DARDANË DHE DARDHARË

Dardanët dhe Dardania kthehen rregullisht në vëmendje të historianëve dhe të amatorëve të historisë, edhe për arsye të një lidhjeje ideale midis atyre realiteteve historike dhe Kosovës së sotme. Njëherazi ka konfuzion rreth marrëdhënieve të atyre emrave me fjalën shqipe dardhë.

Në lashtësi, dardanët përmenden më parë “si bashkëfisas të trojanëve dhe banorë të trevës Dardania që shtrihej gjatë bregdetit në jug të Helespontit në Troadë, ku sipas këtij eposi gjindej edhe një qytet i quajtur Dardanos” (Çabej), i cili u dha pastaj emrin edhe Dardaneleve. Thuhej se ky qytet ish themeluar nga Dardanos-i, biri i Zeusit dhe i plejadës Elektra. Paralelisht, dikur nga kapërcyelli i shekullit XII p.e.s., nga mbarimi i kohës së bronzit, dardanët përmenden mes “Popujve të Detit”, në mbishkrimet e Egjiptit (si drdnj); këta Çabej priret t’i identifikojë me dardanët e Trojës, duke përfunduar se “në muzg të historisë dardanët kanë formuar një etnos më vete, i cili me degën e tij anatolike mori pjesë aktivisht në ndodhitë e hapësirës së Detit të Egjeut. Ky etnos, në pajtim me këto rrethana, duhet t’u ketë formuar si një kombësi më vete në Gadishullin Ballkanik diçka më më parë.” Për t’u mbajtur parasysh se ilirët si popull i lashtësisë homerike nuk përmenden as te Homeri, as gjetiu.

Duket sikur Çabej anon nga ideja se dardanët e Trojës dhe dardanët e Ballkanit janë në thelb i njëjti entitet; edhe pse përsiatja për shtegtimin e tyre të supozuar nga Ballkani drejt Trojës më duket e pambështetur. Gjithsesi, i njëjti autor vëren se tema Dard- në onomastikën e kohës antike ka qenë e përhapur përtej caqeve të trevës dardane dhe të trevës dardane-trojane, dhe ndeshet në emra vendesh në Epir, në Maqedoni, në Tesali, në ishujt e Egjeut (Lesbos) dhe në truallin italik.

Sa për dardanët e Ballkanit, që përmenden për herë të parë në shekullin e 2-të p.e.s., këta mbahen përgjithësisht si ilirë, me depërtime trake në lindje të territorit të tyre.

Një tjetër gjë është burimi dhe kuptimi i këtij emri – të cilin që prej Hahn-it e kanë lidhur me shqipen dardhë; një etimologji që gjen mbështetje në faktin që në Shqipëri janë të shpeshta emrat e vendeve të formuara nga emra drurësh e pemësh, përfshi këtu edhe vendet e quajtura Dardhë. Ka edhe hipoteza që emri i pirustëve ilirë dhe i qafës së Prushit, nga njëra anë, të jetë një lloj përkthimi latin i dardanëve (lat. pirum/pirus); sikurse të jenë njëlloj përkthim i emrit toponime të tipit Krushevo, Krushevac, Krushevica.

Por prejardhja e emrit dardan, Dardania nuk ka pse të kushtëzohet nga etimologjia e fjalës shqipe dardhë; emri dardan mund të rrjedhë nga dardhë, por mundet të ketë prejardhje tjetër. Për emrin e frutit janë dhënë, ndërkohë, etimologji të ndryshme; Çabej e sheh si pjesë të një izoglose mes shqipes dhe gjuhëve kelte; por etimologë të tjerë, si Huld, Demiraj dhe Orel kanë dhënë shpjegime alternative.

Me interes është edhe hipoteza relativisht e re, që shqipja dhe shqiptarët ta kenë origjinën nga ajo zonë e Ballkanit ku jetonin në lashtësi dardanët; hipotezë që i referohet, sado tërthorazi, edhe teorisë së Georgievit për prejardhjen e shqipes nga “dako-mizishtja”, ashtu edhe hipotezës më të re, të parashtruar nga Matzinger-i.

Nga sa më lart, duket se kemi të bëjmë me një numër çështjesh që mund të lidhen mes tyre, por që mbeten të veçanta: (1) Çfarë i lidh dardanët e Trojës dhe dardanët e “Popujve të Detit” me dardanët e Ballkanit? (2) A vjen emri i dardanëve – të paktën atyre të Ballkanit – nga shqipja dardhë? dhe (3) Cila është etimologjia e shqipes dardhë? Meritë e Çabejt është se është përpjekur që t’i trajtojë të gjitha këto çështje së bashku, edhe pse pa u dhënë ndonjë përgjigje përmbyllëse; në një kohë që etimologët më pas u kanë ndenjur larg etnonimeve dhe toponimeve (për arsye më shumë metodologjike) dhe janë mjaftuar me diskutimin e etimologjisë së apelativit dardhë.

Unë do të shtoja këtu vetëm se është e vështirë, në mos e pamundur, të pajtohen etimologjitë që i janë dhënë emrit dardhë me emrin e dardanëve veçanërisht në kohën e luftës së Trojës dhe të Popujve të Detit; në atë kohë fjala dardhë e shqipes, pavarësisht nga etimologjitë që i janë dhënë, do të ketë pasur formë tjetër nga dard-. Prandaj kam frikë se etimologjia frutore e Hahn-it, për emrin e dardanëve të Ballkanit, e mbështetur edhe me argumente jashtëgjuhësore, e bën të pagjasë identifikimin e këtij populli me dardanët e Trojës, shumë më të hershëm.

Nga ana tjetër, nëse mund t’ia lejojmë vetes të spekulojmë në vazhdën e hipotezës për shtegtimin e stërgjyshëve të grekëve dhe të shqiptarëve, nga Anadolli lindor drejt Ballkanit (artikulli i revistës “Science”), atëherë nuk është fare e paarsyeshme të mendohet që dardanët e Trojës t’u kenë paraprirë atyre të Ballkanit dhe, më tej, atyre të Italisë së Jugut, në zhvendosjen e tyre nga Lindja drejt Perëndimit.

© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ilustrimi në kopertinë është realizuar me Google Imagen 3.0.

Bibliografi minimale:

  1. Çabej, E., Emri i Dardanisë dhe izoglosat shqiptaro-kelte, Studime Filologjike 1973, 3, ff. 55-64.
  2. Baliu, B., Onomastikë dhe identitet, Era, Prishtinë 2012.

2 Komente

  1. Mendoj se shkenca e etimologjisë duhet ti nënshtrohet një parimi që shpesh tejkalohet me lehtësi. Kur flasim për hetim a studim mbi historinë dhe origjinën e një fjale, nuk është se kemi të dhëna materiale që dokumentojnë gjurmë të qarta, si p.sh kronika dhe ngjarje historike të shkruara. Saktësia shkencore bazohet mbi atë ç’ka është e dukshme dhe e vërtetueshme, Etimologjia për fat t’keq nuk e gëzon këtë cilësi. Etimologjia pra, duhet t’i nënshtrohet rreptësisht parimit të Supozimit, “mendohet se”, pikërisht sepse është e pamundur “aletheia” (e vërteta) dhe “orthotes”(korrektesa), e emrit apo e fjalës. Gjuha, veç shekujve të fundit me arsimin masivë, trashëshgohej vetëm në formë gojore pra natyrore, si rrjedhojë është e pamundur të dokumentosh historinë e një fjale në mënyrë shteruese. Trajtimi i sajë do t’mbetet gjithnjë me një rezultat të supozuar, pamundësisht të dokumentuar. PS. Arsyetimi im vendos gjuhët e shkruara si një klasifikim i ndryshëm nga gjuhët natyrore, nuk duhet të trajtohen në të njëjtën mënyrë. Së fundi; fjalë etimologjikisht të zgjidhura në mënyrë absolute, nuk ka, të gjitha ose pothuajse janë të diskutueahme.

  2. Asnjë guidë e agjensive turistike të sotme nuk ofron udhëtime për në Trojën e “zbuluar” nga Shlimani… Një atraksion turistik si Troja do sillte miliarda të ardhura në euro për Turqinë. Kjo nuk ndodh dhe duhet ta ketë një shpjegim.
    Në hartat e vjetra gjejmë tri ngushtica ujore të emërtuara si dardanele: njëra ndodhet në Prevezë. E dyta ajo Rio-Andirio që ndan Peleponezin nga Epiri dhe e treta ajo që lidh Detin e Zi me Mesdheun. Të tria ngushticat janë neronime. I vetmi toponim i emërtuar Dardani është Dardania e banuar edhe sot nga shqiptarët e Kosovës.
    Etimologjia sipas gjuhësisë krahasuese nuk mund të japë asnjë zgjidhje sepse fjalët nuk vinë nga fjalët edhe pse ngjajnë mes tyre.
    Sipas “fjalorit enciklopedik shqiptar”, Kosova para 10 000 viteve ka qenë liqen dhe nga largimi i ujrave mbetën dy rrafshe: Rrafshi i Dukagjinit dhe Fush-Kosova, të ndara qartas midis tyre dhe kjo gjeografi është e emërtuar si e nDAR DY ANë. Përngjitja duket se dha:
    nDAR DY ANë >
    DAR’DY’AN >
    DARDYAN > DARDAN > DARDAN-ia.
    Krahasimi me dardhën (si frut) është i dukshëm sepse edhe fruti i DARDHës është i ndarë në dy pjesë duke formuar një bel në mes. Ndaj dhe dardha vjen nga nDAR-DY, që dha DARDY e mandej DARD > DARDë e DARDHë.
    I pari që hodhi idenë se toponimi Dardani vjen nga dardhë, ishte Hani. Çabeji e kopjoi duke thënë të njëjtën gjë, por për fjalën dardhë konkludoi se është me etimologji të errët.
    Fjalët nuk vinë nga fjalët por vinë nga embriomorfemat. Vërejmë se fjala DARDHË rrjedh prej dy embriomorfeve: DAR-DY. Ndërsa toponimi DARDANI rrjedh prej tri embriomorfesh: DAr + DY + ANë.
    Koncepti DARDANELE ka edhe një embriomorfe më shumë (katër) dhe ajo e fundit është lëngëzore sepse tregon ngushticë ujore.
    Pa konsideruar embriomorfemat, nuk mund të ketë kurrë etimologji të sakta.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin