SI SHPËTOI SHËN NAUMI

Lexoja këto ditë, në një artikull të Aleksandër Çipës në Shqip (Lojë me historinë në fundin politik), se ish-kryeministri maqedonas Gjeorgjievski qenka shprehur se Shën Naumi është një truall që i është grabitur Shqipërisë.

Bukur. Ma merr mendja se të gjithë ata bashkatdhetarë të mi që nuk i zë gjumi natën për atë padrejtësi historike kanë lëshuar një psherëtimë lehtësimi: e drejta mënon, por nuk harron.

Nuk po hyj në hollësitë e dhënies së Shën Naumit jugosllavëve nga Zogu – edhe pse këto hollësi gjenden lehtë dhe janë të natyrës diplomatike.

Dua vetëm të them se ai akt disi brutal, i asaj kohe, në të vërtetë ia ruajti Shën Naumit vlerat kulturore dhe ndoshta edhe domethënien fetare.

Sot Çipa kish një artikull të ri në Shqip (Krimet kulturore në parashoqërinë tonë), ku me të drejtë indinjohej për zhdukjen e turpshme të veprave të Mios nga Galeria e Artit në Korçë, dhe pastaj shtonte:

Krimi kulturor në Shqipëri e ka historinë më të madhe se vetë historia e kësaj kulture.

Shembujt vijnë të panumërt: dëmtimet e rënda të shtëpive në Gjirokastër dhe në Berat, të kishave të vjetra ortodokse në Berat dhe në Voskopojë, të pasurive arkeologjike të Durrësit; përdhosjet e monumenteve që nuk i shkatërrojmë dot, si kështjellat anembanë Shqipërisë, si këmbët e urave shekullore, që i hedhim në erë për të gjetur thesaret e groposura aty prej të parëve iliro-pellazgë…

Një libër i vyer i Machiel Kiel, Arkitektura osmane në Shqipëri (1385-1912), botuar në shqip tani vonë (IRCICA, 2012), është i mbushur me dëshmi pa fund monumentesh kulturore, në trajtë fotosh melankolike bardhezi, të cilave sot nuk u gjenden as gërmadhat.

Zakonisht për këtë katrahurë bëjmë me faj 1967-ën; por edhe 1967-a shqiptare nuk ishte kopjuar e tëra prej revolucionit kulturor kinez. Vetëm se, ndryshe nga mania tradicionale shqiptare për t’ua shitur të tjerëve gjithçka kulturore, sublime, në atë periudhë zelli kaotik ne u mjaftuam vetëm të rrafshojmë, të shqepim me sqepar, të provojmë efikasitetin e instrumentit tonë kombëtar: kazmës.

Dikur, në vitet 1983-1984, më pati qëlluar të kaloj disa herë në rrugën Gjirokastër-Sarandë; dhe gjithnjë më tërhiqte vëmendjen kisha e Mesopotamit (e Manastirit të Shën Kollit), në mes të një pllaje të heshtur – anije ndëryjore e ulur urgjentisht pas një avarie dhe e ngecur pastaj në rrjedhë të kohës.

Në një nga këto udhëtime, iu luta shoferit të ndalonte, dhe së bashku me një koleg u kuturisëm arave, për ta parë kishën nga afër.

E dija, pse e kisha lexuar diku, që kjo kishë ishte një dëshmi e rrallë e stilit romanik në arkitekturën e kishave ortodokse në Ballkan; atëherë ky virtyt s’më thoshte asgjë, por tani ia kuptoj vlerën.

Mbaj mend që pranë kishës ngrihej një mur, i lartë dhe i gjymtë, gjithë ç’mbetej nga fortifikimet e manastirit përbri. Vetë kisha ishte disi e shogët në pamjen nga jashtë, me përjashtim të ca bareliefeve “jo-ortodokse”, që ia stolisnin muret.

U afrova te porta e mbyllur me dryn të rëndë e të ndryshkur, hodha një sy brenda, mes të çarave të shumta nga ku depërtonte dielli mesdhetar i pasdites. Narteksi i kishës ishte katandisur në magazinë për vegla bujqësore: kazma, lopata, karroca dore.

Bash në ato vite kam vizituar, në skajin tjetër të vendit, shtëpinë muze të Luigj Gurakuqit, në Shkodër – një nga të paktat simbole të shkëlqyera të jetës qytetare të Shqipërisë së harrueme.

Kam dëgjuar se tashmë është rrënuar edhe ajo, kushedi për t’ia lënë vendin ndonjë pike bastesh ose ndonjë floktoreje.

intervistën që ia dha Gazetës Shqiptare këto ditë, edhe Maks Velo përmend që e vetmja dëshmi që ka mbetur sot nga afresket e kishës së Vaut të Dejës “para se të shembej”, janë kopjet që ua ka bërë një bizantologe ruse, Viktori Puzanova. “Para se të shembej” thotë Veloja për kishën, por në fakt atë e hodhën shqiptarët në erë, me dinamit, në 1967.

Jo osmanët, as mongolët; jo sllavët dhe avarët; jo shkjau dhe greku – por shqiptarët.

Hiqemi me të madhe si kulturë e obsesionuar me historinë, por në të vërtetë nuk dimë ç’të bëjmë me dëshmitë historike; në rastin më të mirë, i shesim, në rastin më të keq, i shkatërrojmë, për të ngritur mbi to mejhane, vendparkime dhe “muze.”

Çfarë quajmë ne histori, dhe i kushtojmë adhurim e vëmendje, është në fakt një formë feje rudimentare, që i vjen turp nga vetja; ose një lloj adhurimi gjenealogjik, si ujitje rituale e pemës së familjes.

Veprën e Vangjush Mios, një nga fare të paktët artistë shqiptarë të periudhës që i parapriu artit totalitar militant, gjithnjë do të ketë shqiptarë që do ta nderojnë dhe do ta shijojnë. Plaga jonë e madhe shoqërore, është se këta njerëz të paktë, të izoluar dhe të përqeshur, nuk do të kenë kurrë, asnjë shans, përballë materializmit dhe vrazhdësisë së institucioneve tona.

Prandaj, të rrimë shtrembër e të flasim drejt, Zogu e shpëtoi Shën Naumin, kur ua dhuroi të tjerëve – ose atyre që ditën të kujdesen për të e ta ruajnë prej xhahilëve; dhe mbreti i shqiptarëve e meriton një përmendore, në oborr të manastirit.

Përndryshe, një përkufizim i mundshëm i termit dëshmi kulturore në shqipe do të ishte: gjithçka që e kemi pasur, por që nuk e kemi më.

Rroftë 100-vjetori i shpalljes së Pavarësisë!

Nuk ka komente

  1. Ka shkaterrim dhe mohim edhe ne artikullin tend. Ne duhet te ruajme c’do gje shqipetare pamvaresisht nga koha qe i perkiste ose i perket, e buykur e shemtuar e vjeter moderne, c’do gje qe eshte ndertuar ose krijuar ne kohen e turqve, ne kohen e italianeve, totalitarizmit, ne kohen e Sales etj. Kur marrim vendim te bejme nje diferencim se kush eshte me e mire ose me me vlere, kalojme ne anen tjeter dhe vrasim dicka. Cdukim dicka. Ne duhet te pranojme gjithshka dhe te mundohemi ta kuptojme. Problemi nuk eshte ne vlerat e vepra te krijuara eshte ne perzgjedhjen tone

  2. ”’Prandaj, të rrimë shtrembër e të flasim drejt, Zogu e shpëtoi Shën Naumin, kur ua dhuroi të tjerëve – ose atyre që ditën të kujdesen për të e ta ruajnë prej xhahilëve;”’

    Them se po te rrime kaq shtrember na thyhet kerbishtja. Po te jete mirembajtja e ndertesave parim per caktimin e kufijve, atehere s’duhet te kishte fare shtet shqiptar.

    Obsesioni me ndertesat mund te kthehet lehte ne kunderprrodhues dhe kam ndermend me kete qendrat historike te qyteteve europiane, qe jane jashte kohe, aspak funksionale dhe duhen shkaterruar me themeli qe t’u kthejne qyteteve funksionalitetin, te pakten per aq kohe sa qendrat historike jane edhe qendrat gjeografike te qyteteve.

    Nga nje epoke mjaftojne disa ndertesa si deshmi historike, jo lagje te tera, ura pas urash, kisha pas kishash e xhami pas xhamish.

    T’i mbash ndertesat derisa te shemben vete, pastaj t’i riparosh qe te duken si me pare, eshte si puna e operacioneve plastike dhe Majkell Xheksonit.

    Keta riparuan edhe qytete te tere pas L2B, keshtu shesin ndertesa te reja te cilave shpesh u kishin ngelur vetem themelet, si 3-4 shekullore.

    Po te duam te flasim drejt, duhet te themi qe nje territor i cili i takon kombit, çfaredo qofte, kishe, ure, shurrtore, uje me ca peshq brenda etj, nuk mund te dale ne tregun nderkombetar si me qene prone private e kryeministrit,presidentit a mbretit te radhes.

  3. [S]i kështjellat anembanë Shqipërisë, si këmbët e urave shekullore, që i hedhim në erë për të gjetur thesaret e groposura aty prej të parëve iliro-pellazgë…

    Kjo sëmundja e etheve të floririt është përhapur më keq se në epokën e Klondike-ut dhe shteti në vend t’i frenojë këta piratë, i pajis me letra e leje gërmimi. Këta piratë pasi vodhën e rropën kishat e manastiret, muzeumet e qendrat kulturore kanë filluar tani me gërmime varresh, oboresh kishash, gërmime dhe rrënime urash, kështjellash etj. Pajisen me këkues metalesh elektronikë, harta, gps, kazma e lopata, dinamit e tritol, madje për një person më treguan se ish pajisur me një scanner nga ata të arkeologjikut që kushton disa mijëra euro dhe që të tregon pamje në 3d të nëntokës!

    Dikush tjetër më ishte afruar e më lutej, meqë dinte se diçka marr vesh nga historia, t’i gjeja ndonjë informacion mbi bandat e komitëve që vepronin andej nga zona se ata kishin thesare që i varrosnin nëpër shpella!

    Shteti siç thashë i pajis me leje gërmimi me kusht që një sasi nga gjetjet do përfundojnë në arkën e shtetit (po deshët qeshni këtu). Sasia varej nga një diskutues në tjetrin. Njeri thoshte 20% dhe besonte se ishte me leverdi, disa të tjerë thoshnin 50% e nuk leverdiste. Edhe prejardhja e floririt është e debatueshme. Autoktonët kërkojnë floririn epirot, aventurierët floririn që kishte mbledhur ushtria italiane apo greke, romantikët floririn e Ali pashës, materialistët floririn e karvaneve të përmbysura tregtare, fetarët floririn e kishave dhe të teqeve, nostalgjikët qypet e gjyshëve etj.

  4. si shen naumi besoj se shpetuan edhe armet e skenderbeut, te cilat i kerkon me kaq pasion qeveria per qindvjetorin e shtetit. perndryshe do kishin perfunduar per skrap andej nga mali i zi si armet e muzeut te gjirokastres.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: