ÇFARË ARRIN NJË LIBËR TË LEXOJË BRENDA NESH?

(Shënime leximi nga libri “Portrete pa kornizë” i Ajkuna Daklit)

nga Marsela Neni

Më ka pëlqyer gjithnjë të udhëtoj. Në pamundësi për ta bërë këtë, adoleshente më pëlqente të koleksionoja kartolina me pamje nga qytete të ndryshme të botës. Në një çast rebelimi në klasë, nxitur nga një debat me një profesor, shkruajta një pankartë të madhe duke përdorur të gjitha kartolinat që kisha. I preva dhe i ngjita ato në mur duke shkruar një thënie të Senekës nga “Letra Lucilit”:

“Unë nuk kam lindur për të jetuar në një qoshe tokësore, atdheu im është e gjithë bota”.

Sigurisht, unë në atë moshë të njomë s’e kisha të qartë as konceptin e atdheut dhe as konceptin e globalizmit, por kjo është tjetër çështje. Teksa lexoja librin më të ri me tregime të Ajkunës, vazhdimisht më dilte parasysh imazhi i atyre shkronjave të ngjitura në mur prerë nga kartolina shumëngjyrëshe ku pamje qytetesh të copëtuara gati me përdhunë ribashkoheshin në një mënyrë të re të çuditshme me njëra-tjetrën. Është interesante të mësosh se çfarë arrin një libër të lexojë brenda nesh.

Ndonjëherë, më tepër se përgjigjet, janë pyetjet ato që kanë rëndësi.

Ç’është atdheu? Ç’jemi ne? Ç’është jeta?…

Një mozaik ngjarjesh dhe personazhesh

Teksa lexoj, tregim pas tregimi bashkoj copëzat e një mozaiku gjigant përbërë prej pjesësh shumë të vogla, prej njerëzish: Ardin dhe mikun e tij; çiftin e ri të panjohur që me foshnjën në krah zbresin nga treni dhe nisen drejt anijeve për një jetë më të mirë; babain që pret në aeroport vajzën emigrante; gruan e vjetër në verandën me lule mbetur qyqe; portrete të zbehta njerëzish në epikë netësh pa drita, punonjëse të rrepta aeroportesh ndaj pashaportave të ikanakëve, portrete njerëzish rrënjëshkulur që ndihen të humbur kur vizitojnë të bijtë në vende të huaja dhe po kështu portrete të ngjashme ikanakesh si: dadoja filipinase; Saliha nga Algjeria; Sarah nga Portugalia; vajza me sytë e trishtë Yara nga Siria që është arratisur prej luftës, seminaristja ukrainase  e divorcuar; mësuesja nga Amerika latine e sistemuar me një të pasur; gruaja e vetmuar që varros qenin në kopësht; parukierja kineze etj. “Një mozaik kombësish dhe fatesh lënë pas dallgësh” – siç do të shprehej vetë autorja. (“Buzë liqenit”)

27 tregime, të strukturura në një organizim me tri cikle:

Cikli i parë, i titulluar “Rrugë të gjata” përmban 7 tregime. Kryesisht në to rrëfehen ngjarje që lidhen me njerëz e situata në Shqipëri në kapërcyell të regjimeve ose pas rënies së sistemit diktatorial. emigrimin, fillimet e vështira, dëshirën për t’u kthyer, diskriminimi e mospërfilljen, diplomat që s’pinë ujë, ironitë e fatit (“Mure të verdha”, “Një ditë e shkëlqyer për të ecur”).

Nga ana tjetër m’i kanë rrëmbushur sytë tregimet “Gruaja e vjetër në verandën me lule” dhe “Rrugë e gjatë” të shkruara me një sinqeritet dhe ndjeshmëri të rrallë që të trondit pa u përpjekur as edhe një fije të të trondisë. Na pasqyrohet në të parin portreti i gruas- zog krahëthyer me fat të vulosur që pranon pamundësinë për të fluturuar. Kjo grua e sëmurë nga vetmia, që thur e shfur me shtiza jo veç kohën e vet, por dhe të ardhmen e trishtë të atdheut me bijtë e vetë emigruar larg cepave të botës është një metonimi e trishtë e portretit pa kornizë edhe e së tashmes së atdheut.

Ndërsa në “Rrugë e gjatë” nuk di nëse mund të pikturohej me fjalë më bukur portreti i babait i cili rrëgjohet para syve tanë derisa vdes dhe e bija edhe pse niset me nxitim ta shohë e t’i flasë për të mbramen herë, nuk arrin dot ta gjejë gjallë, sepse male e oqeane i ndajnë. Kjo nuk është drama e një shqiptari, është drama e shqiptarit të lidhur ngushtë me rrënjët, familjen, “dy pëllëmbë vendin ku ka lënë më shumë se gjysmën e jetës”.

Cikli i dytë, “Portrete” përmban 11 tregime. Ky cikël hapet me një pyetje citat: “A e kupton trishtimin e gjeografisë?” Tregimi që i ka dhënë titullin librit, përfshihet në këtë cikël. Historia e piktores evropiano-lindore arratisur nga një vend komunist me një foshnje që i vdes në gji dhe simbolika e pikturave në kanavacë pa kornizë ndërtuar me copa portretesh të thyera i krijon lexuesit imazhin esencial të librit. Tregimet “Saliha” dhe “Sarah” veçanërisht të shkruara bukur. Janë këto portrete të ngjashmish, por jo të njëjtish, një kërkim i përhershëm për të njohur vetveten, e cila gjithashtu ndryshon në përshkimin e rrugëve të gjata, sepse rrugët më të gjata janë jo ato që na çojnë te tjetri, te i ndryshmi, por te vetja.

Cikli i tretë, “Mbi vetminë dhe çështje të tjera” përmban 9 tregime. Që me citatin e Kunderës në krye të herës, lexuesi  kupton që jeta është peshore që lëkundet herë andej e herë këtej “Nuk ka përsosje, vetëm jetë”. Duke na ftuar për ta marrë jetën më lehtë, se siç thonë italianët “E gjithë bota është një katund”. Ndaj dhe në këtë cikël me tregime, Ajkuna vjen më ndryshe në stil duke shtuar dozën e humorit dhe të ironisë Ndër tregimet e këtij cikli veçoj “Kapiten” dhe “Spanglish”. I pari ofron një shumësi leximesh. Elementi artistik i përqasjes së botës së papagajve brenda kafazit me botën e njerëzve ku sundojnë të njëjtat ligje, ligje ku më të fuqishmit sundojnë mbi të dobëtin; tema e bullizmit në shkollë; bota brenda hekurave që i përngjan asaj në totalitarizëm, retrospektiva dhe polifonia rrëfyese e bëjnë këtë tregim mjaft interesant në ndërtim dhe ngërthen plot domethënie.

Te “Spanglish” autorja përdor plot talent humorin për të transformuar një situatë tragjike dhe ia arrin më së miri. Vënia e buzës në gaz pas kaq rrugësh të gjata që përshkojnë këtë libër, ku nuk mungon grija, trishtimi, i ftohti, largësia është shenjues i një dashurie të madhe, të fshehtë, të pashpjeguar që qëndron nën shkrim dhe që, sipas meje, lidhet me individualitetin e krijueses.

Mbi individualitetin krijues të autores

E kam ndjekur me vëmendje krijimtarinë e Ajkunës dhe i kam lexuar dhe dy librat e saj të mëparshëm “Rrokje” dhe “Çizme lëkure në kohë lufte”. Në profilin e Ajkunës si rrëfimtare shquaj vëzhguesen e hollë, njeriun e ndjeshëm, dhe përshkruesen e përkorë e të matur që s’të zhgënjen në asnjë rast duke të mërzitur me tepri detajesh. Në personalitetin e saj krijues ndërthuret mprehtësia e njeriut kritik, psikologes zhbiruese që ka vesh për të dëgjuar dhe magjia e perceptimit poetik, e cila gjërat e vogla e të padukshme i bën të qarta, të kapshme, të dukshme, të rëndësishme.

Bukuria e tregimeve të Ajkunës qëndron dhe në frymën demokratike që i përshkon, dashurinë për njerëzit e thjeshtë dhe me vlera, që i mishëron në personazhet që e shoqërojnë në këtë rrugëtim tregimtar.

Aftësia e saj për të shndërruar në art edhe ngjarje banale prozadike të jetës së përditshme është e lavdërueshme.

Në tërësi narrativa e Ajkunës ka guxim të rrëfejë të vërtetën dhe të provokojë reflektim dhe përjetim. Mbase shumëçka që rrëfehet, lexuesi mund t’i ketë pasur të tijat, por ai thjesht nuk e ka ditur që këto mund të ishin ‘pasuria vetë’. E gjitha kjo zbulohet veç përmes leximit.

Sfida më e madhe për një shkrimtar është të tejkalojë vetveten dhe unë mendoj se Ajkuna vjen në rritje me këtë përmbledhje.

© 2024 Marsela Neni. Të gjitha të drejtat janë të autores.

Rreth Autorit

Marsela Neni (Haxhimusai): Lindur në Elbasan. Autore e vëllimit poetik "Nântë herë grue"; bashkautore e një sërë tekstesh shkollore të Gjuhës shqipe dhe të Letërsisë në AML; ish-lektore e lëndës së semiologjisë në UE. Aktualisht arsimtare dhe trajnuese kombëtare pranë "Filara Education".

Author Archive Page

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin