KOMB I RINUAR

Disa zhvillime të opinionit dhe të emocionit kolektiv këto ditë në mediat dhe në rrjetet sociale, edhe në kontekstin e fitores së përfaqësueses së futbollit të Shqipërisë ndaj Polonisë, tërheqin vëmendjen.

Më qëlloi të isha përfshirë në një diskutim rreth një harte të peshkuar diku në rrjet, dhe që paraqiste – për mua me gabime të rënda – shpërndarjen e etnisë shqiptare në Ballkanin e vitit 1900; këto harta shfaqen herë pas here dhe, si rregull, përdoren për të ilustruar padrejtësitë që u janë bërë shqiptarëve në shekujt XIX-XX dhe, ndonjëherë, edhe për të provuar autoktoninë ose, anasjelltas, për të propozuar ëndrra dhe projekte të Shqipërisë së Bashkuar. Ndërkohë, ia behu një hartë tjetër, e cila paraqiste – mbi të njëjtën bazë gjeografike – prejardhjen e lojtarëve të kombëtares sonë të futbollit, që dukej se vinin nga të gjitha trojet e banuara nga shqiptarë. Përfytyrova një hartë ku të tregoheshin edhe qytetet e ekipeve ku luajnë këta lojtarë sot, anembanë botës, jo për gjë tjetër, por për ta kontrastuar lokalizmin e hartës së prejardhjeve (dhe komenteve që rregullisht e degradojnë këtë lokalizëm në krahinizëm) dhe globalizmit që shpreh harta tjetër, ajo e ekipeve. Mbase ky kontrast do të ndihmonte për të hapur një diskutim tjetër, për perspektivat e kombëtarizmit, qoftë edhe atij folk (në rastin tonë, futbollistik) në epokën e globalizmit të pafre, kur qëllon edhe që të dalin nga shishja ca arabë të pasur dhe blejnë, brenda natës, elitën futbollistike të Europës (ose, alternativisht, portin më të madh të Shqipërisë). Fenomeni tradicional i krijimit të përkohshëm të skuadrave “përfaqësuese” të shteteve detyrimisht (edhe pse simbolikisht) i kundërvihet globalizimit dhe u intereson, në një mënyrë ose në një tjetër, atyre forcave që e gjykojnë globalizimin negativisht. Megjithatë, në rastin e Shqipërisë dhe shteteve të ngjashme, përfaqësuesja e futbollit është njëherazi edhe revoltë ndaj globalizimit, edhe produkt i këtij të fundit, sa kohë që shumë lojtarë (nuk i kam llogaritur tamam) luajnë gjetiu, anembanë botës.

Mendova pastaj se ky kontrast, i krahinizmit me globalizmin, ka për efekt anësor destabilizimin e qendrës – në rastin tonë, të shtetit “amë”, në rolin e vet të imagjinuar, por edhe në vetvete. Si me porosi, para pak ditësh, Rron Gjinovci shkruante, te një status në Facebook, se

Kosova ka fillu me u shndërru në shtetin amë të shqiptarëve, rol që mendohej se i takonte Shqipnisë. Pse? Sepse shqiptarët, sidomos ata që nuk banojnë në Shqipni po e ndjejnë se shtet ma i suksesshëm me shumicë etnike shqiptare është Kosova. Vend ma demokratik, ma i lirë, ma i pakorruptum, me perspektivë të mirë për të ardhmen, ndërkaq Shqipnia e korruptume në palcë, e udhëhequn prej mafiave të ndryshme, me klasë politike të stërkequn, nuk duket se i ka gjasat e mira me shërby si shteti amë që kujdeset për shqiptarët në Ballkan.

Edhe pse një statusi nuk i duhet dhënë më shumë peshë se ç’mund të ketë realisht, këtë – që Kosova po shndërrohet në qendrën e shqiptarisë – e dëgjon relativisht shpesh; dhe kjo brenda një diskursi “patriotik” që synon të gjejë të mirëfilltën, gjenuinen, të vërtetën, prapa së rremes, maskës dhe mashtrimit; tek e fundit, edhe te citati më lart, e vërteta kombëtare e Kosovës (por me flamur kuqezi) i kundërvihet korrupsionit palcor të Shqipërisë, me një kryeministër që rregullisht akuzohet – mbase nga të njëjtat qarqe – jo thjesht si i shitur ndaj mafies, por edhe i shitur tek armiqtë e kombit tonë, dhe pikërisht te serbët, që për shumë kosovarë përfaqësojnë armikun ekzistencial. Kjo shkon deri atje sa në diskutimin folklorik se cilët janë shqiptarët e vërtetë, kandari anon gjithnjë e më shpesh nga kosovarët, dhe kjo pavarësisht nga ajo nëse këtë diskutim e bëjnë vetë kosovarët ose jo.

E megjithatë, statusi i Gjinovcit, së bashku me hartat historike dhe etnike, i përkasin gjithnjë një vizioni territorial të kombit, me shtrirje hapësinore, siç e kërkon edhe parimi sakral i verifikimit të autoktonisë – tani së fundi i fuqizuar edhe nga gjetje të reja arkeologjike, si ajo e vendbanimit të lashtë të palafiteve në Lin të Pogradecit, ose ajo tjetra, të pllakës me mbishkrimin Dardania; në një kohë kur demografia shqiptare, aktivizimi politik dhe ideologjik i diasporës (diasporave) dhe de-territorializimi i mediave e kanë futur në krizë kombëtarizmin e themeluar thjesht në gjeografi të përbashkët. Sot diskursi kombëtarist përpunohet, në radhë të parë, nga media si televizioni (Marin Mema, sa për të sjellë një shembull), portalet online, forumet virtuale dhe rrjetet sociale, të cilat artikulohen të gjitha online, madje duke qenë vendndodhja gjeografike dhe prejardhja krahinore e zërave (pjesëmarrësve) indiferente ndaj çfarë diskutohet.

Komunitetet që krijohen dhe riprodhohen online, sidomos kur organizohen rreth temave me natyrë “kombëtare”, i bjerrin lidhjet veçanërisht me territoret e shteteve përkatëse; për to harta e Shqipërisë, por edhe ajo e Kosovës, shërbejnë më shumë si përkujtesa për gjeopolitikën e fuqive të mëdha dhe padrejtësitë që u janë bërë – dhe që vazhdojnë t’u bëhen – shqiptarëve. Veçanërisht silueta e hartës së Shqipërisë, e njëjta që urbanistika sot në Tiranë e kremton duke e vendosur në fasadën e një kulle nga më të spikaturat e qendrës (Downtown One), po shihet gjithnjë e më shpesh si një imponim, si një “kurth territorial” (territorial trap, për ta thënë me John Agnew, Geopolitics: Re-Visioning World Politics, Routledge 1998), si një instrument që ndan arbitrarisht një “brenda” nga një “jashtë” që sot në epokën e Internetit nuk ka më kuptim; duke u kthyer prapa në atë konotacion negativ që kishte gjatë viteve të totalitarizmit në Shqipëri, kur kufiri – me konturet e veta – perceptohej prej shumëve si muri i pakapërcyeshëm i një burgu.

Aksesi universal në rrjetet sociale, mundësia për t’u shprehur lirisht dhe për të komunikuar me të tjerët publikisht në shpërfillje të çdo disipline dhe autoriteti, televizioni satelitar që i çon eventet me valencë të fortë kombëtariste në çdo skaj të globit – nga ndeshjet e futbollit tek Eurosong-u, pa llogaritur kanalet e shumta të televizionit shqiptar me përmbajtje të fortë populiste dhe krahinore, që e lejojnë një segment të publikut të anashkalojë ndërmjetësinë e qendrave tradicionale të mass-mediatizimit, si Tirana dhe Prishtina – të gjitha këto e kanë përftuar tashmë një bazë sociale (demografike) të kombëtarizmit të shqendërzuar, që po i largohet modelit hierarkik me të cilin ishim mësuar. Pasojë kurioze e këtij shndërrimi është edhe kurorëzimi de facto i gegnishtes – kryesisht në variantin verilindor – si ligjërim “i kombit”, edhe kjo në kontrast me standardin e modelit hierarkik, që vjen prej qendrës (Tiranës, deri diku edhe Prishtinës); kjo edhe falë asaj hapësire informale, ku ndërvepron folku pak a shumë tradicional, me rap-in dhe forma të tjera të muzikës pseudo-folk. Këto duan kuptuar edhe në kontekstin e identifikimit quasi zyrtar të elitave kulturore me yjet dhe influencer-ët globalë me “prejardhje” shqiptare; por edhe propaganda e bujshme, dhe e kushtueshme, e viteve të fundit për shndërrimin e Shqipërisë “territor” në një plazh të botës mbarë, që është edhe ky pjesë e globalizimit.

Kombi i ri shqiptar – nëse mund ta quaj kështu – ende luhatet midis pezmit për “çfarë na kanë bërë” dhe lavdisë për të shkuarën mitike, që përftohet nëpërmjet një diskursi folk-historik, që e nxjerr shqipen deri edhe “gjuhë kozmike” dhe “mëmë të gjuhëve të tjera”; një kombinim i memories historike të disfatave me memorien historike të shkëlqimit verbues, të dyja duke pretenduar të jenë të bazuara në historiografi. Krejt diskursi kulturor sa i vetvetishëm aq edhe kapilar nuk e njeh më autoritetin e institucioneve të kulturës, përfshi këtu edhe Akademinë, e cila rëndom akuzohet edhe ajo për shitje ndaj armikut dhe tradhti; madje edhe ato figura që deri dje i shërbenin atij diskursi për t’u ankoruar dhe për të fituar dinjitet, si Çabej, tanimë i dëgjon të denoncohen në raste ekstreme si “tradhtarë”, ose shihen si të kapërcyera.  I deterritorializuar edhe në gjeografi – sa kohë që u referohet shtrirjeve dhe kartografive etnike; edhe në realitet, sa kohë që riprodhohet fuqishëm online, falë edhe eventeve të virtualizuara (si një ndeshje futbolli e cila ndiqet njëkohësisht anembanë botës), ky komb i ri tani për tani është ende duke zbuluar potencialin e vet, në kontekstin emocional të (ri)bashkimit dhe të shëndetësisë morale; pasioni i dhjetëra mijëra shqiptarëve, për t’u ndier pjesë e një kolektiviteti, është edhe ai i rrënjosur në virtualitet, aq sa edhe hartat vetë, përfshi ato të autoktonisë dhe të copëtimeve, përdoren përkrah flamurit kuqezi, si logo identifikimi dhe identiteti.

Rreziku mbetet gjithnjë që kjo energji difuze të kanalizohet për keq nga demagogët, sikurse ekziston edhe mundësia e një kanalizimi pozitiv, në rrethanat e favorshme të paprecedent, që ofron virtualiteti, për komunikimin kombëtar.

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

2 Komente

  1. Fitorja me Polonine, pas atij barazimi te merituar ne Ceki, eshte ndeshje qe do hyje ne historine e kombetares sone, Jemi nje hap larg Gjermanise, ku duke pare sa shqiptare nga te gjitha trojet banojne, me siguri do jene stadiumet plot.
    Futbollit i ka ikur koha e ekipeve krahinore, eshte biznes i paster, e vetmja skuader ku nuk ka mercenarizem eshte kombetarja; si te thuash i vetmi sport i kulluar gjendet ne garat mes kombetareve.

  2. Kosova eshte po aq e korruptuar dhe e deshtuar si shtet sa Shqiperia,nje kopje e keqe saj if you will, por problemet e saj te brendshme nuk bien dhe aq ne sy ,per shkak se vemendja eshte e perqendruar ne konfliktin me Serbine i cili sherben si alibi per qeverisjen e keqe.Po ashtu edhe elitat kosovare ngaqe nuk kane c’ti bejne kalit(Serbise) i bien samarit(Shqiperise).Nga ana tjeter Shqiperia do te duket si faktor ne rajon nganjehere ne kurriz te Kosoves. Keto argumentet jo shteti ame i shqiptareve etj jane qesharake pasi te dyja jane shtete nga te cilat shqiptaret ia mbathin pasi nuk jane ne gjendje te kujdesen per ta.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin