VEGLA PËR T’U PËRDORUR

Po flitet shumë, të paktën në Perëndim, për të ashtuquajturit “gjeneratorë të imazheve”, që nuk janë veçse inteligjencë artificiale e trajnuar që të krijojë imazhe gjithfarësh. Debatet që kam parë fokusohen në çështje të copyright-it dhe të plagjiaturës, por mendoj se ka shumë më tepër për të diskutuar dhe përfituar.

Nëse imazhet e krijuara me AI janë apo jo art, ky debat nuk ka gjasa që të gjejë zgjidhje; tek e fundit, siç e pat thënë një herë një i mençëm, “art is whatever you can get away with.” Nga ana tjetër, programet gjeneratorë të imazheve janë pa dyshim vegla, të cilat mund të vihen në punë për mirë dhe për keq; dhe nuk mund të gjykohen përtej synimeve të përdoruesve.

Sot gjen një numër të madh programesh të tilla, të cilat zakonisht lejojnë edhe përdorimin falas, shpesh me kufizime. Me përjashtim të MidJourney, që kërkon gjithnjë abonim (duke filluar nga 10 USD në muaj), programe të tjera si DALL.E 3 nëpërmjet Bing, Dream Studio, Bard-i i Google-it, Leonardo.Ai, Meta dhe të tjerë – deri edhe Microsoft Paint, app-i standard i Windows 11, tani vjen me një krijues imazhesh të vetin – ofrojnë mundësi të panumërta, për të eksploruar këtë lloj “sporti” (po e quaj kështu).

Për fëmijë do të rekomandoja veçanërisht Craiyon dhe BookBildr; kjo e dyta lejon edhe të krijosh një libër tëndin të ilustruar. Edhe Leonardo.ai ka një app (për Android) që i shndërron vizatimet e fëmijës në imazhe cilësore, teksa fëmija lëviz penën mbi ekran.

Edhe unë i kam përdorur këto vegla për të krijuar ilustrime të shkrimeve në Peizazhet; çfarë më çliron nga kokëçarjet e copyright-it të imazheve të gjetura poshtë e lart në Internet, përveçse edhe më zbavit shumë. Ashtu edhe po bindem, dora-dorës, që programe dhe app-e të tilla ofrojnë potencial të mrekullueshëm, për t’u përdorur në shkollë – dhe veçanërisht në lëndë si historia e letërsisë, historia, historia e artit, historia e arkitekturës, historia e feve dhe historia e kulturës, mitologjia klasike ose edhe në fusha më specifike, si fotografia ose kultura materiale ose merceologjia; pse jo, edhe inxhinieria e ndërtimit dhe optika.

Ashtu, nxënësit që studiojnë në klasë Udhëtimet e Guliverit dhe Lizën në Botën e Çudirave, mund të eksplorojnë fantazinë e tyre, duke u kërkuar programeve që të krijojnë figura përkatëse, në stile nga më të ndryshmit. Potencialin më të madh gjeneratorët e artit e kanë, pikërisht, në historinë e artit – sepse nuk ka mënyrë më të mirë, për nxënësit kureshtarë, që të mësojnë për artistët në shekuj, duke eksperimentuar me stilet dhe temat e tyre.

App-et krijuese të imazheve kërkojnë që përdoruesi, për të marrë atë që dëshiron, duhet të përgatitë një tekst përshkrues, të njohur si “prompt” – zakonisht në anglishte, por kam parë që, në varësi të vendit ku përdoret programi, edhe në gjuhë të tjera.

Për shembull, një prompt i thjeshtë do të ishte:

A peasant girl very simply dressed sitting on cobblestone in the sun and combing her long hair.

Programet ofrojnë vetvetiu mundësi variacionesh; por edhe përdoruesit mund t’i modifikojnë prompt-et dora-dorës, për të parë si mund të komunikojnë më mirë me programin. Te prompt-i më lart, unë nuk kisha specifikuar nëse flokët e vajzës ishin të verdhë apo të kuq apo gështenjë; të drejtë apo të dredhur, etj.; por mund ta bëja; siç mund të specifikoja llojin e dritës në imazh, apo nëse do të jetë paradite ose pasdite. Programi punon në mënyrë të tillë, që t’i plotësojë vetë të gjitha ato që ti ke lënë pa thënë; por edhe që t’i ndjekë udhëzimet e tua, me kusht që t’i kuptojë.

(Kjo nuk ndodh gjithnjë; një ditë kalova gati një orë, për ta bërë MidJourney të më vizatonte një korb, që kish një stilograf në vend të sqepit – por nuk arrita dot; më jepte vazhdimisht versione të korbit me një stilograf anash, por pa e “kuptuar” metaforën time. E megjithatë, edhe kufizimet e këtyre gjeneratorëve dhe gabimet e panumërta që bëjnë – sidomos në vizatimin e duarve dhe të gishtave – të mësojnë si të komunikosh me ta në mënyrë optimale. Edhe në imazhin e vajzës më lart, softueri “vendosi” ta shpërfillë kërkesën time, në prompt, për një vajzë që kreh flokët; flokët janë aty, por nuk është as krehri, as krehja. Nga katër imazhet që mora, si përgjigje standard, ndaj prompt-it tim, asnjë nuk e paraqiste krehjen. Mbase po të kisha ngulur këmbë dhe ta kisha riformuluar kërkesën, softueri më në fund do të bindej.)

Sot nxënësit e njohin mirë anglishten dhe nuk do ta kenë problem të hartojnë një prompt të kuptueshëm; por në çdo rast Google Translate mund të ndihmojë.

Kur po i shkruaja këto radhë, i kërkova DALL.E 3 që të më përftonte një pikturë të Gavroshit, nga “Të mjerët” e Victor Hugo-it, në stilin e Eugène Delacroix – më dha imazhe të këtij lloji. Në përgjithësi, personazhet dhe temat e letërsisë botërore janë të përfaqësuara mirë, por mësuesi duhet t’i udhëzojë fëmijët për stilin, në mënyrë që ta futin në prompt. Një shembull do të ishin ilustrimet e Gustave Doré për Komedinë hyjnore të Dantes, të cilat mund të shërbejnë si model edhe për vepra të tjera të ngjashme – për shembull, poemat homerike ose Eneidën, ose edhe tragjeditë klasike greke dhe pjesët teatrale të Shekspirit.

Kjo lloj veprimtarie është e ndryshme nga kërkimi i imazheve në Google ose në ndonjë motor tjetër, sepse synon variacionin dhe diskutimin rreth tij. Nëse 30 nxënës sjellin në klasë 30 imazhe të ndryshme të Guliverit ose të Pinocchio-s, mund të diskutohet si për personazhet vetë, ashtu edhe për mjetet shprehëse që janë përdorur.

Veçanërisht me dobi do të ishin eksplorime të tilla në lëmin e historisë së artit – ku fëmijët, nxënësit dhe studentët mund të ftohen të krijojnë sipas stilit të Picasso-s apo të Magritte-s, dhe ashtu të mësojnë edhe si t’i “lexojnë” veprat e artit modern.

Gjeneratorët e imazheve vlejnë edhe për gjëra praktike – si për të dizajnuar një kartolinë, një ftesë dasme a një kopertinë libri; ose edhe një vitrinë dyqani ose produkt të caktuar ose fletë menyje për një bar në plazh. Edhe vetë teknika e hartimit të “prompt”-it për këto lloj imazhesh do të ndihmonte, pavarësisht nga rezultati – sepse do ta lejonte nxënësin a studentin të njihej mirë me materialet që do të përdorte dhe vetitë e tyre (qelqi, druri, mermeri).

Mendoj se ka shumë mësues dhe pedagogë, që i lexojnë këto rreshta: do t’i ftoja t’i provonin app-et në fjalë, në versionet e tyre për PC por edhe në versionet Android dhe Apple.

© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhet te ky shkrim janë krijuar me AI (MidJourney dhe DALL.E 3).

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin