Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antikitet

HIMARA E ULIKSIT DHE MITE TË TJERA TË RREME

Vite më parë, gjatë punës për mbrojtjen e doktoraturës në fushën e arkeologjisë, kushtuar zonës bregdetare të Konisë, kryesisht Himarës, më është dashur t’i njoh mirë dhe të marr në analizë të gjitha burimet historike dhe epigrafike të antikitetit të cilat përmendin këtë zonë, si dhe të kryej kërkime arkeologjike në terren, duke përfshirë edhe gërmime. Krahas studimit dhe njohjes së kësaj hapësire gjeografike në harkun kohor të shek. IV-I p.Kr, që ishte periudha ku fokusohej teza ime, jam marrë edhe me periudhën e Bronzit të Vonë (shek. XV-XII p.Kr). Sa i përket kësaj periudhe të prehistorisë, krahas dokumentimit të fortifikimeve të shumta që gjenden në këtë zonë, së bashku me kolegë të tjerë, realizuam edhe gërmimin e tre tumave. Megjithatë, edhe pse tashmë për këtë zonë ka një informacion të pasur arkeologjik dhe historik, si për Antikitetin edhe për Prehistorinë, në popullsinë lokale kanë zënë rrënjë disa sajesa mitologjike rreth udhëtimit të Odisesë/Uliksit në Himarë. Akoma më keq, shpella prehistorike e Spilesë, e cila mban edhe statusin monument kulture, rëndom quhet edhe shpella e Ciklopit apo Polifemit, duke i mveshur asaj tregimet mitologjike homerike, që në fakt nuk lidhen fare me këtë areal kulturor dhe gjeografik e aq më pak me këtë monument. Mite të tilla i mvishen historisë së Himarës edhe në Antikitet, duke i bashkëlidhur mitin e Himerës (Chiamera-s), që në fakt lidhet me qytetin antik, i cili dikur ndodhej në Italinë e Jugut, në Sicili. Kjo sajesë mitologjike, e cila gabimisht i atribuohet Himarës, ka zënë rrënjë jo vetëm në vetëdijen kolektive të banorëve, por për fat të keq edhe në simbolikën e institucionit të Bashkisë së Himarës. Huazimi dhe popullarizimi i këtyre tregimeve mitike, të cilat nuk kanë lidhje me historinë e Himarës, ngrenë gënjeshtrën në shkallën e të vërtetës historike, keqinformojnë opinionin publik, si dhe tjetërsojnë simbolet historike të kësaj zone. Kjo, jo vetëm që është e gabuar, por është tërësisht e panevojshme për këtë zonë, e cila, që nga Prehistoria e deri në Mesjetë mbart një trashëgimi kulturore të jashtëzakonshme dhe një lavdi historike si askush tjetër. Duke u nisur nga ky shqetësim, po i trajtoj më poshtë të tre këto mite të rreme, me qëllim jo për të polemizuar, por për të ndërgjegjësuar opinionin publik rreth falsitetit të tyre. Ky shkrim ka qenë në mendjen time qysh herët, megjithatë, duke përfituar edhe nga vëmendja që aktualisht ka marrë poema e Homerit “Odiseja”, për shkak të filmit të Christopher Nolan, po shfrytëzoj momentin për ta aktualizuar si problematikë.

Në librin e tij kushtuar jetës dhe veprës së Skënderbeut, Marin Barleti, i cili e kishte zakon që të përshkruante qendrat e ndryshme të Shqipërisë së shek. XV, duke ju referuar edhe historisë së tyre antike, kur përshkruan Himarën, i referohet si Himara e Uliksit (Barleti 1983, f. 120). Ai e bën këtë referim duke u bazuar në këngën X dhe XI të librit “Odiseja” (Homeri 2006, f. 168-187), ku përshkruhet udhëtimi i heroit drejt Hadit, që ndodhet në lumin Aheron ose lumin e Sulit (Leake 1835, f. 196), në pjesën jugore të Thesprotisë (ose Çamërisë), për të takuar fatëthënësin Thirezia, i cili do ta ndihmonte për të gjetur rrugën drejt Itakës. Sipas Homerit, këtu ndodhej fundi i “Oqeanit”, ku jetonte populli i Kimerëve. Siç shihet, gjeografikisht “Kimerët” shtrihen në jug të Thesprotisë dhe jo në zonën gjeografike ku shtrihet Himara. Në këngët XIV dhe XIX, duket qartë që pjesa kontinentale që më vonë do të quhej Epir (Kontinent) njihej mirë prej Homerit, i cili nis të flasë për Thesprotët, për mbretin e tyre Fedonin dhe Orakullin e Dodonës (Homeri 2006, f. 254-255). Edhe në burimet për ilirët dhe Ilirinë tek autorët antikë, të përgatitur nga arkeologët e Institutit të Arkeologjisë, kur citohet vepra “Odiseja”, studiuesit i referohen vetëm rastit të thesprotëve (Islami et al 2002, f. 11-12). Studiuesi i shquar i historisë antike Peirre Cabanes, në korpusin e mbishkrimeve për Kaoninë të përgatitur në bashkëpunim me studiuesin Faik Drini, kur rendit burimet historike për Himarën, në asnjë rast nuk gjen ndonjë përmendje të Himarës në poemën “Odiseja” (Cabanes, Drini 2016, f. 157-160). Pra, është e qartë, që në asnjë rast nuk flitet për Himarën, por emri i Kimerëve, i përafërt me emrin e Himarës, e ka shtyrë Barletin në një lapsus gjeografik, për pasojë edhe historik. Fatkeqësisht, ky lapsus, i cili nuk u morr ndonjëherë në analizë, me kalimin e kohës u ngatërrua edhe më tej, duke i mveshur gabimisht Himarës edhe ngjarje të tjera të poemës së Homerit. Dëgjohet në vitet e fundit, që në artikulimin publik të ngatërrohet shpella prehistorike e Spilesë në Himarë, me shpellën e Ciklopit Polifem. Ky keqkuptim i radhës që lidhet me këngën IX, ku flitet për tokën e Ciklopëve dhe shpellën e Polifemit (Homeri 2006, f. 147-167), me siguri i është mveshur gabimisht Himarës, kryesisht pas gërmimeve të kryera nga arkeologu italian Luigi Cardini në vitin 1936 në shpellën e Spilesë (Francis 2005, f. 59-62, 78-79, 92-93, 97-98), ku me sa duket, më vonë, pas gjetjeve arkeologjike nga ky i fundit, fantazia e historianëve lokalë ka nxitur përrallën se kjo shpellë lidhet me legjendën e Odisesë dhe Polifemit. Jo vetëm që nuk ka asnjë provë shkencore për të pohuar një gjë të tillë, por mjafton të lexosh këngën e IX tek “Odiseja” dhe kuptohet qartë që kemi të bëjmë me një mjedis mitologjik, i cili gjeografikisht ndodhet larg brigjeve të Epirit antik e prehistorik, ashtu siç tregimet për lotofagët, lestrigonët, magjistaren Circe, Kalipson, Shilën dhe Karibdën, si dhe kënga e Sirenave, janë krejt mjedise mitologjike, larg hapësirës gjeografike të Shqipërisë. Shumica e studiuesve, të cilët janë marrë me interpretimin e itinerarit “odisejan”, bien dakord që toka e Ciklopëve është Sicilia. Ky fakt, jo vetëm që nuk ja pakëson vlerat si monument shpellës së Spilesë, por informacioni shkencor i përftuar nga gërmimet arkeologjike, tregon se, kemi të bëjmë me një sit arkeologjik të frekuentuar që nga periudhat parahomerike të Neolitit dhe fillimit të periudhës së Bronzit, e deri në periudhën Arkaike, Klasike e përgjatë gjithë Antikitetit, deri në Mesjetë. Ky shtresëzim kulturor, përmban informacion të jashtëzakonshëm shkencor për rindërtimin e dinamikave të zhvillimit historik të gjirit të Himarës në periudha të ndryshme, çka padyshim vlen më shumë se trillimet amatoreske me mite të paqena. Kur flitet për arealin e afërt ishullor dhe kontinental dhe fiset e thesprotëve, apo feakasit në ishullin Skeria (ishullin e Korfuzit), për ishullin e Itakës dhe ishuj të tjerë të afërt me Epirin, përshkrimi gjeografik tek Homeri është më i gjallë dhe më i besueshëm. Edhe pse libri është shkruar në shek. VIII p.Kr, ndërsa ngjarjet zhvillohen në fundin e periudhës së Bronzit (shek. XIII-XII p.Kr), shumica e vendeve apo realiteteve i afrohen shumë të vërtetës historike, çka tregon se autori i poemës, jo vetëm që jeton e vepron në këtë mjedis gjeografik, por njeh mirë edhe ngjarjet historike të shekujve paraardhës. Fjala vjen, Homeri në të dy poemat e veta përshkruan mjaft mirë ritet dhe monumentet mortore, të cilat kanë qenë shumë të përhapura në brigjet e Thesprotisë dhe Himarës. Mënyra e varrimit me tuma është një nga ato tradita të shek. XV-IX p.Kr, të cilat nuk praktikoheshin në kohën kur janë shkruar poemat e Homerit. Pra, kjo e bën edhe më të qartë, se areali gjeografik dhe kulturor ku Homeri, gjatë leximit, ndihet më i familjarizuar, është zona kontinentale apo i mëvonëquajturi Epir. Në këtë kontekst, tumat e zbuluara në Himarë (Çipa et al 2024, f. 177-194), e fusin tërthorazi Himarën në mjedisin historik dhe shoqëror të përshkruar nga Homeri. Sigurisht që Himara nuk bënte pjesë në qytetërimin e pallateve Kreto-Mikenase, por është pjesë e një realiteti më verior, atij të kulturës së tumave dhe fortifikimeve me arkitekturë të thjeshtë, përfaqësuese e një forme më fisnore organizimi, karakteristike për Ilirët e Jugut të periudhës së Bronzit dhe Hekurit. Nuk është e pavend të thuhet, se poemat e Homerit dhe mitet me heronjtë e Trojës do të bëheshin shumë popullor në Ilirinë e Jugut dhe në Epir gjatë Antikitetit, ashtu si në gjithë Mesdheun. Për motive të ndryshme, si fjala vjen, krijimi i gjenealogjive heroike, paraqitja me një origjinë fisnike, apo krijimi i një imazhi prestigjioz, bëri që shumë subjekte mitike të poemave të Homerit të huazoheshin nga fise dhe qytete të ndryshme në Iliri. Dihet tashmë nga burimet historike dhe epigrafike, se për Amantinët flitej se kishin prejardhje nga Abantët e Luftës së Trojës prandaj thirreshin edhe Abantë; se Bylisi u themelua nga Hylli i biri i Herakliut dhe Butrinti nga Heleni i biri i Priamit dhe Andromaka e veja e Hektorit; si dhe shumë raste të tjera. Edhe në Himarë lidhje të tilla mitologjike duhet të kenë qenë popullore, edhe pse dëshmitë historike dhe epigrafike mungojnë. Kjo hipotezë bëhet edhe më e mundshme, po të mendosh, se më në jug, në Borsh është gjetur një topuz votiv i shek. V p.Kr, i cili i kushtohet Herakliut nga fisi i Mahiejve, një fis lokal, i cili pretendonte se kishte prejardhje trojane (Cabanes, Drini 2016, f. 158-159). Nga burimet epigrafike, dihet se Himara në vitin 220 p.Kr merrte pjesë në lojërat delfike (Daubner 2018, f. 138), ku krahas garave sportive kishte dhe gara poetike. Pra, që në kohën Antike, Himara kishte poet të aftë, të cilët traditën mitologjike lokale ishin në gjendje ta prezantonin në skenat më të fuqishme kulturore të Antikitetit, siç ishte ajo e Apollonit Pithia (Apollonit Poet), pranë orakullit të shumërespektuar të Delfit. Edhe pse, e dimë se Himara e ka patur një traditë të tillë mitologjike gjatë Antikitetit, në mungesë të të dhënave arkeologjike e historike, nuk e dimë ende se si e identifikonin veten ata në gjenealogjinë mitike të eposeve homerike. Këto tradita të hershme shpirtërore nuk kanë qenë të forta vetëm në Antikitet, por kanë vijuar edhe përgjatë Mesjetës. Ndër banorët e Himarës, ashtu si ndër gjithë shqiptarët, është shumë popullor kënga e Ago Imerit apo Ymer Agos, që njihet edhe si kënga e Konstandinit të Vogël(i)th, të cilat, siç ka sugjeruar në studimet e tij Prof. Eqrem Çabej, si dhe studiues të tjerë të huaj, janë një version mesjetar i “Odisesë” homerike (Çabej 2011, f. 57-67). Pra, në folklorin tonë ruhen mjaftë mirë këto shtresa të hershme të poemave homerike, të cilat në Prehistori dhe në Antikitet kanë qenë mjaftë popullore në Gadishullin Ilirik.

Për sa rendita më sipër, nuk është e nevojshme të shpiken apo huazohen lidhje mitike për zona gjeografike si Himara, të cilat çojnë në falsitetin e vlerave historike dhe kulturore, ndërkohë që, ADN-ja jonë kulturore në shtresëzimet e saj historike dhe arkeologjike, ashtu si edhe në sferën shpirtërore, i ruan mjaftë mirë këto vlera shumë të lashta dhe autentike.

Edhe miti i Chimaera-s dhe Belerofonit, që gjithashtu i është mveshur mitologjisë antike të Himarës së bregdetit të Kaonisë, lidhet në fakt me Himerën apo Chimaera-n, qytet i cili ndodhej në brigjet veriore të Sicilisë, i cili në vitin 409 p.Kr u shkatërrua nga Kartagjena, dhe nuk e mori dot më veten. Chimaera është një kafshë mitologjike me kokë dhe trup luani, me kokën e një dhie në mes të trupit dhe bishtin prej gjarpri, ndërsa Belerofoni është luftëtari që e vret këtë përbindësh mitologjik. Ngatërresa e parë rreth emrave të ngjashëm të të dy qyteteve, ka ardhur nga shkrimtari romak Plini (C. Plini Secundi, Naturalis Historiae, IV, 1), i cili në kapërcyellin e shek. I, kur përshkruan qendrat bregdetare të Epirit dhe Ilirisë, emrin e Himarës e shkruan në trajtën Chimaera, pra në një trajtë të ngjashme me emrin e qytetit të Sicilisë. Ky keqkuptim i Plinit, me sa duket, është rimarrë më vonë nga studiues lokal, amator në periudhën e Antikitetit, dhe siç ndodh rëndom, ca për t’u dukur si të lexuar e ca për t’i rritur vlerat historike kësaj qendre në mënyrë artificiale, i kanë mveshur Himarës mitin e Chimaerës dhe Belerofonit. Fatkeqësisht, është tashmë e qartë, që miti apo legjenda zë rrënjë më shpejt në vetëdijen historike të një populli, se vetë fakti historik. Edhe në këtë rast, ky mit i rremë, nuk ka ngelur në kuadrin e një legjende popullore të huazuar nga një vend i huaj, por është institucionalizuar, duke u bërë edhe pjesë e emblemës së Bashkisë Himarë. Në fakt, për praninë e një miti të tillë në Himarën antike nuk ka asnjë të dhënë arkeologjike, historike apo epigrafike. Në të vërtetë, burimet epigrafike na tregojnë se Himara ka qenë një shtet i vogël i pavarur në shek. IV p.Kr. Në mesin e këtij shekulli banorët e Himarës i drejtohen Orakullit të Dodonës, për ta pyetur nëse duhet të ndërtonin vendbanimin e tyre në kodrën ku ata tashmë ishin vendosur (Dakaris et al 1993, f. 59-60). Në pllakëzën prej bronzi, ku pyetja i drejtohej me shkrim Orakullit, ata e shkruajnë emrin e vendit të tyre si Kemairai ose e shqipëruar ndryshe Kemara/Himara, pra jo Chimaera/Himera. Të njëjtën gjë vëmë re edhe në listën e lojërave delfike në vitin 220 p.Kr (Daubner 2018, f. 138). Lajmëtarët e këtyre lojërave, të quajturit Theoroi, të cilët vizitojnë Himarën, e shkruajnë emrin e Himarës në listën e shteteve pjesëmarrëse në formën Kemairai, pra Kemara. Kjo formë e emrit ruhet mjaftë mirë edhe në shqipen e sotshme, në trajtën Himara. Siç duket qartë, nga të dhënat historike, epigrafike apo arkeologjike, që disponojmë deri më tani, miti i Himerës/Chimaera-s është një sajesë dëshirore dhe amatoreske, e cila jo vetëm nuk ka asnjë lidhje me historinë apo traditën mitologjike antike të Himarës, por i është marrë një qyteti tjetër antik, duke tjetërsuar kësisoj simbolet historike të Himarës së lashtë.

Për ta mbyllur këtë diskutim të shkurtër historiko-mitologjik, gjykoj që, jo vetëm që këto mite e simbole të rreme duhen korrigjuar në memorien dhe simbolet e Himarës, por gjithashtu, ato duhet të zëvendësohen me simbole të qenësishme historike. Himara është një qendër dhe krahinë e pasur me arkeologji dhe histori, duke nisur nga Prehistoria e deri në Mesjetë. Ajo ka simbolet e saj historike, të cilat mbartin lavdi të pakrahasueshme dhe identitet, për këtë arsye, huazimi i miteve apo simboleve të huaja, është jo vetëm i tepërt, por edhe i papranueshëm.

(c) 2026 Kriledjan Çipa. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.

Bibliografia

Barleti 1983: Barleti. M, Historia e Skënderbeut, Botimi i Tretë, Përkthyer nga Stefan I. Prifti, Shtëpia Botuese “Naim Frahëri”, Tiranë, 1983.

Cabanes, Drini 2016: Cabanes. P, Drini. F., CIGIME III : Corpus des Inscriptions grecques d’Illyrie méridionale et d’Épire, 3, Inscriptions d’Albanie (en dehors des sites d’Epidamnos-Dyrrhachion, Apollonia et Bouthrôtos, EFA 2016.

Çabej 2011: Çabej. E, Diana dhe Zana. Studimie kulturhistorike, Botime Çabej, 2011.

Çipa et al 2024: Çipa. K, Meshini. M, Tota. U, New evidence from the Late Prehistoric Tumuli of Himara, Southwestern Albania, In The Mechanism of Power (The bronze and Iron Ages in Sawtheastern Europe), Perspectives on Balkan Archaeology 2, Eds Mario Gavranovic, Daniela Heilmann, Marek Vercik and Pero Ardjanliev, Ohride 2024, f. 177-194.

Dakaris et al 1993: Dakaris. S, Kristidis. A, Vokotopoulou. J, Les lamelles oraculaires de Dodone et les villes de l’Epire du Nord, L’Illyrie Meridionale et l’Epire dans l’Antiquité 2, Actes du colloque internationale de Clermond-Ferrand I (25 Octobre 1993), f. 55-60.

Daubner 2018: Daubner. F, Peer Polyti Interaction in Hellenistic Northern Greece: Theoroi Going to Epirus and Macedonia, The Polis in the Hellenistic World, Editet by Henning Börm and Nino Luraghi, Stuttgart 2018, f. 131-157.

Francis 2005: Francis. K. D, Explorations in Albania, 1930-39. The notebooks of Luigi Cardini, Prehistorian with the Italian Archaeological Mission. The British School at Athens, London 2005.

Homeri 2006: Homeri, Odiseja, Përkthyer nga Pashko Gjeçi, Onufri, 2006.

Islami et al 2002: Islami. S, Prendi. F, Ceka. H, Anamali. S, Ilirët dhe Iliria te autorët antikë, Botimet Toena, 2002.

Leake 1835: Leake. W. M., Travels in Northern Greece, London, 1835.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading