ARSYEJA TRETET, HUQI MBETET

shkrimin e mëparshëm, kushtuar edhe pikëpamjeve dhe opinioneve sipërfaqësore të gjuhëtarit të madh frëng Antoine Meillet për shqipen dhe shqiptarët, u përpoqa të tregoj si edhe mendje e ndritur, si kjo e Meillet-së, nuk i shpëton dot korrupsionit intelektual, teksa arrin të prodhojë dy vizione në thelb të kundërta, edhe moralisht të kundërta, për dy popuj të vegjël si armenët dhe shqiptarët, të cilët kanë pasur fate të ngjashme gjatë këtyre dymijë vjetëve të fundit, në përballje me fuqi të mëdha, perandori dhe orekse kolonizuese. Në fakt Meillet-ja, për arsye të cilave nuk do t’u kthehemi këtu, simpatizon haptazi me armenët dhe kauzën e tyre (dhe mirë bën), në një kohë që mezi e përmban përçmimin për shqiptarët (këtu nuk bën mirë), të cilëve u kundërshton deri edhe të drejtën për të qenë komb i mëvetësishëm dhe për të pasur shtetin e tyre të pavarur.

Edhe pse kryesisht i shekullit XX, Meillet-ja mbetet produkt ideologjik i shekullit XIX dhe i damarit romantiko-racist të dijes historike-gjuhësore të këtij të fundit, përfshi edhe indoeuropianizmin, si doktrinë madje paradigmë që u formulua dhe u lëvrua në atmosferë intelektuale të sunduar nga ideja për epërsinë e gjithanshme të racës “indo-ariane”, kundrejt racave të tjera dhe të gjuhëve indoeuropiane ndaj gjuhëve të tjera. Mbeturinat e fundit të këtij racizmi, tashmë të shndërruara në barcaleta, i ndesh akoma në turbo-albanologjinë e ditëve të sotme dhe lulëzimin e saj në vetëdijen kolektive të shqiptarëve.

Pjesë e këtij gjakimi janë edhe përpjekjet për të identifikuar dhe glorifikuar arritjet e individëve të ndryshëm me “origjinë” shqiptare (me “gjak” shqiptar), në shtete dhe kultura të tjera, në lindje ose në perëndim, nga Mehmet Aliu te Karl Gega, nga Dora d’Istria te Ferid Murati. Mediat shqip sot e kësaj dite ende entuziazmohen kur ndonjë nxënës i diasporës shqiptare përtej detit fiton ndonjë medalje ari në shkollë ose edhe ndonjë bursë në një universitet të lakmuar. Kur i lëvdohet emri ndonjë shqiptari të larguar gjëkundi, politikanët nguten t’i ftojnë në Shqipëri dhe t’i mbulojnë me dekorata dhe t’u varin në qafë gjithfarë çelësash. Veprat e tyre – nëse i kanë – bëhen pjesë e programeve mësimore. Edhe pse naiv dhe dashamirës, ky lloj ngazëllimi ka rrënjë dyfish raciste – sepse lidhet me një përforcim të bindjes për “epërsinë” (përndryshe të mohuar madje të persekutuar) të racës shqiptare, dhe sepse bie ndesh me bindjen tjetër (të ndrydhur në pavetëdije), atë të inferioritetit të shqiptarëve karshi Europës ose ndonjë entiteti tjetër të fuqishëm. Te thënia “o sa mirë me qenë shqiptar” ka gjithnjë një notë të fortë polemizuese.

Sot e kësaj dite gjen njerëz, përndryshe të ditur dhe qëllim-mirë, që rrinë e numërojnë vezirët me origjinë shqiptare në Perandorinë Osmane dhe mercenarët shqiptarë a arbërorë, që kanë shërbyer te ky apo ai princ i huaj – me idenë për të provuar diçka që e përmbledh më së miri shprehja se “edhe ne” kemi dhënë. Por kjo shprehje dhe njëherazi shpresë parakupton një bindje, sado të pavetëdijshme, se “ne jemi racë e prapambetur”, e kështu me radhë; e parakupton, qoftë edhe sikur thjesht për ta kundërshtuar. Të thuash se ato qarqe të mykura dhe fashiste, që ende zgjedhin të na përçmojnë si komb, do të binden për të kundërtën, kur të marrin vesh për vezirët (!). E vërteta duhet të jetë ndryshe – fakti që shqiptarët, si kulturë, (ende) nuk i kanë dhënë shumë botës lidhet me kontingjencat historike që i kanë penguar, jo me ndonjë mangësi të tyre gjenetike (kongjenitale).

Por siç e thashë, në kohën e Meillet-së kriteri i origjinës, energjisë dhe shkëlqimit të racës zinte kryet e vendit, çfarë e bën atë autor të përdorë si argument në favor të çështjes armene faktin që armenët shquhen anembanë botës, si në Tbilisi ashtu edhe në Baku, madje edhe në Konstandinopojë, ku konkurrojnë me grekët. “Aktivitetin e imigrantëve armenë mund ta gjykosh, vazhdon ai, me atë që ata i kanë dhënë Bizantit perandorë dhe se veziri më i madh që ka pasur Egjipti në shekullin XIX, Nubar Pashai, ka qenë armen.” Po të heqësh fjalën “armen” këtu dhe ta zëvendësosh me “shqiptar”, nuk ka nevojë ta ndryshosh më tutje fjalinë – këto themi edhe ne, për shqiptarët në histori, që nga perandorët bizantinë deri te pashallarët që qeverisnin perandorinë osmane.

Që këto kuriozitete historike përfaqësojnë, për Meillet-në, dëshmi të “vitalitetit të fuqishëm” të armenëve, kjo më shumë tregon se ai gjuhëtar ishte bir i epokës së vet; dhe njëlloj racist sa edhe shumë studiues të tjerë të këtyre fushave, në atë kohë (ky është i njëjti racizëm që solli në fuqi nazistët në Gjermani dhe përftoi Hitlerin, por për këtë nuk ia lë dot fajin romantizmit dhe gjuhësisë krahasuese). Absurditeti i argumentit ka të bëjë me diçka tjetër – dhe pikërisht me atë që gjuhëtari frëng nuk i ka bërë mirë detyrat e shtëpisë dhe nuk e ka mësuar që edhe shqiptarët janë shquar, njëlloj si armenët, duke u dhënë prijës, gjeneralë dhe administratorë fuqive të mëdha (i Egjiptit nuk ka qenë vetëm Nubar Pashai “armen”, por edhe Mehmet Aliu “shqiptar”; madje Nubar Pashai e ka filluar karrierën si sekretar i dytë i Mehmet Aliut). Në fakt, brenda shtetesh multi-etnike, vërehet një lloj prirjeje historike në individë me prejardhje nga nga pakicat, që të depërtojnë dhe të ngjiten në majë të hierarkive të ndryshme (ushtri, banka, profesione të lira), mu për shkak të statusit të tyre të posaçëm – siç e tregon historia jo vetëm e armenëve, grekëve dhe shqiptarëve, por edhe e hebrenjve brenda Perandorisë Osmane. Kjo është diçka normale, për mënyrën si funksionojnë perandoritë – dhe nuk do të kuptohet vetëm prej atyre që kultivojnë një pikëpamje etnocentrike për historinë.

Përndryshe, argumente si ky i Nubar Pashait, kanë shërbyer – në kohën e Meillet-së dhe për disa sot e kësaj dite – për të provuar se armenët nuk paskan qenë fare pa vlerë si racë (vini re presupozimin), sa kohë që i kanë nxjerrë ca prijës e pashallarë; në një kontekst kur vlera e një race, e një populli ose e një kulture varej nga numri i njerëzve të shquar që kish nxjerrë dhe – në rastin e popujve të vegjël dhe pa agjenci të tyren – numri i njerëzve të shquar që kishin arritur të vinin në shërbim të fuqive të mëdha (koloniale) dhe kulturave përkatëse. Këtë argument e dëgjon rëndom edhe sot, edhe pse atyre që e sjellin do t’u vinte turp nga origjina e tij raciste, dhe presupozimi se suksesi i një populli, i një etnie, i një kulture varet nga gjenetika.

Ironia tjetër këtu është se shumë shqiptarë kanë zgjedhur të shpërfillin faktin historik se shqiptarët janë përçmuar, me shekuj, dhe natyrisht pa të drejtë, si racë inferiore, si njerëz të pagdhendur (edhe vetë Meillet-ja ashtu i quan), dhe kanë përqafuar tani mitologji të çuditshme, për “racën” e tyre si më të hershmen dhe gjuhën e tyre si “mëmë” të gjuhëve të botës – duke shembëllzuar një mekanizëm psikologjik tipik, që e shndërron inferioritetin në megalomani, pa e prekur mekanizmin bazë të hierarkive racore. Edhe pse indoeuropianistika tanimë e ka lënë pas obsesionin për klasifikime tipologjike të gjuhëve (gjuhët flektive janë superiore, ndërsa ato aglutinative inferiore) a të popujve, disa vese të mendimit është vështirë t’i shkulësh nga skuta si këto tonat, ku kanë gjetur strehë dhe vazhdojnë të ushqehen me inferioritet.

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

1 Koment

  1. Qendron, po me thjesht inferioriteti hiqet me statistika te origjines se popujve te ndryshem perendimore, sepse kur edhe kjo mase e madhe me origjine afro-aziatike dhe eurolindore mund te behet perendimore, atehere s’ka ndonje gje te vecante te jesh apo behesh perendimor.
    Pra mania e te qenit perendimor eshte e paperligjur, keshtu qe ngjyresa metaforike ne fjalen mani zbehet per t’ia lene vendin kuptimit etimologjik.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin