GODITËN PËRTEJ RUSHDIE-S

nga Natasha Shuteriqi

Goditën Salman Rushdie-n sepse guxoi të jetë i lirë për të mos besuar.

Unë besoj në fenë time. Shkoj të dielën në kishë; ngjyej vezët e Pashkëve dhe ndez dritat e pemës së Krishtlindjeve. Por kjo nuk më jep të drejtën të ngre dorën e as fjalën ndaj dikujt që zgjedh të mos besojë.

Ateistët ekzistojnë dhe rezistojnë, ndërkohë që bota trumbeton me të madhe të drejtën e besimit. Po e drejta e mosbesimit?

Ateistët janë komunitet që rritet e ekziston edhe në metropolet fetare të botës mbarë, nga Roma në Stamboll e në Teheran. Por ky realitet minimizohet, ironizohet e jo rrallë fshihet. Nëse politikën e shohim të përdorë besimin fetar për të manipuluar situatat në favor të synimeve të saj, jo në pak raste mediat bëjnë fajtorë këtë masë individësh të cilët zgjedhin të mendojnë me trurin e tyre. Dhe njerëzimi vijon të jetojë sikur asgjë të mos ketë ndodhur. Por në fakt edhe më besimtarët fanatikë (unë nuk bëj pjesë në ta) thellë brenda vetes e kuptojnë se ekzistenca e ateistëve është padyshim shumë më e vërtetuar se bollëku i hyjnive që na shërbejnë religjione të ndryshme. (Zot më fal!)

Nëse duam ta ulim refleksionin në terrenet tona shqiptare, shumëfetare, duhet të analizojmë gjakftohtë se e drejta për të besuar nuk mund të kthehet në revansh dhe të eklipsojë të drejtën për të mos besuar, sidomos në një fazë kaq kritike sa ç’është koha ku ne po jetojmë. Duhet ta shohim në vërtetën në sy: të rinjtë po zgjedhin të mos besojnë, po zgjedhin të jenë ndryshe, po zgjedhin të bashkëjetojnë me frikën e pohimit hapur “jam ateist”. Më duket sikur po bëj bashkë copëzat e një pazëllli: revanshi i besimtarëve (jo pak herë të paguar, madje mirëpaguar), naiviteti i besimtarëve paqësorë, shtrembërimi i politikës dhe minoriteti në rritje i ateistëve. Duken sikur nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin, por në fakt vetëm kur i bëjmë bashkë marrin kuptim. Është një strukturë sociale, e cila nëse nuk do të kishte në mes “drurin e shtrembër”- politikën, do të kishte vijuar marshimin drejt…nuk e di, unë si besimtare do të thoja “rrugës që ka parashkruar Zoti”; ndërkohë që një ateist do të zgjidhte të tjera definicione.

Do të parapëlqeja me këtë rast të nxisja një debat konstruktiv për gjithë shoqërinë, duke kërkuar të bind minoritetin ateist për fuqinë e tyre, kjo jo me synimin për të tronditur masën e besimtarëve (as e dëshiroj këtë gjë), por si mendimtare, për të kërkuar ecjen përpara të mendimit të lirë, nëpërmjet fuqisë që të jep liria shumëplanëshe. Në fakt kjo që po them ka të bëjë me procese kognitive dhe asociative. Janë iniciativa që realiteti shqiptar duhet t’i pranojë dhe t’i joshë, sepse tanimë është bërë imediate nevoja për të qartësuar pozitën tonë sociale. Nuk kam personalisht asnjë pretendim të shfaqur orientues, thjesht kërkoj që të pranoj, unë së pari dhe gjithë të tjerët se “të dalësh nga grigja” është proces po aq paqësor dhe i dëshirueshëm sa “të bësh pjesë në grigjë”. Duhet hequr dorë nga tutela e “grigjianëve” që po terrorizojnë jo pak mendimin e lirë sot në Shqipëri e Kosovë. Ky është fakt. Siç është fakt zëri që po më pëshpërit sot, ndërsa shkruaj këto radhë: “Po ty, ç’të duhet…”

Mua më duhet, siç të duhet edhe ty. Jetojmë në një vend që, në rënien e tij sociale dhe kulturore, mbetet gjithnjë e më shumë prapa në mbrojtjen e të drejtave, në rritjen e ndërgjegjes civile dhe në modernizimin e kulturës. Një situatë që, ndër të tjera, vihet në pah pikërisht duke parë situatën e ateistëve dhe agnostikëve. Gjendja e tyre bëhet një lakmus për të kuptuar më mirë dekadencën shqiptare. Dhe kur them “shqiptare”, i kam hapur kufijtë.

Nëse drejt religjioneve, sot vrapojnë kryesisht masa të rinjsh me një nivel mesatar shkollimi, drejt ateizmit po nxitojnë të shkolluarit dhe individët me të ardhura të kënaqshme. Ata karakterizohen nga hapja dhe toleranca më e madhe ndaj diversitetit. Krenarë për autonominë e tyre, ata janë rezistentë ndaj statusit si pjesë e një grupi – gjë që mund të përfaqësojë dobësi përballë forcave të tjera më kompakte – dhe priren të zhvillojnë etikën e tyre në mënyrë autonome. Janë më pak se besimtarët (të paktën se ata që e përkufizojnë veten si besimtarë), por më shumë se pakicat e ndryshme fetare së bashku. Pavarësisht kësaj, ata duhet të vuajnë diskriminimin; kërkesat e tyre nuk pranohen nga bota e politikës dhe nuk përfillen nga mediat.

Për arsye mbijetese, Kosovës i është dashur ta shohë fenë si mjet identitar, ndërkohë që në një prerje diakronike të historisë, Shqipëria ka njohur bashkëjetesë mes feve dhe ateistëve. Sot situata është përkeqësuar. Politika i ka qasur institucionet fetare në sallonet e veta. Ka ndërtuar një sistem kurrikular shkollor, i cili nuk favorizon zhvillimin e inteligjencës së individit. Ky manifest ka formatuar masa individësh që deklarohen besimtarë, edhe pse sjelljet e tyre individuale përkojnë pak ose aspak me rregullat religjioze.  Sot në Shqipëri kjo përballje besimtar/ateist po merr nuancat e luftës. Institucionet fetare po ndërtojnë strategji të cilat në thelb kanë demonizimin e ateistëve.  Sulme që çmenden edhe në Internet, por që në fakt kanë rrënjë të lashta. Midis etiketimeve ndeshim edhe atë të të qenit shërbëtorët e Satanait/Dreqit/Djallit. Po rritet një klimë e rëndë, e cila gjen hapësirë në bazë (një sociolog mund ta detajonte këtë term) e aq më shumë në institucione serioze fetare.

Por në këtë aleancë të politikës, institucioneve fetare dhe medias, masa e ateistëve po diskriminohet.

Dua të sqaroj që mendimi im ka natyrë pragmatike, jo-opozitare e aq më pak fyese.  Por nuk mund të hesht kur shoh mediat që nuk bëjnë gjë tjetër veçse mbështesin mbizotërimin e religjionit, duke marrë mëkatin e bashkëfajtorit në sistemin që po ndërtohet në vendin tonë. Në këtë situatë ateistët po jetojnë lirinë e tyre fiktive, të dhunuar nga e drejta e besimit të të tjerëve, e cila ka pushtuar çdo qelizë të jetës sonë shqiptareske.

Kjo situatë ma bën të paqetë ekzistencën time si besimtare.

(c) 2022 Natasha Shuteriqi. Të gjitha të drejtat janë të autores.

 

Rreth Autorit

Natasha POROCANI (SHUTERIQI) Diplomuar në gjuhë shqipe dhe letërsi. Doktoruar në fushën e gjuhësisë së aplikuar, autore e një numri të konsiderueshëm tekstesh shkollore në Shqipëri e diasporë.

Author Archive Page

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin