka tjetër. Shqipja, thotë gjuhëtari frëng, nuk u shton asgjë atyre që i sheh njeriu gjetiu; por është diçka tjetër.

Këto shënime përndryshe pa ndonjë vlerë të madhe, të një të madhi si Meillet-ja, ndihmojnë për të kuptuar si vazhdonin të vështroheshin gjuhët dhe kombet, veçanërisht të voglat, në fillim të shekullit XX dhe, sidomos, gjatë një lufte botërore me pasoja për të ardhmen e kombeve në Europë.

Rëndësia që i jep Meillet-ja peshës së huazimeve, në leksikun e shqipes, është dyfish e gabuar – sepse (1) të dhënat që ka ky në dispozicion nuk i përgjigjen aq shqipes, sa ç’i përgjigjen materialit leksikor që ish mbledhur deri atëherë në mënyrë sporadike, dhe kryesisht në ngulimet në Greqi dhe në Itali, sporadikisht, nga studiues të pabashkërenduar; dhe, në fakt, hulumtime të tjera leksikore, do të tregonin më pas se përqindja e fjalëve vendëse në shqipe, edhe pa llogaritur shqipen letrare dhe neologjizmat, ishte mjaft më e lartë; dhe (2) huazimet e shumta nuk tregojnë veçse që gjuha përkatëse ka pasur kontakte të shumta dhe të afërta me gjuhë të tjera; e tillë është anglishtja, gjuhë e një kombi të madh, sot mbizotëruese në botë. Përsiatjet e Meillet-së për “gjallësinë” dhe “forcën jetësore” dhe “vullnetin për të jetuar” të shqipes bien erë misticizëm, romantizëm të shekullit XIX dhe, në çdo rast, nuk mund të shërbejnë si argument për dëbimin e shqiptarëve nga tryeza e kombeve të Europës. Faktet treguan se, kur ia dhanë institucionet përkatëse, përfshi mass mediat, arsimin publik dhe lëvruesit, shqipja shumë shpejt e ngriti kokën edhe si gjuhë e shkruar, madje duke treguar aftësi të mëdha për zhvillim të brendshëm të leksikut, falë sistemit të pasur të fjalëformimit; dhe megjithë pasojat ndonjëherë gjuhësisht varfëruese të përpjekjeve puriste. Asnjë nga argumentet e Meillet-së nuk qëndron, me përjashtim të atij të dokumentimit të vonë me shkrim të shqipes – por ai mbase harron se elitat shqiptare (dhe më parë arbërore), edhe pse nuk e shkruajtën gjuhën e tyre deri vonë, përdornin lirisht gjuhë të shkruara të tjera, prandaj nuk ishin analfabete, por po aq “të kultivuara” sa edhe ato fqinje.

Meillet-ja me siguri do të nguronte të shprehej kështu, po ta kish njohur shqipen aq mirë sa ç’njihte armenishten; dhe albanologjia pa dyshim do të ish pasuruar ndjeshëm, po ta kish studiuar Meillet-ja shqipen ashtu siç pat studiuar armenishten. Sot nuk është e lehtë të thuash nëse interesi sipërfaqësor i gjuhësisë frënge ndaj shqipes, përballë interesit serioz të gjuhësisë austriake dhe asaj gjermane ndaj kësaj gjuhe, është përcaktuar nga orientimi gjeopolitik dhe kundërvënia mes fuqive të mëdha në Europë. Sikurse nuk është e lehtë të thuash nëse padija e Meillet-së ndaj shqipes ka apo jo të bëjë me një lloj përçmimi të tij ndaj shkollës gjuhësore gjermane-austriake. Përkundrazi, është më e lehtë të mendosh se këto qëndrime të Meillet-së, në mënyra të ndryshme, kanë filtruar edhe në traditën e qëndrimit të mëpastajmë të shkollës gjuhësore frënge ndaj shqipes.

Të kthehem tani te citati që solla, nga André Martinet, në krye të këtij shkrimi:

“[shqipja] gëlon [fourmille] në fjalë të huazuara prej sllavishtja, turqishtja, greqishtja dhe gjuhët romane, aq sa vetëm një e dhjeta e fjalorit është mirëfilli vendës [indigène]. Shqipja është një nga ato gjuhë që më shumë u shtrojnë komparatistëve probleme, se ç’u ofrojnë zgjidhje.”

Fjalët janë të viteve 1970-1980, të një kohe kur struktura e leksikut shqip njihej relativisht mirë, edhe nga pikëpamja diakronike – por kjo nuk e ka penguar një tjetër të madh, si Martinet-ja, të përsëritë klishetë e lodhura të mësuesit të tij, Meillet-së, për shqipen që “gëlon në fjalë të huazuara” – edhe Martinet-ja, si strukturalist i shquar, i pari e ka ditur që huazimet leksikore nuk kanë ndonjë ndikim përcaktues në natyrën e gjuhës, ndryshe nga struktura fonetike, morfonetike, morfologjike dhe sintaksore. Pavarësisht nga profili i lartë që ka meritueshëm Martinet-ja, në gjuhësinë frënge dhe botërore, dhe pa qenë nevoja të vihet në dukje se shqipja nuk ekziston për konveniencën e komparatistëve, lehtësia e papërligjshme me të cilën ka folur për shqipen nuk shpjegohet me vëzhgimet dhe arsyetimet e mendjes prej dijetari, por vjen më shumë si homazh, sado i pavetëdijshëm, i përçmimit të dikurshëm të Meillet-së.[3]

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Këto të dhëna për opinionet dhe gjykimet e Meillet-së për armenët, shqiptarët, armenishten dhe shqipen, i kam nxjerrë nga Sébastien Moret, “Emprunts et vigueur des langues et des nations chez Antoine Meillet: les exemples arménien et albanais”, Cahiers de l’ILSL, № 37, 2013, p. 145-157. Falënderoj Anila Omarin, që ma sugjeroi këtë artikull.

[2] La Revue Hebdomadaire, 1915, 24ème année, t. viii (août 1915), p. 5-12. Anila Omari më njofton se një përgjigje kritike këtij artikulli të Meillet-së ia ka dhënë, në frëngjishte, Sotir Kolea, në 1928, në revistën Albania Noua/Shqipëria e re, të botuar në Rumani. Këtë artikull (ende) nuk e kam gjetur dot: më thonë se e ka përkthyer dhe botuar Mahir Domi (por ku?). Nëse e gjej më vonë (me ndihmën e ndonjë kolegu, që do t’i isha mirënjohës), ruaj të drejtën ta plotësoj shkrimin me informacionin e duhur. Referenca më poshtë, nga një bibliografi e Palok Dakës, e botuar në Studime Filologjike, 1965, 4:

[3] Martinet-ja ka ardhur në Shqipëri mysafir i Akademisë së Shkencave, në 1987 ose 1988.


 

11 Komente

  1. Frengjishtja si nje nga shume ”kakerdhite e Romes” ne Europe, pati fatin qe franket gjermanike e pelqyen rajonin rreth Parisit dhe e bene gradualisht qender te perandorise se tyre, perndryshe ku i dihej, mund edhe te vertitej si gjuhet vllehe ne Ballkan apo edhe zhdukej si kakerdhite e Romes ne Angli, pse jo mund te mbytej nga provencalishtja ( e kunderta e asaj qe po ndodh).

    Cfare eshte merite politike e nje pakice sunduese te huaj, nuk e ben qymyrin diamant e as kakerdhine perle te zeze.

    Sigurisht qe keta dy gjuhetare i dinin mire keto pune, keshtu qe edhe komentet e tyre rreth shqipes e shqiptareve duhen pare si shenja shqetesimi mendor dhe jo si pjella te mendjeve te kthjellta.

    1. Ke shume te drejte, frengjishtja ashtu eshte, gjuhe kot, madje kot fare. Po ta veresh me kujdes, te gjitha fjalet kur shqiptohen bejne po ate zhurme qe ben dhija kur leshon kakerdhia.

    2. Përçmimi nuk i ndryshon asgjë faktit që Meillet-ja ka qenë më i madhi i komparatistëve frëngj, ndërsa libri i André Martinet për indoeuropianët mbetet nga më të lexuarit dhe të përkthyerit anembanë botës (pa llogaritur kontributet e këtij në gjuhësinë sinkronike). Madje Meillet-së i patën besuar të shkruante zërin për shqipen, në një edicion të Enciklopedisë Britanike para Luftës II. Po flasim për autoritete në gjendje të krijojnë opinione dhe reputacione. Miti i shqipes si gjuhë “të mbushur” me huazime vazhdon të dëmtojë mendjet sot e kësaj dite, madje kundër tij tani ngrihen me zell të pashembullt edhe Don Kishotët e momentit – edhe pse mbështetet në përqindje të pavërteta dhe në koncepte të gabuara për mënyrën si organizohet dhe funksionon leksiku i një gjuhe. Për arsye politike gjysmë-private, qeveritë shqiptare, që nga koha e Enverit, kanë vazhduar ta trajtojnë Francën me përparësi të papërligjur. Martinet-ja erdhi dhe mbajti një leksion këtu në fund të viteve 1980, por nuk besoj të jetë ngritur kush dhe ta ketë pyetur – me shumë njerëzillëk – pse ka thënë ato që ka thënë, në librin e tij; dhe pse nuk ulet që t’i korrigjojë.

    3. Kur shkruani se frengjishtja “mund edhe te vertitej si gjuhet vllehe ne Ballkan”, duhet te kishit shtuar: ose edhe si gjuhet shqipe (gegenishtja, toskerishtja) dhe kete nuk e them une por njeri nga shqiptarofilët më të shquar të shek XX, anglezi Noel Malcolm (e keni tek “Kosovo a short history”).
      Dua te them: sigurisht qe gjuhet kane jeten e tyre rastesore (vertiten, stabilizohen, unifikohen, vdesin…) dhe keto fenomene i ka perjetuar edhe shqipja, as më shume e as më pak se të tjerat. Gjithe problemi pastaj eshte qe frengjit “me kakerdhite e tyre” paten Molière, Corneille, Flaubert, Zola, Baudelaire, Rimbaud, Hugo e Proust ndersa ne “patem nacarrokun” (thote mbesa ime).

      1. Problemi qe thua nuk ekziston, perkundrazi perforcon ate qe them, se merita eshte e fuqise politike dhe jo e ndonje fuqie mistike gjuhesore. Aradha e autoreve perkon me supremacine e Frances ne Europe.

        Nqs duam te merremi me ndonje misticizem gjuhesor, do te themi qe frengjishtja doli nga shtremberime te llahtarshme te latinishtes klasike qe e flisnin legjionaret, te cilet si mercenare analfabete vinin nga te kater anet e Perandorise, pa llogaritur qe vete latinishtja klasike rrezik nuk flitej as nga Ciceroni. Se cfare forme e ndermjetme ka qene latinishtja vulgare qe flitej ne rajonin e Parisit, kete vetem mund ta imagjinojme.

        Frengjishtja si shume gjuhe me zanafille librore, ne fakt nuk gezojne fare te drejta mistike, kane lindur te deformuara.

    4. Edhe sikur faktet te provojne se shqipja mbijetoi per shkak se shqiptaret si popull barinjsh jetuan ne zona larg kontaktit me romaket ,e ardhjet e sllaveve i shpetuan nga latinizimi e pushtimi Ottoman nga sllavizimi e jo per shkak te forces se karakterit e kultures sone te lashte si pretendonte Dulle djegesi ashtu qofte .S’ka rendesi se nga vijme por se cfare po bejme e ku po shkojme .

  2. Shqiptarët nuk kanë asnjë arsye të ndihen inferiorë për gjuhën e tyre, para asnjë gjuhe tjetër evropiane.

    Martinet-i ishte ende gjallë kur një letrar i shqipes – që ai dhe mësuesi i tij e përçmuan aq hapur – u bë nga shkrimtarët më të vlerësuar dhe më të lexuar të patriotëve të tij francezë, një nga penat më shkëlqyera të letërsisë evropiane dhe asaj botërore të shekullit të XX. Shqiptarët, si popull, janë të vonuar, pa dyshim, krahasuar me popujt e tjerë evropianë, por nuk janë as popull intelektualisht i paaftë, as kulturalisht i vobektë. Aq më pak është e tillë shqipja. Përtej dhuntisë individuale të Kadaresë, vepra e tij, bashkë me ato të dhjetra shkrimtarëve dhe poetëve të tjerë shqiptarë të përkthyer dhe të vlerësuar anekënd Evropës, janë edhe dëshmi e pakontestueshme e potencialit të madh të gjuhës shqipe për tu ngritur në majat më të larta të kulturës botërore; e gjitha kjo madje vetëm brenda pak dekadash pas konsolidimit të shqipes letrare.

    Komentet përbuzëse të Meillet-it dhe Martinet-it nuk thonë asgjë për shqipen, as për shqiptarët, por mund të thonë diçka (shumë?) për ata vetë.

    1. Thua:
      “Shqiptarët nuk kanë asnjë arsye të ndihen inferiorë për gjuhën e tyre, para asnjë gjuhe tjetër evropiane.”

      dhe ke plotesisht te drejte. Problemi eshte se ka shume shqiptare (ndonje edhe ketu) qe ndihen tmerresisht superiore per gjuhen e tyre, ca thone “kozmike”, ca thone “te perendive” e te tjera kesoj broçkullash.

      1. Eh, ddc… kjo është ana tjetër e medalies, ajo frojdiane. Por edhe i ka këto pasoja alfabetizimi masiv dhe demokratizimi i teknologjisë. Delirantët nuk kanë munguar asnjëherë dhe askund, por sot secili është me smartfon në dorë dhe llogaritë në FB, apo këtu në PTF, janë falas. Ata që më parë i dëgjonte vetëm kafeneja e fshatit apo e lagjies, sot janë të armatosur me altoparlant digital, për tu dëgjuar nga dhjetë a më tepër milionë shqiptarët, madje – potencialisht – edhe nga të gjithë shtatë a tetë miliardët e njerëzimit. Në blogosferën shqiptare sot mund të lundrosh vetëm si marinarët e Odisesë: me veshët mbyllur. Ose të lidhësh veten, po deshe t’i mbash hapur.

    2. Kam pershtypjen se ka nje lloj mungese ndjeshmerie ne psiken shqipatere per sa i perket kultures dhe gjithe strukturave qe mbeshteten ne te. Perndryshe nuk ka si shpjegohet qe as nuk morem e as nuk dhame me kulturera dhe qyteterime madhore me te cilat fati i solli shqiptaret te jene ne kontakt, nisur ketu me Greqine arkaike dhe klasike, me Romen, me Bizantin apo edhe me perandorine Osmane.
      Dhe kushtet nuk eshte se mungonin. Jane dy perandore shume te rendesishem romak qe u edukuan ne tokat illiro/epirote. Oktaviani kur u nis te merrte pushtetin ne Rome, mbas vrasjes se Cesarit, studionte ne Apolloni te Fierit. Perandori Adrian e beri edukimin e tij ne Nikopolis ( andej nga Prevesa). E cfare ngeli nga kontaktet me perfaqesimin e nje kulture kaq te zhvilluar? Absolutisht asgje. As edhe nje rrjesht i shkruar.
      Krahaso ketu lulezimin/ huazimin / zhvillimin e kultures sllave, njehere se hapuri “dyert” e kultures bizantine me ndihmen e Cirilit dhe Methodius, me ate te Arberise. Me sa duket, arberit nuk kishin nevoja te tilla. Jo se ishin te pa afte por nuk kishin nevoja praktike. Kultura arbereshe mbas 5-600 vjetesh nen Bizantin, ka elemente shume te pakte te transplantuara ne te. Nuk ngjan kerkund me ate dinamizem qe shohim tek sllavet, qe nga kultura, feja, zhvillimi i shkrimit, shtet-formimi, qyteterimi etj.
      Po ashtu ne periudhen Osmane, per mbi 120-130 vjet, kjo perandori pat ne krye pinjolle shqiptare. Por eshte e veshtire te perkufizosh nje byproduct te kesa simbioze, te kultures osmane me ate shqiptare, qe te kete mbizoteruar mbi shqiptaret.

      Duket se animizmi ka influence me te madhe se sa cdo lloj feje apo kulture nder shqiptare. Te gjitha te tjerat rrjedhin me pas.
      Kjo dukuri mund te jete nje mekanizem vetembrojtje dhe mbijetese.Si nje prodhim i evoluimit social.

      Diku kam lezuar qe “culture has a low coefficient of survival”.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin