GLOBO-SHQIPJA PËRBALLË PURIZMIT

Shoh të përvijohen dy rryma të dallueshme, brenda lëvizjes turbologjike: njëra a-kronike, që kërkon të “shpjegojë” etimologjikisht nëpërmjet shqipes çdo gjuhë që i del përpara, por duke operuar gati në jashtëkohësi ose në nivelin simbolik abstrakt (embriomorfemat); tjetra përkundrazi kapet pas vjetërsisë së shqipes, si gjuhë themelore dhe kozmike, dhe e vë këtë në themel të gjuhëve anembanë botës; por gjithnjë duke e orientuar dhe vlerësuar objektin e vet në kohë. Të dytët tregojnë interes edhe për mbishkrimet e lashta, sa më të padeshifruara aq më mirë, dhe i gjejnë shenjat e hershme të shqipes kudo ku ka lënë gjurmë homo sapiens.

Përndryshe, të dyja rrymat obsesionohen pas marrëdhënieve të shqipes me gjuhë të tjera – të bashkëkohësisë dhe të lashtësisë; duke shprehur zemëratë për numrin e madh të huazimeve që i kanë gjetur shqipes etimologët e shkollës historike-krahasuese dhe duke kërkuar që ta kthejnë mbrapsht kahun e huazimit. Jo më fjalë të huaja që kanë hyrë në shqipe, por fjalë shqipe që kanë shtegtuar në gjithfarë gjuhësh të tjera, nga italishtja te shumerishtja; dhe që “vetëm shqipja mund t’i shpjegojë”.

Një argument që sjellin shumë turbologë, për të provuar “degjenerimin” shkencor të albanologjisë, është përqindja papranueshëm e madhe e huazimeve në fjalorët akademikë të shqipes: edhe në fjalorët etimologjikë të Çabejt dhe të Topallit, edhe në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe (të viteve 1980, 1984 dhe 2006). Qarkullon një shifër, 93%, që nuk kuptohet se ku dhe si është gjetur; por që shfaqet në shprehje të tipit “ata e nxjerrin 93% të shqipes të huazuar”, etj., ku “ata” janë albanologët “sllavo-komunistë” ose të paguar nga hasmi; një turbolog madje ka kërkuar, në publik, heqjen nga qarkullimi të atij fjalori që “e nxirrka” shqipen me përqindje të tilla armiqësore, duke nënkuptuar se ai fjalor ekziston.

Shqetësimin e ekzagjeruar për elementin e huaj në shqipe pret njeriu që t’ua dëgjojë atyre puristëve që kërkojnë, nga mëngjesi në darkë dhe ndonjëherë edhe nga darka në mëngjes, që leksiku i shqipes të ruhet i pastër dhe i kulluar si ujët e burimit, të mbrohet nga huazimet (“e panevojshme”) dhe, sidomos, të pastrohet nga fjalët e huaja. Ca zelltarë madje as që mundohen që të bëjnë dallim mes huazimeve dhe fjalëve të huaja; për ta rëndësi ka origjina e fjalës ose pasaporta e saj identitare, jo përdorimi që ia bën gjuha dhe integrimi i saj në leksik, në fjalëformim dhe në frazeologji.

Për mua, turbologjia leksikologjike nuk është veçse një zgjidhje ekstreme, e stresit të shkaktuar prej purizmit, duke u nisur nga motivet e të gjithë atyre që nuk lodhen së shpjeguari fjalë dhe mbishkrime nëpërmjet shqipes. Nëse deri edhe “Iliada” qenka shkruar shqip (gegnisht) dhe greqishtja e vjetër nuk qenka veçse një formë artificiale e shqipo-pellazgjishtes, atëherë shqipja i bie të jetë aq e lashtë dhe aq primordiale, sa të ketë shërbyer si bazë gjuhësore e krejt qytetërimit indoeuropian (të paktën). Ca të tjerë përfshijnë në ekuacion shumerishten; të tjerë akoma gjuhën e egjiptianëve të lashtë ose etruskishten; më thonë që në ndonjë emision televiziv janë përmendur deri edhe gjuhët e indianëve të Amerikës.

Ky rol themeltar i shqipes i jep një zgjidhje të papritur shqetësimit purist: nëse fjalët e italishtes, të greqishtes, të latinishtes, të anglishtes, të turqishtes, të sllavishtes e të çdo gjuhe tjetër, të re dhe të vjetër (përfshi këtu edhe sanskritishten dhe hebraishten), mund dhe duhet të etimologjizohen nëpërmjet shqipes (“e vetmja që arrin t’i shpjegojë”), atëherë fjalët që kanë hyrë e që vazhdojnë të hyjnë në shqipe nga ato gjuhë, dhe që u turbullojnë e trazojnë gjumin puristëve, nuk janë veçse fjalë të vjetra shqipe, që kthehen në zanafillë.

Kështu merr shpjegim të ri, ngushëllues, edhe shifra fatale prej “93% huazime”, që nuk ka lënë atdhetar e autoktonist interneti pa alarmuar; sepse këto huazime që prishin fizionominë e fjalorëve të shqipes, janë identifikuar deri më sot si të tilla nëpërmjet etimologjizimeve historike-krahasuese (Çabej), për të cilat turbo-albanologët thonë se nuk qëndrojnë dhe nuk i përgjigjen realitetit. Në qoftë se një fjalë si vedër, e cila deri dje shihej si huazim i shqipes nga sllavishtja dhe llogaritej brenda atij 93-përqindëshit fatal, tani rezultoka plotësisht e shpjegueshme me mjetet e shqipes (siç e ka bërë A. Dalipaj së voni), atëherë i bie që ajo fjalë të jetë formuar në shqipe, dhe pastaj të ketë kaluar nga shqipja në gjuhët sllave dhe deri në kufi të Mongolisë. Ashtu edhe krijohen rrethanat që 93-përqindëshi të zerohet, jo duke e pastruar leksikun; por duke e ri-etimologjizuar. Misioni i shenjtë i puristit – dëbimi i fjalëve të huaja nga leksiku i shqipes, tani mund të arrihet fare lehtë, dhe jo duke larguar e dëbuar fjalë nga tekstet dhe fjalorët, por thjesht nëpërmjet korrigjimit të historisë së fjalëve dhe ri-etimologjizimit.

Përndryshe, puristët tradicionalë, që vazhdojnë politikat leksikore të Rilindjes dhe kërkojnë t’u vënë fre huazimeve, ende mbështeten në të dhëna për prejardhjen e fjalëve, që i marrin nga historianët e gjuhës dhe nga etimologët; ata shpesh preferojnë një huazim më të vjetër, si latinishten fqinjë, ndaj sinonimeve gjiton dhe komshi, duke kërkuar të paktën një diferencim stilistik dhe në regjistër, në përdorimin e këtyre (siç preferojnë fqinjësi ndaj gjitoni dhe komshillëk). E përdorin, pra, etimologjinë për të vënë në jetë politikat leksikore të diferencimit e të pastrimit të leksikut; por edhe të neologjisë – meqë një fjalë e re duhet ndërtuar me lëndë “shqipe”; dhe të mbrojtjes ndaj huazimeve të reja.

Paradoksalisht, turbologët – të njëjtët që duan ta vendosin shqipen në rrënjë të së gjitha gjuhëve – duket sikur janë gati të përqafojnë një zgjidhje themelisht të re, të problemit që shqetëson puristët tradicionalë: huazimit, duke e zëvendësuar “represionin” e elementit të huaj të padëshirueshëm me një lloj të çuditshëm amnistie leksikore; fjalët e huaja në fjalorët e shqipes që janë identifikuar si të tilla nga etimologët e metodës tradicionale, në fakt, me “metodat e reja” shpjegohen lehtë nëpërmjet shqipes, prandaj në vend që t’i nxjerrim jashtë fjalorëve dhe jashtë gjuhës, le t’ua rishkruajmë biografinë, duke treguar “origjinën” e tyre të vërtetë, që është shqipja. Befasuese.

© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

 

Shënim: Kopertina është krijuar me Midjourney.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin