ENCIKLOPEDIA BRITANIKE: NJË REFERENCË E FSHIRË

 nga Granit Zela

Në fund të gushtit të këtij viti, më erdhi një letër nga Zëvendës Presidenti i Enciklopedisë Britanike, zoti J.E. Luebering me titull “Një pyetje rreth mbulimit të letërsisë shqipe nga Enciklopedia Britannica”.

Zoti Luebering kërkonte ndjesë që shkruante kështu krej papritmas, por kishte hasur biografinë time profesionale në faqen e universitetit ku jap mësim, kështu që shpresonte që mund të më bënte një pyetje për letërsinë shqipe. Një lexues i kishte kontaktuar së fundmi për një pretendim të bërë në faqen e Enciklopedisë. Konkretisht, ky lexues argumentonte se kjo fjali – “Shembulli më i vjetër i të shkruarit në shqip është një dorëshkrim me gjatësinë e një libri, mbi teologjinë, filozofinë dhe historinë nga Teodor Shkodrani që daton në vitin 1210; ai u zbulua në fund të viteve 1990 në arkivat e Vatikanit”- është e pasaktë. Në vend të kësaj pretendojnë se shembulli i parë i njohur i shkrimit shqip daton në shekullin e 15-të.

Zoti Luebering pyeste nëse mund të hidhja dritë mbi këtë çështje apo ta drejtoja te dikush që mundej dhe se do të vlerësonte çdo kontribut mbi ndjeshmëritë kulturore dhe çështje të tjera me të cilat ai, si dikush që nuk ishte aspak ekspert i letërsisë shqipe apo historisë shqiptare, mund të përballej.

Pas kësaj letre komunikova me Akademikun Shaban Sinani. Në letrën që i dërgova i bashkëngjita përmbajtjen e letrës dhe sqarova se në dijeninë time Enciklopedia Britanike kërkon ndihmesën e një eksperti të fushës të një vendi për të përgatitur dhe botuar lëndë që lidhet me çështje letrare, kulturore, historike etj dhe në këtë rast këtë material të Enciklopedisë e kishte përgatitur studiuesi i ndjerë Peter R. Prifti. Në rastin kur një pohim/material pretendohet se duhet të saktësohet ata kontaktojnë dikë tjetër që mendojnë se është ekspert i fushës. Në këtë rast ai mund të jepte një ndihmesë të çmuar. Zoti Sinani pati mirësinë të më përgjigjej, duke më sqaruar se pështjellimi për librin më të hershëm shqip në vitet 2002-2003, ishte krijuar nga një studiues vullnetar, i zellshëm, por jo me studime te thelluara. Ai kishte shpallur me bujë se një dorëshkrim i Teodor Scodrenses, i vitit 1210, ishte zbuluar në Vatikan. Shumë studiuesve, duke përfshirë edhe atë, ai u ishte dukur i vërtetë. Por më vonë zoti Sinani kishte gjetur vetë në Hierarchia Catholica te Eubel-it që Teodor Shkodrani ka qenë një klerik i lartë i Patrikanës së Stambollit, që ka jetuar në shekullin e 18-të, dhe data e tekstit (nuk është libër, por një tekst i shkurter) ka në fund vitin 1710. Ai shtjellonte më tej se numrat arabike 7 dhe 2 në tipografitë e vjetra kanë ngjashmëri, por jo aq sa për të folur për një libër në dorëshkrim. “Mund të ketë dorëshkrime më të hershme në shqip, por libri me i hershëm i provuar është Meshari”, përmbyllte përgjigjen që pati mirësinë të më dërgonte zoti Sinani.

Në letërpërgjigjen drejtuar zotit Lueberg i përshkrova të gjitha fazat e kësaj historie, bërjen publike, ndarjen në dy grupe të studiuesve, marrjen si të mirëqenë të këtij dorëshkrimi nga kontribuuesi i Enciklopedisë Britanike, Peter R. Prifti, (1924 – 2010), një studiues i shquar shqiptaro-amerikan, anëtar i departamentit të gjuhës në Universitetin e Kalifornisë, San Diego, por ky dorëshkrim i hamendësuar nuk u bë publik kurrë, nuk u botua kurrë.

Më kryesorja, përfshiva letër-përgjigjen e Akademik Sinanit dhe adresën e shkrimit të zotit Ardian Vehbiu, Akademik i Asociuar, rezident në Nju Jork, “Një fabrikim i nevojshëm” ku shprehej shqetësimi që ky fabrikim ishte bërë pjesë e Enciklopedisë Britanike.

Natyrisht, rekomandoja që fragmenti për Teodor Shkodranin të hiqej (zbuluesi kishte përfituar nga pritshmëritë për një një traditë të shkrimit shqip të para Mesharit, duke pasur parasysh lashtësinë e gjuhës shqipe) ngaqë është i pasaktë dhe nuk përmbushte standardet e profesionalizmit të Enciklopedisë Britanike, si referencë për studiuesit në të gjithë botën.

“Besoj se ky korrigjim nuk ndryshon asgjë në kontributin e vyer që studiuesi i shquar amerikan me origjinë shqiptare Peter R. Prifti dha gjatë gjithë jetës së tij për botën akademike. Peter R Prifti iu përkushtua studimeve shqiptare në një përpjekje të vazhdueshme për të ndriçuar lexuesit për shoqërinë, politikën, historinë dhe kulturën e Shqipërisë”, e mbylla letër-përgjigjen.

Letërpërgjigja e zotit Lueberg:

Shumë faleminderit për shpjegimin tuaj gjithëpërfshirës. E vlerësoj shumë që keni dhënë background-in dhe kontekstin për këtë çështje, dhe fakti që keni kontaktuar edhe Shaban Sinanin është fantastike. Është diçka jashtëzakonisht e dobishme, dhe vlerësoj gjithashtu komentet tuaja fisnike për Peter Priftin. Kam patur disa komunikime me të para vdekjes, dhe ai ishte gjithmonë shumë bujar me kohën dhe entuziast për letërsinë dhe kulturën shqiptare. U pikëllova kur mësova se kishte ndërruar jetë. Dhe tani mund ta kuptoj më mirë pse ai e paraqiti këtë pretendim. Unë vërtetë që do ta heq këtë pohim nga artikulli ynë. Faleminderit shumë për kohën dhe hulumtimin tuaj! Faleminderit gjithashtu që na ndihmoni të përmirësojmë përmbajtjen tonë.

Po të shohim faqen e letërsisë shqipe në Enciklopedinë Britanike online, ajo është përditësuar më 8 shtator 2023 dhe fragmenti i mëparshëm është hequr. Nëse shikohet “Historia e artikullit” aty shënohet: Referencë e fshirë për një dorëshkrim të shekullit të 13-të në shqip, që supozohet se u zbulua në arkivat e Vatikanit në vitet 1990. Studiuesi që pretendoi se e kishte gjetur nuk e publikoi kurrë, dhe pretendimet e atij studiuesi sot nuk pranohen.

(c) 2023 Granit Zela. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

1 Koment

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin