TË ARDHME TË REJA

nga Blerina Kanxha

Bienalja e Arkitekturës në Venecia këtë vit vjen me tematikën “Laboratories of the future”: një propozim i kuratores Lesley Lokko që synon prurje punëtorish mbi të ardhmet potenciale në të cilat mund të jetojmë. Ky edicion na njeh me përfaqësi dhe mënyra të ndryshme të organizimit urban duke përfshirë perspektiva edhe nga arkitektë të cilët jo vetëm teorizojnë, por e shfaqin të ardhmen në fragmente të ndryshme, ndikuar nga agjentët përkatës në çështjet urbane, ekologjike, arkitekturore dhe digjitale.

Kuratorja Lokko, sjell idenë e Laboratorit të së ardhmes si një mundësi për të punuar në mënyrë të vëmendshme ndaj materialeve që na jetësojnë eksperiencat, por edhe të rimenduarit mbi mënyrat se si zhvillohen praktikat artistike për të ndërtuar e përcjellë një koncept kuratorial. Në komunikatën e e saj, Lokko shprehet se ky edicion përmban elemente të forta antropologjike, duke e sjellë Afrikën dhe realitetet urbane të saj, në qendër të diskutimit, pasi: At an anthropological level, we are all African. And what happens in Africa happens to us all” ( Në nivel antropologjik, ne jemi të gjithë afrikanë. E çka ndodh në Afrikë, na ndodh të gjithëve ne).

Në këtë edicion Shqipëria vjen e përfaqësuar nga Era Merkuri, Martin Gjoleka (si kuratorë dhe pjesëmarrës) së bashku me Ani Markun dhe Geraldo Prendushin (si pjesëmarrës) me tematikën “Përsiatje të pakohë: ose si të mësojmë në realitete të sintetizuara?” Pavijoni, konceptuar si një hapësirë e ndriçuar kryesisht nga ekrane që shpalosin punime, rendera dhe imazhe imagjinare të digjitalizuara të stadiumit “Selman Stërmasi” dhe Parkut Artificial të Liqenit, shoqërohet nga instalacione tingullore që kërkojnë përgjigje. Qyteti, Tirana, perceptohet si një tekst i lexueshëm dhe i përkapshëm, një fushëlojë e cila luan me rregulla logjike të përcaktuara apo të derivuara nga funksionaliteti i tyre parësor që i parashtron ato si hapësira të rekreacionit.

Përsiatje të pakohë, e kthyer kështu nga “untimely mediations” vjen si një propozim narrativ digjital për të kuptuar rolin e digjitalizimit, atë të qytetarit si subjekt ndërveprues me hapësirat publike dhe ri-imagjinimet potenciale të së ardhmes.

Loja narrative e propozuar nga dy kuratorët sjell hapësirën e stadiumit “Selman Stërmasi” dhe Parkun Artificial të Liqenit si mjedise të cilat përballen me vështirësi në përdorim dhe si vende ku mund të eksperimentohet mbi të ardhmet e mundshme të përdorimit nga ana e qytetarëve, sikur të ishte një laborator në të cilin mund të spekulohet mbi kapacitetin, përdorimin, limitshmërinë dhe etikën e mbipërdorimit apo mospërdorimit.

E tashmja paraqet problematika të mëdha ekologjike, të qëndrueshmërisë dhe të prezervimit. Ndaj të parashtruara si lojë, vizitori mund të bëhet pjesë e këtyre realiteteve të renderizuara si një karakter i jashtëm që ka nën kontroll pamjen që projektojnë monitorët. Ndërsa e ardhmja, jo vetëm fton në diskutim dhe reflektim, por edhe në mundësi se si mund të veprojmë për të inkurajuar zhvillimin, por pa ndërhyrë thellë në karakterin social të hapësirave.

A janë mjetet renderizuese një formë e shënjimit të historisë apo tekstit të lexueshëm? A kanë mjetet renderizuese të gjitha mundësitë që të ofrojnë realitete të palimituara? A mund të jetojnë hapësirat publike në kushte të qashtra sikurse në ekranin e një kompjuteri?

Por cili është roli i arkitektit? Prej kur u kthye arkitekti në arkeolog? Si të mësojmë të jetojmë në realitete të sintetizuara?

Shpesh shohim në qytet pamje të prodhuara digjitalisht, për të shënjuar viziven, dukjen e ndërtesave në të ardhmen duke propozuar dhe rrethinën e saj, që i mbivihet një realiteti ekzemplar. Por sa u përgjigjen këto imazhe të renderizuara realitetit të jetueshëm? Në vendet në ndryshim, gjithmonë krijohen lidhje që shtresëzojnë historinë, memorien kolektive apo referencialitetin, ndaj ky aspekt njerëzor është i vështirë të përkapet nëse nuk ka një nivel imagjinativ që ndërvepron me godina apo hapësira që do të vijnë.

Pranëvënia e realitetit dhe sintetizimit, vjen prej një rrafshi të ndërthurjes së elementeve digjitale që trupëzohen në praktikat e përditshme qe njëjtësojnë punën e shumë mekanizmave të tjerë, si dhe hapjen e një porte alternative për të përjetuar të tashmen dhe të ardhmen.

Kuratorët propozojnë elementin narrativ, duke e rehabilituar funksionin parësor të hapësirave publike, pra këto hapësira të përzgjedhura, duhet të funksionalizohen në atë mënyrë në të cilën jetohen. Ndaj, pyetja që ndjek këtë rrjedhë, është: a po bëjmë vend për të ardhmen? Në këtë linjë propozimi i heramarte përvijon se elementi i narracionit nuk ka të bëjë me fiksionin në planin estetik, por me të imagjinuarit dhe të jetuarit në këtë imagjinatë ku hapësirat publike pësojnë transformime të vazhdueshme si një formë për të cekur të ardhmen.

Një tjetër pikëpyetje që theksohet edhe nga instalacioni tingullor i digjitalizuar na afron me dilemën e të parit të hapësirave publike në një ekosistem digjital pristin dhe të pandikuar nga faktorët e ndryshueshëm natyrorë si modele të cilat cekin mu në vizionin e së ardhmes. A është e ardhmja mjaftueshëm bindëse në imazhet e një ndërtese në fazën e projektit? A ka manipulim digjital për të bashkërenduar dhe estetizuar praninë e një moduli të ri në cilindo ekosistem, si për të fashuar qenien reale të transformimit?

Të gjitha këto pyetje, të parashtruara edhe më lart, kthehen në një hapësirë ekspozuese ku e ardhmja është e perceptueshme, e luajtshme dhe e ndryshueshme. Një lajtmotiv pozitiv për të parë të ardhmen pa ndryshime të pazhbëshme.

Këto imazhe të renderizuara ofrojnë një simotër digjitale të vendeve fizike që mbajnë histori, kujtesë, transformim dhe kanë vlera të caktuara, ose janë shënjues për momente dhe ngjarje që ndikojnë totalitetin e historisë apo kulturës, ndaj dhe realiteti i simuluar, vjen si një opsion që gjithashtu mund të ndërtojë ekzistencën e vet.

Në anën tjetër vihet në diskutim gjuha vizuale me të cilin qyteti ndërtohet: gjuha e arkitektëve është e përllogaritur, e varur nga saktësia dhe ligjet fizike të cilat qeverisin jetën e ndërtesave apo të ndërhyrjeve në hapësirën publike duke i parë si të mëvetshme dhe në kontakt të paktë me çka i rrethon, ndërsa në propozimin e pavijonit shqiptar, synohet që kjo qasje ekzakte të përthekohet në të parit e këtyre hapësirave publike që banohen prej përjetimeve, eksperiencave dhe përdorimeve të kohës së lirë.

Ekspozita përdor elementë natyrorë të parashtruar si bimësi e zhavorr, që mbulon dyshemenë e pavijonit shqiptar, si për të krijuar një momentum njerëzor në lënien e një gjurme tingullore të natyrshme ndërsa ndërveprohet digjitalisht dhe mendja vihet në funksion për ta jetuar realitetin e përmenduar.

Përplasja e përbotshme natyrë/kulturë gjen vend në mënyrën se si përjetohet ekspozita në fizikalitetin e saj. Trupi fizik gjendet në një hapësirë që nuk është e rregulluar mjaftueshëm për mjedisin urban, pra nuk është e shtruar, e lëmuar, e lehtë për të ecur në ritme të çrregullta, ndërsa eksperienca digjitale të kërkon të qëndrosh në vend, duke përdorur gjithë informacionin që të ka mbrujtur eksperiencën e jetesës në një hapësirë gati për ta përkthyer në një rrugëtim digjital.

Përkapja e temës didaktike është gjithashtu një temë që buron prej ndryshimeve digjitale që po ndërthuren me botën të cilën e përjetojmë në formë empirike. A është mësimi formë e një përshtatjeje të natyrshme? Procesi evolutiv i njerëzimit ka përkuar me ndryshime rrënjësore të mënyrës se si jetohet, duke patur ndikim në stilet e jetesës, konsumerizmin dhe formësimin shoqëror, por është e domosdoshme të theksohet se digjitalizmi, apo automatizimi i së shkuarës me referencë të ardhmen, po krijon një hapësirë perceptive lirie, e cila ndërhyn lehtshëm në mënyrën se si përthithim informacionin, konsultohemi me të vërtetat dhe mbi të gjitha me se si i jetojmë hapësirat që ushtrohen aktivitete të rekreacionit.

Që në mendimin filozofik në antikitet gjejmë parashtrimet të cilat dyshojnë eksperiencën tonë fizike, duke pyetur: a po jetojmë në një simulacion? Ky rrugëtim që propozon pavijoni shqiptar shërben për të estetizuar dhe teorizuar një të ardhme jo më laboratorike, por ndërvepruese, ku agjentët e ndryshimit dhe elementët ndërveprues me hapësirat publike fizike, gjejnë një rrugëtim për të mirëmbajtur një eksperiencë fizike e memoriale, të trashëguar kohë pas kohe.

Baudrillard në “Simulations” sugjeron se realja do të ishte e prodhuar nga pjesëza të zvogëluara karshi përmasave reale dhe se simulimi do të ndodhë në mijëra herë njëlloj sikur të rinisnim një lojë nga e para pasi karakteri përmes të cilit luajmë “ka vdekur” duke humbur kështu progresin e krijuar deri në atë moment.

Në këtë linjë do të na duhet të parashtronim dhe linjën logjike të të jetuarit në realitete të sintetizuara, pas këto simulacione janë harta 3D të cilat rindërtohen në bazën e njohurive të mbledhura përgjatë viteve të jetesës prej fillimit të kohës. Enciklopedia si medium i shpërndarë e njëkohësisht pjesë e secilit në miniaturë shëmbëllen jetë të reja, të tjera.

I gjithë ky diskutim, mban një element surprize, pasi ne mund të spekulojmë mbi të ardhmen/et, mundemi t’i vizualizojmë, por nuk mund të mbetemi indiferentë ndaj ndryshimeve të shpejta që po ndodhin.

Pyetja mbetet: A jemi gati të jetojmë në një realitet të sintetizuar?

 

© 2023 Blerina Kanxha. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

(imazhi në kopertinë © Xander Wilhelm)

1 Koment

  1. Persihatje plotësisht e mjaftueshme, deri ne abuzim, për të nxitur një paralizë të tmerrshme mërzie te lexuesi archlover, në busullën e një inventari te çuditshëm paragrafësh dhe fjalish të pervjedhura të ngopura me . . . .”maxima, apothegma, dictums, epigrams, gnome, and sentence” në përpjekje për të shpjeguar, për të provuar – kaq shumë forma vulgariteti të “persihatjeve të pa kohë të kotësisë shterpë”

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin