NJERIU ME TARGË

Tema botonte sot një seri fotosh, të një veture në një rrugë kryesore të Tiranës, që e kish mbuluar targën me një adeziv elektoral të PD-së: Ne jemi ndryshimi, Përpara!

Rastësisht më qëlloi ta shihja këtë foto, teksa përpiqesha të moderoja një koment bajat të një të panjohuri, te një temë kushtuar katundarisë në qytet dhe në kulturë; dhe fotoja m’u duk ilustrimi më i përshtatshëm i çfarë unë dhe të tjerë quajmë katundar sot.

targa

Simpatinë e vet, ose partizanllëkun për PD-në, i zoti i Benz-it kish vendosur ta shprehë duke vënë një shenjë partiake mbi targën e veturës; ose mbi të vetmen pjesë të sipërfaqes së veturës e cila nuk i përket atij, por të tjerëve.

Në fakt, targa është ID-ja e makinës, ose dokumenti a shenja që e identifikon në sytë e publikut, qytetarëve, shoferëve të tjerë, kalimtarëve, policisë dhe, last not least, kamerave të trafikut.

Nuk do të kish gjë për t’u habitur, sikur ky person ta kish mbuluar Benz-in e vet me adezivë dhe flamuj të fushatës së PD-së; është trualli i tij, kushedi e ka blerë me djersën e ballit, mund të ndërtojë ç’të dojë aty, njëlloj si ai tjetri, që vendos ta mbulojë lëkurën e trupit me tatuazhe të hatashme, trëndafila, dragonj ose sirena.

Mbulimi i targës, ndërkohë, është diçka e ndryshme; akt semiotik i nivelit të ri, sepse ndërhyn në marrëdhëniet jo të subjektit me pronën e vet, por të subjektit me pronën publike.

Si gjest i tillë, është i barasvlershëm me të dikujt që një ditë vendos gardhin rreth një cope trualli deri dje të qytetit, për ta bërë të vetën, ose për “ta zënë” (“i xanun” e quajnë në Tiranë atë lloj trualli publik të përdhunuar, por nuk e po e përdor fjalën në këtë rast, për të mos paragjykuar bartësit e dialektit përkatës).

Pronarin katundar të veturës e shqetëson, dhe gjithnjë do ta shqetësojë, ai kuadrat i vogël të cilin, normalisht, s’e kontrollon dot; sepse targa identifikon makinën dhe të zotin e saj, dhe duke e identifikuar këtë të fundit, ia njeh përgjegjësinë për çfarë mund të shkaktojë makina: një aksident trafiku, një karagjozllëk në rrugë, një fyerje të normave që rregullojnë mirësjelljen mes automobilistëve.

Kush e përfytyron veturën si një lloj zhgualli, parzmoreje ose bunkeri, për t’u strehuar në të para se ta përdorë si autoblindë kundër ligjit, bashkëjetesës qytetare dhe mirësjelljes, nuk mund ta tolerojë dot identifikimin që ia bën targa; ose mesazhin që u jep të tjerëve makina e tij, pa pëlqimin e atij vetë.

Pa çka se targa e lejon automjetin (dhe drejtuesin e tij), në thelb, që të përfshihet, si i barabartë mes të barabartëve, në familjen e madhe të automjeteve, që qarkullojnë dhe komunikojnë mes tyre, me këmbësorët dhe ruajtësit e rendit, në një mjedis publik si rruga.

Katundari rrugor, si ky i fotos, nuk pajtohet dot me funksionin që, dashur pa dashur, ia kryen vetura e tij; pa çka se kombinimi i markës automobilistike tipike për një kategori “nouveaux riches” në Shqipëri me këtë dëshirë për të qëndruar përtej njohjes së ndërsjelltë, ose salutimit, që ta mundëson targa e dukshme, përfaqëson një ambivalencë karakteristike për kë ende e ka ruajtur thellë psikologjinë e hajdutit të pulave, pa çka se mund t’ia kenë vënë ndërkohë në supe spaletat e gjeneralit.

Dhe jo vetëm kaq: ky Muj i rrugëve të mjera të Tiranës ka zgjedhur ta mbulojë targën e makinës së vet jo për ta fshehur gjë prej të tjerëve; po për ta zëvendësuar informacionin identifikues që jep targa me një informacion identifikues të një lloji tjetër – nëse targa e zakonshme e konfirmon dhe miraton praninë e makinës në një commons, siç është hapësira e qarkullimit rrugor, adezivi elektoral i PD-së shpall tani përkatësinë e të zotit të makinës në një bashkësi politike, atë të partisë së Berishës. Dhe jo vetëm e shpall, por edhe ua përplas të tjerëve në fytyrë, si të ishte licencë jo për të qenë pjesë e qytetit, por për t’i shkelur me impunitet të gjitha ato rregulla të bashkejetesës, që e përftojnë hapësirën publike të qytetit.

Në anglishte, targës së makinës i thonë edhe license plate; meqë ajo e licenson njëfarësoj makinën dhe të zotin (nuk po futem në hollësira) brenda hapësirës publike, ose ndaj Tjetrit. Prandaj, ky gjest kaq grotesk, i mbulimit të targës me një adeziv elektoral, nuk mund të lexohet veçse si shpallje publike e licensës për ta shkelur qytetarinë me të dy këmbët.

Ose licencës për ta vrarë qytetin.

Një i tillë autorizim vjen nëpërmjet deklarimit të besnikërisë ndaj bajraktarit të radhës : PD-së, ose Sali Berishës vetë, që me ato ngjyra dhe atë dizajn është identifikuar tashmë prej javësh. Adezivi, në këtë kontekst, jo vetëm fsheh identifikimin formal të makinës, por edhe e bën këtë duke përpallur një identifikim të ri, ose duke kanunizuar një forcë që buron nga arbitrariteti i pushtetit të sotëm të Berishës dhe të vetëve.

Ashtu ia garanton, targa e re politike, edhe paprekshmërinë katundarit, në një mjedis si qyteti, të cilin ai rregullisht e percepton si armiqësor; duke kërkuar edhe ta zotërojë edhe ta shkatërrojë, teksa e patrullon me autoblindën e vet të stolisur si prostitutë.

Unë jam harbut, u thotë adezivi politik mbi targë të gjithë atyre që u qëllon ta shohin; dhe si harbut ju sundoj. Nëse forca juaj si qytetarë e ka burimin te ajo bashkësi rregullash dhe normash, që ju e banoni si hapësirë publike, forca ime, si katundar, buron, përkundrazi, nga lehtësia me të cilën unë ua shpërfill dhe ua përdhos ato rregulla dhe norma. Prandaj bëhuni gati që vetëdisiplinën me të cilën e keni ngritur qytetin tuaj, ta shihni të zëvendësuar me disiplinën që do t’ju imponohet prej sundimit tim mbi ju.

Dhe kush do ta ndalë vallë?

P.S. Me marrëveshje dhe mirëbesim, po e marr foton si autentike, jo të photoshop-uar ose thjesht të inskenuar; edhe pse këtë nuk ma ka garantuar kush, veç Temës vetë.

Nuk ka komente

  1. Pos katundarit, kjo foto dëshmon edhe dështimin e qytetit, së paku në dy pika: e lë katundarin të shetitet pa pengesa (pra, s’funksionon policia), dhe nuk i jep mundësi tjera katundarit ta realizojë veten, pos si katundar (nuk e di se a mund të blej biletë për ndeshjen e futbollit, pa pasur kontakte me njerëz të partive).

  2. Kam pёrshtypjen se ka disa probleme nё vetё pёrqasjen qe ky shkrim merr nё raport me kёtё foto.

    Nё vendin tonё ka egzistuar prej nje kohe tё gjatё njё fenomen i vjetёr qytetas: gangsterizmi. Gangsterizmi dihet se c’eshte: shkelja e rregullave dhe ligjeve nё qytet me dhunё dhe mashtrim, e qё con deri nё krime. Gangsterizmi si nёnkulturё e qytetit u ushqye nga lumpenproletariati i kohёs sё diktaturёs dhe mё pas evoluoi nё kultin e “tё fortit tё lagjes” nё qytetet shqiptare gjatё tranzicionit. Ky kontigjent njerёzish aktivizohen politikisht nё kohё fushatash e zgjedhjesh. Tё dy krahёt politike kanё flirtuar me kontigjentin nё fjalё gjatё dy dekadave tё fundit. Lajmet pёr kobet qё ka shkaktuar gansterizmi nё kohё fushatash janё raportuar gjerёsisht nё media dhe, nё disa raste, ka patur edhe vrasje nga autorё me precedentё penale, por qe ishin duke vepruar nё “mbёshtetje” tё njёrёs apo tjetrёs parti.

    Kёtё po e them per tё bёrё njё dallim kategorik mes fenomeneve; pra, nuk ka nevojё qё tё jesh njё “katundar” i ardhur vonё nё qytet pёr tё bёrё shkelje e presion nё kohё fushate. Mund tё jesh edhe njё tip gangsteri, njё “i fortё” i lindur e i rritur nё qytet dhe qё i ofron “shёrbimet” e tua njё force politike me shpresёn se neser, kur ajo tё marrё/rimarre pushtetin, tё tё ofroje ty dicka mbrapsht si shpёrblim.

    Por, dhe kjo duhet theksuar, unё nuk spekulloj dot nёse ky fenomen i gangsterizmit pёr tё cilin fola aplikohet nё rastin e kёsaj fotoje. Nuk kemi tё dhёna tё mjaftueshme nga gazetari qё e raporton pёr tё nxjerrё konkluzione finale. Qё ёshtё njё shkelje e hapur, diten per diell, e ligjeve dhe rregullave kjo shihet qarte. Po ashtu mё pёlqeu analiza qё Xha Xhai i bёri gjestit nё fjalё si akt semiotik, nё terma tё privates/publikes. Por pёrtej kёsaj, mё duket njё ngutje e pajustifikuar nxjerrja e konkluzioneve mbi “katundarinё” e supozuar tё shoferit. Mund tё jetё njё rast i gangsterizmit politik, gjё e cila, meqё ra fjala, nuk ёshtё “e xanun” nё mёnyrё ekskluzive nga asnjёra palё politike pasi tё dy krahёt e kanё ushtruar me mjeshtёri, pёr turpin e tyre, nё zgjedhje tё kaluara. Por, sёrish e theksoj, mund tё mos jetё as njёra, as tjetra. Ka njerёz me aq pasion politik, kёta si rregull quhen militantё, qё besojnё verbtazi tek barazimi i shtetit me partinё, pra tek partia-shtet. Sjellja e disa militantёve nuk e vёrteton automatikisht tezёn e partise-shtet, ndonёse ky fenomen i shtetit mosfunksional ёshtё goxha shqetesim e kjo s’ka si tё mohohet.

    Kam pёrshtypjen, i nderuar shkrues i artikullit, se nё kёtё shkrim kemi tё bёjmё me njё mbilexim (“over-reading”) tё fotos, ku ju keni kapёrcyer pastaj nё disa vёrejtje pёrgjithёsuese (“overgeneralizations”) tё cilat, edhe nёse vlejne ne teori, nuk ka qenё vendi qё t’i aplikoni kaq lirshёm nё kontekstin retorik tё kёtij imazhi tё targёs. Mes kategorive te mundshme tё gangsterit, militantit, e katundarit – tё gjithё tё pranishёm nё kryeqytet – ju keni zgjedhur te aplikoni kёtё tё fundit. Nuk mё duket se keni arsye tё mjaftueshme, nё kontekst, pёr ta bёrё kёtё.

    1. Me lodh fakti qe per cdo shkrim per katundarine duhet vene disclaimer qe behet fjale per mentalitetin dhe jo perkatesine geografike. Ai gango qe permend ti eshte katundar koke e kembe jo se eshte prej ndonje katundi por se eshte nje figure qe vazhdimisht i kundervihet qytetarise. Paragjykimin qe lexon tek Xha xhai e solle me vete se ketu nuk e gjete.

      1. Shkruan:

        “Me lodh fakti qe per cdo shkrim per katundarine duhet vene disclaimer qe behet fjale per mentalitetin dhe jo perkatesine geografike.” Pyetje: ku e sheh ti qe une po flas per perkatesine gjeografike dhe jo per mentalitetin? Une kam folur per fenomene dhe kategori, te cilat i ke te gjitha me perkatesi gjeografike mu brenda ne Tirane.

        Gjithsesi qe te jesh dhe ti i sqaruar, kur kam permendur kategorine e katundarit me lart une kam pasur parasysh perkufizimet qe Xha Xhai ka dhene ne nje shkrim te paradokohshem, “Te ardhur e te ikur”. Ja tek i ke, te cituara:

        “qytetari e përdor termin për t’iu referuar dikujt me të cilin jep e merr, në jetën e përditshme ose në virtualitetin publik; çka do të thotë se, në shumë nga këto kontekste, bëhet fjalë për një katundar në qytet. Ose një katundar që ka ikur nga katundi, ose nga habitati i vet social.”

        “Rezervojmë kështu të drejtën që t’i identifikojmë këta njerëz nga vendi ku supozohet se kanë jetuar dikur, ata ose edhe të parët e tyre; jo nga vendi ku jetojnë tani.”

        Une nuk kam si flas per nje teme pa rene dakord per termat. Nisur nga keto terma, une nuk kam gjetur paragjykim, sic thua ti, por keqaplikim te termit. Ndaj mos me thuaj se e paskam sjelle une paragjykimin! Nuk qendron.

      2. Atehere quaje gango, halabak, qelbash, gdhe, harbut, etj. etj. Fjalori te ofron shume mundesi, qe nuk kane nevoje per “disclaimer”. Pse u dashka te perdoresh doemos “fshatar”?
        Apo mos do te thuash se epiteti “fshatar” i permbledh te gjitha keto kuptime?

          1. Ah, gabimi im; ne fakt fjala ishte “katundar” dhe jo “fshatar”. Po thelbi nuk ndryshon. Pak a shume jane sinonime.

            1. Jo, nuk janë, në kontekstin tonë; dhe nuk mund të jenë. Madje krejt argumenti im mbështetet në dallimin mes tyre. Relapso, të lutem trego pak kujdes me këto komente, sepse gjakrat janë të nxehura dhe shumë vizitorë (ca edhe krejt të paftuar) në blog lexojnë atë që duan të lexojnë, jo atë që kam shkruar unë.

              Ti duhet ta mbash mend mirë shkrimin tjetër timin “Të ardhur e të ikur“, ku edhe more pjesë me të paktën 13 komente. Më vjen keq që ta them këtë, por pikërisht ngaqë e vlerësoj IQ-në tënde, ti këtë ngatërresë të katundarit me fshatarin je duke e bërë me qëllim për të turbulluar ujërat.

              Dhe më vjen keq që e bën këtë – nëse nuk të pëlqen pozicioni im ndaj temës, mund të më kundërvihesh hapur dhe pa mëshirë; por kështu dinakërisht nuk shkon. Unë nuk mund të kaloj gjithë ditën duke higjienizuar shkarje të tilla të intelektit, reale dhe të stisura.

            2. Xha Xha, ngaterresen nuk e bera me qellim. Ishte thjesht lapsus.

              Dallimi semantik qe ti ke vene re me te drejte ne shkrimin e meparshem, vertet ekziston, por nuk eshte i stabilizuar dhe i leksikalizuar plotesisht. Per aq sa mund te vleje, kete e deshmojne dhe fjaloret shpjegues te shqipes ku kuptimi yt metaforik (i pagdhendur, i paqyteteruar) nuk eshte perfshire fare.

              Dallimi semantik mund te vleje per disa perdorues te standardit, por jo per disa te tjere. Ne kuptimin e pare, pra ne ate te vendbanimit, dallimi eshte vetem dialektor. Ne toskerisht mbizoteron “fshat/fshatar”, ndersa ne gegerisht eshte “katun/katunar”.

              Tani une kontekstin e kuptoj fare mire edhe jam i bindur se ti e perdor pa asnje qellim fyes a denigrues. Veçse kam pershtypjen se ti i drejtohesh nje publiku qe e identifikon me veten, pra nje publiku “qytetar” ne kuptimin e pare te fjales. Nuk mendon se blogu mund te kete lexues qe nuk jane nga Tirana, por banojne ende ne katundet dhe fshatrat e Shqiperise. Te jesh i bindur pra, se per ata fjala tingellon keq. Banoret e fshatrave dhe katundeve tona e quajne veten fshatare dhe katunare. Nuk kane fjale te tjera ne dispozicion.

              Mendo per nje moment sikur te te ftoje ndonje i njohur a miku yt, aktualisht drejtor i nje shkolle te mesme ne nje katund afer Tiranes, te besh nje takim me nxenesit si autor per te diskutuar ndonje liber tendin dhe ti ta pranosh ftesen. Besoj se je dakord me mua se ne ate mjedis perdorimi metaforik i fjales tingellon shume keq. Po ata nxenes mund te jene fare mire lexues te blogut dhe fakti qe ti nuk i ke perpara dhe nuk ua shikon fytyrat nuk e ndryshon faktin qe atyre fjala prape u tingellon keq.

              Para ca kohesh lexova ne shtyp nje artikull qe terhiqte vemendjen per mosperdorimin e etnonimit “çifut”, qe ne shqipe ka pasur edhe disa kuptime metaforike fyese dhe denigruese. Kjo per te mos fyer hebrenjte.

              Nga njera ane kujdesemi, me te drejte, te mos fyejme popullin izraelit qe tek e fundit nuk eshte se ra permbys pas gazetave tona, ndersa nga ana tjeter nuk e kemi kete ndjeshmeri per nje pjese te mire te popullsise shqiptare.

              Te gjitha nderhyrjet e mia (paskan qene 13) ne shkrimin e meparshem e kane vene theksin ne nje problem ngushtesisht leksiko-semantikor, qe sipas meje krijon probleme komunikimi ne rrafsh sociologjik.

              Perndryshe jam dakord plotesisht me pozicionin tend ndaj temes.

              Me vjen keq qe jo vetem nuk me kupton, por edhe me fyen.

    2. Unё i ndjek prej vitesh shkrimet e Xha Xhait, dhe nisur nga pozitat individualiste qё shoh tё pёrzgjidhen kёtu pёr tё cituar atё qё ka shkruar pёr katundarinё, po sjell pёrvojёn time, me njё sёrё shkrimesh ku theksohet pikёrisht njё mentalitet i caktuar nё pёrcaktimin e katundarisё, ose jo. Kёshtu shkrimi “GEGË, TOSKË DHE KATUNDARË”,“GETO DHE KUNDËRGETO” sa pёr tё bёrё ndonjё shembull. Ose tё ilustruar me njё paragraf:

      “Pavarësisht nga format që merr dhe pozimet që bën para kamerave, katundaria nuk është funksion i gjeografisë, por më tepër një gjendje e mendjes, ose produkt i paaftësisë për të menduar në mënyrë qytetare, ose për të kapërcyer barrierat artificiale që ekzistojnë për shkak të varfërisë, padijes dhe frikës ndaj modernitetit.”

      Nga ana tjetёr termi katundar mё tingёllon disi mё i rrёnjosur nё gjuhёn dhe kulturёn tonё se sa termi gangster, i marrё borxh nga kontekste kulturore cik tё ndryshme nga tonat. Dhe sidomos tё ndryshёm nga konteksti pёr tё cilёn flitet nё kёtё shkrim.

      Mё shumё se me fenomenin urban dhe mafjozllёkun e origjinuar nё Amerikё, e jo nё diktaturё, fenomeni mё lart ka tё bёjё pikёrisht me katundarinё e marrё me vete dhe tё imponuar nё hapёsirёn (dikur) qytetare. Dhe besoj se ёshtё mёse e provuar pёr shumё prej nesh mbivendosja e katundarisё nё shkallё tё gjerё, dhe degjenerimi i asaj pak hapёsire urbane tё mbetur, pёr tё pёrcaktuar pёrparёsinё sasiore e cilёsore qё e para ka marrё mbi tё dytёn nё shoqёrinё shqiptare.

      Pёr mё tepёr, nuk mё duket fare se kemi tё bёjmё me kontingjent aktiv nё kohё fushate, por me kontingjent aktiv nё vite, qё siç Xha Xhai kujdeset tё kontekstualizojё, ёshtё mёse i familjarizuar me praktika tё “xanies” abuzive, tё pasndjekur nga legalizimi po aq abuziv sa institucionet iniciatore e implementuese. I cili legalizim i njeh zhvillimet mё tё rёndёsishme duke filluar pikёrisht nga 2005, ky vit elektoral aspak rastёsor, tha.

      E “xanun” pra, mё shumё se sa aksionit tё tanishёm elektoral, i referohet njё kulture edhe politike, jo qytetare, anti sociale e anti institucionale, tё kultivuar me vendosmёri nё vite, e pёrkatёsisht nё 8 vitet e fundit. Ndaj dhe e gjej pa vend metodёn e shpёrndarjes sё vёmendjes te gangsterёt, pёr tё devijuar nga elefantёt e katundarisё mes tonё, po aq sa tё metodёs sё pёrqendrimit kohor nё periudhё zgjedhore, kur qartёsisht fenomeni ёshtё kthyer nё sistem, pёrditshmёri, e palcё kurrizore tё kёsaj shoqёrie.

      Se dikush preferon tё ndalojё tё gangsteri thjesht se i ёshtё dukur me fancy ta rendisё sipas mendjes tё parin gangsterin nё njё listё imagjinare e tёrёsisht subjektive (ose tё tjera arsye pa lidhje me temёn), kjo nuk e bёn mё pak tё duhur zgjedhjen e Xha Xhait pёr tё ndaluar tё katundaria. Mbase do tё kemi rast tё lexojmё edhe pёr gangsterizmin njё nga kёto ditё.

      Kur dhe nёse do t’i vijё dita.

      1. Forma Mentis, rrofsh per prurjen e dy shkrimeve. U nisa ta bej vete sot ne mengjes dhe u dorezova nga pamundesia per te perfaqesuar drejt larshmerine e mendimit mbi kete teme.

        Cdo dite e me shume bindem se lexuesit duhet te bejne nje stazh 6 mujor para se te angazhohen si komentues. Ne te pakten, do na duhet te krijojme nje faqe ku shkurtimish prezantohen qendrimet kryesore si dhe shkrimet kyce.

        Qe te jem brenda temes: sot hasa ne nje foto te shkrepur nga Sokol Shameti qe perseri ilustron katundarllekun alla nouveau riche qe sikur te mos ofendonte ne vetvete, kthen dhe trotuarin ne toke te ‘xanun’.

        https://www.facebook.com/photo.php?fbid=10101502484500970&set=a.742755001020.2373009.15928264&type=1&theater

        1. Faleminderit juve qё kultivoni e mirёmbani me pёrkushtim kёtё hapёsirё kaq tё domosdoshme pёr tё gjithё ne, Parrulla. Mё (na) mbetet veç tё kontribuoj(mё) pёr jetёgjatёsinё sa mё cilёsore tё saj, tё paktёn si komentues. Mё duket minimumi.

  3. Ndryshe nga katundari, akti i mesiperm eshte respektimi me i hapur dhe i drejtperdrejt i normave qe ekzistojne ne vend!

    Kur politika dhe perkatesija politike eshte ajo qe vendos cdo aspekt te jetes ditore, atehere kthimi i targave ne parrulla politike eshte akti me i larte i konformimit me standartet aktuale ligjore dhe shoqerore.

  4. nuk jam mjeshter fotografie, por po ta zmadhosh e ta krahasosh me pixel-at e pjeses tjeter te targes, parrulla duket me e qarte sesa duhet te ishte, ndoshta Meros i ka shkrepur ne koke te punoj me photoshop…

    por dukuria eshte shqetesuese, mjafton te numerosh flamujt neper shtepite dhe kupton harten e shtepive te ndertuara pa leje, ose ta makinave pa targa e dokumentacion… sidomos nga Kamza.. njeher gazetare te Top-it kane ardhur nga Saranda ne Tirane me flamuj e trompeta e pa targa … kuptohet qe deklarimi i perkatesise partiake sherben si mburroje ndaj ligjit

    por une nuk do ta interpretoja vetem ne kete menyre… gjate euforise krijohen hapesira te lira qe i nuk i neshtrohen normave ligjore e sociale, si p.sh. ne stadiume gjate fitoreve apo humbjeve te medha.. keto jane momente qe turma ngerthehet nga pasioni dhe emocioni e logjika nenrenditet, se bashku me nenshtrimin ndaj ligjit… eshte thjeshte nje eufori (ndoshta e shtirur apo e instrumentalizuar)

    1. Në fakt, Tema botonte dy foto të ndryshme, siç mund të kuptohet nga pozicioni i ndryshuar i makinave të tjera në trafik.

      E kontrollova me kujdes targën, duke e krahasuar në të dy fotot – nuk pashë gjë të dyshimtë. Vërtet teksti në adeziv është pak si shumë i qartë, por nganjëherë kamerat i rregullojnë vetë këto punë.

      Nëse ka pasur “foul play” kjo është bërë me inskenim, ose thjesht duke ngjitur një adeziv mbi targën e një veture çfarëdo. Por unë kësaj gjase nuk do t’i jepja më shumë se 5%.

      Realiteti në Tiranë ia kalon photoshop-it.

    2. Kapedan,

      Jam dakord me sa thua për euforinë dhe hapësirat “karnevaleske”, të cilat konfigurohen pikërisht mbi bazën e sfidës ndaj normave ekzistuese.

      Por, vend për eufori ende nuk ka, sepse nuk ka fituar kush gjë; dhe pastaj, edhe mënyra konkrete si shfaqet euforia është domethënëse: dikush mund të zhvishet lakuriq, një tjetër të puthë policin, një i tretë të ulërijë, një i katërt t’ia vërë zjarrin makinës së vet (me gjithë targë, doemos).

  5. Qe Mero mund ta kete bere me photoshop, kjo nuk perjashtohet, por edhe sikur te jete ashtu, pra edhe sikur kjo foto te mos jete “e vertete”, ajo mbetet prapeseprape “e njemendet”. [Per sqarim, i referohem dikotomise se njohur Manzoniane “E vertete/e njemendet” (vero / verosimile).]

    Episode te tilla, madje edhe me te renda, gjate fushatave kemi pare shpesh ne Shqiperi.
    E ku ka polic ta ndaloje e ta gjobise shoferin e kesaj makine? Madje ajo targe e mbron pronarin e makines, se paku gjate fushates, nga ndalimet dhe kontrollet e bezdisshme te policise shqiptare.

  6. Ne fushata ka ndodhur shpesh ky fenomen , pavaresisht fotos se mesiperme qe mendoj se nuk ka nevoje per t’u marre me te, por me ngrefosjen e disave qe mezi e presin kete turbullire edhe per kapardisje edhe per te bere ndonje pune te piste, ngaqe policat pergjithesisht keta ‘jashtetokesor’ i pershendesin e jo t’i ndalojne e kontrollojne.

    Meqenese makina ne foto eshte mjaft e mire kam merak mos ka zbatuar praktiken amerikane, qe ne vend te targes pas shkruajne emra, kurse para e kane te rregullte.

    Analiza e xhaxhait qendron plotesisht , anipse kush ka qene shtysa per te. Shoqeria shqiptare ka nevoje per t’u civilizuar ashtu sic kane nevoje shteti dhe pushtetet per te njejten gje. Katundari gjen pa bene…

  7. Me duket se Magus, flet per “te fortet”, qe eshte nje kategori qytetaresh, qe kane ekzistuar historikisht, gjithmone edhe ne ambjentet e qyteteve, on the fringe of the society, bile edhe ne kohen e monizmit.

    Nese ato perfaqesojne gangsterizmim shqiptar, kjo eshte teme e hapur.

    Kete grup individesh e kane shfrytezuar politikisht te dy krahet, jane ate qe i kemi pare edhe rreth politikaneve me kallashnikove qe luanin rolin e rojeve, besnikeve, vendosesve te ligjit e regullit, bodigardeve ne momente trazirash sic ishte 1997.

    Partite mbajne sidomos ne periudha zgjedhjesh njerez te tille, si besnike dhe njerez te forte qe shetisim me vetura, flamuj partiak dhe kallashnikove kercenues.

    Disa jane kthyer ne legjenda urbane si Xan Caushi, Altin Dardha, etj. Mbahen afer per aq kohe sa duhen; kur nuk duhen i thuhet te behen te padukshem, i jepet nje vize, perfundojne burgjeve apo vriten ne rrethana te ndryshme.

    Besoj se keshtu duhet pare nderhyrja e Magusit. Eshte me shume shfaqje e njerezve si “te fortet” e qyteteve, qe gjithmone jane kontigjente te forces fizike elektorale; per mua jane “njerez pa targa”, sepse targat jane lehtesisht te manipulueshme dhe ne sherbimin te militantizmit partiak.

    1. Këta të fortë të qyteteve – përshtypja ime – vijnë shpesh nga zonat ku qyteti vjen e shkërmoqet në përplasje me joqytetin, si periferitë e banuara më tepër nga të ardhur rishtas ose njerëz të çrrënjosur (déracinés).

      Ka edhe qyteti të fortët e vet, por këta i manifestohen ndryshe, në mënyra dhe në mjedise të tjera. Përndryshe, gangsterët – dhe jo vetëm në Shqipëri – i gjen deri në krye të pushteteve dhe të hierarkive; por tani po flasim për atë lloj gangsteri që e mbulon targën e makinës me një glasë partiake.

  8. Nuk mund te flas e te bej anatomine e “te forteve” te sotem. Eksperienca ime lidhet me “te fortet” e dikurshem. Kishte dy llojesh. Lloji i pare, qe sfidonin kohen, qe mbanin floket e gjate, visheshin sipas modes, kishin dashnore ekstravagande, kishin nje lloj “codice d’onore”, marreshin me kontrabande e matrapazlliqe te vogela, merrnin ne patronazh qetesine e lagjes, e kur futeshin ne zenka fizike kishin kauzat e tyre “qytetare”, shfaqnin nje lloj rebelizmi anarkist, etj.

    Kishte edhe disa te tjere “te forte”, hajdute ordinere, vjedhes xhepash, qe nuk lenin vajze pa ngacmuar e njeri pa kercenuar, hundleshe psikopate, qe i kishin dhene provat duke u rritur kur mbysnin e torturonin per kenaqesi macet e qente qe gjenin ne ujrat e Lanes. Ky lloj perdorej edhe si kontigjent spiunesh ordinere dhe zhdukeshin here pas here me mision, futeshin birucave me deshire per te perpunuar te akuzuarit e ndryshem.

    Une i kam njohur si bashkeqyetare te mi ne lagjet e qendres te kryeqytetit. Disa edhe si shoke femijerije.

  9. Me tingellojne te njohura, Read me, pervojat qe ke pershkruar ne lidhje me “te fortet”, ndonese si cdo specie tjeter sociale edhe keta tipa kane evoluar shume gjate tranzicionit, ku hyrja e parase ne loje i ka rafinuar njerezit e te gjitha llojeve. Por, cka eshte e rendesishme te kuptohet ne kete mes, eshte ana e erret e qytetit, gje te cilen qyteti historikisht e ka gjeneruar vete, vecmas fshatit. Qytetaria bashkjeton me mungesen e qytetarise, mungese e cila konsiston ne nje spekter sjelljesh, motivesh, e karakteresh. Me duket se katundaria, si e tille, pra sjellja jo prej qytetari e te ardhurve nga zonat rurale ne qytet, eshte vetem njera nga llojet e mungeses se qytetarise. Veshtrimi metonimik mbi katundarine, ku pjesa (katundaria) qendron per te teren (shumellojshmerine e mosqytetarise), e redukton spektrin e mosqytetarise ne nje dikotomi thjeshtezuese (“simplistic”): katundar/qytetar. Nga menyra si u zhvillua diskutimi ketu kuptoj se ky reduktim eshte me baza politike. Dhe politikisht kane kuptim edhe nderhyrjet e disave me lart qe qartazi po me thoshin se une duhet te hesht. Meqenese une vete u nisa te flas llogjikisht, e jo politikisht, me duhet t’ia degjoj fjalen.

    1. Atehere ke evoluar ne nje homo economicus, por nuk je larg politikes edhe ne kete stad, sic gjithmone me kujton nje i imi qe i kane mbetur disa citime nga ekonomia politike qe mesonim dikur.

      Ekonomia eshte shprehje e perqendruar e politikes – thenie qe i atribohet Marksit.

      1. Shkruan:

        Ekonomia eshte shprehje e perqendruar e politikes – thenie qe i atribohet Marksit.

        Atëherë i bie që Lenini ta ketë kthyer Marksin kokëposhtë, kur ka thënë:

        Politika është shprehje e përqendruar e ekonomisë.

        Si s’u lodhën një herë këta hegelianët, xhanëm, duke kthyer njëri-tjetrin kokëposhtë 🙂

        1. E bukur batuta Xha Xha. Seriozisht e kam; kam nje njeriun tim qe kur dalim te bejme pazaret bashke, kujton kohen e ekonomise shqiptare dikur, me nxjerr kuleten dhe sa here pagon me permend anapulla shprehjen si atribut te Marksit.

          Une gjithmone jam perpjekur te kuptoj perkthimim shqiptar te llogjikes leniniste, semantiken e “shprehje e perqendruar”, por as edhe nje profesor dikur, nuk me ka dhene nje pergjigje te shterueshme se cdo te thote shprehja ne fjale.

          Lenini citohet te kete thene: Political institutions are a superstructure resting on an economic foundation.

          1. E gjeta quoten ne fjale:

            This is a glaring theoretical error. I said again in my speech that politics is a concentrated expression of economics, because I had earlier heard my “political” approach rebuked in a manner which is inconsistent and inadmissible for a Marxist. Politics must take precedence over economics. To argue otherwise is to forget the ABC of Marxism.

            Am I wrong in my political appraisal? If you think so, say it and prove it. But you forget the ABC of Marxism when you say (or imply) that the political approach is equivalent to the “economic”, and that you can take “the one and the other”.

  10. Magus shkrimi i Xha Xhait eshte bazuar ne nje perqasje te caktuar.

    Une e kuptoj Xha Xhain, ai ka meriten te trajtoje tema qe jane pikante dhe sinjifikante ne ligjerimim publik sot ne Shqiperi. Nuk shoh qe ta beje njeri tjeter me kaq perkushtim sa Xha Xhai.

    Ai ka edhe meriten tjeter, ne saje te talentit. per te artikulluar estetikisht, me nivel ligjerimi te nje mendimtari, perqasjet e veta, duke krijuar nje audience te larmishme.

    Ai nuk i ka fshehur animet e tij, por nese eshte majtas apo djathtas, pak rendesi ka. Ai i ka lene hapsire te lire te gjitha kaheve, per aq kohe sa pjesemarrja eshte brenda kodit qytetar te ligjerimit publik. Kjo cilese e tij shkelqen mbi te gjitha. Kjo na ka dhene mundesi te shprehemi te gjithe ne te tjeret si komentues apo autore.

    Vetem me perjashtime, Xha Xhait mund t’i kene shpetuar komente denigruese, te personalizuara, ad hominem, nga anonime te shpifur qe mbine here pas here ne PTF. Por puna edhe e moderatorit ka edhe veshtiresite e veta.

    Ne konceptin katundar/fshatar vihet re dicka. Origjina e fjales peasant/paesano/paysan vjen nga frengjishtja, qe do te thote dikush qe eshte nga fshati, nga “pays”, “paese”, provinca, zona rurale, etj.

    Eshte karakteristike e vendeve ku mbizoteron popullsia e fshatit sic jane vendet si Kina, Rusia, India, qe ne vend te fjales fermere te perdoret fjala peasant/fshatar/katundar. Kjo mendoj sepse shumica e popullsise qe jeton ne fshat ka marredhenie jo pronesie me token, jane argate.

    Kurse ne vendet e tjera si ShBA, Kanada, Evrope Perendimore, popullsia e mbetur ne zonat rurale ka marredhenie pronesie me token, quhen fermere. Perdorimi i fjales peasant/fshatar/katundar eshte me shume si derogativ/percmues. Ka shume kohe qe nuk perdoret per te treguar dike qe banon ne fshat, por me shume qe origjinon nga fshati.

    Desha te shtoja nje interpretim interesant nga fjalori urban qe mendoj se ka aplikim universal ne perdorimim e sotem te fjales fshatar/katundar.

    Peasant/fshatar/katundar – Nje individ qe dallohet per patetizmin e tij, me te ardhura modeste, qe tenton te zmadhoje/fryje statusin e tij social duke blere mallra/sende/objekte (materiale) qe i sheh ne perdorim/zoterim te njerezve me ne gjendje/me te pasur – por qe e identifikojne menjehere si fshatar nga perpjekjet per bere dicka te tille(per te imituar).

    Fshataret/katundaret shpesh perpiqen te blene/te vihen ne zoterim te sendeve si cantat Louis Vutton, varianteve te lira te BMW dhe Jaguar, diamanteve te medhenj (qe bien ne sy), por te nje cilesie te ulet, varianteve me te reja te celulareve, syzeve trendi te diellit, rezervime tavolinash ne lokale ku sherbehen shishe pijesh te zgjedhura e te shtrenjta.

    Eshte karakteristike, tipike, qe individeve te tille t’i mungoje arsimimi apo botekuptimi gjithepershires qe krijohet si pasoje e ekspozimit global(karshi botes) per te kuptuar se ngjajne vecse me disa mashtrues te vegjel ne syte e atyre qe jane aq ne gjendje/te pasur, qe lehtesisht mund t’i shijojme aspekte te tilla materiale.

    Ky eshte nje aspekt tjeter i katundarise/fshataresise, mungeses te qytetarise karakteristike shume e dukeshme e tranzicioneve sociale, perfshire edhe “nouveau riches”.

    Por katundaria/fshatarsia mund te jetoje tek cdo individ edhe pas eksperiencave te gjata ne jete edhe ne qendra urbane, dhe qe shprehet me shprehi jo qytetare, si hedhja e mbeturinave nga dritaret e apartamenteve, apo mbajtja e rrangullinave ne sheshpushimet e pallateve, etj.

    Ka edhe forma te tilla, qe mbeten me ju, pavarsisht ekspozimit te gjate neper bote. Konica pervecse ishte nje lloj hundeleshi, qe perdorte llo-lloj pseudonimesh per te denigruar, per t’i lene fre te lire inateve personale, kur nuk i puqej me individe te vecante, nder to edhe vete Ismail Qemalin, kur tentuan te bashkepunojne ne Albania per nje kohe te shkurter, kalonte ne sharja inatcore personale.

    Per njerezit qe e njihnin nga afer, zakoni me fshatar kishte mbetur me te kur peshtynte pa te keq ne rruget e Nju Jorkut. Do ta kete bere edhe ne Paris, Vjene, apo Londer.

    Me kete desha te them se ka dicka fshatare/katundare qe mbetet, trashegohet si reciviste ne secilin nga ne.

    Kerkoj ndjese e mirekuptim per kete nderhyrje kaq te gjate. 🙂

    1. Une e gjej blogun ne nivel te larte te ligjerimit, Read Me, ndaj edhe kam nisur ta frekuentoj prej pak kohesh. Mendoj se nderhyrja me nje kunderargument ne lidhje me argumentin e nje teme ketu eshte brenda respektit per shkruesin e artikullit. Por, po ashtu, behet dhe ne respekt per veten time si lexues. Nuk kam shprehur asnje lloj mospelqimi per administrimin e blogut, nga ana tjeter. S’kam perse.

      Ne lidhje me temen, me duhet te te them se shembulli qe ke dhene per njerez qe sillen si “nouveau riches” eshte deri diku i nje natyre estetike. Sjellja e “njeriut te targes” me lart eshte ceshtje etike/civile. Kjo eshte pershtypja ime, por jam koshient se jane gjera te diskutueshme rast pas rasti (hedhja e plehrave nga ballkoni eshte sa thyerje e estetikes aq edhe e etikes komunitare; rezervimi i tavolinave ne lokale te shtrenjta nuk eshte thyerje e etikes, por ceshtje shijesh).

      Sa per shembullin me Konicen, nuk e fsheh se me ben pershtypje se pse ti e karakterizon leshimin e gojes nga ana e tij si manifestim te “katundarise”. Mendoj se keto shkarje te tij jane te nje natyre morale, e kjo eshte nje gje qe mund t’u ndodhe potencialisht si katundareve ashtu dhe qytetareve. Kur ti merr dicka morale/etike dhe e identifikon krejtesisht me katundarine, ti krijon iluzionin e rreme se qytetari eshte automatikisht nje qenie morale superiore. Me duket e tepert te them se ke shume qytetare te mirefillte qe shkasin moralisht, madje, me raste, edhe me teper se te ardhurit rishtaz ne qytet.

      Nese nuk e perkufizojme sakte kategorine “katundar” rrezikojme shpartallimin e termit. Me fjale te tjera, mund te quajme “katundar” edhe halabakun, edhe shkelesit e rendomte te ligjit, edhe komshiun me pak inteligjent se ne, edhe qytetarin qe ngre zerin ne telefon gjate udhetimit me autobuzin e linjes Tirana e re etj.; edhe kedo tjeter qe per arsye te ndryshme nuk na pelqen.
      Pervec padrejtesise se bartur ne aplikime te tilla te termit, per shkak te arbitraritetit qe vetvetiu sjell nje praktike e tille, vihet teresisht ne dyshim edhe qellimi qyteterues i kesaj strategjie. Nje term i perdorur ne menyre
      “all-purpose” humbet kuptimin. Behet nje fjale pa efikasitet, nje fjale ne ere. Ashtu pastaj i bie qe te gjithe jane katundare, shumicen e kohes! (Po e egzagjeroj llogjiken per efekt theksimi te idese, e jo se mendoj se kjo eshte cfare ti po thua/synon konkretisht).

      1. Magus, për të mos krijuar keqkuptime, me evidentimin e meritave të blogut, desha thjesht të inkurajoja për tu bërë pjesë aktive e debatit, temave, që zakonisht iniciohet nga Xha Xhai. Kjo edhe kur mendimi, opinioni juaj nuk përputhet, apo kur shkon ndesh me idetë që prezantohen. Kështu ishte edhe rasti i fundit për një dikotomi ndryshe për “njeriun me targë”, për çka ndërhyra edhe unë.

        Përsiatja ime rreth termit katundar/fshatar, ishte një shtesë në vazhdën e diskutimit në blog këto kohë. Ishte thjesht një përkthim nga fjalori urban, dhe mua më ngjan se reflektohen vërtet disa aspekte universale që ilustrojnë edhe sjelljet që konsiderohen fshatare/katundare.

        Diferenca midis termit qytetar dhe katundar/fshatar rrjedh nga mentalitetet e ndryshme të formuara në rrethana dhe ambiente historike të ndryshme. Pasojë e te cilave janë edhe ato që quhen “social habits or mores” / zakone apo sjellje sociale të krijuara me kohë, që sigurisht janë pjesë e kodit/moralit të një shoqërie.

        Shembulli i Konicës u soll se, të pështynit në ambiente publike është një “social habit”, zakon i dënueshëm për një shoqëri urbane, qytetare. Zakonisht, në shoqëritë bujqësore, rurale, të pështynit, të shfrynit e hundëve, ishin/janë “mores” të pranueshme, më se normale, nuk janë të dënueshme dhe ofenduese.

        Konica nuk e krijoi zakonin në pleqëri, por e solli ndoshta nga fëmijëria e tij në Konicë. Në se viziton ndonjëherë Shangain apo Pekinin, apo të vizitosh një China Town të çdo qendre të madhe perëndimore, do të dallosh që zakonet që përmenda më parë, i kanë si sporte kombëtare, që të nxjerrin barkun nga vendi. Kjo shpjegohet me dyndjen e vonshme në qendra të tilla të popullsive rurale dhe shumë të varfra. Kurse në vendet evropiane, veçanërisht në Angli, këto shkojnë ndesh me “mores” si shenja qytetarie dhe civilizimi.

        Nuk e di nëse duke bërë këtë sqarim të vogël, arrita të ndaloj derdhjet e panevojshme, përgjithësimet që nuk i tentova, nga pellgu i vogël i përsiatjeve te mija të mëparshme.

        Se fundi Magus, mua më dukesh një pendë interesante, ndryshe dhe inkuizitive, që pasuron larminë e kontributeve në blog.

        1. Me ate qe thashe per “leshimin e gojes” nga ana e Konices po i referohesha asaj qe ti tregove per shfrimin nga ana e tij e inatit dhe kalimin ne sharje personale. Kete e quajta “shkarje morale”, Ndersa te peshtyrit pertoke sigurisht qe perben nje ves bajat. Zakonet shoqerore, ashtu si edhe ligjet, jane shume te rendesishme ne jeten e qytetit, sigurisht.

          Falemnderit per biseden dhe dashamiresine.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin