FJALORËT JANË LISTA, JO LIBRA

Eda Derhemi pyeste dje në Facebook nëse fjalori i printuar (në trajtë libri) ka ndonjë të ardhme si vegël kulture dhe dijeje. Mendoj se jo. Sikurse mendoj se fjalori – ose një listë fjalësh të renditura alfabetikisht, në mënyrë që të gjenden lehtë – është një lloj libri tejet specifik, dhe një teknologji e ngathët, të cilën sot e zëvendëson fare lehtë një databazë dhe një motor kërkimi; dhe që nuk mund dhe as duhet parë si përfaqësues i fatit të librit në përgjithësi.

Kur mua më duhet të kërkoj në fjalor një fjalë, për shembull qepujkë, nuk ka pse ta bëj këtë tek i njëjti libër, ku gjendet, për shembull, edhe fjala hoshaf. Një libër ku gjenden të shpjeguara të dyja këto fjalë, së bashku me mijëra të tjera, nuk ka arsye të ekzistojë – sepse interesi ose nevoja për të konsultuar një fjalë zakonisht nuk ka lidhje me interesin dhe nevojën për të konsultuar një fjalë tjetër.

Një fjalor tradicional nuk është veçse një listë fjalësh e renditur me teknologjinë rudimentare të alfabetit – e cila synon të ndihmojë përdoruesin për ta gjetur shpejt atë që kërkon. Këtë teknologji sot e ka kapërcyer dhe, në fakt, zëvendësuar ajo e motorëve të kërkimit.

Kur janë të mirë, fjalorët e printuar janë edhe fizikisht të vështirë për t’u përdorur – të mëdhenj, kaba, peshojnë shumë; ose e kundërta, tekstin e kanë shumë të imët dhe të tillë që nuk lexohet dot. Si vegël, fjalori prej kohësh ka qenë në pritje të një teknologjie që t’ia lehtësonte punën – dhe që tani ka mbërritur. Modelet për ta hedhur një fjalor online tashmë janë kolauduar mirë dhe ata që i njohin dhe i përdorin, nuk kanë më nevojë për fjalorin e printuar.

Fjalori online ka edhe të mirën shtesë, që mund të përditësohet dora-dorës.

Këtë temë më ka qëlluar ta diskutoj, kur ka rënë fjala për Fjalorin e gjuhës shqipe, që po e përgatit Akademia e Shkencave. Kam thënë se ky fjalor, në qoftë se nuk hartohet për t’u hedhur online, thjesht do të zërë pluhur në rafte bibliotekash dhe në zyra institucionesh – dhe se është për të ardhur keq që një ndërmarrje si kjo, e financuar mirë, të mos vlejë edhe për të konsoliduar leksikografinë shqipe online.

Më herët, kam thënë edhe se, më shumë se një fjalor shpjegues, gjuhës shqipe dhe kulturës shqipe bashkëkohore i duhet një fjalor i madh anglisht-shqip online, ku shqipja të ballafaqohet me një gjuhë të madhe ndërkombëtare si anglishtja. Edhe këtë e kisha përfytyruar si kantier të hapur, me një seksion masiv kushtuar terminologjisë.

Sikurse kam thënë, prej vitesh, se fjalori i ri i shqipes, ai që do të zëvendësojë Fjalorin tashmë të vjetruar të 1980-ës, duhet të mbështetet në një databazë elektronike të teksteve shqip që janë botuar të paktën këto dekadat e fundit; edhe kjo teknologji, e përpunimit leksikor të një databaze tekstesh, është kolauduar prej kohësh dhe ofrohet deri edhe për përdorim individual, për pak kacidhe.

E sugjerova këtë, aq sa munda, kur diskutohej për fjalorin e tanishëm të Akademisë; kam frikë se nuk më dëgjoi kush dhe se kjo databazë ende nuk ekziston, ose të paktën nuk është përdorur për Fjalorin e ri (por mund të mos jem informuar mirë; gjithsesi, dyshoj fort se, edhe sikur të vendoset ky fjalor i ri online, kjo do të bëhet me përdoruesin në mendje). Di që në Kosovë – privatisht – po punohet prej vitesh në këtë drejtim kaq premtues dhe të frytshëm.

Brezi i ri, i mësuar që të komunikojë me rrugë elektronike, nuk do t’i prekë me dorë fjalorë të tillë, të cilët – për fat të keq – rrezikojnë të mbeten dëshmi e prapambetjes teknologjike të humaniteteve në Shqipëri.

Por kjo nuk ka të bëjë me fatin e librit të printuar; sepse libri, ta zëmë një roman ose një përmbledhje poetike, nuk është thjesht vegël, por edhe suport material i një fiksioni – që mund të jetë narrativ ose edhe thjesht diskursiv. Libri do të vazhdojë jetën njëlloj siç e vazhdojnë jetën edhe teknologji të tilla si ora mekanike, krahas asaj me kuarc, ose stilolapsi krahas tastierës, ose radioja krahas Internet Radio-s.

Që fjalori i printuar nuk ka të ardhme, kjo nuk më lidhet aq me atë që është libër, se me atë tjetrën, që nuk ka arsye të ekzistojë; siç e thashë më lart, gjysmë me shaka, nuk ka arsye që fjalë si qepujkë dhe hoshaf të jenë bashkë fizikisht. Mund ta kuptoj dhe e kuptoj që një gramatikë e shqipes të vazhdojë të botohet si libër; edhe atëherë kur do të përdoret për referencë – por fjalori nuk është veçse një kompromis i përdoruesit, me teknologjinë e listës shumë të gjatë, e cila vetëm tani ka gjetur mediumin e vet të natyrshëm – që është databaza elektronike.

Një ankim i njohur dhe i pranuar, për fjalorët, ka qenë se këta vjetrohen që pa dalë akoma nga shtypi; por platforma online lejon që kjo mangësi të mënjanohet lehtë – me kusht që fjalorin ta mirëmbajë një grusht ekspertësh, që të kujdeset edhe për përditësimin e tij të pandërprerë. Vetë struktura e një databaze të hapët dhe njëherazi të gatshme për t’u përdorur nga konsumatori individual e bën sot fjalorin online një domosdoshmëri; dhe aq më tepër kur ky ndërmerret si projekt akademik ambicioz.

Prej fjalorëve “akademikë” shpesh kërkohet që të shërbejnë edhe si parlament i krahinave leksikore të shqipes; në mos edhe si muze etnografik – dhe po të lexosh se ç’dëshirojnë dashamirësit, herët a vonë bindesh se mbizotëron tashmë përfytyrimi i leksikut si koleksion insektesh – ose fjalësh të kapura, mundësisht sa më të rralla dhe folklorike, dhe mundësisht të tilla që të konfirmojnë “sa e vjetër” është shqipja. Është për të ardhur keq, që institucionet të vazhdojnë t’u vënë veshin folklorizmave të tilla, në një epokë kur mbijetesa e shqipes, si instrument dhe suport i një kulture europiane moderne, rrezikohet përditë thjesht nga ballafaqimi me anglishten. Paradoksi këtu është se shqipja – që thonë se u mbijetoi armiqve të saj të shumtë në shekuj – tani po gjendet e papërgatitur ndaj sfidave të reja, për faj të entuziazmit patriotik të fanatikëve.

© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Imazhi në kopertinë krijuar me DreamStudio.

1 Koment

  1. Duke pare si faktor menyren e te mesuarit, fjaloret e shtypur kane te pakten dy avantazhe qe nuk i lexoj te permendura ne artikull. E para, kur kerkon per nje fjale ne nje fjalor fizik, fakti qe te duhet me shume kohe te gjesh fjalen ben qe fjala te mbetet me gjate ne kujtesen afatshkurter, duke i rritur mundesite qe te kaloje ne memorjen afatgjate te njeriut, pra jep konsolidim me te mire. E dyta eshte se gjate kerkimit, ti lexon “padashje” edhe fjale te tjera, te cilat mund te te ngjallin interes dhe te te bejne te lexosh edhe perkufizimet e tyre shpejt pa u thelluar. Pra patjeter qe teknologjia e ka zgjidhur problemin thelbesor te kerkimit te fjales, por e ka shkurtuar rrenjen e saj ne mendje.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin