Spiro Çomora tek përkthimi nga origjinali i Odisesë, në këngën VIII, duket se i jep vetes një liri paksa të tepërt por edhe të guximshme kur përkthen vargjet 111-114:[1]
Plot trima të rinj u lëshuan përpara, si Majaníú, Detshpéjti, Vozíti, Detáni, Kiçórri edhe Bregúshi, Rremóku, Detgjerí, Basháni, Vrapéci e Hypaníut, Rrethújsi, që lindur e kishte Shtroréshi i Mjeshtraniut;
Këtu Çomora siç shihet përkthen jo vetëm vargjet homerike por edhe emrat e përveçëm të origjinalit «Ἀκρόνεώς τε καὶ Ὠκύαλος καὶ Ἐλατρεὺς Ναυτεύς τε Πρυμνεύς τε καὶ Ἀγχίαλος καὶ Ἐρετμεὺς Ποντεύς τε Πρῳρεύς τε, Θόων Ἀναβησίνεώς τε Ἀμφίαλός θ’, υἱὸς Πολυνήου Τεκτονίδαο».
Ja si e shpjegon këtë vendim poeti Andrea Varfi i cili ka bërë parathënien e botimit të mësipërm dhe e ka pajisur atë me shënime:[2]
Spiro Çomora, duke ndjekur edhe shëmbëllën e Viktor Berardit, bën shumë mirë që emrat e detarëve i jep në kompozitë shqipe, pasi të gjitha pjesët përbërëse të këtyre emrave kanë të bëjnë me anijet, me pjesët e saj, me detarinë dhe detin; pra, më tepër se emra të përveçëm, këta janë emra-epitete. Ndër grekët e vjetër, po e ritheksojmë kjo mënyrë veprimi ka qenë e zakonshme: në shumicën e rasteve ata kthenin në greqishte edhe emra të përveçëm e toponime të huaja. Kështu taulantët i quajtën helidonë, Dyrrrahun e quajtën Epidamn, Abatin e quajtën Amantia, Pelazgjinë e quajtën Thesalia. Disa popuj e fise i thirrën madje edhe vetëm me epitete përçmimi, si lestrigonë, që do të thotë: banda kusarësh, piratë, kaonë, do të thotë në greqisht edhe: idiotë, kokë trashë; kalabrë = grerëza; enotrë = të dehurit, njerëz pijanecë. Të njëjtën mënyrë të grekëve nuk përtuan ta përdornin edhe romakët, pasi të dy palët nuk lanë gur pa përdorur edhe për të shuar çdo gjurmë qytetërimi e gjuhe të fiseve e popujve që nënshtronin. Pra, edhe emrat e feakëve ilirë mund të mendojmë me fare bukur që grekët i kanë përkthyer në greqishte. Dhe kur një frëng si Viktor Berardi i përkthen në frëngjisht, një shqiptar ka edhe më tepër të drejtë t’i përkthejë në shqip këta emra-epitete greke të feakëve ilirë.
Duke lënë mënjanë hovin kombëtarist të Varfit shohim se Çomora është ndikuar nga përkthimi francez i Odisesë nga V. Berard. Homeristi francez i dha kështu vargjet e mësipërme:[3] «Bientôt se présenta la plus noble jeunesse, et l’on vit se lever Dugaillard, Vitenmer, Laviron, Lenocher, Delapoupe, [Du Bord, Delarame, Dularge, Delaproue], Lecoureur, le fils de Montabord, et Doublemer, le fils de Flotte-Carpentier». Në shënimin përkatës Berard e justifikon vendimin e tij kështu:
I kam përkthyer në frëngjisht këta emra të feakëve, të cilët janë marrë të gjithë nga deti, nga lundrimi dhe nga pjesët e ndryshme të anijes. Në poemën origjinale, vajza e Alkinout kishte tashmë një emër të këtij lloji, Nausikaa; po kështu edhe plaku i feakasve, Ekheneu. Më është dashur të ruaj në formë të transkriptuar emrin e Eurialit, i cili shfaqet më vonë, por që mund të përkthehej si Largdeti, ashtu siç më sipër është përkthyer Vrapdeti (Vitenmer). Një interpolues i mëvonshëm shtoi vargun 112b-113a, i cili përsërit kuptimisht vargun pararendës.[4]
Nga përkthimet në gjuhët e mëdha evropiane që kam parasysh si i Pope në anglisht dhe i Voß në gjermanisht por edhe në greqishten moderne si ajo e Kazantzakis që me siguri e kanë patur parasysh dy njohës të greqishtes si Çomora dhe Varfi, emrat e feakëve të këtyre vargjeve ngelen të papërkthyera. Çfarë e bëri Çomorën të ndjekë stilin e Berard-it nuk mund ta them por nuk do habitesha sikur teksti shqip të kishte edhe përkime të tjera me atë francez. Natyrisht shpjegimi i Varfit as që mund të merret parasysh, sidomos kur e krahasojmë me komentet e tjera të tij ku Laertin e afron me fjalën e shqipes lart, Skerinë e feakëve me Shqerinë e Leskovikut dhe të tjera interpretime që sot do e kishin bërë jashtëzakonisht popullor në internetin shqiptar.
John Bryan Hainsworth tek vepra A commentary on Homer’s Odyssey volume I. Introduction and books I- VIII për vargjet e mësipërme komenton se zgjedhja ose shpikja e emrave është pjesë e artit homerik dhe se si zakonisht, synimi i poetit mbulohet nga stili epik i dendur, por ai varion nga humori strikt, deri në romantik dhe në stil ekscentrik si këtu.[5]
Me të vërtetë, Homeri shpik dhe krijon emra të përveçëm në një mënyrë krejtësisht të vetën dhe unike. Nga fjalori i tij, i cili përmban rreth dhjetë mijë fjalë, afërsisht një mijë e katërqind prej tyre janë emra (natyrisht jo të gjithë janë emra që u krijuan prej tij). Brenda tekstit homerik, këto emra që përshkruajnë heronj dhe persona janë kryesisht apelativë. Disa prej tyre ai vetë i kupton si të tillë, si në rastin e emrit të Odisesë, disa të tjerë, që pasqyrojnë tradita të mëparshme gojore, duket se ai nuk i kupton si të tillë, si p.sh. në emrin e Priamit, ndërsa disa të tjerë, siç është rasti i feakëve, ai i ka krijuar plotësisht vetë. Luftëtarët dhe mbretërit kanë emra që të kujtojnë luftëtarë dhe mbretër, rapsodët kanë emra që të kujtojnë këngëtarë dhe rapsodë, profetët kanë emra që të kujtojnë profeci, zanatçinjtë kanë emra zanati. E thënë thjesht, Besniku homerik është me të vërtetë besnik. Për Homerin emrat përkufizojnë dhe dënojnë njëkohësisht heroin e vet dhe së fundmi ato mund të kenë qenë një teknikë mnemonike për të mbajtur mend gjithë ato mijëra personazhe.
Emri i Homerit ka vetë një histori interesante. Homeri nuk ka qenë i verbër. Keqkuptimi ndodhi ngaqë në greqishte όμηρος quhet edhe shoqëruesi i të verbërve[6] (kryesisht skllevër ose shërbëtorë që shoqëronin njerëzit e verbër, ashtu siç janë sot qenët udhërrëfyes). Homeri në lashtësi nuk konceptohej si emër i përveçëm, prandaj nuk gjendet në literaturë tjetër Homer që nga rapsodi gjer tek njëfarë Homeri Sellos nga Bizanti. Pra ky kuptim i shoqëruesit, që del edhe në aspekte të tjera, është kuptimi fillestar. Homeri, όμηρος nuk është gjë tjetër veçse shoqëruesi – rapsod i mbretit dhe i oborrit. Ai që i thurte lëvdata, këngë dhe poema për bëmat e jetës mbretit dhe padronit të vet. Diçka afër me bufonin. Përgjithësisht në Greqinë e lashtë të paktën gjer në epokën klasike nuk përdoreshin emrat e poemave homerike. Literatura greke nuk ka asnjë personazh me emrin Odisea që nga ai homerik gjer tek heroi i kryengritjes greke të vitit 1821, Odiseas Androutsos.[7]
Më poshtë po sjell disa shembuj nga personazhe të Iliadës dhe të Odisesë, emrat e të cilëve mbartin peshën e nomen omen.
Agamemnon, është ai që qëndron, ai që në betejën e egër nuk kthehet në ikje, por qëndron dhe lufton i patrembur. Mémnones (Iliada, Kënga I, 424) quhen shumë prej këtyre trimave dhe Agamemnon (ágan mémnon) quhet kryekomandanti i pathyeshëm dhe trim – mbret i Akejve të Mikenës gjatë luftës trojane. Kjo ága – ágan është gjithashtu rrënja e mbiemrit agathós (= trim); ekziston edhe si ndajfolje e thjeshtë dhe e pavarur ágan (= super, shumë, i pari). Pjesa e dytë e përbërë e Agamemnonit, mémnon – méno, është term ushtarak, dmth. qëndroj në frontin e betejës i vendosur, i qëndrueshëm, i patundur, constans, constantius, constantinus, i patrembur, i pathyeshëm, trim, fitues. Pra Agamemnon do të thotë «shumë i guximshëm». Në Spartë edhe epitet i Zeusit.[8] Déifobos, ai që plaçkit dhe terrorizon (kundërshtarët). Nga fjala déïosis = plaçkitje, grabitje).[9] Bir i Priamit dhe vëlla i Hektorit dhe Paridit. Gláukos, (= glaukós, sy kaltër ose gri – biond) me gjasa trak nga aleatët e trojanëve. Personazhi i Iliadës që dylufton me Diomedin. Theksi i tij ngrihet në parafundore, si në christós, ksanthós dhe lamprós, që si emra të përveçëm bëhen Chrístos, Xánthos dhe Lámbros.[10]
Hektori, emër i prejardhur nga folja hécho – hékso (= zotëroj) ai që mban, që posedon, sundimtari – mbreti dhe realisht shtylla mbështetëse e Trojës.[11] Tiresias, profeti i njohur i Tebës. Emër i prejardhur nga fjala téras (= mrekulli, shenjë hyjnore, çudi). Pra njihej si bërës mrekullish, dhe në fund falltar që shpjegonte shenjat.[12] Menelau, prijës i Spartës dhe vëlla i Agamemnonit. Emri është kompozitë e fjalëve meno (qëndroj, shih edhe Agamemnon) dhe laós (=popull, por kuptimi fillestar ka qenë ushtri).[13] Pra komandanti dhe nënkomandanti i ushtrive akejase kanë emra të përafërt, që përputhen me rolin e tyre. Hekuba, gruaja e Priamit (ky në total ka patur nja pesëdhjetë fëmijë) me të cilin thuhej se kishte nja njëzet fëmijë, midis tyre Paridin dhe Hektorin. Për këtë arsye hekabe quhej edhe dosa.[14] Emri pas gjasash është jo-grek por mbase mbart një traditë përkthimi. Thersites, kundërshtar i guximshëm (me kuptimin e paturpësisë), nga fjala thersos (kurajo, guxim).[15] Personazhi i Iliadës që foli troç kundër Agamemnonit dhe e shqepi në dru Odisea. Astianaktas, i biri fatkeq i Hektorit dhe i Andromakës. Emri është kompozitë nga fjalët ásty (=qytet, kryeqytet, me kuptimin urbs) dhe ánaks (=prijës, zot mbret).[16] Pra në vetvete emri është një titull, që duket se fillimisht ka qenë epitet i Hektorit ose Priamit dhe më vonë u konceptua si emër i përveçëm dhe gjeti vend në tekst si personazh më vete.
Nga njëra anë, qëndrimi i Çomorës (dhe i Berardit) është logjik brenda logjikës së tij: nëse emrat e feakëve janë kryesisht apelativë – domethënë emra që mbartin kuptim të qartë dhe lidhen me detin, anijen dhe lundrimin – atëherë përkthimi i tyre në gjuhën shqipe është një zgjidhje artistike legjitime. Por kjo zgjidhje hap menjëherë një pyetje: pse vetëm këta emra? Pse të mos përkthejmë edhe Alkinoun, Nausikën dhe Eurialin, disa vargje më poshtë ose emra aq domethënës sa Agamemnoni, Hektori, Menelau, Deifobi apo Glauku që u shpjeguan më lartë? Nëse pranojmë parimin se emri homerik nuk është thjesht një etiketë, por një element semantik aktiv i poemës, atëherë përkthimi i plotë i onomastikës homerike duket si një detyrim konsekuent. Megjithatë, një përkthim i tillë sistematik do të ndryshonte rrënjësisht karakterin e tekstit: do ta kthente eposin në një lojë fjalësh dhe kuptimesh, duke rrezikuar të humbasë atë distancë epike dhe mistike që krijojnë emrat origjinalë grekë për lexuesin modern.
Në fund të fundit, teknika homerike e krijimit të emrave mbetet një dëshmi e jashtëzakonshme e gjenialitetit të poetit, i cili arrin të krijojë një unitet organik midis gjuhës, karakterit dhe fatit. Kopjimi i këtij gjenialiteti mendoj se nuk tregon as gjenialitet dha natyrisht origjinalitet, por a është emri pronë e poetit apo e gjuhës?
(c) 2026 Tannhäuser. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.
[1] Homeri, Odisea (këngët I-XII), përkth. S. Çomora, Sh. B. «Naim Frashëri», Tiranë 1973, f. 72.
[2] Po aty, f. 140-141.
[3] L’Odyssée, «Poésie Homérique», Tome II: Chants VIII-XV, Texte établi et traduit par: Victor Bérard, Les Belles Lettres, Paris 41946, f. 6.
[4] J’ai traduit en français ces noms de Phéaciens qui sont tous empruntés à la mer ou à la manœuvre et aux différentes parties du navire : dans le poème original, la fille d’Alkinoos avait déjà un nom de cette sorte Nausi-caa, de même, le doyen des Phéaciens, Éché-nèos. J’ai dû transcrire le nom d’Euryale qui revient par la suite, mais qu’on pourrait traduire par Largemer comme on a plus haut Vitenmer. Un surinterpolateur ajouta le vers 112b-113a qui redouble le vers précédent. Po aty.
[5] Përdor botimin greqisht S. West, A. Heubeck, J.B. Hainsworth, Ομήρου Οδύσσεια, κείμενο και ερμηνευτικό υπόμνημα. Τόμος Α΄, Ραψωδίες Α-Θ (red. Antonis Regkakos, përkth. Maria Kaisar), bot. Δημ. Ν. Παπαδήμα, Athinë 42015, f. 596. Ky botim është përkthim i botimit të rishikuar dhe të plotësuar italisht, Omero Odiesa nga Arnoldo Mondadori Editore për llogari të Fondacionit Lorenzo Valla.
[6] LSJ = H. G. Liddell, R. Scott, H. S. Jones, A Greek–English Lexicon, 9th ed. with a supplement edited by E.A. Barber, Clarendon Press , Oksford 1968, s.v. ‘Όμηρος, όμηρος. Shih edhe Chantraine P., Dictionnaire Étymologique de la langue grecque; Histoire des mots, Klincksieck, Paris 1999, s.v. όμηρος.
[7] Margjinalisht i pranueshëm mezi gjendet një Odysseus (lat.) në një mbishkrim në Campania të Italisë në rrethana shumë të paqarta. Shih A Lexicon of Greek Personal Names vol. III.A, The Peloponnese, Western Greece, Sicily, and Magna Graecia, edited by P.M. Fraser and E. Matthews, Clarendon Press, Oksford 1997, f. 338.
[8] LSJ, s.v. αγα-, άγαν, Αγαμέμνων, μένω.
[9] LSJ, s.v. δηϊόω, δηϊφόβος.
[10] LSJ, s.v. γλαυκός. Për dukurinë e ngritjes së theksit tek emrat nga apelativët shih. Μπαμπινιώτης Γ., Λεξικό Κυριών Ονομάτων, Κέντρο Λεξιλογίας, Athinë 2022, f. 345-6.
[11] LSJ, s.v. έκτωρ, έχω. Del edhe tek tabelat mikenase të Linearit B. Shih. Προμπονας Ι.Κ., Λεξικό της μυκηναϊκής ελληνικής, Σύλλογος προς Διάδοσιν Ωφέλιμων Βιβλίων, Athinë 2024, f. 142-3.
[12] LSJ, s.v. τέρας.
[13] LSJ, s.v. Μενέλαος, λαός.
[14] H. G. Liddell, R. Scott, H. S. Jones, Greek–English Lexicon Revised Supplement, edited bz P.G.W. Glare with the assistance of A.A. Thompson, Clarendon Press, Oksford 1996, s.v. Εκάβη.
[15] LSJ, s.v. θέρσος, θερσιεπής.
[16] LSJ, s.v. αστυάναξ.
Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.