BREKUSHET UNISEKS

Ka pasur, këto ditë, një zallahi në mediat për çështjen e paradës së homoseksualëve që do të mbahet në Tiranë në maj – për të festuar Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë dhe për arsye të tjera të njohura.

Nga njëra anë, një eksponent i së djathtës në pushtet (Ekrem Spahia), deklaroi se gay-t shqiptarë të Paradës u dashkan kapur në hu; nga ana tjetër, ResPublica botoi një letër të një anonimi, pas gjase provokacion i thjeshtë, ku vizioni gay i kundërvihej hipokrizisë heteroseksuale borgjeze, me një patos të ngjyer mirë në lëngjet biologjike.

Nuk ka dyshim se ka shqiptarë homoseksualë, sikurse edhe ka pasur; dhe që këta diskriminohen në mënyra të ndryshme. Për fat të keq, diskriminimi në shoqërinë shqiptare është praktikë transversale, nga e cila nuk shpëton askush – dhe jo vetëm në aksin hetero/homo, por dhe në atë burrë/grua, qytetar/katundar, verior/jugor, shqiptar/tradhtar, i fortë/i pafortë, komunist/antikomunist, i bardhë/jevg, mysliman/i krishterë, i PD-së/jo i PD-së, e kështu me radhë.

Kjo shoqëri shqiptare sot as që mund të përfytyrohet pa diskriminimin e gjithanshëm.

E reja e të tanishmes ka të bëjë, para së gjithash, me përgjithësimin e barazisë, si të drejtë elementare të njeriut; meqë diskriminimi mund të ndodhë vetëm në një kontekst barazie, ose midis palësh që, në teori, duhej të ishin të barabarta mes tyre.

Megjithatë, kur flitet për paradë gay në Tiranë, nuk kemi të bëjmë më thjesht me çështje diskriminimi dhe barazie; meqë kjo paradë është një praktikë e importuar në mekanikisht, madje e tillë që të përfaqësojë një nga format më elokuente të kultit të kargove sot mes shqiptarëve.

Parada gay është zhvilluar në kontekstin kulturor specifik të Perëndimit të zhvilluar; edhe pse i ka rrënjët sa në procesionet fetare, aq edhe në festat e karnevaleve dhe të tjera të ngjashme; dhe po të duam mund të zbresim deri në ritet e Dionisit së lashti.

Kjo traditë nuk vepron më ndër shqiptarë, ose është shumë e dobët; veçanërisht në kryeqytet, ku praktika e paradës u politizua aq shumë gjatë shekullit që shkoi, sa u kthye në trajtë komunikimi të popullit me udhëheqjen, ose një lloj triumfi, në kuptimin romak, të raporteve ekzistuese të pushtetit.

Gjithsesi, parada tek ne ende përfaqëson pikën kulmore, apoteozën e realizimit të identitetit vetjak në publik; ose momentin kur privatja vjen e tkurret deri në zhdukje.

Pavarësisht nga synimi subjektiv që mund të kenë homoseksualët shqiptarë për paradën e tanishme, ajo do të perceptohet doemos si një orvatje për ta bërë krejt publik versionin alternativ të jetesës gay; në një kohë kur ndër shqiptarët ende nuk ka zënë vend mirë toleranca ndaj manifestimeve publike edhe të seksualitetit normativ (çka e konfirmon edhe, paradoksalisht, fakti që disa gra dhe vajza në Tiranën metroseksuale e festuan 8 marsin në strip clubs).

Të kemi parasysh se në Shqipëri kemi gay dhe lesbians, baballarët dhe nënat e të cilëve do t’i kenë mbajtur radhët  burrat veç e gratë veç, në dyqanet dhe zyrat.

Irritimi që manifestohet shpesh, ndonjëherë edhe haptazi, ndaj homoseksualitetit është, në thelb, irritim jo ndaj praktikës vetë, sesa publicitetit të diçkaje që duhej të mbetej e fshehtë.

Sa më publike bëhet sjellja e homoseksualit, aq më e kërcënuar ndihet një kategori heteroseksualësh në privatësinë e vet.

Kjo nuk përligj dhunën dhe diskriminimin; edhe pse shpjegon – ndoshta – disa tensione, të shprehura edhe në mediat sociale.

Natyrisht, parada gay është edhe një mënyrë, e sprovuar, për të përftuar, farkëtuar dhe konsoliduar një komunitet gay në Shqipëri, si kundërpjesë sociale e shoqatës përkatëse.

Që ka homoseksualë, dhe këta përfaqësojnë një përqindje të caktuar të popullatës, kjo nuk do të thotë, doemos, se ka edhe një komunitet homoseksualësh; madje nuk do të thotë as edhe se një komunitet i tillë duhet të ekzistojë, as që duhet të krijohet.

Gjithsesi, një individ që diskriminohet, është një individ të cilit i mohohet plotësia e të qenit njeri; dhe askush nuk duhet të guxojë t’ia mohojë kujt këtë plotësi – dhe komuniteti nuk hyn këtu fare, meqë s’është e thënë të jesh gay, për t’i dalë në mbrojtje gay-t të nëpërkëmbur.

Megjithatë, nëse këto organizata homoseksualësh në Shqipëri luftojnë kundër diskriminimit të tyre dhe të së tjerëve, atëherë ato meritojnë solidaritetin dhe admirimin e të gjithëve.

Përkundrazi, parada gay, si formë e kultit të kargove, ose importim i një praktike që mbërrin në teatrin shqiptar të rrugës më tepër si zhguall i zbrazët, sesa si shishe me një mesazh brenda, nuk mund t’i ofrojë Tiranës ndonjë model qytetar të dobishëm, së paku për momentin.

Publiku u indinjua vërtet me reagimin folklorik të z. Spahia; por folklorizmi i z. Spahia, i mbështjellë me populizëm dhe parada gay, e importuar si të ishte deodorant sqetullash ose kufje Bluetooth, janë dy skajet e të njëjtës dukuri: përballë modernizimit formal, në kufi të provokacionit, dhe gjithsesi të pamotivuar shoqërisht, do të ketë gjithnjë një shtresë konservatore dhe të kërcënuar, e cila do të përgjigjet me folklor.

E keqja është, pra, te imitimi; ose ajo mënyrë të menduari magjik, e cila këto njëzet vjet na ka paralizuar, duke na shtyrë të braktisim çdo lloj orvatjeje ose gjakimi për zhvillim organik, në emër të kopjimit mekanik të hieroglifeve Perëndimore.

Nuk ka komente

  1. Për mendimin tim, parada ka të bëjë me metafizikën e sheshit dhe kuptimin e kësaj për shqiptarët.

    “nxirre të vërtetën në shesh!”
    “dil në shesh të burrave”
    “gjeti shesh, bëri përshesh”
    “ja sheshi, ja mejdani… ”

    Kështu që dalja në shesh e homoseksualëve, (jo domosdoshmërisht) nëpërmjet paradës, është veprim që synon emancipimin, apo pranimin publik shoqëror të fenomenit.

    Mua nuk më duket rastësore që Ekrem Spahia, aplikues i psikologjisë së sheshit, të fyhet nga ky demonstrim.

  2. Ajo qe me pelqen ne gjithe kete histori, ose me sakte ai, eshte Berisha dhe qendrimi i tij konstant pro tolerances dhe kunder homofobise, sic u vu re edhe ne qortimin prej xhentellmeni qe i beri Ekrem Spahise (” deklarata e tij per paraden gay, nuk ishte mbreterore”), fill pasi ripohoi se Tirana eshte qytet i tolerances, dhe ka vend per manifestime gjithfare – mjafton qe manifestuesit te mos vrasin shoku-shokun, e te fajesojne te tjeret. Ky qendrim i Berishes vjen ne listen tematike fill pasi perqafimit ikonik te po ketij te martesave njegjinore, te cilin perqafim duket se e kishin harruar legalistet e Spahise kur qortuan vetem para disa oresh Berishen si shkeles idealesh, gje qe kishin harruar ta bejne kur ky i shkeli heren e pare (…), cilado qofte ajo.

    Konvertimi i Berishes ne rolin e tolerantit me gej, na bie ndermend (ne formen e duhur, patjeter, dmth ate karikaturesken) gjithe ndryshimet e dy dekadave te fundit ne te djathten kontinentale nga ku i vjedh pozat Berisha, por nga ana tjeter, po pame me cfare kostoje ndodh konvertimi, kuptojme se ne tema te tilla ky mund te thellohet pafund, sepse ka te beje me probleme jothelbesore te perfytyrimeve e interesave qe perfigurojne ndarjet politike ne vend. Kam edhe nje pershtypje plus per kete, te bazuar ne faktin se thelle- thelle eufemizmi i dyfishte “gay”, qe tek ne e ruan me xhelozi ypsilonin e jashtem, sikur e zbut pak perceptimin per ‘c’po ndodh pas deres’ dhe kete sikur ma verteton disi edhe popullariteti idiot i asaj barcaletes me “jo mor te keqen baba, gay eshte Elton John; ti je thjesht nje &ythq:m”. Pra ka pak hierarki importi dhe kargosh kjo pune, ku nje gay eshte nje lloj konsulli nderi i Elton Xhonit, nje nga perkthyesit e moderniteti anglisht, nje nga te Bllokut apo te Big Brotherit apo OJQ-ve, jo ndonje BQ lulishtesh nga ata te vendit apo te vaktit; nje nga ata qe votonjesi i Sales me shoke i rreshton ne te njejten tribune me te tjere shakaxhinj te perparimit, se nje krehje e nje melodi retorike ndajne. Keshtu qe hic nuk humbet Saliu djathtas ne perkrahje per ta, te cilen kur e flet – se vetem me te folur funksionon – njekohesisht edhe e pergenjeshtron me ngerdhjeshje tallese, te cilen ia mbeshtesin edhe me thelle ne ngerdheshje gajasjeje te pranishmit; dmth ok, po leshojme pak tekst per gazetat neser, bereqavers po u filtrua ndonje fraze neper shtypin e huaj, atje pertej, ku ka vertete gay, e na shtohet kesilloj ndonje pike. Per vendalinjte, ketej gardhit me hunj te Spahise, mbetet vetem ngerdheshja

  3. “Megjithatë, kur flitet për paradë gay në Tiranë, nuk kemi të bëjmë më thjesht me çështje diskriminimi dhe barazie; meqë kjo paradë është një praktikë e importuar në mekanikisht, madje e tillë që të përfaqësojë një nga format më elokuente të kultit të kargove sot mes shqiptarëve.

    Parada gay është zhvilluar në kontekstin kulturor specifik të Perëndimit të zhvilluar; edhe pse i ka rrënjët sa në procesionet fetare, aq edhe në festat e karnevaleve dhe të tjera të ngjashme; dhe po të duam mund të zbresim deri në ritet e Dionisit së lashti.”

    Vjen nje moment kur disa instrumente teorike kontrastuese behen krejt te pavlefshme, pasi edhe “në kontekstin kulturor specifik të Perëndimit të zhvilluar,” qe nga procesionet fetare, festat, karnevalet, e deri ne ritet e Dionisit te lashte, nuk jane vecse nga format me elokuente te kultit te kargove.

  4. Shkrimi me i mire qe kam lexuar per kete teme.

    Mua me pelqen qe Tirana dalengadale eshte bere me pranuese ndaj te ndryshmes, perfshi edhe homoseksualizmit. Mirepo ndersa procesi eshte ende i brishte, druaj se kjo parade po nxit nje ballafaqim te parakohshem me kulturen tradicionale anti-ndryshe shqiptare.

    Deklarata e Spahise nuk paguhet as me “flori” per NGO-te tiranase qe merren me kete pune qe mund te presin pa frike tani rritje fondesh. Nuk ka gje me te shkelqyer se dalja ne skene e personazhit negativ, qe perligj nevojen per ndihme.

    Sa per ate qe parada eshte nje importim mekanik nga Perendimi, nuk e vras mendjen shume. Cdo gje tjeter ne Shqiperi e atille me duket gjithesesi.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin