1X10: IDENTITETE PLUSKUESE

Titulli: Identitete Pluskuese
Autori: Arba Baxhaku
Shtëpia botuese:
 Berk, 2021
Përzgjodhi:  Anna Shkreli


1.

Filli i pezullt që bashkon përvojat e kryeqyteteve të ndryshme të Ballkanit është shpërbërja e gjurmëve që pat lënë sundimi i gjatë osman, në atë që kish qenë territori i tij për më se pesë shekuj. Nga fundi i shekullit XIX, fill pas rënies së Perandorisë Osmane, qytete të tilla si Sarajeva, Bukureshti, Beogradi, Athina ose Sofja shfaqin një krizë të thellë të shprehisë identitare, çka shprehet me shkatërrimin fizik të shumë simboleve të kulturës islame që shënjojnë zonën për shekuj me radhë, në ndjekje të ikonës së qytetit perëndimor.

2.

Bulevarde kremtuese me përmasa imponuese, përgjatë të cilave ngriheshin fasada të larta klasike, rrethuan lagjet e ngushta osmane, duke refuzuar çdo lloj dialogu me të shkuarën. Në një kontekst të ri kombëtar, ‘identiteti’, ai që kërkonin shtetet e reja, u krijua rishtas dhe brenda një kohe të shkurtër falë arkitektëve perëndimorë. Për më shumë se një shekull, këto dy identitete të largëta, karakteristikat e Lindjes dhe Perëndimit, bashkëjetuan në Ballkan, duke u përplasur e njëkohësisht duke u afruar krah më krah si në një valle arkaike të maleve vetmitare të këtyre vendeve. Modelet e reja të arkitekturës u ngulitën në indin e vjetër osman, duke u gërshetuar me traditën lokale dhe duke përshkuar çdo ndërtim të ri. Identiteti që u fitua, i përfaqësuar nga imazhi i qytetit perëndimor, u zgjerua duke u bashkuar me traditën e vendit, penetroi ngadalë në rrugët e ngushta të modelit osman dhe nxori krye në çdo ndërtim të ri. Procesi i vazhdueshëm i përzierjes së dy gjuhëve arkitektonike rreket të zbulojë fytyrën e vërtetë të identitetit të këtyre tokave kufitare.

3.

Një shekull pas shpalljes së pavarësisë nga Perandoria Osmane, në Greqinë e fillim-shekullit XX, në një kontekst që synon kërkimin e identitetit kombëtar, shfaqet vepra e Aris Konstantinidis-it, e shënjuar nga studime dhe hulumtime të jetesës së lidhur me rrënjët identitare të tokës së tij, që shprehen përmes mësimeve të Mies van der Rohe-s. Në të, Aris Konstantinidis dëshmon vetëdijen se krijimi i “një arkitekture të aftë për të shprehur epokën e saj, kalon pashmangshmërisht përmes studimit të arkitekturës anonime”. Kostanditis-i hedh poshtë një traditë oborri që arkitektura kish marrë në atë kohë, ashtu si edhe modelet e shekullit të nëntëmbëdhjetë të importuara nga Europa, duke e kthyer vështrimin drejt formave spontane të arkitekturës, të cilave u atribuon vlerën e bashkimit mes së shkuarës dhe së tashmes: “Në të vërtetë, sa herë ka ndodhur që vendi ynë të mos gjejë veten në jetesën e ndikimeve dhe ndjenjave (parullave) të huaja? Dhe sa forma nuk rezultojnë të huaja për peizazhin, për shpirtin, trupin dhe ndjenjën? Jo vetëm sepse shprehin ndjenjën dhe arsyetimin e një të huaji, të një arkitekti ‘evropian’, por sepse ato ngrihen si imazhe të një fryme ‘që erdhi nga jashtë’, e cila nuk mund të bëhet kurrë e jona (…)”.

4.

Ngulimi i Tiranës lind në shekullin XVII si një vendndalesë mes rrugëve të rëndësishme tregtare që vijnë nga drejtime të ndryshme të Shqipërisë: udhët natyrore të karvanëve, të cilat që në lashtësi lidhnin qytetet e bregdetit të Adriatikut, Durrësin, Shkodrën dhe Lezhën me prapatokën, bashkohen në Tiranë. Gjendur në një kontekst gjeografik, që historikisht ka qenë arenë përplasjesh kulturore mes Lindjes dhe Perëndimit, qyteti lind në mes një morie shenjash dhe referencash të mbartura nga këto rrugë lidhëse. Rruga më e rëndësishme nis në Durrës, në Dyrrachium-in antik, lakohet në hyrje të Vorës dhe depërton në qytet nëpërmjet arteries kryesore të rrugës së Durrësit.

5.

Siç nënvizojnë shumë studiues, dallimi midis hapësirës urbane islamike dhe asaj perëndimore me origjinë greke të lashtë lidhet me faktin se konfigurimi planimetrik i qytetit islamik nuk ka asnjë lidhje me racionalitetin e mendimit gjeometrik helen ose me trajtat që mund t’i atribuohen ndonjë forme me rrënjë euklidiane. Konfigurimi i qytetit islam vjen nga kombinimi i shpërndarjes mes ndërtesave fetare, rrugëve të sistemit tregtar dhe pëlhurës urbane të komplekseve të banimit: “Në qytetet islamike nuk është rrjeti i rrugëve ai që përcakton formën e trojeve të ndërtimit; por përkundrazi është organizimi i tyre tipologjik i artikuluar që gjeneron shtrirjet e rrugëve. Prandaj, ata zgjedhin një shteg të degëzuar, pasi veprojnë si ndërmjetës për vendet e jetës publike dhe ndërtesat e ndryshme të jetës private.”

6.

Në fakt, vendndodhja e xhamive dhe varrezave u ka lejuar historianëve të përkufizojnë hartën e lagjeve të Tiranës. Edhe pse këto objekte kulti u zhdukën fizikisht gjatë regjimit komunist, gjurma e tyre mbetet në paraqitjen e rrugëve që buronin nga xhamitë dhe që konfiguruan më vonë perimetrin e lagjeve. Qyteti i modelit perëndimor evropian, përkundër atij islamik, ka një strukturë menjëherë të dallueshme, duke qenë se karakterizohet prej rregullash të mirëpërkufizuara planifikimi urban. Origjina e vendbanimit osman mund të gjurmohet në lidhjen midis arkitekturës dhe topografisë, tokës: është vendi ai që kushtëzon vendbanimin dhe zgjedhjen tipologjike, më tepër sesa modeli gjeometrik.

7.

Që nga 1924-a, për shndërrimin e qytetit kontribuuan arkitektë të shumtë italianë, përfshirë këtu Armando Brasini-n, Vittorio Ballio Morpurgo-n, Florestano di Fausto-n, Giulio Berté-në e Gherardo Bosio-n. Qyteti rimendohet duke filluar nga ndërtesat e reja dhe më përfaqësuese: Sheshi i Ministrive dhe Pallati Presidencial. Arkitekti roman Armando Brasini përgatit një projekt në të cilin shtron disa hipoteza, por që nuk ka për tu realizuar kurrë: “Tirana e ndërtuar krejt prej tullash qerpiçi, siç e pat gjetur Brasini, nuk mund të shndërrohej në një strukturë urbane të përshtatshme për të strehuar funksionet e reja të shtetit shqiptar dhe madje as përfaqësitë e reja dhe komunitetet e huaja që po vendoseshin gradualisht në qytet me ambasadat, shtëpitë e banimit, selitë e ndërmarrjeve etj.”. Në sintezë të projektit të tij qëndrojnë dy tipare kryesore: “zhvillimi linear për të bashkuar dy vende”, qendrën e vjetër dhe zgjerimin e ri, i cili shtrihet në një ind “lagjesh e rrugësh anonime”, si dhe karakteri monumental e skenografik i ndërtesave të planifikuara qeveritare. Zhvillimi linear përfytyrohet përmes një boshti të ri veri-jug që lidh dy sheshe monumentale në secilin skaj, duke shmangur çfarëdolloj dialogu të drejtpërdrejtë me qytetin paraardhës. Pikërisht karakteri peizazhistik i ‘lëmshit’ të rrugëve me avlli, të cilat shpërhapeshin mes gjelbërimit të selvive e pickoheshin prej gjeometrive gjatore të minareve, e shpuri drejt zgjidhjes së “krijimit të një Tirane të Re, një Tiranë tjetër, të largët, por në disa aspekte të ngjashme me atë të trashëguarën”.

8.

Hoxha është i vetëdijshëm për vlerën propagandistike të arkitekturës e cila, siç argumenton Dejan Sudjic në librin e tij ‘Edifice Complex: How the Rich and Powerful -and Their Architects- Shape the World’ është një mjet praktik që përdor një gjuhë shprehëse, të aftë për të përcjellë mesazhe jashtëzakonisht specifike. Diktatori shqiptar rimerr kështu rrugën e ndërtimit të qyteteve në Shqipëri në vazhdën e procesit që patën nisur italianët, ndryshe nga ç’do “të qe e përligjur të mendohej në perspektivën krejt politiko-mediatike të garës mes regjimesh kaq ekstreme”. Retorika kremtuese e sistemeve totalitare të shekullit XX, megjithëse e lidhur me ideologji shumë të largëta, në të vërtetë ndan të njëjtin ekspresivitet: “përdorimi i ndërtesave të mëdha, i akseve triumfale, përdorimi i sasive të stërmëdha guri për t’u lënë mbresë shikuesve, i dallon të gjitha regjimet totalitare, marksiste, fashiste a nacionaliste qofshin”. Luciana Posca, ashtu siç vendos në të njëjtin plan krahasues shndërrimet masive urbane të regjimeve totalitare të shekullit XX me ato të Haussman-it në Paris, gjen në propozimin italian për qendrën e Tiranës disa analogji me projektin e parealizuar të Albert Speer-it për projektin e Berlinit të ri: “aksi veri-jug (cardo) kapërcen lumin e sheshin rrethor me ndërtesat përfaqësuese dhe kryqëzohet me rrugën lindje-perëndim, (…) përfaqësuar nga decumanus i viale Mussolini-t”. Në fakt, me ndonjë përjashtim, regjimi socialist vendos t’i ruajë të gjitha veprat e ndërtuara gjatë periudhës fashiste, duke u hequr simbolet e liktorëve dhe shpesh duke u ndërruar përdorimin. Ashtu si në epokat e shkuara, ku arkitekturat e reja ‘ushqeheshin’ nga rrënojat e mëparshme dhe forma i mbijetonte funksionit, gjatë periudhës socialiste shumë monumente apo objekte kulti u shndërruan në palestra sportive, stalla kafshësh, shkolla apo magazina.

9.

Menjëherë pas rënies së regjimit komunist më 1992 pati një tjetër shkëputje dramatike me të shkuarën, e cila u shpreh si rebelim i individit kundrejt gjithçkaje publike, përfshirë hapësirat dhe ndërtesat civile. Në një gjendje anarkie të plotë, pushtimi i truallit filloi nga hapësirat e përbashkëta të qytetit. Zonat e gjelbërta ishin të parat që u zaptuan nga banorë, të cilët nisën të ndërtojnë aty hapësirën e tyre private. Në oborret e brendshme të lagjeve, në zbrazëtirat mes ndërtesave, nëpër parqe e sheshe nisën të mbijnë ndërtesa të reja. Bëhet fjalë për ndërtime të thjeshta e të ngritura me materiale të varfëra që, në mënyrë të pavetëdijshme, jehojnë përkohësinë e arkitekturës së moçme të qytetit. Maks Velo, arkitekt dhe piktor, denoncon në artikujt e tij shndërrimin e trashëgimisë arkitektonike të qytetit: “Dalëngadalë po krijohet imazhi i një qyteti barakë dhe balanca volumore po copëzohet (…) Shikoni në rrugën e Durrësit, në atë të Kavajës, në ‘Hoxha Tahsim’, në rrugën e Stacionit të Trenit, etj. Madje një kuzhinë e kanë kthyer në berberhane, dhe të duket sikur je në një qytet dekor, ku fasadat mund të ndërrohen në çdo akt. A keni parë në ndonjë qytet të botës të lejohet kjo?”4. Rrëzimin e regjimit komunist e ndjek ardhja e një rendi të ri politik, shoqëruar me një regjim ekonomik kapitalist. Ndryshon po ashtu edhe konfigurimi i qytetit, siç vëren Aldo Rossi, i cili, në studimin e tij L’architettura e la città, sjell analizën e Max Weber-it: “Një qytet, i traditës perëndimore, nuk mund të përkufizohet kurrsesi thjesht nga funksioni ekonomik; një qytet duhet të ketë një kushtetutë politike që ta krijojë. (…) Sisteme të ndryshme politike gjenerojnë forma të ndryshme qytetesh, karaktere të ndryshme hapësire urbane dhe mënyra të ndryshme jetese”.

10.

Shpeshherë, modifikimi i ndërtesave të banimit bëhet për shkak të nevojës për të zgjeruar hapësirat e brendshme të ngushta, por pa i kushtuar kurrfarë vëmendjeje aspektit të jashtëm, çka gatigati të kujton karakterin e arkitekturës tradicionale shqiptare, tek e cila përbërja e përmasat e dhomave janë krejt shpërfillëse kundrejt rrugës. Njësoj si në qytetet osmane, hapësirën publike fillojnë ta gllabërojnë fasadat, si një lloj shpagimi i tërbuar ndaj gjithçkaje që ishte kthyer në sinonim me konceptin e ‘publikes’. Qytetari i tjetërsuar, i detyruar për një kohë të gjatë të asgjësojë individualitetin e tij nën hijen e një realiteti të masave, tashmë kërkon larminë përmes një shumësie imazhesh. Liria e fituar kërkon afirmim duke hedhur poshtë të shkuarën.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin