SULLTANI DHE BORGJEZI KORREKT

nga Besnik Sinani

Kriza ekonomike evropiane rrëzoi një prej politikanëve më të rëndësishëm të Italisë së dekadave të fundit, Silvio Berlusconin. Teksa kriza po ngjizej, Berlusconi ishte përfshirë në skandale seksuale, të cilat kishin sjellë një sërë padishë gjyqsore të ngritura kundra tij, e ashtuquajtura Rubygate ndoshta më e njohura. Këto skandale bën që Berlusconi të dukej edhe më i shkëputur nga realiteti ekonomik i vendit.

Bunga-bunga

Larg të qenit i turpëruar, Berlusconi krenohej publikisht për festat në vilën e tij, të cilat u bënë të njohura si Bunga-Bunga. Kritikët në artikuj gazetash e libra filluan ta quajnë Sulltan dhe festat në vilën e tij jo rrallë u përshkruan në imazhe të huazuara nga Një Mijë e Një Netët, me peri e xhevahirë.

Giovani Sartori, autori i librit The Sultanate do thoshte se Berlusconi ka krijuar një oborr me një harem… Imazhi i sulltanit dukej se shprehte njëkohësisht ngjizjen e virilitetit mashkullor, teprimit seksual me arbitraritetin politik, një ngjizje e pa denjë për një demokraci perëndimore.

Por libido-politika e Berlusconit nuk ishte gjë e re dhe Berlusconi ka ngritur imazhin e vet politik dhe mediatik mbi simbole e imazhe të mbarsura me erotizëm. Gjatë fushatës elektorale të vitit 2008 Berlusconi nxori një video në të cilën një bjonde e bukur shfaqet pranë një tufë bananesh duke kënduar: “Ka një ëndërr të madhe tek të gjithë ne.” Një kor femrash të tjera i përgjigjen: “Meno male che Silvio c’è,” për t’u mbyllur nga një trajner noti pranë një pishine mbushur me femra në rrobe banje: “Thuaje me forcën e atyre që kanë një mendje të pastër: Presidente, jemi me ty.”

Në valën e Pranverës Arabe një numër i konsiderueshëm emigrantësh nga Afrika Veriore po popullonin ishullin e vogël të Lampeduzës. Në mes të kësaj krize humanitare dhe me ngritjen e tensionit të popullsisë së ishullit, një javë para fillimit të gjyqit të Rubygate, Berlusconi shkoi në Lampeduza dhe pyeti audiencën e mbledhur për të dëgjuar se çfarë do bënte kryeministri për të zgjidhur këtë krizë: “I keni parë sondazhet e fundit? U pyetën femrat nga njëzet në tridhjetë vjeç nëse do të bënin dashuri me Berlusconin. 33% thanë ‘Po!’ 67% thanë ‘Prapë?’

Edhe pse kritikët ngulin këmbë ta portretizojnë, fjala vjen, si despot lindor, si sulltan me epshe të padisiplinuara e predator mbi vajza të mitura, Berlusconit nuk i kanë munguar mbështetësit, ata të cilët jo që nuk e shohin si personifikimin e një sulltani të huaj, por në të kundërt shohin tek ai esencën e burrit. Në një protestë jashtë gjykatës në prillin e kaluar gjendeshin kundërshtarë si dhe mbështetës të Berlusconit. Ariel Levy citon një 76-vjeçar, Michele Lecce: “Nëse një grua vjen pa rroba, me gjoksin zbuluar, nuk mund të thuash që ai ka kryer ndonje dhunim.” Ai e konsideron Berlusconin “një burrë brilant. Veç të kisha lekët që ka ai, po do isha i rrethuar me goca të bukura. Ndoshta do cofja, po do ishte mënyrë e bukur për të ikur nga kjo jetë.” Duke ju buzëqeshur protestuesve të anës tjetër u bërtiste: “ Ju çuna jeni të gjithë gay. Ne kemi burrat që q…” Më pas ai ju kthye gazetares Levy: “Ti je femër dhe unë dua të të puth… Kjo është natyrë.”

“Kjo logjikë sipas të cilës Berlusconi është veçse një burrë i natyrshëm,” shkruan Levy, “një burrë që ka qëlluar të jetë veçanërisht i mirë në të qenit mashkull, ka qenë pjesë e rëndësishme e suksesit të tij. Përgjatë gjithë karrierës – si këngëtar anijeje kruzesh, ndërtues apo pronar mediash e së fundmi si politikan – ai ka bindur italianët se ai është dikush tek i cili ata mund të shohin veten dhe mund të aspirojnë të bëhen si ai. Shumë burra ende mendojnë se ai po sulmohet vetëm ngase është i parrezistueshëm prej grave (dhe ata vetë do donin të ishin të tillë) dhe thjesht njeri, i dobët ndaj mëkatit (si ata vetë).”

Berlusconi është akuzuar se promovon imazhin e femrës si objekt seksual. Në spektaklin “Colpo Grosso,” që shfaqej në vitet 1980 dhe 1990, konkurrentet duhej të zhvisheshin nëse gabonin dhe konkluzioni ishte një tufë femrash topless që mundoheshin të mbulonin gjoksin. “Buona Domenica” paraqet femra me rroba të ngushta që qullen në dush të hapur përballë audiencës. Në emisionet e “Libero,” femra paraqiten si kafshë të futura në kafaz. Në “Scherzi a Parte,” një femër varet nga të brendshmet në një çengel për mish së bashku me qindra copa mish derri teksa një burrë me veshje kasapi i vë në prapanicë vulën për datën e shitjes. E megjithatë, Berlusconi ka gëzuar mbështetjen elektorale të vazhdueshme të femrave italiane dhe aktivistet e opozitës të intervistuara nga Levy pranuan se Berlusconi nuk do mund të rrëzohej politikisht për arsye morale, se as Kisha nuk do vihej kundra tij dhe së fundmi ishte kriza ekonomike e jo festat erotike, bunga-bungat me minorene e prostituta, që e rrëzuan Berlusconin.

Kritikët kanë paraqitur bëmat e tij seksuale me imazhe negative e të huaja të huazuara nga Lindja, me ato të një Sulltani, por sjellja e tij seksuale duket të ketë rezonancë në një numër goxha të madh italianësh. Sa i huaj është seksualiteti i Berlusconit?

Sex Talk

Në përkufizimin e ‘seksualitetit,’ Mishel Fuko (Michel Foucault) ka shkruar:

Vetë termi u shfaq nga fillimi i shekullit të 19të… Përdorimi i kësaj fjale u vendos në lidhje me fenomene të tjera: me zhvillimin e fushave të ndryshme të dijes… me vendosjen e një sërë rregullash dhe normash – pjesërisht tradicionale e pjesërisht moderne – të cilat gjetën mbështetje në institucionet fetare, juridike, pedagogjike dhe mjeksore; dhe ndryshimesh në mënyrën se si individët u shtynë t’i caktojnë kuptim dhe vlerë sjelljes, detyrimeve, kënaqsive, ëndrrave, ndjenjave e sensacioneve të tyre. Me pak fjalë, kishte të bënte me mënyrën se si një “eksperiencë” erdhi duke u formësuar në shoqëritë moderne perëndimore, një eksperiencë që bëri që individët të njohin veten si subjekte të “seksualitetit,” gjë që ishte e aksesueshme nga fusha të ndryshme dijesh dhe e lidhur me një sistem rregullash dhe kufizimesh. Ajo që unë planifikova të shkruaj pra, ishte një histori e eksperiencës së seksualitetit ku me eksperiencë kuptohet ndërlidhja midis fushave të dijes, tipeve të normativitetit dhe formave të subjektivitetit në një kulturë të caktuar. [The History of Sexuality.]

Lexues të mëvonshëm të Fukosë ndër studiuesit e post-kolonializmit kanë vënë në dukje se Fuko nuk i kushtoi vëmendje lidhjes së këtyre koncepteve moderne me projektin kolonial. Edward Said ka vënë në dukje se këto koncepte ishin produkt i eksperiencës koloniale. Duke shkruar në lidhje me racën dhe dëshirën, Ann Laura Stoler vë në dukje se “një kontekst më i gjerë imperialist rivendos mendimin racor në bërjen e identitetit borgjez evropian në një sërë mënyrash specifike.” Kobena Mercer ka vënë në dukje se “historikisht, konstrukti evropian i seksualitetit koincidon me epokën e imperializmit dhe të dyja ndërlidhen.” Në analizën e objekteve të ligjërimit mbi seksualitetin të Fukosë, të renditura prej tij si fëmija që masturbon, “gruaja histerike,” çifti Malthusian dhe adulti pervers, Stolen shkruan:

“A ekzistonte ndonjë prej këtyre figurave si objekte dijeje dhe ligjërimi në shekullin e 19-të pa një pikë të kundërt racore dhe erotike, pa referencën ndaj një energjie libidinale të të egrit, primitivit, të kolonizuarit – pikë reference të së ndryshmes, kritikës dhe dëshirës? Në një nivel, këto janë qartazi pika të kundërta ashtu si dhe referenca treguese që shërbenin për të përforcuar shoqërinë borgjeze evropiane dhe për të vënë në dukje se ç’mund të ndodhte nëse ndodhte rënia morale… Në neglizhimin ndaj imperializmit, historia e Fukosë e seksualitetit evropian humbet pika të rëndësishme të prodhimit të atij ligjërimi, neglizhon praktika dhe trupa të racializuar e për rrjedhim nuk kap një fushë dijeje që siguroi kontrastin me atë se çfarë përbënte “një trup të shëndetshëm, vigoroz, borgjez.” [Race and the Education of Desire: Foucault’s History of Sexuality and the Colonial Order.]

Në veprën e tij të rëndësishme, Orientalism, Edward Said adreson faktin që seksi ka qenë përherë një komponent i rëndësishëm i fantazisë dhe skolastikës orientaliste. Said vë në dukje se orientalistët përshkruan orientin si “feminin, pasuritë e tij si fertile, simbolet e tij më të rëndësishëm gruaja sensuale, haremi dhe sundimtari – tërheqës në mënyrë kurioze – por gjithsesi despotik.” Orienti sugjeron jo vetëm “pjellshmëri por dhe premtim seksual (si dhe kërcënim), sensualitet të palodhshëm, dëshirë të pakufi, energji të thella degjeneruese… Gjithsesi, duhet pranuar rëndësia e saj si diçka që nxit reagime komplekse, e nganjëherë një vetë-zbulim të frikshëm…”

Said përmend faktin se në Evropën e shekullit të 19-të “me rritjen e procesit të bogjezimit, seksi ishte instutucionalizuar në një shkallë të lartë. Nga një anë nuk kishte ndonjë gjë të tillë si seks “të lirë” e nga ana tjetër seksi në shoqëri përfshinte një rrjet obligimesh legale, morale, si dhe politike e ekonomike të një lloji të detajuar e sigurisht të detyruar… Orienti ishte vendi ku mund të kërkohej eksperienca seksuale që nuk mund të gjendej në Evropë.”

Spektakli

Në imazhin e sulltanit e haremit është e qartë se kufiri midis perceptimit të tjetrit dhe fantazisë seksuale të vetë-zbuluar, midis dëshirës dhe korektesës të një etike borgjeze evropiane është së paku i mjegullt. Said në fakt vuri në dukje se mjaft autorë evropianë kërkuan apo shkruajtën për eksperiencën lindore pa shkuar në Lindje. Ky lloj sojourn– i duket të ketë qenë sa gjeografik aq edhe i përbrendshëm si formë vetë-zbulimi. Etika borgjeze e seksualitetit shërben edhe sot në Evropë si referencë kundërshtie, pikënisjeje apo refuzimi.

Gjatë shkrimit për Berlusconin kam shpresuar se diskutimi do i dukej lexuesit më i afërt se sa një realitet përtej detit. Kujtojmë këtu se për këdo që ka qenë në moshë ndërgjegjësimi në vitet 80-90 në Shqipëri është e qartë që diskutimi i impaktit kulturor dhe politik të një njeriu si Berlusconi nuk është thjesht diskutimi rreth zhvillimeve të një vendi fqinj, por në të kundërt ka të bëjë me imazhet e spektaklit me të cilat gjenerata shqiptarësh u ushqyen, të cilat ishin njëkohësisht dritaret e Perëndimit të dëshëruar, me modelet mediatike sipas të cilave do ngriheshin emisionet televizive shqiptare.  Ky implantim, i cili sigurisht nuk ka munguar as në kulturën poltike shqiptare, ka ardhur i mbarsur me përfytyrime dhe perceptime të etikës së seksualitetit, modeleve të femrës dhe mashkullit dhe pritshmërive mbi rolet dhe trupat e tyre.

E kaluara dhe e tashmja, debati publik mbi atë që jemi dhe atë që duhet të jemi është ngritur shpesh mbi një diskutim të seksualitetit. Format e reja të shpenguara televizive u ngritën mbi rrefuzimin e modeleve të seksualitetit që promovohej (qoftë me mungesën e tij) në ekranet e komunizmit. Mjafton të shohësh debatet televizive të këtyre ditëve mbi paradën gay në Tiranë për të kuptuar se termat e ligjërimit mbi seksualitetin sot janë produkt i një regjimi të ri dijesh, shijesh, morali, autonomie trupore e normativiteti: A jemi ne gati (kjo pyetje premton arritje drejt një destinacioni për ku jemi nisur); a jemi ne tolerantë e të hapur apo tradicionalë (pyetje që bën të qartë pa filluar debati se kush janë intolerantët, të mbyllurit e për rjedhojë, tradicionalët).

E kaluara osmane dhe e tashmja me rrezikun neo-otoman gjithashtu sillen me imazhe të perversitetit seksual, homoseksualitetit e dhunës seksuale të pushtuesit. Joseph Massad e të tjerë kanë vënë në dukje se edhe përfytyrimet bashkohore të seksualitetit perëndimor, me pretendimin e lirisë seksuale të përftuar, në fakt, në një pjesë të madhe si revoltë ndaj etikës borgjeze të seksualitetit, ngrihen gjithsesi si kundërshti ndaj kufizimeve, ndrydhjeve e pra mungesës së lirisë seksuale të Lindorit, Tjetrit, që nuk ka arritur emancipimin e celebrimit të lirisë seksuale të të kundërtit të vet. Licensa seksuale që orientalistët i atribuan Lindjes duket të jetë kthyer kokë-poshtë, por pa humbur natyrën binare me të kundërtën perëndimore. Këtu vlen të vihet në dukje fakti interesant se emisionet televizive të këtyre ditëve kanë thirrur kujtesën e dylberëve të së shkuarës në diskutimin mbi gay-të e sotëm në Shqipëri, ndoshta si pretendim i një lloj gjenealogjie qëndrimesh seksuale. Por mbivendosja e ligjërimit mbi dylberët e së shkuarës me ylberët e flamurëve që kërkojnë të ngrihen nesër thërrasin vëmendjen për nga një transformim kompleks në termat moralë, legalë si dhe identitarë. Ashtu si në rastin e Berlusconit, hija e sulltanëve mbiseksualë sillet dhe sot mbi ne teksa përftojmë një etikë seksualiteti post-borgjez evropian që pasqyron tmerrin e të qenit si Tjetri, që jo rrallë, ashtu si në periudhën koloniale, qëllon të jetë aq brenda nesh, diku në urën brenda metaforave për tjetrin dhe dëshirës brenda vetes.

Nuk ka komente

  1. shkrim shume interesant, pergezime autorit! vetem do doja qe te zgjatej dicka me shume ne pershkrimin e relaitetit shqiptar pasi pashe spunto vertet interesante persa i perket asaj qe jemi tani me projektimin qe kemi pasur per veten duke ndjekur mediasetin e viteve ’90 …

  2. Eshte interesant permbysja me koke poshte e stereotipizimit seksual te lindjes dhe perendimit, ku, dikur lindja akuzohej per imoralitet dhe liri seksuale, ndersa sot, per mungese te lirise seksuale. Ne fakt, sot mund te themi se kemi nje mbivendosje te setreotipizimit midis dhunes dhe diktatit seksual dhe shthurjes poligamike per lindjen. E vetmja gje qe i mohojme lindjes, eshte normaliteti. Kam parasysh ketu edhe Kadarene kur flet me perbuzje per homoseksualitetin oriental, sic eshte ai i dylbereve, qe Kadareja e sheh si mbeturine turke. Kadareja shprehet se homoseksualiteti lindor nuk eshte emancipues si ai perendimor, pasi eshte pedofilik. Ne fakt, tek Kadareja ndryshon pak puna, sepse ai nuk e ka thjesht stereotipike, por e ka politike. Megjithate, ne thelb stereotipia qendron.

  3. Shume interesante.
    Ne fakt, une me shume kisha hasur deri tani anen tjeter te medaljes. Dmth retoriken djemve myslimane qe i pershkruajne burrat perendimore si te feminizuar ndersa femrat si te perdala dhe te gatshme ne cdo kohe per seks te momentit.

    Ndersa, ideja e pushtimit dhe mposhtjes se tjetrit duke ia marre femrat dhe turperuar meshkujt eshte nje tradite e vjeter njerezore, shume me e hershme se cfaredo konfigurimi i Perendimit te sotem.

    Ajo qe me ben me shume kurioz eshte koncepti “Perendim” kur vjen puna per tema te tilla. A eshte Italia Perendim? Per shembull, nje udhetim ne rruget e qyteteve New York, Londer apo Stokholm dhe nje i ngjashem ne rruget e Romes, Stambollit dhe Tiranes do te mjaftonte si test. Si reagojne meshkujt kur prane tyre kalon nje femer? Cdokush do te dalloje dy reagime krejt te ndryshme mes dy grupqyteteve te mesiperme.

    Nese hyn ne zemer te psikologjise se marredhenieve seksuale, sa ndryshim ka Italia nga Shqiperia dhe Turqia, apo disa vende arabe te Afrikes se Veriut. A eshte Italia shembulli se si do te jete nje Lindje e Mesme me femra te emancipuara sipas kerkesave te liberaleve ne SHBA?

    Sipas meje presioni perendimor per me shume liri seksuale te femres ne Lindjen e Mesme eshte gjithashtu vetem nje mit. Eshte gogoli me te cilin tremben burrat myslimane. Ajo qe kerkohet nga “Perendimi” eshte liria e zgjedhjes.

    Nje femer qe nuk ka liri zgjedhjeje nuk eshte e moralshme. Morali fillon ne momentin qe ke mundesi te zgjedhesh. Ne momentin qe hyn ne loje liria, ndahet vertet shapi nga sheqeri. Imoraliteti ekziston kudo. Emancipimi eshte besim se tjetri do te sillet po njesoj edhe nese nuk ka frike. Kundershtimi i emancipimit eshte frike dhe mosbesim te moraliteti real i femres.

    (Kuptohet ka plot e plot vende ne Perendim dhe ne Lindjen e Mesme ku keto raporte kthehen permbys. Provinca eshte province dhe metropoli eshte metropol.)

  4. une me shume kisha hasur deri tani anen tjeter te medaljes. Dmth retoriken djemve myslimane qe i pershkruajne burrat perendimore si te feminizuar

    Paj, at retorike e bej edhe une sa here qe e shoh Justin Bieber, apo stilin e flokeve te Alban Skenderaj. Dhe une s’jam musliman hic.

  5. Sipas meje presioni perendimor per me shume liri seksuale

    Presioni qe permend nuk eshte per liri seksuale por per liri ekonomike. Liria seksuale vjen me pas, se bashku me renijen e tregusve pjellorike per femren, apo me pamundesine e kapjes te endrres ‘Amerikane’ te realizuar ne vitet 60-te, kur nje rroge mbante nje shtepi, 2 makina etj etj. Presioni eshte gjithmone ekonomik. Nxirri nga shtepia grate, jepi nje cante dhe te shqepin duke ble. They simply have a higher marginal propensity to spend. Gjithe ndertesa e marketingut modern mbahet mbi qafen e nje femre, dhe premisen neo-klasike te ‘rritjes ekonomike’si nje panacea per gjithcka.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin