GETO DHE KUNDËRGETO

Gazeta Shqip kishte sot një artikull të mirë të Arbër Kadias, Distopia dhe ishi shqiptar, ku dinamika e Tiranës qytet dhe kryeqytet analizohet në rrafshin historik, nga këndvështrimi i duhur.

Me të drejtë autori konstaton se trashëgimia e Tiranës qytet praktikisht nuk ekziston, meqë administratat e ndryshme, shtetërore dhe lokale, e kanë trajtuar kryeqytetin shqiptar si të ishte palimpsest, duke shkruar e rishkruar mbi të njëjtën pergamenë.

Ai sheh në Tiranën e sotme shenjat alarmante të përvijimit të një distopie urbane, e cila ka të bëjë sa me mbipopullimin, aq edhe me infrastrukturën e pamjaftueshme dhe mungesën e politikave urbane të mençura.

Shkruan Kadia:

Një nga arsyet mbase që kemi pasur një tronditje të fortë në nevojën tonë për zhvillim urban ka qenë edhe përzierja pa kriter që është bërë midis atyre që kanë pasur një formim urban dhe atyre që janë rritur në zona rurale. Në fakt përzierja e këtyre tipave në vetvete ka prodhuar atë që teorikisht i jep arsye zhvillimit të shpejtë dhe kjo në vetvete është pozitive. Kjo energji gjithsesi nuk është e kanalizuar siç duhet dhe në vend që të kemi vlerësim për format e vjetra të zhvillimit urban ekzistues ne kemi një rendje për të imponuar nga ardhacakët modelet e tyre të supozimit sesi duhet të jetë raporti, estetik, urbanistik, kulturor dhe zakonor.

Kjo bashkëtingëllon më së miri me përkufizimin që i pata dhënë dikur katundarit, si ai që e sjell katundin me vete në qytet; në kontekstin e një debati rreth përkufizimit të këtij termi.

Çfarë më tërhoqi vëmendjen, në artikull, është se autori e lidh këtë dukuri me atë tjetrën, të krijimit të komuniteteve të gardhuara (gated communities) në periferitë urbane, ose në kodrat përreth kryeqytetit, të cilat janë, në të vërtetë, një formë luksoze e getos; sa kohë që kemi të bëjmë, siç shprehet Kadia, me një “vetë-segregim nga Tirana distopike dhe e egër.”

Të kamurit e Tiranës, kësisoj, getoizimit i përgjigjen me getoizim; dhe në proces e sipër vetë qyteti vjen e shpërbëhet pikërisht në pikat më nevralgjike, ose që kanë të bëjnë me kontaktet dhe raportet midis klasave dhe shtresave të ndryshme.

Më shkoi në mendje, tek lexoja përsiatjet e mençura të Kadisë, se dinamizmi i sotëm, në Tiranë, mund të lexohet edhe në një dritë tjetër: ironike. Nëse një pjesë e mirë e problemeve të sotme urbane lidhen me qasjen e pakotrolluar në qytet të popullsive rurale refraktare, që nuk përshtaten, por përshtatin, pa çka se kështu veç i hedhin themelet getove të së nesërmes; dhe nëse këtij rreziku të pasurit e Tiranës i përgjigjen duke u larguar në getot e tyre luksoze jashtë qytetit, atëherë kjo mund të shihet edhe si një proces paradoksal, gjatë të cilit katundi zbret në qytet, ndërsa qyteti largohet drejt katundit – ose një ekuilibër dinamik (disipativ) midis transfuzionit dhe gjakderdhjes.

Në fakt, komunitetet e gardhuara në periferitë, ku qytetarët më të rafinuar të Tiranës vendosin të jetojnë si në fshat, ose larg “rrëmujës dhe rrëmetit”, nuk janë veçse hakmarrja – simbolike – për gjithë përbuzjen me të cilën janë trajtuar të ardhurit rishtas në kryeqytet; pa çka se nga gjithë kjo ironi është qyteti vetë ai që humbet, dhe së bashku me qytetin edhe qytetaria – aq e nevojshme këto kohë.

Nuk ka komente

  1. Pervecse ne rastin kur te pasuruarit jane perseri “katundaret”, te cilet duke krijuar lagjet e gardhuara, deshmojne se kur vendosen ne qytet katundin e sjellin me vete jo vetem figurativisht por edhe fizikisht, duke e rikrijuar brenda apo ne dalje te qytetit.

  2. Ky nuk eshte nje fenomen vetem shqipetar. Ruralizimi i te pasurve ka qene dhe eshte nje fenomen i gjere e i shperndare ne te gjithe evropen. Te shkretet ne edhe ketu jemi te vonuar dhe perseri ndertojme se prapthi. Ne vend qe ndryshimeve kulturore te udheheqen nga dija e nga qyteti ne kemi fshatin qe na udheheq, filloi me Enverin ( shoke te ardhur nga basa) dhe vazhdoi me Salen qe ju beri nder per vota. Nje problem eshte qyteti ne crise, por sic e ka then dikush ketu me pare, c’po behet me fshatrat tona, ku ka ikur baza!!! Fukarallek – Maskarallek!! Nga ana tjeter “te pasurit” e shoqerise shqipetare nuk jane intelektualet por ca “Kuadro” bisnesmene, sigurisht te ardhur nga baza.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: