KONTROLLORËT E DIJES

Një kritikë që po e dëgjoj gjithnjë e më shpesh: “ku i ke gjetur këto të dhëna: në Wiki?”… ose “nga Wiki e ke marrë këtë shembull?”

Si përdorues interneti që i marr shpesh të dhënat nga Wiki, ndihem drejtpërdrejt i prekur nga kjo kritikë.

Për shembull, Wiki më hyn në punë, po të më duhet një përshkrim ose një instancë e një ndërtimi gjuhësor të quajtur “pafajësia ergative e kulluar” në hollandishte (Ik ben mijn boek vergeten).

Ose po të më duhet imazhi i një bankënote shqiptare, ose laosiane.

Nga vjen një kritikë e tillë?

Vështirë t’i japësh përgjigje kësaj pyetjeje; sepse jetojmë në epokën e kritikave anonime; ose të maskuara si zëra nga salla, ose mishërime hipokrite të common sense-it.

Gjithsesi, mua që jam marrë dhe merrem profesionalisht me gjuhësi, po të më duhej një shembull i aoristit ose i dëshirores në shqipe nuk do të shkoja ta merrja në Wiki.

Prandaj kam të drejtë të mendoj se kritika më lart është legjitime kur bëhet nga profesionistët.

Por legjitimiteti nuk e bën automatikisht të pranueshme.

Nëse unë gjuhëtari nesër ndesh në një autor që, duke folur për dëshiroren në shqipe, e nxjerr shembullin nga artikulli përkatës në Wiki, kjo nuk më shqetëson asfare.

Madje sikur ai artikull të ketë gabime – siç kanë shpesh artikujt në Wiki-n shqip – për këtë do të ndihesha pak përgjegjës unë vetë, që nuk kam kontribuar sadopak për t’ia ndrequr gabimet.

Prandaj, kritikat ndaj përdoruesve të Wiki-t unë prirem t’i shoh, në parim, si kritika që vijnë prej kujt ndihet pronar i dijeve të veta; ose që e përjeton ekspertizën e vet si të mbrojtur me të drejta autori ose me patentë.

Si model i komunikimit të dijes, Wiki i kundërvihet sistemit të vjetër, të pronës dhe të autoritetit, duke e zëvendësuar me forma të hapura për këdo.

Në këto rrethana, problem nuk është përdorimi i Wiki-t në vetvete, por aftësitë kritike të përdoruesit.

Një person, bie fjala, që interesohet të dijë për çështjen e Kosovës, nuk mund të mbështetet për këtë në informacionin e faqes serbe në Wiki; por do të kërkojë patjetër konfirmim të çka gjen aty, duke e krahasuar me faqen shqiptare, ose me burime të treta.

Për t’iu kthyer shembullit tim: nëse unë interesohem për ergativin në hollandishte, mirë është që ta kem një ide se çfarë është ergativi në gramatikë.

Nga ana tjetër e kuptoj se dikush do të shkojë në Wiki deri edhe për të parë se çfarë është gramatika pikërisht – një çështje më e ndërlikuar se ç’mund të duket.

Një takëm ekspertësh ndihen të rrezikuar nga ky model i hapur i komunikimit; sepse këta ekspertë e kanë themeluar pushtetin e tyre mbi monopolin ndaj dijes së përpunuar.

Të marrim, bie fjala, një person që ka marrë një master në psikoterapi, në një universitet prestigjioz të SHBA, dhe tani ka hapur një studio private në Tiranë, për të ushtruar zanatin.

Të supozojmë edhe se ky psikoterapeut do të rrudhë hundët sa herë që sheh të përmenden, në mediat, emra të tillë si Freud, Jung, Lacan ose koncepte të tilla si transferencë, super-ego, kryeshenjues; nga autorë dhe publicistë që nuk janë psikoterapeutë profesionistë.

Si guxojnë këta, do të thotë eksperti. Çfarë dinë këta nga Freud-i dhe nga Jung-u? Çfarë i kanë kuptuar këta Lacan-it?

E kështu me radhë.

Zemërimi i këtij eksperti është ekuivalenti intelektual i fermerit që të lëshon qenin, kur ia shkel arën me misër.

Këtu mund të pyesim: a flasim dot për Freud-in dhe Lacan-in, pa pasur një diplomë në psikoterapi ose, fundja, edhe në filozofi?

Këtu mund gjithashtu të pyesim: ç’lidhje ka kjo xhelozi e ekspertit për “pronën” e vet me Wiki-n?

Lidhja, për mua, ka të bëjë me faktin që Wiki ofron një sistem praktik për verifikimin e dijeve. Kështu, deri dje, pakkush në Perëndim e dinte se ç’kuptim kishte ndërtesa me tri kulla, në flamurin e Kamboxhias.

Me përjashtim të pak ekspertëve të historisë dhe të simbologjisë së Indokinës, në katedrat përkatëse; ose ndonjë koleksionisti flamujsh dhe ndonjë indokinezi vetë.

Sot, përkundrazi, mjafton një klik në Wiki, për të mësuar se është fjala për një tempull – më parë hindu pastaj budist – të quajtur Angkor Wat.

Për ta gjetur këtë informacion, mjafton të dish ose të paktën të dyshosh se ndërtesa me tri kulla gjendet në flamurin kamboxhian, jo në atë laosian ose malgash.

Përndryshe, përsëri në Wiki, mund të kërkosh një katalog të flamurëve, për ta identifikuar atë që kërkon, me ndërtesën në mes, ose luanin me shpatë e kështu me radhë.

Shembulli është trivial; por mjafton për të ilustruar se si Wiki ndihmon për t’i mbajtur qytetarët të informuar.

Dhe jo rrallë, madje më shpesh se ç’mund të kujtohet, qytetari i informuar është tmerri i ekspertit, sepse ia kufizon këtij arbitraritetin dhe arrogancën.

Le të marrim një çështje të nxehtë të këtyre javëve të fundit: rrezikun që një procedurë diagnostike, e njohur si CT Scan, të shkaktojë kancer në të sëmurët me të cilët përdoret.

Kështu, fabrikantët e makinave që i kryejnë këto procedura dhe klinikat që i blejnë dhe i përdorin këto makina, nuk kanë interes që publiku të informohet, bie fjala, se gjatë një CT Scan-i të vetëm pacienti ekspozohet ndaj një rrezatimi të barabartë me 100-600 radiografi të zakonshme (ose që të bësh një CT Scan të vetëm është si të jesh ndodhur 1.5 milje larg shpërthimit atomik në Hiroshima).

Këtu është për t’u pasur parasysh, ndër të tjera: (1) CT Scans janë ndonjëherë absolutisht të domosdoshme dhe të pazëvendësueshme, madje shpëtojnë jetë; (2) CT Scans rekomandohen ndonjëherë pa nevojë, për arsye legale (mjekë që duan të mbrohen nga padi të mëvonshme) ose thjesht për t’iu faturuar viktimës; (3) Pronarët e makinave dhe fabrikantët e tyre nxjerrin fitime të mëdha nga çdo procedurë e tillë.

Çfarë mund të deduktohet nga të gjitha këto?

Që CT Scans shkaktojnë kancer në po atë masë që ndihmojnë për ta diagnostikuar?

Jo, aspak. Mund të deduktohet vetëm që çdo qytetar ia detyron vetes dhe të tjerëve që të jetë i informuar për rreziqet potenciale të procedurës; çka nuk është gjithnjë në interes të ekspertëve përkatës.

Edhe një herë, për ta vënë çështjen në perspektivë: një CT Scan për gurë në veshka mund t’i kushtojë të sëmurit, në SHBA, mbi $7,000; ndërsa për një problem abdominal mbi $10,000.

Me këtë nuk dua të them se ekspertët e kanë doemos mendjen te fitimi; por se të gjitha palët, në këtë transaksion, kanë interesat e tyre për të mbrojtur; dhe qytetari më shumë se kushdo tjetër; sikurse dua të them se nuk ka asnjë bazë të pretendosh, po vërtet asnjë bazë, se qytetari ua paska deleguar interesat e vet ekspertëve.

Modeli i vjetër i ekspertizës, si monopol ndaj dijes, ka dështuar edhe në rastin e fundit flagrant, të së ashtuquajturës climategate; ose të mënyrës si janë sjellë me publikun shkencëtarët ekspertë klimatologë, në lidhje me çështjen aq të debatuar të ngrohjes globale.

Për fat të keq, përgjigjja e tipit “ngrohja globale është vendosur nga shkencëtarët me konsensus” i ka diskredituar vetvetiu ekspertët; një pjesë e të cilëve janë vërtet kompetentë në fushat e tyre, por nuk janë në gjendje të kuptojnë se publiku i informuar nuk do ta pranojë automatikisht autoritetin e tyre, as do të impresionohet nga lavdërimet dhe citimet që këta i bëjnë shoku-shokut; as vendimet që këta marrin me vota, por që na prekin të gjithëve (dhe jo në kuptimin që na mbushin sytë me lot).

Në rrethanat kur korporatat, me mjete financiare, kanë vënë nën kontroll universitetet dhe institucionet kërkimore, duke komprometuar deri edhe sistemet ekzistuese të vlerësimit (peer review), qytetari i informuar është një nga armët e vetme me të cilat mund të ndikohet konflikti mes së vërtetës dhe gënjeshtrës së diktuar nga interesi.

Interneti dhe institucione të tilla si Wiki i ndihmojnë drejtpërdrejt informimit të qytetarit; prandaj përfaqësojnë një rrezik për hierarkitë ekzistuese dhe autoritetin e ekspertit të mbështetur në monopolin e informacionit.

E vërteta kurrsesi nuk vendoset me rrugë demokratike, as me vota; por aq më pak mund të monopolizohet nga pronarët e dijes.

Wiki mund të jetë e krimbur në mangësi si model; por filozofia e Wiki-t dhe e informacionit të hapur është për t’u mbështetur, përballë arrogancës së priftërinjve të tempujve të dijes.

Nuk ka komente

  1. -Duhet ndare wiki nga wiki-shqip, ashtu sic ndajme pemen nga kokrra; ka plot te perbashketa tek te dyja, por ka edhe te vecanta qe i ndajne.
    -Ndonese shkarazi le te kuptosh se ju ve minus kritikave anonime ndaj wikit, por plus te madh enciklopedise te anonimeve; keshtu anonimiteti eshte hem i keq hem i mire- mbase duhet thene se s’jane te njejtet, por do kete dhe te njejte, qe kane kontribuar ne wiki e tashme e kritikojne wikin-per dhjetra arsye.
    -Wiki i kundervihet modelit te vjeter (te komunikimit te dijes …se pergjithshme -duhet shtuar) duke ngritur nje model te tijin qe do te kerkoje te jete monopolist, autoritar, e te mbarte te gjithe te keqiat e modelit te vjeter. Ne jete ka qe lindin dele e qe ngordhin dele, ne internet ka qe lindin dele e shnderrohen ne ujq; me ndihem e pakursyer tonen. Si shembuj mund te marrim googlen apo ndonje universitet qe deri dje pergatiste studentet per universitete.
    -Vertet qe korporatat mund te gllaberojne gjithcka, por po ti futesh thelle wikit do shohesh se aty operohet po si tek korporatat.

    Keto nuk me bejne anti-wiki, ndonese e pranoj se do jem anti-vullnetarizmit ne wikin-shqip.

    Idene, qe sot rezulton e gabuar, se sa me shume bibla e ne sa me shume gjuhe te nenes aq me shume besmitare te devotshem do te kete, po ta aplikosh mbi wikin ja parashikon fatin e te nesermes. Nje e dhene e forte ne favor te kesaj ishte numuri me i madh i vizitoreve te Facebook-ut se Google-s; ja qe nje pjese nuk i pelqen modeli google-wiki per te kuptuar flamurin e kamboxhias por ndonje kerkese mik me mik e pergjigjia nga nje kamboxhian

  2. Xha xha, problemi duket si personal, i tëndi, por në fakt shpreh një çështje të vjetër sa vetë historia e njerëzimit në krijimin e riprodhimin e dijes. Pra rast i mirë për të shprehur secili kriteret e veta, se nuk di të jenë formuluar kritere të trashëgueshme në këtë punë, përveç atyre linjave të përgjithshme që i gjejmë që te Dhjetë porositë që Perëndia i dha Moisiut si, mos vidh etj.

    Praktikisht mendoj (e aplikoj) se kur është fjala për informacion pasiv (term i perkohshem), si rasti i të dhënave tuaja, por edhe diçka më gjerë nuk e shoh të arsyeshme citimin e burimit.

    Po e ilustroj me një shembull : Nëse unë jam krijues i teorisë se njerëzve të mëdhenj mendimet gjeniale u vijnë midis orës 7 dhe 8 të mëngjesit (sepse nga leximet e rastësishme me del që ora ishte 7.20 kur Enver Hoxha i tha sekretarit të tij H. Kroi të mbante shënim që patatja është edhe bukë edhe gjellë, apo se nga një bllok intim shënimesh të së dashures holandeze të S. Hyseinit del që ka qene ora 7.28 kur ky i fundit i ka thënë asaj se gratë duhet të lahen çdo ditë, pra nëse nisur nga këto fakte unë formuloj teorinë time të mësipërme dhe të cilën pastaj e përforcoj duke kërcyer të Wiki për të gjetur shembuj të tjerë,unë në këtë rast nuk shoh ndonjë arsye pse duhet të citoj Wikin.
    Teoria ka lindur në kokën time dhe pak rëndësi ka nëse për ta përforcuar atë unë te Wiki mësoj akoma se ka qenë ora 7.25 kur Mao Ce Duni ka hedhur idenë se duhen shfarosur të gjithë harabelat që hyjnë në qiellin e Kinës, se ishte rreth 7.12 kur Bushi ( sipas shënimeve që u zbuluan më pas) shënoi se shpëtimi i botës vjen nga pushtimi i Irakut etj.

    Në këtë rast Wikin (a çdo burim tjetër) mund ta citojnë ata që duan të hedhin poshtë teorinë time. Pra mund të dalë dikush e të këmbëngulë se teoria e Lyss-it i ka rrënjë jo fort të thella sepse sipas Wikit (a çdo burimi tjetër) ora kishte kaluar nga 8 -ta kur Ramiz Alia (duke pritur t’i bënin një gjilpërë) i ka thënë infermieres se tij se kishte gjetur rrugën e kapërcimit të krizës ekonomike duke lejuar fshatarët që bashkë me tufëzat dhe arëzat, të mbanin edhe nga një qengj (mashkull ama, që të mos shtohen e që fshatarët të mos kthehen në borgjezë) , se ora ishte rreth 9.20 (pra kishte patur kohë për katër dopio wiski), kur F. Nano në një konferencë shtypi në Milano u ka shprehur gazetarëve idenë e tij të protektioriatit italian mbi Shqipërinë etj.

    Por nëse është e kundërta dhe dija aktive (të themi) gjendet tashmë në faqet e Wikit (a të çdo enci tjetër) , pra që teoria e mësipërme të jetë formuluar më parë dhe unë vetëm sa shtoj ndonjë të dhënë suplementare, (si psh. që ora ishte 8 -1 minutë kur një politikan shqiptar pati idenë të pozonte nudo i sigurt se kështu do të përlante 100% votat e gjysmes se popullsise shqiptare, gjë që nuk ndodhi sepse oferta e kundërshtarit ishte më bindese) e dhënë pa të cilën ajo (teoria) mund të qëndronte fare mire (madje edhe më mirë), në këtë rast moscitimi nga ana ime bën që unë të meritoj të më lëshojnë mbi kokë të paktën një nga ato dy pllakat e Moisiut.

    Më tej, ka edhe arsye të rendit praktik (gjithmonë kujtoj se jemi në publicistikë e jo në trajtime më të ngushta si mbrojtja e një teze etj.) sikundër rasti kur unë marr një të dhënë a informacion të panjohur te Wiki (a gjetiu) por problemi është se nuk dua të humbas në citime e të shkëpus vëmendjen e lexuesit me informacione që atij pak i vlejnë, por që duke mos e bërë një gjë të tillë, jam unë ai që vihem në pozicion jo shumë të ndershëm me veten e të tjerët.

    Në këtë rast ka njëmijë mënyra për të thënë se ky informacion a koncept nuk është i tëndi. Përgjithësisht, këto kanë të bëjnë me formulime të tipit : siç janë shprehur autorë të ndryshëm, është e ditur, prej kohësh është vërejtur se… etj, dhe kalon pastaj fare ndershmërisht në trajtesën tënde, pa përvetësuar si pa dashje gjënë e tjetrit, delikt që siç thamë është parashkruar që në krye të herës te njera nga ato dy pllakat e gurit.

  3. sapo pashe “Kapitalizmi nje histori dashurie” e Majkell Mur dhe shikoj te njejtin preokupim edhe te shkrimet e xhaxhait.

    Me vjen shume keq qe xhaxhai harxhon kohe duke u munduar te shpjegohet ndaj injorances dhe dashakeqesise se anonimeve.

    gjithashtu me vjen shume mire dhe lexoj perdite me kenaqesi ceshtjet qe ngre dhe debatet e ndryshme qe hap per shume aspekte te jetes sone te perditshme.

    megjithate xhaxha i vetmi krahasim qe me vjen ne mend per nje takem shqiptaresh eshte Uriah Heep.

    1. hajdarmozi,
      atë për të cilën ty “te vjen shume mire” Xha Xhai e bën për atë të cilën ty “te vjen shume keq”; dashakeqesinë e heqim dashamirësisht.

  4. Po mendoja tani që çështja e Wiki-t, siç e kam cekur më lart, lidhet drejtpërdrejt me mënyrën si po qarkullon sot informacioni – çdo lloj informacioni – në Internet.

    Ta zëmë se unë shkruaj diçka për masakrat e kryera nga regjimet totalitare, dhe përmend, ndër të tjera, masakrën e Katyn-it. Ka së paku dy mënyra si mund ta referoj më tej këtë fakt historik:

    E para duke iu referuar një artikulli në një revistë shkencore:

    1. Pszyska, Jan et al. “Lista katyńska; jeńcy obozów Kozielsk, Ostaszków, Starobielsk i zaginieni w Rosji Sowieckiej.” Analet Historike Polake, no. 44 (2002), Universiteti i Gdansk-ut, f. 404-408.

    E dyta, duke iu referuar zërit përkatës në Wiki, me një hyperlink të thjeshtë.

    Këto mënyra dallojnë mes tyre në mënyrë rrënjësore. Citati i parë më ndihmon mua, autorin, duke më fortifikuar; ose duke më nxjerrë si “akademik” (është self-serving); citati i dytë ndihmon lexuesin tim, i cili ndoshta dëshiron të mësojë më tepër për masakrën në fjalë.

    E kotë të shtoj që Wiki është e përshtatshme në funksionin e dytë, ose si instrument për të ndihmuar lexuesin; jo në funksionin e parë. Një historian që vërtet dëshiron të kontribuojë diçka për Katyn-in, ndoshta nuk i shmanget dot studimit të Analeve të Universitetit të Gdansk-ut; një historian që i flet lexuesit të paspecializuar, dhe i përmend Analet e Universitetit të Gdansk-ut pa nevojë të ngutshme po kapardiset si palloi; ose, në rastin më të mirë, po i lutet ta besojë, duke i thënë: “shiko, unë jam profesionist i mirëfilltë, unë i kam bërë detyrat e shtëpisë.”

    Kuptohet që disa lexues e marrin këtë kapardisje për erudicion ose profesionalizëm – por edhe këta mund të edukohen.

    Një defekt i përhershëm që gjej në shkrimet tona online – dhe këtu nuk lë përjashta as të miat – është mungesa e hyperlinks drejt informacionit në shërbim të lexuesit. Një lidhje drejt Wiki-t nuk i shton gjë kredibilitetit të autorit, sepse Wiki nuk ka natyrë akademike; por i ndihmon patjetër lexuesit që ta kuptojë e ta ndjekë më mirë argumentin që trajtohet.

    Shënim 1: kur thashë që ka dy mënyra si mund ta referoj faktin historik të Katyn-it, lashë qëllimisht jashtë grupin e tretë të autorëve, të cilët do të gjenin një mënyrë për të cituar Slavoj Zhizhekun, edhe në atë kontekst.

    Shënim 2: Analet e Universitetit të Gdanskut do të përmenden me detyrim, në rast se autori në fjalë e ndërton artikullin e vet mbi materialet që ka gjetur aty; madje edhe sikur ta botojë atë artikull në një revistë kuzhine.

  5. Në këtë koment ndahet gjetja nga përcjellja e informacionit.
    Për përcjelljen,
    sigurisht që lexuesi (botuesi) do të kërkonte atë më të thjeshtën (shkurtrën), me hyperlink apo me përmendjen e Katyn (Katyń) në formë që ai lehtësisht të kërkonte më, në i duhej.
    Kur autori fton lexuesit të lexojnë më tepër nëpërmjet hyperlinkut pse duhet vënë lidhja me wiki dhe jo një lidhje më e drejpërdrejtë e aspak akademike? Në rastin në fjalë http://katyn.org.au/ Apo, pse të mos lihet i lirë të bëjë zgjedhjen që dëshiron?
    Për gjetjen,
    pse u dashka që banorët e globit të mësojnë për Murin e Madh Kinez, nëpërmjet ndihmës së gringove e jo nga pasardhësit e ndërtuesve. Thjeshtësia sjell uniformitet, e kjo është më keq se përpjekja për të veshur të gjithë pantallona doku, se vishen mendje. E uniformiteti ka për ta vrarë debatin. Nëse autori sjell gjithë lëngun temës, kanonin e wikit, e lexuesi shkon po aty, ç’mund të gjejë më shumë pa u ridrejtuar nëpër faqet e akademikëve aty poshtë? A nuk dalim edhe kështu tek akademikët, mbas grepash të tillë?
    Wiki duhet parë si enciklopeditë apo radiot (pajisjet) dje, si lajmësit e postierët gjithmonë.
    Nuk është nevoja ta përmendësh përherë se lexuesit e marrin me mend. Kishte njerëz që quheshin enciklopedikë, enciklopedi shëtitëse, etj, e besoj ky emër shkon më mirë se wikipedik.
    Fëmijët mbase e mendojnë se Emisionin e Përrallave e jep radioja e shtëpisë dhe jo Radio Tirana; wiki është në rolin e pajisjes.
    Lajmësi nuk ka faj; as wiki.
    Gjëja më e sigurt që mund të marrësh nga një postier është adresa. Ne pyesim postierin se libri i adresave rëndon. Unë vras gjurin. Postierit mund ti drejtohem për mjekun më të afërt, apo për hallin që kam. Po ti tregoj këtë të fundit, mbase postieri më shpëton, ka ujë dhe e lan plagën, më pengon hemoragjinë, qëllon duhanxhi e ma pllakos plagën me duhan, e mbas gjithë këtyre e falenderimeve të rastit, më thotë se duhet të shkoj tek doktori për të marrë diçka kundër infeksioneve. Unë e pyes se ku mund ta gjej mjekun më të afërt. E postieri më përgjigjet: Dera e parë, mbrapa kurrizit…

    1. Unë Wiki-n e solla vetëm si shembull të informacionit lirisht të përdorshëm online; përndryshe jam patjetër dakord që “thjeshtësia sjell uniformitet”.

      Megjithatë, kur unë e përdor referencën ndaj Wiki-t në diçka që shkruaj, për të ftuar lexuesin që të informohet atje, Wiki-n e kam zgjedhur unë vetë; dhe me vetëdijen se informacioni që ofrohet atje mjafton që lexuesi im “ideal” të mund ta ndjekë argumentin tim për së mbari; pra ka diçka prej meje edhe tek zgjedhja e burimit.

      Natyrisht, kjo nuk e pengon një lexues çfarëdo që të intrigohet kaq shumë nga artikulli im, sa të ngrihet dhe të shkojë vetë në Katyn ose në Kinë, siç u ngjit Moikomi në shpellën e Trenit (pasi lexoi Korkutin); por unë po flas këtu për informacion të mjaftueshëm vetëm.

      Paradoksi këtu është se, në qoftë se unë tregoj kujdes për lexuesin dhe i jap mundësinë të informohet më tej pa humbur kohë, ka një kategori lexuesish që do ta keqinterpretojnë këtë dhe do të objektojnë: ç’dreq autori je ti, që i referohesh Wiki-t?

      Këta më kujtojnë gjithnjë atë komikun e famshëm, që thoshte se nuk do të begeniste të bëhej anëtar i një klubi që do ta pranonte në radhët e veta. Sepse edhe ky lexues/kritizer e humb respektin për mua në momentin që unë tregoj respekt për të.

      Thelbi i kësaj kritike është: “ti po të ishe kaq serioz sa ç’hiqesh, nuk rrije të merreshe këtu me mua, kastravecin.”

      Përndryshe, CD, e pashë faqen që kishe rekomanduar më lart; nuk më duket se është për t’u preferuar ndaj faqes përkatëse të Wiki-t. Për më tepër që te kjo e fundit gjen një numër të madh referencash, edhe bibliografike, për çështjen në fjalë.

      1. Ne te kohes se sotme jemi kontradiktore, ndersa derrmuam monopolin e mediave mbi lajmin, po ndertojme monopolin e wikit mbi dijet. Por burimi nga rrjedh komunikimi i perpunuar mbetet 1. Mos eshte kjo ndonje hile djallezore? Qe te heq litarin nga qafa e te ben ta mbash ushkur per poturet?

        Padyshim qe para wikit, zor se preferohet dhe britanika e jo me faqja e nje historiani, (te cilit bibliografite, referencat, nuk i gjendeshin ne faqen kryesore.) Ajo qe une doja dhe dua eshte te konsiderohet pervec dy rrugeve per te sjelle informacioni tek lexuesit edhe kjo e treta, kjo qe mbaron me .org ne fund per cilendo teme. Une keshtu kerkoj per vete, wikin e shmang sa mundem.
        Qe plot e plot nga faqet e hapura nder vite thahen e shuhen “merite” ka edhe wiki. Kjo eshte njelloj si zhdukja e bimeve qe nuk i mban dot gjalle bujqesia ekstensive; kur ne wikin intensive ke sa argate te duash qe ujitin cdo fidan rrenje me rrenje.
        Nese mundesh edhe do (teknikisht besoj se po), te lutem te na e besh me dije sa prej atyre qe lexojne nje shkrim, ndjekin dhe hyperlinkun e sjelle duke e klikuar (pa ata qe u shkon shigjeta padashur).
        Nese eshte me interes pranoj ti veme ne sprove rrugen e wikit me rrugen me .org persa material i sjellin lexuesit; qe me temen e radhes.

  6. Monopolistët janë të prirur për ta keqpërdorur monopolin e tyre – në çdo lëmi.
    Edhe dijetarët dhe ekspertët do ta kishin keqpërdorur dijen e tyre, po ta kishin monopolin mbi dijen.
    Po t’i besoja absolutisht një matematikani, ai kur do ta vërente këtë, një ditë të bukur , për interesa të veta do të më thoshte se 1+1=3.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: