PALADINËT E GËNJESHTRËS

Meqë jetojmë – ose të paktën duam të jetojmë – në demokraci, atëherë e dimë edhe se ekspertët, sikurse çdo kategori tjetër brenda elitës, kërkojnë pushtet.

Teza e Poerksen-it, të cilën unë e bëj timen, është se ekspertët e ushtrojnë pushtetin nëpërmjet autoritetit (meqë nuk kanë mandat tjetër); dhe autoritetin nuk ua jep aq ekspertiza, sa ligjërimi që përdorin.

Megjithatë, roli i ekspertëve në sistemin demokratik kërkon shqyrtim të mëtejshëm, brenda debatit tonë.

Gjithnjë me Poerksen-in, do të vërejmë se eksperti priret që ta shpërfillë përmasën etike të ushtrimit të pushtetit dhe të vendimmarrjes (përgjegjëshmërinë), duke iu referuar rrethanave, ose domosdoshmërisë objektive.

Përkundrazi, politikanët shprehin, me përkufizim, vullnetin dhe interesat e zgjedhësve, dhe kanë detyrim moral (përveçse kushtetues) që t’u dalin zot vendimeve të tyre me mjete etike.

Në një sistem ideal, ekspertët dhe politikanët punojnë së bashku, për të arritur vendime optimale, nëpërmjet gërshetimit të vullnetit të zgjedhësve dhe imponimit objektiv të rrethanave.

Mirëpo sistemi nuk është ideal.

Sikurse e dimë, vendimet që merr politika lidhen gjithnjë e më ngushtë me dukuri komplekse, të cilat nuk mund të kuptohen, as të interpretohen drejtpërdrejt nga masa; çka do të thotë se, edhe sikur vendimet të merren gjithnjë me referendum, duke i anashkaluar “të zgjedhurit”, përsëri kjo nuk garanton ndonjë tejdukshmëri kushedi çfarë.

Me fjalë të tjera, masa e zgjedhësve ka nevojë të informohet para se të vendosë, dhe këtë informim e bëjnë, me përkufizim ekspertët.

Kështu, kasta e ekspertëve e kushtëzon procesin demokratik në mënyrë të dyfishtë: (1) duke u shërbyer politikanëve si alibi objektive nëpërmjet shndërrimit (alkimik) të subjektivitetit në objektivitet dhe (2) duke informuar publikun për çështje me rëndësi kritike për politikën, shoqërinë dhe mbrothësinë e përgjithshme.

Çështja alarmante, në këtë mes, është se ekspertët i kemi të korruptuar.

Unë po i referohem sistemit amerikan vetëm, meqë për atë në Shqipëri nuk kam të dhëna; por sa i përket ShBA, roli i ekspertëve, si kastë, gjatë 20 vjetëve të fundit, ka qenë nga më të neveritshmit në historinë e këtij vendi.

Ekspertët kanë mbështetur, me argumente të holla dhe bindëse, të gjitha ato vendime në lëmin e ekonomisë dhe të financës, të cilat kanë shkaktuar katastrofa të njëpasnjëshme, përfshi edhe krizën e sotme.

Ekspertët kanë mbështetur, me argumente të holla dhe bindëse, ndërhyrjen katastrofike të ShBA në Afganistan më parë dhe sidomos në Irak më pas; duke “e bindur” publikun amerikan për armët e shkatërrimit në masë që zotërokësh Sadami.

Ekspertët kanë gënjyer dhe vijojnë të gënjejnë publikun, haptazi dhe paturpësisht, për të gjitha çështjet që lidhen me shëndetësinë publike – që nga aspektet financiare të saj, te medikalizimi i problemeve sociale dhe mbrojtja e interesave të korporatave farmaceutike.

Përjashtime ka dhe nuk duhen shpërfillur; por në tërësinë e vet, kasta e ekspertëve nuk flet më gjuhën e së vërtetës, por gjuhën e interesave të korporatave, duke i shërbyer ndyrësisht parasë.

Roli i ekspertit sot është të gënjejë publikun, në mënyrë autoritare, dhe në emër të interesave të atyre që paguajnë.

Hapësira në rritje e ekspertit në ligjërimin publik, së paku në vendet Perëndimore të zhvilluara, nuk lidhet aq me teknologjizimin e jetës së përditshme, sesa me nevojën që ndiejnë, edhe klasa politike edhe korporatat, që ta bindin publikun për gjithçka dëshirojnë, duke shfrytëzuar atë brerore objektiviteti që i ka mbetur ende shkencës, teknologjisë dhe – tani vonë – informatizimit të problemeve.

Natyrisht, këtu nuk po flas as për publikun ideal të një sistemi demokratik ideal, por për një masë konsumatorësh të përfshirë nga narcisizmi kolektiv, në të cilën e vetmja vlerë morale që ka mbijetuar në masë është dashuria për fëmijët (por edhe kjo e fundit i përshtatet për bukuri rolit të ekspertit, si ndërmjetësues i së ardhmes dhe progresit).

Nuk ka komente

  1. Mendoj se ka nje ndryshim te madh midis genjeshtrave te pastra dhe gabimeve nga ekspertet. Duhet te jete e qarte qe ekspertet nuk jane te pagabueshem. Ata veprojne shpesh here ne baze modelesh te caktuara shkencore te paplota dhe ne evoluim e siper. E theksoj fjalen modele sidomos kur behet fjale per ceshtje sistemesh komplekse si ekonomia. Modelet jane ndryshe nga ligjet shkencore. Modelet jane metafora shkencore qe ndihmojne ne kuptimin e studimin e nje problemi. Dhe modelet mund te dalin plotesisht te gabuara per kushte te caktuara. Ekonomia ka vetem modele dhe asnje, absolutisht asnje ligj. Prandaj aty eshte e veshtire te dallosh gabimin nga genjeshtra apriori.

    Kur ekspertet gabohen nuk ka ne vetvete asgje te denueshme moralisht nese ata kane vepruar perkundrejt etikes shkencore dhe ne besim te mire perkundrazi gabimi ndihmon kuptimin me te thelle te problemeve dhe zhvillimin e modeleve me te mira. Problemet fillojne kur modelet qartesisht te deshtuara mbrohen publikisht nepermjet pushtetit (mediatik) per hir te pozicionit dhe autoritetit te eksperteve qe i kane hartuar ato. Aty mund te thuhet me siguri qe ka genjeshtra dhe korrupsion. Por shkenca nuk ka qene asnjehere imune nga pushteti qe nga Galileo Galilei e deri me sot. Pra problemi nuk eshte aspak i ri.

    Shume me teper ky i tanishmi eshte problem institucional dhe mbi te gjitha problem mediatik e jo problem ekspertesh. Kur tani kemi nje inflacion ekspertesh (edhe phd-ra per kakerdhite e zogjve ka) pushteti e ka te lehte ta veshe nje x ekspert me pushtet thjesht duke e nxjerre ne media dhe duke i vene dy pale rreshta poshte. Fundja ekspertet megjithe ekspertizen e tyre njerez jane po aq te thyeshem e te korruptueshem si cdo njeri tjeter. Jane insitucionet shkencore ato qe duhet ti veshin apo cveshin keto me autoritet dhe eshte pikerisht aty ku duhet perqendruar vemendja.

    1. Eni, ka gabime dhe gabime.

      Ja një shembull për ta ilustruar idenë.

      Të marrim një autobuz të linjës Shkodër-Fusharrëz. Shoferi paguhet 100 dollarë për çdo rrugë që bën.

      Ta zëmë edhe se, një ditë dimri, rruga është e rënduar nga bora. Jo krejt e bllokuar, por shumë e rënduar.

      Meqë shoferit i duhen ato 100 dollarë (për të paguar faturën e dritës ose për bixhoz), merr në sy ta bëjë rrugën, me gjithë rrezikun e rrëshqitjes.

      Në një qafë, i shpëton timoni nga kontrolli, autobusi bie në humnerë, vdesin gjysma e udhëtarëve (por shoferi shpëton).

      Natyrisht, rrëzimi ndodhi për shkak të një gabimi njerëzor – prej shoferit. Ndoshta gabimi, në kushtet specifike të rrugës dhe të motit, nuk mund të ishte shmangur.

      Por gabimi lidhet edhe me vendimin, e shoferit, për t’u nisur në mot të keq, megjithatë. Edhe ky vendim ishte i gabuar, por gabimi, në këtë rast, është i ndryshëm nga gabimi që shkaktoi aksidentin.

      Dhe diferenca mes dy gabimeve ka të bëjë me përgjegjshmërinë.

      Shoferi u tregua krejt i përgjegjshëm në timon, por megjithatë, nuk e ruajti dot kontrollin ndaj rrethanave, për shkak të kufizimeve objektive (të natyrës njerëzore – ndoshta një kompjuter hipotetik do ta kish ngarë më mirë autobusin).

      Përkundrazi, ai u tregua i papërgjegjshëm, kur vendosi që të niset, megjithëse e dinte rrezikun e dëborës në rrugë malore.

      Gabimet e ekspertëve për të cilat flisja, duke përfshirë edhe ato gabime që lidhen me kufizimet e modeleve kompjuterike, janë të llojit të dytë, jo të llojit të parë.

      1. Jam i te njejtit mendim qe pergjegjshmeria eshte kyce. Por ne shkenca pakkush e ka luksin t’ja njohe rreziqet afatgjata modelit me te clin punon pervec rasteve evidente si me energjine atomike. Shesh here modelet, zbulimet e shpikjet kane efekte te tjera nga ato per te cilat ishin nisur pikesepari. Fjala vjen, shpikesit e celulareve nuk mund ta merrnin me mend qe 30 vite me pas shpikja e tyre do te perdorej nga al-qaeda per te hedhur njerez ne ere.

        Fatkeqesisht ne ekonomi nuk ka menyre te lehte per ti testuar modelet ne ambiente te kontrolluara, pra baza empirike duhet te krijohet duke i aplikuar modelet ne terren ose tani se fundmi duke perdorur simulime.

        Nese ekspertet e Wall Street, ashtu sic edhe duket gjithnje e me shume,wqg i njihnin rreziqet e medha me te cilat luanin atehere ata patjeter mbajne pergjegjesi pasi luanin me leket e te tjereve dhe moren te tjere me qafe. Por pergjegjesi me te madhe mbajne institucionet qe lejojne rreziqe te tilla sistemike. Ajo e Alan Greenspan nuk ishte papergjegjesi eksperti por papergjegjesi kryetari institucioni i cili nuk duhet te “besoje” ne narrativa ideologjike, te majta apo te djathta qofshin, por te testoje dhe permiresoje. Pra ne rastin e tij une shoh me teper kontaminim ideologjik te ekspertit.

        Nga ana tjeter mbase eksperteteve ashtu si edhe imprenditoreve bile ju “duhet” te jene me optimiste mbi modelet e shpikjet e tyre sec i lejojne statistikat, perndryshe me shanset astronomike qe nje model/shpikje e caktuar te jete e suksesshme askush nuk do ti hynte rruges se gjate e te rrezikshme per krijimin e tyre ne radhe te pare. Pra pa ate optimizem te tepruar nuk ka progres.

  2. xhaxha, nuk mund te futen te gjithe ne nje thes e te goditen per qejf… eksperti perben uren lidhese midis shkences (utilitarizmit te saj) dhe politikes… pa te cilin shkenca nuk do te kishte asnje vlere praktike… ne shume fusha te jetes.. edhe pse dija mund te jete e kundershtueshme, ekspertiza i nenshtrohet te njejtave kritere sikur edhe shkenca e ekspertet perdorin te njejtat metoda, e pikepamje ontologjike e epistemologjike.

    Eksperte kane genjyer, ose jane marre per te perligjur vendimmarrjen politike, ose nje vendim, e zbukurojne ate ose bejne PR per njeren alternative zgjidhjeje ndaj nje tjetri. Ngahere e perdorin autoritetin qe u jep dija ne sherbim te pushtetit, porse ka te tjere qe i jane kundervene mendimit te pergjithshem, njerit apo tjetrit ekspert. Sikur edhe ne shkence, askush nuk mund ta monopolizoj dijen, e aq me keq vemendjen e publikut.

    Ka pasur raste qe p.sh. sindikatat te kene marre nje ekspert ligjor, ose keshilltare politike, per t’iu kundervene nje padrejtesie, ose NGO-t perdorin eksperte per te nxitur ceshtjen e tyre ne sektore te ndryshem. Ekspertiza, edhe e jashtme, rrit eficiencen dhe i sherben synimit fillestar.

    Eksperti eshte nje mjet, mund te perdoret edhe keq, ashtu si edhe dija. Shoqatat perkatese te eksperteve te fushave mund te vendosin kodin e etikes apo te praktikave te mira per secilen fushe, sikur edhe kane bere. Kjo duhet te ndodhe ne Shqiperi, por sikur edhe kodi i etikes te gazetarit, eshte kot.

    1. Kapedan, e kisha menduar këtë shkrim si vazhdim të të mëparshmit, ku i përmbahesha një dallimi kyç – për tezën time – midis specialistit dhe ekspertit.

      Për shembull, një mjek që të trajton diabetin, urthin, majasëllin ose një infeksion të thoit, është specialist; ndërsa ai mjeku tjetër, i cili, në bashkëpunim me strukturat dhe institucionet e shëndetit publik ose të punësimit, përcakton se çfarë kushtesh dhe parametrash duhet të plotësosh ti, si konsumator i shërbimit shëndetësor, për t’u quajtur “i shëndetshëm” (p.sh. nivelet e kolesterolit), e ka ndërruar statusin nga specialist në ekspert.

      I pari të shërben ty, kur ti je i sëmurë dhe ia ke nevojën; i dyti kërkon të të ndriçojë, duke të treguar deri edhe se çfarë problemi mund të kesh; ose, për ta thënë me filozofin Ivan Iliç, duke të treguar se pse duhet t’ia kesh nevojën nga lindja deri në vdekje.

    2. Eksperti eshte nje mjet

      Eksperti eshte njeri dhe rrjedhimisht ka detyrime etike, te ngjashme me ato detyrime qe nje zdrukth nuk I ka

  3. Nese dallimin mes specialistit dhe ekspertit e marrim si te mireqene (them keshtu, sepse nuk jam ende e bindur per argumnetin e Poerksen-it), atehere eshte e qarte se vete kalimi nga nje funksion tek tjetri, eshte kalimi ne nje ambient ku morali njerezor e profesional nuk kane me vend. Ato zevendesohen nga perkushtimi ndaj te qenit gjithnje ne mode-in: “i pranueshem”, “i ndjekshem”, “ben per publikun”, “terheqes”, “i shitshem”, “mbushamendes” etj. Te gjitha keto modalitete jane padyshim te paracaktuara nga kultura dominante, produkt i se ciles eshte vete eksperti. Eksperti ka te njejtin funksion, si kur vjen nga e majta ashtu edhe kur vjen nga e djathta. Ai i sherben fuqise: prej saj lind e keshtu edhe behet i fuqishem. Shume afer me teorite e Herman-it dhe Chomsky-t per sistemin e ndertimit te opinionit publik dhe funksionimin e mediave.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin